Republika e Kosovës shënoi dje trevjetorin e Pavarësisë

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 4208
Tre vjet pavarësi.
Republika e Kosovës shënoi dje trevjetorin Pavarësisë, e cila deri më tani është njohur nga 75 shtete të botës. Për nder të kësaj dite, mbrëmë presidenti në detyrë, Jakup Krasniqi, ka organizuar një pritje

Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se së shpejti do të konstituohen institucionet e reja të dala nga zgjedhjet e 12 dhjetorit, të cilat para vetes do të përballen me sfida të reja të shtet-ndërtimit. Ai këto komente i bëri të mërkurën mbrëma, gjatë një pritjeje me rastin e trevjetorit të shpalljes së pavarësisë, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore, partive politike, ambasadorë të huaj, etj.

Duke folur rreth trevjetorit të pavarësisë, Krasniqi theksoi se shpallja e pavarësisë përmbushi aspiratat e brezave të tërë që sakrifikuan veten për lirinë.
“Në këtë përvjetor, ne përulemi me respektin e përjetshëm, para të gjithë atyre burrave e grave të Kosovës, që bënë sakrificën më sublime për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e atdheut të tyre të shtrenjtë. Më 17 Shkurt, e në çdo 17 Shkurt, ne përkulemi para Komandantit Legjendar – Adem Jashari dhe Jasharëve të lavdishëm, për flijimin e tyre biblik, për frymën e lirisë e të paqes që sollën në Kosovën tonë.
Më 17 Shkurt, ne kujtojmë me mirënjohje të thellë të gjithë miqtë tanë, që i kontribuuan lirisë, pavarësisë dhe ndërtimit demokratik të Kosovës”, – ka thënë Krasniqi.
“Kosova e pavarur e demokratike do të jetojë e zhvillohet dhe do të përballet me sfidat e rritjes e të përparimit”, ka thënë ai.
Krasniqi ka shprehur besimin se institucionet e reja të dala nga zgjedhjet e 12 dhjetorit do të konstituohen shumë shpejt. Ai uroi të gjithë qytetaret e Kosovës për këtë festë të madhe, duke kujtuar familjen e komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari për flijimin që bëri, por edhe miqtë ndërkombëtarë që i kontribuuan lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, e cila deri më sot është njohur nga 75 vende të botës.
Ndërkohë edhe kryeministri në dorëheqje Hashim Thaçi uroi gjithë qytetarët e Kosovës më rastin e tre vjetorit të pavarësisë. Ai tha se pavarësia është meritë e gjithë popullit të Kosovës. Ai kujtoi gjithë ata që flijuan jetën për të realizuar idealin e shtetit të Kosovës ndërkaq falënderoi edhe gjitha shtetet që ndihmuan krijimin e shtetit të Kosovës.
Kosovën për tre vjetorin e pavarësisë e ka uruar edhe Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar Pieter Feith. Ai tha se pas tri viteve, Kosova ka bërë progres të konsiderueshëm. “Ajo po i ndërton institucionet demokratike të cilat po funksionojnë gjithnjë më efektshëm për të siguruar një Kosovë të suksesshme, të qëndrueshme, stabile dhe që i kontribuon perspektivës evropiane dhe euroatlantike të vendit. Kjo punë përfshin zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin” thotë Feith. Ai ka përgëzuar Kosovën për përpjekjet dhe rolin e saj në sigurimin e të drejtave të komuniteteve, të stabilitetit dhe të bashkëpunimit në rajon e më gjerë.
Më 17 shkurt 2008, Kosova u bë lajm i botës për vendimin historik. Entuziazmi që përjetohet veç njëherë në jetë shpërtheu në secilin skaj të mundshëm të vendit. Ishte festa që duhej të ndodhte. Por, realiteti i hidhur trokti më shpejt sesa që pritej. Vendi që ka hyrë në krizën institucionale e politike nëntorin e kaluar, ende nuk ka krijuar institucionet e reja, as pas katër muajsh. Koalicioni i pavarësisë, i ndërtuar nga Thaçi e Sejdiu, ka përfunduar i ndarë vetëm brenda tre vjetëve të qeverisjes. Premtimi i hershëm i kryeministrit Hashim Thaçi për 100 njohje nuk është përmbushur as për 3 vjetësh, ndërsa vetëm 75 vende e kanë njohur shtetin e ri. Serbia, ka kërkuar mendimin e Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për legjitimitetin e pavarësisë, por ka marrë goditje kur është konfirmuar se pavarësia ishte në përputhje me të Drejtën ndërkombëtare. Shtete mike të shumta kanë lobuar për Kosovën, ndërsa në Prishtinë një rivalitet i pazakontë e ka karakterizuar Ministrinë e Jashtme dhe AKR-në e Behgjet Pacollit. Kosova është anëtarësuar në FMN dhe në Bankën Botërore, ndërsa organizatat e tjera ndërkombëtare, kanë mbetur larg dëshirës së Prishtinës për të marrë ndonjë vend.
Qeveria në largim e Republikës së Kosovës, nuk ka planifikuar të organizojë asnjë aktivitet për të shënuar përvjetorin e tretë të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Ndërsa, Komuna e Prishtinës ka paraparë që të ketë një shfaqje teatrale, një koncert për fëmijë, por edhe një koncert për të rritur, vizita tek varret e dëshmorëve, te varri i ish-presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova dhe ndezja e fishekzjarrëve.

Klinton uron Kosovën.

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton i ka uruar Kosovës trevjetorin e pavarësisë, duke thënë se Washingtoni është i përkushtuar për ardhmërinë e saj. Shtetet e Bashkuara “janë të përkushtuara për të ardhmen e juaj dhe ne jemi të nderuar të jemi miqtë e juaj dhe partnerë”, thuhet në deklaratën e Clinton. “Ju po e vijëzoni të ardhmen e re për vendin tuaj dhe për rajonin”, shkruan më tutje sekretarja e Shtetit, dhe shton se përvjetori është “rast i përshtatshëm për liderët e zgjedhur të Kosovës që ta forcojnë përsëri përkushtimin e tyre për qeverisje të mirë dhe transparencë, që janë esenciale për përmbushjen e integrimit euro-atlantik”. Në fund, Clinton shkruan se ishte “e impresionuar me premtimet e një vendi aq të ri”, gjatë vizitës së saj në tetor të vitit të kaluar, kur ajo ishte pritur me brohoritje nga masa e njerëzve, që i valvisnin flamujt amerikanë dhe mbanin parulla të falënderimit për Shtetet e Bashkuara.

Lunaçek: Kosova ka probleme me imazhin

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, ka tërhequr vërejtjen se Kosova ka problem serioze me imazh, dhe sipas saj duhet të ndërmerren hapa urgjente për të punuar rreth kësaj çështje. Lunacek gjatë një interviste për Radio Dukagjinin, i ka bërë thirrje spektrit politikë që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të përmirësuar imazhin.
“Epo…ta them të vërtetën… nga problemet që kemi parë në zgjedhje dhe me raportin e Dick Martit imazhi i Kosovës ka rënë dukshëm. Pa asnjë dilemë mund të ta them se, po, ka problem me imazhin e Kosovës dhe ne që jemi miq të Kosovës jemi duke tentuar ta informojmë opinionin publik këtu në BE se çfarë në të vërtetë është duke ndodhur, por, po ashtu është shumë e vërtetë se vetë kosovarët duhet që të zgjohen dhe të bëjnë përpjekje që të ndryshojnë këtë imazh”, tha Lunacek.
Ajo ka ftuar kryeministrin në largim Hashim Thaçi, që të bashkëpunoi ngushtë me EULEX-in lidhur me akuzat e ngritura për trafikimi organesh.
Lunacek, ka hequr edhe dilemën nëse statusi do të mund të jetë pjesë e bisedimeve të ardhshme Prishtinë-Beograd. Sipas saj rezoluta e Parlamentit Evropian ka sqaruar pozicionet për këtë çështje.
“Është e qartë se statusi nuk do të jetë pjesë e bisedimeve, e me aq sa di unë lidhur me këtë nuk ka as më të voglën dilemë brenda Bashkimit Evropian. Bisedimet do të jenë për përmirësimin e marrëdhënieve dhe fillimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve të pavarura “. tha ajo.
Lunacek thotë se ka frik të flas për data, kur është në pyetje liberalizimi i vizave për Kosovën.
Gazeta Standard

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 19/02/2011. Filed under Kosovë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

One Response to Republika e Kosovës shënoi dje trevjetorin e Pavarësisë

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.