Gërdeci, lirohen nga burgu Delijorgji, Pinari e Ngjeçi

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 3126
Gjykata e Tiranës pranoi dje kërkesën e Mihal Delijorgjit, Ylli Pinarit dhe Sokol Ngjeçit, tre të pandehurve të mbetur nën “arrest me burg”, që pak ditë pas shpërthimit tragjik të 15 marsit 2008, për shuarjen e kësaj mase sigurie dhe lirimin e tyre nga paraburgimi. Treshja e gjyqtarëve që po gjykon dosjen “Gërdeci”, vendosi që Delijorgji, ish-administrator i “Albademil”, Ylli Pinari, ish-drejtor i MEICO-s dhe Sokol Ngjeci, ish-specialistit i MEICO-s, të

gjykohen në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, deri në fund të procesit në seancat e mbetura. Gjykata arsyetoi se paraburgimi për këta tre të pandehur e ka humbur fuqinë, pasi afatet ligjore kanë tejkaluar. Sipas gjykatës, shkak i dhënies së këtij vendimi ishte fakti i krijimit të një situate të re, pas lirimit nga Gjykata e Lartë, në datë 2 shkurt, të Dritan Minxollit, i pandehur tjetër në këtë proces. Vendimi i djeshëm i dha fund “betejës” së të pandehurve të arrestuar për lirimin nga paraburgimi. Për herë të parë, kjo kërkesë u artikulua nga mbrojtësit e të pandehurve të liruar dje në korrik të vitit të kaluar.
SEANCA
Të pandehurit Ylli Pinari dhe Sokol Ngjeçi, dukej se e prisnin dje vendimin e gjykatës që do t’i nxirrte nga qelitë e paraburgimit 313. Nga brenda kafazit të sallës së gjyqit ata qëndruan të qetë, teksa gjyqtari lexoi vendimin e shuarjes së “arrestit me burg” ndaj tyre. Madje, edhe pas shpalljes së vendimit, ndonëse kryesuesi u pohoi që mund të largoheshin nga salla, të pandehurit preferuan të qëndronin aty, deri në përfundim të seancës. Kërkesa për “konstatim shuarje të masës së sigurisë dhe lirim të menjëhershëm nga salla e gjyqit”, u paraqit dje nga që në fillim të seancës nga avokati Gëzim Veleshnja, mbrojtës i Mihal Delijorgjit, avokati Bashkim Asllani, mbrojtësi i Ylli Pinarit, si edhe vetë i pandehuri Sokol Ngjeçi. Sipas mbrojtësve, afatet e paraburgimit kishin skaduar. Në kërkesën e tyre, mbrojtësit u bazuan edhe në vendimin e Gjykatës së Lartë të pak ditëve më parë, që liroi të pandehurin Dritan Minxolli. Duke iu referuar këtij vendimi, avokatët e Delijorgjit e Pinarit, si edhe i pandehuri Ngjeçi, pohuan se afatet e paraburgimit nga Gjykata e Lartë janë numëruar që prej marsit 2009, kohë kur dosja “Gërdeci” shkoi për gjykim në Gjykatën e Lartë. Pas mëse 45 minutash në dhomën e këshillimit, treshja gjykuese shpalli vendimin. “Gjykata vendosi pranimin e kërkesës. Ajo konstaton humbjen e fuqisë së paraburgimit dhe vendos lirimin e menjëhershëm të të pandehurve Mihal Delijorgji, Ylli Pinari e Sokol Ngjeçi, si dhe caktimin ndaj tyre të masës së sigurimit personal, atë të ‘arrestit të shtëpisë’, u shpreh dje gjykata. E njëjta treshe gjyqtarësh, që e pati rrëzuar disa herë të njëjtën kërkesë, arsyetoi dje se ndryshimi i qëndrimit kishte të bënte me vendimin e Gjykatës së Lartë, në lidhje me lirimin e Dritan Minxollit. “Lirimi i Dritan Minxollit ka krijuar një gjendje faktike të re”, pohoi gjykata. Po sipas gjykatës, kërkesa u pranua për shkak të parimit të barazisë dhe mosparagjykimit në proces. Nga korriku i vitit të kaluar, kërkesa e Delijorgjit, Pinarit dhe Ngjeçit për lirim, ka kaluar në të tria shkallët e Gjyqësorit. Një vendim i 3 nëntorit të vitit të kaluar, i Gjykatës së Lartë, në lidhje më shqyrtimin e kësaj kërkesë, dërgoi çështjen për rishqyrtim me një treshe të re gjykuese. Në të njëjtin vendim, Kolegji Penal udhëzonte që llogaritja e paraburgimit të niste që në dërgimin e akteve të dosjes “Gërdeci” për gjykim në Gjykatën e Lartë, më 13 mars 2009 dhe jo kur dosja mbërriti në Gjykatën e Tiranës, në qershor të këtij viti.

“Gërdeci”, PS: Vendimi, dështim i drejtësisë
Partia Socialiste e ka cilësuar vendimin e sotëm të Gjykatës së Tiranës për tragjedinë e Gërdecit, dështim të drejtësisë në vend.
Deputeti socialist, Taulant Balla, akuzoi Kryeministrin Berisha dhe maxhorancën pas vendimit të gjykatës për nxjerrjen nga burgu të Mihal Delijorgjit, Ylli Pinarit dhe Sokol Ngjeçit. “Sot u provua lidhja e drejtpërdrejtë e Sali Berishës dhe djalit të tij me të akuzuarit e Gërdecit. U provua se ku po zhytet drejtësia dhe korrupsioni mbi të. Ky episod i turpshëm i radhës, i dështimit të drejtësisë për 26 të vrarët e Gërdecit, na rimëson se nuk mund të ketë drejtësi në një vend ku qeveris padrejtësia. Largimi i këtyre matrapazëve është e vetmja rrugë për vendosjen e shtetit ligjor në vend”, theksoi Balla.

PD: Lirimi i Delijorgjit, vrasje e dytë për qytetarët
Partia Demokratike reagoi dje menjëherë pas vendimit të gjykatës për të liruar Mihal Delijorgjin dhe Ylli Pinarin. Deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj, tha se kjo është një vrasje e dytë për qytetarët e Gërdecit. “Dalja nga burgu e Delijorgjit dhe shokëve të tij është degradimi i qëllimshëm i sabotuesve të procesit, grupeve të caktuara të lidhura me z. Rama. Është lëndimi i viktimave, është vrasje për së dyti e qytetarëve të Gërdecit. Ne si Parti Demokratike denoncojmë këtë akt, që vjen nga sabotuesit e procesit, nga ndërhyrja e mafies që kanë bërë lojën. Druaj se pas tij qëndron miku i Delijorgjit, Rama dhe mafia që e rrethon”, tha Alibeaj.

Reagon gjykata: Zvarritja e gjyqit, për faj të avokatëve

TIRANE – Gjykata e Tiranës “etiketoi” sërish avokatët si fajtorë në zvarritjen e procesit “Gërdeci”, si edhe kërkoi që vendimi i djeshëm për lirimin e Delijorgjit, Pinarit dhe Ngjeçit, të mos komentohet politikisht. Reagimi zyrtar i gjykatës u bë me dije dje nëpërmjet zëdhënëses së institucionit, Bujana Tonçica. “Tejkalimi i afateve të paraburgimit të të pandehurve Mihal Delijorgji, Ylli Pinari e Sokol Ngjeçi erdhi edhe për shkak të zvarritjes së procesit gjyqësor, pas mungesave të përsëritura të avokatëve. Në mënyrë të përsëritur, ne kemi kërkuar dhe ndërhyrjen e Dhomës Kombëtare të Avokatisë, që në bazë të ligjit të avokatisë, të  merrte masa konkrete ndaj avokatëve që ishin kthyer në shkakun kryesor të shtyrjeve, apo pengimit të seancave gjyqësore, konkretisht për çështjen ‘Gërdeci’”, tha zëdhënësja Tonçica. Në vijim, ajo pohoi se: “‘Gërdeci’ do të vazhdojë të zhvillohet, pavarësisht gjendjes gjyqësore të të pandehurve. Ndërkohë që theksojmë se një vendim gjyqësor, i bazuar në ligj nuk mund të komentohet, apo të përdoret për interesa politike, apo çdo lloj interesi tjetër”, thuhet në deklaratë.
Panorama

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 09/02/2011. Filed under Aktualitet,Ligji. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

One Response to Gërdeci, lirohen nga burgu Delijorgji, Pinari e Ngjeçi

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.