Si vdiqën të internuarit nga uria dhe sëmundjet

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 5544
As qefinin e as arkivolin su lejuan te gjenin.
Flet Asije Habili, e mbijetuara e kampeve të shfarosjes në Berat e Tepelenë në vitet 1945–1951.
Kur kam dëgjuar për herë të parë historinë që vijon më poshtë, mu duk aq e frikshme për tu rrëfyer apo për tu përmendur, saqë nuk më jepej ta memorizoja e aq më pak ta shkruaja. Por me kohë, me zgjerimin e njohjes dhe të leximeve të kësaj natyre, mu shtua kërshëria ta njihja më thellë, më së brendshmi e më në tërësi gjithë këtë seri episodesh, që rrëfen se si u martirizua e për pak u zhduk një familje e tërë shqiptare në kampet e shfarosjes në Berat e Tepelenë.

Ishte viti 1945 dhe familja e Ramazan Habilit nga Gjinaj (Habilaj) i Kavajës internohet e gjitha në Berat, pa asnjë bazë ligjore, pa bërë asnjë krim, pa shkelur kurrfarë ligji, pa shkak e arsye njerëzore përveçse ishin familjarët e një kundërshtari politik, Ramës, asgjë tjetër. Në listën e të internuarve bënin pjesë bashkëshortja e tij dhe fëmijët e vegjël, të gjithë 18 vjeç e poshtë: motra e Ramës, Laje Gjoci (Habili) bashkë me djalin e vet; njerka e Ramës, Pashja; e reja e Ramës, Nafija, dhe vëllai i tij, Dalipi. Prej këtyre njerëzve arrijnë të shpëtojnë vetëm më të mëdhenjtë e më të fortët fizikisht, a thua se kishim të bënim me një proces seleksionimi biologjik apo një eksperiment racial, ku vetëm më rezistenti arrin tia dalë në fund të kësaj sprove çnjerëzore të quajtur “internim” në kampet e komunizmit. Nga kjo familje vdesin 5 fëmijë dhe njerka e Ramës, një plakë e moshuar, që njihej si “Nana e Tushes”. Vëllai, Dalipi, humb aftësitë mendore për pak kohë nga torturat e xhelatëve që kishin pushtetin.

Ky krim kundër një familjeje fisnike dhe me kontribute patriotike e humaniste denoncon rreptë gjithë atë sistem kriminal të quajtur “komunizëm”, drejtuesit e lartë dhe shërbëtorët e tij, çdo hallkë dhe mekanizëm që e mbante më këmbë. Nga ana tjetër, kjo histori familjare dëshmon qartë tmerret, vuajtjet, mjerimet, dhimbjen e mynxyrat që shkaktoi ai regjim antishqiptar qysh prej fillimeve të tij në vitin e largët 1944 e deri në rrëzimin përfundimtar më 1990.

Për të dhënë detaje rreth kësaj tragjedie sa familjare aq edhe kombëtare, kemi biseduar me një prej të mbijetuarve të kësaj ngjarjeje rrëqethëse, Asije Elezin (Habili), e cila sot që i ka kapërcyer të 80-at, me zor reziston të rrëfejë çfarë ka parë e vuajtur në ato vite të skëterrshme në kampet e internimit në Berat e në Tepelenë.

N. Kolgjini

Kush ishte i internuar prej jush dhe në ç’kohë?

– Jemi internuar në kohën kur pushtetin e kanë marrë komunistët. Duhet të ketë qenë fillimi i vitit 1945. Kemi qenë nanë Vathja (gruaja e Ramës – shën. ynë), unë, Xhevati, Qefserja, Mukadesi dhe Nexhmija (familja e ngushtë e Ramës – shën. ynë); pastaj ishin Pashja, ose Nana e Tushes (njerka e Ramës); hallë Laja (motra e Ramës, e ve, e martuar me Beqir Gjocin – shën ynë) bashkë me djalin e saj, Osmanin; gjithashtu kishim Nafijen (e reja e Ramës, nusja e djalit, Hamidit), shtatzënë, si dhe xha Dalipi (vëllai i Ramës). Bashkë si grup kemi pasë edhe një grua me dy vajza nga Luzi i Kavajës, Dije Hoxha, e cila ishte e internuar për shkak se djali i tyre, Mal Hoxha, ishte në arrati bashkë me babë Ramën.

Po Ragipi, djali i dytë i Ramës, ku ndodhej?

– Ragipi nuk ishte me ne, sepse ditën që kanë ardhë në kullë (në Habilaj – shën. ynë) të na merrnin e të na futnin në burgun e Kavajës, ai ishte jashtë shtëpisë. Ndërsa po kthehej nga shkolla, ne e pikasëm që na kishin rrethuar dhe Nafija del në dritare e i thotë: “Largohu, sepse jemi të rrethuem!”. Ai largohet nga fshati dhe dimë që babë Rama e ka lënë amanet te një familje në Romanat të Durrësit. Atje ka ndejtë mbi 6 muaj dhe pastaj ka ardhë në Bullutje te familja e Rap Togut (Sadiu), të cilin e kishim nip të shtëpisë. Aty e zbulojnë dhe e arrestojnë. Torturojnë atë dhe të zotin e shtëpisë në mënyrë çnjerëzore, për shkak se ishin takuar me Ramën e duhej të tregonin se ku ishte ai. Mizoria e forcave të ndjekjes ishte e skajshme dhe, si nëpër filma, u dhanë nga një mjet në dorë për të goditur njëri-tjetrin (dajë e nip), siç e kemi parë ta bëjnë vetëm serbët e grekët kundër shqiptarëve. Pasi e mbajnë disa kohë në birucë, e sjellin në Berat edhe Ragipin.

Ku banonit dhe me se jetonit në kampin e Beratit?

– Në Berat kemi qëndruar rreth 4 vjet. Në fillim na futën në “Shtëpinë e Pashait” në lagjen “Mangalem”, pastaj më vonë në Kala. Verës na çonin në Kuçovë të punonim në bujqësi ose punë që na caktonin, pa kurrfarë pagese, pra punë e detyruar, kurse dimrit na mbyllnin në Kala. Këtu na kanë vdekur dy fëmijë.

Kur ishim në “Mangalem”, vdiqën Nexhmija, motra e vogël trevjeçe, dhe Fatmira, vajza e vëllait tim Hamidit e Nafijes. Ne thoshim të dëshpëruara, por dhe nga naiviteti i moshës, se “çështë ky emër Fatmira kur kjo e paska pasë këtë fat kaq të zi!” Por ajo vdiq shpejt, as 6-muajshe, për shkak të mungesës së ushqimit, qumështit, kushteve primitive ku jetonim.

Mbaj mend se Nexhi ka vdekur duke vjellë gjak nga goja për shumë kohë. Se çfarë sëmundjeje ka qenë, nuk mund ta them, se kam idenë. Këtu sëmuret edhe Mukadesi, që shkurt i thërrisnim “Desi”. Ajo kërkonte trajtim mjekësor dhe kushte spitali e jetese të mira, të cilat ne, që ishim në zgrip të ekzistencës, as që mund ti përfytyronim. Desi u ënjt në të gjithë trupin, me sa mbaj mend, ishte problem i veshkave. Ndërkohë na komunikohet se do të na transferonin në Tepelenë. Kishim dëgjuar se ishte rrugë e keqe dhe e zorshme, prandaj nanë Vathja i lutet doktorit që e mjekonte ta mbante e ta shtronte Desin në spital, duke i qarë hallin si nënë dhe duke i rrëfyer vdekjen e fëmijëve të tjerë. Ai i përgjigjet: “Nuk mund ta dimë jetën e kësaj. Merreni me vete!” Ne e dimë se ishte e guximshme të bëje diçka të tillë, pasi seksioni (i degës së brendshme – shën. ynë) nuk të lejonte kur bëhej fjalë për familjen e një të internuari. Pas dy javësh, në Tepelenë, Desi dha shpirt në një gjendje të parrëfyeshme. Doktori na kishte porositur që të mos e ushqenim me thartira, kripëra, djegësira etj., por ushqimi ynë ishte vetëm me të tilla, pra bukë me kripë, me shëllirë, ose bukë me presh. Mbaj mend se një ditë e gjeta Desin pas derës duke mbledhur e gëlltitur mbeturinat e vaktit, që ishin disa thërrime buke e bishta preshi të zverdhura, të cilat i kishim fshirë e bërë gati për ti hedhur në plehra. E qortoj disi rëndë, madje duke i kujtuar edhe porosinë e doktorit! Por, ah, si mund ta kuptoja unë adoleshente në atë kohë, se ajo ishte aq e uritur sa mblidhte edhe thërrimet e bukës e bishtat e preshit të pangrënshme, që ne i kishim hedhur!

Mbaj mend se, kur ishim në Berat, ajo shkonte përditë te Magia, zonja e shtëpisë, që kishte një tufë të vogël delesh. Ne i flisnim ashpër duke i kërkuar hesap: “Pse?!” Ajo na përgjigjej: “Më jep një lugë qumësht!” Desi e ndihmonte të nxirrte dhentë jashtë e ti fuste përsëri në kasolle dhe Magia e shpërblente me një lugë qumësht.

Këtu sëmuret edhe Osmani, djali i hallë Lajes, i cili ënjtet gjithashtu në të gjithë trupin. Ka qenë në moshë me vëllanë tim Ragipin. Halla bën lutje për ta liruar, që për fat iu aprovua. Osmani vdes pas pak kohësh në shtëpi. Edhe djali tjetër, Sula, i kishte vdekur dhe ajo ngeli vetëm me vajzën, Filen. Por hallë Lajen do ta takonim në Tepelenë pak kohë më vonë, kur e internojnë për së dyti, bashkë me xha Dalipin, për shkak të takimeve që kishin pasur me babë Ramën.

Po në Tepelenë si ju çuan?

– Na ngarkuan në një kamion, që shoqërohej nga 3 policë secila, dhe kemi qenë 2 ose 3 familje në një makinë, në karroceri lart, zbuluar. Ishte verë të paktën. Kemi udhëtuar për shumë kohë e dikur mbërritëm të rraskapitur në Turan të Tepelenës, te kazermat e ushtrisë italiane. Gjatë udhëtimit pati një aksident: një makinë u përmbys afër Roskovecit, nëse e mbaj mend, dhe vdesin dy prindërit, por shpëtojnë 4 fëmijët, të cilët fluturuan nëpër ferra. Më kujtohet babai i tyre, që i ishte ngulur në trup një nga spondet e makinës, si ta kishin kryqëzuar. Tmerr ta shihje me sy atë skenë!

Në Tepelenë nuk e dinim çna priste, dhe as që e përfytyronim dot gjithsesi. Por çfarë vuajtëm e hoqëm ishte jashtë çdo imagjinate. Na lanë 8 ditë rresh pa bukë dhe asnjë mundësi për tu ushqyer. Njerëzit filluan të vdisnin nga uria. Ndërkohë drurët e shkurret rrotull kampit u “pastruan” nga gjethet, që filluam ti mbledhim e ti ziejmë në formë lakrash me një dorë oriz, sa për të shuar urinë. Filloi dizenteria në masë dhe kufiri që dallonte njeriun nga shtaza ishte shumë afër. Njerëzit u bënë si të çmendur e flisnin me vete.

Na trego pak për Desin, si e përballoi këtë gjendje?

– Në këto kushte, ne duhej të mendonim edhe për sëmundjen e Desit të vogël 8-vjeçe. Ajo ishte e uritur dhe nuk kishim asgjë çti jepnim. Mbaj mend që i thoshte nanë Dijes (Dije Hoxha, nga Luzi i Madh, e internuar me dy vajzat, Bakushen dhe Dritën – shën.ynë): “Pse, nanë Dija, kto laknat tueja zijnë mô shpejt?!…” – “Ashtu!? Hajt Desi, se të jap nana ty lakna, tashi, menjiherë!” I jepte nga pjesa e vajzave të veta së sëmurës Desi. Ne ishim gjashtë fëmijë. Laknat, një përzierje gjethesh rrushi të egër, ferrash e barishtesh, i vinim në sasi më të madhe, çka kërkonte më shumë kohë të zienin, por Desi nuk priste dot.

Pas 8 ditësh urie të skajshme filluan të na sjellin bukë misri nga Berati. Bukë kishte emrin, sepse në fakt ishte diçka si punë brumi i mykur, gati jeshil, i papjekur fare dhe në sasi krejt të vogël për nevojat e njerëzve. Filluam ta racionojmë dhe ta ndajmë. Pa ekzagjerim, i takonte një copë e barabartë me një kuti shkrepëse të sotme që mban 50 fije. A mund të rronte njeriu me këtë sasi ushqimi?! Por vdekjet e shumta, në fakt sikur e lehtësuan disi këtë uri. Vdisnin mbi 8 ose 10 veta në ditë. Kur vdisnin 3 ose 4, quhej ditë me pak të vdekur. Aty ishin 8 kazerma dhe për 2 muaj vdiqën kush i mban mend sa njerëz, gjysma ndoshta.

Një herë e shoh Desin që hëngri një racion tepër dhe si më e madhe, i them: “Pse e hëngre edhe racionin tim?” Ajo më sheh e trembur dhe si e habitur. Ndërhyn nanë Vathja, që thotë: “Ska gjë, se unë nuk dua, le ta hajë Desi copën time!”

Derisa të vdes nuk më harrohen ato pamje kur ne skishim si ta ushqenim apo kuronim motrën tonë të vogël, e cila vdiq më shumë nga uria sesa nga sëmundja. Kushtet higjienike ishin të tmerrshme. Na jepnin mundësi vetëm një herë në javë të lanim rrobat në përrua, thjesht me ujë mali, pa sapun, detergjente etj. Na shoqëronin e ruanin me policë, të cilët ishin ca ish-partizanë, që skishin asgjë të përbashkët me njeriun.

Të internuarit i ndanë në 2 grupe: të aftët për punë dhe të pamundshmit, për shkak të moshës etj. Ne që quheshim të rinj, unë dhe Ragipi, na dërguan në Memaliaj, ku punonim me kazmë për hapjen e rrugës automobilistike. Jetonim në çadra të ushtrisë.

Një mëngjes vjen një rojë dhe më njofton se më kërkonte vëllai. Dal te rrethimi dhe takoj tim vëlla, Ragipin, i cili më thotë të bëhem gati e të shkoj në kamp, sepse kishte ardhur Dajë Hekri (Hekuran Saraçi, daja – shën. ynë), që kishte porosi nga babë Rama të mos kthehej pa i parë të gjithë fëmijët. Unë e kundërshtoj dhe i them: “Po ti pse nuk vjen?!” Ai më shpjegon se nuk e linin të ikte nga puna.

Nisem për në kazerma bashkë me një plak, që na sillte ushqimin me kalë, i cili ishte nga malësia e Shkodrës. Rrugës ai më pyeti se sa motra apo vëllezër kisha, sa vjeç ishin etj., etj. Unë nuk po u jepja dum fjalëve të tij, megjithatë i thashë se jemi 3 motra e 3 vëllezër. Ai më pyeti për emrat e për moshën dhe gati më bezdisi me ato pyetje që unë i quaja trashanike. Kur afrohem te kampi në Turan, aty dëgjoj zëra grash që pëshpëritnin: “Ja, kësaj i ka vdekur motra!” Nuk po e kuptoja dhe më dukej e pabesueshme që ato fjalë të ishin për mua. Kur mbërrij në kazermën nr. 2, ku ishte familja ime, mësoj se Desi ishte varrosur! Filloj e ulërijë dhe sot e kësaj dite nuk më del hidhërimi për humbjen e motrës. Doja të shkoja ta shihja edhe një herë e këmbëngula të hapnim varrin, sa për ta puthur për herë të fundit. Më sqaruan se e kishin futur direkt në tokë, pa arkivol, apo shulse, ose dërrasa varri, që të mund të mbronin kufomën. Ma bënë të qartë se gjithë ata gurë e dhé e kishin prishur tashmë fytyrën e saj të njomë. Qava aty derisa smë dilnin më lot e kthehem me shpirtin copë në kazermë, ku vazhdonte jeta e internimit. Edhe sot më thotë mendja, e di vendin ku është varrosur, në atë shpat kodre në Turan…

Nanë Vathja kishte kërkuar ti sillnin djalin, Ragipin, që të varroste të motrën, por nuk i dhanë leje. Desin e varrosën disa pleq që ishin ende gjallë. Vdekja e Desit në moshën 8 vjeçe na e rëndoi gjendjen shpirtërore dhe mbaj mend që shumicën e kohës unë e kaloja në vaj e lot.

Çfarë mund të na tregosh nga jeta në kamp?

– Nga Turani në krye të vitit na hoqën e na çuan në kampin e Tepelenës, i përbërë nga 9 kazerma. Këtu ishim pak më mirë, sepse kishim krevate 2- katëshe, kurse në Turan rrinim përtokë, pa kurrfarë shtrese apo izolimi. Ishim të rrethuar me tela, por mund të mblidhnim ndonjë dru apo rrënjë rrotull kampit sa për të gatuar diçka apo për të ngrënë “lakra”. Kishim edhe njëfarë gjelle kazani, që shpërndahej me racione për secilën familje. Kazani i gatimit ishte një vozë (fuçi) e prerë në mes dhe pjesa poshtë shërbente për të gatuar. Ushqimi që na jepnin ishte një lëng i përftuar nga zierja e tre katër kg makarona tip babole (kërmilli), që notonin në mbi 50 litra ujë. Nëse në racion të binte ndonjë “kërmill”, ishe me fat, por zakonisht ishte thjesht ujë me kripë. Nganjëherë na e ndërronin menynë e na gatitnin presh të zier, zakonisht të palarë e me gjithë rrënjë e gjethe të kalbura.

Edhe këtu na shfrytëzonin në punë të detyrueshme, duke na ngarkuar me dru zjarri, që i zbrisnim nga mali i Bënçës në kamp ose në rrugë të makinës, sipas kualitetit të druve. Në Bënçë na përdornin sikur të ishim kafshë pune dhe pa asnjë pikë respekti njerëzor e duke na fyer pa shkak. Një ditë një dru më ra në këmbë dhe u plagosa keq për shumë kohë. Me zor ngjisja malin e kthehesha me barrën ngalkuar me tërkuzë lidhur si kafshë. Por këmba e vrarë më mundonte edhe më tepër. Dëgjoja rreth e rrotull të thoshin: “Këta janë të sëmurë si familje, po vdesin të gjithë! Edhe kjo se ka të gjatë!”

Njëherë mbaj mend se ngarkova një barrë drush kazani, të holla dhe të lehta. Polici më pikasi dhe më foli rëndë në një gjuhë që mezi e merrja vesh, ma uli barrën dhe e ngjeshi mirë e mirë me këmbë për tia ulur volumin, por jo peshën. Pastaj ia merr barrën një gruaje tjetër, e bashkon me timen e mi ngarkon të dyja në kurriz. Mbaj mend se mezi e kam sjellë këtë barrë në kamp. Më rrinin pranë vajzat e Abaz Kupit, Hyrija e sidomos Bukurija, e Lajde Miraka etj., të cilat më jepnin dorën e më ndihmonin. Edhe ato ishin të ngarkuara si unë, por nuk më linin mbrapa. Kishte një rregull: kush nuk plotësonte normën, nuk lirohej nga puna, edhe sikur të errej e bëhej natë. Ndërsa kush plotësonte shpejt një metër kub, kishte të drejtë të pushonte për pak kohë. Ky ishte shpërblimi.

Ju keni pasur edhe një vëlla, që ju ka vdekur në Tepelenë…

– Po, Xhevatin… Ju betohem që çastet e fundit të jetës së tij janë të pabesueshme, po të mos i kesh parë me sy. Unë qëllova fatkeqe që i kam parë e po jua rrëfej:

Ishte muaji gusht, një vit pas vdekjes së Desit. Xhevatin e zu dizenteria, por nuk na tha. Për 2 ditë rresht shkonte e vinte pa pushim te banjat, që ishin 40 m larg kazermës ku rrinim. Pastaj u dorëzua e i tha nanë Vathes: “Jam keq, më dhemb barku, jam sëmurë!” Ajo e vizitoi te mjeku, në fakt një infermiere e kampit. Ajo konstatoi se kishte dizenteri dhe thotë se “do ti bëjë injeksione”. Fillon kura: çdo ditë nga një gjilpërë, por asnjë efekt. Gjendja rëndohet. Vetëm 5 ditë mundi të shkojë në banjë, pastaj nuk çohej dot më nga krevati. Filloi të nxjerrë veç gjak nga zorrët, sepse nuk hante gjë. Nuk i treguam njeriu, sepse kishim frikë mos na nxirrnin nga kampi, pasi dizenteria është ngjitëse. Dy-tri ditët e fundit gjaku nuk pushonte. Nana ia lante leckat që i vinim poshtë dyshekut në çezme dhe na thoshte se kullonin shumë gjak, sikur të ishte ndonjë kafshë e therur, aq gjak rridhte.

Ditën e fundit, kur po jepte shpirt, vjen infermierja për të bërë adetin. Xhevati i thotë: “Kot vjen, nuk po më bôjnë gjô gjylponat e tuja! Nesër mos hajde mô!”

Pak kohë pasi ikën infermierja, ai kërkoi një gotë ujë. Nana më thërret e thotë: “Hyr në krevat, merre e ngreje ndenjur që të pijë ujë më lehtë. Ulem në krevat, e sistemoj mes këmbëve të mia dhe ia fus krahët rreth trupit për ta mbajtur drejt, duke ia mbështetur kokën në gjoks. Afrohet nana dhe i zgjat filxhanin me ujë. Ai përcjell gllënjkën e parë, ndërsa të dytën nuk e kalon dot, duke e derdhur buzëve anash. Nana në këtë çast e sheh mirë se çfarë ndodhi, por me të lehtë më thotë: “Mbaje mirë, se po e zë gjumi! Shtrije me kujdes në shtrat!” I bindem dhe kthehem duke e parë në fytyrë. Mu duk se ishte pakëz i ndryshuar dhe sikur i kishte rënë një hije e veçantë. Në atë çast shoh nanën që tia mbyllte sytë e ti thotë: “Të keqen nona, shpejt më le! Kaq tesalallik (jetë të përbashkët – shën. ynë) paske pasë ti me mu!?” Atëherë kuptova se vëllai kishte dhënë shpirt dhe ia dhashë kujës, sa besoj më kanë ndier në të gjitha kazermat. Xhevati u sëmur të premten e dha shpirt të shtunën, pas 8 ditësh. Ishte vetëm 13 vjeç.

Nana lidhi dyshemenë për beli dhe niset për në drejtorinë e kampit. Takohet me nëndrejtorin, i cili mbaj mend që quhej Syrja. E njofton se i ka vdekur djali dhe i lutet ti thotë një polici të shkojë në Tepelenë sa për ti blerë pak metra kambrik për qefin. Të internuarit nuk i linin të dilnin jashtë kampit. I drejtohet me fjalët:

– Zotni, më ka vdekur djali!

– Mirë e ka bërë! – i përgjigjet ai.

– Mirë thua ti, por unë kam hall ta varros, e skam qefin! – i thotë nana e shkretë!

– Ka sa të duash fier, gur e dhé! – ia kthen zyrtari me emrin Syrja.

Nana kthehet në kazermë, gris disa rroba e sajon me to një qefin. Ndërkohë kishim lajmëruar një hoxhë, i internuar, kuptohet, i cili i bën adetet e xhenazes sipas rregullit mysliman, duke e larë e pastruar. Ndërsa një plak tjetër na ndihmon të rregullojmë një arkivol, i cili u sajua prej një arke dërrase që kishim me vete. Kishim nijetin që tia merrnim eshtrat Xhevatit prej aty e tia varrosnim në Kavajë.

Një grup pleqsh, njësoj si në rastin e vdekjes së Desit, e morën dhe e çuan vëllanë e vogël në varreza te këmbët e urës së Tepelenës rreth 400 metra nga kampi. Varret ishin gati, skishte nevojë me i hapë.

Edhe këtë xhenaze e futin në tokë jashtë rregullit, duke mos i vënë shulse apo dërrasa vorri, ndërsa arka që luante rolin e arkivolit është copëtuar me të rënë gurët e parë, duke ia shtrydhur trupin e copëtuar kockat. Ne myslimanët besojmë se trupi duhet ruajtur, pasi vetëm në krye të 40 ditëve ai fillon prishjen e dekompozimin.

Nana na urdhëron përsëri: “Ecni të hajmë darkë! Ju kôm juve tash që ka ikë Xhevati! Ai ka shku në vend të vet! Nuk ôsht mir të mos hajmë sonte, se i bôhet keq atij!”

Kishte varrosë 4 fëmijë të vetët e kishte frikë e shkreta se do ti vdisnim edhe ne dy motrat që kishim ngelë! Nana e Tushes, njerka e babë Ramës, slëvizte dot nga shtrati. Mallkonte veten që po rronte e po shihte vdekjen e fëmijëve. Pas 6 muajsh vdiq edhe ajo dhe e varrosëm po te varreza e të internuarve.

Vëllai tjetër ku ishte ndërkohë?

– Ragipi ishte në Vlorë, ku i kishin shpërndarë të internuarit dhe të rinjtë që kishin fizikun të fortë për punë. Ishin tri kampe: në Vlorë, në Fier e Lushnje. Ragipit i takoi të punonte në Vlorë. Prej andej na niste telegrame, ku pyeste rreth shkaqeve të vdekjes së Xhevatit. Dyshonte se mund ta kishin vrarë ose diçka e tillë. Por në fakt ai vdiq nga dizenteria dhe kushtet çnjerëzore që ishin në kampin e Tepelenës. Edhe Desi, edhe Xhevati, edhe babë Rama kanë vdekur gjatë muajit të Ramazanit dhe nanë Vathja, megjithëse ishim kushte të tmerrshme, ishte me agjërim. Ku e gjente atë besim e atë forcë shpirti ajo? E habitshme!…

– Si shkoi fati i pjesëtarëve të tjerë të fisit që ishin me ju?

– Xhaxhai, Dalipi, siç ju thashë, u internua bashkë me ne në Tepelenë, por pas torturash çnjerëzore në hetuesi, ku i kërkonin të tregonte se ku ishte Rama, ai ishte transformuar si njeri dhe nuk kuptonte se çfarë ndodhte përreth. Mund të them se e kishte humbur aftësinë e të gjykuarit kthjelltas dhe sidomos kishte një tmerr nga rroba e policit, apo thjesht ti përmendje policinë, d.m.th. rrobën ushtarake. Ka shumë episode që mund të rrëfej, por më kujtohet që herë pas here ai rrinte kruspull e dridhej, duke thënë: “Po vijnë të na marrin e të na pushkatojnë!” – “Jo, – i thonim ne, – nuk do të marrin ty, por Ragipin, se ai është djali i Ramës. Mos u tremb…” – “Jo, do na pushkatojnë të gjithëve!” – thoshte e dridhej fort, kurse sytë i kishte të skuqur natë e ditë e nuk e zinte gjumi kurrë!

Atë e zhvendosën pastaj nga Tepelena në Portopalermo, bashkë me hallë Lajen.

Kurse pas vrasjes së vëllait të madh që ishte në arrati, Hamidit, e shoqja e tij, Nafija, kërkon të lirohet, me arsyetimin që ajo tashmë nuk e ka më burrin e duhej të shkonte te prindërit, por megjithatë nuk e lirojnë. Ajo u lirua bashkë me ne në fund të vitit 1951, pas helmimit që i kurdisën babë Ramës, nëpërmjet njerëzve të Sigurimit.

Nga gjithë familja ime shpëtuam gjallë vetëm nana, unë, motra dhe një vëlla, kurse 2 motra dhe 1 vëlla tjetër vdiqën në internim, ndërsa vëllai madh dhe baba u vranë në mal. Po ashtu në internim vdiqën edhe disa kushërinj, siç ishte Osmani i hallë Lajes dhe vajza e vogël e vëllait, Fatmira, që ju tregova në fillim. Gjithsej për shkak të Ramës jemi internuar 15 veta, prej të cilëve 5 vdiqën, siç ju thashë.

Bisedoi dhe përgatiti për botim Neritan Kolgjini

Kush ishte Ramë Habili

Ramazan Habili, nga Habilajt e Kavajës, i biri i Abaz Habilit, oficer kreshnik i monarkisë së mbretit Zog, familje e pasur dhe me emër në gjithë krahinën e vet, bajraktar, pjesëmarrës në mbrojtjen e organizuar më 7 prill 1939, i paangazhuar me ndonjë krah politik deri në shtator 1943. Pas kësaj kohe është bashkuar për 2 muaj në çetën e Myslim Pezës, ku konfrontohet me Kajo Karafilin dhe largohet përgjithmonë. I djegin shtëpinë çetat partizane të Sali Verdhës dhe hakmerret brenda 24 orësh. Kjo shënon angazhimin e tij në politikë. Emërohet komandant i forcave ushtarake të Ballit Kombëtar për zonën e Kavajës. Njihet si burri që i vuri fré terrorit të komunistëve pas vrasjes së Kajo Karafilit në Helmës të Kavajës. Kjo i dha famë, por njëkohësisht i krijoi armiq të shumtë nga të gjitha anët. Pas përfundimit të luftës më 1944 ai shpallet armik, prandaj qëndron në arrati me një grup nacionalistësh, me shpresën se regjimi komunist do të rrëzohej. Ndiqet pa sukses për 7 vjet nga forcat e ndjekjes dhe për shkak se ishte shumë i përgatitur për të thuheshin legjenda si p.sh. “nuk e kap plumbi!” Në fakt, ai vdiq prej helmimit që i kurdisi Sigurimi i Shtetit nëpërmjet njerëzve të rrethit të tij miqësor. Në qershor 1951 gjendet i vdekur dhe kufomën e tij e marrin dhe e ekspozojnë për dy ditë në pazarin e Kavajës. Vendvarrimi edhe sot nuk i dihet.

Të internuar prej familjarëve të Ramë Habilit:

Vathja, bashkëshortja; fëmijët: Asija, Ragipi, Xhevati, Qefserja, Mukadesi, Nexhmija;

Njerka, Pashja, ose Nana e Tushes;

Motra e Ramës e ve, Laje Gjoci (Habili) me djalin Osmani; Vëllai, Dalipi; nusja e djalit të madh, Hamidit; Nafija (dhe fëmija i saj Fatmira); familja e Mal Hoxhës, pjesëtar i çetës së Ramës; Dija, Bakushja dhe Bukurija (Çike).

Vdesin në internim:

Vajzat Nexhmije dhe Mukades, djali Xhevat, mbesa Fatmira dhe Pashja, njerka e Ramës.

Sëmuret në internim e vdes më vonë nipi, Osman Gjoci.

Humb aftësinë mendore vëllai, Dalipi.

Burgoset më vonë nipi i Ramës, Ali Habili, i cili dënohet me 25 vjet.

Vriten në arrati Rama dhe i biri, Hamidi 20 vjeç.
Gazeta Metropol

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 31/01/2011. Filed under Krimet komuniste shqiptare. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.