Mblidhet Opozita e Bashkuar, demonstrata deri në rrëzimin e qeverisë

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 3873
Arvizu nuk arrin të bindë Ramën për anulimin e demonstratës së të premtes
Krerët e Opozitës së Bashkuar, me në krye Edi Ramën, kanë zhvilluar dje një mbledhje, ku kanë diskutuar për strategjinë e demonstratës së 28 janarit dhe qëndrimit që pritet të mbahet ndaj Kryeministrisë. Pavarësisht apeleve të shumta të ndërkombëtarëve, përsëri opozita është treguar e vendosur që t`i shkojë deri në fund qëllimit të saj, atij të rrëzimit të qeverisë së Berishës.

Tryeza është thirrur menjëherë pas takimit të kreut të PS-së me ambasadorin amerikan, Aleksandër Arvizu. Gjithçka është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe në fund të tij nuk pati deklarata për mediat. Por përfaqësuesi i Opozitës së Bashkuar Spartak Ngjela ka theksuar se së bashku me kreun e opozitës kanë vendosur që nuk do të ketë lëkundje për demonstratën e radhës, që sipas tij pritet të jetë paqësore dhe homazhe në nderim të 3 viktimave të rëna në 21 janar. “Ajo që është diskutuar me kreun e Partisë Socialiste ka të bëjë me qëndrimin që do të mbajë opozita së bashku me demonstruesit në datën 28 janar, një javë pas vrasjes së 3 viktimave. Ne si Opozitë e Bashkuar nuk do të kemi lëkundje për qëndrimin tonë për demonstratat, do t`u shkojmë deri në fund”, ka thënë Ngjela. Ndër të tjera kreu i PLD ka theksuar se në 28 janar pritet që të jenë më shumë demonstrues që do të mblidhen para Kryeministrisë dhe të protestojnë kundra dhunës që shpërtheu ditën e premte mes forcave policore dhe demonstruesve të ardhur nga gjithë Shqipëria. “Pritet që demonstruesit të jenë më të shumtë në numër, të shkojnë deri në 300 mijë protestues që do të vijnë nga gjithë Shqipëria dhe do të demonstrojnë kundra dhunës së ushtruar në 21 janar”, është shprehur Ngjela.
Opozita nuk ndalet para apeleve të ndërkombëtarëve
Pas takimit të liderit të opozitës kreu i opozitës Edi Rama me aleatët që zgjati më shumë se një orë, tashmë është vendosur se qëllimi i rrëzimit të Berishës do t`i shkohet deri në fund. Në këtë mënyrë, është lënë të nënkuptohet se demonstratat do të vazhdojnë edhe pas përgjakjes së demonstratës së fundit. Në mbledhjen e aleatëve, duket se të gjithë kanë rënë dakord për vijimin e betejës, për t’i imponuar Berishës  të shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme. Në takim, ashtu si gjithmonë, për një qëndrim edhe më radikal ka qenë Spartak Ngjela, por shumica kanë qenë për një demonstratë paqësore.
PS: Berisha, grusht shteti ndaj Prokurorisë
Partia Socialiste ka akuzuar qeverinë e Berishës se po përgatit një grusht shteti ndaj Prokurorisë së Përgjithshme SHISH. “Për postet e kusarëve u formalizua edhe grushti i shtetit ndaj Prokurorisë së Republikës në fillim e pastaj edhe ndaj Shërbimit Informativ Shqiptar, duke e kthyer hapur Policinë e Shtetit në zbatuese të urdhrave të paligjshëm të pushtetit, që ekzekutorët e vrasjeve i quan heronj dhe prokurorinë që kërkon ndalimin e tyre e quan pjesëmarrëse në grusht shteti”, ka pohuar kreu i PS. Ndër të tjera Rama pohoi se në 28 janar demonstrata homazh do të dëshmojë me dinjitet kombëtar dhe qytetari evropian, se një popull i tërë mes Evropës vritet, plagoset, rrihet, arrestohet, dhunohet psikologjikisht për të ulur kokën e pranuar një mbretëri të pashpallur kusarësh e matrapazësh.

Arvizu nuk arrin të bindë Ramën për anulimin e demonstratës së të premtes
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka zhvilluar një takim me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Ramën, ku i ka bërë thirrje kreut opozitar dhe kryeministrit Berisha të parandalojnë tubimet e paralajmëruara për t’u zhvilluar ditën e premte dhe të shtunë. Nga sa është mësuar, Edi Rama ka refuzuar kërkesën e ambasadorit Amerikan në Tiranë për anulimin e manifestimit të paralajmëruar për ditën e premte më 28 janar. Siç njoftohet nga burime të konfirmuara, pas takimit të mbajtur prej disa orësh mes kreut të PS dhe ambasadorit amerikan, zgjidhja nuk është gjetur. Njoftohet se Edi Rama ka thënë se nuk ka simetri mes mitingut që kërkoi të zhvillonte kryeministri Sali Berisha dhe demonstratës homazh që ka paralajmëruar opozita. Ambasadori amerikan ka bërë thirrje sot për shmangien e përballjeve publike dhe anulimin e tubimeve të paralajmëruara me qëllim moskrijimin e premisave për acarimin e situatës politike në vend. Kryeministri Sali Berisha deklaroi pak orë më parë se po shqyrtonte kërkesën për anulimin e mitingut të paralajmëruar në 29 janar. Ambasadorët, nga sa mësohet kanë kërkuar informacion dhe kanë pyetur lidhur me rrugët e zgjidhjes së krizës, janë shprehur për një hetim të plotë dhe kanë mbështetur prokurorinë për hetimin. Kreu i PS, Rama i ka bërë diplomatëve një rezyme të situatës aktuale politike, duke deklaruar se manifestuesit u provokuan dhe nuk kanë patur synim të hyjnë në kryeministri. Rama ka dënuar dhunën e policisë ndaj njerëzve të pajisur vetëm me çadra e pankarta, dhe ka nënvizuar faktin se tre persona janë vrarë në bulevard nga Garda e Republikës. Pas protestës së 21 janarit, diplomatë të shumtë të vendeve evropiane, por edhe të SHBA kanë bërë vazhdimisht thirrje për qetësi dhe dialog

Karvani i Paqes: Kompromis mes Qeverise dhe Opozitës Shqiptare
Karvani i Paqes  ka shprehur indinjatat e saj kundër dhunës së ushtruat ditën e premte kundrejt forcave policore dhe demonstruesve. “Kur politika dështon që të japë zgjidhje atëherë ndërhyjnë qytetarët. Ne mundemi të ndikojmë për paqen. Ne nuk jemi të pafuqishëm. Të bëhemi të gjithë se bashku qytetare, intelektuale, akademike, klerikë, gazetare, politikanë, të rijnë e te reja, studentë dhe studente,demokratë e socialiste, qytetarë jo dhe apolitike, besimtare dhe j…o besimtare, në një karvan paqeje”, është shprehur në deklaratën e kësaj shoqate. Ndër të tjera është theksuar se ditën e diel të gjithë së bashku me lule, qirinj dhe flamuj kombëtarë në duar. Karvani i Paqes do të pikëtakohet ditën e diele, dt 30 janar 2011, në orën 11.00 tek Sheshi Nënë Tereza: Tek Monumenti i Nënë Terezës, para Korpusit Qendror Universitar. Tiranë. Karvani i Paqes do të ndalet para Presidencës ku do të kërkojë që një përfaqësi prej 5 vetësh të takohen me Presidentin e Republikës Bamir Topi për ti dhënë mesazhin dhe nevojën e domosdoshmërinë qytetare për Paqe dhe marrëveshje e mirëbesim mes palëve. Me tutje Karvani i Paqes do të ndalet para selisë së Kryeministrisë ku përfaqësia do të kërkojë të takohet me Kryeministrin Sali Berisha gjithashtu për ti komunikuar mesazhin qytetar të paqes. Me pas Karvani i Paqes do të ndalet para Selisë së Partisë Socialiste ku përfaqësia do të kërkojë takim me Liderin e Opozitës dhe Kryetarin e PS Edi Rama. “Shpërndajeni këtë mesazh që të bëhemi sa më shumë. Ky është një nga ato momente kur ndërgjegjja jonë qytetare duhet të tejkaloje egot, interesat dhe skemimet tona personale. Ky është një nga ato momente kur cilësia është e rëndësishme, por edhe numrat tanë, pjesëmarrja sa më masive është jashtëzakonisht e rëndësishme. Shpërndajani këtë event të gjithë miqve tuaj duke u siguruar se ata do të ndjejnë vetëdijësimin dhe thirrjen për të qenë këtë të dielë aktore dhe autore të paqes në Shqipërinë time, në Shqipërinë tonë”, është shprehur në deklaratën e Karvanit të Paqes. Ndër të tjera është bërë një thirrje për gazetarët  që ti bëjnë sa më shumë jehoni këtij Karvani të Paqes për ti dhënë force dhe kredibilitet, peshë dhe ndikim zërit qytetar të paqes. “Motoja jonë në këtë Karvan Paqeje do të jetë: Ne qytetarët e Shqipërisë mundemi ta bëjmë Paqen. Unë jam, Unë mundem”, është shprehur në deklaratën e Karvanit të Paqes.

Shqiptarët e Maqedonisë, thirrje për anulim të protestave
Shqipërisë për momentin i nevojitet dialog mes partive politike, e jo protesta të reja. Kështu vlerësojnë politikanët shqiptarë në Maqedoni, duke apeluar që edhe nëse mbahen protesta të reja, organizatorët të angazhohen të mos përsëritet dhuna e 21 janarit. Edhe opinionistët shqiptarë në Maqedoni vlerësojnë se Partia Socialiste duhet të pranojë sugjerimet e faktorit ndërkombëtarë për anulim të protestave. Ngjarjet e 21 janarit në Shqipëri kanë brengosur opinionin shqiptar në Maqedoni. Analistët shqiptarë në Shkup posaçërisht janë të shqetësuar nga fakti që protestat e dhunshme ndodhën në kohën kur mbarë opinioni shqiptar në Ballkan ishte i mobilizuar për të kundërshtuar raportin e Dik Martit në Këshillin e Evropës.

PS: Të premten, paqësisht për të nderuar viktimat
Partia Socialiste ka konfirmuar se ditën e premte do të mblidhen për të organizuar demonstratën se si do të organizohet demonstrata e së premtes. Kreu i opozitës përfitoi nga rasti për të përcjellë një mesazh për qytetarët që do t’i bashkohen demonstratës homazh. “Përcjell tek të gjithë mesazhin e paqes dhe të qetësisë, për të nderuar të vrarët që nuk do jenë me ne të premten. Ata humbën jetën për të njëjtat arsye që të gjithë ne ishim aty. Gjithkush duhet thjesht të jetë aty dhe të vijë për të nderuar ata që nuk janë më. Për të afirmuar me qytetari dhe fuqi dhe për të besuar tek e ardhmja”, ka theksuar lideri i opozitës.
Gazeta Sot

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 26/01/2011. Filed under Politika. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

One Response to Mblidhet Opozita e Bashkuar, demonstrata deri në rrëzimin e qeverisë

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.