Petrit Beci rrënon RTSH-në, drejtimi në duart e Aleksandër Frangajt

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 5442
Festivali i Këngës në RTSH nuk përfaqëson më nivelin e këngës së lehtë shqiptare, por ai është kthyer në një monopol të Aleksandër Frangajt. Çdo gjë është kthyer në zotërimin e tij, duke bërë që të jetë pikërisht njeriu  që ka në dorë dhe fatin e këngës fituese në Festivalin e Këngës në RTSH. Për vite me radhë çmimi i parë është fituar nga njerëzit që punojnë në KLAN, të cilët e quajnë veten zot të këtij institucioni. Para këtij skandali hesht dhe vetë drejtori i përgjithshëm i RTSH, Petrit Beci. Në një kohë kur lejohen vetëm kamerat e KLANI-it që të filmojnë çdo aktivitet të organizuar nga RTSH, duke fituar në këtë mënyrë të drejtën e eskluzivitetit. Ndërsa mediat e tjera nuk u lejuan që të ishin të pranishme në festivalin e fundvitit, i cili tashmë është kthyer në një filial të televizionit KLAN. Është interesante fakti që televizioni më i hershëm i vendit tonë ka rënë në duart e Aleksandër Frangajt, duke u kthyer në një monopol mediatik. Ndërkohë që të gjitha figurat që shfaqen në emisione të ndryshme televizive të televizionit KLAN afirmohen nga RTSH, këtu mund të përmendnim dhe dhënien e çmimeve në festivalet e këngës në RTSH, ku për vite me radhë çmimin e parë e kanë rrëmbyer njerëzit që punojnë në KLAN. Në një kohë që vetë drejtori i përgjithshëm i RTSH Petrit Beci i atribuon të gjithë kompetencat e tij Aleksandër Frangajt. E turpshme dhe skandaloze se si Petrit Beci në mënyrë abuzive përzë nga festivali mediat e tjera dhe lejon vetëm televizionin ABC.

Në gjithë këtë amulli të krijuar nga vetë Beci është akoma dhe më e rëndë kur mendon që arkiva e RTSH ndodhet në studiot e televizionit KLAN. Njeriu që shkatërroi RTSH duke e shndërruar vetëm në një relike të periudhës komuniste, është drejtori i përgjithshëm i RTSH, Petrit Beci, i cili më parë ka qenë dhe drejtor në televizionin KLAN. Është e turpshme sesi televizioni i parë kombëtar ka mbetur në një nivel mjaft të dobët, ndërsa me kalimin e viteve ka marrë formën e një relikeje të një sistemi politik të kaluar. RTSH ruan të njëjtat nuanca si të viteve të periudhës së diktaturës, duke mbetur shumë pas në kohë. Ish gjigandi tashmë po shkon drejt rrënimit. Ajo që të bën më shumë përshtypje në gjithë këtë situatë është fakti se RTSH është shndërruar në një shtojcë të televizionit Klan dhe drejtori Beci qëndron krenar para këtij fakti. Skandalet nuk mbarojnë në këtë televizion që sot mbahet nga taksapaguesit shqiptarë, të cilët megjithëse paguajnë nuk e shohin ekranin e zbehur të RTSH. Festivali i fundvitit vetëm i shtoi peshën e fajit drejtorit Beci, i cili e ka rrënuar këtë televizion duke humbur çdo vlerë muzikore dhe spektakolare. Festivali i fundvitit tashmë është i braktisur nga ikonat e vërteta të muzikës shqiptare. E turpshme që dhe në “Eurovizion” nuk përfaqësohemi me ato që janë vlerat e vërteta pasi ato janë lënë në harresë, sepse si gjithmonë duhet të jenë vetëm njerëzit e televizionit KLAN.

Festivali i fundvitit duhet ti kthehet qytetarëve dhe jo të jetë monopol.

Festivali në RTSH pronë e KLAN, i mbyll derën vlerave të këngës shqiptare.

Festivali i Këngës në RTSH nuk mund të quhet më një manifestim i këngës së lehtë shqiptare, por vetëm një aktivitet i rëndomtë ku mendohet më shumë për të përfituar, duke dëmtuar vlerat e vërteta muzikore. Cilësinë si evenimenti më i madh i këngës në vendin tonë ai e ka humbur prej vitesh. Të vjen keq kur shikon se si dikur nga ish gjigandi RTSH në festivale që organizonte kishte këngë me vlera artistike, ndërsa sot ai është një festival i cili është i braktisur me kohë nga ikonat e muzikës shqiptare. Skena e akullt e festivalit këtë vit u ndje më shumë se asnjëherë tjetër. Asgjë s’të ngrohte në këtë skenë festivali, ku edhe ato këngë që kishin arritur të ishin pjesëmarrëse humbnin në skenën e atij që pritej të ishte një festival serioz i këngës së lehtë. Ky festival ka marrë fund prej kohësh, pasi edhe këtë vit solli mbrëmje të zymta dhe për më tepër nivel shumë i ulët i organizimit. Këngë me cilësi tepër të dobët nuk munguan. Festivali këtë vit më shumë ishte politik se sa nga emrat që janë vërtetë artistë. Skenari iu ishte besuar dy zëdhënëseve, të cilat punojnë në ministri, njëra tek Ministria e Integrimit dhe tjetra Ministria e Bujqësisë. Skenariste të bëra në RTSH, i cili këtë vit zhgënjeu teleshikuesit. Ndërkohë që emrat e dy skenaristeve janë pjesë e listës së borderosë së qeverisë, duke u paguar si zëdhënëse ministrish, por njëkohësisht lekët e taksapaguesve shqiptarë shkojnë dhe në xhepat e tyre, duke u paguar si skenariste. Drejtori i përgjithshëm i RTSH Petrit Beci ka vite që ka bërë që vlerat e vërteta të këngës shqiptare të mos afrohen në këtë festival, i cili me zhvillimin e tij këtë vit tregoi fare qartë se askush nuk duhet të dalë mbi KLAN. Tashmë ka ardhur koha që ky festival ti kthehet qytetarëve dhe jo të jetë çdo vit i zbehtë, pa krijimtari të bukur artistike. Milionat që humbasin janë të taksapaguesve shqiptarë, të cilat shpërdorohen në mënyrë të padrejtë nga drejtuesit e RTSH. Emocionet janë zhdukur me kohë nga festivali i fundvitit, i vetmi eveniment i ndërtuar prej dekadash në vendin tonë. Prej vitesh i shndërruar në pronë e KLAN, e cila ka fituar monopolin mbi pjesën më të madhe të këngëve në festival. Çmime të fituara nga emrat që kanë dalë nga spektaklet që zhvillon ky televizion dhe prej vitesh kënga e vërtetë shqiptare nuk ka gjetur vend, por çmimi ka vajtur tek ata që kanë sot monopolin e festivalit. Festivali tashmë duhet ti kthehet publikut, dhe jo të jetë vetëm për KLAN. Të habit fakti se edhe vetë drejtuesit e RTSH miratojnë çdo gjë nëse ai i takon KLAN. Edicioni i 49 i Festivalit të Këngës në RTSH, pa shkëlqim, pa ngrohtësinë që duhej të sillte, pa vlera muzikore ku edhe orkestra ishte e ngrirë dhe luante pa emocione. Orkestruesit të ndarë në dysh, një pjesë live dhe një tjetër playback ndërkohë që edhe vetë dirigjientët kishin vështirësi për tu orientuar, ky ishte imazhi që solli festivali. Nga ana tjetër edhe para se të fillonte festivali kishte zëra që çmimet ishin paracaktuar, e ndërkohë që edhe shumë këngëtarë apo grupe të njohur e braktisën festivalin, duke u tërhequr nga skena e këngës.

Teknika “gropos” festivalin e RTSH
Milionat që duheshin për teknikën e festivalit, shpërdorohen për antivlera, duke bërë që festivali të jetë një dështim i plotë. Teknika këtë vit “groposi” festivalin e fundvitit. Shumë këngëtarë dolën të pakënaqur, duke u habitur se si nuk kishte përputhje midis bazës orkestrale dhe orkestrës. Milionat që marrin drejtuesit e RTSH duhet të jenë në shërbim të krijimtarisë më të mirë. Këto miliona të jenë në favor të orkestracioneve më të mira, atyre që janë reale të cilat do të interpretoheshin live nga orkestra. Nota për çdo instrument. Ajo që shihet është që nuk bëhet asgjë për këngën, teknikën, por bëhet investim vetëm për imazhin, ku këngëtarët më shumë këto vite i kushtojnë rëndësi lukut se sa këngëve. Nuk është një prezantim i plotë i këngës nga këngëtari, nga orkestra dhe dirigjimi, pasi nuk e lejojnë kushtet teknike. Një orkestër në festival nuk është live e gjitha por vetëm gjysma është live dhe gjysma është playback dhe kjo është qesharake. Në shumë evenimente muzikore të huaja orkestra është një formacion unik dhe lozin të gjithë bashkë, ndërsa tek ne ndodhin gjëra të cilat e bëjnë një festival të jetë gjithmonë dhe më larg nga publiku.

Paaftësia e prezantuesve dhe skenaristeve, gafa të shumta në festival

Në festivalin e 49 të RTSH, ishte qesharak dhe prezantimi, i cili nuk bëri gjë tjetër vetëm se i shtoi antivlerat skenës së festivalit të këngës në RTSH. Prej vitesh edhe prezantimi iu besohet njerëzve që nuk kanë aftësinë për të drejtuar një eveniment të tillë kulturor. Gjatë tre netëve spikerët kishin vështirësi për të krijuar situata të këndshme dhe të ishin në harmoni me këngën. Ndërkohë që treshja e RTSH ishin formuar nga personazhe që nuk ishin të aftë të sillnin një ilaritet dhe risi në skenën e festivalit. Gafat njëra pas tjetrës e bënë me të vërtetë mjaft qesharake jo vetëm skenën, por dhe organizatorët e festivalit. Tentativat e spikerëve për ti qëndruar besnikë skenarit të dy zëdhënëseve të ministrive ishte me të vërtetë  e turpshme. Në këtë skenë u ngjitën tre prezantues që nuk arrin dot ti përmbaheshin skenarit, duke bërë gafa edhe gjatë leximit. Sikur të mos mjaftonte kjo mbyllja e festivalit u bë në një mënyrë mjaft të turpshme. Dy prezantueset harruan që ishin në skenë dhe lanë pas dore prezantimin. Më e bukura ishte në natën finale, ku njëra prej prezantuesve ndërpreu mbylljen që po bëhej nga kolegia e saj duke i lënë fjalën përgjysmë. Ndërsa kolegia e saj po uronte natën e mirë ndërpritet nga prezantuesja tjetër e cila thotë: “Le të dëgjojmë këngën finale siç i ka hije festivalit”. Ndërkohë që ato pohonin mbylljen e festivalit, publiku mori për tri net me radhë një eveniment qesharak dhe të turpshëm. E gjitha kjo tregon qartë se skena e festivalit në RTSH nuk është vendi ku shpalosen vlerat e vërteta muzikore dhe krijohet një spektakël nga prezantuesit, por tashmë ai është kthyer në vendin, i cili ka mbledhur të gjithë antivlerat. Skena e shenjtë e festivalit tashmë është shndërruar në një vend ku mbizotërojnë elementët komikë se sa ata artistikë. Mungesa e një prezantimi dinjitoz i uli dhe më shumë vlerat që i kishte të pakta. Në një kohë që skenari i ishte lënë në dorë dy zëdhënëseve, të cilat treguan paaftësinë e plotë të ndërtimit dhe hartimit të tij.

Ja këngëtarët që braktisën festivalin në RTSH
Braktisja për këtë edicion të 49-të të festivalit ka nisur që në muajin nëntor të këtij viti, kur këngëtarja Linda Halimi kishte dhënë dorëheqje nga ky i fundit me arsyetimin se e dinte fituesin. Halimi i ishte referuar pikërisht këngëtarit Alban Skenderajt. Por një ditë pas përfundimit të festivalit, Alban Skënderaj në media ka pohuar se Halimi nuk ka pasur faj. “Deklarata e Halimit, e cila është një vajzë e re nuk i jep faj asaj, por ajo ka rënë në grackën e planeve”, ka thënë Skenderaj, i cili ka vlerësuar tërheqjen nga festivali edhe të grupeve “Humus” dhe “NRG Band”, të cilët së bashku me Shpat Dedën kishin anuluar pjesëmarrjen në festival. “Këngëtarët kosovarë kanë bërë shumë mirë që nuk kanë ardhur. Ata sjellin një frymë të re. Janë shumë të emancipuar në krahasim me këngëtarët e Shqipërisë. Kam ndier keqardhje teksa kam shikuar se nuk ka pasur këngëtarë nga Kosova”, ka pohuar në media këngëtari i njohur Alban Skënderaj. Më tej këngëtari ka shtuar se këngëtarët që nuk kanë marrë pjesë në festival, nuk kanë pasur faj. “Ndoshta dhe unë do ta bëja të njëjtën gjë në momentin kur krijohet një tension të tillë. Ka gjithmonë viktima në festival, ne ishim këtë vit”, ka përfunduar këngëtari.

Ja punonjësit e KLAN, fitues të çmimit të parë në festivalin e RTSH

– 2005 ishte Ledina Çelo me “Nesër shkoj”, kompozim nga Adrian Hila dhe tekst të Pandi Laços.
-2006 ishte Frederik Ndoci “Balada e gurit”, një kompozim nga Adrian Hila dhe tekst të Pandi Laços.
– 2007 ishte Olta Boka me këngën “Zemrën e lamë peng” një kompozim nga Adrian Hila dhe tekst të Pandi Laços.
– 2008 ishte Kejsi Tola me këngën “Më merr në ëndërr”, këngëtare e dalë po nga produksion i KLANIT në emisionin “Gjeniu”.
– 2009 ishte Juliana Pasha me këngën “Nuk mundem pa ty” kompozim nga Ardit Gjebrea dhe autor i tekstit Ardit Gjebrea e Pirro Çako, orkestrues Shpëtim Saraçi.
– 2010 Aurela Gaçe, fituese me këngën e Shpëtim Saraçit “Kënga ime”
Agjensia e lajmeve “Sot”

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 28/12/2010. Filed under Kultura. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

One Response to Petrit Beci rrënon RTSH-në, drejtimi në duart e Aleksandër Frangajt

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.