ZBARDHET DOKUMENTI- Prokuroria hap kutitë: Numërimi i votave u filmua

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 4054
KOMISIONI HETIMOR PAS NJE JAVE/ Prokuroria e Shkodrës ka përfunduar një hetim për akuzat e PDK, për manipulimin e zgjedhjeve në Shkodër. Sipas dokumentit të Prokurorisë, janë rinumëruar fletët e votimit në tetë qendra votimi dhe ka rezultuar se PD ka pasur vetëm një votë më tepër, sesa rezultati zyrtar. Pas akuzave të kreut të PDK për shkelje në hetim, reagon Prokuroria e Përgjithshme: “Kemi filmuar numërimin e votave, videon e vëmë në dispozicion të publikut”. Topalli: “Tani Rama të mbajë përgjegjësi”. Votohet në Kuvend ngritja javën tjetër e Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit. Tre deputetë të PS votojnë kundër

Me një vendim të datës 23 nëntor 2010, kjo prokurori ka njoftuar pushimin e çështjes. “Kur mungojnë elementët e figurës së veprës penale të ‘falsifikimit të dokumenteve dhe rezultateve të zgjedhjeve’ në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 326 e 25 i K. Penal, apo të ndonjë vepre tjetër penale, kjo çështje penale duhet pushuar. Për këto arsye, bazuar në nenet 328/1 germa b, 329/1 dhe 24/5 të K. Pr. Penale, vendosa të pushoj hetimet për çështjen penale me nr. 992 të vitit 2010″, thuhet në vendimin e firmosur nga prokurori Përparim Kulluri.
Hetimi
Partia Demokristiane kishte pretenduar se në katër qendra votimi në KZAZ-të 40 dhe 42 të qarkut të Shkodrës, Partia Demokratike ka marrë 138 vota më pak se sa ato që janë shkruar në proces-verbal. Sipas Ndokës, në dy nga këto qendra votimi, PDK-ja ka marrë 22 vota më shumë se sa është shkruar në tabelën e rezultateve. Pas këtyre pretendimeve, prokuroria e qytetit verior ka sekuestruar katër kutitë e materialeve zgjedhore dhe fletëve të votimit për qendrat 0083, 0101, 0255 dhe 0294. Në qendrën 0101 është konstatuar që PD-ja ka pasur 180 vota, numri që përkon edhe me proces-verbalin, ndërkohë që nga shtatë fletë të votimit që ishin të pavlefshme, asnjëra nuk ishte e PDK-së. Përsa i përket qendrës së votimit 0083, PD-ja kishte 160 vota, nga të cilat në 151 fletë ishte vendosur shenja dalluese te kutia përkatëse dhe në 9 të tjera, shenja dalluese ishte vendosur pranë subjektit PD. Ndërkohë, në proces-verbalin e kësaj qendre, PD-ja rezultonte me 161 vota, pra me një më shumë se sa kishte në të vërtetë. Ndërsa PDK-ja, e cila pretendonte se kishte 15 vota në këtë kuti, nuk kishte asnjë të tillë. Në qendrën e votimit 0255 të KZAZ-së 40, sipas Partisë Demokristiane, PD-ja kishte marrë 273 vota dhe jo 327 sa ç’ishte shënuar në proces-verbalin përfundimtar të nxjerrjes së rezultateve. Pas numërimit rezultoi se PD-ja kishte 327 vota. E njëjta situatë ishte edhe për qendrën e votimit 0294, ku PD-ja kishte 246 vota, numri i njëjtë me proces-verbalin ku 228 ishin shënuar në kutinë përkatëse dhe 18 në pjesë të ndryshme të rreshtit ku ishte vendosur “Partia Demokratike”.
Problemet
Sipas prokurorisë së Shkodrës, problemi i konstatuar gjatë këqyrjes së pamjeve filmike të numërimit të votave ishte fakti që fletët e vendosura në kamera kalonin me shpejtësi të madhe, pa mundur të dallohej qartë se për kë ishte votuar. Ky veprim, sipas prokurorisë, binte ndesh me udhëzimin e KQZ-së, sipas të cilit çdo fletë votimi duhet të qëndronte në monitor jo më pak se 4 sekonda. Kjo detyroi prokurorinë të sekuestronte kutitë e votimit për katër qendra, të cilat vërtetuan në fund atë që ishte shkruar në proces-verbal.

Hetimi i Prokurorisë

Pretendimet e Ndokës

– QV 0083, PD-ja ka 151 vota dhe jo 161 që janë pasqyruar në proces-verbal. PDK-ja ka marrë 15 vota dhe jo 0 që janë pasqyruar në proces-verbal.
– QV 0101, PD-ja ka marrë 156 vota dhe jo 180 që janë pasqyruar në proces-verbal. PDK-ja ka marrë 7 vota dhe jo 0 që janë pasqyruar në proces-verbal.
– QV 0255, PD-ja ka marrë 273 vota dhe jo 327 që janë pasqyruar në proces-verbal.
– QV 0294, PD-ja ka marrë 196 vota dhe jo 246 që janë pasqyruar në proces-verbal.

Konkluzionet e Prokurorisë

– QV 0083, asnjë nga fletët e votimit të pavlefshme nuk ishin shënuar në katrorin, apo afër subjektit “Partia Demokristiane”. PD-ja kishte 160 fletë votimi, 151 të shënuara në katrorin përkatës dhe 9 afër subjektit politik.
– QV 0101, fletë votimi të pavlefshme ishin 7, por asnjë prej tyre nuk ishte shënuar në katrorin, apo afër subjektit “Partia Demokristiane. PD-ja kishte 180 fletë votimi, 19 prej të cilave jo në katrorin, por në rreshtin e subjektit.
– QV 0255, PD-ja kishte 327 fletë votimi, 307 prej të cilave të vendosura në katrorin përkatës dhe 20 në rreshtin e subjektit politik.

– QV 0294, PD-ja kishte 246 fletë votimi, 228 prej të cilave e kishin shënimin në katrorin përbri dhe 18 në rreshtin e subjektit politik.

“Numërimin e votave e kemi të filmuar”

Prokuroria e Përgjithshme ka reaguar dje pas akuzave të kreut të PDK-së, Nard Ndoka, lidhur me hetimin e kutive të votimit në katër qendra zgjedhore të qarkut Shkodër. Në një deklaratë për mediat, zyra e Prokurorisë bën të ditur se “Nga ana e prokurorisë është vendosur sekuestro ndaj kutive të votimit dhe në 17 shtator 2010 janë tërhequr nga KQZ-ja kutitë me materialet zgjedhore, ndërsa më 20 tetor 2010 janë tërhequr nga KQZ-ja kutitë me fletët e votimit”. Sipas saj, “procesi i numërimit të votave dhe shqyrtimi i tyre është bërë gjatë muajit tetor, duke respektuar të gjitha normat ligjore dhe dispozitat procedurale dhe në ushtrim të kompetencave hetimore të prokurorisë. Procesi i shqyrtimit, duke nisur nga prerja e kodeve, hapja e kutive dhe deri numërimi i votave në to, është kryer sipas ligjit dhe e gjithë procedura është regjistruar në video, të cilën në rast se shihet e nevojshme, mund ta vëmë në dispozicion të medias”.

Topalli: Rama të ikë, premtoi të mbajë përgjegjësi

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, reagoi dje në seancën plenare të Kuvend, pas përfundimeve të hetimeve për manipulime në qarkun e Shkodrës, duke kërkuar dorëheqjen e kreut të opozitës, Edi Rama. Topalli tha se hetimet e bëra nga prokuroria, një institucion i pavarur pranë opozitës sipas saj, nxorën se Rama nuk kishte të drejtë dhe duhet të mbajë përgjegjësi siç ka premtuar vetë ai. “Kjo është kutia. Ikni! Kështu i thoni kryetarit tuaj, të ikë! I thoni, se kështu është shprehur: “Nëse del ndryshe, unë iki dhe mbaj përgjegjësi”. Këto janë zgjedhjet më të mira, mbi të cilat ju hodhët baltë. Kërkoni të falur! Ju nuk e njihni faljen. I thoni kryetarit tuaj të ikë! Kjo është e vërteta. E thënë edhe nga një institucion i pavarur, institucion afër jush”, tha Topalli. Më tej, ajo u kërkoi deputetëve socialistë të reagojnë ndaj kreut të tyre dhe të kërkojnë falje për Shkodrën. “Kërkonit hapjen e kutive ose ne të iknim. I thoni kryetarit tuaj: “Ja vendimi i prokurorisë pikë pas pike, një më një”. T’i kërkoni falje Shkodrës, t’u kërkoni falje shqiptarëve dhe ai t’ju kërkojë juve të falur për atë që ju bëri. Nuk ju la për 6 muaj rresht të hyni në Parlament, për 6 muaj rresht u përpoq me të gjitha mënyrat që ju të humbnit mandatet. Kjo ishte e vërteta. Përplasjani këto kryetarit tuaj”, tha jo. Sipas numrit dy të PD-së, Rama dhe opozita punuan kundër liberalizimit të vizave me kërkesat e tyre për hetimin e zgjedhjeve të kaluara. “Vizat i morëm ne, i morëm me forcë, me vullnet, i kemi marrë me punë të madhe, kundër dëshirës së kryetarit tuaj, që ka bërë çdo përpjekje, por edhe kundër dëshirës së tre deputetëve këtu, që nuk kanë lënë letër pa shkruar kundër Shqipërisë në Bruksel”, deklaroi kryetarja e Kuvendit.

Ndoka kundër Prokurorisë

Kreu i PDK-së, Nard Ndoka, ka reaguar dje pas publikimit të vendimit të Prokurorisë së Shkodrës për mbylljen e hetimit të zgjedhjeve në dy zona elektorale. Në një prononcim për mediat, në emër të opozitës, ai ka fajësuar kryeministrin Berisha, i cili sipas tij ka bërë presion mbi organin e akuzës. “Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër iu desh një vit për të tërhequr nga KQZ-ja pesë kuti votimi dhe për të provuar manipulimet, kur realisht duheshin maksimumi vetëm dy-tre javë hetim. Jemi në dijeni se KQZ-ja refuzoi për shumë kohë dorëzimin e këtyre kutive prokurorëve që hetonin çështjen, dhe kur pas një viti vendosi t’i dorëzojë, këto kuti u përpunuan nga ekspertët manipulatorë të Partisë Demokratike, të urdhëruar nga kryeministri Berisha. Hapja e kutive nga prokuroria pa prezencën e përfaqësuesit tonë ligjor, si palë në proces, është shkelje e rëndë procedurale dhe delegjitimon krejt hetimin”, tha Ndoka. Sipas tij, “ne kemi informacione të sigurta për presionin e vazhdueshëm që u është bërë prokurorëve që hetonin çështjen nga eksponentët më të lartë të maxhorancës, duke iu bërë kërcënime nga më të ndryshmet e më të frikshmet, fakte këto që ne i kemi denoncuar publikisht edhe më parë”.

Adi Shkembi/Panorama





Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 17/12/2010. Filed under Ligji. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.