Kosovë, mbyllen votimet KQZ: Votuan 47.80% Exit Poll: Kryeson PDK

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 2047
PRISHTINE- Në Kosovë janë hapur sot në orën 07.00 qendrat e votimit për zgjedhjet parlamentare të parakohshme të parat pas deklarimit të pavarësisë më 17 shkurt 2008.Kosova zgjedh sot liderët e saj të rinj në zgjedhjet e jashtëzakonshme, të nxitura nga një krizë në qeverisjen në duart e dy partive rivale, Partisë Demokratike të Hashim Thaçit dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, të drejtuar nga Isa Mustafa. Qendrat e votimit janë hapur.Rreth 1 milion e 600 mijë qytetarë në Kosovë me të drejtë vote pritet të hedhin votën.

ATMOSFERË FESTIVE NË PRISHTINË
ORA 23:01- Në kryeqytetin e Prishtinës, kanë nisur festimet. Makina me flamuj, të LDK-së kryesisht dhe njerëz të shumtë nëpr rrugë kanë nisur të festojnë. Nga ana tjetër ka edhe simpatizantë të PDK-së që festojnë. Ndërkohë sipas gazetarit të News 24 Denis Minga, ka prezencë të paktë të forcave të policisë. Sipas tij deri tani gjithcka duket se është në kontroll.

AKR: KQZ NUK GARANTOI INTEGRITETIN E ZGJEDHJEVE
ORA 22:33- AKR-ja ka akuzuar organizimin e zgjedhjeve, duke thënë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka dështuar. Nënkryetar i AKR-së, Ibrahim Makolli tha se janë shënuar një mori parregullsish që nga hapja e vendvotimeve, që janë ndërlidhur me votime të parregullta. Sipas tij, KQZ-ja nuk ka garantuara integritet të zgjedhjeve.“Ka vazhduar avazi i disa prej partive për manipulim me procesin zgjedhor, në shumë komuna. Në disa komuna janë hetuar edhe blerje të votave nga disa parti politike. Në afërsi të qendrave ka pasur material propagandistik dhe nuk janë ndërmarrë masat nga ana e autoriteteve përgjegjëse – këshillat e vendvotimeve, komisionet komunale dhe KQZ-ja”, tha Makolli. Kjo parti ka vërejtur parregullsi në rastin e krijimit të rreshtave të votuese, ka ekzistuar kaos. “Në disa prej komunave jemi në garë, parti e parë dhe e dytë, varësisht prej rezultateve. Jemi në përpunim të vërejtjeve dhe parregullsive që kanë dalë në shërbim të keq të zgjedhjeve në Kosovës. Po bindemi se në Kosovë nuk ka vullnet për zgjedhje të drejta, të lira dhe fer”, tha Makolli.Në bazë të provave, AKR-ja ka së paku dy herë përqindje se sa Exit Poll-i i paraqitur më herët.“Është herët të ketë vendim për të pranuar rezultatet, por do të shqyrtojmë rastet dhe pastaj do të marrim një vendim”, tha nënkryetari i AKR-së, duke përmendur raste të keqpërdorimit të zgjedhjeve në Mitrovicë, Skenderaj, Gjakovë, Pejë, Gjilan dhe Fushë Kosovë.

PDK VETËSHPALL FITOREN
ORA 22:20- “Partia Demokratike e Kosovës ka shënuar fitore të pakontestueshme në zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit”, tha në një konferencë për media, anëtarja e Kryesisë së kësaj partie, Vlora Çitaku.
“PDK-ja nga të dhënat që ka, është fituese e pakontestueshme e zgjedhjeve parlamentare dhe me një diferencë të thellë me 7-10 për qind me partinë e dytë në Kosovë, të cilën nuk dua ta aprofostoj. Në Prishtinë kemi shënuar rritje, jemi të parët në Rahovec, Suharekë, të mos i përmendi, në shumë komuna të tjera”, tha Çitaku. “Ftoj subjektet politike që me maturi, përgjegjësi dhe zemërgjerësi, të pranojnë vërdiktin e qytetarëve të Kosovës, që prej nesër të kalojmë në një faqe të re, atë të konsolidimit të institucioneve të Kosovës”. Çitaku tha se rreth orës 23:00, kreu i partisë fituese të zgjedhjeve, Hashim Thaçi, do t’u drejtohet simpatizantëve nga “Sheshi 21”.

KQZ, Daka: Votuan 47.80%
ORA 21:40- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njoftoi se dalja e votuesve në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare ka qenë 47.8 për qind.
Sipas kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, masiviteti në këto zgjedhje është i kënaqshëm dhe se tregon se elektorati ka qenë i interesuar dhe nuk ka vend për pakënaqësi
Daka ka thënë se nuk do të dalin sonte me rezultate preliminare, ndërsa në orën 24:00 do të kumtojnë se kur do të mund ta bënin këtë. Masivitet më të madh të votuesve ka pasur në komunën e Drenasit, ku kanë dal 86.94 për qind e votuesve, ndërsa më sa paku kanë votuar në Leposavic – 1.51 për qind.

“VETVENDOSJE”: KONSTATUAM PARREGULLSI NË ZGJEDHJE
ORA 20:30- Lëvizja “Vetvendosje” në një deklaratë për shtyp të publikuar në Prishtinë bëri të ditur disa parregullsi të konstatuara prej saj gjatë procesit zgjedhor që po zhvillohet sot në Kosovë dhe për të cilat drejtues të saj kanë njoftuar KQZ-në, vëzhguesit ndërkombëtarë dhe mediat.
Sipas deklaratës parregullsitë janë vërejtur në disa qendra votimi në Mitrovicë, ku ka munguar energjia elektrike gjatë orëve të mesditës, ndërkohë që procesi i votimit ka vazhduar, ne Decan, në fshatin Velekincë të Gjilanit .

LDK, AAK DHE AKR KUNDËR EXIT POLL
ORA 20:15- Pas bërjes publike të Exit Poll-it të Gani Bobit, vijnë edhe reagimet e para të partive. Kështu zëdhënësit e LDK-së dhe AAK-së dhe AKR-së deklarojnë se ky Exit Poll nuk paraqet rezultatet reale që kanë arritur këto parti në zgjedhje. Zëdhënësja e AKR-së foli edhe pë probleme në këto zgjedhje, në qendra të ndryshme votimi, në të gjithë Kosovën. Ndërsa nga ana e saj LDK-ja e Thacit, deklaroi se është rreth 10% përpara partive të tjera.

EXIT POLL-I I GANI BOBI-T: PDK 32%, LDK 25%, “VETËVENDOSJE” 16. 5%
ORA 20:10- Pas mbylljes së vendvotimeve, në bazë të mostrës së ndërtuar nga Qendra për Studime Humanistike “Gani Bobi”, ka dalë me rezultate të Exit Poll-it, të cilat drejtuesi i kësaj qendre, Shkëlzen Maliqi, nga frika e gabimeve që mund të bëhen, e ka quajtur anketë.
Sipas Exit Poll-it, PDK ka fituar 32 për qind, LDK 25 për qind, “Vetëvendosje” 16 për qind, AAK ka fituar 12. 5 për qind, ndërsa AKR 6.5 për qind.
Në bazë të kësaj ankete pragun zgjedhor nuk e kalojnë dy subjektet – FeR 4.5% dhe LDD me 2.5 për qind.
Për subjekte të tjera janë deklaruar 2.5 për qind e votuesve

KQZ: MBYLLEN ZYRTARISHT VOTIMET NË KOSOVË
ORA 19:19- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të gjitha vendvotimet në mbarë Kosovën janë mbyllur në orën 19:00, përveç atyre ku mund të ketë pasur njerëz në pritje për të votuar. Lajmin e ka konfirmuar Fehmi Ajvazi, zëdhënës i KQZ-së. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk ka raportuar për probleme të theksuara në terren, përvec incidenteve në veri të Kosovës, ku në dy vendvotime është penguar mbajtja e votimit. Problem kanë paraqitur llambat ultravjollcë të cilat nuk kanë qenë funksionale, ndërsa ato janë zëvendësuar me të tjera që janë sjellë nga Shqipëria. Pritet që rezultatet e para të dalin në orën 24:00, sipas KQZ-së.

Në këto zgjedhje parlamentare, që ishin të parat pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të drejtë votë kishin më shumë se 1.6 milion votues. Ata hedhën votën në 746 qendra të votimit, me gjithsej 2.280 vendvotime.

PROCESI I QETË EDHE NË MITROVICËN E JUGUT, DERI NË 18:30
ORA 18:30- Nga Mitrovica e Jugut, gazetarja e News 24 atje Erjona Rusi deklaron se votimi deri në 18:30 ka vazhduar i qetë dhe pa incidente, ndërkohë që ka ende votues që presin të votojnë deri në orën 19:00, kur mbyllen edhe zgjedhjet.

“Jemi në qendrën e votimit 1901 në shkollën “Andon Zako Cajupi” në qendër të Mitrovicës. Kemi vizituar shumë qendra votimi dhe do ta mbyllim këtu. I gjithë procesi ka vajtur më së miri, gjithmonë flasim për Mitrovicën e Jugut, vëzhguesit por edhe vetë kryesuesit e qendrave të votimit flasin për një votim mëse të rregullt, mëse të qetë, pa ndonjë incident për tu përmendur dhe ka ende votues”,- shprehet Erjona.

PROCESI VAZHDON I QETË DERI NË 18:30
ORA 18:38- Kur duhen edhe më pak se 30 minuta nga përfundimi i procesit zgjedhor në Kosovë, gazetari i News 24 Denis Minga, raporton nga Prishtina, se situata atje është e qetë dhe gjithcka po shkon sipas rregullit, ndërsa nuk raportohen incidente të reja, përvec atij që ndodhi në Zubin Potok. Sipas tij, pas mbylljes së votimeve pritet të grumbullohen të gjitha fletët në Fushë Kosovë dhe të nisë menjëherë votimi. Pritet të dalë edhe një rezultat paraprak, menjëherë pas mbylljes së votimeve.

“Ajo cka diskutohet nga analistët në Kosovë, nxjerr fitues edhe pse me diferencë të lehtë, partinë e Thacit”,- shton Minga.

KQZ, DAKA HEDH POSHTE PRETENDIMET E “VETVENDOSJA”
ORA 17:10-Kryetarja e KQZ-së së Kosovës ne komunikim e saj per mediat ne oren 17:00 hodhi poshtë akuzat e Lëvizjes “Vetëvendosje”, të përcjella përmes një videoje, ku në të paraqiten persona që shpërndajnë fletë votimi.
“Kjo nuk është fare e vërtetë. Në këtë video fletët e paraqitura janë të formatit A 4, ndërsa fletë votimi është i formatit A 3”, tha Daka

KQZ: VOTUAN 34.10% e ZGJEDHËSVE, U MBYLL VOTIMI NË VERI NË ORËN 16:00
ORA 17:00- Në një konferencë për shtyp, kryetarja e KQZ së së Kosovës, Valdete Daka informoi për pjesëmarrjen në zgjedhje të votuesve kosovarë deri në orën 15:30. Sipas saj, pjesëmarrja në zgjedhje deri në këtë orë, në rang vendi ka qënë 34.10 per qind. Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, kanë votuar rreth 40% e votuesve, ndërsa sqarohet se kanë se ka pasur përqindje të ulët të votuesve në veri të Kosovës.
Daka sqaroi, se në veri, votimet kanë nisur rreth orës 9:00 të mëngjesit dhe janë mbylluar në orën 16.00, “Këto qendra u mbyllën për arsye sigurie”,- tha Daka. Zonja Daka ka thënë se në Zveçan tri ekipe mobile janë larguar tre orë më herët për shkak të situatës së tensionuar. Edhe pjesëmarrja në këto zona ishte e ulët, sidomos në zonat e banuara nga serbët.

FEITH VIZITON DISA QENDRA VOTIMI
ORA 16:40- Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Pieter Feith ka vizituar sot disa qendra votimi në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, ndërkohë që votimi i filluar në mëngjes po vazhdon.
Nga zyra e Feith, në prag të zgjedhjeve, është paralajmëruar “Vëzhgimi Diplomatik i Zgjedhjeve në Kosovë 2010”, duke theksuar se, Bashkimi Evropian, si partner kryesor i Kosovës, ka bërë përpjekje të rëndësishme që t’i mbledhë së bashku vëzhguesit diplomatikë nga shtetet anëtare të BE-së dhe vendet e tjera, për të inkurajuar që zgjedhjet e ardhshme në Kosovë të jenë në nivel me standardet ndërkombëtare.

KRASNIQI: PROCESI I MBARË, NUK PËRJASHTOJMË KOALICIONIN ME HARADINAJ
ORA 16:30- Memli Krasniqi, zëdhënës i qeverisë së Kosovës dhe përfaqësues i Partisë Demokratike të Kosovës, deklaron për News 24 se zgjedhjet e sotme mund të quhen të qeta deri tani, pavarësisht incidenteve sporadike që ka pasur.
“Ajo që është e rëndësishme përkundër faktit që janë zgjedhje të parakohshme, tashmë KQZ që është organ kushtetues për organizimin e zgjedhjeve në Kosovë, ka dëshmuar një seriozitet, një organizim të mirfilltë. Në mbarë Kosovën janë hapur vendvotimet, nuk ka probleme të theksuara. Ka pasur cështje të caktuara teknike të cilat janë adresuar. Procesi është i mbrarë deri në këto momente, pa incidente, me ndonjë problem të caktuar, në zona të caktuara, por që nuk mund të thuhet se mund ta dëmtojë procesin.

Krasniqi nuk ka dashur të komentojë se me cilat parti do të bëjë koalicion PDK në rast se fiton. “PDK gjithmonë ka pasur një logjikë shtetërore. Gjithmonë ka vendosur Kosovën mbi gjitha interesat e tjera. Nuk ka pasur logjikë përjashtuese ndaj askujt. Rëndësi ka të kemi një process të hapur, transparent e demokratik dhe më pas do definohen edhe koalicionet”,- tha Memli Krasniqi.
I pyetur për një koalicion të mundshëm me partinë e Haradinaj, Krasniqi nuk e përjashtoi një gjë të tillë, por tha se kjo do të vendosej pas zgjedhjeve.
Kemi logjikë integruese, këtë e kemi dëshmuar edhe në qeverisje, meqënëse është ditë zgjedhjesh duhet të mos bëjmë komente të tjera”.

HAXHINASTO: ËSHTË TREGUAR MATURI NË ZGJEDHJE
ORA 16:20- Gjatë konferencës së sotme për shtyp kreu i diplomacisë shqiptare vlerësoi edhe ecurinë e zgjedhjeve që po zhvillohen në Kosovë, që nga fushata parazgjedhore, por edhe tani.

” Unë dua të vlerësoj ecurinë e këtyre zgjedhjeve, për sa i takon edhe fushatës parazgjedhore, por edhe sot. Është treguar një maturi dhe pjekuri politike për t’u respektuar, që është në fund të fundit, një tregues i maturisë politike të vetë Kosovës dhe të gjithë politikës atje”, tha ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto.

IVANOVIC: SERBËT E KOSOVËS TË MOS MARRIN PJESË NË VOTIME
ORA 16:00-Sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën Oliver Ivanovic, i ka kërkuar serbeve te Kosovës që të mos marrin pjesë në votime.
“Qendrimi i qëverise Serbe mbi keto zgjedhje eshte i njejte si me pare, që Serbët nuk duhet të marrin pjese ne votime. Ne mendojme se mund te negociojme nje status me te mire per Serbet ne bisedimet e ardhshme mes dhe mbrojtje me te mire per ta. Të gjithë ata që votojnë, vazhdon me tej Ivanovic, duhet ta dinë se pa ndihmen e Serbisë nuk do të mund të qeverisin në mënyrë efikase dhe nuk do të jenë një partner i fortë në negociata me shqiptarët e Kosovës.
Ivanovic shprehet se Beogradi ua ka thënë shumë qartë se këto zgjedhje nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë. Ato janë organizuar nga një shtet i vetëshpallur dhe duke marrë pjesë në votime, ne serbet vetëm sa do ta legjitinomin ketë shtet.

OPINIONISTI QANI MEHMETI: PROCESI PO ECËN MIRË, INCIDENTËT JANË SPORADIKE
ORA 15:40
-Opinionisti, gazetari kosovar Qani Mehmeti e vlerësoi për TVNEWS24 procesin zgjedhor, shumë të qetë dhe normal.
Mehmeti u shpreh se incidente të vogla sporadike janë shënuar Në disa zona, por sipas tij, këto incidente nuk përbëjnë problem për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Kosovë.
Mhemeti theksoi se incidentet janë shënuar vetëm në Mitrovicën veriore dhe sipas tij kjo është normale. “Në pjesën serbe të Mitrovicës janë shënuar incidente sporadike, por dhe këto ishin të parashikueshme, pasi dihet që kjo pjesë e vendit ka qënë e trazuar për shumë kohë, dhepritej që të ndodhnin incidente të vogla ditën e zgjedhjeve”, vlerësoi Mehmeti.

MITROVICE- ARRESTOHEN DY SERBE, SULMUAN QENDRAT E VOTIMIT
Ora 14. 50 – Dy persona serbë të cilët dyshohet se kanë sulmuar qendrat mobile të votimit në veri të Kosovës, janë arrestuar nga policia e Kosovës. Policia në Mitrovicë konfirmon arrestimin. Sipas zëdhënësit të policisë Besim Hoti dy personat dyshohet se kanë sulmuar me mjete piroteknike,
Sulmi i parë është kryer në qendrën mobile në fshatin Banov Do të komunës së Zveçanit ku nga mali persona kanë hedhur shashka në drejtim të qendrës mobile. Ndërsa që sulmi i dytë, po thuajse identik, ka ndodhur në fshatin Jashevik të Zubin Potokut, duke sulmuar me shashka mobile te votimit.
Personat që kanë sulmuar ekipet mobile janë: Millan Raje, Millosh Kabashiq dhe personat me nofkën Gjakovica dhe Mitrovica.
Gjithashtu akuzohen se me mesazhe kërcënuese kanë kërcënuar ekipet e lëvizshme të hiqen me njëherë, ose “do të sulmohen me armë zjarri”.
Ndërkaq në fshatin Serbovac, rreth 50 persona të komunitetit serb kanë tubuar në mënyrë që të pengojnë qarkullimin e njerëzve dhe automjeteve.
Media kosovare thonë se grupet serbe veprojnë me urdhër të Koshtunicës. Ata janë duke shkuar nga qendra në qendër me qëllim të largimit të tyre por edhe të frikësimit të qytetarëve serb në mënyrë që të mos lejojnë të dalin për të votuar. Për këtë shkak dy qendra mobile të votimit nga veri kanë kaluar në jug të Mitrovicës, kanë theksuar burimet e cituara nga media.
Votimet janë duke u zhvilluar edhe ne 5 fshatrat boshnjake të komunës së Leposaviqit. Përgjigja e votuesve në këto zgjedhje është e knaqshme, përkundër incidentit që ndodhi ditë më parë kur mbet i vrarë Shefko Sallkoviq, përfaqësues i këtyre fshatrave si dhe anëtar i KQZ-së.

GRACANICE, VOTIMI ECEN NORMALISHT
Ora 14. 30 Në Gracanicë, ku ka shumicë serbe vazhdon të votohet normalisht. Sipas komisionerëve nuk është shënuar asnjë incident gjatë paradites së sotme. Në Gracanicë votohet në vende alternative dhe zgjedhjet vëzhgohen edhe nga vëzhgues të huaj

INCIDENTE NE QENDRAT E VOTIMIT KU KA SHUMICE SERBE
Ora 14: 12 Mediat kosovare informojnë se në Zubin Potok të Mitrovicës, ku banojnë shumicë serbe janë sulmuar qendrat e lëvizshme të votimit. Sulmet janë bërë në fshatin Banovdo dhe në Jashevik. Ndërsa në fshatin Serbovac informohet se një grup serbësh pengojnë banorët të votojnë, informon Kosova press.
SHQIPERIA I DERGON KOSOVES 5 MIJE LLAMBA IDENTIFIKIMI
Ora 13. 56 Mbi 5 mijë llamba identifikuese janë transportuar sot në të gdhirë nga Shqipëria drejt Kosovës, për t’u shpërndarë në qendrat e votimit. Sipas mediave kosovare problemi i llampave identifikuese ishte vënë re vonë nga zyrtarët e organizimit të zgjedhjeve. Dhe në pamundësi për të siguruar llamba të reja për shkak të mungesës së kohës, është kërkuar ndihmë nga Shqipëria.

KQZ: PO VOTOHET PA PROBLEME. PJESMARRJA DERI NË MESDITË 11.11%
ORA 13:10-KQZ informoi në mesditë të dhënat e reja nga procesi I zgjedhjeve në Kosovë.
Kryetarja e KQZ së Kosovës, Valdete Daka njoftoi se deri në orën 11:30 minuta kanë votuar 11.11% e qytetarëve duke e cilësuar këtë si pjesmarrje të kënaqshme. Daka theksoi se në Mitrovicë kanë vituar 9.21% e qytetarëve, ne Zubin Potok 2.78 përqind ndërsa në Zvercan 1.30 përqind.
Daka vlerësoi se “deri më tani nuk kemi incidente që do të mund të cënonte procesin e zgjedhjeve”. Daka uroi që procesi të vazhdojë kështu deri në orët e tij të fundit.

KURTI: VETVENDOSJA KUNDËR DIALOGUT ME SERBINË. NUK KA NË PLAN KOALICIONE
ORA 12:30-Albin Kurti, lideri për “Vetvendosje” në një intervistë për gazetarin e TVNEWS24 të dërguar në Prishtinë, Denis Minga u shpreh se në rast se partia e tij fiton, nuk do të ketë kurrsesi dialog me Serbinë.
Sipas Kurtit, në një kohë kur Kosova lufton për tu integruar si shtet, Serbia lufton për të kundërtën, ndaj cdo lloj bisedimi do të ishte i pavlerë dhe pa asnjë zgjidhje.
“Ne jemi kundër bisedimeve me Serbinë, nuk na kthen trupat e pajetë, nuk ka kërkuar falje për krimet, nuk do zhvillimin e Kosovës, ndaj bisedimet me Serbinë në këto rrethana janë të papranueshme dhe mendoj se nuk ja vlen të bëhen bisedime kur nuk janë zgjidhur këto hallka”.

Për NEWS24, Kurti tha se Vetvendosja gëzon aktualisht një përkrahje të madhe dhe se shpreson se këto zgjedhje do të jenë të lira dhe të ndershme dhe se nuk beson në asnjë lloj sondazhi aktual. “Ne si Lëvizje nuk jemi organizuar nëpër sondazhe, në verë të këtij viti dhamë lajmin se do marrim pjesë në zgjedhje, shumë zëra nisën të thoshin nëse do kalonim pragun electoral apo jo, më pas se u tha do ishim një zë i fuqishëm në parlament…Ne duam që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme. Jam optimist për Kosovën, dua në përfundim të rezultateve që institucionet të kenë vullnetin e popullit”, u shpreh Kurti.
Kreu i “Vetvendosja”, theksoi se deri tani nuk ka aptur probleme gjatë votimit dhe se vë re se vetvendosja gëzon një përkhraje të madhe.
Aktualisht tha ai, Vetvendosja nuk po mendon për një koalicion me parti të tjera, pasi pret të dëgjojë rezultatin përfundimtar.
Dhe njëherë Kurti tha se kanë qënë gabimet e dy partive të tjera të mëdha, PDK dhe LDK, që sollnë këtë situatë në Kosovë. “Ka patur padrejtësi të mëdha në Kosovë, deputetët, politikanët u bënë shumë të pasur dhe kanë qënë dy partitë kresore që sollën këtë situatë në vend”.

PËRFAQËSUESI I SERBËVE, DIMIC: NË VOTIM TË NDËRTOJMË KOSOVËN SË BASHKU ME SHQIPTARËT
ORA 12:00-: Përfaqësuesi i Komunitetit serb në Kosovë Radomir Dimic, kreu i partise Partia ‘Iniciative qytetare krahu i popullit’ theksoi në një intervistë për TVNEWS24 se serbët në Kosovë po marrin pjesë në zgjedhje me një qëllim kryesor, “të ndërtojnë shtetin e Kosovës së bashku me shqiptarët dhe komunitetet e tjera”.
Dimic theksoi se dita e sotme është një ditë e madhe për zhvillimin demokratik të Kosovës. Sipas Dimic, serbët e Kosovës kanë dhënë një kontribut të madh në normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës.
Përfaqësuesi serb në Kosovë u shpreh se ekziston një problem aktual në Kosovë, kryesisht në Mitrovicën veriore. Sipas tij, kjo pjesë e vendit mbahet peng nga kriminele dhe jo nga Serbia, dhe sot atje nuk po votohet për këtë qëllim.
“Veriu i Mitrovicës është një pikë shumë problematike dhe për Kosovën dhe Serbinë. Ajo pjesë e vendit nuk po arrin të integrohet dhe kjo pasi janë kriminelët përgjegjësit e bojkotit të votimit në veri të Mitrovicës”.
Dimic u shpreh në intervistën për gazetarin e TVNEWS24 të dërguar në Prishtinë, Denis Minga se Serbia nuk ka dhënë urdhër që serbët e Kosovës mos të dalin në votime. “Beogradi nuk ka dhënë asnjë njoftim që duhet të dalim apo jo në zgjedhje”.

PACK E LUNACEK TAKOJNË ANËTARËT E KQZ-SË
ORA 11:40
Eurodeputetet Doris Pack dhe Ulrike Lunacek po zhvillojnë një takim me anëtarët e Komisionit Qendror Zgjedhor. Ato janë pjesë e misionit vëzhgues të zgjedhjeve të Parlamentit Evropian. Një ditë më parë, Doris Pack përmes një deklarate për media ka thënë se Bashkimi Evropian kërkon nga Kosova që të sigurojë se zgjedhjet e para pas pavarësisë do të jenë të lira dhe korrekte.
“Kërkojmë nga të gjitha partitë politike që të sigurojnë një proces të lirë dhe korrekt zgjedhor, në të cilin secila votë numërohet”, ka thënë kryetarja e misionit vëzhgues të Parlamentit Evropian, Doris Pack.

VOTON KURTI I VETEVENDOSJES: ZGJEDHJET PERCAKTUESE PER DEKADEN E ARDHSHME
Ora 11. 35 Kryetari i lëvizjes “Vetëvendosja”, Albin Kurti, votoi në vendvotimin e instaluar në Fakultetin Ekonomik të Univesitetit të Prishtinës. Ai i cilësoi zgjedhjet e sotme parlamentare të Kosovës si më të rëndësishmet që nga koha e pasluftës. Duke shprehur besimin e tij se zgjedhësit do të dinë t’a shfrytëzojnë rëndësinë e këtyre zgjedhjeve, Kurti tha se “shpresoj që këto zgjedhje të jenë të ndershme dhe demokratike, pasi vendi ka nevojë për një qeveri dhe përfaqësues të ndërshëm, për një Kosovë demokratike. Sipas tij këto zgjedhje janë nga më të rëndësishmet, sepse me këtë proces nuk përcaktohet vetëm një mandat 4-vjecar, por do të përcaktohet e gjithë dekada e ardhshme. “Kjo pasi Kosova ndodhet si në rrafshin politik dh atë ekonomik në një udhëkryq dhe shpresojmë që pas këtyre zgjedhjeve mund të flasim për ndryshimin e madh”.
Ai argumetoi se intervenimi i NATOS në 1999 ishte një ndërhyrje humanitare, por jo politike Edhe shpallja e pavarësisë, sipas tij, ishte gjithashtu më shumë humnatitare sesa politike. “Tani me këto zgjedhje është hapur vëllimi i dytë, ku do të hapet dekada e dytë e shek. XXI”, tha ai.

ORA 11:35-MUSTAFA: DITA SOT E RËNDËSISHME PËR KOSOVËN DHE DEMOKRACINË
“Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa i vlerësoi si shumë të rëndësishme për demokracinë, zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që po zhvillohen sot ne Kosovë . Pasi hodhi votën në qendrën e votimit në shkollën fillore “Emin Duraku”, Mustafa tha se, “dita e sotme është shumë e rëndësishme për Kosovën, për zhvillmin e demokracisë dhe qeverisjes në Kosovë”.
Kreu i LDK-së tha se beson “në sovranin e qytetarit që do të zgjedhë më së miri atë që ai konsideron se është qeverisja më e drejtë dhe parlamenti më i drejtë në të ardhmen”.
Mustafa uroi që zgjedhjet të jenë të sukseshme dhe se beson se të gjithë do të jenë të kënaqur me rezultatet e këtyre zgjedhjeve në të ardhmen.

DACI: SOT REFERENCA ME E MIRE PER KOSOVEN
Ora 11: 30
– Kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, akademik Nexhat Daci, pas votimit sot në zgjedhjet e para parlamentare në Kosovën e pavarur tha se “unë do të doja që sot të jetë referenca më e mirë për Evropën që qytetarët janë të gatshëm të jenë të lirë për udhëtime,të jenë të lirë për integrime që mund të votojnë të lirë besoj, ndershëm”. “Urime Kosovë te gjithëve”, përgëzoi Daci, i cili votoi në shkollën fillore “Iliri”

PACOLLI: VOTA E QYTETARËVE ËSHTË E SHENJTË
Ora 11:10-Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka votuar në qendrën e votimit në shkollën fillore “Shkëndija” në Hajvali të Prishtinës.
Ai me këtë rast e ka quajtur të rëndësishme mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë për të ardhmen e tyre.
“12 dhjetori është ditë e zgjedhjeve dhe të gjithë qytetarët do të dalin dhe do të votojnë për ardhmërinë e tyre, familjeve dhe vetë fëmijëve të tyre. Kjo ditë do të kalojë mirë, pa probleme dhe besoj se qytetarët e Kosovës janë vetëdijesuar dhe e dinë se vota e tyre është e shenjtë dhe do të shkojë aty ku është drejtuar”, ka thënë Pacolli.

THACI: ZGJEDHJET, TE RENDESISHME PER KOSOVEN
Ora 11:07
Ish-Kryemnistri i Kosovës dhe Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, votoi në vendvotimin në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë në orën 10:00. Ai tha për mediat se, “sot Kosova voton për të ardhmen europiane”.
“Këto zgjedhje të rëndësishme që po zhvillohen në Kosovën sovrane dhe të pavarur, do të përcaktojnë fatin e Kosovës europiane, për liberalizmin e vizave
për Kosovën që të bëhet pjesë e NATO-s, për rritjen e mirëqënies sociale, konsolidimin e shtetit dhe për një të ardhme më të sigurtë”, deklaroi Thaçi. Ai ftoi të gjithë qytetarët për votim, për njëtë ardhme europiane të vendit.

VOTOJNE THACI; MUSTAFA, KURTI E SURROI
Ora 10:45 Në Kosovë tashmë kanë votuar dhe kryeministri Hashmi Thaci, kreu i PDK-së, kryetari i bashkisë së Prishtinës, Isa Mustafa, kreu i lëvizjes “Vetëvendosja” si dhe Veton Surroi.

DEMOKRACIA NE VEPRIM: PROCESI I RREGULLT, NE DISA QENDRA PROBLEME ME LLAMBAT E IDENTIFIKIMIT
Ora 10:30
Koalicioni i organizatave jo qeveritare “Demokracia në Veprim” e cila po monitoron votimet informoi se deri në orën 10.00 të gjitha qendrat e votimit janë hapur. Koalicioni informon se në disa qendra është ndërprerë votimi për shkak të problemeve me llambave fosforeshente të identifikimit.

“Ne shfrytëzojmë rastin që t’iu bëjmë thirrje autoriteteve kompetente që të ndërmarrin masa që llambat e tilla të zëvendësohen në të gjitha ato vende ku janë vlerësuar probleme apo parregullsi”, ka thënë në konferencën për gazetarë, Driton Selmanaj nga Demokracia në Veprim.

Koalicioni i organizatave “Demokracia në Veprim” ka ftuar partitë politike që të respektojnë Kodin e Mirësjelljes.
Ky koalicon ka rreth 5 mijë vëzhgues të akredituar.

REUTERS: MITROVICE SERBET NISIN BOJKOTIN E ZGJEDHJEVE
Ora 10:05 Agjencia e lajmeve Reuters raporton se rreth 60 mijë serbë që jetojnë në qytetin e ndarë të Mitrovicës kanë nisur të bojkotojnë procesin ashtu sic edhe kishin paralajmëruar.
Bojkoti është mbështetur nga autoritetet më të larta të Serbisë si presidenti, qeveria dhe kisha ortodokse serbe të cilët nuk e njohin pavaresinë.
“Ndryshe nga posterat në qytete të tjera të Kosoves ku banorët ftohen për të dhënë verdiktin e tyre, posterat në Mitrovicë u kërkojne qytetarëve serbë të mos marrin pjesë në votime me mesazhe të tilla si “Jo zgjedhjeve në shtetin e rremë të Kosovës.” – shkruan reuters.
Megjithatë, parashikohet se serbet e Kosovës që jetojnë në zonat ku jetojnë edhe shqiptarë pritet të marrin pjesë në votime.

ZUBIN POTOK, SULMOHET ZYRA NDERLIDHESE, LETER KERCENUESE PER ZGJEDHJET
Ora 09:59 Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë natës së mbrëmshme në Zubin Potok është sulmuar me armë zjarri, Zyra Ndërlidhëse e Monitorimit, e cila funksionon në kuadër të KFOR-it.Përveç dëmeve materiale, në vendin e ngjarjes është vendosur edhe një letër kërcënuese, në ndërlidhje me procesin e sotëm zgjedhor, ka njoftuar policia.

PRISHTINE, NEWS24 NE QENDREN E VOTIMIT 1922
Ora 09:30 -Grupi i xhirimit i NEWS24 ka qenë i pranishëm në qendrën e votimit 19 22 në Prishtinë. Komisionerët u shprehën se procesi po ecën normalisht. Deri në orën 09.00 kishin votuar rreth 50 votues, dhe fluksi pritej të rritej në orët në vazhdim.

KQZ: JANE HAPUR DHE QENDRAT NE VERI
Ora 09:18 Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valdete Daka, ne konferencën e parë për shtyp për ditën e sotme, deklaroi se të gjitha qendrat e votimit janë hapur në të gjithë Kosovën. Ajo ka bërë të ditur se edhe në veri sikurse edhe në pjesën tjetër janë hapur vendvotimet, por nuk ka mund të konfirmojë nëse ka pasur votues serbë që kanë dalë të votojnë, duke thënë se për këtë do të sjellin informacione në konferencën e radhës në ora 13.00.
“Vendvotimet, si dhe ekipet e levizshme në komunat veriore janë hapur sipas planit operacional të miratuar nga KQZ-ja për pjesën veriore dhe deri më tani gjithçka është duke shkuar me rregull”, ka thënë ajo.
Daka ka bërë të ditur se në veri ka vendvotime fikse dhe ekipe të lëvizshme , ndërsa këto ekipe janë të përbëra nga ndërkombëtarë, por ka edhe shqiptarë.
Për sa i përket shpalljes së rezultateve preliminare, Daka ka përkujtuar se në këtë aspekt nuk ka ndonjë limit kohor dhe se për këtë do të dihet në konferencat e radhës gjatë ditës se kur do të dilet me rezultate.

HAPEN TE GJITHA QENDRAT E VOTIMIT, FLUKS I PAKET I VOTUESVE
ORA 08:30 Të gjitha qendrat e votimit janë hapur sic ishte parashikuar në orën 07.00. Nga Prishtina, gazetarët e NEWS24 raportojnë se për momentin janë të paktë kosovarët të cilët po i drejtohen qendrave të votimit, kjo për shkak dhe të motit të ftotë dhe dëborës që ka nisur të bjerë. Pritet që fluksi votuesve të rritet në orët e mëvona

KOSOVA SOT VOTON
ORA 07: 30 Dorëheqja e Sejdiut nga posti i presidentit, nën presion, nxiti LDK-në të tërheqë ministrat e saj nga qeveria, duke shkaktuar rënien e saj në një moment krejt të papritur. Për këtë arsye, Kosova, e mbetur pa një qeveri, u detyrua të zhvillonte zgjedhje të jashtëzakonshme për të zëvendësuar liderët e saj dhe duke provuar para ndërkombëtareve se është e aftë të vetëqeveriset.
Rreth 1 milion e 600 mijë qytetarë në Kosovë me të drejtë vote pritet të hedhin votën e ndër ta janë edhe mbi 73 mijë votues të rinj. Pas dhjetë ditësh fushate të ngjeshur me kritika e akuza dhe shpalosje të programeve partiake, 29 subjekte politike, nga të cilat 8 të pakicës serbe, hynë dje në heshtjen zgjedhore, që do të zgjasë deri në mbylljen e vendvotimeve, më 12 dhjetor në ora 19.00. Zyrtarë të KQZ-së thonë se janë kryer të gjitha përgatitjet për ditën e zgjedhjeve, përfshirë edhe pranimin e materialit zgjedhor.

Sot në të gjithë Kosovën pritet të hapen 746 qendra votimi me 2280 vendvotime, në mesin e të cilave edhe 14 qendra të votimit në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe. KQZ-ja thotë se për veriun ka planifikuar dy lloje të operacioneve, përfshirë edhe atë të vendvotimeve të lëvizshme në rast të moslejimit të hapjes së qendrave zyrtare.Përfaqësuesit e serbëve të veriut janë shprehur kategorikisht kundër pjesëmarrjes së komunitetit të tyre në zgjedhjet parlamentare, por, megjithatë, zyrtarët kosovarë dhe ata ndërkombëtarë mbeten optimistë.

Sipas sondazheve partitë në avantazh janë PDK e Hashim Thacit, Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK e kryetarit të Prishtinës Isa Mustafa dhe lëvizja nacionaliste Vetëvendosja e Albin Kurtit

Rreth 6000 forca të policisë së Kosovës janë angazhuar për të garantuar një proces të qetë zgjedhor
Nga ana tjetër janë mbi 32 mijë vëzhgues që do të kujdesen për monitorimin e zgjedhjeve të sotme. Prej tyre, mbi 26 mijë u përkasin partive politike, 493 organizatave ndërkombëtare, 351 ambasadave si dhe mbi 5 mijë vëzhgues nga organizatat joqeveritare.
(s.g/m.a/BalkanWeb)

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 13/12/2010. Filed under Kosovë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

One Response to Kosovë, mbyllen votimet KQZ: Votuan 47.80% Exit Poll: Kryeson PDK

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.