28 Nëntori dita e Flamurit Shqiptar sipas kushtetutës nuk njihet më si festë zyrtare në Kosovë

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 3601
Kthejeni 28 Nëntorin.
28 Nëntori – Dita e Flamurit – sipas kushtetutës, nuk njihet më si festë zyrtare në Kosovë. Por, kjo nuk ka shumë rëndësi për shoqatat e dala nga lufta. Ata do të vazhdojnë ta festojnë atë. Për të festuar këtë ditë dhe ditëlindjen e Adem Jasharit, shoqatat kanë zgjedhur qytetin e Prizrenit. Kurse në Prishtinë nuk dihet nëse do të ketë festë. Kjo, sepse kryeqyteti nuk kremton festat nacionale siç është 28 Nëntori.
Ndonëse 28 Nëntori, që përkon me katër festa historike të kombit shqiptar – Ditën e Flamurit, shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, paraqitjen e parë publike të UÇK-së dhe ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari, nuk është në kalendarin e festave shtetërore të Republikës së Kosovës, shoqatat e dala nga lufta nuk e kanë ndërmend të pajtohen me një fakt të tillë.

Edhe pse fillimi i muajit, Organizata e Veteranëve të Luftës së bashku me disa organizata tjera të dala nga lufta tashmë kanë filluar përgatitjen e shënimit të kësaj dite. Madje, ata kanë formuar edhe Këshillin Organizues, i cili do t’i bëjë përgatitjet për shënimin e 28 Nëntorit.

E për të informuar opinionin se do të ketë festë më 28 nëntor, ata kanë dërguar edhe një komunikatë, ku, përveç tjerash, bëhet i ditur edhe qyteti ku do të ketë manifestim.

Organizatat e dala nga lufta këtë vit kanë zgjedhur Prizrenin si qytet për të mbledh të gjithë ata që duan të festojnë Ditën e Flamurit kuq e zi dhe ditëlindjen e Adem Jasharit.

“OVL, SHFD dhe SHIL të UÇK-së kanë formuar Këshillin Organizues për
shënimin e 28 Nëntorit, festën e Pavarësisë së Shqipërisë dhe ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari. Manifestimi me rastin e kësaj feste të madhe do të mbahet në qytetin historik të shqiptarëve, në Prizren”, thuhet në këtë komunikatë.

Muharrem Xhemajli, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, thotë se pa marrë parasysh festave zyrtare të definuara në kushtetutë, organizata të cilën ai e udhëheq do të vazhdojë ta konsiderojë 28 Nëntorin si festë zyrtare të shtetit të Kosovës.

Sipas Xhemajlit, organizatat e dala nga lufta do të vazhdojnë t’i festojnë të gjitha festat zyrtare. Edhe ato që nuk janë në kushtetutë, por që me vite shqiptarët i kanë festuar.
“Madje, ne do të kërkojmë që 28 Nëntori të rikthehet në kushtetutë ashtu siç ka qenë, si ditë e shpalljes së pavarësisë e jo vetëm si ditë e shqiptarëve. Pos kësaj do kërkojmë që të festohet si e tillë në të gjitha vendet ku ka shqiptarë ”, tregon Xhemajli për Express.

Ai thotë se përveç iniciativës për festim të kësaj dite, edhe qyteti të cilin e kanë përzgjedhur për manifestim ka domethënien e vet.

“Prizreni llogaritet si kryeqyteti shpirtëror i shqiptarëve, prandaj edhe festimi i ditës së shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë do të bëhet atje”, pohon Muharrem Xhemajli, i cili nuk dha më shumë detaje lidhur me aktivitetet e caktuara për kremtimin e kësaj feste, e cila nuk figuron në kushtetutën e Kosovës si festë zyrtare.

“Jemi në fazën fillestare të përgatitjeve, në të ardhmen do të informoheni për të gjitha detajet, ashtu siç jeni njoftuar se do të ketë festë”, tha ai.

“Përveç pjesës së përgatitjeve për festën e flamurit, 28 Nëntori do t’i dedikohet edhe komandantit legjendar Adem Jashari, prandaj edhe kemi filluar më herët me përgatitjet”, sqaron Muharrem Xhemajli, kryetar i OVL- UÇK.

Por, përveç Prizrenit, kryeqytetit shpirtëror sipas shoqatave të dala nga lufta, Prishtina, kryeqyteti legjitim i Kosovës, akoma nuk ka filluar përgatitjet për manifestimin e Ditës së Flamurit, atij kuq e zi. Madje, nuk dihet akoma se a do të festohet kjo ditë. Kjo sepse Komuna e Prishtinës, sipas zyrtarëve të saj, nuk organizon manifestime për ditët që llogariten si festa nacionale, e sidomos ato që nuk përkojnë me festat zyrtare që i njeh Kushtetuta e Kosovës.

Muhamet Gashi, zëdhënës i kësaj komune, thotë se organizimin e festave që nuk figurojnë në Kushtetutën e Kosovës e merr përsipër dikush tjetër. “28 Nëntori konsiderohet si festë nacionale. Komuna e Prishtinës nuk i merr përsipër festat nacionale. Vendimi për kremtimin e tyre caktohet prej nivelit qendror”, sqaron Gashi për Express.

Sipas tij Komuna e Prishtinës deri më sot nuk ka marrë ndonjë vendim nga ky organ, nëse do të festohet dita e 28 Nëntorit. “Deri sa ai nivel të merr vendim, ne nuk mund të bëjmë asnjë organizim të kësaj feste”, shton Zëdhënësi Gashi.

Sidoqoftë, në bazë të nenit 65(1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili ka për qëllim përcaktimin e festave zyrtare në Republikën e Kosovës, 28 Nëntori nuk njihet më si festë. Kuvendi i Republikës së Kosovës para tri vitesh ka miratuar Ligjin për festat zyrtare. Sipas këtij ligji, dita e Flamurit, 28 Nëntori nuk është më festë zyrtare në Kosovë. Nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, kjo festë në Kosovë është definuar me Kushtetutë si Dita e Shqiptarëve.

Projektligji për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës nuk e përfshin ditën e shpalljes së pavarësisë, në mesin e 11 festave zyrtare i ka Republika e Kosovës. Në kalendarin festiv të Republikës së Kosovës janë përfshirë, Viti i Ri, Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, 17 Shkurti, Dita e Kushtetutës së Kosovës, 9 Prilli, Dita Ndërkombëtare e Punës, 1 Maji, Dita e Evropës, 9 Maji, Bajrami i Madh, Bajrami i Vogël, Krishtlindjet Katolike, Krishtlindjet Ortodokse, Pashkët Katolike dhe Pashkët Ortodokse.
Lirita Halili/Gazeta Express

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 07/11/2010. Filed under Kosovë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.