Piramida e Enverit do konvertohet në parlament

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 2083
Disa ditë më parë, vetëm me votat e mazhoranxës, Kuvendi miratoi vendimin “Për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar” në vendin ku sot është piramida e ish-diktatorit Enver Hoxha. I menduar të përurohet me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë, Parlamenti i ri do të jetë shumë më tepër se thjesht një godinë ose një parlament; ai do të jetë simboli i përpjekjeve shekullore të shqiptarëve për liri e pavarësi; përpjekjeve për të qenë të barabartë e dinjitozë me të gjithë qytetarët e tjerë evropianë; do të jetë simboli i ëndrrës dhe dëshirës së shqiptarëve për tu shkëputur përfundimisht nga ndikimet dhe simbolet e të kaluarës komuniste.

Të gjithë menduam që votimi do të ishte një mundësi për opozitën e sotme, të dëshmonte që ishte shkëputur përfundimisht nga e kaluara e saj e errët komuniste. Por nuk ndodhi ashtu. Me votën e tyre unanimisht kundër, ata vërtetuan, edhe një herë, që lidhjet ideologjike të së majtës së sotme me diktaturën komuniste ishin shumë të forta. AND-ja e komunizmit është mbartur në mënyrë konstante dhe sistematike tek bijtë që janë krenarë për etërit e tyre biologjikë e shpirtërorë komunistë.

Arkitekturë nuk do të thotë vetëm të ndërtosh, e ajo nuk është vetëm art. Arkitektura ka gjuhën e saj, e cila ndikon fuqishëm në ndërtimin dhe mirëfunksionimin e një shoqërie. Kështu, Akropoli në Athinë është një rrugë e përpjetë, që simbolizon ngjitjen drejt hyjnores, por në të njëjtën kohë simbolizon edhe faktin që njerëzit janë të vdekshëm e jo në një nivel me atë që konceptohet si hyjnore, e për t’u bërë i denjë, duhet të bësh rrugë të gjatë duke ngjitur shumë shkallë.

Ka rryma që thonë që ka arkitekturë fashiste ose komuniste: rasti më i përfolur është ai i arkitektit të Hitlerit, Albert Speers, i cili mendohet se përkthente mendimet e të ashtuquajturit artist Adolf Hitler në projekte. Ai shfaq përsëri shkallët si simbol. Gjithashtu, ata që duhet të takonin Hitlerin, duhet të bënin deri tek tavolina e tij e punës një rrugë të gjatë, në të cilën të bindej se sa i vogël dhe i përulur ishte ai para udhëheqësit.

Por ka edhe rryma që thonë që ka arkitekturë demokratike: si në rastin e Günter Behnisch, i cili përveç veprave të shumta që la pas, solli një term të ri në projektin e sallës së re plenare të Bundestagut gjerman: Arkitekturë demokratike.

Arkitektura është shprehje e asaj se në çfarë sistemi kemi jetuar, jetojmë e ku duam të shkojmë e çfarë dëshirojmë të bëhemi.

Po Piramida e Enverit, çfarë përfaqëson për Tiranën apo çfarë përfaqëson për të gjithë ne shqiptarët?

Ish-muzeu “Enver Hoxha” u ideua menjëherë pas vdekjes së diktatorit, u projektua në vitin 1986 nga një grup arkitektësh nën drejtimin e Pranvera Hoxhës dhe Klement Kolanecit, përkatësisht vajzës dhe dhëndrit të Enver Hoxhës. Në hyrje të tij, ashtu si Zeusi, u vu në mermer të bardhë, busti i Enverit, vepër e Kristaq Ramës, babait të Edvinit. Në të u ekspozuan sende personale të Enverit, si veshje, këpucë, foto, armë, libra, aparate, makina e tij e parë, madje u imitua edhe dhoma ku kishte lindur etj. U përurua në vitin 1988. “Piramidë” e mori emrin gjatë lëvizjes studentore të Dhjetorit 1990.

E parë nga ana etike, e fshehur nën gjoja formën e shqiponjës, muzeu i diktatorit është perceptuar në fakt si “piramidë” bazuar edhe në legjendën e Keopsit ku mbretëruan mbretërit gjakatarë të Egjiptit (Piramida e Keopsit është më e madhja nga tri piramidat kryesore në Giza dhe piramida më e lartë në botë. Ajo u ndërtua nga faraoni Keops gjatë viteve 3100 p.e.s – 2700 p.e.s. Ka një lartësi prej 137 m dhe gjatësinë e çdo brinje të bazës e ka 227 m. Përbëhet nga 2 500 000 blloqe me masë prej 2 – 5 tonë secila. Kështu, masa e piramidës i afrohet 6 000 000 tonelatave. Blloqet formojnë 203 shkallë me lartësi mesatare prej 1 metri. Piramida e Keopsit është quajtur nga shkencëtarët “Libër shkencor i shkruar në gurë”).

Në mes të një kompleksi të ndërtuar që nga koha e Zogut, me bulevardin, ministritë, ndërtesën e Këshillit të Ministrave, Kryesinë e Kuvendit, Universiteti etj., “Piramida”, përveçse simbol sundimi dhe plotfuqishmërie, nuk është aspak në harmoni me to e nuk ka asgjë të përbashkët me arkitekturën përfaqësuese të zhvillimit të shoqërisë shqiptare si dhe me arkitekturën demokratike.

Ngritur si muze për diktatorin, pavarësisht se prej kohësh janë hequr sendet personale të tij, si dhe i është ndryshuar emri dhe funksioni, ajo godinë, aspak e hijshme, mban ende brenda saj gjënë më të keqe të kombit shqiptar: diktaturën e më të egër komuniste.

Pra, në mendimin tim, ajo ndërtesë, si nga ana arkitekturore ashtu edhe morale, nuk i përket Tiranës dhe shqiptarëve, të cilët meritojnë një ndërtesë më domethënëse e më dinjitoze. Ngritja e tempullit të demokracisë në vend të saj, do të hiqte edhe simbolin e fundit të komunizmit në Shqipëri.

Por, Edvini dhe socialistët refuzojnë të shkëputen nga simbolet e diktatorit dhe të diktaturës komuniste, duke u munduar ti rikthejnë në cilëndo formë e mënyrë. Kështu:

Të gjithë kujtojmë Bllokun komunist, ku jetonte kupola më e lartë e Partisë Komuniste. Askush nuk dinte çfarë ndodhte aty, por të gjithë e dinin se planifikoheshin intrigat, komplotet, vrasjet. “Blloku”, dikur mollë e ndaluar për të gjithë shqiptarët e thjeshtë (nuk e kam fjalën këtu për shumë kolegë opozitarë apo për bijtë e nomenklaturës komuniste që janë më shumicë në grupin parlamentar të Partisë Socialiste), ra si bastion komunizmi menjëherë pas rënies së tij. Por jo për Edvin Ramën. Duke mos pranuar të ndahet nga kjo ide bllokmene, me fuqinë që i jep pushteti i tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës, jashtë çdo ligji e rregulli të shkruar, mundi të krijonte një minibllok të tijin dhe ndërtuesve pranë tij, duke ndaluar në një zonë prej 20-30 m të kalojnë makina që do të shqetësonin sadopak nostalgjikët e rinj apo të vjetër të komunizmit.

Piramida, edhe pse e boshatisur, mbetet një simbol për bijtë e bllokmenëve, sepse dhe rrëzimi i tij do të ishte shembja e një muri për të hyrë në bllokun e Partisë Socialiste, ku kriter i vetëm është të jesh pasardhës i etërve komunistë.

Vetë Edvini, kryetari i Partisë Socialiste, në emër të bllokmenëve të vjetër e të rinj, në datë 16 tetor, pra ditën e lindjes së Enverit, shpalli me nxitim, në mes të natës, martesën e tij të tretë, në përpjekje për ta rikthyer si ditë të shënuar, të paktën për socialistët.

Për të gjithë ata që e kujtojnë, në muzeun e Enverit, përveç relikteve të tjera, u vendosën edhe çorapet e arnuara të Enverit si simbol i asaj varfërie që duhej të ishte në popull. Të gjithë shqiptarët duhet të ishin të varfër, pa prona, pa fe, pa para, pa ide, pa të drejta e pa fjalën e lirë.

Nën gjurmët e atit të tij shpirtëror, Edvin Kristaq Rama, personi që ka në pronësi de fakto të paktën 20% të çdo ndërtimi për të cilin ai vetë ka dhënë leje ndërtimi, deklaron se është i pastrehë, se ka vetëm 3000 euro pasuri, e që edhe pas dasmës më të madhe ndonjëherë në Shqipëri, jeton me nusen e tij të re në një shtëpi me qera. Tirana nuk meriton një kryebashkiak, i cili nuk mendon dot as për familjen e tij. Ai meriton të ndihmohet bujarisht.

Së fundmi, nën gjurmët dhe modelin e piramidës së atit të tij shpirtëror, Enverit, Edvini në këto vite të tij në pushtet (qeveri e bashki) ngiti më shumë kujdes e përkushtim piramidën e korrupsionit më të madh jo vetëm në Shqipëri, por edhe tej kufijve, piramidën e 20% të lepujve dhe sekserëve të tij.

Por, ashtu si piramidës së Enverit, simbolit të fundit të diktaturës më të egër komuniste po i vjen fundi, edhe piramidës së Bashkisë së Tiranës, piramidës së 20% të Edvinit po i lëkunden themelet. Lepuri, prej vitesh i strukur diku në themelet e saj, i trazuar nga miqtë apo mikeshat e reja apo mbase edhe nga zhurmat e festës në Pezë apo nën çadrat e grevës së urisë, doli i trembur nga strofka e tij, duke lëkundur gurët e piramidës enviniane, që shumë shpejt do të fillojnë të rrëzohen një nga një.
Albana Vokshi/Gazeta Standard

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 31/10/2010. Filed under Aktualitet. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

One Response to Piramida e Enverit do konvertohet në parlament

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.