Prosvalja e shtetit

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 1703
I bombarduar çdo ditë me lajme rrëqethëse për afera korrupsioni e skandale politike, qytetari i thjeshtë, sidomos ai i moshës së mesme e lart, ndihet tepër i tronditur. Për të mos përfunduar në çmendinë, atij i duhet të shkojë në një punishte për shpëlarjen e trurit a në një klinikë ku të mund ta zëvendësojë trurin e vet me një tru të ri, të zbrazët si një harddisk i ri. Gjithë kjo, sepse përvoja jetësore që ka grumbulluar duke shërbyer në shtet për disa dhjetëvjeçarë e bën të vuajë shpirtërisht kur sheh përditë gjëra që shkojnë kundër logjikës më të thjeshtë njerëzore, kundër asaj logjike e cila e lejon t’i kuptojë gjërat që nuk shkojnë si duhet a që shkojnë mbrapsht, pa qenë nevoja për të pasur diplomë historie, gjuhe, ekonomie a drejtësie.

Një bos i mafies italiane, për t’i shpëtuar drejtësisë së atij vendi, vjen e ngulet në Shqipërinë e “zerotolerancës” ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve. Kalon në doganë pa iu dridhur qerpiku dhe ngulet në Vlorë për të freskuar shqiptarët me akulloret e tij të korrupsionit. Kurse shteti i jep leje të shtrijë rrjetën e merimangës në gjithë vendin, duke ngritur njëri pas tjetrit bizneset e tij me paratë e trafiqeve dhe ia regjistron ato, pa kërkuar fare informacion nga autoritetet italiane për pastërtinë e këtij personi, sikur Italia të ndodhej në Mars dhe jo 100 km larg apo sikur zyrtarët e shtetit tonë të kishin zbritur nga një planet ku nuk njihet korrupsioni.

Kur policia italiane e arreston këtë bos që ishte ngulur këmbëkryq në Shqipëri, një ministre del para shqiptarëve dhe, me një papërgjegjësi foshnjore, tund disa shkresa për të provuar virgjërinë e djalit të mafiozit italian. Nga ana tjetër, ortakët shqiptarë të mafiozit vrapojnë të bëjnë transferimin e pronës së tij në duart e veta duke e blerë atë; zyra shtetërore e regjistrimit të bizneseve e regjistron këtë operacion; kurse organet e drejtësisë bëjnë sehir, pa u trazuar fare nga gjithë këto allishverishe. Pra, të gjitha hallkat shtetërore jashtë funksionit.
Ne qytetarët, që i mësojmë këto afera nga gazeta dhe televizioni, të pajisur me logjikën më të thjeshtë njerëzore, habitemi dhe njëkohësisht tmerrohemi nga skandalet që ndodhin një në çdo dy ditë. Logjika e thjeshtë jona na thotë se shteti që lufton kontrabandën, duhet të kërkojë informacion për burimin e fondeve që investohen për të ngritur një biznes, aq më tepër kur investuesit vijnë nga përtej kufijve. Po ta kishte bërë këtë shteti, do të dilte në televizion ministri i Brendshëm të na tregonte dokumentet e lëshuara nga autoritetet italiane. Dhe ne nuk do të dyshonim te shteti. Por ministri i Brendshëm nuk u duk, as kryeministri i tij. Në vend të tyre del një ministre që nuk mbulon atë fushë. Dhe nuk del të mbrojë shtetin, po t’ia nxijë faqen përpara qytetarëve të vet. Shfaqja e ministres së Integrimit për të justifikuar me ca letra mafiozin italian dhe ortakët e tij nuk ishte për të zbardhur faqen e shtetit, po për të mbrojtur të vetët. Opozita mund të akuzojë, se prandaj është, të ruajë pozitën dhe të demaskojë çdo veprim joligjor të saj. Po për të përgënjeshtruar akuzat e opozitës, duhet të dalë para opinionit ministri që mbulon fushën e prekur nga akuzat dhe jo një tjetër që nuk e ka për tagër.

Dalja e kësaj zonje dhe gjuha kërcënuese e përdorur në konferencën e shtypit, duke i përmendur edhe emrin e babait Edi Ramës (i cili nuk ia ka zënë në gojë emrin e të atit zonjës ministre), në vend që ta nxjerrë të palarë para opinionit, provon se ajo ka dorë në këtë aferë. Ne që jetojmë në Shqipëri, e shohim me sy se në këtë vend bizneset më fitimprurëse janë në duar të njerëzve të politikës (të djathtë e të majtë) ose të njerëzve që janë pranë tyre (familjarët, krushqia, farefisi), se një biznes nuk mund të ngihet e të mbijetojë pa dorën dhe përkrahjen e padronëve të politikës. Zonja ministre na provoi edhe njëherë se një pjesë e bizneseve këtu u ngjajnë atyre të Al Kapones.
Më tej, logjika e thjeshtë na thotë se, kur një person arrestohet për veprimtari kriminale, duhet që prokuroria të bllokojë menjëherë llogaritë e tij bankare dhe pronat e deklaruara, në mënyrë që t’u pritet udha veprimeve të mëtejshme financiare apo kalimeve të pasurisë. Këto ditë ne pyesnim veten dhe shoqi-shoqin pse nuk ndihet prokuroria, pse nuk iu bllokuan që në çastin e arrestimit pasuritë mafiozit (se institucionet veprojnë në sinkron), duke u lënë kohë bashkëpunëtorëve të tij të fshehin pasuritë. Kjo ndodhi se prokuroria është paralizuar apo… Ajo u kujtua vetëm pas dy ditësh të bëhej e gjallë, pasi ishte bërë kalimi i pasurisë në duar të ortakëve shqiptarë dhe pasi ky kalim ishte miratuar nga një institucion shtetëror.

Prapë, logjika normale e kërkonte që ky institucion regjistrues i biznesit, menjëherë sa u dëgjua lajmi në televizion, edhe pa urdhër të prokurorisë, të bllokonte procedurat e regjistrit dhe jo të fshinte emrat në dokumentet elektronike. Më tej, sapo u ndryshua dokumenti, nëpunësi që e urdhëroi dhe ai që e kreu këtë veprim, duhej të ishte ndaluar për falsifikim të dokumentacionit. Por kjo s’ndodhi, edhe pse një veprim i tillë është i përsëritur. Po çfarë mesazhi u jepet nëpunësve të shtetit me mosndëshkimin ligjor të këtyre shkeljeve? Shumëkush nga këta merr guximin të vërë dorë në dokumentet, të ndryshojë përmbajtjen e tyre a të lëshojë dokumente fiktive. Po për një shtet dokumentacioni është i shenjtë. A duhet të ndodhin këto në një shtet ligjor? Nuk duhet të ndodhin, se përndryshe shteti bie.
Të gjitha këto sjellje e praktika shtetshkatërruese, bashkë me tymnajën e akuzave e të shpifjeve, tregojnë se politikanët po na trajtojnë si të ishim një turmë të egrish a skllevërish dhe jo një popull që prej njëqind vjetësh përplaset me shtetin e vet dhe që i kupton shumë mirë paudhësitë që ky shtet i ka punuar dhe po i punon. Si ka mundësi që ministrat të lëshojnë akuza të tmerrshme për korrupsion ndaj njëri-tjetrit dhe kryeministri të thotë se të dy janë qengja? Pse nuk ndalohen menjëherë nga prokuroria për të provuar akuzat ose, përndryshe, në rast se ato janë të rreme, të dënohen për shpifje dhe tronditje të opinionit shoqëror? Kjo praktikë mosndëshkimi e shkeljes së ligjeve, e fyerjeve e shpifjeve publike që po vijon prej 20 vjetësh e ka helmuar në një shkallë të tillë opinionin tonë shoqëror, saqë njerëzit kanë humbur besimin se ky vend do të bëhet.

Të gjitha këto zhvillime negative që shkojnë kundër logjikës së thjeshtë njerëzore, ndodhin sepse shteti është prosvalur, i është ngrënë autoriteti, është paralizuar, kolonat e tij kanë marrë të krisur dhe, po të vijohet më gjatë kështu, të këqijat do të jenë të paparashikueshme. Për të dalë nga kjo gjendje, dy zgjidhje mbeten: ose qeveria të ndërrojë popullin, d.m.th. të gjejë një popull tjetër pa tru (a t’ia shpëlajë trurin), gjë që është e pamundur, ose, përndryshe, të ndërrojë mënyrën e të qeverisurit.

Afërmendsh, përgjegjësia për këto ngjarje tepër të rënda që ndjekin njëra-tjetrën, bie mbi ata që qeverisin. Por nëse qeverisësit nuk ndiejnë përgjegjësi, është drejtësia, si garante e kushtetutës dhe e ligjit, ajo që duhet t’i vërë para përgjegjësisë. Mirëpo deri tani drejtësia shqiptare nuk e ka bërë një gjë të tillë. Me mosveprimet e saj ajo tregon se është bërë e pandjeshme ndaj shkeljes së ligjeve, se u është nënshtruar “sundimtarëve të fortë”, që i zbatojnë ligjet si t’u dojë qejfi dhe i shkelin ato sa herë t’u dojë qejfi, mu sikur të ishim një shtet feudal.
Prof.Dot. Rami Memushaj/Shekulli

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 04/10/2010. Filed under Politika. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

One Response to Prosvalja e shtetit

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.