Kapërcehet kriza, çmimi i apartamenteve do të rritet me 2011-tën

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 4702
Pritet që në fillim të vitit 2011 një shtëpi në kryeqytet të kushtojë më shumë. Rritja e kërkesës dhe kostos janë arsyet që shtyjnë ndërtuesit të rrisin vlerën për m2.

Për të blerë një apartament në kryeqytet duhet të mendohesh mirë, pasi vlera për metër katror, veçse është e lartë, ajo pritet të pësojë një rritje tjetër në fillim të vitit që vjen. Kjo është prirja që po dikton tregu i apartamenteve në Tiranë, por edhe një ogur i mirë që tregon se efektet e krizës po zbuten. Janë vetë përfaqësues të Shoqatës së Ndërtuesve që pranojnë se së afërmi pritet të ketë një rritje çmimesh dhe kjo nuk do të ndodhë, sepse kjo është një dëshirë e tyre për të fituar më shumë, porse janë vetë rrethanat që e diktojnë një ndërmarrje të tillë. Sipas Shoqatës së Ndërtuesve, dy janë arsyet që pritet të diktojnë rritjen e çmimit: janë rritja e kërkesës për banesa dhe rritja e kostos në ndërtim. Në fakt, rritja e çmimeve të materialeve në ndërtim është njoftuar edhe nga të dhënat e që ka publikuar INSTAT-i muajt e fundit. Ndërtues vendas konfirmuan se tashmë janë rikthyer sinjalet pozitive, ku që nga muaji korrik ka rritje të interesimit për të blerë shtëpi.

Ndonëse për momentin drejtuesit e kompanive të ndërtimit nuk kanë ndërmend të rrisin çmimet, kjo duket se nuk do të zgjasë për shumë. Të gjithë ndërtuesit dhe agjentët imobilarë të pyetur konfirmuan se këtë vit nuk pritet të ketë rritje të çmimeve, por ata që duhet të blejnë shtëpi, duhet të nxitojnë para “se të jetë tepër vonë”.

Ndërtuesit po tentojnë të shtrenjtojnë sërish çmimet e apartamenteve në kryeqytet pas rritjes së kërkesës dhe kostove. Këshilla e operatorëve të tregut: Blini, para se të jetë vonë!

Sipas të dhënave, rritja reale e çmimeve do të ndodhë në pranverën e vitit 2011, ku sektori pritet ta ketë rimarrë veten tërësisht nga kriza që e preku që në fillim të vitit 2009.

“Është pa dyshim një lojë nervash ndërtues-blerës, ku që të dyja palët kërkojnë që të luajnë me çmimet optimale. Por këtë betejë duket se po e fitojnë ndërtuesit, të cilët jo vetëm që nuk i ulën çmimet, por me kthimin e kërkesës kanë tendencë për t’i rritur ato”, – thotë agjenti imobilar në kryeqytet, Dritan Caka. Edhe përfaqësuesit e Shoqatës së Ndërtuesve konfirmojnë se ka një shtim të interesit, por rritja e çmimeve ndoshta do t’u “përkasë” disa muajve më vonë. “Sigurisht që me të dalë nga kriza, në të cilën ishin mbërthyer shumë kompani, çmimet do të rriten sërish”, – thotë Ilir Hebovija, nëndrejtor i shoqatës. Ajo që vihet re, është një shtrenjtim i pritshëm në zonën e qendrës në Tiranë, që është gjithnjë në “top-listën” e kërkesave për blerje apartamentesh. Të dhënat nga agjencitë imobilare, por edhe ndërtues që ndërtojnë në këto zona, konfirmojnë se në muajt në vazhdim mund të ketë rritje të vogël, deri në 5% të çmimeve në këto zona.

Muajt e fundit, rritje e kërkesës për apartamente të reja

Gjatë muajve të fundit ka pasur një prirje në rritje të kërkesës së qytetarëve për banesa të reja. Kjo u vu më shumë në vëmendje gjatë muajve të verës, kur dhe numri i emigrantëve të ardhur për pushime u rrit. Të dhënat nga Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë konfirmojnë se 2-3 muajt e fundit ka një rritje të kërkesës nga klientë të ndryshëm, qofshin vendas apo emigrantë. “Duhet theksuar se që nga muaji korrik ka rritje të kërkesës, megjithëse pak kanë përfunduar në kontrata reale shitblerjeje”, – thotë Ilir Hebovija, duke shtuar se për momentin nuk pritet një rritje e çmimeve të apartamenteve.

Ndërkaq, ndërtues që po ndërtojnë komplekse banimi në disa zona të Tiranës, kanë konfirmuar se tre muajt e fundit u janë rritur shitjet e apartamenteve, por duke ruajtur atë nivel çmimesh. Sipas ndërtuesve, pritet që kërkesa do të vijojë të mbetet e lartë edhe gjatë muajve në vazhdim, pasi po blejnë jo vetëm emigrantët, por edhe mjaft vendas. Rritja e kërkesës për apartamente, sipas ndërtuesve, ka qenë e dyanshme, edhe nga qytetarët që banojnë në Shqipëri, por edhe nga emigrantët. Kjo situatë duket se ka rritur edhe pritshmëritë e ndërtuesve për muajt në vazhdim, që pritet të sjellin një shtim të të ardhurave edhe në sektorin e investimeve. Ndërkohë që, një ndërtues tjetër thotë se pranë kompanisë së tij numri më i madh i kërkesave nga emigrantët ka qenë prej atyre që jetojnë në Greqi.

Ndërtimi, rriten kostot nga materialet e ndërtimit

Rritja e kostos së materialeve që përdoren në ndërtim, është një faktor tjetër që ka ndikuar në rritjen e çmimeve. Disa materiale ndërtimi kanë pësuar rritje deri në 20%. Një faktor që mund të nxisë edhe më shumë rritjen e çmimeve është shtrenjtimi i kostove të ndërtimit. Sipas të dhënave nga ndërtuesit, vetëm muajt e fundit çmimi i hekurit është shtrenjtuar me 20%. Rritje të çmimeve ka pasur edhe për duraluminin, si dhe për pllakat. Të vetmet që kanë pësuar rënie çmimesh, janë tullat, me 40%. Rritja e kostove duket se po shtyn edhe më shumë ndërtuesit për të rritur çmimet. Ndërtuesit thonë se fakti që çmimi i hekurit është shtrenjtuar me 20%, do të detyrojë ata që të rrisim disi çmimet e apartamenteve. Një fakt i ri që sa vjen dhe përforcohet në treg, është ndryshimi i sjelljes së klientelës. Gjithnjë e më shumë blerësit po kërkojnë që të blejnë apartamente me çelësa në dorë dhe me hipotekë. Vendasit blejnë më shumë me kredi bankare, gjë që e bën më se të nevojshme pasjen e një hipoteke shtëpie. Ndryshe është për emigrantët, të cilët blejnë kryesisht me para në dorë.

“Fakti që ka kërkesë, por ka pak finalizime kontratash, është pasojë e një sjelljeje të re konsumatore. Tashmë, klientët janë bërë më të kujdesshëm, pasi presin derisa të përfundojë tërësisht apartamenti. Ky fakt po e vështirëson gjithnjë e më shumë lidhjen e kontratave të shitblerjeve”, – thotë Ilir Hebovija.

Edhe agjenti imobilar Dritan Caka shprehet se është rritur gama e klientëve që kërkon apartamente cilësore, duke i kushtuar rëndësi punës së bërë nga ndërtuesit.

Kriza po kalon, ndërtuesit kanë më shumë besim

Duket se efekti krizë po kalon në Shqipëri dhe aq më tepër në sektorin e ndërtimit.

Të gjithë operatorët e tregut, agjentë e ndërtues, kanë konfirmuar faktin e një periudhe “të re” për shitblerjet e apartamenteve. Ata thonë se që nga muaji korrik, kërkesa ka vazhduar të rritet dhe kjo pritet të vazhdojë edhe në muajt në vazhdim. Për shumë ndërtues situata në shoqëritë e tyre të ndërtimit ka ndryshuar dhe pritet edhe më tej, duke rritur shitjet, pse jo edhe çmimet. Janë disa kantiere që punojnë në Tiranë me kapacitete të plota për ndërtimin e komplekseve të banimit.

Sektori i ndërtimit për shumë vite rresht ka zënë peshën kryesore në Prodhimin e Brendshëm Bruto, deri në 13% të tij, por duket se do ta humbasë peshën e tij. Sipas ndërtuesve, tashmë në treg janë plotësuar nevojat emergjente të individëve për strehim dhe ndërtimi, si rrjedhojë, nuk mund të vijojë të ecë me ritme shumë të larta.

Ndërtuesit theksojnë se në Shqipëri nuk ka një krizë të sektorit, ndryshe nga disa vende të rajonit, pasi nuk ka një volum të madh të apartamenteve të pashitura apo karabina të ngritura dhe të lëna në mes.

Çmimet e apartamenteve në Tiranë:

Zona                              Çmimi (euro/m²)

Tiranë e Re                    1000-1500

Komuna e Parisit         700-850

Ish-Blloku                       1700-2500

Pranë TVSH                   1800-2000

Rr. e Elbasanit              1200-1800

Unaza                               800-1200

Selvia, Rr. e Dibrës      1000-1500

Rr. e Kavajës                  1200-1700

Rr. e Durrësit                 1200-1700

Zogu i Zi                           900-1200

Unaza e Re                      400-650

Fresku                              400-650

Teuta Shamku/Gazeta Standard

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 03/10/2010. Filed under Aktualitet. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.