“New York Times” zbardh letrën e Enver Hoxhës: Ja pse u prishëm me Kinën

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 6771
Topi, Berisha dhe Rama kanë pritur dje me të njëjtat ceremoni komuniste delegacionin kinez që vizitoi Tiranë.
Shqipëria bëri publike sot një letër mjaft të ashpër drejtuar Pekinit në të cilën thuhej se grindjet e fundit me Kinën përgjatë viteve janë zhvilluar më tej në një sërë injorimesh dhe polemikash, përfshirë disa konflikte lidhur me vizitën e presidentit Richard M. Nikson në Pekin, në vitin 1972. Megjithatë, shpjegimet më të hollësishme lidhur me prishjen e marrëdhënieve të fundit midis Kinës dhe Shqipërisë u shfaqën në një letër prej 56 faqesh e përgatitur nga Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Shqipërisë drejtuar Partisë Komuniste Kineze. Përmbajtja e kësaj letre iu shpërnda edhe reporterëve nga diplomatët shqiptarë në Pekin dhe Beograd. Në këtë mesazh përshkruheshin debatet midis dy vendeve komuniste, të cilët u përçanë me Bashkimin Sovjetik në vitin 1961 për shkak të ndryshimeve ideologjike dhe ndërhyrjes së Moskës, dhe u kthyen te njeri-tjetri për ndonjë përfitim të mundshëm, të ndërsjelltë në izolimin e tyre.

Politikat e Kinës “lodhin” Shqipërinë
Ajo që e kishte acaruar më tepër Shqipërinë, – thuhej në letër, – ishin përpjekjet e herëpashershme të Kinës për të rregulluar marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik dhe, herë të tjera, përpjekjet e saj për t’u hapur drejt Perëndimit. Në letër diskutoheshin deklaratat e fundit antikineze nga Tirana zyrtare edhe për shkak të qëndrimeve. Gjithashtu, dëmet ekonomike që i ishin shkaktuar Shqipërisë për shkak të ndërprerjes nga Pekini dy javë më parë të të gjithë ndihmës për zhvillimin e vendit. Letra ishte veçanërisht kritike ndaj dëshirës së Kinës për të pranuar vizitorët nga Perëndimi, sidomos udhëtimet e Niksonit dhe Henri A. Kisinger, këshilltar i Presidentit amerikan mbi sigurinë kombëtare. Në letrën e Shqipërisë paraqitej ankesa se “në verën e vitit 1971, Shqipëria, e cila konsiderohej si aleatja më e ngushtë e Kinës, mësoi nga agjencitë e huaja të lajmeve mbi raportin që ishte përhapur në të gjithë botën, sipas të cilit, Kisinger kishte zhvilluar një vizitë të fshehtë në Pekin”. “Kina, – vazhdon ajo më tej, – “nuk e pa të nevojshme të zhvillonte bisedime paraprakisht me Shqipërinë, në mënyrë që të merrte dhe mendimin e tyre”. “Në gusht të po atij viti”, – thuhet në letër, – “udhëheqësit shqiptarë u ankuan lidhur me lëvizjen e Kinës drejt Perëndimit”. Në letër shkruhej se “drejtuesit kinezë mbajtën qëndrimin e tyre të zakonshëm edhe në drejtim të kësaj letre. Ata nuk denjuan të jepnin ndonjë përgjigje”.
Gjatë viteve, Shqipëria mesa duket i kishte dërguar disa këshilla mbi një sërë çështjesh aleates së saj të madhe në Azi, njëkohësisht dhe aleatja e saj e vetme. Në letër thuhej se pjesa më e madhe e këshillave nuk ishte marrë në konsideratë, duke rritur mërzitjen e udhëheqësve shqiptare, veçanërisht të kryetarit të Partisë Komuniste, Enver Hoxha. Kështu, për shembull, në vitin 1964 ndodhi një mosmarrëveshje kufijsh midis Kinës dhe Bashkimit Sovjetik, kur Partia Komuniste e Shqipërisë i shkruante kryetarit Mao në një letër: “Ne jemi të mendimit se shtimi i problemeve territoriale me Bashkimin Sovjetik, në këto momente, do ta dëmtonte më shumë luftën tonë”. Letra nuk u mor farë për bazë, gjë që solli edhe ankimin sot të shqiptarëve. “Drejtuesit e Kinës kurrë nuk i dërguan Partisë sonë ndonjë shpjegim mbi këtë çështje të një rëndësie kaq të madhe”. Letra iu shpërnda reporterëve në formën e një broshure me 56 faqe.

Probleme me aleatët
Më vonë, po atë vit, pas përjashtimit të Nikita S. Hrushovit në muajin tetor, kur kryeministri Çu En Lai u përpoq të arrinte një marrëveshje me pasardhësin e Hrushovit në drejtimin e Bashkimit Sovjetik, diplomatët shqiptarë u thirrën nga Komiteti Qendror i Kinës. Kina nxiti Shqipërinë të dërgonte një delegacion në Moskë. Në letër shprehej ngazëllimi shqiptar për dështimin e gjestit të Çu En Lait ndaj Moskës. Në vitin 1968, kryeministri Çu En Lai sugjeroi në një delegacion shqiptar të nivelit të lartë, të kryesuar nga ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku, se Shqipëria, si “një vend i vogël, nuk ishte në gjendje të mbrohej vetë nga agresioni i të huajve”. Të dy vendet, të cilat për një kohë të gjatë kanë qenë në konflikt me Bashkimin Sovjetik, aktualisht janë pikësynimi i interesave të Kinës në Europë. Kryetari i Partisë Komuniste Kineze, Hua Kuo Feng, do të vizitojë Jugosllavinë dhe Rumaninë në fund të muajit, gjatë vizitës që ai do të ndërmarrë për herë të parë në perëndim. Për Shqipërinë, e cila ishte e frikësuar nga Jugosllavia fqinje dhe më pak nga Rumania, sugjerimet e Çu En Lait ishin heretike. Në letrën shqiptare thuhej se “ministri i Mbrojtjes, Balluku, u përjashtua për shkak të simpatisë së tij të dukshme për këtë ide, të cilën Çu En Lai e kishte përsëritur në një delegacion të lartë shqiptar të ndihmave në Pekin, në korrik të vitit 1975”. “Ne nuk e dimë nëse Jugosllavia dhe Rumania ishin të informuara mbi këto plane të drejtuesve kineze”, – përfundon letra. “Por edhe tani ne po shohim se udhëheqja kineze po shfaq një përkushtim të pazakontë për të ndërhyrë në punët e Ballkanit, për të përzier letrat dhe për të ndezur zjarrin e luftës në këtë zonë shumë të ndjeshme të Europës”. Të gjitha këto veprime krijuan tendosjen e marrëdhënieve midis Kinës dhe Shqipërisë, ndonëse gjatë kësaj periudhe të dy vendet po i paraqisnin botës fasadën e pajtueshmërisë dhe miqësisë së ngushtë. Konflikti arriti kulmin në kritikat e fundit antikineze nga Tirana zyrtare dhe për shkak të shprehjes nga Shqipëria të mbështetjes se Vietnamit në mosmarrëveshjet e saj me Kinën, hapa të cilët u thane se ishin pikat e fundit që e detyruan Kinën të ndërpriste programin e saj të ndihmave.

Prishja e Shqipërisë me Kinën dhe skenarët që po luheshin në Ballkan
Kazani i politikës ballkanike po vlon sërish. Brenda në kazan ndodhet një përzierje shpërthyese e nacionalizmit, armiqësisë etnike dhe rivalitetit ideologjik, që ndizet nga ambiciet strategjike të fuqive të huaja. Në javët e fundit Shqipëria dhe Kina i dhanë fund miqësisë 20-vjeçare; Jugosllavia dhe Bullgaria janë në konflikt dhe Rumania me Jugosllavinë kanë nisur përgatitjet për një vizitë që do të zhvillohet këtë muaj nga udhëheqësi kinez, Hua Kuo Feng, vizita e parë e tij në Perëndim. Pasojat e ndryshimeve kanë krijuar boshllëqe të fuqishme, të cilat vetëm mund të intensifikojnë një seri manovrimesh për dy nga udhëheqësit kombëtarë më jetëgjatë të Europës, Josif Broz Titos në Jugosllavi dhe Enver Hoxhës së Shqipërisë. I gjithë emri Ballkan ndjell mendime të errëta, shpeshherë luftëra vdekjeprurëse për pushtet, gjëmimet e të cilave shpesh ndihen larg, përtej kryeqyteteve gri, ku ata ndeshen.
Në Sarajevë, kryeqyteti i Bosnjës, pjesë e Jugosllavisë, vrasja e një duke austriak në vitin 1914 nga një fanatik serb, shkaktoi Luftën e Parë Botërore. Drithërimat e Luftës së Dytë Botërore ishin ndjerë fillimisht në Shqipëri: ky vend ishte zgjedhur nga Italia e Musolinit për zbarkimin e parë të saj drejt territoreve të huaja në Europë. Shenjat e trazirave midis Shqipërisë dhe “garantuesit” (Kinës, – shën. Red.) të saj më të madh, vërtiteshin rreth e rrotull për disa kohë. Por, pak diplomatë ishin përgatitur për të papritura dhe thyerje të plotë që kur ajo kishte dalë në shesh muajin e fundit.

Ndarja Pekin-Tiranë
Javën e fundit Shqipëria botoi një letër të jashtëzakonshme prej 56 faqesh, ku tregonte pakënaqësitë e saja ndaj Kinës që nga fillimet e para të miqësisë së tyre, duke detajuar një linjë të veprimeve autoritare nga ana e Shqipërisë pikërisht për çështjen se si vëllai më i madh mund të menaxhojë çështjet e saj të brendshme dhe të jashtme. Letra që ngjalli një frikë në kufijtë e paranojës, demaskonte afrimin kinez me Bashkimin Sovjetik dhe flirtimet e vazhdueshme të Pekinit me Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimin. Ajo dënonte “zellin e pazakontë” të Kinës për të ndërhyrë në çështjet e Ballkanit”.
Sigurisht, ndërhyrja është planifikuar në turin e kryetarit kinez Hua në Rumani dhe Jugosllavi, një vizitë gjithashtu e kundërshtuar hapur edhe nga Bashkimi Sovjetik, i cili vazhdon ta shikojë Ballkanin si terrenin e shtëpisë së tij. Kjo në vetvete është një arsye e mirë për vizitën kineze. Për shumë vjet, shmangia e zgjerimit sovjetik në Ballkan ka qenë një qëllim i politikës kineze në Europë. Po ashtu, ajo ka qenë një gur themeli i planeve strategjike të Perëndimit.

Pozitat strategjike
Portet e Adriatikut në Jugosllavi apo Shqipëri krijonin mundësinë e futjes së anijeve të çdo fuqie për të komanduar Mesdheun Lindor dhe Lindjen e Mesme. Sigurisht, Bashkimi Sovjetik do të dëshironte të rivendoste nëndetëset nukleare në bazën e ishullit të Sazanit, të ndërtuara 20 vjet më parë në bregdetin shqiptar, si dhe të merrte territorin detar në Vlorë, më i përdorshmi në të gjithë kontinentin. Linja më e shkurtër ajrore nga Bashkimi Sovjetik drejt Lindjes së Mesme kalon përmes Jugosllavisë dhe Shqipërisë.Përgjatë shumë viteve, një Jugosllavi neutrale dhe një Rumani e pavarur në mendje i kanë siguruar Shqipërisë një jastëk mbrojtës prej pushtimit sovjetik. Nëntë vjet më parë, pas pushtimit të Çekosllovakisë, të drejtuar nga sovjetikët, Shqipëria shkoi aq larg, sa i ofroi asistencë ushtarake Jugosllavisë, në rast se vendi pushtohej nga Bashkimi Sovjetik. Që prej asaj kohe Shqipëria ka qenë mjaft e qetë rreth kësaj çështjeje, një reflektim ky që vinte nga ankthet të saj prej zgjerimit jugosllav dhe ndikimit në një masë të konsiderueshme të minoritetit shqiptar gjithnjë në rritje në Jugosllavi, me një popullsi që mbetej shumë të varfër. Çështja e minoriteteve është një çelës kyç te problemet ballkanike.

Konfliktet ballkanike
Për shumë vjet Bullgaria ka përdorur minoritetin maqedonas që të mbajë kufijtë e saj me Jugosllavinë të blinduar, si një pikënisje për të denoncuar qeverinë e Titos. Gjatë luftës civile të Greqisë, e cila vazhdoi pas Luftës së Dytë Botërore, Bullgaria dhe Jugosllavia, që më vonë ishin aleatë të devotshëm të Stalinit, përdorën çështjen etnike që të ndihmojnë partizanët komunistë në kufirin midis Greqisë dhe Maqedonisë. Javën e kaluar zyrtarët jugosllavë akuzuan Bullgarinë, e cila tani është aleatja më e ngushtë e Bashkimit Sovjetik, se po ringjall çështjen maqedonase, e cila përkon me vizitën e zotit Hua dhe me çrregullimet në Shqipëri. Moska, vetëm për të mos humbur nga kjo situatë, njëherësh nisi denoncimin ndaj politikës rumune në drejtim të minoritetit të saj Bessarabian, i cili është i shpërndarë nëpër Moldavi, vend ky në kufi me Bashkimin Sovjetik. Bukureshti do të jetë ndalesa e parë për kryetarin kinez Hua.

Shqipëria në qendër të vëmendjes
Por, pjesa më e madhe e manovrave diplomatike dhe propagandës përfshiu Shqipërinë. Për shumë vjet, qeveria “Hoxha” ka refuzuar të gjitha fuqitë e mëdha një e nga një; të parët Shtetet e Bashkuara, pastaj Bashkimin Sovjetik dhe tani Kinën. Ky vend dhe shtete të tjera duhet të mbushin vakumin e krijuar nga largimi i ndihmës dhe këshilltarëve kinezë. Megjithëse, plotëson nevojat e saj në bujqësi dhe është prodhuese e qymyrit dhe naftës, Shqipëria për një kohë të gjatë është mbështetur në burimet e jashtme për zhvillimin e teknologjisë industriale, e cila është e vetmja shpresë për ta nxjerrë vendin e vetëm në Europë nga gjendja mesjetare në të cilën ndodhet tani. Tashmë është duke u krijuar një linjë për të zëvendësuar Kinën. Është raportuar se po nisin diskutimet në Uashington rreth mundësisë së rifillimit të bisedimeve me Shqipërinë. Shumë diplomatë të akredituar në Tiranë, por që jetojnë në Beograd, besojnë se Bashkimi Sovjetik shumë shpejt do të bëjë një hedhje të fortë drejt Shqipërisë, jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, por duke përdorur dy aleatët e saj; Vietnamin dhe Kubën. Dy javë më parë, gjatë një konference të zhvilluar në Beograd, zëvendëspresidenti i Kubës, Carlos Rafael Rodriguez shprehu “solidaritetin” e tij me Shqipërinë në lidhje me konfliktin me Kinën. Vendet europiano-perëndimore, e veçanërisht Greqia, Italia, Belgjika, Danimarka dhe Gjermania Perëndimore po shikojnë mundësitë për lidhje ekonomike më të mëdha me Shqipërinë. Përgjatë viteve të fundit, qeveria “Hoxha”, në mënyrë të heshtur, ka përmirësuar lidhjet tregtare me këto vende. Çështja e minoritetit grek që banon në Jug të Shqipërisë është zgjidhur dhe lidhjet tregtare dhe diplomatike me Greqinë kanë rifilluar; sakaq është hapur një linjë ajrore midis Athinës dhe Tiranës. Megjithëse çështja e dëmshpërblimeve të luftës është akoma e pazgjidhur me Gjermaninë Perëndimore, njoftohet se kanë nisur kontaktet tregtare në një nivel jozyrtar.Atje ka shumë pengesa për vendosjen e lidhjeve midis qeverisë staliniste në Tiranë me Lindjen dhe Perëndimin, ku pjesa më e madhe e tyre janë të karakterit ideologjik. Në përzgjedhjen dhe refuzimin padronëve, zoti Hoxha, një individualist tipik ballkanik, nuk është nxituar kurrë. Edhe në këtë periudhë të vonë ai duket se nuk do t’i ndryshojë mënyrat e tij.
Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 30 korrik 1978

***

Drejtuesit e Partisë Komuniste Kineze vizitojnë Tiranën dhe takojnë Topin, Berishën dhe Ramën

Shqipëria pret komunistët kinezë, si delegacionin e Çu En Lait

Një delegacion i lartë i Partisë Komuniste kineze po kryen një vizitë disaditore në Shqipëri me ftesë të Partisë Demokratike në pushtet. Burimet zyrtare thanë se eksportet e Shqipërisë drejt Kinës janë rritur 6 herë këtë vit krahasuar me një vit më parë. Partia Demokratike i ka konfirmuar zyrtarëve komunistë kinezë mbështetjen e palëkundur për një Kinë të vetme. Kryeministri Berisha ka nënvizuar se qeveria e tij është e interesuar për rritjen e investimeve kineze në Shqipëri. Delegacioni i lartë kinez kryesohet nga Liu Yunshan, anëtar i Byrosë Politike dhe Sekretar i Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste të Kinës. Delegacioni ndodhet në Tiranë me ftesë të Partisë Demokratike, zyrtarë të lartë të së cilës shprehen se kanë marrëdhënie shumë të mira me Partinë Komuniste kineze. Për këtë flet edhe pritja dhe protokolli i kujdesshëm që i është rezervuar zyrtarëve të lartë komuniste. Ditën e djeshme drejtuesitr komunist kinez janë takuar dhe liderin e opozitës Edi Rama i cili iu ka kërkuar në mënyër miqësore që Kina të bëjë hapa para lidhur me njohjen e pavaraisë së Kosovës.

Takimi me Berishën
Kryeministri Berisha u ka deklaruar mysafirëve kinezë, gjatë një takimi të zhvilluar dje, se qeveria shqiptare është e interesuar për rritjen e investimeve kineze në Shqipëri dhe e gatshme për të krijuar lehtësira për kompanitë kineze që dëshirojnë të investojnë në vënd. Thuhet se këtë vit eksportet shqiptare drejt Kinës janë rritur gjashtë herë krahasuar me një vit më parë. Fjala është kryesisht për mineral kromi që në Shqipëri gjendet me shumicë dhe mjaft i kërkuar nga industria e rëndë. Sa i takon importeve, në Shqipëri, ashtu si në shumë vënde, shumica e artikujve të industrisë së lehtë e kanë prejardhjen direkte nga Kina. Zyrtari i larte kinez Liu Yunshan citohet të ketë thënëe se ka interes nga pala kineze për të investuar edhe në fushën e turizmit. Sipas tij rreth 20 milion kinezë vizitojnë çdo vit Europën, ndaj Kina po e hedh vështrimin edhe nga ky sektor. Ministri i Financave Ridvan Bode i ka kujtuar zyrtarëve kinezë se në Shqipëri biznesi kinez do të gjejë një vënd mik. Në takimin e zhvilluar me kryeministrin Berisha është folur edhe për çështjen e Kosovës, ku Shqipëria ka bërë të njohur pikëpamjet e saj të njohura. Por nuk raportohet se çfarë qëndrimi ka shprehur pala kineze në këtë pikë. Duke folur për perspektivën europiane të Shqipërisë, zoti Berisha është shprehur se Kina do të ketë miq të ngushtë në Bashkimin Europian, duke iu referuar kështu kohës kur Shqipëria të jetë anëtare e këtij bashkimi. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kinës zyrtarisht zhvillohen mbi bazën e një deklarate të përbashkët të nënshkruar nga dy kryeministrat në Pekin 2 vjet më parë.

Takmi me Ramën
Delegacioni kinez u takua gjatë ditës së djeshme edhe me kryetarin e Partisë Socialiste Rama. Në takim u diskutua mbi mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy partive, në funksion të zgjerimit shumëplanësh të marrëdhënieve shumë të mira dhe tradicionale ndërmjet dy vendeve tona. Ministri i Marrëdhënieve me Publikun pranë Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Kineze Liu Yunshan theksoi se marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy partive përbëjnë një bazë solide për miqësinë shqiptaro-kineze. Këto marrëdhënie mund të thellohen përmes shkëmbimit reciprok të delegacioneve, për këtë qëllim, ai ftoi  Rama për një vizitë zyrtare në nivel të lartë të PSSH në Kinë. Kjo ftesë u pranua me kënaqësi nga lideri socialist Edi Rama. Kryetari i PS Edi Rama u ndal në mënyrë të veçantë në çështjen e njohjes së Kosovës, duke i kërkuar mikut kinez që “çështja e njohjes së Kosovës nga Republika Popullore Kinës të shikohet me përparësi në kontekstin e ri të krijuar nga vendimi i GJND, por edhe në kontekstin e zhvillimeve shumë pozitive rajonale që ka sjellë pavarësia e Kosovës”. Në këtë takim Kryetari i PS, Edi Rama, shoqërohej nga Kryetari i Grupit Parlamentar Gramoz Ruçi dhe deputetë të tjerë.

T .O/TiranaObserver.com.al

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 01/09/2010. Filed under Diktatura komuniste. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.