Jetime, me nënë dhe babë gjallë

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 1654
Lëndohet tek mendon se vogëlushja e saj erdhi në këtë botë falë një gabimi që bëri kur ishte vetëm 19 vjeçe. Më shumë se gabim, ajo mendon se gjithë vuajtjet vijnë nga padituria dhe mungesa e informacionit. Vajza 22-vjeçare, D.S., nga një fshat i Krujës tregon historinë e saj të dhimbshme se si lindi fëmijën nga një lidhje jashtëmartesore dhe pamundësia për ta rritur atë e detyroi ta dërgonte në jetimore.

“Isha 18 vjeçe kur u njoha me babanë e Franceskës. E doja shumë edhe pse ishte rreth 15 vjet më i madh se unë dhe mendoja se do të bëhesha nusja e tij e së bashku do të kishim një familje. Por, nuk ndodhi kështu. Ai u martua me një tjetër. Nga lidhja me të kam vetëm lëndime” – thotë ajo, duke shtuar se është pa punë, e varfër dhe vetëm me 8 klasë shkollë. Si për të hequr çdo dyshim se pse nuk e mban vetë vajzën, ajo shton se as familja e saj nuk është në gjendje për ta ndihmuar. Me çfarë ta ushqej unë këtë fëmijë? -psherëtin 22-vjeçarja, e cila gjatë gjithë bisedës duket se ka një merak tjetër më të madh. Nuk do të identifikohet. Përndryshe është krejt e bindur se jeta e saj do të bëhet edhe më e vështirë. Në ditën e takimit me të bijën në qendrën ku janë vendosur jetimët social, “Betania” diku në fshatin Bubq fare pranë kryeqytetit, vajza thotë se mbeti shtatzënë aksidentalisht dhe se nuk kishte dëgjuar për metodat moderne kontraceptive. Vetëm pasi mbeti shtatzënë dhe bebja e saj u rrit shumë në trupin e saj, ajo mësoi kontraceptivët do ta ndihmonin të mos i ishin hapur këto plagë. Sipas Studimit Demografik dhe Shëndetësor në Shqipëri i vitit 2009, femrat në zonat urbane përdorin më shumë kontraceptiv modern se femrat në zonat rurale dhe konkretisht 12 për qind e femrave përdorin kontraceptiv në zonat urbane dhe 10% në zonat rurale.

Të rritur në një shoqëri ku duket se më shumë jetohet për sytë e opinionit, në vend të mirëkuptimit, vajza has pengesë edhe brenda shtëpisë së saj. Familja e priti shumë rëndë këtë lajm, sepse mbi ta rëndonte edhe mentaliteti i shoqërisë. “Isha vërtet keq dhe nuk dija ku të mbytesha”, – tregon vajza, teksa hedh një psherëtimë sikur e gjithë bota të rëndonte mbi të. Por, çasti më i rëndë ishte momenti kur solli të bijën në jetimore. “Ishte vetëm tre ditësh kur e solla këtu. E dija se ishte pjesë imja dhe se do vuante ajo dhe unë, por nuk kisha asnjë zgjidhje tjetër. Vajza ime do të rritej pa nënën dhe babin. Kështu ishte e shkruar. Ky ishte fati im”, – thotë ajo me sytë nga dera ku pret të shohë krijesën e saj.

Dera hapet lehtë dhe “engjëlli” i saj shfaqet e veshur e tëra në rozë dhe nuk i kursen shikimet ndaj të gjithëve që ishim në dhomë. Ashtu pa folur drejtohet tek nëna e saj dhe I ulet në prehër. Tani Franceska është 3 vjeçe dhe është një vajzë shumë e bukur. I ngjan nënës së saj. Vij dhe e takoj një herë në dy javë. Ajo i do shumë edukatoret se ato e kanë rritur. Do të doja ta kisha rritur vetë”, – thotë D., e cila ende ndodhet në udhëkryq dhe nuk e di nëse do të mundet të jetojë ndonjë ditë me vajzën e saj. Ngushëllimi i vetëm i nënës së re janë kushtet që ofrohen në jetimore. Vajza D.S., nga Fushë-Kruja nuk e ka shumë të qartë se cila do të jetë e ardhmja e vajzës. Për momentin kërkon vetëm që ajo të jetë mirë. Ngushëllohet duke mërmëritur se “ka edhe më keq”. Në çantën e saj ka një fletëpalosje për metodat kontraceptive. Nuk ka shumë shkollë, por është e sigurt se jeta e saj do të kishte një rrjedhë tjetër, më të qetë, ndoshta do të ishte e lumtur, po të kishte zgjedhur ndryshe. Ajo përdor një proverb të vjetër shqiptar “Më mirë të dish se të kesh”. Nëna ime thotë ajo kurrë nuk më mësoi të isha e përgatitur për jetën time. Tani është më mirë se që në shkollë tetëvjeçare vajzat mësojnë dhe dine si të ruajnë veten.

Eglantina Bardhi/Shekulli

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 28/08/2010. Filed under Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.