Nënë Tereza, e gjithë bota kremton 100 vjetorin e lindjes

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 2974
E gjithë bota, nga India në Tiranë kremton 100 vjetorin e Nënë Terezës, murgeshës shqiptare e cila u bë simbol universal i bamirësisë për të varfërit me aromë shenjtoreje. Mëngjesi nisi me meshën e përshpirtshme në Kalkuta të Indisë. Nju Jorku do jetë qyteti më i zbukuruar me ngjyrat bardh e blu. Për të vazhduar me një sërë aktivitetesh në të gjithë botën, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Shtete të Bashkuara të Amerikës
TIRANE
Kryeqyteti shqiptar përkujton me aktivitete kulturore 100 vjetorin e lindjes së Gonxhe Bojaxhi e njohur nga e gjithë bota si Nënë Tereza. Rrugët e qytetit janë mbushur me postera që lajmërojnë aktivitetet si dhe me thënie të kësaj figure me përmasa globale.

Një ekspozitë në Bibliotekën Kombëtare, një koncert në Durrës me titullin “Rruga e jetës sime”, ndërkaq një seri filmimesh ardhur nga Vatikani, janë shfaqur në Tiranë e po shfaqen nëpër rrethe. Po mbrëmë, në Kështjellën e Rozafës në Shkodër është zhvilluar mbrëmja muzikale-poetike: “Në lavdi të emrit të saj”. Sot aktivitetet nisin në orën 8:30 me një meshë solemne. Në orën 11:30-13:30 do të prezantohet projekti i Memorialit të Nënë Terezës nga fondacioni kulturor “Nënë Tereza”.

INDI
Në Kalkuta të Indisë, aty ku bamirësja kaloi pjesën më të madhe të jetës në shërbim të të varfërve, sot në mëngjes është mbajtur mesha në Shtëpinë e Nënë Terezës. Në Nju Dehli, në kryeqytetin idian presidenti Pratibha Patil do të kryesojë një ceremoni publike në nder të Nënë Terezës.

SHBA
Nju Jorku do të jetë qyteti më i zbukuruar me ngjyrat e Misionareve të Bamirësisë. Time Square do të ndricohet sot në mbrëmje nga dritat bardhë e blu, ndërsa Empire State Building nuk ka pranuar të përfshihet në festimet për Nënë Terezën.

MAQEDONI
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë mban sot seancë solemne me rastin e shënimin të 100-vjetorit nga lindja e humanistes së madhe, ndërsa do të ndahet edhe çmimi shtetëror “Nëna Terezë”. Në hapësirën galerike të Shtëpisë përkujtimore të Nënës Terezë, do të hapet ekspozita e fotografive “Nëna Terezë – Nëna e të varfërve” nga artisti kroat Zvonimir Atletiq. Gjithashtu do të promovohet monografia “Jeni të bekuar, lutje dhe mesazhe” të Stojan Trençevskit, ndërsa midis 100 aktiviteteve dhe manifestimeve do të shfaqet edhe filmi dokumentar “Nëpër rrugët e Nënës Terezës”.. Në orët e mbrëmjes do të bëhet promovimi i këngës dhe video spotit për këngën “Një shekull dashuri” të kënduar nga Ardian Gaxha, Leonora Poloska, Selami Kolonja, Besiana Mehmedi, Mustafa Ymeri, Laura Krliu, Berkan dhe Valon Suma.

KOSOVE
Viti 2010 në Kosovë është shpallur vit i Nënë Terezës dhe janë paraparë një numër manifestimesh përfshirë edhe hapjen e Katedrales më emrin e saj në Prishtinë, më 5 shtator si dhe konferenca shkencore kushtuar jetës dhe veprës së saj.
Dje në mjediset e Parlamentit të Kosovës, u hap një ekspozitë për nderë të 100 vjetorit të lindjes së humanistes shqiptare Nënë Tereza. Pikturat që u ekspozuan më parë në Parlamentin e Shqipërisë janë vepër e piktorit Xhovalin Paci. Sot në Mitrovicë, ura mbi lumin Ibër, e cila lidh anën jugore dhe atë veriore të këtij qyteti, do të emërtohet si “Ura e Paqes-Nënë Tereza”, në shenjë kujtese për këtë humaniste, e cila gjate gjithë jetës së saj ishte lutur për dashuri dhe paqe. Përfaqësuesit e tri bashkësive më të mëdha fetare në Kosovë, e çmojnë lart personalitetin dhe figurën e Nënës Terezë, duke thënë se humanizmi dhe vepra e saj tejkalojnë kufijtë fetarë, etnikë dhe racorë.
Gonxhe Bojaxhi
Angje Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, u lind në Shkup në 26 gusht të vitit 1910 nga prindër shqiptarë. Që në moshën 12 vjeç kishte dëshirë të bëhej misionare “për të përhapur mesazhin e dashurisë së Krishtit”. Në moshën 18 vjeç hyri në urdhrin e motrave të Notre-Dame de Lorette, në Dublin, që punonte me arkipeshkvinë e Kalkutës.Nëna e saj superiore në Dublin dhe Papa kishin më shumë besim tek ajo, ndaj në fillim të vitit 1948, ajo lejohet të largohet nga urdhëri dhe nga “Motra Agnes” bëhet atëhere “Nënë Tereza”, për nder të shenjtores franceze Sainte-Terese e Lisieux, vendoset në barakat e Kalkutës, në Indi, ku në vitin 1950 themeloi urdhërin e saj të murgeshave të quajtur Misionaret e Bamirësisë. Nga ajo kohë iu dedikua tërësisht të varfërve. Në vitin 1979, Çmimi Nobel i Paqes, shpërbleu punën e palodhshme të Nënë Terezës në favor të të varfërve dhe personave që ishin duke dhënë shpirt, duke i dhënë një autoritet botëror asaj që shumë prej adhuruesve e konsiderojnë si një shenjtore.

“Shenjtore e të varfërve”, Nënë Tereza ndërroi jetë në 5 shtator 1997 në moshën 87 vjeç, pas një gjysmë shekulli shërbim ndaj të braktisurve në Indi dhe në mbarë botën. Në vitin 1997, pak para se të ndahej nga jeta, Nënë Tereza kishte 4000 motra, të pranishme në 610 shtëpi misionare, të përhapura në 123 vende të botës. Ajo prehet në selinë e Urdhërit të Misionarëve të Bamirësisë në Kalkuta. Gjashtë vjet pas ndarjes nga jeta, u shpall “E Lumturuar” nga Papa Gjon Pali i II, një moment që i ka hapur rrugë shënjtërimit të saj.
Suela Gera/BalkanWeb

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 26/08/2010. Filed under Përkujtimore. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

One Response to Nënë Tereza, e gjithë bota kremton 100 vjetorin e lindjes

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.