Rockefeller i kërkon Enver Hoxhës paratë që kishte në Shqipëri

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 2486
Kërkoi t’i ktheheshin paratë që ishin në bankën shqiptare, komunistët refuzuan
Fondacioni i ndihmës i ngritur prej miliarderëve industrialistë amerikanë Rockefeller dhe që në vitet ‘30 kishte një qendër në Shqipëri, i kërkoi regjimit që të kthente pas paratë që gjendeshin në bankën shqiptare, por komunistët refuzuan. Arsyet pse Rockefeller tërhiqej nga Shqipëria ishte fakti se ata nuk e shihnin më të mundur të punonin në një shtet komunist, por duket se nuk e kishin menduar që paratë e mbetura që para luftës në vend, nuk do t’u ktheheshin. “Standard” ka siguruar një pjesë të korrespondencës ku “Rockefeller Foundation” kërkon nga shteti komunist t’i kthejë një shumë prej rreth 70 mijë apo 7 mijë franga (e paqartë), por nga telegramet e shkëmbyera mes Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave të qeverisë komuniste kuptohet se vendi nuk do t’i kthente paratë, të cilat u sekuestruan ashtu si të gjitha pasuritë e bizneseve të huaja apo vendase në Shqipërinë e atyre viteve, kryesisht me motivacionin se ato i shërbenin spiunazhit të huaj apo edhe si pasuri të kapitalistëve. Fondacioni në fjalë kishte vite që financonte kërkimet kundër malaries në vend dhe kishte ndihmuar në ngritjen e një sistemi shëndetësor e pajisur këtë sistem me mjete të kohës.

Për herë të parë në Shqipëri

Për herë të parë Fondacioni Rockefeller e përmend Shqipërinë gjatë Luftës së Parë Botërore në listën e vendeve që përfituan ndihma ushqimore pas urisë që kishte përfshirë Evropën në ato vite. Shifrat për këto ndihma janë të paqarta, por flitet se Rockefeller ka sjellë në Shqipëri disa dhjetëra tonë ushqime. “New York Times” e 27 majit 1916 njoftonte se vëllezërit miliarderë do të vinin në dispozicion 1 milion dollarë për të ndihmuar malazezët, polakët dhe shqiptarët. Nuk ka asnjë raport që të tregojë nëse paratë apo ushqimet e përfolura mbërritën ndonjëherë në Shqipëri. Sidoqoftë, kjo nuk ishte hera e parë që fondacioni i ndihmës i familjes së madhe përmendet në lidhje me vendin tonë, në vitet e më vonshme ai do të ishte i pranishëm në vend edhe si investues, por më shumë si financues i programeve të ndihmës.

Në kërkim të naftës

Raportet e Rockefellerit me Shqipërinë janë bërë intensive në kohën e monarkisë në vendin tonë. Në fakt, ato kanë filluar më parë me interesin e industrialistëve multimiliarderë për naftën në Shqipëri. Sidoqoftë, Rockefellerët ashtu si kompanitë britanike, nuk patën ndonjë sukses në këtë fushë në vendin tonë. Revista “Forbes” shkruan se “Standard Oil në pronësi të Rockefellerëve ishte e pranishme në Shqipëri që në fillim të viteve 1900”. Sipas biografëve, dështimi i tyre më shumë erdhi për shkak të presionit të italianëve ndaj Zogut I, fillimisht kur ky ishte kryeministër dhe më pas mbret. Kompanitë amerikane dhe britanike u tërhoqën nga vendi ynë dikur rreth vitit 1926, kur edhe hoqën dorë nga koncesionet e naftës në vend në dobi të kompanive italiane, menjëherë pas nënshkrimit të një marrëveshjeje që e kalonte Shqipërinë nën protektoratin e Italisë.

Fondacioni i ndihmës

Edhe pse pas dështimit të projekteve për naftën Rockefellerët nuk u largua nga Shqipëria, prej vitit 1923 sipas raporteve të tyre vjetore ata mbajtën dhe investuan në Shqipëri një qendër për ndihmën shëndetësore dhe investuan në tharjen e kënetave dhe në eksperimente për kurimin e malaries. Në një libër për “Zhvillimin e administratës publike”, autori Ali Farazmad thekson këto përpjekje për tharjen e kënetës së Myzeqesë nga fondacioni “Rockefeller”. “Një institut i Rockefeller u përpoq të organizonte punën për tharjen e disa kënetave. Këto projekte pak e përmirësuan shëndetin publik dhe nuk e përmirësuan cilësinë e tokave, edhe pse projekti i financuar nga Rockefeller arriti të ulte sadopak numrin e të sëmurëve me malaria”, – shkruan Farazmad në faqen 703 të librit të botuar në vitin 2001 në SHBA. Projektet e ndihmës të fondacionit në Shqipëri përmenden edhe në raportet vjetore të këtij fondacioni. Raportet kryesisht të shkruara mes viteve 1930-1939 tregojnë për një përpjekje të vazhdueshme të “Rockefeller Fundation”, për të dërguar në Shqipëri mjekë, vëzhgues dhe studiues. Madje, rezulton se ata kanë financuar edhe konferenca të Edit Durhamit për vendin tonë. Në vitin 1936 ata kanë financuar ngritjen e një qendre shëndetësore dhe pajisjen e saj me mjetet e nevojshme në Tiranë, ndërsa gjatë gjithë dekadës 1930-1939 ata financuan kërkime dhe eksperimente në luftën kundër mikrobeve dhe sëmundjeve të rënda që në atë kohë thuhet se preknin 1 në 4 banorë të vendit tonë. Në raportin për vitin 1938 shkruhet se puna kundër mikrobeve në Shqipëri vazhdoi pa ndërprerje në 7 stacione në të gjithë vendin. Puna ishte e suksesshme në tri nga këto zona, që përfshijnë edhe tri qytetet më të rëndësishme në vend, Tiranë, Durrës dhe Shkodër.

Komunizmi dhe përplasja

Në letrën dërguar Bankës së Shqipërisë më 1946, “Rockfeller Foundation” kërkon kthimin e parave që kishte depozituar para lufte në këtë bankë. Lufta kishte ndërprerë për një kohë të gjatë mundësinë e këtij fondacioni për të vepruar në Shqipëri dhe duket se paslufta nuk premtonte ndonjë zhvillim më të mirë. Sipas të dhënave nga letërkëmbimi me bankën Rockefeller do të tërhiqej pasi projektet e tij në Shqipëri kishin përfunduar. Në fakt, kjo duket më shumë si një përpjekje për të shpëtuar ato pjesë të fondit në vende që kishin rënë nën komunizëm dhe ku dukej se punonjësve të fondacionit nuk do t’u lejohej të punonin më tej. Në një letërkëmbim të shkurtër mes bankës dhe Ministrisë së Financave kjo e fundit ndalon kthimin e parave, një shifër që sipas letërkëmbimit mes bankës dhe ministrisë, shkruhet 7.337. 60. Shkrimi nuk është i qartë dhe nuk mund të kuptohet nëse bëhet fjalë për 70 mijë franga apo 7 mijë, por ndërkohë kuptohet se fondacioni kishte vendosur të tërhiqej nga Shqipëria. Në raportin e shkruar po këtë vit nga përfaqësues të këtij fondacioni kuptohet edhe arsyeja e kësaj tërheqjeje. Sipas raportit, përfaqësuesit e “The Rockefeller Foundation” nuk kishin siguruar dot viza për të hyrë në vendet e bllokut komunist, që mbaheshin gjallë pikërisht duke sulmuar industrialistë si Rockefeller. “Vizat për të hyrë në këto vende nuk u siguruan, as nuk ishte e mundur të vihej kontakt me studiuesit në këto vende. Konflikti i ideologjive e ndan botën sot në një partizanizëm të hidhur, njësoj siç ka qenë e ndarë Evropa nga luftërat fetare në vitet 1500”, – shkruhet në raportin e “The Rockefeller Foundation” për vitin 1947.

AQSH

Dosja 140

Tiranë, më 16 prill 1947

Drejtoria e Devizave

Ministrisë së Financave

(seksionit të valutave)

Tiranë

Ju komunikojmë se “The Rockefeller Foundation”, New York, me letrën e tij datë 26 mars 1947, kërkon t’i transferojmë në Francë ose në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundërvleftën e shumës prej franga 7.337. 60, e cila figuron në kreditë e tij pranë degës sonë në Tiranë.

Ju bëjmë të ditur se me letrën tonë datë 26 shtator 1946 i kemi konfirmuar se ish e mundur të dispononin lirisht mbi këtë llogari për të gjitha nevojat e tyre në Shqipëri.

Me letrën e tij të sipërme, “The Rockefeller Foundation” thekson, midis të tjerëve se shkaket që determinuan para lufte, hapjen e një llogarie pranë nesh s’ekzistojnë më dhe nuk shikon tash për tash mundësinë e rifillimit të aktivitetit të Foundation në Shqipëri dhe kështu kërkon transferimin e shumës në fjalë në Francë ose në Amerikë. Prandaj, në rast se e shikoni të arsyeshme, na autorizoni t’ia dërgojmë kundërvleftën e shumës së sipërme në franga franceze ose në dollarë.
Banka e Shtetit Shqiptar/Drejtoria e Përgjithshme
Klevisa Deçja/
Gazeta Standart

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 19/07/2010. Filed under Diktatura komuniste. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.