Katrinë Prela – Një Portret Nane Martirësh nga Shkodra

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 3124
Nga Fritz RADOVANI:

“NANA  KATRINË…”, NANA E  PROF. KOLË  PRELËS…

Baba na la të vogjel jetima…Mbas një viti që “hyne këta…”, nuk përfituem as pension, mbasi u konsiderue gjithë fisi “reaksionar”…Na shtetizuen dhe një shtëpi që kishim me qera… Të ardhuna tjera nuk kishim. Dajat filluen Kalvarin që në 1945…ndërsa, daja Don Kolec, vdiq në vitin 1950…Na ndihmonte mos me shkue në “preventorium” halla Gjyzepinë, e cila punonte infermjere në spitalin civil të Shkodres…I vetmi burim jetese ishte “shitja e plaçkave” të shtëpisë për me hangër bukë. Mbas shitjes së disa mobiljeve dhe tavolinave…Nana filloi me shitë pajen e vet të prëgatitun me duert e saja qyshë vajzë, sigurisht, me çmime që po ti tregoj me siguri askush nuk do ti besonte, sëpse ishin të qendisuna me gjylpanë nga duert e Saja t’ arta… Nga Nana pata fatin me trashigue artin e pikturës, për të cilin, Ajo, asht kenë dallue në shkollën e Motrave Stigmatine të Shkodres. Një stole që përdorin klerikët e punueme nga duert e Saja, kur ishte 9 vjeç, pra, në vitin 1918, i asht dhurue Papës nga një delegacion që ka shkue në Romë.

Bana këte hymje për me tregue se cila ishte vlera e punimëve që venim kokën sipër kur binim me fjetë… Nana hapte baulen e nusisë dhe i vente synin njenit çarçaf ose sofrabez…që i duhej me shitë. Ato pak pare posa merreshin nga “tallallesha”, shkonin drejtë e tek dyqani i bukës së misrit, o me pague borxhin e ditve ma përpara ose, me ble bukën e freskët si “tullë”…

Kjo ishte gjendja ekonomike e shumë shtëpijave të “prekuna” politikisht në Shkoder… Po, nuk duhet harrue, se kur në 1946 filloi “dera” e burgut, që nuk u mbyll përsa vjet, atëherë, edhe paret e “tallalleshës” hidheshin në pusin e pangopun të burgjeve që të merrnin shpirtin…

Oh, sa me gëzim pritej thirrja e zanit të “tallalleshës” kur, i trokiste derës së shtëpisë…!!

Edhe na si fëmijë vraponim me i hapë derën me shpejtësi për mos me e lanë me pritë mbas dere, e ftonim me hy mbrendë po, Ajo, shumë rrallë pranonte ftesën tonë, se, si na thonte Nana, Asaj i vinte randë me hy për me pi kafe, “mbasi edhe Ti, o Vidë, i ke këto pare për me i çue ushqim tek burgu si unë”, kështu, i thonte Ajo Nanës seme kur iu vente me hy mbrendë…

Ajo ishte një grue e shkurtë, e veshun me një fustan të zi e të gjatë dhe gjithmonë e kujtoj me shami të zezë…kishte zanin pak të trashë, grue shumë e qeshun po me tipare të theksueme malësorje kur fliste…Edhe na mësueme nga Nana jonë emnin e Saj dhe, gjithmonë e kemi thirrë shkurt “Nana Katë..!” pra, Nana Katrinë…Kjo ishte “tallallesha”…që vinte tek na…Kur delte me shkue gjithnjë përsëriste të njajtën thanje: “Në dorë të Zotit…u baftë vullnesa e Tij..!”.

Ma vonë kur filluem me u rritë Nana na shpjegoi se, Kjo “tallalleshë”, që shiste rroba të vjetra e të reja ishte Nana e Prof. Kolë Prelës, që i biri kishte përfundue universitetin jashtë dhe kishte kenë profesor në Gjimnazin e Shtetit në Shkoder, e mbas 1945 ishte edhe deputet i njohtun i Dukagjinit. Ishte arrestue kur po dënohej dijetari At Gjon Shllaku OFM., krejt i pafajshëm. Në atë gjyq prof. Kolë Prela flitej se i ka dalë zot në pafajsinë e Tij, At Gjonit, dhe për atë arësye e kishin arrestue edhe prof. Kolën, i cili, nuk ka dalë ma nga burgu, madje, as në gjyq por, një ditë, Nanës Katë, tek dera e hetuesisë polici i ka thanë: “Mos siell më ushqime… se djalin ta kemi pushkatuar se ai ishte ‘armik i Popullit’..!” dhe, Nana Katë, u ishte përgjigjë: “Po, prandej Populli e pat ba deputet të vetin, pse ishte ‘anmik’ i Tij..?” dhe, ashtu e pikllueme kishte marrë strajcën me plaçka e shkue në shtëpi të vet, e mbasi i kishte hapë në jerevinë ku jetonte, kishte pa njollat e gjakut të djalit ndër ndrresa nga torturat…kishte kja disa ditë mbi ato rroba dhe i kishte futë në një arkë të vjetër ku, Ajo i ruente si rrelike…Mësuem se Nana Katë, jetonte vetëm mbasi edhe djalin tjetër Markun, ia kishin arrestue dhe e kishte të dënuem shumë vite…

Një ditë, në pragun e festës së Pashkve, aty nga viti 1949, Nana më mori me vete dhe u nisëm nga Ara e Pashës, posa dolëm në Ballabane, kaluem në krahun e majtë nga një rrugicë e vogël që quhet Rruga Daijej, dhe pothuej në fillimin e saj, Nana trokiti dhe më tregoi se aty ishte me banim Nana Katë…Ajo doli menjëherë dhe na për mos me na pa kush pse kishim shkue, u afruem tek jerevia ku jetonte Nana Katë, tek dera nxorëm një tas të mbështjellun me mësallë, ku, Nana eme kishte pregatitë për drekë dishka ma tepër me ia çue për Pashkë edhe Asaj.

Kështu, mësova atë vend ku Nana e Prof. Kolë Prelës, kalonte jetën në vetmi dhe në një vorfni të papërshkrueshme…që, askush nuk di me e mendue. Përveç, mureve të hapuna, jerevija nuk kishte as tavan as dysheme, shiheshin hatllat sipër e toka poshtë pa asnjë drrasë si dysheme …ku, në një skutë mbasdere një batani mbi dy drrasa tregonte vendin ku Nana Katë flente…

Kishte një komodin tek koka dhe një fugure të Zojës së Shkodres…pranë kishte një stol.

Aq më bani përshtypje sa edhe sot mendoj me vete: “Si mund të jetojë njeriu në kushte aq të vështira e sidomos në kohë dimni e ngrice që, Shkodres nuk i kanë mungue kurr..?”

E, me gjithë ate…Ajo ishte optimiste, se një ditë djali tjetër Marku, do të lirohet, “se, këta” nuk kanë me kenë gjithmonë…”një ditë… do ti hajë dreqi edhe ‘këta..!”

Shumë vite kaluen. Nana Katë vazhdonte me strajcen e vet me dalë me shitë rroba…

Kushdo që kishte nevojë me ble ndonjë plaçkë kërkonte tek tregu fshatarë një plakë të vjetër, “tallalleshën” e njohtun në Shkoder, mbasi, secili, mendonte edhe me e ndihmue Ate…me dishka të vogël, sëpse, të gjithë e dinin hallin e Saj…e, mbi të gjitha valën e jetës që e kishte përpi e përplasë ndër brigjet ma të pamëshirshme tue i rrembye të dy djelmët si dy lule…

U gëzuen edhe gurt e sokakut, kur u hap lajmi se Nanës Katë ju lirue Marku nga burgu!

I madh e i vogël e ndalonte Nanën që fluturonte nga gëzimi me i ba urimet e djalit…

Edhe kush s’ e njihte do tu ndalonte me i shterngue dorën, toktë kokën me “tallalleshën” për me i urue ardhjen e Markut në shtëpi…e, kush nuk e shihte, do ta ndalonte Ajo tue e ftue për një gotë raki për gëzimin e madh që i kishte sjellë ardhja e djalit tek shtëpia. U dynd Shkodra tek ajo jerevi që i gëzonin edhe hatllat… “Hajde, mirse u ka prue Zoti…!” ndihej deri tek rruga e madhe zani i Burrneshës së Dukagjinit…Shumë shpejtë Zoti e gëzoi edhe me fejesen e Markut…

Por, njeriu që nuk ka fat në jetë, sado i mirë kjoftë, kurr nuk mund të bahet ma i mirë se Nana Katë e, me gjithë ate…nuk mund ti shpëtojë “mjerimit” edhe pse nuk ka krye asnjë vepër të keqe ashtu, si ishte Katërina Prela. Papritmas i vdes edhe djali tjetër i vetëm Marku…

“Asht kenë vullneti i Zotit kështu…!” thonte, Nana e mjerë…Po, lot, jo, kurr nuk kishte përfaqe…vazhdonte traditën e Malëve…Burrneshat nuk kjajnë! Asht vështirë me kuptue forcën e një Nane që kishte mbetë në këte botë pa asnjenin djalë…me një “forcë” të pakuptueshme..!

Një ditë, kushrinjtë e morën me vete e shkuen tek shtëpija e vet në Dukagjin bashkë me Nanën Katë, ku, Ajo gjetë atje “djelmët e Malit” tek të Parët e Trojeve të veta, ku, mbylli edhe jetën e Saj nën kujdesin dhe bujarinë e Tyne…

Jam i sigurt, se, edhe shkrepat e Maleve do të kenë vajtue vdekjen e Nanës Katë…

E bashkë me Ta, këto pak rreshta le të jenë mirënjohja eme ndaj Asaj Nanë që, Shoqet e veta me “shamija të zeza” i ka me mijra edhe sot, në të katër anët e Shqipnisë…

Asaj Nanë…Burrneshë të Alpeve tona, që na mësoi fjalën “qendresë”..!

Shenim: Ju, lutem mos ngatrroni fjalën “qendresë” me fjalët “harrës”,”moskujtesë” etj. që përdorën sot në institucionet e “Drejtësisë” moderne…të “demokracisë” shqiptare..!

Melbourne, Korrik 2010.

Copyright Proletari.Com

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 01/07/2010. Filed under Patriotët. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.