E madhe gjëma e diktaturës

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 2608
Lajmi u bë. U zbuluan varre të njëpasnjëshme pa emër, pa identitet. Ato kanë një emër të vetëm:- krim i diktaturës. Një ndër dhjetëra krime që sa mundën u fshehën, pjesa tjetër u nxorr në dritë falë atyre që kanë mbetur gjallë e që kanë forcën e fjalës.

Ishte fundi i kërkimeve të një familjari, i cili nuk besoi asnjëherë se nuk do t’i gjente dot eshtrat e të afërmit të zhdukur… një ngulm që shërben si mësim i mirë për gjithë fuqinë legjislative dhe gjyqësore që të ndjekë deri në fund dhe të nxjerrë përpara gjyqit moral e shoqëror gjithë ata që qenë pjesë e ingranazheve që përdori sistemi i diktaturës për të forcuar sundimin e vet. Për tu treguar se ndërtimi i demokracisë nuk është tortë për duart e tyre të përgjakura. Dënimi i tyre- sa i vështirë qënka për tu kryer në një vend si yni! Ende mjegulla e asaj monstre sillet mbi kokat tona sikur të ketë jetuar dje, dhe jo të jetë shembur 20 vjet më parë.

Gjetja e varreve masive më solli si shumë herë të tjera në kujtesë një rrëfim që shkruan Sami Repishti në librin e tij “Nën hijen e Rozafës”, kujtimet e Uran Kalakulës për vitet e burgut, Fatos Lubonja, apo Visar Zhiti, Amik Kasoruho, apo Petraq Kolevica, Pjetër Pepa, apo Gëzim Çela, Jusuf Vrioni apo Agim Musta, sa e sa libra të tjerë që japin imazhe të ndryshme, por të gjitha me një qëllim të madh human dhe patriotik:- Të mos harrojmë kurrë për hir të atyre që nuk jetojnë më, për hir të njerëzve që po ndërtojnë demokracinë dhe për brezat që do vijnë më pas! Kujtesa është pasaporta më e mirë një kombi.

Duke mos e zhvlerësuar vëmendjen e lexuesit ndaj temës të cilën nuk e shmangim dot, sepse është çështje respekti ndaj kujtimit të të zhdukurve, po përpiqem të ritregoj ashtu si më ka mbetur në kujtesë rrëfimi i Sami Rrepishtit, kur si i burgosur i atij regjimi, punonte bashkë me shumë të tjerë për ndërtimin e aerodromit të Kuçovës. Ai rrëfente për një djalë rreth 24 vjeç, i qetë, pa fjalë, ish student, djalë i vetëm,arrestuar për agjitacion e propagandë kundër regjimit. Një ditë ai djalë nuk e duroi dot punën e rëndë në gurore, thasët me çimento nga mëngjesi në darkë dhe mori rrugën drejt portës së madhe, duke pritur nga pas breshërinë e plumbave. Roja, një njeri i egër, e thirri të ndalte, pastaj iu turr, e kapi, filloi ta godiste me një dru gjithë dhoga pa pushim, derisa djaloshi nuk po lëvizte më. Atëherë, roja, mori një gur të madh dhe filloi t’ia përplaste pas kokës me sa fuqi që
kishte. Koka e djalit u ça më dysh. Me duar të përgjakura u kthye nga të burgosurit dhe u tha: hë, qena, ja, kjo është diktatura e proletariatit! Khehuni në punë!

Ajo që më ka mbetur në mendje dhe nuk më hiqet nga ai rrëfim është pyetja: – çfarë i pengonte të burgosurit e tjerë të turreshin për të shpëtuar shokun e tyre? Çfarë ishte ajo heshtje e madhe dhe ai kurriz që i kthehej një jete të marrë? Vet autori shkruan në libër pyetjen: a do ta marrë vesh nëna e atij djali se si i vdiq i biri, drita e syrit?

Po kjo lloj shprese e fikur është përjetuar nga dhjetëra dhe qindra të tjerë që kanë qenë dëshmitarë të skenave makabre të komunizmit. Është histori kaq e gjatë, sa ndonjëherë të duket se nuk do përfundojë kurrë misteri i krimeve, torturave, i pushkatimeve, i zhdukjeve që u bënë në atë periudhë.

Ndaj, e kuptoj shumë mirë ngulmin e qytetarit që kërkon e kërkon eshtrat e të zhdukurit. Ai nuk i kërkon këto eshtra në ndonjë institucion, as në ndonjë gjykatë, ai i kërkon në tokë, në mal, në humbellat ku mendohet të jenë vrarë. A mund t’ia kërkojë këto eshtra për shembull, ndonjë gjykatësi, qoftë edhe të sferave të larta të drejtësisë? Është sikur një ish i burgosur apo familjarë të një të vrari apo vdekur nën tortura, t’i kërkonte hetuesit Nevzat Haznedari, atij krimineli, varrin e vet! Ai hetues nuk jeton më, për fat të mirë të qindra personazheve që u dërmuan nën dhunën e tij kafshërore, por ajo që mbetet është fryma e një “Haznedari” që vërtitet dhe hera herës institucionalizohet. Detaje të dhunës, derivate të asaj klime ndihen në forma zyrtare fjalimesh, në forma zyrtare vendimesh, në dilema të pakuptimësisë së një vendimi apo ligji që ka të bëjë me figurat apo vlerësim
të situatës.

Shqipëria është veçse në fillimin e procesit të dënimit të krimeve të komunizmit dhe se ndëshkimi i fajtorëve do vijojë me durim e vendosmëri, për t’u ndarë njëherë e mirë nga kapitulli më tragjik i historisë tonë kombëtare.

Shqipëria është vetëm në fillimin e një procesi të dënimit të krimeve kundër njerëzimit, proces jetik dhe i domosdoshëm për paqen sociale të këtij kombi, për fisnikërimin, për virtytet dhe për moralin e tij. Pas 20 vjetësh ka ende njerëz që drejtuan në atë kohë dhe vazhdojnë të drejtojnë poste të larta vendimmarrëse dhe të dëmshpërblyer nga Partia Socialiste për krimet mizore të kryera ndaj shqiptarëve, gjatë viteve të errëta diktatoriale.

Është dëshpëruese avokatia e hapur që PS u bën njerëzve të kompromentuar me diktaturën komuniste, duke krijuar bindje se as falje nuk meritojnë shqiptarët. Tronditëse është se ato varre që u zbuluan në një vend të humbur nxorën në sipërfaqe brengën e madhe të Shqipërisë, se edhe tani, atyre që shërbyen si kasapë të diktaturës, që urdhëruan dhe firmosën varje dhe plumba, nuk u ka hyrë një gjemb në këmbë. Sërish ata, të cilët dëmshpërblyen autorët e krimeve monstruoze kundër njerëzimit, ata që firmosën ekzekutimin pa gjyq të dhjetëra e qindra intelektualëve shqiptarë, ata që firmosën dëbimin dhe internimin e dhjetëra e mijëra shqiptarëve dhe që u ndëshkuan në mënyrë simbolike nga ligji i dënimit të krimeve kundër njerëzimit, u dëmshpërblyen për ato pak vite që bënë, po nga ata që ishin në makinerinë që prodhonte krime monstruoze kundër njerëzimit, u dëmshpërblyen nga PS, që,
jo vetëm për veten e saj, për moralin e saj si forcë politike, por për hir të gjithë së ardhmes, nuk merr përsipër të kërkojë të falur dhe të distancohet nga kjo e shkuar tmerrësisht e rëndë dhe e hidhur për kombin dhe vendin.

Ky proces është i pandalshëm, është i parikthyeshëm, ai do të ecë gjithnjë brenda rregullave të shtetit ligjor. Sepse vet ish të përndjekurit, ish të burgosurit, i japin këtij vendi një mësim shumë të madh me qëndrimin e tyre dinjitoz. Në asnjë rast e në asnjë rrethanë nuk i lejuan vetes të rrëmbehen nga hakmarrja, pasi hakmarrja dhe demokracia, hakmarrja dhe e ardhmja janë të papajtueshme.

Ata të panjohur që u vranë me një plumb pas koke, bij nënash, etër bijsh, do rivarrosen. Jashtë nuk duhet të mbetet vetëm një gur varri me emrin dhe mbiemrin, por apeli ndaj të gjithë atyre që kanë në dorë të bëjnë ligjet. Sepse ligji më i madh është demaskimi i të gjithë njerëzve që u bënë vegla të bindura të regjimit diktatorial, mënjanimi i tyre nga jeta sociale, publike, politike, dhe më e pakta është një gjyq moral. Atë që secili ia bën vetes, por jo duke i hedhur hi syve shoqërisë sonë, jo duke zhvlerësuar demokracinë. E madhe është gjëma e diktaturës, e madhe duhet të jetë jehona e kujtesës, që pasardhësit tanë të mos vuajnë duke kërkuar varret tona të humbura.

Miranda Haxhia
BotaSot.info

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 29/06/2010. Filed under Krimet komuniste shqiptare. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

One Response to E madhe gjëma e diktaturës

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.