Ferdinand Paci, jeta dhe vepra

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 7215
FERDINAND PACI ishte qytetar i Shkodres, artist dhe pedagog i nderuem…
Ferdinand Nush Paci, u le nga prindët Nush e Luçia Paci, me datën 30 Maji 1940, pra plot 70 vjet ma parë në qytetin e lashtë të Shkodres. E njohta afër kur ishim në bankat e shkollës pedagogjike po në Shkoder, në vitin 1952. Familja e Tij ishte ndër ma fisnikët e atij qyteti, ndonse, komunizmi barbarisht shpartalloi të gjitha traditat qytetare, po, duhet pranue se mjaft familje, ndoshta, edhe tue rrezikue t’ardhmen e fëmijve të vet, mërriten me ruejtë dhe me i trashigue tek mbasardhësit mjaft doke, zakone e kryesorën Besimin në Zotin. Baba i Tij Nushi, ishte mjeshter argjentar, po edhe një prind model si në dashamirsi ashtu edhe në sjelljen e Tij prej qytetari të njohtun shkodranë, gjithmonë i ndihmuem nga zonja e Tij e nderueme Luçia.
Ata që njohtën tri vajzat e dy djelmët e Nush Pacit, besoj pamëdyshje se të gjithë kanë mendimin tem për atë familje të nderueme të atij qyteti. Ferdinandi ishte ma i vogli i fëmijve dhe, që në pamjen e parë jepte përshtypjen e një “vajze” që turpnohet kur fillon me folë…

Oborri i shkollës e ma vonë salla e vizatimit e prof. Simon Rrotës, na lidhi si shokë e, ma vonë si piktor të rinjë, por edhe përjetsisht miq. Kujdesi dhe dashnia e prof. Rrotës për ne, na bani me u lidhë edhe me artin për të cilin, atëherë ishte sakrificë e madhe me dashtë me tregue të vërtetën që na mësonte profesori po, që, edhe na këshillonte si djelmët e Tij për me e ndjekë ate. E, ndoshta, sot mund të duket edhe e pabesueshme ajo që profesori, na fliste në konfidencë…
Na po prëgatitëshim për mësues, por penelat e prof. Rrotës, na zbukuruen shpirtin me aq kujdes, sa përjetsisht mbetëm nxanësit e Tij, edhe atëherë, kur, vazhduem me kenë nën kujdes të prof. tjetër të pikturës Vladimir Janit, në rrethin e shtëpisë së kulturës. Ferdinandi ishte një talent i vërtetë dhe gjithmonë i njajti njeri…i thjeshtë, i dashtun, i sinqertë dhe kurr egoist. Nuk di asnjë rasë që të konstatonte në punimin tem ose të një shokut tjetër dishka të gabueme dhe të rrinte indiferent por, me dashamirsi, merrte penelin apo lapsen dhe vazhdonte korrigjimin e gabimit…

Në shkollën pedagogjike ishte ndër nxanësit e shkelqyeshëm në të gjitha landët, kjo kishte formue një përshtypje aq të mirë tek drejtori i shkollës prof. Gani Daiu, sa kur kemi mbarue shkollën, Ai na propozoi që të na jepej nga Ministria e Arësimit “madalje ari”, që për arësye biografije nuk e morem asnjeni as unë, as Ai. Ferdinandi, shkoi në punë në repartin e pikturës së qytetit, ndersa, unë, disenjator në kabinetin pedagogjik të arësimit.
Mbas shumë përpjekjesh dhe nderhymjesh edhe nga ana e prof. Vladimirit, ma në fund Ferdinandi, mujti me shkue me disa provime plotsuese në Liceun Artistik në Tiranë, prej ku, me rezultatet e Tija të shkelqyeshme, hyni në Institutin e Lartë të Arteve dhe u laurue si piktor në qershor të vitit 1965, vit në të cilin edhe unë përfundova Liceun Artistik me korespondencë. Vazhdonim Ai dhe unë rregullisht me marrë pjesë në ekspozitat lokale të pikturës në Shkoder ndërsa, mbasi u laurue Ai u ba pjestar edhe i ekspozitave kombëtare në Tiranë si, dhe, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarve dhe Artistave të Shqipnisë, tue theksue se këta arritje ishin vetëm për merita artistike dhe asnjëherë me rrugë tjera të terthorta ose të pandershme…si, shumica e tyne.
Kur u emnue në Shkoder si mësues vizatimi, për disa kohë u përfol për biografinë e Tij, mbasi Ferdinandi nuk kishte deklarue një “njollë” e cila, ishte deponue nga një spijun shumë dashakeqas i joni (F. P. A), i cili, punoi shumë për mosemnimin e Ferdinandit në Shkoder.
Në vitin 1966, Ferdinandi mbajti fjalën e rastit kur hapa ekspozitën personale, dhe për këte iu terhoq vërejtja nga Lidhja e Artistave, mbasi nuk duhet ta bante për një njeri me biografi si të temën…Menjëherë, mbas vitit 1967, Ferdinandi ishte Ai që më sinjalizoi për rrezikun që më kercnohej nga i famëshmi “Revolucion Kultural”…Miqësia e jonë dyfishohej edhe nga piktori Ndoc Gurashi, i cili, ishte jo vetem një mik besnik po, dhe, një këshillues i pjekun ndër shumë rrethana të kohës për ne të dy, ndonse, me Ferdinandin lidhej edhe familjarisht.
Bana një shkëputje për me kjartësue dhe përforcue mendimin se, Ferdinandi, asnjëherë jo, vetëm, nuk asht dyshue, po as nuk mund të mendohej nga askush si njeri i pandershëm…

Ai ishte një pedagog i nderuem dhe për këte dëshmojnë shumë ma tepër se vetë të gjithë ish nxanësit e Tij, të cilët, edhe sot e kujtojnë me respekt emnin e mësuesit të vet.
Një mësuese, që punonte në shkollë me Ferdinandin, atë ditë kur erdhi me u pjekë në shtëpi tek Nana e Ferdinandit tregoi me njëfarë çudije se, pak muej përpara, ajo i kishte propozue Ferdinandit që me u organizue në partinë e punës, gja të cilën Ky nuk e kishte pranue…çudia e saj qendronte në arësyen se, cila ishte ajo, që shumë të rinjë nga “katolikët e Shkodres” nuk e pranojnë këte gja..dhe, pohonte se të tilla raste janë disa e jo një…?
Sigurisht, na heshtëm…po, heshtja e jonë asaj i dha përgjigjen…”Ferdinand Paci dhe ata qytetarë katolik për të cilët fliste e shoqja e Prokop Murrës, nuk pranonin kurr që mbi nderimin për të Parët e vet e mbi Besimin në Zotin, me vue interesin e mbajtjes në xhep të teserës PPSh.”
E, këta shembuj nuk ishin të paktë ndër familjet e nderueme ashtu siç ishte familja Paci…
Me datën 3 shtator 1975, në Shkoder, u hap lajmi i zi i një aksidenti automobilistik që kishte ngja në Thethin e Dukagjinit, ku humbën jetën katër përsona në moshë të re, ndër të cilët ishte edhe Ferdinandi…Nuk ishte e meritueshme për një njeri si Ferdinand Paci një fund jete aq tragjik dhe i dhimbëshem…Asnjëherë, nuk mund të shlyej nga kujtesa eme, Atë portret aq fisnik të Ferdinandit, që kishin shkallmue shkrepat e Alpeve tona, me atë pamje të mnershme që unë përjetova në morgun e spitalit civil të Shkodres, atë natë…kur e pashë shokun tem të fëminisë dhe, nuk e njihshe cili asht mes atyne viktimave të asaj nate të zezë…pamje e cila aq mu tipos në trunin tem sa, mbas disa ditësh e ripërtrina në një vizatim…ku, tue e shikue sa herë e mendoj: “Pse, o Zot, a mundet kush me veprue pa vullnetit Tand, me vra një njeri si Ferdinandin..?”
…Ora e dorës që më dha një infermjere aty, tregonte ende shkapetjet…ndër gurë!
Atë, orë, njëditë…ia ktheva djalit të Tij, Adrianit…piktorit t’ardhëshem…sot, Burrë!
Ferdinand Paci u nda nga jeta në moshen 35 vjeçare…plot 35 vjet ma parë…
Veprat e artit që Ferdinandi i la familjes dhe Atdheut në galeritë e arteve Ate, e rëndisin ndër Artistët e Kombit tonë. Nuk janë aq të pakta sa mos me u kujtue ato vepra e Autori i tyne..!
Por, FERDINAND PACI, asht i paharrueshem nga Qytetaria e Shkodres, Ai asht artist i Pavdekshëm po, edhe Pedagog i Nderuem i brezit të ri, për moralin dhe dashninë e madhe që kishte për artin dhe Atdheun, ndjesi që Ai, edukoi dhe frymzoi tek Rinia e nderueme Shkodrane!

Le të jenë këta pak rreshta…një lule mbi vorrin e “një zambaku” që kishte Shkodra..!

Fritz RADOVANI
Melbourne, Maji, 2010.

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 22/06/2010. Filed under Kultura. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.