Misteret e Qemal Stafës

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 6135
Pesë misteret që shoqëruan Qemal Stafën.
Edhe pse kanë kaluar 68 vjet nga vrasja e tij, ai moment ka vazhduar të jetë në qendër të diskutimeve të njerëzve, veteranëve, të afërmve si dhe të politikanëve gati çdo 5 maj. Qemal Stafa ishte vetëm 21 vjeç, kur i rrethuar nga pushtuesit italianë ra heroikisht duke lënë pas një mister të madh rreth vrasjes së tij. Një mister që është shoqëruar këto 15 vitet e fundit me debate çdo përvjetor të lindjes apo të vdekjes së tij. Historia dhe misteret e Qemal Stafës janë sot në fokusin e rubrikës “Sekretet e njerëzve të vdekur”. Janë pesë mistere që kanë shoqëruar “Heroin e Popullit” gjatë gjithë jetës së tij që nga lidhja e tij me Drita Kosturin deri te momenti i vrasjes së tij. Gazeta “Tirana Observer” është munduar të zbardhë pak nga pak këto mistere që janë bërë shkak i diskutimeve të njerëzve.

1. Misteri më i madh që ka të bëjë me jetën e Qemal Stafës është padyshim vdekja e tij. Ende sot nuk është zbuluar nëse rrethimi dhe vrasja e tij nga pushtuesit italianë erdhi si pasojë e një spiunimi nga ana e ndonjë anëtari të Partisë Komuniste, apo erdhi si rezultat i zbulimit nga agjentët italianë?
Jeta dhe veprimtaria e Qemal Stafës vazhdojnë edhe sot të mbeten të rrethuara nga mistere, të cilat hedhin shumë dyshime për këtë figurë. Edhe pse vdiq në moshën 21-vjeçare, ai ka lënë gjurmë të thella në mendjen e njerëzve për aktivitetin e tij. Qemal Stafa u vra më 5 maj të vitit 1942, në qytetin e Tiranës. Ai ishte një nga drejtuesit e Partisë Komuniste dhe kishte marrë pjesë edhe në Mbledhjen e Themelimit të saj. Gjatë viteve të fundit të jetës, ai u bë promotor i gjithë lëvizjeve të forcave shqiptare kundër pushtuesve, duke qenë figurë qendrore në rininë e asaj kohe. Duke pasur një kredibilitet të tillë, atij iu desh të ishte i survejuar për ditë e më shumë nga forcat fashiste, por dhe nga bashkëpunëtorët e tyre. Në datën 4 maj 1942, atij iu caktua një detyrë nga udhëheqësi i PKSH-së, Enver Hoxha, për të shkuar në qytetin e Vlorës. Qemali duke qenë në ilegalitet të plotë strehohej në një shtëpi tiranase, e cila nuk bënte pjesë te shtëpitë e dyshuara për strehim komunistësh. Vendndodhjen e tij në atë shtëpi e dinin shumë pak veta, midis tyre dhe Enver Hoxha. Asnjëherë nuk ka dalë me siguri nëse ishte një kurth prezenca e Qemal Stafës në atë shtëpi, apo ishte thjesht një rastësi. Megjithatë, gjatë periudhës së komunizmit nuk është folur shumë me këtë temë pasi ishte e ndaluar nga diktatura. Mos hapja e diskutimeve gjatë asaj kohe për vrasjen e Qemal Stafës, ka bërë që pas viteve ’90 të diskutohet që vrasja e tij të ketë ardhur si pasojë e ndonjë drejtuesi të lartë të Partisë Komuniste të asaj kohe, që ishte në dijeni të vendndodhjes së tij. Por të gjitha këto dyshime nuk janë zbardhur ende, megjithëse shpeshherë të njohurit apo personat që kanë qenë dëshmitarë të asaj kohe, kanë hedhur idenë duke e argumentuar me dokumente faktin se Qemal Stafa mund të jetë spiunuar. Fakt është që djali 21-vjeçar nuk arriti dot të realizonte dot dëshirat dhe synimet që ai kishte.

2. Ende nuk është zbuluar nëse Qemal Stafa, duke qenë një nga krerët e Partisë Komuniste që nga krijimi i saj më 8 nëntor 1941, para se të vritej kishte si qëllim për të marrë drejtimin e saj duke spostuar kështu Enver Hoxhën?

Po të futesh rrugës së politikës, sigurisht që atë do ta bësh për karrierë. E tillë është dhe historia e Qemal Stafës. Ai u fut në mbledhje si përfaqësues i “Grupit të të Rinjve” dhe menjëherë spikati për inteligjencën dhe vendosmërinë e tij. Atij po i jepej mundësia që të shprehte të gjithë potencialin e tij intelektual dhe të merrte vendime të rëndësishme për fatet e vendit. Duke parë këtë, Qemali herë pas here shfaqte aspiratën për të qenë protagonist në PKSH. Ashtu si çdo udhëheqës i Partisë edhe Qemal Stafa ëndërronte që të ishte në krye të qeverisjes së vendit, pas largimit të pushtuesit. Sipas burimeve të asaj kohe, nuk përjashtohet fakti që Qemal Stafa dëshironte të bëhej kryetar i PKSH-së. Prej kësaj dëshire të Qemalit vijnë dhe dyshimet që Enver Hoxha mund të ketë ndihmuar në eliminimin e tij. Çka është më e rëndësishmja të theksohet këtu, është fakti se Qemal Stafa ishte një figurë e rëndësishme dhe e aftë për të marrë përgjegjësi përsipër. Edhe pse në një moshë fare të re, ai tregoi aq shumë, sa bindi këdo të thoshte që doli një udhëheqës i zoti.

3. Një nga misteret e jetës së Qemal Stafës është lidhja e tij me Partinë Komuniste si dhe cila ishte arsyeja e kësaj lidhjeje?
Sigurisht që idetë komuniste kishin filluar të shfaqeshin në Shqipëri që në mesin e viteve ’30. Shumë intelektualë të kohës e përqafuan këtë rrymë, por shumë të tjerë nuk e përfillën. Midis këtyre të fundit ishte pa dyshim dhe Qemal Stafa, i cili atëbotë merrej më tepër me letrat duke qenë një nga të rinjtë premtues për sa i përket letërsisë shqiptare. Sipas burimeve të asaj kohe, ai jo vetëm që nuk ishte një komunist i mirëfilltë në ide, por as nuk u kujdes të angazhohej fare me këtë rrymë. Me kalimin e viteve kur në Shqipëri erdhi Italia pushtuese, Qemali shfaq dhe tendencat e para drejt lëvizjes komuniste. Ai deri atëherë dhe pse nuk ishte një komunist, përsëri ishte në kundërshtim të plotë me regjimin e Ahmet Zogut dhe duke u bashkuar kjo e fundit dhe me pushtimin e huaj, e bënë Qemalin të përqafonte idetë komuniste duke u bërë një nga themeluesit e saj më 8 nëntor 1941.

4. Ngritja në piedestal e figurës e Qemal Stafës nga Enver Hoxha gjatë periudhës së komunizmit është një mister më vete, kjo pasi familjarët e tij nuk patën ndonjë ngritje të madhe nga emri i njeriut të tyre të rënë dëshmor?
Pas Çlirimit të vendit shumë nga figurat që kishin dhënë kontribut në Luftë u vlerësuan me mënyra të ndryshme. Dikush u shpall “Hero i Popullit”, emri dikujt tjetër iu vendos ndonjë uzine a kombinati, ndonjë tjetër ndoshta u harrua, por jo pa qëllim. Ndryshe ndodhi me Qemal Stafën. Emri i tij jo vetëm që u vendos në shumë institucione, rrugë, sheshe e deri tek stadiumi i futbollit, por u arrit deri aty sa dita e rënies së Qemal Stafës u bë simbol i qëndresës së partizanëve duke u shpallur Dita e Dëshmorëve. Edhe kjo nuk ka ngelur pa u vënë re. Shumëkush ka thënë që Enver Hoxha vendosi t’i bënte gjithë këto nderime Qemal Stafës, duke ndjerë kompleksin e vetëfajësisë për eliminimin e tij. Dikush tjetër është shprehur se kjo u bë që të humbitnin gjurmët se kishte lidhje Enver Hoxha me vrasjen e Qemalit. Këto janë mistere që lidhen me Qemal Stafën, por pa frikë mund të thuhet se Enveri nuk e kishte vështirë ta demaskonte figurën e tij nëse vendoste, pasi praktika tregoi që kë donte ta shpallte ai armik apo bashkëpunëtor të imperialistëve, atë e bënte pa ndonjë vështirësi të madhe. Por e kundërta u bë me familjen dhe miqtë e heroit, ata pothuajse u lanë në harresë dhe madje e fejuara e tij u burgose gjatë regjimit komunist. Ndryshe nga shumë të tjerë, ata nuk përfituan ndonjë gjë përveç emrit dhe faktit të të qenit familje dëshmori. Gati në të gjitha broshurat ose librat e asaj kohe që flisnin për heroin, të afërmit e tij nuk përmendeshin fare ose përmendeshin fare pak.

5. A ka qenë Qemal Stafa i fejuar me Drita Kosturin? Nëse po, pse kjo e fundit u denigrua gjatë periudhës së komunizmit, kur diheshin konsideratat që ekzistonin për Qemal Stafën nga Enver Hoxha?
Në kujtimet e saj që ndodhen në Arkivin Qendror të Shtetit, Drita Kosturi shprehet se ka qenë e fejuara e Qemal Stafës. Jo vetëm në këto kujtime, por dhe shumë dëshmitarë e konfirmojnë një fakt të tillë. Edhe vetë Enver Hoxha me siguri e ka ditur diçka të tillë. Megjithatë, ai përsëri e internoi atë duke bërë që ajo të kalonte peripeci të jashtëzakonshme, që jo pak vetë i provuan në kurriz nga regjimi totalitar. Duke parë konsideratën që shfaqte Enver Hoxha për Qemal Stafën, atëherë lind një pyetje e natyrshme, pse e dënoi ish-të fejuarën e mikut të tij? Ky është padyshim një tjetër mister që ka të bëjë me Qemal Stafën dhe ngre shumë pikëpyetje për sa i përket rolit të Enver Hoxhës në vdekjen e Qemal Stafës. Për sa i përket kësaj lidhjeje të Qemalit me Dritën, është folur shumë dhe në media pas viteve 1990, madje ka qenë Drita Kosturi ajo që ka shprehur më qartë dyshimet se në vrasjen e Qemal Stafës ka gisht dhe Enver Hoxha. Por ka edhe disa burime të asaj kohe që thonë të kundërtën. Sipas tyre, Drita ishte më e madhe në moshë se Qemal Stafa dhe ajo përfitoi shumë nga dashuria e djalit të ri për të. Kjo bëri që ajo të ngjitej shumë shpejt në karrierë, por po aq shpejt të binte. Po ashtu burime të asaj kohe thonë se morali i saj ka qenë shumë i dyshimtë, duke e quajtur edhe Qemal Stafën njeri të dobët që ra pre e vajzës së shkathët.
TiranaObserver.Com

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 11/06/2010. Filed under Krimet komuniste shqiptare. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.