Intelektualėt, pėrtej reales dhe absurdit

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 2280
Ç’do të thotë intelektual? A ka të tille Shqipëria? Ku janë ata?
Janë pyetje të hedhura prej kohësh në pritje të përgjigjes. Ka muaj, ndoshta edhe vite që publikohen me zhurmë mendime të ashtuquajtura “profesionale”.
Jam druajtur në publikimin e mendimit tim, thjesht për të mos fyer një pjesë të bashkëkombasve të mi, por… e fyer, dhe me këtë analizë (nëse mund të jetë e tillë) në mendje nisa të shoh çdo material të mundshëm që mund të më japë përgjigjen e pyetjes “A ka intelektualë Shqipëria?” “Cilët janë ata?”. Mendimi im është tejet përgjithësues, unë thjesht kam parë, dëgjuar dhe menduar si UNË.

***

Termi “intelektual” prejvjen nga greqishtja e lashtë, ku dhe është përdorur për herë të parë. Së pari do të nënkuptonte “mëso shkrim”. Më pas gjeti përdorim në jetën e përditshme duke u përdorur kryesisht për cilësimin apo vlerësimin e brezit më të vjetër të dijetarëve. Në kuptim të drejtë të tij, ky term do të thotë “Studio shumë” apo “mëso një profesion”.

Pra, Intelektual është quajtur individi që provon të përdorë dijet profesionale racionalisht gjatë punës, studimit, arsyetimit si dhe në përhapjen e ideve në dhe për një shoqëri të caktuar. Arësyeja kryesore e vlerësimit të këtyre dijetarëve si“intelektualë”, prej së lashti, vjen si pasojë e veprimtarisë së tyre në përmirësimin e sistemeve, përmes tentativave për përthithjen e përshtatjen e modeleve të ideologjive e praktikave huaja në zbatueshmëri efektive për grupimet shoqërore prej të cilave edhe lindin e zhvillohen.

Në këtë kuptim, parë në këndvështrimin e vlerave dhe antivlerave kontribuese “në të mirë të zhvillimit” të vendit dhe në kushtet e një mungese të theksuar idesh vendase apo prurjesh kam vënë re se, klasifikimi i vetëm i kësaj shtrese trunore mund të jetë vetëm në tri grupe “kategori” ( sa turp te ndahet cilësisht një “tru”, në kategori) 1) mediopolitikë (të promovuar) 2) virtual politikë, 3) “intelektualët realë”.

Të parët, janë ata që moralisht po përqasin fragmente të ideve të tyre anti-intelektualiste dhe amorale. Personalisht, (pa dashur të fyej askënd në përkatësitë shoqërore) në këtë kategori klasifikoj të gjithë ata elementë “intelektualë”, që për hir të trashëgimisë së “fatit” të prejardhur familjar e klanor, për hir të prejardhjes së njëjtë gjeografike, u stimuluan dhe evidentuan mediatikisht por edhe më tej. Këta elementë “intelektualë”, që janë jo pak tashmë në rend numerik dhe ndikimesh, janë ata që për hir të pushtetit të tyre të “trashëguar” ekonomik e social, ose për hir të mos “shlyerjes” së detyrimeve ndaj interesave klanore, ose për hir të nostalgjive farefisnore, janë grupimi më joprogresist i intelektualizmit në Shqipëri.

Në këtë grup, bëhet fjalë për mungesë reale të mendimit apo veprimit racional profesional. Këtu bëhet fjalë për një grup njerëzish, të cilët për hir të detyrimeve klanore, shpikin e përhapin një tërësi normash e principesh krejt kundrazi normave morale e civile të shoqërisë, norma “snobe”, të cilat mbarsin e pjellin vetëm mesjetarizëm mendimi e veprimi; norma, ku shformohen virtute morale e profesionale, duke mbjellë diktatorializëm meskin. E gjithë kjo ndodh e vënë në lëvizje me potencën e zotërimit të mjeteve mediatike vizive e të shkruara të shprehjes së idesë për zhvillim.

Ky grup elementësh, është i prirur të përkujdeset mjaft në “kopjimin” bruto të sipërfaqeve të dukshme të elementëve të huaj (prej nga përgjithësisht ne si komb importojmë gjithshka). Kjo do të thotë “paraqitje firmato” mediatike e vizive, madje deri në detaje gjestesh, artikulacione e deri në përdorimin e fjalëve absolutisht të huaja vënd pa vënd pa përfillur mjedisin ku hidhen. Kjo ndoshta është e mirëmenduar, të hedhësh në “turmën e paarsimuar” (sipas tyre etika e të emërtuarit të Populli) ide me fjalë të importuara pakuptueshmërisht, do të thotë të titullohesh “i mënçur”, “i ditur” dhe në fund “intelektual”, figura modele të së ardhmes së shoqërisë në zhvillim. Mënyrë e mirë kjo për të idiotizuar dhe injoruar një popull që pret dhe të lë të qetë “ty” të mendosh e ta hedhësh në veprim.

Problemi më i madh për ne, është se këtyre elementëve mediopolitikë, u kanë dhënë statusin e të qënit intelektual, mbi atë që në të vërtetë janë, mbi atë individ që përpiqet të jetë dhe më keq akoma, ata jo vetëm që e kanë pranuar, por me një ndjenjë injorimi dhe nihilizmi “mondan” ndaj “turmës” provojnë të krijojnë modele “fallse” të të menduarit joopozitar dhe të përulur, duke imponuar superioritetin e mendimit te tyre. E kjo natyrisht që nuk është asgjë tjetër, veç makineri e prodhimit të shoqërive mono-ideologjike (Ruajna Zot).

Janë të punësuar në vendet më të mira të mundshme (shpërblehen kështu për vetmohimin e bërë), kanë tashmë eksperienca pune e kualifikime të pafundme, kanë krijuar standarte ekonomike për t’u patur zili dhe patjetër që janë kthyer në modele “profesionistësh”. A keni dëgjuar një “intelektual” të këtij grupi, p.sh një agronom, apo një jurist, apo një ekonomist të japë idenë e tij/saj profesional analitike ku të kundërshtojë atë që në fakt është jo në rrugë normale zhvillimi? Po ndonjë ide profesionale për çfarë duhet bërë më mirë? Asnjë,… asnjë dhe është për të ardhur keq. Ky element i stimuluar për “shfaqje mediatike të mendimit intelektual”, debaton vetëm për ideologjizma politike sipas përkatësive politike prej të cilave stimulohen ose edhe paguhen. Ne ende nuk kemi dëgjuar një “intelektual” që t’i thotë “Të madhit”, “Jo, këtu, në këtë fushë jam unë “i madhi”, Jo, askënd deri më sot.
Të gjithë këta lloj intelektualësh edhe pse profesionalisht mund të jenë të aftë, janë pjesë detyrimisht e një organizmi politik dhe mundësisht aktivistë politikë të njërës prej partive të “mëdha”. Për ta, njihet vetëm kontributi politik, nuk ka pavarësi të administrimit të mendimit gjenerues të shoqërisë, ka thjesht përulje të njërës palë, ndaj palës tjetër dhe kjo vetëm mediatikisht. Ky polarizim politik, në forma nga më anormalet është shtrirë deri në nivelet e mësimdhënies, ku shpesh herë edhe mësuesit i trajtojnë fenomenet historike apo sociale dukshëm sipas tifozllëkut personal politik (pa numëruar këtu tekstet shkollore thjesht për tregtim, pjesa pedagogjike- në treg…).
Janë po këta elementë intelektualë, qe krahas sipërfaqes së tyre moderne dhe të kohës, gjithësesi vijojnë “bashkëpunimin” e tyre me publikun vetëm përmes aktivitetesh të tipit të intervistave monologuese politike apo edhe në grup në mediat luksoze te Tv-ve përkatëse, apo të takimit me popullin në vigjilje fushatash elektopushtetare, ku flasin me gojën e të “madhit”. Ky grup elementësh, të cilin dashje pa dashje, ne e lemë të na përfaqësojë, e vlerësojmë për atë ç’ka “bukur” (janë të gojës, flasin shpejt dhe jo qartësisht), na rekomandojnë të shohim në qarkun politik specifik. Dhe janë sërish po këta, që në momentin e mosplotësimit të tekave të tyre pushtetore, abuzojnë forcërisht në ndryshimin e mendimit të mëparmë, duke u hedhur në kundërsulm mbi taktikat e ndjekura duke harruar që aplikantët dhe bindësit ishin ata vetë.
E keqja më e madhe e këtij grupi elementësh të prejardhur “testamentalisht” në shoqërinë tonë në formën e elitës së mendimit intelektual e civil, qëndron në “pjelljen” e brezit të dytë të këtij tipi. Atë brez që unë sipas klasifikimit tim e kam quajtur “Intelektualë virtualë”.

“Intelektualët virtualë” që kryesisht janë pasardhës të të parëve, janë një pjesë e atij brezi, që nuk i mungon asgjë. Janë te “edukuar”, “te kultivuar”, te veshur “firmato” dhe flasin padyshim në “shumë gjuhë të huaja”. Një pjesë e këtij brezi, patjetër është edhe pasardhësi “elitar”, por, duke ditur mjaft mirë definicionet e termave që e rendisin atë në “elitën intelektuale” (natyrisht veshur, mbathur, shkolluar ne Universitete private, një palë syze të tipit…0 numër…) është kthyer në një brez shfrytezues i të mirave të prejardhura. Kanë të drejtën e përzgjedhjes së degës së studimeve (pavarësisht kapacitetit), uzurpimit të vendeve të punës (të lëna trashgim nga klani familjar); pushtimit të bareve më të shtrenjta të ditës e të natës dhe për më keq akoma, kjo pjesë është “brezi i dytë i elitës intelektuale”, që nuk ka asnjë vizion mbi rrugëdaljen prej “kafshërisë” të cilën ata “përjetojnë”, kjo është pjesa më e shëmtuar kësaj. Vetëm shajnë, shpalosin shpresat e humbura për njohje vlerash të paqëna dhe e gjejnë rrugë zgjidhjen në ikjen jashtë shtetit, ku natyrisht do të investohen nga dikush tjetër dhe rastësisht apo jo, shumica e tyre shkollohen në shkencat politike. Do të parapëlqeja të ishte rastësi, dhe jo përzgjedhje e zotërimit të profesionit më të thjeshtaplikueshëm dhe fitim e pushtet prurës komod.

Vë re se, pavarësisht nga kulturat që këta të rinj zotërojnë, janë “pinjollë” trashëgues të çuditshëm virtualë mediatikë (këtu nuk dua të përfshij ata të rinj e të reja prej të cilëve njoh, familjet e të cilëve si edhe ata vetë me sakrifica supreme shkollohen dhe edukohen ne Europë e më tej) të mediopolitikëve të promovuar dhe që për mendimin tim përbëjnë problem social dhe ideologjik. Këta janë djem e vajza që ndoshta rastësisht apo edhe sipas llogarive (kryesisht sipas mënyrës së dytë) janë në proçes edukimi apo edhe i kanë përfunduar studimet jashtë shtetit, madje edhe në ato universitete të cilat për shumicën e shqiptarëve janë thjesht emra objektesh kinematografikë. Padyshim, në vështrim të parë dua të shoh pozitivisht, po krijohet një …klasë e re politikanësh profesionistë, por deri më tash përvoja tyre vjen absolutisht e rëndomtë dhe mjaft destruktive. Në rastet më të shumta, shoh se pavarësisht epokës në të cilën profesionet janë dhe duhen specializuar dhe ndarë prej njëri tjetrit, ato aq më shumë bëhen një-politikë.

Në disa shkrime mediatike që kam lexuar së fundmi, në intervista e debate televizive ku kanë marrë pjesë edhe të rinj të laureuar në universitete prestigjoze (natyrisht që për ne shqiptarët, ndryshon cilësisht niveli i edukimit me pothuaj çdo universitet të botës), habitmërisht kam gjetur një prepotencë dhe agresivitet të hapur në shpalljen e mendimeve të tyre vetëm ideologjike. Them këtë pasi, prej një elementi të tillë, unë pres të gjej “Intelektualin”, që mbi të gjitha sjell dhe përshtat përvojën minimale të demokracive ku kanë studiuar, apo të alternativave të zhvillimit. Asnjë përqasje e tillë në shkrime apo debate, janë thjesht viktima të reja të komunikimit dhe të ndikimeve virtuale të snobizmit të individëve “politikanë”, absolutisht të njëanshme. Disa prej tyre, të sapo kthyer (gjest që vlen të vlerësohet, rikthimi. Por a do të ishin rikthyer në vendin e tyre në rastin e mospropozimit të një statusi politik ? Kjo vlen të mësohet) menjëherë apo pak kohë pas përfundimit të studimeve, përqasin tifozllëqet politike, dhe aspak eksperiencat kualitative të hasura gjatë jetës në vendet e demokracive më të përparuara. Ndodh të shpërhapet një debat fare pa realitet dhe krejt sipërfaqësor, i pabindshëm madje tepër fanatik, bazuar në vlera dhe jovlera të paqëna të “të madhit” qe gjithesecili prej tyre ka idhull. Për fat të keq, ky trend politik, mjaft arkaik në parim është i frikshëm.
Them këtë pasi këta “virtualë” e përthithin informacionin përmes shqisave dhe pamja reale e perceptuar vetëm përmes tyre nuk është varianti më i mirë i përfytyrimeve mbi realitetin. Imagjinata e tyre e krijuar përmes teknologjive bashkëkohere dhe pa kontakt të drejtpërdrejtë me realen jep versionin e saj të realitetit. Në këtë rast fantazia së bashku me realitetet e dëshiruara vepron në gjykimin e këtyre intelektualëve në variantin “kështu mendoj se duhet të jetë, ose duhet të ishte”, e shprehur kjo në gjuhë prepotente, me mbivlerësim të mendimit personal dhe injorimit të pjesës tjetër “publikut” shqiptar duke mos lënë atij shteg për një gjykim tjetër.

Nuk e di për ç’arësye marrin përsipër të sjellin shkrimet e tyre “analitike” të bazuara në dijet që marrin në vijim, mbi aktualitetin e zhvillimeve politike, sociale e morale në Shqipëri. Janë shkrime dhe analiza, të cilat mua personalisht më fyejnë, natyrisht më fyejnë. Kulturën individuale të secilit prej tyre do ta kisha pranuar me kënaqësinë e përfitimit të një etike të re profesionale e të munguar në mjediset shqiptare, paçka se edhe kjo praktikisht nuk ndryshon asgjë në historinë e zhvillimit të kombit, politikën. Në këtë kuptim vërej se “kapja” e politikës iu është kthyer në obsesion psikologjik duke bërë që të harrojnë gjithshka tjetër. Harrojnë se një pjesë e konsiderueshme intelektualësh, të cilët nuk kanë mundur e as nuk do të mund të shprehin mendimin e tyre për 70 e ca vjet (flas këtu edhe për ata që u dergjën burgjeve, për ata pa varre dhe për të tjerë që rrojnë). Madje, për më tepër e më rëndë glorifikimi i individëve të veçantë, elitarëve partiakë, mund të sjellë indinjata me pasoja sociale e politike, kjo pasi në shumë organizime të tilla gjënden figura apo individë, të cilët kanë ndihmuar aktivisht në “luftën e klasave” për 50 vjet, e sot…janë “elitarë demokrato politikë”.

Ndoshta këtë pjesë të realitetit, shumica e shkruesve te impresioneve dhe analizave virtuale nuk e njohin dhe nuk kanë pse…

E vërteta e paraqitur prej “Virtualëve” nëpërmjet përdorimit të gjuhës akademike apo profesionale në trajtimin e dijeve dhe informacioneve të mundshme, të paplota ose të pasigurta mbi realitetin, çon në kaotizëm mendimi dhe gjykimi në pjesën më të madhe te publikut. Kjo pasi këto lloj shkrimesh apo debatesh transmetojnë më shumë bindje apo përvoja individuale dhe i largohen shumë pritshmërisë së trajtimit në forma të kuptueshme, profesionale e shkencore të trajtimit të problemit, parë në këndvështrimin intelektual. Për pjesën tjetër të publikut, me nivele mesatare apo të ulëta edukimi, sot dhe nuk dihet edhe për sa kohë do të ekzistojë ideja se, “ky vjen nga jashtë shtetit dhe i di më mirë këto punë”, ky lloj trajtimi rrezikon në krijimin e bazave artificiale të elektoratit apo militantizmit (kjo ka ndodhur).

Pritshmëria prej këtyre elementëve është veprimi në evidentimin e problemeve të çdo pjesë përbërëse të shoqërisë shqiptare, të propozojë zgjidhje bashkëkohore, të jetë oponenti dhe kundërshtari më i dukshëm por edhe partneri më i afërt e konstruktiv me politikën dhe shtetin për gjenerimin dhe vënien në lëvizje të zhvillimit. Në asnjë rast, as të debateve mediatike dhe as të shkrimeve e analizave nuk kam vënë re distancimin e këtyre intelektualëve nga “miti” i ngjizur në “të madhin” e organizmës politike për të cilën tifozon secili prej tyre. Analizat e bëra prej “virtualëve” janë detyrimisht të një – -anshme dhe pothuaj të gabuara kur trajtohen në variantin “humbësi i pushtetit ka të drejtë e është i drejti dhe anasjelltas”, janë thjeshtë të fragmentizuara në kahen e “Mitit”, i cili në vetvete përmban elemente të vërtetësisë dhe jo vërtetësinë në tërësi si dhe elemente reale apo të vërteta njohurish. Ky “mit” me këto tipare duke u mbartur thjesht virtuaisht në psikologjinë e këtyre “analistëve” rrezikon papërshkueshmëri të moralit civil e qytetar prej të cilit është ngjizur dhe të cilit i përket ky “mit”. Në këtë kuptim, duke u parë të vërtetat prej së largu, këto analiza transmetojnë vetëm “fyerje” për një pjesë të kombit e në lëvdata mbi parimet e paqëna të pjesës tjetër. Le të kujtojmë se në asnjë periudhë historike individët e mitizuar nuk kanë kontrubuar pozitivisht në institucionalizimin e demokracive për të mos thënë se kanë krijuar pengesa të zhvillimit të saj dhe instalim të diktaturave.

Një fenomen tjetër që ndodh me këta elementë virtualë të shtrsës së pritshme elitare intelektuale është mllefi ( jo pa shkak) që bartin me vete për shoqërinë shqiptare, kur e lënë pas atë. Në momentin që ky zemërim apo mllef vihet përballë një bote krejt tjetër (që padyshim bart dhe konservon inatet e mllefet e saj cilësisht të ndryshme) ndryshon formë dhe shpesh kthehet në agresivitet. Ky agresivitet i kultivuar e i përpunuar, i shformuar në zemëratë ndikon mjaft në gjykimin e e vërtetësisë së realitetit përmes informacionit virtual. Kështu, këto analiza rrezikojnë të bartin dhe të ndikojnë në thellimin e urrejtjes së një grupi ndaj një tjetri shoqëror, që do të thotë lindjen e një forme të re të luftës së klasave. Kjo është e pafalshme kur gjëndet e anashkaluar në moralin e analizave të këtyre elementëve, fundi i fundit produkt i kësaj shoqërie ku të pafajshmit realë do të mund të kthehen të gjithë kundër njëri tjetrit.

Intelektuali nuk i lejon vetes të manipulohet nga realiteti politik i një vendi, por edhe as të mos përdoret prej politikës apo klaneve ideologjike e politike në interes të një “Uni” pseudointelektual.

Shkrimet e”virtualeve”, pasqyrojnë edhe një lloj ankthi apo pasigurie në të ardhmen, pavarësisht përpjekjes së përdorimit të një gjuhe akademike dhe të ftohtë gjatë analizës së problemit. Kjo është e natyrshme për vetë faktin se virtualët janë të pasigurt dhe nuk mund te paraqesin alternativa konkrete për zgjidhjen e problemit që analizojnë. Një arësye tjetër e paraqitjes lexueshëm këtë lloj pasigurie është edhe të qënët jo në shoqërinë së cilës i përket, e cila do ta përballë në pafundësi zgjidhjesh e zgjedhjesh për të ardhmen. Kjo pasiguri transmetohet edhe në lexues të ndryshëm, duke krijuar kështu një pasiguri kolektive, pa shkak konkret (kur në fakt lexuesit janë realisht të lëkundur nëpasigurinë e sigurisë të së ardhmes së tyre, pasi e përjetojnë atë realisht).

…edhe gjuha, gjuha shqipe, është ajo që mungon në këto shkrime apo diskutime. Përveç mungesës së shqipërimit të mendimit, pra mungesës së aftësisë për ta përcjellë problemin me gjuhën e moralit, kapacitetit dhe kulturës shqiptare, në këta elementë vihet re përdorimi i termave “profesionale” (sipas tyre dhe një pjese të mirë “intelektualësh”) në gjuhë të huaj. Asnjë përpjekje për shqipërim ose të paktën pëkthim të termit. Nuk besoj të ketë ndonjë term të pamundur për t’u përshtatur nga një gjuhë në tjetrën. Ky element, mjaft i diskutuar sot, është mjaft i theksuar në të shkolluarit “virtualë” dhe shpresoj të jetë e paqëllimshme, pasi kjo dukuri jo vetëm nuk e sjell gjuhën dhe kulturën në nivele bashkëkohore, por rrezikon zbehjen e saj dhe më pas ruajna Zot të mos njohim gjuhën tonë.

Dhe pothuaj më e frikshmja që gjej të transmetuar në shkrime të elementëve të tillë, është mungesa e theksuar e at/mëmëdhe dashjes, duke filluar që prej njëanshmërisë ideologjike dhe politike të trajtimit të idesë e cila, çon edhe në injorimin e “pjesës “ që nuk i përqaset ideologjisë personale politike. Tipar ky absolutisht i panevojshëm dhe me “rrezikshmëri” të konsiderueshme për një komb e aq më tepër për Shqipërinë tonë me një proçes tranzicioni gati shekullor.

Duke kërkuar ndjesë, sinqerisht këta elementë më ngjajnë me ata “misionarët” e sekteve apo llojeve të ndryshme të besimeve “moderne” fetare, që dalin rrugëve e derë më derë, bezdisshëm për të na recituar papagallisht se ç’thonë për jetën e pasvdekjes të ashtuquajturat bibla apo ungjij të varianteve të çuditshme.
Duke kujtuar se Zhan Pol Sartri thotë: “E keqja” është produkt i aftësisë së njerëzve për të bërë abstrakte atë që është konkrete” dhe personalisht kam bindjen se, ndërsa intelektualet mediopolitikë janë fiksuar pas ruajtjes së pozicionit për brezat e ardhshëm dhe që zotërojnë “ tregun e mendimit në sasi”, pasardhësit e tyre, “virtualët” janë elementi më i dëmshëm i në mendimin civil e intelektual. Të mos harrojmë se në Shqipëri, edhe pse shumica është e bindur në shtresën false të “intelektualeve”, ende ka shpresa se kjo shtresë dikur do të rilindë apo më e keqja shpresohet në ndërgjegjësimin e kësaj false shtresë që ekziston.

Së fundi, jo pa keqardhje pak për “intelektualin real”, i cili është vërtetësisht transmetues i kulturës së tij personale e profesionale të rezistueshme cilësisht përballë sasisë së ideve dhe eksperiancave në treg. Këta elementë janë trashëgimtarët e një rrace mendimtarësh e veprimtarësh, intelektualësh, vepra e të cilëve vlen edhe sot, por sa vjen e bëhet më e papërmendur dhe më e pavlerësuar prej shtresave të reja të “intelektualizmës elitare”; pasardhës të Konicës, Nolit, Fishtës, At Zef Pëllumbit, A. Pipës etj, etj; trashëgimtarë të kulturës dhe mendimit kombëtar krijuar dhe ndërtuar dhe ruajtur me sakrifica sublime. Këta elementë janë intelektualët në kuptimin klasik të këtij termi, kritikë të sistemeve (për mbi 70 vite në Shqipëri nuk është se është eleminuar ky element pamvarësisht 50 viteve të shkuara tentativa ç’njerëzore, por edhe sot përmes një persekucioni invalid) politik, ekonomik dhe shoqëror duke ruajtur dhe përfaqësuar kështu të gjitha normat morale e sociale të shoqërisë sonë.
“Intelektualët” mbajnë lidhje “organike” me shoqërinë prej ku marrin ide dhe natyrisht, japin vërtetësisht alternativa racionale e profesionale. Ndërkohë kjo lloj lidhje jashtë “shtratit” (parë si jonormale, nga intelektualët e promovuar ashtu edhe ata virtualë) i lejon ata të krijojnë ide dhe teori politike e sociale të cilat mundohen t’i vënë në lëvizje për zhvillimin e shoqërisë shqiptare kushtëzuar nga “elitat” (pamundësi reale).
Këta njerëz, janë të prirur të përdorin “të vërtetën” dhe njohuritë e tyre brenda sistemit politik e ideologjik si elementi kritik dhe bashkëveprues me të. Gjejnë drejtësinë efikase për zhdukjen e padrejtësisë, tregojnë të vërtetën atje ku gënjeshtra është “epror”, merr guximin dhe kundërshton pa marrë parasysh pasojat, aty ku i kërkohet të shkelë mbi identitetin e tij dhe kulturës specifike që mbart duke sjellë shpresë në këtë sistem “pesimistndjellës”. Natyrisht përkundër “rebelimit të tij”, pasojat janë po ashtu reale, mbyllja e dyerve të hapësirave për të dhe realitetin që ai bart.

Elementë këmbëngulës të kësaj shtrese, tentojnë të transmetojnë punën dhe idetë e tyre përmes ndërhyrjeve tek të tretë, sipas variantit “telefoni i prishur” (nëse ju kujtohet si lojë fëmijërie). Në këtë rast ideja dhe veprimi, ose zhduket kushedi në ç’sirtar, ose publikohet e transformuar, ose autori çuditërisht “ndërron identitet”…
Fatkeqësisht këta elementë kanë të bëjnë me një sistem shoqëror e politik të mohimit të vlerave dhe inspiruese e antivlerave.
“Intelektuali real”, i cili për hir të ekzistencës së tij njerëzore është i detyruar të heshtë e të mos veprojë ashtu si kërkon ndërgjegja e tij. Është kjo shtresë intelektualësh që në të vërtetë vë në lëvizje me aq sa mundet motorrët e shtetit duke u ndrydhur dhe dekompozuar brënda ideve dhe aftësive, brënda vlerave reale të mohuara dhe të pa vlerësuara. Është ky intelektual, që për hir të “kulturës” u hap vendin “virtualëve”, të cilët nuk kanë asgjë tjetër më shumë se këta përveç letrave, çertifikatave që vërtetojnë thjesht përfundimin e studimeve, me shpresën e gjetjes së një mbështetjeje të duhur.
Janë këta intelektualë të cilët rrezikojnë “zhdukjen” që pavarësisht investimit në formimin e tyre profesional, falë mungesës së lidhjes me pushtetin politik dhe ekonomik, nuk mund të kenë një “diplomë”. Biografitë e tyre profesionale, ndërrojnë çdo katër vjet, në çdo ndërrim “eprorësh” edhe pse këta elementë nën ndikimin e dhunshëm amoral të përkatësive politike të eprorëve, përpiqen të shohin drejt.
Janë këta që për hir të mospajtimit apo për hir të normave morale e shoqërore, për hir të respektit që kanë ndaj shoqërisë dhe zhvillimit të saj, për hir të kërkesës për më të mirën e gjithë shoqërisë shqiptare prej së cilës është i ndërvarur, nuk mund të ndërrojnë “profesionin” specifik me politikën apo ideologjinë dhe aq më tepër të molepsen me pazare të variantit politik.

Ky Intelektual, është ndërgjegja jonë kombëtare, është ajo ndërgjegje që i jep nderin dhe moralin shoqërisë sonë. Janë këta, që duhet të udheheqin drejt progresit popullin e kombin dhe janë po këta që na përfaqësojnë nderin e nëpërkëmbur kombëtar në botë. Njëkohësisht është niveli më i nderuar dhe më i rrespektuar, për të cilin asnjë institucion shtetëror e mediatik nuk paraqet apo trumbeton vlerësim dhe ku as rastësia nuk e sjell promovimin e ndonjërit prej tyre. Dhe… nëse ndodh, që ndonjë media të gabojë e të promovojë ndonjë të tillë, ai me të gjitha mënyrat do të tentohet të përthithet nga grupet politike, ose do të sfumohet deri në padukshmëri…Qëllimisht i injoruar, i harruar dhe i përdorur (nuk më pëlqen ta besoj).
“Ku janë Intelektualët Realë? Përse nuk ndihen?”
Të nderuar bashkëkombas, e kryesisht ju pseudointeligjenca kombëtare dhe politikanë, kanë ikur, janë trembur. Nuk është vetëm gjëndja e tyre ekonomike apo shpërblimi material ajo që i bën të padukshëm, të ikshëm. Ata ndihen të përbuzur direkt prej politikave të shtetit shqiptar. Intelektualët janë të ndjeshëm për cdo gjë që ndodh në shoqërine tonë. Ata janë të ndjeshëm ndaj qeverisjeve, janë të ndjeshëm ndaj qeverisësve, janë të ndjeshëm ndaj çështjes kombëtare, janë të ndjeshëm ndaj harresës së kulturës dhe mendimit historik dhe përpjekjes së tyre për zhvillim. Janë të ndërgjegjshëm në përbuzjen dhe harresën e qëllimshme ndaj dhe ndjehen të revoltuar.
Janë po këta që rifillojnë karierën e tyre profesionale nga fillimi pavarësisht problemeve te emigracionit. Janë këta intelektualë që vuajnë më shumë se askush mërgimin pasi mbi të gjitha u rëndon barra e të qënit askushi në dhe të huaj dhe e harresës në vend të tyre. Është e tragjike të ikësh prej karierrës profesionale të ndërtuar me mund dhe ta nisësh gjithcka nga fillimi apo të humbasësh gjithçka në një vend të huaj.
Intelektualët realë, e lënë të fundit anijen e tyre të dëmtuar, Atdheun, si komandanti anijen, me shpresën se gjithëshka do të ndryshojë. E, kur ata ikin fizikisht e psikologjikisht, atëherë do të thotë se nuk ka më shpresë. …dhe të vdesë shpresa për vendin tonë do të thotë të mos kesh më dëshirë dhe arsye për të punuar me pasojë, kriza morale, politike dhe ekonomike, komb pa kokë, pa kombësi dhe pa ndërgjegje.
Kam mendimin se kjo është arësyeja e krizave sociale e politike në vendin tonë, mungesa e një “truri” mirëfilli intelektual në veprim, arësyeja e virtualitetit të zhvillimit të vendit tonë, gjithnjë gjysmak…
Parë kështu, mendoj se një pjesë e jona (pjesa e lejuar dhe trumbetuar tashmë) abuzon me lirinë, duke harruar se ajo ka për themel të vërtetën. E në këto kushte, kur prej grupimeve politike realisht “bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës” në cilësinë e proceseve zgjedhore, rrezikohet mohimi i institucionit shtetëror e kombëtar, shoqëria civile dhe kryesisht mediet e (pa?!) varura televizive dhe ato të shkruara duhet të nisin krijimin e një “imazhi të ri të mendimit gjithëpërfshirës”. Duke qënë se mediat janë kontakte që prekin drejtpërsëdrejti ndërgjegjen qytetare, vlen të kundër reagojnë me veprim të kundërt me ato të deri tanishmet (nëse ka edhe atje elementë dashamirës për më të mirën shqiptare dhe të Shqipërisë). Fundja le të zëvendësojnë promovimin e lakuriqësive seksi nëpër ekrane si e vetmja dukuri e pa nevojshme në shkatërrimin e një kulture kombëtare apo në kultivimin e kulturave të reja. Do të kenë më shumë “fitime” financiare mediet madje do të rifitojnë moralin për të cilin u formuan.
Postulati “Feja e Shqiptarit asht Shqiptaria”, që rëndom përdoret nga “të medhenjtë intelektualë” vetëm si postulat mediatik, mendoj se duhet të kthehet në moton e lëvizjes së mendimit dhe veprimit në gjetjen e më të mirit element shqiptar, për më të mirën tonë të përgjithëshme, sa nuk është tepër vonë. Raporti i zhdrejtë i publikimit dhe perceptimit të së vërtetës virtualisht si dhe publikimi jo real i qoftë edhe një të vërtete përcjell mohimin e pjesës më të madhe të realitetit të shoqërisë shqiptare, të cilit pafundësisht i anashkalohet e drejta e fjalës dhe e ballafaqimit të mendimit. Në këtë kënd vështrimi mendoj se duhet riparë deri ku shkon koncepti i LIRISË së jetës, mendimit, shprehjes dhe veprimit demokratik. Për këtë, sipas mendimit tim përgjegjësia e çngurtësimit i përket kryesisht medies së shkruar e cila duhet të shohë me sy më kritik publikimin e shkrimeve, pasi çdo gjë e shkruar mbetet; e duke mbetur e shkruar pa kundërshti profesionale, morale dhe qytetare, mbetet e zezë mbi të bardhë, duke hyrë kështu në ndonjë portë historie kombëtare. … e të mundohemi që në historinë tonë të themi atë që është për të thënë, të vërtetën, të mirën.
Në rast të kundërt, askush, askush nuk ka arësye të kërkojë fyeshëm dhe injorueshëm “intelektualin real”, për të askush nuk pati interes…nuk ju desh asnjë Shqiptari…dhe le të jetojmë virtualisht si komb vegjetativ dhe thjesht ekzistencial, për të cilin do të thuhet: “Na ishte një herë një vend. Me shumë male…që u popullua…populli mendoi shumë…vdiq për mendimin…Një vend ku mendimit sot nuk i gjendet as varri e as ndonjë eshtër….Na ishte një herë një Shqipëri dhe ca Shqiptarë…”
Xheni Hali (Tanini)

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 09/06/2010. Filed under Mendimi shqiptar. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.