Hapet ”Dosja e KRIMEVE të Gjen.Hilmi Seitit”

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 6649
NË SHKODER: 10 VJET NGA TERRORI KOMUNIST, JANË VEPËR E KRIMINELIT GJENERAL HILMI SEITI..!
Fritz Radovani – Nje deshmitar i kohes se gjen. Hilmi Seitit rrefen per tmerret qe pesoi vete dhe familja e tij duke qene i pafajshem:
Me daten 10 Maji 1950, rreth orës 22 të darkës një krizem jo e zakonshme e derës së shtëpisë, më zgjoi nga gjumi…Nana doli në korridor dhe pyeti se, kush asht..? U ndigjue një za i panjohtun burri që, tha: “Hape porten, jemi sigurimi i shtetit..!”. Nana hapi deren dhe, unë ashtu si ishe i çveshun nga shtrati dola pranë Nanës tek dera, tue u dridhë prej frikës kur hyne tre vetë civila. Pyetne Nanën se ku asht Alfonsi, i cili, atë kohë mërrijti nga kuzhina. Ai u përgjigj, qe ku jam…Ma zeshkani dhe trupmadhi prej tyne, i tha: Jeni i arrestuar si “armik i popullit”, ndërsa, dy të tjerët blokuen dyert për me fillue kontrollin e shtëpisë…Ai që njoftoi arrestimin e vëllaut, ma vonë mësueme se ishte shoferi i njohtun për vepra të tilla Ahmet Suji, një torturues i pashpirtë. I vuni prangat vëllaut dhe dolën përdere…Vaji i Nanës na topiti aq shumë, sa harrueme fare se në duert e kujt përfundoi vëllau maturant 18 vjeçar, që aso kohe po prëgatitej për provimet e shtetit. Edhe pse ishe 10 vjeç, arrestimet e dajave dhe të afermëve na kishin “burrnue” parakohe, tue na formue në shpirtë një urrejtje të pashoqe për sistemin diktatorial komunist, që, në Shkoder, asht kenë ma i pamëshirshmi po, edhe ma i mnershmi që ka njohtë historia në krejt Lindjen komuniste Evropjane. Të nesërmen edhe vëllau tjetër Tonini, u përjashtue nga gjimnazi, si një nga “elementët e papajtueshëm me frymen e shkollës së re revolucionare”, shënon në amzën e gjimnazit drejtori hetues Skender Villa. Unë shkojshe në klasë të V- të, po, të nesërmen, filluen edhe sofratasat që nuk na u ndanë asnjëherë për ma shumë se 40 vjet nga dera e shtëpisë…

Po, mese do të mbusheshin 26 burgjet e birucat e sigurimit të Shkodres që nga 1946..?
Rrobaqepsi Filip Daia, tha: “Toskënia paska kenë ma e madhe se Italia..!”, mbasi në të gjitha shtëpijat e Shkodres, nuk kishte një dhomë bosh…të gjitha ishin të mbushuna me oficera e halabakë të mberthyem në armë e spaleta që kishin ardhë me “ndertue” socializmin…
Mbas largimit të terroristit Zoji Thëmeli, si kryetar i degës së mbrendshme të Shkodres, në vendin e tij erdhi major Hilmi Seiti. Njihej nga mjaft përsona shkodranë, mbasi në vitët e rinisë së tij, aty nga 1939 – 40 kishte ardhë si student në Shkoder, dhe kishte kenë në konviktin “Malet tona”. Nuk dihej se nga erdhi as nga shkoi por, njihej i ardhun nga Çamëria… Dihej se, që në vitët e para mbas 1944 ishte angazhue me forcat e ndjekjes, që ma vonë u quejt “Sigurimi i shtetit”, një nga organet e njohtuna terroriste të sistemit komunist shqiptar që në thëmelimin e tij, ku, aso kohe (1950) punuen me zellë shumë nga emnat e njohtun dhe të paharrueshem për krime si: Ali Xhunga, Herakli Kocani, Qamil Gavoçi, Qazim Kapisyzi, Fahri Kraja, Rasim Mushani, Rasim Dedja, Shyqyri Çoku, Dul Rrjolli, Xheudet Miloti, Isa Miloti, Çesk Shoshi, Lilo Zeneli, Kasem Troshani, Hamdi Ulqinaku, Fadil Paçrami, Xhemal Selimi, Asllan Lici, Elez Mesi, Dulaç Lekiqi e Aranit Çelat me shokë…që, nuk lane gja pa ba mbi rininë e pleqninë shkodrane vetëm, për me zhdukë thëmelet e traditave Atdhetare të vendosuna në shekuj nga kjo qytetari.
Pikërisht, asht ajo kohë kur major Hilmi Seiti, i drejtohet ministrisë së mbrendshme me këte kërkesë nga ana e tij: “Në Gjimnazin e Shkodrës vlon propaganda antikomuniste, na dërgoni sa më parë 100 (njëqint) konviktorë nga Jugu”… (Dosja H.Seiti, Arkivi i M.M.Tiranë, 1998).
Asht viti 1949, kur kryetari i degës së mbrendshme të Shkodrës i posa ardhun për me zbatue politiken kriminale komuniste ndien nevojën se i duheshin edhe 100 “konviktorë”, 100 spijunë, 100 agjentë, 100 kriminelë, 100 komunistë, 100 kuadro të ardhëshme të sigurimit! Pra, duheshin edhe 100 katilë të tjerë, përveç atyne qindrave që ishin në çdo skutë e kand të qytetit.

Nuk i mjaftonin të Veriut, po i donte nga “Jugu..” për me realizue vepren e fillueme nga komunistët jugosllav, që në themelimin e partisë komuniste në vitin 1941 prej tyne, vepër e cila do të lante me gjak të gjitha Trojet tona, por në mënyrë të veçantë Veriun e posaçerisht ata Troje që nder shekuj i kishin ba ballë rrebeshit shovenist sllav e, që nuk u thyen kurr: Malet e Veriut!
“Partia” kje e gatëshme me ia plotsue dëshiren, kështu, u kompletue grupi i spijunve në qytetin e Shkodres dhe, rinia shkodrane do të survejohej e spijunohej nga: Ferit Mandia, Vehbi Çanga, Bardhyl Dushi, Feço Mandia, Vladimir Misja, Hajredin Çeliku, Çiril Pistoli, Iljaz Fishta, Agim Bejleri, Jonuz Dini, Haxhi Pela, Jonuz Tuli, Xhemal Dini, Sadush Kumbaro, Emil Mborja, Satber Jubani, Ilir Gjylbegu, Qemal Jashari, Jani Çomo, Angjelin Kumrija e deri tek Bep Jubani me shokë në vitin 1956, të gjithë ishin në shërbim të diktaturës dhe organit të saj terrorist sigurimit të shtetit. Si të tillë, sigurimi i dergoi me krye edhe studime jashta shtetit, prej nga këta erdhën të “formuem” si spijun dhe agjent, tue i sherbye partisë ata vetë bashkë me gra e trashigimtarët e tyne edhe sot në gjiun e partisë socialiste nën masken e “demokracisë”…
Në vitin 1950, prova e parë e besueshmënisë së Hilmisë ndaj sigurimit mbas daljes nga burgu të vetë atij, asht kenë arrestimi dhe torturat që ai i ka ba me duertë e veta studentave të Shkodres, që u arrestuen njëherësh me 10 maji: Alfons Radovani, Viktor Luka, Et-hem Bakalli, Njazi Uruçi, Mërgim Dani, Nexhip Osmani, Ferit Myftia, Pjerin Vata dhe Gjon Mark Ndoi e, mbas pak ditësh të Ismail e Olimpi Barutit…e, kur, Alfonsi u lirue tregoi se bash ai Hilmi, ishte që i ka zhgulë nga goja dhëmballët me pinca të elektiçistit që komandonte elektroshokun…

Hilmi Seiti asht ndër kryetarët e degës së Shkodres, që ka dhunue ma shumë se të gjithë të tjerët Rininë Shqiptare, tue i detyrue me dajak e tortura me nënshkrue deklarata bashpunimi me sigurimin komunist, tue i premtue vende pune apo “falje” gabimesh në tentativa arratisje dhe, asht ndër ma të shquemit që ka shburrnue Popullsinë shqiptare në brezin kufitar, tue i detyrue me spijunue jo vetëm njenitjetrin por, edhe tue i ba vegla të sigurimit për sherbime edhe në shumë shtete të hueja, tue fillue nga ShBA e deri tek UDB – jugosllave, me të cilën bashpunoi deri atë ditë që i hangri kokën… E, për këte fakt le të flasin mbarë diaspora që ka braktisë Atdheun e Trojet Shqiptare, e detyrueme me ikë nga votrat e veta shekullore për me ia lëshue shovenizmit e dreqit mallkuem veç, për me shpëtue nga arrestimi i sigurt dhe interrnimet e familjeve të tyne. Implikimi i shumë të rinjve me organet e sigurimit kur ishin në sherbim ushtarak apo kur rrëmbeheshin nga dëshira e pasioni për sport, rrekrutimi i tyne nga ana e Hilmi Seitit asht kenë dhe mbetët ende sot jo, vetëm për Shkodren, por për gjithë Shqipninë baza amorale e shkatrrimit të shumë familjeve të nderueme dhe, që, ka ndikue dhe vazhdon me kenë prap një dam i madh për çeshtjen tonë kombëtare, mbasi me djallëzi dhe inteligjencë Hilmia, ka ditë ku me prekë dhe ku me shpartallue në mënyrë të pandreqëshme edukatën e shkollave fetare të Shkodres, të cilat janë kenë vatrat kryesore të edukimit moral, kulturor, politik, ekonomik dhe Atdhetar për gjithë Popullin Shqiptar pa dallim feje dhe krahine, që në hapjen e dyerve të tyne para vitit 1900.
Nëse ka njeri që ka shkatrrue qindra familje tue i interrnue dhe tue nxi biografitë e tyne, me aq shumë pasoja për vite të tana asht Hilmi Seiti, i cili, në 1954 interrnoi dhetra familje shkodrane në Kuç të Vlonës, shumica e të cilve edhe u burgosën, vetëm, se ishin intelektual. Asht pikërisht ai grup ku përfshihej edhe daja i em Paulin Pjetër Prennushi, i cili, vuejti 4 vjet atje pa asnjë ndihmë nga familja, mbasi së shoqes nuk i epte punë askush dhe, ka jetue vetëm me ndihmën e vëllazenve të saj. Ndërsa, daja tjetër Mikel Pjetër Prennushi u arrestue nga Hilmia, në vitin 1952 dhe u torturue nga ai dhe Xheudet Miloti, në mënyren ma shtazore se ishte krejtë i pafajshëm dhe, kërkohej prej sigurimit “me pranue se ka lidhje me Muharrem Bajraktarin”, që aso kohe qarkullonte në zonat e Vaut të Dejës, ku, Mikeli punonte puntorë krahu në rruga ura. Kjo ngjau prej tij vetëm se Mikeli kishte krye akademinë ushtarake në Itali…dhe, për këte të dy katilët e dënuen 10 vjet heqje lirije, të cilat, i kreu në kampet e shfarosjes…
Po cili, ishte fati që i priste këta viktima të sigurimit përbindsh mbas lirimit nga burgu..?
– Kazma, lopata, fermat, rrugat, përndjekja, vuejtja, fukaralleku, frika dhe “etiketa” e varun në derën e shtëpisë: “Ky është armik i deklaruar nga lufta e kllasave” firma, Hilmi Seiti. Dhe, kjo “etiketë” pasohej nga trashigimtarët e tyne deri në zhdukjen e brezit të vet…
Hapni dosjen e atij katili dhe shihni se pse u gradue “gjeneral major” ai qen e bir qeni, kur, Enver Hoxha, po i prëgatiste “qefinin”…? – Pikërisht, sëpse, aktiviteti i tij plotësoi të gjitha deshirat dhe trillet e udhëheqësit të partisë, i cili, mbasi kënaqej më këta bisha në haremin e tij, kishte edhe dëshiren me u knaqë ashtu si shpjegon në librin e Tij, i ndjeri At Konrrad Gjolaj: “Atje Ai (Don Dedë Malaj, shenimi em) kishte pasë rrezik e kishte ra ndër duert e një hamsi njerzish, njëfarë Nevzat Haznedari, i cili njihej se para se me i pushkatue njerzit, kishte ajamë (qejfë, dëshirë) me i ra me levë kokës dhe, me i pa tue u hedhë si pula kur i pret kokën…” (tek libri “Çinarët”, faqe 160, viti 1996. Shkoder). Plumbi që Enver Hoxha u jepte miqve të vet ishte shpërblim i partisë për “mirënjohjen” që ai kishte për veprat kriminale të tyne..!
Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu e sa katilë tjerë, nuk e kishin sjellë pa u mendue mirë se kush i duhej atyne në Shkoder, i duhej Hilmi terroristi, që kishte dhanë prova “besnikrije” ndaj partisë me kohë në labirintet e ministrisë së mbrendshme, që atëherë, kur, Koçi Xoxe me shokë, e dërgonin tek burgu i femnave për me zgjedhë “ato” rrezikzeza me të cilat, këta amoral do të kalonin natën në pallatet e tyne luksoze…dhe, kur morën si shpërblim nga partia “plumbin kokës”, thonte, pikërisht, Ajo, … “Nëna Kate”, që kishte mbajtë çelsat e atij burgu: “Morën atë që kanë lipur me kohë ata maskarenjë..!” Dhe, nuk duhet harrue kurr se, i tillë ishte mendimi i shumë e shumë familjeve të ndershme shkodrane që, e njohtën dhe e pësuen ndër votrat e tyne imoralitetin dhe pafëtyrsinë e Hilmi Seitit me shokë…gja, të cilën, besoj e kujtojnë mirë të gjithë ata që njohtën spijunin kodosh Palush Koliqi, apo “aktoret” e teatrit “Migjeni” atë ditë… të veshuna me vela të zezë, me lot përfaqe, tue shkue mbas arkivolit të Hilmisë… Ate që para tij kerkoi toger Baba, ate i dha “partia” edhe Hilmi Seitit e mbas tij edhe Mehmetit, Kadriut, Feqorrit e me rradhë…ashtu, “si i bane hysmetin i ndiene lezetin”, tha Shkodra, atëherë…
Mos ndoshta, ju Enver Kushi, bashgjakës i Hilmi Seitit, kur flisni për “burrërinë e tij” me ato bushtrat e theatrit ju keni dashtë me përfshi edhe Gratë e Vajzat e nderueme të Shkodres, që u masakruen dhe u përdhunuen të lidhuna me vargoj anijesh ndër tavolinat e hetuesisë së atyne kriminelave të pamoral e Atdhe, si, Hilmi Seiti, Ahmet Suji, Ferit Mandija, Iljaz Fishta, Nevzat Haznedari, Dhimiter Shkodrani, Xheudet Miloti, kolonel Mehdi Bylbyli, Feqorr Shehu…etj..?
Ju, Enver Kushi, shkrueni: “Gjithashtu do të gabonim akoma më shumë nëse figurës së tij do t’i vishnin mëkatet e diktaturës komuniste. Gjeneral-major Hilmi Seiti nuk u bë pjesë asnjëherë i atyre njerëzve që me veprimet dhe instiktet e tyre shtazarake, lyen duart me gjak.
Unë nuk do të rreshtoj të pushkatuemit apo të torturuemit nga duert e Hilmi Seitit, por do të shkruej dy fakte që i kam jetue në vitët 1958 dhe 1959, jashtë tek kinema “Republika”…
Ndaj tre klerikve katolik shqiptar, të cilët nuk pranuen me firmue Statutin e Kishës, që pat përpilue shteti komunist në vitin 1950 – 51, sigurimi i shtetit pat sajue skenarët e zhdukjes së tyne, tue montue “ngjarje” të cilat Don Ejëll Kovaçin dhe Don Dedë Malaj i çuen në pushkatim, ndërsa, At Konrrad Gjolaj, vuejti burg të randë. Sajimi, organizimi, shpifjet, arrestimi, torturat, hetimet, dhunimet, gjyqet e deri tek ekzekutimet e tyne, janë vepra kriminale të Hilmi Seitit. Në vitin 1958, asht ky Hilmi, që bashkë me kolonel Mehdi Bylbylin, arrinë me detyrue me pranue Don Ejllin akuza të pandigjueme ndonjëherë në traditat shqiptare, ose ndryshej, “do të vras këtu, në sytë e motres sate…” dhe, asht pikërisht, e motra, ajo që këte e denoncon në gjyq, tue i thanë të vëllait: “Trego o Don Ejëll, sësi e ke pranue akuzen…kur Hilmia të kishte futë revolen në gojë dhe të thonte se, po nuk e pranove do ti derdh trutë këtu ndër sytë e motres sate e, ti, firmove..”.
Ndolli ajo që nuk pritej…e, mbarë Shkodra, e ndigjoi në altoparlanta të rrugve…
Pa kalue një vit, një Hero tjetër ngrihet nga rradhët e Klerit Katolik Shqiptar, e Ky ishte djali trim i Selcës, ishte i pathyeshmi nga torturat e masakrat që kishin ba mbi trupin e Tij bash tre katilët e sigurimit, Hilmi Seiti, Nevzat Haznedari dhe Xheudet Miloti, ishte Trimi Don Dedë Malaj…bashkë me shokun e vet të të gjithë jetës At Konrrad Gjolaj, që ishin rritë bashkë në bankat e shkollës së Don Alfons Trackit, në Velipojë, ishte Ai At Konrrad, të cilin pata fatin me e njohtë afër në vitin 1995 pikërisht, ajo kohë kur Ky At Konrrad, po përfundonte së shkruemi librin e Tij historik “Çinarët”, kushtue dy figurave të Mëdha, Mësuesit dhe Shokut të vet.
Po ato ditë kur Hilmi Seiti, pushkatoi Don Ejllin organizon dhe zhdukjen misterioze të Meshtarit të rinj Don Matish Lisna, i cili vdes nga helmatisja, vetëm se, “fjala e Tij kishte arritë me elektrizue shpirtin e masakruem” nga ideologjia marksiste të Rinisë Heroike Shkodrane!
Asnjëherë Shkodra nuk harron qendrimin Burrnor të At Florian Berishës SJ., At Leonard Shajakut dhe At Marjan Prelës, të cilët, vetëm, pse nuk pranojnë “me kallxue Rrëfimin” vuejtën sa vite interrnimi e burgje nga dëshira për zhdukjen e Tyne nga krimineli Hilmi Seiti, i cili me ato krime kërkonte me u veshë në spaleta gjeneralësh tue krijue simpatinë tek anadollaku mason i francezve Enver Hoxha, sherbëtor i shovenistve sllav e oriental deri ditën e ngordhjes së tij që, pa kursim për hirë të kolltukut ndihmohej nga Ramiz Alia dhe grupi servil i byrosë politike.
Lexoni vetëm atë liber dhe, shihni kush asht kenë krimineli katil Hilmi Seiti, kujt i ka shërbye, pse erdhi në Shkoder dhe, cili asht kenë qendrimi i tij gjakatarë ndaj popullsisë katolike!
– Po, cilës “diktaturë” i përkasin këta shtazë për të cilët shkrueni ju, Enver Kushi, kur dihet botnisht se sigurimi i shtetit asht kenë vegla ma terroriste, e besueshme dhe e pashpirtë që, i ka shërbye me gjithë vullnetin e vet partisë komuniste dhe udhëheqësit diktator të saj e, kur, pa këte sigurim vetë komunizmi asht i detyruem me falimentue, mbasi pa terror e gjak ai vdes?
– Pse, ju, kërkoni me çveshë pikërisht, ideatorët, autorët dhe faktet e atyne krimeve ma të shëmtueme që njeh historia njerzore e shekullit XX, të kryeme në Shkoder, nga fanatizmi anadollak komunist kundër inteligjencës, njerzve të ndershëm e Atdhetarë Shkodranë. .? – Cili asht misioni i shkrimit tuej, kur, me paturpësi flisni në emnin e një brezi dhe mijra çamëve, tue deklarue: “Për brezin tim si dhe mijëra çamër të vdekur e të gjallë, gjeneral Hilmi Seiti ishte dhe është pikë referimi i burrërisë, krenarisë, dinjitetit, besës dhe fisnikërisë çame.”….
Kush jeni ju, që njollosni gjakun e Atdhetarve Çam dhe dhunoni vorrezat e Tyne..?
– Kjo shprehje e jueja më ban me mendue shumë… e, sidomos, për Ata Shqiptarë, që në vitin 1923 – 24 ngritën zanin e Tyne kundër masakrave të grekve që banin mbi Popullin Çam, dokumenta, të cilat, Katolikët e Shkodres e Kleri i Tij i ka pasqyrue në gazetën “Ora e Maleve” e, sot, për hirë të një trathtari komunist e katil si Hilmi Seiti, shkojnë huptas të gjitha! Turp!
Mos ndoshta, edhe ju, mendoni me e rreshtue katilin Hilmi Seiti, me kriminelat tjerë që Presidenti po na i quen edhe “nderi i kombit”, edhe pse janë vrasës e spijunë t’ Ardhetarve?
– Nëse, me mendimin tuej sot, pajtohet “brezi i rinj” dhe mijra çamër, unë, do ta quejshe me të vërtetë një tragjedi kombëtare për fatin e Popullit Shqiptar e, kryesisht për Çamërinë e masakrueme! Nëse Rinia Shqiptare ka pikë referimi katilët, kasapët, terroristët, torturuesit, vrasësit, mashtruesit, dhunuesit, përbuzësit, hetusit, gjykatësit, hajdutët, falsifikatorët, amoralët, trafikantët dhe trathtarët e Atdheut, që kanë luftue dhe punue gjithë jetën e tyne tash 65 vjet, si vegla të shituna për kolltukët e tyne, për të gjithë armiqtë shekullor të Popullit Shqiptar dhe Atdheut Shqipni, tue fillue që nga gjyshat e tyne në sherbim të Turqisë dhe, tue përfundue në pinjollët bastardh e të paskrupull si Hilmi Seiti me shokë, e edhe ata, pasues që, sot, pajtohen me mendimin tuej, atëherë, nuk asht e largët dita që edhe ju, do të merrni mallkimin e Asaj Plakës Shkodrane që me shkarpa në dorë, ecte e zdathun tek fabrika e makaronave drejt Pazarit vjetër dhe, nësa, po ruhej nga një makinë “gas” që, po fluturonte nga shpejtësia, u hap dera dhe u ndigjue një za i panjohtun: “Vishi nëne, vishi pantoflet, se do ftohësh e nuk do të sherojë Zoja e Shkodres!” dhe, Plaka, që po shkonte në Kishën e Zojës së Këshillit të Mirë, brinjë Kalasë Rozafat, me 25 Prill 1960, rreth orës 10.00 paradreke për Meshën e orës 11.00, iu përgjigjë atij zani bastardh pa pritë e pa e mendue fare: “Zoja e Shkodres jarebi deri nesër, të theftë qafen..!”
Një rasë e rrallë dhe i veçantë po, me të vërtetë, ndolli:
Me datën 26 Prill 1960, papritmas u hap lajmi në Shkoder…Ka vdekë Hilmi Seiti..!
Flitej, se, sigurimi kishte kërkue me gjetë cila kje Ajo Plakë gojëmjaltë, siç, e quejti gjithë Populli i Shkodres, por nuk mujti me i ra në te… “Fjala e Saj në vesh të Përendisë..!”.
Me datën 27 Prill, mbas homazheve në komitetin ekzekutiv të Shkodres, të gjithë në rresht e pa ba za as majtas as djathtas, u drejtueme kah vorrezat e dëshmorve tek spitali civil…
Do ta mbylli shkrimin me një ngjarje të vërtetë, që ka ngja pak vite ma parë në Shkoder…
Kishte vdekë shefi i arësimit i qytetit të Shkodres, Gani Dizdari…i cili, kishte ba disa transferime në Gjinokastër dhe Berat aty nga viti 1946. Ndër mësuesit e transferuem ishte edhe zotni Paulin Çapaliku, një Burrë i urtë dhe i nderuem në qytetin e Shkodres.
Kur, funerali i Ganiut u nisë kah vorrezat e Kamanës, mbas njerzve të familjes dhe fisit ishte tue ecë me krye ultë edhe Paulini… Ata që njihnin Paulinin, filluen me dyshue se, asht apo nuk asht Paulini, ai që po printe në funeral…? Mërritën ndër vorre. Prap, pranë gropës, në rresht me familjarët edhe Paulini…Kufoma zbritët në gropë…vëndosen drrasat tërthuer dhe, puntorët e vorrimit fillojnë me lopata me hjedhë dheun…Shumë nga të pranishmit mbushin nga një grusht me dhe, e si mbas zakonit e hjedhin në gropë. Ashtu fillojnë edhe familjarët… Paulini nuk ngutët me hjedhë dheun, pret sa vjen gati fundi e, aty me dy tre pjesmarrsit që nuk kishte ma mbas tij, edhe ky hjedhë grushtin e tij me dhe…Shikon përreth dhe, sheh se disa shokë të tij po e pritshin me u këthye së bashku ndër shtëpija. Paulini, me ecjen e Tij të ngadalshme iu afrohet shokve…
Njeni prej tyne që e njihte mirë Paulinin… dhe dinte edhe telashet e jetës së Paulinit, kur ishte trasferue nga Ganiu në Gjinokaster, sillet pak me buzqeshje dhe e pyet: “Paulin, pashë Zotin, a ma thue një të vërtetë…tana po i quej rasësi, ecjen me familjarë, qendrimin tand me krye të ulun…po, një ketë qendrimin tand edhe mbas familjarve tek vorri i Ganiut, për me hjedhë një grusht dhe, gati i fundit, ndër të gjithë këta njerzë, unë, nuk e kuptoj..!”…
– Ndigjo, z. G…, mora vesht se ka vdekë Ganiu, po nuk mu besonte…shkova tue ecë mbas familjarve, se dojshe me i ndigjue me veshtë e mijë tue kja, ashtu si ka kja Nana eme një vjetë kur më ka trasferue ky mue në Gjinokaster…por, prap nuk i besova as veshve…kur, arritëm ndër vorre, dojshe me e pa tue e futë në gropë…dhe, e futne…por, nuk m’epej me e besue se asht aty në qefin i mbështjellun Ganiu…kur, i vune drrasat sipër fillova me e besue…se, edhe një burrë më tha, si, në vesh…”E mbylli këte jetë edhe Ganiu..!”, po, prap thashë, a thue me të vërtetë jemi tue futë në dhe Ganiun..? Atëherë, kur filluen me e mbulue me dhe mu mbushë mendja se asht Ganiu…se, po e shihshe edhe me sy…
Kam ndejë gati i fundit, deri sa e mbuluen me dhe se, kishe frikë se, po çohet…!
Tashti, e kam zemren rahat…!
Kështu, si Paulini…mos harroni, se shumë e shumë Shkodranë, kanë shkue edhe tek vorri i Hilmisë…e, prap ma vonë, tek vorri i Enver Hoxhës…e, kështu, Shkodranët do të shkojnë edhe tek vorret e mbasardhësve të tyne… Asaj rrugë nuk keni se ku ti dredhoni!…
Mjerë vrasësit dhe trathtarët e vëllaut të vet !

Fritz RADOVANI
Melbourne, Qershor 2010.

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 09/06/2010. Filed under Diktatura komuniste. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

2 Responses to Hapet ”Dosja e KRIMEVE të Gjen.Hilmi Seitit”

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.