Dedë Gjo Luli – Dedevukaj

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 1962
Në kohën e kryengritjes së Malësisë së Madhe kundër Turqisë, Dedë Gjo Lulit ju desht me u strehue në Podgoricë të Malit të Zi. Krajl Nikolla i Malit të Zi u takue me Dedën e me krenë tjetër të kryengritjes, u fal me të gjithë e ju suell Dedës me miklim:
– Dedë, tesh e ke kohën me u ba mik me mue! Jemi kojshi; pare dhe fyshekë të nap sa të duesh…
Deda i vrani vetullat dhe ju suell:
– Nuk jemi mish m’u shit ndër krraba!

Nuk kam frikë ta shoh armikun në sy.
Dedë Gjo Luli, i kapur në befasi nga ushtria serbe, me ndihmën e Gjonmarkajve, u vendos i lidhur para togës së pushkatimit.
– Lidhjani sytë – urdhëroi ushtarët e vet kapiteni serb Gjura.
– Nuk jam tradhëtar i atdheut tim – u përgjigj krenar Dedë Gjo Luli – që të vdes me sy mbyllur pa i hedhur shikimin e fundit dheut që do të më mbajë në gji. Përkundrazi, po vdes kryelartë, se gjithë jetën kam luftuar që vendi im të jetë i lirë. Dhe ju që po shkelni sot këtë vend, të jeni të sigurtë se ky dhé nuk ju mban: ose do të hyni nën të, ose do të largoheni që këtej.
Ja pse nuk kam frikë ta shikoj armikun në sy.

Pushka top!
Kral Nikolla kërkonte ta bënte për vete Dedë Gjo Lulin. Për këtë qëllim organizoi një takim në Vrellë, në verilindje të Podgoricës. Dhe aty, duke treguar se gjoja i dhimbseshin malësorët, i tha:
– Or Dedë Gjo Luli, gryka e pushkës sate është e ngushtë, vetëm duke pasur pranë e në krah Malin e Zi të bëhet pushka si grykë topi.
Deda, krenar, ia priti aty për aty:
– Me të vërtetë o Kral, gryka e pushkës time është e ngushtë, por duke u ndodhur midis maleve shqiptare, ato ma bëjnë grykën e ngushtë të pushkës sime më të gjerë e më të fuqishme se grykën e topave të ushtrisë sate.

Pushkë e ngritur për Shqipërinë
Nga fillimi i vitit 1913, Dedë Gjo Luli shkoi në Vlorë për t’u takuar me Ismail Qemalin.
Plaku i Vlorës e priti dhe e përcolli me ndere të mëdha. Një i ri, sekretar i qeverisë së re që nuk e njihte Dedën, pyeti Ismail Qemalin:
– Pse ia bëtë gjithë këto ndere këtij malësori?
Plaku u përgjigj:
– Dedë Gjo Luli është pushkë e ngritur për mbrojtjen e Shqipërisë.

Nga jeta e Dedë Gjo Lulit
1860-1915
Ti, zotni, mund të shesësh kopshtin tënd!
Kur Shkodra më 1913 mbeti nën administrimin e komisionit ndërkombëtar, në një mbledhje të organizuar në Saraj të Shkodrës, admirali anglez Sesil i tha Dedës:
– Hoti dhe Gruda janë mbaruar, duhet të qëndrojnë jashtë kufijve të rinj të Shqipërisë.
Deda u përgjigj si me shpatë:
– Ti, zotni, mund të shesësh kopshtin tënd. Se atë tonin ne as e shesim as e falim, por e mbrojmë me gjak.
Shqiptari nuk vështron eshtrat, por zemrat…
Krali i Malit të Zi që deshte të bindë Dedë Gjo Lulin të lejonte ushtrinë e vet të hynte në Shqipëri i tha një ditë:
– Or Dedë, malësorët e tu janë vetëm një grusht eshtrash përpara taboreve të Turqisë. Pranoni ndihmën tonë që të shpëtoni.
Deda ia priti:
– Shqiptari nuk ka parë tek vetja kurrë eshtrat, por zemrën.
“Ne kemi vetëm një flamur”
Në gushtin e vitit 1910, Dedë Gjo Luli me luftëtarët e vet u ndesh me kral Nikollën në fshatin Vrellë.
– Unë kam miq të mëdhenj, si Rusinë, dhe flamurin tim e njeh gjithë bota – u tha Krali. – Futuni nën hijen e flamurit tim dhe t’i biem së bashku osmanllisë.
– Ta dish mirë o kral Nikolla, se shqiptari nuk ka luftue e derdhur gjak për të ndrrue flamurin e Sulltanit me atë të Malit të Zi, por për të pasë në krye flamurin e Skënderbeut. Pa ty e kemi filluar luftën e pa ty do ta mbarojmë. Ne kemi vetëm një flamur: tonin.
Shpinën e keni të sigurt
Kur plasi kryengritja në Malësi të Madhe në vitin 1911, kral Nikolla i Malit të Zi i dërgoi Ded Gjo Lulit këtë lajm:
– Bini osmanllisë pa frikë, se pas shpinës suaj më keni mua!
Ded Gjo Luli, që ia njihte pabesinë kralit malazes, mblodhi bashkëluftëtarët në kuvend dhe u tha:
– Burra, ta ndajmë ushtrinë dysh. Një pjesë kundër Shefqet Durgut Pashës e tjetrën kundër kralit!
– Pse, a do me hy në luftë me ne krali, a?
– Jo, por kur thotë ai se më ke pas shpine, ai nuk të ruan por të ngul thikën!
Një gazetar i huaj e pyeti Ded Gjo Lulin:
– Si është e mundur që një grusht luftëtarësh si ju të ndeshen me Portën e Lartë?
Trimi i maleve u përgjigj me pak fjalë:
– Shqiptari është ah, nuk është shelg që të përkulet.
Ded Gjo Luli kërkonte një flamur të madh me një shqiponjë të qëndisur në mes:
– O Ded, – i thanë shokët e çetës, – kemi nevoja të tjera më të mëdha.
– Jo, bre burra, – ua priti Deda, – në krye duhet flamuri se ai i ka të tana brenda: besën, zakonet, doket, trimërinë, bashkimin, luftën dhe fitoren. Ai ka gjakun e të parëve tanë që skuq e na prin!

Copyright Proletari.Com

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 04/06/2010. Filed under Patriotët. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.