Problemi i ndasive politike në Shqipëri

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 3921
Shoqëria e sotme në shtetin shqiptar është në një krizë të thellë e të gjithanshme morale që, në dukje të parë, ngjan sikur nuk ka se si me pasë shërim. Shteti është i kapur, paria është e korruptuar, administrata është e kriminalizuar, shoqëria civile është e paralizuar, ekonomia është e bazuar në shërbime e shitblerje dhe, shoqëria është moralisht e ç’orientuar e pa vlera të përbashkëta. Mbi të gjitha, në shtetin shqiptar ka një shterpësi vlerash e modelesh lidhur me rrugët që duhet të ndiqen e me zgjidhjet e përshtatshme për të dalë nga kriza, ç’ka ka krijuar përshtypjen mbytëse se ai vend është i pashpresë dhe i dënuar të mbesë në këtë qorrsokak. Niveli i diskursit politik është mjeran, materializmi është sundues e rampant, zvetënimi moral i parisë është i prekshëm dhe ka dalë krejt sheshit, mungesa e alternativave dhe mosbesimi në alternativat ekzistuese kanë krijue një boshllëk të jashtëzakonshëm vlerash.
Një nga aspektet kryesore të jetës politike ku manifestohet kjo krizë vdekjeprurëse e moralit në shoqëri është organizimi dhe manipulimi i paskrupullt i ndasive politike nga ana e parisë së Tiranës. Në të gjitha shoqëritë e tjera që dolën nga sistemi i mëparshëm në perandorinë sovjetike, ndasitë sunduese politike janë kthyer në rregullsitë e në shtratin tradicional. Gjithkund, njerëzit mbështesin parti e struktura që janë të bazuara në besimin fetar, në identitetin kombëtar, në interesat materiale, apo në territorin. Shteti e kombi janë kthyer në qendër të vëmendjes dhe mbrojtja e interesit kombëtar është parësore për paritë e këtyre kombeve e shteteve.
Në këtë drejtim, në shtetin shqiptar ka ndodhur një paradoks i jashtëzakonshëm dhe i papërsëritshëm. Ndasitë politike sunduese në kohën e tanishme në shtetin shqiptar janë identike me ato të periudhës së mëparshme. Ndasia kryesore që ua lehtëson shumë punën partive politike me marrë mbështetjen e njerëzve është ajo komuniste-antikomuniste. Sjelljet e individëve, lidhjet e tyre politike, besnikëria klasore e sociale të gjitha gjykohen përmes këtij këndvështrimi. Kjo gjendje polarizimi e kundërvënieje ka arritur një nivel histerie e ekstremizmi të tillë që gjithkund tjetër do të ishte e frikshme.

Mekanizmi që përdor paria e Tiranës për ta kontrolluar e menaxhuar këtë gjendje është shumë i sofistikuar. Teknika e saj e preferuar është denigrimi e izolimi i kundërshtarëve, dhe këtu arma me e përdorur është shpifja. Për shkak se njerëzit nuk munden më ditë se ç’ka ndodh, ato bien lehtësisht pre e insinuatave dhe shpifjeve që dalin nga fabrikat e segmenteve respektive të parisë. Në një shoqëri ku ka gati 70 vjet që nuk është marrë vesh se ku ka fillue e vërteta dhe ku fshihet lepuri i mashtrimit, ku besimi tek lajmi fillon e mbaron tek personi e jo tek vlerësimi i fakteve, ku thashethemet trajtohen si e vetmja rrugë më marrë vesh të vërtetën, shpifja është instrumenti i zgjedhur dhe i preferuar. Dhe paria e Tiranës e ka përdorur shpifjen me efikasitet të jashtëzakonshëm për të denigruar, izoluar dhe eliminuar të gjithë kundërshtarët e saj. Mbi të gjitha, paria e Tiranës e ka përdorur shpifjen për të ruajtur ndarjen artificiale politike në mbështetës e kundërshtarë të segmenteve sunduese të saj. Shpifja është mjeti i preferuar për të manipuluar ndasitë politike dhe për të marrë legjitimitetin nga mbështetësit e parisë.

KONTROLLI I NDASIVE
Polarizimi ekstrem i shoqërisë shqiptare është i qëllimtë. Si pasojë e këtij polarizimi të qëllimtë të parisë, vendi duket i përfshirë nga një luftë intensive klasash që herë-herë duket shpërthyese dhe që e çon vendin në prag të një 1997-te të re. Mirëpo kjo luftë është imagjinare sepse paria e mban vendin në tension vetëm pse i intereson asaj por nuk e ka përplasjen për së vërteti. Një veçanti e kësaj lufte klasash imagjinare është se ajo nuk zhvillohet më nga shteti i manipuluar nga paria kundër popullit të vet por zhvillohet nga dy palët e parisë për interesat e veta të ngushta kundër popullit dhe kundër vetë shtetit të tyre.
Gjithashtu, duhet thëne se kjo përpjekje e pandalshme e parisë së Tiranës është një lufte e klaneve dhe strukturave kriminale në nivel të shoqërisë me kapë e me kontrollue shtetin. Duke i përdorur masat e gjera të popullit, mbështetësit, funksionarët, militantët por edhe familjet e këtyre kategorive si armë mitingash në përplasjen e tyre për pushtet, segmentet e parisë kanë krijuar një gjendje dramatike që e ka paralizuar shtetin e mpirë shoqërinë shqiptare. Mendësitë e perceptimet e këtyre dy grupimeve që mbështesin njërën palë apo tjetrën palë të parisë, janë të papajtueshme e diametralisht të kundërta.
I shtyrë e i cytur nga paria e vet dhe nga zallamahia mediatike e propagandës partiake dhe e mercenarëve të parisë së Tiranës, populli shqiptar po ecën në dy kahe të kundërta të rrugës. Po të vazhdohet të ecet në këtë rrugë, përplasja është e paevitueshme, dhe është vetëm çështje kohe para se plaga e malcuar të shpërthejë. Dhe e keqja është se duke dashur ta shmangë urrejtjen e popullit prej vetes, paria e Tiranës qëllimisht e drejton atë urrejtje të mbështetësve të vet drejt pjesës tjetër të popullit. Asgjë nuk e ilustron këtë qëndrim me mirë se thënia e Berishës në vitin 1995 gazetarit amerikan Peter Lukas (e botuar ne librin e këtij të fundit) “mbas meje u baftë qameti.” Në qendër të interesave të parisë janë ato si individë, mandej familjet e tyre, mandej klani që i mbështet. Të gjithë shqiptarët e tjerë janë mish për top në përplasjen e tyre.

DENIGRIMI DHE IZOLIMI I INDIVIDEVE KUNDERSHTARE
Në thelb të këtij problemi kyç të përplasjes së pandërprerë të popullit shqiptar për hir të parisë e në shërbim të interesave, qëndrojnë sistemet e ndryshme të vlerave të parisë që janë përvetësuar nga masat dhe janë kthyer në botëkuptime të tyre. Tragjikomedia është se dy partitë kryesore janë të mbështetura në sisteme vlerash paradoksale e jashtë kohës që jetojmë. E vërteta e pastër është se të dy palët i përdorin këto sisteme vlerash absurde për të fshehur e për të mbuluar mbrojtjen e interesave të tyre jetike në ekonomi, në përpjekjen për kontrollimin e shtetit, të sistemit të vlerave dhe të gjithë shoqërisë. Kështu, Partia Socialiste drejtohet nga një kupolë mafiozësh që kontrollojnë sektorë të caktuar e të rëndësishëm të ekonomisë, ndërsa PD drejtohet nga familja e kriminalizuar e kryeministrit Sali Berisha. Militantët që mbështesin partitë e simpatizantët e tyre janë thjesht partizanë, tifozë, interesaxhinj, të paguar, shpesh edhe fundërrinat e shoqërisë, mirëpo këto që bërtasin më shumë, dëgjohen edhe më shumë.
Gjithsesi, në sipërfaqe por edhe më shumë në thellësinë e bindjeve të mbështetësve të tyre, dallimet në pikëpamje midis palëve të parisë së Tiranës janë të prekshme e krejtësisht të papajtueshme. Të dy forcat kryesore dhe satelitet e tyre kanë interpretime të kundërta për rrugën që duhet të merret nga shqiptarët si popull, për zgjidhjen e problemeve bashkëkohore, e mbi të gjitha për vlerësimin e së shkuarës së shqiptarëve nën sundimin e Enver Hoxhës dhe të parisë së Tiranes gjatë tranzicionit. Por matanë përplasjes së mbështetësve të tyre, paria ka mirëkuptim dhe segmentet e saj i ruajnë rrugët e komunikimit me njëri-tjetrin. Matanë gjuhës së helmatisur qëndron oferta për të zgjidhur problemin. E shkuara është e manipulueshme deri në ekstrem, por sa kalon kriza, ajo duket sikur harrohet. Kjo është një pari që e bashkon krimi i përbashkët. Këto ia hanë mishin njëri-tjetrit, por kockën ia lënë.
Mirëpo, në sipërfaqe, e gjithë politika e sotme e parisë së Tiranës sillet e përsillet rreth interpretimit të së shkuarës, rreth injorimit të së tashmes dhe heshtjes apo mashtrimit të hapur rreth së ardhmes. E vetmja mënyre që paria ka gjetur me i mbajtë njerëzit të lidhur për strukturat e saj politike është me i bindë që ato kanë qenë të persekutuar në një periudhë ose në një tjetër. PS, Gramoz Ruci e të gjithë rrotull tij luftojnë me e bindë ‘popullin e majtë’ se kanë jetuar mirë në kohën e Enver Hoxhës dhe se ata e fëmijët e tyre duhet t’ia dinë për nder PPSH por edhe se Salihi është armiku i tyre për vdekje dhe ato nuk mund të jetojnë mirë sot pikërisht për shkak të Salihit. Nga ana e vet, PD e Salih Berisha, se në fund të fundit, PD është Salih Berisha, lufton me i bindë mbështetësit e vet, ‘popullin e djathtë’ se ata kanë qenë ‘të persekutuar’ nga sistemi i atëhershëm, dhe se Salihi është Skënderbeu që i ruan prej ‘balozave të zinj’ të PS-së. Vendet ndërrohen kur vjen çështja e trajtimit të këtyre grupeve gjatë tranzicionit. PS mundohet t’i bindë mbështetësit e vet se ata janë të persekutuar nga Salih Berisha por nuk e japin një cent nga perandoritë që kanë ndërtue. Nga ana e tij, Salih Berisha mundohet të paraqitet si mbrojtësi i këtyre ish-persekutuarve, dhe njeriu që i mbron dhe i shpëton nga komunistët duke e çuar vendin e shtetin pikërisht atje ku iu intereson këtyre armiqve të tij. E kështu vazhdon loja e parisë së Tiranës, “shaju ditën, puthu natën,” ruaj interesat e shpinën e njëri-tjetrit, ndërsa shqiptarët vazhdojnë që të mos jetojnë jetën normale që ata e meritojnë.
Pra, përplasja midis dy palëve të parisë është reale por jo vdekjeprurëse sepse ato i kalkulojnë mirë veprimet e tyre ndërsa gjendja duket e nderë dhe përjetohet dramatikisht vetëm nga njerëzit e thjeshtë. Lojtarët kryesorë të parisë merren me njëri-tjetrin në mënyrë racionale, ia dinë pikat e dobëta njëri-tjetrit, dhe përdorin teknika për të ndërtuar e për të mbajtur ndasi artificiale politike që në Tirane kanë qenë tejet të suksesshme dhe i kanë izoluar të gjithë ata që mund të flasin kundër parisë. Teknika është e thjeshtë: kundërshtari paraqitet sikur i përket palës tjetër dhe sapo të fillojë tamtami në media, mbështetësit respektivë që lexojnë vetëm një gazetë krijojnë një bindje për persona, politika e interesa që është pikërisht ajo që don kryetari i partisë respektive.
Paria nuk e bën luftën me kundërshtarët e vet për t’i zhdukur. Ajo don vetëm t’i paralizojë e t’i bëjë inefektive, me gjuhën e tyre “t’ia heqë gjarprit dhëmbin”. Sa kohë që njerëzit nuk janë në lojë politike, sa kohë që nuk janë të rrezikshëm, sa kohë që ato nuk flasin, sa kohë që ato shiten e blihen, sa kohë që tremben për vdekje nga shantazhi e kërcënimi, atëherë janë punët mirë, sepse vetëm ashtu paria mundet me vazhdue me vjedhë si i don qejfi e pa frikën e ndëshkimit.
Përpjekja e tyre themelore është që të mbajnë bashkë kopenë e mbështetësve të tyre dhe të mos e lënë që të shohë dritën e ditës, të vërtetën, e as interesin e tyre real e jetik si qytetarë e si shqiptarë. Dhe, ç’ka është më e keqja, përditë e më shumë, ata e shohin vetën si çobanë të kopeve të mbështetësve e popullin shqiptar si bagëtitë e tyre. Duke dashur ti mbajnë kopetë e tyre bashkë, ato mundohen ti vulosin të gjithë njerëzit si kundërshtarë apo mbështetës, ti përçajnë e t’i izolojnë, ti trembin me ‘gogolin’ apo duke imituar ujkun. Kush është nuk është me njërën palë “ipso facto” është armik dhe është me palën tjetër. Figurativisht, instrumenti që përdoret për të mbajtur kopenë bashkë nuk është me zagari i stanit, por gazetarët, televizioni, radio si dhe mercenarët e tjerë të shtypit. Dhe natyrisht shpifja e thashethemet janë instrumenti i preferuar i parisë.
Në momentin që dikush thotë të vërtetën, ajo e vërtetë kalon në filtrin e interesave të parisë ose të segmentit të interesuar të saj. Në momentin që dikush nuk pajtohet me krimin që po ndodh në shtetin shqiptar, ai duhet të paraqitet si persekutues i kopesë që i shkon mbrapa kryetarit të radhës, ‘ky është ujk i veshur si dele’. Në mos qoftë persekutues, atëherë duhet të paraqitet si nipi, djali i hallës, vajza e tezes, apo si dhëndri i kriminelit ose si nusja e persekutorit.
Tragjedia është se në një vend ku PPSH sundoi për 40 vjet e ku dy bijat e saj, PD e PS, kanë sunduar bashkë për gati 20 vjet, ka persekutorë sa të duash bile mundet me u thanë lirisht se nuk po merret vesh se kush asht persekutori i kujt. Të gjithë janë të lidhur me persekutorë, realë apo imagjinarë, të gjithë kanë persekutuar gjithkënd, gjithkush ndjehet sinqerisht i persekutuar dhe askush nuk thotë se ka persekutuar kënd dhe kjo është ajo që i intereson parisë. Por kriteri është se kur nuk i intereson parisë, je persekutues dhe kur i intereson asaj je i persekutuar.
Në një vend ku shteti ka qenë njëherë e për kaq shumë kohë krejtësisht i plotfuqishëm lidhja me shtetin ka qenë jetike për grupe e individë që kanë dashtë me mbijetue. Ai ka qenë sistemi, njerëzit nuk kanë njohur botë të tjera dhe në atë sistem janë përpjekur më i gjetë zgjidhjet e problemeve të tyre jetike. Kanë ba kompromise, janë ndje keq, kanë qenë të instrumentalizuar prej shtetit por kanë mbijetue. E shkuara e tyre që dikur është duke normale tash është kthyer në armen që i mban peng, nuk ka rëndësi se të kujt, të krimit të PS-së ose peng të krimit të PD-së. E kështu, njerëz që mund të ishin shqiptarë të mirë, qytetarë të mirë, zyrtarë të afte, njerëz me botë, njerëz që kanë dashtë një jetë më të mirë, më të ndershme me shpresë e me dinjitet janë shuar në heshtje e janë tretë e po treten në harrim. Këta të mjerë janë varrosë gjallë në të shkuarën e tyre. E varrmihësi ka qenë paria e Tiranës që i mban peng me të gjithë mënyrat e mundshme, me dosje, me bukën e gojës, me kërcënime, me shpresa boshe e natyrisht me shpifjen.
Tash 20 vjet në tranzicion kemi një shtet që është krejtësisht i pafuqishëm. Në këtë shtet parimi kryesor është ‘haja qenit pija qenit e hajt t’i bijmë karadyzenit.’ Në këtë kohë të vështirë për shqiptarët lufta për kontrollin e burimeve materiale e të shtetit ka qenë e frikshme dhe shteti ka pasur për të gjithë e të gjithë janë turrur me vjedhë sa ma shumë. Sot, edhe pse e kuptojnë se ku i ka futur paria e Tiranës, shumë shqiptarë janë të pazotët me folë, e shohin veten të përdorur, nuk dinë rrugë të tjera, e kanë humbur ndjesinë e nderit e të dinjitetit, ose janë ndry në jetët e tyre e po shkatërrohen pse sistemi të detyron që për me jetue, të merresh vesh edhe me dreqin tre herë në ditë. Shkurt, lufta e objektivi i parisë ka qenë që askush të mos mundet më ikë prej lëmshit të krimit e të gëlbazës morale ku e ka synimin me i futë paria e Tiranës. Deri tash, ajo duket se ia ka arritë qëllimit. Njerëzit bajnë krime si me kenë kurrgja, sepse paria e Tiranës ia ka futë mendësinë e burgut e të kampit të përqendrimit, ku objektivi kryesor është me mbijetue vetë edhe pse ndoshta kjo kërkon me shitë shpirtin tënd e ardhmërinë e fëmijëve.
E si pasojë, persekutimi nga ana e parisë ka marrë forma të ndryshme dhe me pasoja të rënda për shoqërinë që shpesh kanë shkuar deri në neuroza e histeri kolektive. Në këtë përpjekje për me mbijetue në llumhanën morale të Tiranës, gjithkush e shet veten për ç’ka nuk ka kenë e ç’ka nuk don me kenë, gjithkush mundohet me u shitë si mbështetës i dikujt edhe pse e din mirë se ai njeri nuk ia don të mirën, shoqëria nuk ka standarde të pastra morale, nuk ka sjellje civile publike e përgjegjësi shtetërore dhe, me i ra shkurt, kjo është njëlloj si festa përrallore e shtrigave dhe e vampirave që nuk ngopen me rropullitë e të gjallëve e të vdekurve. E kush e ndërpret orgjinë e parisë së Tiranës, është automatikisht i klasifikuar si persekutues dhe duhet dënuar e eliminuar jo vetëm nga paria, por mbi të gjitha nga mbështetësit e saj. Sa kohë që nuk ka kundërshtarë të hapur, orgjia konsiderohet realiteti i jetës për të gjithë shqiptarët që mendojnë se kështu është e sillet e gjithë bota. Të paktën këtë ua thotë përditë e tridhjetë herë në dite arsenali mediatik i segmenteve të parisë.
Shkurt e përmbledhtas, objektivi i përbashkët i PS-së dhe i PD-së është me i mbajtë njerëzit peng, me i zvetënue, mos me i lanë me kenë njerëz, me i zhveshë nga çdo gjë njerëzore. Asgja që qëndron në rrugën e tyre të pasurimit e të sundimit nuk duhet me mbijetue. Mirëpo, paria e din mirë se edhe këto njerëz që sot po bajnë kompromise me gjithçka, prej nderit deri tek fëmijët e tyre, e që po përçudnohen prej hallit apo prej zorit, nuk kanë me harrue. Njerëzit munden mos me folë por të gjithë e dinë se prej kah po iu vjen e keqja. Herët ose vonë do të shuhen edhe këto, do të treten në harrim e si brezat e mëparshëm, do të varrosen në të shkuarën e tyre. E keqja nuk ka emër e përkatësi. Po ka shumë të ngjarë që disa prej tyre do të gjejnë forca për të luftuar të keqen e për të synue me ndërtue një jetë më të mirë. E të gjithë ata janë e ardhmja e atij vendi e miqtë e mi.

NJE RAST QE E ILUSTRON MANIPULIMIN
Unë jam njeri, një shqiptar prej atyre të shumtëve që nuk kam pranue e nuk pranoj që fatin tem me ma vendosë paria e Tiranës. Unë due me mbetë njeri i lirë dhe kam luftue e do të luftoj me e ruejte lirinë teme me çdo kusht. Por, si një nga ata njerëz që don me e thanë të vërtetën lakuriq, unë e di mirë se thania e së vërtetës ka një çmim të rëndë. Nuk mundet kush me hi kollaj midis qenit e ujkut e presë së tyre, nuk mundet kush me hy midis parisë së Tiranës e popullit shqiptar sepse atëherë je armiku i saj i betuar. Mua kjo më nderon, ma mirë me vdekë vetëm e duke e luftue të keqen se sa me heshtë e me u ba pjesë miratuese e orgjisë së parisë, por jo të gjithë mendojnë në këtë mënyrë.
Persekutimi i atyre shqiptarëve që si unë nuk pajtohen me gjendjen e me parinë e Tiranes është i nivelit të terrorizmit shtetëror. Në shtetin shqiptar nuk mundet e nuk guxon kush me dalë e me thanë se paria e Tiranës është kriminale. Nuk guxon kush me dalë e me thanë se ajo që po bën kjo pari kundër të gjithë shqiptarëve është një krim i pashembullt në historinë e njerëzimit. Nuk mundet kush me dalë e me thanë se ato që shiten si shpëtimtarë janë banditë me çizme. Nuk mundet kush me thanë se ato që shiten si jetëdhënës janë varrmihës. Nuk mundet kush me e thanë të vërtetën sepse edhe ato që e thonë e kanë të humbur kredibilitetin, thjesht sepse kanë qenë pjesë e parisë apo sepse i kanë shërbyer asaj. Mënyra se si paria e kontrollon popullin është duke e mbajtur të lidhur mbas një rrene e mashtrimi gjigant, një top gëlbaze morale që ka përlye shumë vetë e që duhet me përlye gjithkënd për mos me lanë kënd me folë kundër saj e kundër interesave të saj e në mbrojtje të interesave të shqiptarëve.
Thania e së vërtetës në Tirane e ka një çmim, edhe ma të madh se në kohën e sistemit totalitar. E kështu, si edhe e kam ditë mirë dhe e kam pritë, disa ditë më parë u vura në shënjestër të arsenalit mediatik të Partisë Demokratike. Në një intervistë tek “Gazeta Shqiptare”, disa ditë më parë ia rikujtova disa të vërteta Salih Berishës, por vetëm disa ama. Edhe ilaçi ma i mirë me ta dhanë tanë përnjëherë të vret, e jo më helmi i së vërtetës që ai përpiqet me e harrue e me ndryshue. Njeriun mundesh me e hekë prej së keqes por të keqen nuk mundesh me e hekë prej njeriut. Salihi kujton se të gjithë jemi si Ben Imami. E ka gabim.
Për një numër arsyesh, të vërtetat që them unë e kanë prekur rëndë Salih Berishën dhe për këtë është hedhur në sulm. Nuk e di arsyet e sakta, sepse në sjelljen e tij Salihi është edhe serioz edhe karagjoz dhe vetëm ai e din se kur është njeri e kur është tjetri. Megjithatë, mendoj se Salihi nuk është fort i sigurt se mund ta mbajë masën e mbështetësve të vet të lidhur mbas vetes me rrenat e përditshme. Për këtë arsye, kur del dikush që thotë do të vërteta që e nxjerrin si njeri që luan me të vërtetën, Salihi e ndjen për detyrë me e thye atë njeri me çdo mënyre. Puna është se tek mbështetësit e tij ai duhet me ruejtë imazhin e paprekshëm të Salih liderit edhe pse harron që për të njëjtën gjë ka thënë disa versione të ndryshme. E mbështetësit e tij janë të persekutuarit, ish-pronaret, ata që nuk i durojnë pjesëtarët e tjerë të parisë së Tiranës dhe lukunia e arrivistëve, të pandershmëve, puthadorëve, e servilëve të tij e të klanit të familjes së tij që janë si shumë. Sa për këto kategoritë e fundit, Salihi e din se e kanë një çmim dhe se mua këto grupe e individë më interesojnë vetëm si grupe që duhen luftuar. Ai e din se këto grupe e individë ai i ka gjithmonë në anën e vet. Prandaj edhe sillet si lumpen e përfaqësues i denjë i asaj mendësie.
Salihi e din se unë e të tjerë që nuk pajtohemi me gjendjen kërkojmë me bashkëbisedue me shqiptarët e vërtetë, me ata që iu dhimbset kombi e vendi, që e duan të ardhmen e fëmijëve të tyre e që duan të jetojnë me nder në një shtet ligjor e që ua ruan nderin e ua vlerëson kontributin. Frika e Salihit është që në sytë e të persekutuarve, të pasardhësve të familjeve të patrioteve shqiptarë, të intelektualëve të ndershëm e të atyre që e duan një shtet shqiptar ndryshe, që sot e mbështesin Salihin se nuk kanë alternativë tjetër të besueshme, ne do të shihemi si njerëz që thonë të vërtetën. Mirëpo, për të, unë e të tjerë si unë duhet të dalin me çdo kusht e me çdo mënyrë si vegla të sistemit të mëparshëm, e në mos u realizoftë ajo gjë, ne duhet të dalim si njerëz pa nder e pa karakter, njerëz pa karakter, të pandershëm, me dy fytyra, spiunë të Sigurimit, të shitur tek UDB vrasës të shqiptarëve. Salihi don me na pa si veten e vet.
Shkurt, qëllimi i Salihit është qe me këtë sulm tejet personal, të më portretizojë si agjent të Sigurimit, si pjesë të sistemit të atëhershëm dhe si persekutor të këtyre shtresave. Me këtë vulë, Salihi mendon se e ruan masën e mbështetësve, në veçanti ato grupe e individë që janë në PD prej hallit. Ai mendon se ato do të imunizohen prej meje dhe çdo gjë që mund të them unë e të tjerët si unë do të shihet me dyshim e si e pa vlerë, për shkak të stigmës që ai kërkon të më ngjisë si persekutor i tyre. Kësisoj, gjithçka që ne mund të kemi ba në jetë zhvlerësohet. Jo vetëm aq, por as unë, e asnjë nga miqtë e mi nuk mund të jemi me rrezik për pushtetin e tij kriminal mbi PD-në e për atë vetë. Por i ka ba llogaritë me të bijën e të birin, e jo me mua.
Rasti që përdori si evidencë dhe që u mundua t’ia shiste mbështetësve të vet është ky më poshtë. Në vitet 1976-1977, kur kam qenë në shkollën e mesme, kam pas njohur një njeri që kishte dalë prej burgut dhe dukej shumë i kulturuar dhe shpesh me të, me shokë e me individë të tjerë shkëmbenim mendime për letërsinë, artin e kulturën. U bëmë miq dhe flisnim për letërsi e për mjaft çështje të tjera përfshirë këtu edhe problemet politike, herë në grup e herë vetëm. Kur u pyeta se për çka fliste ky njeri, unë thashë ato vetëm që kishte thënë në grup, por nuk thashë asgjë nga ato pika e tema që i kishim diskutuar dorë për dore. U distancova prej tij dhe vazhdova rrugën time. Kur e arrestuan për tentativë arratisje e formim grupi armiqësor, u thirra dëshmitar në gjyqin e tij dhe atje përsërita të njëjtat gjëra që ai i kishte thënë publikisht në prani të të tjerëve dhe të cilat nuk kisha se si të mos i thosha, sepse i kishte thanë para shumë vetëve, por nuk pranova të bëj dëshmi të rreme, dhe as nuk thashë gjë që mundte me e rëndue. Në dëshminë time theksova që ky njeri nuk më ka bërë propagandë armiqësore, që kemi folur vetëm për libra e autorë të ndryshëm e kaq. Nuk thashë gjëra të tjera që i dija e që mund ta rëndonin shumë atë njeri. Ky është një rast fatkeq si për të ashtu edhe për mua por në të cilin mendoj se jam absolutisht i pastër. Ai është dënuar jo për letërsinë por për tentativë arratisje, për organizim grupi armiqësor. Ky është rasti që kërkon të përdorë Saliu dhe shpura e puthadorëve të tij për të më njollosur mua.
Tash duhet thanë se e vërteta është se duke qenë shumë i interesuar për librat, letërsinë, filozofinë, gjuhët e huaja e të tjera, unë kam hyre e kam dalë, kam dhënë e kam marrë me thuajse të gjithë ato individë, në burg apo jashtë burgut që kishin diçka me më ofrue në ato kohë; jo vetëm në Shkodër, por në Tiranë e më gjerë, shumë kushërinj të mi të afërt e të largët e miq të vjetër të familjes sime. Jo vetëm që atyre nuk iu ka hyrë një ferrë në këmbë prej meje, por ka pasur prej atyre që i kam ndihmuar si me të holla, si në mënyra të tjera.
Në atë marrëzinë e histerinë kolektive që në sipërfaqe e kishte kapllue shoqërinë shqiptare të asaj kohe, vlerat e mia e jetën time personale unë i kam kultivue dhe i kam ruejtë me fanatizëm. Nuk ma merr mendja se ka pasur studentë në Shkollen e Bashkuar në vitin 1979-80 që e kanë pasur dosjen e hapur pse kanë mbajtë e lexue Biblën apo pse kanë folur për libra të tjerë të ndaluar që të tjerët as nuk e imagjinonin se ekzistonin. Ka pasur pak njerëz që kanë shkuar në depot e kombinateve ku mblidheshin librat e ndaluar apo në tavanet e komiteteve ekzekutive dhe kanë mbledhë libra të vjetër e të rrallë që po shkonin për karton. Dhe gjatë atyre viteve, ma e shumta që kam mundë me ba, ka kenë me ruejtë veten. Njerëzit kanë pa tek unë atë që kanë dashtë me pa, dhe unë iu kam tregue atë që kanë meritue. Edhe Salihit kur i erdhi koha.
Mendoj se kthesa e madhe për mue ka ndodhe në vitin 1981 me pranverën e Kosovës. Më vjen mirë disa nga shkrimet e botuara prej meje e ruajnë atë vit si datë krijimi. Ai vit ka qenë viti i tradhtisë së madhe kombëtare. Unë gjithnjë e kam numërue veten nacionalist shqiptar dhe mendimet që kam pasë nuk i kam ndrrue për një sekondë as atëherë, e as tani. Më duhet më e thanë pa pikë modestie se nëse me kultivue mendime e vlera që nuk përputheshin me kërkesat e sistemit, nëse me mendue e me shkrue të kundërtën e asaj që priste regjimi, nëse me gjetë, me mbledhë, me ruejtë, me kopjue, me përhapë e me folë për libra, filozofi politike e letërsi perëndimore e nacionaliste, me përkthye e me mbajtë botime të ndaluara për të cilat përfundoje lehtësisht në burg, me shkrue e me mendue si nacionalist shqiptar donte me thanë me kenë disident e kundërshtar i regjimit, atëherë, unë kam kenë njëri ndër disidentët e kundërshtarët ma të rrepte të atij regjimi.
Unë kam jetue në atë regjim, por nuk e kam lanë regjimin me jetue brenda meje. Unë kam pasur një mendje të hapur dhe me kohë, kur është dashtë e kur e ka kërkue momenti, e kam tregue se çfarë edukimi, çfarë prirjesh e çfarë karakteri kam pasë. Shkurt, unë jam mundue me kenë njeri kur të tjerët si Salih Berisha janë mundue me shpirt me u transformue e me sprovue veten si vampirat e sistemit të Enver Hoxhës; kam preferue me mbetë i rrethuem prej mijëra librave në bibliotekën e familjes e mos u ba pjesë e sistemit. Kam mundë me hy në parti, pa piken e problemit por nuk dashtë. Kam mundë me ndjekë karrierë në rrugë të tjera por gjithnjë kam preferue librat e mi e vetminë teme. Kam jetue në atë sistem por mendjen e shpirtin e kam pasë diku tjetër. Kam folë hapur, ka pasë raste që njerëzit më kanë ike prej tavolinës, e kanë marrë me të qeshur, ose nuk janë ndjere. Nuk po flas se si recenzentet e librit tim “Gjaku Im Trashëgon” ma nxorën librin me gabime të rënda ideologjike në vitin 1985 e në vitin 1986 dhe prapë unë nuk hoqa dorë nga mendimet e mia. Jam përpjeke me i organizue njerëzit fshehtas e hapur qysh me kohë. Sa u shpall ligji për shoqatat, unë fillova me organizue legalisht shoqatën “Gjergj Fishta” por ata që sot shiten si disidente filluan me ndrrue rrugë e me u shmangë prej meje. Kam kërkue hapur e pa ekuivoke të drejtat themelore njerëzore, lirinë e shtypit e të fjalës në Konferencën Kombëtare të Talenteve të Reja në Korçë në Tetor të vitit 1990. Për të ardhur tek Lëvizja Studentore dhe tek përpjekjet e mia e të shokëve të mi, për të organizuar e për të ngritur studentët në Dhjetor 1990.
Në të gjithë rrugën që kam ndjekë kam kenë e kam mbetë ithtar i patundun i besimit se vetëm shteti-komb i shpëton shqiptarët. Dhe këtë bindjen time e kam manifestue në jetën time si individ e kurrë nuk kam hekë dorë prej saj, thjesht sepse kam besim tek populli im. Me shokët e mi i kemi dhanë frymën kombëtare e nacionaliste Lëvizjes Studentore, i kemi dhanë zemrën shqiptare Partisë Demokratike, kemi rrëzue mitin e Enver Hoxhës, dhe për një kohë e kemi shpëtue atë popull prej vllavrasjes, ku e çoi Salihi në vitin 1997.
Unë jam një njeri, dikur i kërcënuar hapur me vdekje prej të gjithë palëve të parisë, jam një emigrant politik i vuejtun dhe i rrahur me shumë halle që i ka dalë shpirti me fitue bukën rrugëve të botës, por që e ka ruejtë veten shqiptar, që ka jetue me nder dhe nuk i ka tregtue bindjet e veta. Kam lanë karrierën shkencore e i jam bashkëngjitë UÇK-së dhe për dy vjet të mira kam luftue për bindjet e mia, me tana mënyrat e mundshme që kam ditë. Me kursimet e pakta familjare e kemi botuar të parën revistë shkencore të studimeve shqiptare në anglisht. Një kohë kam qenë këshilltari politik i delegacionit të Kosovës në Rambuje, Këshilltar Politik e Zëdhënës i UÇK-së, Këshilltar i Lartë për Çështje Politike i Kryeministrit të Kosovës, ndër të tjera i dekoruar me Urdhrin “Adem Jashari” e i nderuar në shumë mënyra të tjera në trojet shqiptare. Kam një karrierë akademike si Doktor i Shkencave Politike, e Profesor në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare e të shtet-formimit si dhe Drejtor i Programeve të Masters në Politikë në një universitet të nivelit të lartë. E shkuara ime më ban nder.
Sot unë jam një shqiptar në mërgim që i dhimbset populli i vet dhe që e ka provue me jetën e vet se ai punon për popullin e vet, se ai mendon për popullin e vet dhe se nuk do të ndalet derisa problemet e shqiptarëve të zgjidhen si duhet. Une jam ai që kam kenë gjithë jetën, e bindjet e mia nuk kam pse i ndrroj. Asgja që kam provue në jetë nuk me ka bindë se duhet me i ndrrue bindjet e mia politike. Ndoshta nuk do të jem i zoti me e shtye një gur prej rrugës, por bindjet e mia nuk kam pse i ndrroj. Është ma mirë me jetue e me vdekë vetëm, me dhimbjen se do të jetosh e do vdesësh larg vendit tënd, se sa me kenë pjesë e shoqërisë së parisë së Tiranes.
A kam ba gabime? Po, pa dyshim. Gjithkush e ka një ferr të vogël brenda vetes ku don që gabimet që ka ba mos me ia tregue kujt. Por ka gabime e gabime. Cili është gabimi më i madh në jetën time? E këtu duhet thanë se gjithçka më bind se parinë e Tiranës duhet me e urrye e me e luftue me gjithë shpirt dhe se Salih Berisha, siç ia kam thënë në sy edhe para 20 vjetësh, është figura më e zezë e më e ndytë që ka nxjerrë kombi shqiptar, ai është si gjarpri që e ka helmue gjakun shqiptar. Ai është kanceri në shpirt të kombit e ky komb nuk ka me gjet qetësi deri sa ky kancer të shkulet e të shpërbahet. Gabimi ma i madh ka kenë se, edhe pse e kam pas poshtërue deri në ekstrem, prapë unë e shokët e mi e lamë me mbijetue në politikë kur i kishim mundësitë me e shmange përjetë. Salihi kishte pasë do cilësi që ne nuk mundeshim me i imagjinue.

PERMBLEDHJE E ARGUMENTIT
Si edhe shihet nga rasti im, paria e Tiranës godet e sulmon gjithkënd që i del kundër, gjithkënd që i rrezikon interesat e saj. Shpifja është instrument që ka efekt, dhe Salihi është mjeshtër i përdorimit të saj. Nuk dua të merrem këtu me Salihin si person, se do të kem raste të tjera, por e gjykoj të dobishme se nuk duhet me e tolerue Salihin si manifestim i një dukurie e sjelljeje që është shumë karakteristike për parinë e Tiranës. Manipulimi i ndasive është një nga teknikat e sprovuara dhe që ka dhënë fryte në të shkuarën. Paria e Tiranës nuk do të ndalet dhe jam i sigurt që xhevahiret që do të dalin nga fabrikat e mashtrimet, do të çudisin edhe ata individë që do t’i shpikin.
Por në rastin tim, unë nuk due me i pa shqiptarët si persekutues e të persekutuar, si i sheh paria e Tiranës. Unë refuzoj me i nda shqiptarët në këtë mënyrë. Mbi të gjitha, unë nuk due me i përkite një krahu të parisë sepse ashtu i intereson Salihit. Mua nuk më lidh gjë me PS-në që është një kancer i politikës shqiptare, por nuk më lidh asgjë me PD-në që është kanceri tjetër. Por mua më lidh gjithçka me anëtarët e mbështetësit e ndershëm të këtyre partive. Ata shqiptarë që duan një shtet të pastër e të ndershëm, një administratë jo të korruptuar në shërbim të qytetareve, një ekonomi solide tregu por të institucionalizuar, drejtësi të paanshme e të pakorruptuar, kthim të pronës tek i zoti, një shoqëri ku nderi nderohet e krimi ndëshkohet, një sistem edukimi cilësor e për të gjithë shqiptarët, një shoqëri meritokratike, familje të shëndoshë, mbrojtje sociale për të pazotët, e mbështetje për tregtarët e prodhuesit, ata që duan një shtet të fortë e ligj, ata janë njerëzit me të cilët unë dua të flas. Ata janë njerëzit për të cilët unë kam punue e due me punue, e pse jo edhe me vdekë. Paria e Tiranës, të zvetënuarit, të korruptuarit, tributë e familjet e krimit, hajnat e cubat, me pushtet e pa pushtet, ata që i kanë la duart me gjakun e shqiptarëve si Salih Berisha janë armiqtë e mi dhe unë do t’i luftoj sa të kem jetë e me të gjitha mënyrat që di.
Kushdo që don me ditë se ç’ka mendoj unë për të e ka të lehtë me i gjetë shkrimet e mia. Unë e Salihi e njohim njëri-tjetrin mirë, jemi armiq personalë të vjetër. Por Salihi e sheh përplasjen në terma personale sepse, nga ana e ime, kundërvënia është për ide të kundërta, për rrugë të kundërta në politikë, për zgjidhje të ndryshme e jo për urrejtje personale, sepse unë urrej veprimin që ban e jo personin. Mbi të gjitha, lufta e Salihit është tjerakah. Lufta e tij është me mbajt bashkë mbështetësit e tij. Nëse ai e humb mbështetjen e tyre politike, atëherë ai është përgjegjësi kryesor për krimet e panumërta që ka kryer, për tranzicionin e dështuar, për shkatërrimin e shoqërisë e të familjes shqiptare, për shitjen e trojeve e të detit shqiptar, për dështimin e minimin e çështjes kombëtare, për vrasjet e mijëra shqiptarëve, për korrupsionin e krimin rampant, për rrënimin e shtetit, tolerimin e vjedhjes e institucionalizimin e mendësisë se cubave, për jetët e shkatërruara të shqiptarëve kudo që janë. Ai mbijeton duke mbet në politikë në sajë të mbështetësve të vet. Ai e din se nuk ka rrugë tjetër. Rruga e tij është rruga e krimit, sepse ajo është rruga e shpëtimit për të e për familjen e tij të kriminalizuar.
Gjithashtu, ndërsa do të hedh në gjyq të gjithë ata individë, mjete informimi, e parti politike që njollosin emrin tim, duke i paraqitur me objektivitet të gjitha palët e pikëpamjet, siç mendoj se kam bërë në këtë shkrim, mendoj se do të shihet mirë se ku është arsyeja për këtë sjellje të parisë e në këtë rast të Salih Berishës e të makinës së tij propagandistike në lidhje me personin tim.
Mirëpo, nuk duhet me lanë pa e përmend se kjo shpifje e poshtërsi e radhës nga ana e mercenarëve mediatikë të PD-së është një ilustrim i shkëlqyer i gjendjes së nderë dhe në dukje të pashpresë që ka mbërthyer shoqërinë shqiptare për shkak të sjelljes së parisë së Tiranës. Kjo është paraliza ideale morale dhe e vlerave që i nevojitet parisë së Tiranës. Kjo gjendje është kriza e shumanshme dhe pa zgjidhje ku ajo ka synue e synon me i mbërthye shqiptarët, me i zhdukë si popull, me i çnderue e me i shfytyrue si njerëz. Ajo pari që dikur donte që të gjithë ne me u transformue në Enver Hoxhë të vegjël, sot kërkon që të gjithë shqiptarët me u transformue në Salih Berisha të vegjël, veglat e veglave të veglave të Enver Hoxhës.
Por si Enver Hoxha, të cilit nuk i dihet se ku i ka eshtrat, edhe Sali Berisha do të dalë përpara gjyqit të shqiptareve apo të historisë së tyre. E nuk mundet më thanë se nuk e kam dite se ç’ka po baj, sepse në mos tjetër, unë e të tjerët ia kemi tregue se ku po shkonte e në çfarë katastrofë e ka çue kombin shqiptar. Kështu, edhe kjo përrallë është një kallzim e dëshmi e vogël, por e rëndësishme për mue. Prandaj në dënimin e tij, kur t’i vijë radha me dalë para gjyqit të historisë, në mos ndryshe, unë do të jem dëshmitar i vërtetë e vullnetar. E do ta kem për nder me e denoncue krimet e tij të përbindshme, që natyrisht do të vazhdoj t’i denoncoj me sa fuqi e me çdo mënyre që di e që do të kem në dispozicion.

Shinasi Rama

27/12/2009

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 28/05/2010. Filed under Politika. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

3 Responses to Problemi i ndasive politike në Shqipëri

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.