Mafia politike shqiptare

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 3866
Po shkojmë ku ishim.
Një ndër kontributet më thelbësore e më me influencë të Immanuel Kant, filozofit gjerman të shekullit të 18-të, ka qenë argumenti se njerëzit mund të jenë të këqij, por institucionet i bëjnë ata që të sillen ndryshe. Status naturalis, thotë Kant, është gjendja e luftës. Por institucionet e shtetit (ai ka këmbëngulur se e vetmja formë institucionale, që çon në vendosjen e paqes së përhershme, është republika tregtare) e ndryshojnë këtë gjendje.

Ajo që duhet shtuar këtu është se institucionet e ata që i drejtojnë ato, mund ta marrin dhe e marrin një popull në qafë, duke e kthyer në gjendjen fillestare të natyrës. Ka edhe forma regjimi që i shtyjnë popujt e tyre të bëhen edhe më bishë se barbarët, dhe njerëzit fillojnë të hanë edhe njëri-tjetrin, mirëpo edhe në këto raste njerëzit mund të rebelohen dhe e gjejnë rrugën e duhur. Ata përdorin sisteme të caktuara vlerash, për t’i rezistuar shtetit të kontrolluar e të instrumentalizuar nga paria sunduese, dhe shoqëria vjen në ekuilibrin e nevojshëm. Por forma më e pakëndshme e ndikimit institucional, mbi sjelljen e njerëzve, ndodh kur tre faktorë të rëndësishëm konvertojnë së bashku.
Së pari, institucionet janë pro forma, por vetëm formalisht ama, ashtu si duhet të jenë në ligj e në letër. Së dyti, paria sunduese i kontrollon ato institucione pa skrupujt e nevojshëm të shërbyesit publik dhe i instrumentalizon për qëllimet e veta arriviste, të ngushta e të përfitimit. Së treti, kur shoqëria pajtohet me këtë gjendje dhe hyn në hullinë e sjelljes që dëshiron paria sunduese, ose pse nuk din me gjetë rrugën e duhur me dalë nga ky qerthull, ose pse interesat e përditshme dhe veset njerëzore e bajnë bashkëpunimin e saj me parinë të dëshirueshme e thuajse të pashmangshme. Në këto raste, shoqëria e shndërron veten ne shëmbëlltyrën e parisë.

Në ato kushte, kur këta tre faktorë konvertojnë, ajo shoqëri është e destinuar pashmangshmërisht me u tranformue në një shoqëri të kriminalizuar, thellësisht të përçarë, lehtësisht të manipulueshme, ku gjithçka e secili e ka një çmim, ku individi jeton pa vlera, pa moral, pa nder e pa shpresë për të ardhmen. Njeriu për njeriun bahet ujk, dhe mbijetesa është objektivi i vetëm e i pambrritshëm për te gjithë. Askush nuk ka siguri për çka ka, askush nuk e din se çka bjen e nesërmja, askush nuk mundet me jetue ndryshe, veçse dita me ditë, ma mirë me thanë me e shtye dita me ditë; askush nuk mundet me iu gëzue të kenunit njerëz; nuk munden, edhe me dashtë për me kenë e me u ba njerëz.

Sistemi ku jeton të detyron me u sjellë si bishë, vetëm e vetëm sepse bindja është se vetëm bishat e predatorët munden me mbijetue. Gjendja e natyrës nuk është vetëm lufta e hapur midis njerëzve e vrasja e njëri-tjetrit, për përfitim material, smirë apo kënaqësi perverse. Gjendja e natyrës është edhe atëherë kur gjithkush jeton me frikën se ajo vrasje (edhe heqja e bukës se gojës është vrasje) mundet me ndodhë në çdo kohë, në çdo moment, edhe kur je i pazoti me u përballë me atë gjendje. Nuk i dihet as kah të vjen, as kah e pret, dhe paaftësia me veprue kur duhet është thelbi i tragjedisë njerëzore.

E ndërkohë, paria sunduese, që si të gjitha paritë, gjithkund e në çdo kohë, e din mirë se çka duhet thithë nga gjaku e shpirti i shoqërisë. Mirëpo, edhe pse e din se, kur vdes njeriu nga kanceri, me të vdes edhe kanceri vetë, paria shpreson e jeton me vdek një ditë ma vonë se tanë të tjerët. Kjo po ndodh në shtetin shqiptar. Këta tre faktorë kanë konverguar dhe janë dukshëm duke e përcaktuar të ardhmen e shqiptarëve. Institucionet e vendosura formalisht janë republikane e demokratike. Në letër gjithçka është e shkëlqyeshme. Mirëpo, asnjë strukturë institucionale nuk funksionon si duhet, thjesht sepse parisë së Tiranes, që e sundon atë pjesë të caktuar të trojeve shqiptare, i intereson që institucionet e të gjitha niveleve të mos funksionojnë ndryshe, veçse si vegla të saj e në shërbim të interesave te saj.

Ato institucione, në të gjitha nivelet, janë të kapura dhe të kontrolluara nga klanet e parisë së Tiranës që, mbasi u shanë e u rrahën para zgjedhjeve, gjatë zgjedhjeve e më pas, tash e gjetën e do ta gjejnë shpejt gjuhën e përbashkët me njëri-tjetrin. Ky ekuilibër krimi u shërben të gjitha palëve, prandaj do të vazhdojë të mbrohet e të zgjatet nga të gjitha palët. Në shtetin shqiptar nuk ka të ardhme e nuk ka shpresë, sepse shpresa që u ofrohet shqiptarëve, integrimi evropian, është një rrenë e pastër dhe, në të afërmen e afërt e të mesme, krejtësisht e pamundshme. Paria është e krimbur në paratë e vjedhura nga arka e shtetit, nga ryshfetet, nga grabitja e pronave, nga allishverishet ma të ndyta, por edhe e krimbur moralisht në çdo drejtim e në çdo aspekt që mund të konsiderohet.

Paria e Tiranës e ka treguar fytyrën e vet të vërtetë, dhe për disa njerëz ajo është e zeze si nata e Ferrit. Ata që e kuptojnë duan të ikin një orë e ma parë, bile edhe shumë pjesëtarë të parisë vetë, duan të ikin një orë e më parë prej atje, sepse të gjithë e dinë se dikur, mirë a keq, kjo gjendje do të ketë një fund. Mirëpo, janë të mbajtur peng nga pronat, nga lidhjet, nga interesat dhe e gjejnë veten të detyruar të vazhdojnë lojën. Zvetënimi i saj ka penetruar thellë në shtresa të tjera të shoqërisë dhe kriminalizimi i shoqërisë, si dhe rezistenca e disa shtresave të caktuara, është bërë më i dukshëm sot sesa kurrë më parë. Në sipërfaqe, askujt nuk i ban përshtypje asgjë që ndodh, dhe atje ndodh përditë një hata mbas tjetrës, sepse gjithçka që mundet me e andrrue edhe njeriu ma i zi e ma i ndytë ka ndodhë e pritet me ndodhë.

Shteti shqiptar duket si parajsa e qejfit, ku të gjithë hanë e pinë, ku Tirana ka më shumë BMW se Berlini, ku ka më shumë mejhane, drogë e prostituta se gjithkund tjetër, e ku shtëpitë e jetesa kushton më shumë se në Paris, Romë e Tokio. Më e keqja është se shumë janë të bindur se nuk ka rrugë tjetër, se nuk mundet me pase rrugë tjetër, përveç kësaj. Po ashtu, shumë të tjerë e ndjejnë thellë dhimbjen e plagëve, që as janë mbyllur e as do të mbyllen, por janë të pazotët me veprue. E kështu, shteti shqiptar gjendet, 20 vjet mbas Ramjes së Murit të Berlinit, në një qorrsokak, në të cilin nuk gjendet asnjë shtet tjetër që doli nga sistemi i mëparshëm. Me institucione të kapura, me një pari kriminale e me një shoqëri që është duke u kriminalizuar, me njerëz pa shumë besim e shpresë në të ardhmen, e natyrisht, kush nuk ka shprese nuk ka të ardhme.

Nëse nuk ndërrohet rrugë, shteti shqiptar mundet me e pa të shkruar në mur të ardhmen e vet. Ma e pakta që mundet me u thanë, është se ajo e ardhme është e shkuara që po përsëritet në një formë tjetër, shumë të pakëndshme, vetëm me u imagjinue. E dhimbja shtohet edhe ma shumë, kur i sheh popujt e tjerë duke ecë me kurajë në rrugë të tjera, ndërsa ne po endemi në rrugë pa rrugë, që i kemi kalue disa herë ma parë. Për shqiptarët, edhe njëherë si 20 vjet ma parë, kanë ardh kohë të vështira. Po shkojmë ku ishim ma parë, format nderojnë, por sistemi i parisë funksionon gjithnjë në shërbim të saj.
Shinasi Rama
Gazeta Libertas

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 08/05/2010. Filed under Mafia. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.