20 Vjet me pas, udhëtim në gjurmët e Perdes së Hekurt

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 1940
“Muret te vjeter qe bien dhe te rinj qe ndertohen”
Një mur, një shenjë e gjatë ndarjeje plot shtatë mijë kilometra, nga qiejt ngjyrë plumbi të veriut deri në portat e Azisë Mesdhetare. Shtatë mijë kilometra tel me gjemba, mina anti-njeri, bunkerë dhe kulla kontrolli që për gjysmë shekulli ndanë Europën. Sot, dy të tretat e këtij aparati marramendës të sigurisë janë çmontuar dhe seksione të tëra të kufirit tashmë mund të kalohen në qetësi. Dera e burgut hapet dhe si një hakmarrje e historisë, pikërisht ai burg kthehet në një prej hapësirave më të lira të Europës. Pyje, male, skarpate, shtigje, plazhe, lumenj, që për gjysmë shekulli ishin të kalueshme vetëm për ushtarakët, tashmë u janë “sekuestruar” atyre dhe njëzet vjet pas rënies së Murit bashkohen për të krijuar një hapësirë të vetme të madhe, një rrugë që përshkon shtatëmbëdhjetë shtete: Perdja e Hekurt, më saktë gjurmët e saj. Shtatëmbëdhjetë kilometra që mund të bëhen me biçikletë në një shteg të shënjuar në mënyrë perfekte nga Deti Arktik në Detin e Zi. Një aventurë e garantuar. Udhëtohet kështu: ndarë përgjysmë mes idilit dhe makthit, mes pyjeve, hapësira pafund në një zonë sureale të paqes dhe paranojës. Nuk ka asnjë pushim, nga ekstremi i Veriut deri në kufirin që ndan Rusinë nga Norvegjia dhe Finlanda. Është pjesa më e vështirë e udhëtimit, sepse shenjat dalluese e ndaluese ndodhen ende aty dhe se nga pjesa ruse duket kufiri më i përforcuar në botë. Viza të vështira për t’u marrë, kontrolle të shumta, toka të braktisura dhe guva me minerale strategjike që mbikëqyren. Më pas, Perdja e Hekurt të shtyn drejt pjesës finlandeze. Rrugë më të mira, një rrjet kapilar që të çon drejt një labirinti liqenesh dhe pyjesh, kampesh.

Edhe në këtë vend pa kufij nuk do të jeni kurrë tërësisht vetëm. Zona në jug të liqenit Inari është një hapësirë për peshkatarët, këtu kalohet një fundjavë e qetë, larg prej gjithçkaje, por historia e Europës së ndarë ju ndjek dhe ju rrëfen më shumë se kaq. Në Suomussalmi rëndon ende hija e konfliktit ruso-finlandez, lufta e dimrit e viteve ´39-´40, pas hyrjes së nazistëve në Poloni. Pista të çon drejt Jugut, deri në Balltik, gjithnjë në Finlandë, por shpirtrat nomadë nuk mund t’i mohojnë vetes kënaqësinë e hedhjes së syve në një tjetër pjesë, Karelian ruse, duke kaluar nëpërmjet Kostamuksës nga pika e kontrollit të Vartiusit, duke ndjekur një rrugë zigzag deri në Vyborg (që deri në vitin ’39 ishte qyteti më i madh finlandez dhe tashmë ka ndërruar pronar), linja hekurudhore që lejon në çdo kohë transportin e biçikletave aty. Trenat rusë, shumë të saktë, janë një aventurë më vete. Do të jeni në shoqërinë e peshkatarëve të apasionuar, atyre që bëjnë udhëtime pafund dhe eksplorojnë vende për t’i shijuar me kanoe. Nuk do gjeni asnjë perëndimor edhe sikur të kërkoni gjithandej, por mikpritja e vendasve do të jetë e mahnitshme për ju. Ata nuk të lënë asnjë rrugë shpëtimi: “Ku je?”, “Nga vjen?”, “Eja të pish një çaj”, këtu të ndjek nga pas oferta e darkës dhe shtratit, unitetit dhe këshillave të panumërta se si të evitosh mafien lokale dhe të dehurit e bezdisshëm. Në fund do t’ju vijë shumë keq të braktisni këtë popull dhe këto liqene, ku mjafton një rrjetë bosh për të kapur një salmon. Wyborg është një pikë strategjike e Perdes së Hekurt. Zgjedhja e parë: të kthehesh në Finlandë dhe të shkosh me traget deri në Tallinn, për të ndjekur përgjatë detit republikat balltike (atje Perdja e Hekurt vazhdon në disa qindra kilometra bregdet të virgjër). Zgjedhja e dytë: të qëndrosh në Rusi dhe të shkosh deri në Shën Pjetërburg për të hyrë më pas në Estoni nga Narva, një prej kufijve më të lashtë të Europës. Zgjedhja e tretë: gjithnjë nga Shën Pjetërburgu të shkosh me traget në Kaliningrad (enklavë ruse), përgjatë një territori të paimagjinueshëm ku udhëtojnë të pasurit, afaristët dhe aventurierët, për të shkuar më pas me biçikletë në Poloni. Bryma e kaltër, perëndimi i purpurt, pyjet e errëta, kështjellat e kalorësve teutonikë, Vistola, më pas Danzica, ku Muri nisi të shembej me Solidarnosc-in, më pas deri në Balltikun me erë, deri në portet e Gjermanisë Lindore. Në lartësinë e Travemundes, Perdja e Hekurt shkonte drejt Jugut, mes kodrinave gjermane dhe sot e copëtuar apo e kthyer në muze, na shfaq një prej hapësirave më të gjelbra të Europës së vjetër, një brez të vërtetë të gjelbër që bashkon Balltikun me malet e Bohemias. Gjithçka perfekte, e pastër, nuk janë më as “rrudhat” që tregojnë se sa kohë ka kaluar. Aty ku dikur kalonte Perdja e Hekurt, tashmë ka hotele të vogla, fabrika, bare me birrë të pafiltruar, dhe shnicel vjenez. Por, në një largësi shumë të vogël nga qyteza e Geisas, ja ku ndodhet edhe pika e kontrollit ‘Alpha’, e ruajtur në mënyrë perfekte.

Jemi në territorin në perëndim të Paktit të Varshavës, zona e Fuldas, ku trupat e perandorisë mund të kishin kaluar përgjatë renit ku ndodheshin pozicionet e mbrojtura të ushtarakëve të NATO-s. Nisin malet, dhe më pas është Danubi ai që na tregon rrugën. Bohemia, kulla kontrolli, linja e vjetra hekurudhore absburgase, vende të stilit të vjetër.Tashmë arrijmë në një pistë që ndodhet mes dy pjesëve të ish-Europës së ndarë. Në Zahorie të Sllovakisë ka simbole të një qytetërimi tjetër: kështjella që u pengonte rrugën turqve. Më pas shohim rezerva natyrore, muzeume në qiellin e hapur të erës komuniste, pyje dhe bunkerë të Luftës së Dytë Botërore. Në Pannonia të Hungarisë Perdja e vjetër përjeton mutacionin e saj më impresionues. BE ndodhet në Lindje dhe Kroacia e Serbia në Perëndim; në mes të unionit hapet para sysh një botë tjetër e dikurshme: Jugosllavia. Të varfrit e djeshëm janë të pasurit e sotëm dhe anasjelltas. Fusha të pamata, turma ciganësh, erë karboni, pika kontrolli më pak të kontrolluara dhe udhëtimi i afrohet Lindjes, në tokat e rrëfyera nga Magris në “Danub”, me lumin e madh që gjarpëron mes Serbisë dhe Rumanisë para ndarjeve të fundit. Kikinda, Bela Crkva, Kladovo, Negotin: në Jug emrat e vendeve nisin të vallëzojnë. Në Strumicë të Maqedonisë janë mbledhur notarët e gjithës botës. Në malet Rodop, në Bullgari të tjera impresione dhe më pas, dy hapa larg kufirit me Greqinë jeton Valja Balkanska, një prej zërave më të jashtëzakonshëm të botës. Edhe këtu mbetesh peng i pistave, parqeve dhe muzeumeve. Një udhëtim përgjatë një kufiri që duhet të jetë në fakt provë e mungesës së kufirit. Veçanërisht në këto toka të rrahura nga perandoritë dhe kombet.

Shqiperoj Laert nga “La Repubblica”
Copyright Proletari.Com

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 02/05/2010. Filed under Bota. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.