Avni Rustemi – Trimi i Shqipërisë

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 3126
Vrasja e Esat pashës para hotelit “Continental”
Dosier i mbështetur në materiale dhe dokumente të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe në studimin e juristit dhe publicistit të njohur Jusuf Alibali, me titull “Avni Rustemi para organeve hetimore franceze”

Prolog
Paris, 13 qershor i vitit 1920…
Para hotelit “Kontinental” në rrugën “Kastilone”, një djalosh nxjerr revolverin që mbante nën xhaketë dhe me dy të shtëna rrëzon përtokë atë që ndodhej përballë tij. Orvatet të qëllojë përsëri, por revolveri nuk i shkrep. Atëherë e flak atë mbi viktimën e qëndron pa lëvizur pranë tij. Kalimtarët mbeten të llahtarisur, duke u përpjekur t’ia mbathin a të fshihen pas kolonave të hyrjes së hotelit. Por disa syresh, kur shohin djaloshin të vetëçarmatosur, i sulen dhe e qëllojnë si të munden duke britur: ”Kriminel, vrasës!…”. ”Nuk jam kriminel, – shpjegon djaloshi.- Jam student shqiptar. E vrava atë sepse lexova në ballin e tij mizoritë që ai ka kryer në Shqipëri”. Vrasësi ishte Avni Rustemi, kurse i vrari Esat pashë Toptani.

Esat Pasha
Esat pasha ndodhej prej dy vjetësh në Paris, vërtet i mbrojtur nga qeveria franceze, por, në dukje, pa rrezikshmëri ndaj vendit tonë që tashmë kishte një qeveri të veten, të dalë nga Kongresi i Lushnjës. Por ende ndihej rreziku i ricopëtimit të Shqipërisë. Dhe ky rrezik vinte jo vetëm nga Konferenca e Paqes që po mbahej prej dy vjetësh në Versajë, por për fat të keq, edhe nga “delegacione” të tilla si delegacioni i qeverisë se Durrësit, madje edhe i princit të Mirditës që pretendonin se përfaqësonin Shqipërinë. Atyre u shtohej edhe delegacioni që kryesohej nga Esat pashë Toptani, i përbërë vetëm nga një ministër, ai i Punëve të Jashtme. Që në muajt e parë të vitit 1920 ky delegacion nisi t’i kundërvihej delegacionit të kryesuar nga Mehmet Konica, i cili përfaqësonte qeverinë e ligjshme të Tiranës, me kryeministër Sulejman Delvinën.
Pas Esat pashës qëndronte Franca, e cila e çmonte atë për ndihmesën që ai kishte dhënë me 600 ushtarë që ishin bashkërenditur në Frontin e Lindjes me qendër në Selanik, ku ushtria franceze, aleate e Antantës, së bashku me Anglinë dhe Italinë luftonte kundër forcave austro-hungareze dhe aleatëve të saj që përbënin Bllokun Qendror. Dhe në fakt, që nga fillimi i punimeve të Konferencës së Versajës e deri në mars të vitit 1920, atje u hartuan disa projekte për Shqipërinë. ”Në to u parashikua copëtimi i shtetit shqiptar dhe zhdukja e tij nga harta politike e Evropës si shtet i pavarur dhe sovran”, (Fjalori Enciklopedik Shqiptar, faqe 505). Esat pashë Toptani nuk ishte kundër pretendimeve që po të realizoheshin, do të shënonin gjymtimin e mëtejshëm të trojeve shqiptare. Për të, së fundi, ishte e mjaftueshme edhe sikur të kishte nën sundimin e tij vetëm Shqipërinë e Mesme. Ky konsiderohet si kulmi i tradhtisë së pashait që e kishte nisur këtë rrugë menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë. Në janar të vitit 1913 ai kishte vrarë Hasan Riza pashën, komandantin turk të garnizonit të Shkodrës që të bëhej kështu vetë komandant, por jo për të mbrojtur këtë qytet, por për për t’ia dorëzuar kral Nikollës. Më pas, në marrëveshje antikombëtare me shtetet fqinje ngriti në Shqipërinë e Mesme “Pleqësinë”, pushtet që bëri ç’ishte e mundur që të pengonte veprimtarinë e qeverisë kombëtare të Ismail Qemalit në Vlorë. Më 1914, si ministër i Luftës dhe i Punëve të Brendshme të qeverisë së Princ Vidit, pengoi me të gjitha mënyrat qendresën e popullore për çlirimin e Shqipërisë së Jugut nga sulmet greke. Një vit më pas, më 1915 nënshkroi një marrëveshje me qeverinë serbe që dëmtonte pavarësinë politike dhe tokësore shqiptare. Dhe ja tani, duke pretenduar se ishte kryeministër i shtetit shqiptar, ndodhej në Paris për të vazhduar rrugën e një tradhtari.
Madje paraqiste edhe një memorandum ku shpjegonte arsyet se përse e meritonte këtë ofiq të lartë. Kam pasur rast ta lexoj këtë memorandum, një kopje e të cilit ndodhet në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, shkruar më frëngjisht, gjuhë të cilën ai e flistë çalë-çalë e natyrisht që nuk dinte kurrsesi ta shkruante. Sipas tij, me të filluar Lufta e Madhe, (kështu quhej atëherë Lufta e Parë Botërore), duke qenë aleat i Serbisë, ai u bashkua me Antantën kundër Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë. Kur Turqia u fut në luftë për krah Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë, u dënua prej saj me vdekje në mungesë. Më tutje, gjatë Luftës së Madhe u shtrëngua të largohej nga Shqipëria së bashku me qeverinë dhe u vendos së pari, në Korfuz e pastaj në Selanik, i shoqëruar nga 600 ushtarë besnikë që u reshtuan me urdhër të ministrit të Luftës të Francës krahas forcave franceze në Frontin e Lindjes. Atje, për merita të veçanta, kryekomandanti i forcave franceze, gjenerali Sarraj e dekoroi me yllin e Legjonit të Nderit. Lufta tani ka mbaruar. Forcat e Antantës janë fituese ndaj forcave të Bllokut Qendror. Shqipëria radhitet me shtetet fituese e si pasojë, edhe ai, si aleat e Antantës, ka të drejtë të jetë kryetar i qeverisë shqiptare…

Vendimi për vrasjen e Esat pashës, ende enigmë
Po kush e mori vendimin për të vrarë Esat pashën e kush e caktoi Avniun për të kryer këtë akt të lartë mëmëdhetar? Kanë kaluar 85 vjet nga dita e atentatit dhe ende nuk është zbuluar ndonjë dokument që të hedhë dritë mbi këtë vendim. Vite më parë qarkullonte fjala se Avniut iu caktua kjo detyrë pas një shorti… Po kush ishin kandidatët e tjerë të mundshëm për të kryer këtë atentat? Ku u mblodhën ata? Kush i mblodhi? Dhe në qoftë se është zhvilluar një mbledhje e tillë, a ka pasur dijeni për të qeveria e Tiranës, me fjalë të tjera, kryeministri Sulejman Delvina, ministri i Jashtëm, Mehmet Konica, që aso kohe kryesonte delegacionin tonë në Konferencën e Paqes në Versajë? Të gjitha këto hamendësime janë të mundshme. Qeveria e Tiranës, edhe sikur të mos kishte propozuar që të kryhej ky atentat, duhej ta kishte miratuar në heshtje që ai të bëhëj, kur rrezikohej fati i Shqipërisë. Por rëndësi ka vetëm fakti se me miratimin ose jo të qeverisë së Tiranës, atdhetarët shqiptarë kishin vendosur që Esat pasha të vritej me çdo kusht. Dhe për këtë qëllim caktohej ose vetëcaktohej Avni Rustemi.

Si vritet dhe si reaguan antishqiptarët; kryeministri serbë Pashic, qeveria franceze!
Paris,13 June 1920-Ekzekutimi i Esat P. Toptanit

Kronologjia hap pas hapi e një vrasjeje të bujshme që tërhoqi vëmendjen e të gjithë shtypit botëror 85 vjet më parë. Kronika e vrasjes së Esat pashë Toptanit në Paris të dielën e 13 qershorit 1920. Çfarë shkruanin gazetat franceze dhe shtypi ndërkombëtar për këtë ngjarje të pazakontë

ATENTATI

S. Këlliçi

E diel, 13 qershor 1920…

Zakonisht Avni Rustemi shkonte për të ngrënë drekë në restorantin e hotelit “Dë Tuileri”, rreth orës 1300. Por jo sot. Ai shkon më herët se zakonisht në restorant dhe kërkon që drekën t’ia shërbejnë sa më parë. I shpjegon kamerierit, me të cilin besohet të jetë miqësuar gjatë atyre ditëve, se ka një takim të ngutshëm, ndaj nuk duhet të vonohet. (Të gjitha këto ngjarje e të tjera, ai i shpjegon pastaj në procesin hetimor). Nga restoranti largohet në orën 1230. Që të arrijë në hotelin “Kontinental” ku banon Esat pasha, nuk duhen veçse disa minuta. Në hetuesi shpjegon se vajti te “Kontinetali” që të takonte Gjergj Gogën, i cili në atë orë zakonisht dilte që të bënte shëtitje përgjate rrugës “Kastilione”. Ja si shprehet vetë Avniu në hetuesi: ”Kalova nja dy herë para portës së hotelit në rrugën “Kastilione”, kur pashë se po dilte Esat pasha… Esat pasha po ecte ngadalë dhe tërë krenari. Me ta parë atë, e tërë historia e Shqipërisë m’u ngjall në shpirtin tim. Një turbullirë e madhe më pushtoi. Atëherë rrëmbeva nga xhepi i djathtë revolen me gjashtë fishekë që mbaja me vete dhe qëllova shumë, pa ditur sa herë, mbi Esat pashën që ishte dy metra larg meje. Esat pasha ra menjëherë dhe unë hodha armën time në tokë. Unë pohoj se veprimi im ka qenë krejt spontan dhe nuk e kam paramenduar”. (AQSH, Dosja Avni Rustemi, faqe 73).
Që nga ky çast Avniu nuk lëviz nga vendi i kësaj ngjarjeje tronditëse. Qytetarët që kalojnë aty pari mbeten për disa çaste të tmerruar. Por kur shohin Avniun, tashmë pa armë, marrin zemër e disa prej tyre nisin dhe e godasin si të mundin, duke bërtitur: ”Kriminel, vrasës!”. Vetëm ndërhyrja e një polici arrin ta shpëtojë nga plagë të tjera të rënda, sidomos në fytyrë, siç dëshmojnë edhe fotot. ”Nuk jam vrasës, jam student shqiptar dhe vrava një tradhtar të atdheut tim, – arrin të shqiptojë Avniu, kur policë të tjerë e kapin dhe e nisin drejt e në burgun “Sante”, nga më të tmerrshmit e Parisit…

Në të gjitha gazetat ndërkombëtare
Ngjarja bën bujë të jashtëzakonshme, jo vetëm në Francë, por në të gjithë botën. Të nesërmen për të shkruajnë të tërë gazetat franceze, midis të cilave “Figaro”, ”Le petit parisien”, ”Ekselsior”, Të Tan”, ”Paris Midi” etj. Madje edhe shtypi botëror nuk mbetet pas, duke filluar nga gazetat angleze, italiane, gjermane, madje edhe ato amerikane, braziliane e argjentinase. Lajmi ishte: Është vrarë kryeministri i shtetit shqiptar, sipas versionit të qarqeve zyrtare franceze. Ja pse gazeta “Ekselsior” e datës 14 qershor, një ditë pas atentatit të Avniut, që në titullin e faqes së parë, siç shihet në foto, shkruan: ”Esat pasha, kryetari i shtetit të Shqipërisë, u vra dje, këtu në Paris”, duke botuar në të majtë një foto të fundit të Esat pashës, me dekoratën e kalorësit të Legjionit të Nderit, një nga dekoratat më të larta të Francës, foton e makinës që e priste Esat pashën pranë hotelit, mbi të të skicuar siluetën e Avniut dhe të Esatit, të hamendësuar në çastin e atentatit dhe foton e Avniut marrë nga pasaporta e tij dhe një foto tjetër me fytyrë të gjymtuar nga goditjet e kalimtarëve pas atentatit.
E vërteta është se Parisi dhë Franca zyrtare u trondit nga ky atentat. Një student shqiptar, mu në zemër të kryeqytetit të vendit më demokratik të Evropës së deriatëhershme, me gjakftohtësi qëllon për vdekje me dy të shtëna një figurë të madhe politike shqiptare, një gjeneral legjendar që ka luftuar gjatë Luftës së Madhe përkrah forcave franceze, një mik të vyer të Francës që pretendonte në Konferencën e Paqes në Versajë të kthehej sa më parë kryeministër në atdheun e vet.

Duke kërkuar arsyen…
Pas atentatit, kryeministri i Jugosllavisë, Pashiç, që ishte në të njëjtën kohë edhe kryetari i delegacionit të vendit të tij në Konferencën e Paqes në Versajë, shprehu keqardhjen e tij të thellë për vrasjen e Esat pashës me këto fjalë: ”Kjo zhdukje është për të ardhur keq. Së pari, sepse ishte mik i Serbisë dhe gjithshtu mik i francezëve.” (“Lë Tan’”, 16 qeshor 1920). I pyetur nga gazetari që e intervistonte se cilat mund të ishin shkaqet që e shtynë studentin shqiptar, Rustemi, të vriste Esat pashën, Pashiçi vazhdon: ”Ai është një shqiptar fanatik nga krahinat jugore të Shqipërisë. Një proverb shqiptar thotë se hakmarrja është e shenjtë. “Shqiptarët e këtyre krahinave të Jugut që janë të armatosur, e konsiderojnë si detyrë vrasjen e Esatit. Krahina të tjera nuk i ishin nënshtruar autoritetit të tij. Ato nxirrnin si shkaqe dallimet fetare, megjithë përpjekjet e tij për të sheshuar këto dallime. Vrasësi, nga sa dëgjova, është me origjinë nga Libohova dhe, ndonëse nuk di gjë të saktë, kam bindjen se është katolik, si shumica e banorëve të asaj krahine”.
Është e tepërt të komentohet injoranca e kryeministrit jugollav kur thotë se banorët e Libohovës qenkeshin katolikë dhe se Avniu e paska vrarë mikun e serbëve dhe francezëve për motive fetare. ”Kjo vrasje, – vazhdon më tej Pashiçi, – do të sjellë si përfundim që në Shqipëri të ketë mjaft turbullira, gjë që nuk do t’u pëlqejë fqinjëve të tjerë të Ballkanit e si rrjedhim, edhe neve” (Po aty).
Por faktet dëshmuan se pas vrasjes së Esat pashës, jo vetëm nuk pati turbullira, por shteti shqiptar nisi të konsolidohej, duke përjashtuar Lëvizjen e Qershorit të viti 1924 pas vrasjes së Avni Rustemit.
Po të rikthehemi te jehona e atentatit në qarqet diplomatike franceze dhe në shtyp. Shefi i kabinetit të Këshillit Ministror të Francës, Vinjon, në emër të kryeministrit Mileran, shprehu keqardhejn e tij të madhe për këtë akt të shëmtuar. Kështu u shpreh edhe personaliteti i shquar i Ministrisë së Jashtme të Francës, Graje, edhe në emër të ministrit të Jashtëm. Kryeministri grek, Venizellos, që ishte nisur ato ditë nga Athina për në Londër, duke u ndalur në Paris, bëri një vizitë në vilën “Said”, ku priteshin vizitat e rastit, së bashku me ambasadorin e Greqisë në Francë, Romanos, dhe shprehu edhe ai keqardhjen për këtë vrasje kriminale.

Hetimet e para të shtypit për ngjarjen
Duke mos njohur realitetin shqiptar të asaj kohe, në përgjithësi shumë gazeta, jo vetëm franceze, të vendeve të tjera të Evropës, por edhe gazeta amerikane, madje edhe “Nju Jork Tajmsi”, e konsideronin Esat pashën kryetar të shtetit shqiptar dhe Anvi Rustemin vrasës kriminel. Por pati edhe gazetarë që zbuluan menjëherë të dhëna për Esat pashën. I tillë qe gazetari i “Lë pëti Parizienit”, Gaston Rishar, i cili një ditë pas atentatit shkruante në këtë gazetë: ”Esat pasha ishte një kalorës mesjetar, një personazh i një epoke pë po zhduket. Në një vilë të Selanikut, në rrugën mbretëresha “Olga”, ku jetonte gjatë luftës, ruhej nga roje të shumta e qen të mëdhenj dhe ëndërronte që të bëhej, falë Francës dhe Serbisë, mbret i Shqipërisë. I rrethuar nga tri femra që ishin gëzimi dhe drita e haremit të tij… Ishte një njeri që nga qytetërimi njihte karabinën automatike, rumin dhe kumarin, lojë me të cilën u zhvaste shuma tepër të mëdha ushtarakëve francezë, aq sa gjenerali Sarraj nisi t’i ndalonte ata të vizitonin kumarhanen e pashait shqiptar”.
Në një gazetë tjetër franceze, “Lë Cri dë Pari”, vihej në dukje se Esat pasha vërtet i kishte sjellë shumë shërbime Francës dhe aleates së saj, Serbisë, sidomos gjatë tërheqjes së dhimbshme të trupave serbe nëpërmjet tokave shqiptare deri në Korfuz, të cilat pa këtë ndihmë do të kishin pësuar katastrofë të plotë, por kjo ndihmë ishte kthyer në tregti të ndyrë. Dhe kjo, sepse pas luftës, Esati kishte kërkuar që kreditë e dhëna me këtë rast të pagueshin me kursin e ri të dinarit, që ishte ngritur shumë, një allishverish për të cilin serbët kishin mbyllur një sy, për ta pasur atë veglën e tyre të bindur.
Duke përmendur ushtarët e Esatit, gazeta të tjera franceze theksonin se ata ishin kusarë që u shkaktonin shumë telashe komandantëve francezë, sepse kudo që shkelnin, bënin kusarira. Në fillim, duke e ditur se cili ishte Esat pasha, gjenerali Sarraj, që ishte kryekomandanti i forcave franceze në Frontin e Lindjes me qendër në Selanik, kur Esati erdhi me 600 mercenarët e tij, mendoi ta kapte për zverku e ta dëbonte se nuk kishte nevojë për të, por u detyrua ta priste me nderimet e një gjenerali armate, kur u urdhërua nga Ministria e Luftës në Paris.
Nuk mungonin dhe gazeta te tjera evropiane nga të cilat po citojmë gazetën italiane “Mesaxhero”, që pas atentatit të 13 qershorit shprehej kështu për Esat pashën dhe aleatët e tij serbë: ”Atdhetarët e vërtetë shqiptarë, ata që nuk kanë harruar të kaluarën plot dhembje, për shkak të serbëve, pjesa më e shëndoshë e shqiptarëve, ka kërkuar të luftojë intrigat e Esat pashës, të këtij njeriu të dhunshëm, ambicioz dhe të shtirur. Prova më e qartë është atentati i djeshëm. Esat pasha ra viktimë e padrejtësive të rënda që i kishte shkaktuar Shqipërisë”.
Ndaj këtij akti nuk mund të qëndronte kurrsesi indiferente dhe qeveria e Tiranës, që nëpërmjet delegacionit të saj në Konferencën e Paqes në Paris dha për shtyp këtë deklaratë: ”Zyra e shtypit shqiptar është e autorizuar të deklarojë se Esat pasha nuk kishte asnjë funksion zyrtar, për më tepër kurrë nuk ka qenë kryetar i shtetit shqiptar ose kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes, siç e kanë quajtur shumë gazeta franceze. Të drejtat e popullit shqiptar i mbron delegacioni i qeverisë së ligjshme, i zgjedhur nga Kongresi i Lushnjës, që ndodhet prej kohësh në Paris” (“Humanite”, 20 qershor 1920).
Skifter Këlliçi

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 26/04/2010. Filed under Patriotët. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.