14 Janar 1990 – SHKODER – Tentative per rrezimin e bustit te ”STALINIT”

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 12363

Sinjali i parë i qëndresës antikomuniste në Shqipëri.
Demonstrata e 14 janarit 1990 në Shkodër në raportet zyrtare
Njëra nga dy demonstratat e “heshtura” të janarit 1990
Në janarin e vitit 1990 organet e Punëve të Brendshme Shkodër vërenin se “elementi armik” i nxitur nga ngjarjet antikomuniste në Europën lindore dhe “nga propaganda e shfrenuar e shpifëse e reaksionit të jashtëm” kishte rritur veprimtarinë kundër regjimit komunist. Në këtë mënyrë shpjegohet edhe rritja e veprimtarisë antikomuniste në vend duke e lidhur pikësëpari me ngjarjet që zhvillohet jashtë Shqipërisë. Jo më kot regjimi e zhvishte veten nga çdo lloj përgjegjësie dhe e quante këtë gjë vetëm të kryer nga “faktori i jashtëm” në bashkëpunim me “armikun e klasës”. Por ja që shenjat e para jepen edhe në Shqipëri kur kemi dy demonstrime antikomuniste. Më 14 janar 1990 në Shkodër tek vendi ku ishte simboli i komunizmit gjakatar Stalini dhe në Tiranë kur më 28 janar 1990 u zhvilluar “demonstrata e heshtur” e kryeqytetit e cila u ndoq nga Sigurimi si problemi i centralizuar “Pseudodemokratët”. Të dy këtë ngjarje janë në fakt ngjarjet e para të nisjes së çarjes komuniste. Të dyja ngjarjet janë shoqëruara me arrestime të shumta dhe me procese ndaj pjesëmarrësve ose atyre që cilësoheshin si organizatorë të këtyre lëvizjeve.
Kanë organizime të përbashkëta elementin se janë kuptuar nga Sigurimi i Shtetit, një ose më shumë ditë përpara. Por si janë zhvilluara këto ngjarje në raportet e kohës dhe si është përcjellë kjo në dokumentacionin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Brendshme?

Raporti mbi ngjarjet

Një raport i përmbledhur i 2 marsit 1990 për sekretarin e parë të KQ të PPSH-së Ramiz Alia, bën fjalë mbi ngjarjen e ndodhur në Shkodër atë mes janari të 1990-s. Sikurse flitet kjo ngjarje ishte zbuluar një ditë më parë nëpërmjet informatorëve.
Më 13 janar 1990 Sigurimi merr këtë informacion në mënyrë agjenturiale nga rrjeti sekret:
“Nesër do të bëhet demonstratë, do të dalin 200 – 300 vetë në pjacë para bustit të Stalinit e do ta rrëzojnë me litar, ganxha, shishe benzine e lëndë eksplozive. Njerëzit që do të marrin pjesë në këtë demonstratë do të nisen në tre drejtime, lagja “Serreq”, “Skënderbeg” dhe “Rus”. Organizatorë të kësaj veprimtarie janë Ded Kasneci dhe Flamur Elbasani. Aty do të flasë edhe një prift”.
Pas marrjes së kësaj të dhëne ishin arrestuar Dedë Kasneci, Flamur Elbasani dhe Gjergj Livadhi.
Në datën 14 janar 1990 në sheshin para ku ishte busti i Stalinit, pati një grumbullim njerëzisht të pazakontë, të cilët lëviznin “në grupe të vogla e të nervozuar”, ndërsa “kishte të tjerë që shëtisnin natyrshëm” dhe “nga ata që qëndronin ulur nëpër trotuare”.
Sigurimi i Shkodrës për të dhënë një efekt qetësues tek eprorët e tyre në Tiranë nuk ka përtuar të shtojë se në këtë demonstratë ishin “persona vagabondë, ish të dënuar, rrugaçë, prishës të rendit e të qetësisë, pijanecë e të sëmurë psikikë”. Kjo sigurisht ishte një praktikë normale në atë kohë dhe si një dritare ku mund të përjashtoheshin disa përgjegjësi të punës së dobët të këtyre organeve.
Në fakt lëvizjet kishin më të shumta në orën 10.00 – 12.00 dhe nga ora 15.00 – 17.00, por nuk kishte pasur asnjë lloj incidenti.

Ndjekja në rrugë operative

Në raport në lidhje me ngjarjen thuhej:
“Nga ndjekja e problemit në rrugë operative, nga pohimet e të arrestuarve dhe të ndaluarve, vërtetohet plotësisht se më datën 14 janar 1990, disa elementë armiq qysh më parë, kishin biseduar dhe ishin organizuar të grumbulloheshin para bustit të Stalinit dhe që këtej të shkonin tek sekretari i parë i Komitetit të Partisë e të kërkonin më shumë liri për shtypin e fjalën, ndërsa grupi jashtë të vepronte vetë, duke ngritur dorën me dy gishta tregues.
Të frymëzuar edhe nga propaganda e jashtme, këta elementë armiq kanë biseduar vesh më vesh me njëri tjetrin, duke marrë përsipër që të punojnë edhe me persona të tjerë të dënuar e vagabondë, që t’i bindnin për të dalë në qendër të qytetit.
Në datën 11 janar 1990 kanë shkuar persona të veçantë të tre lagje të qytetit, për të lajmëruar e prirë në qendër sa më shumë njerëz, qoftë edhe për loto – sport. Këto ditë, meqenëse nuk janë grumbulluar shumë persona, janë shpërndarë duke caktuar datën 14 janar 1990 për t’u mbledhur përsëri.
Në këtë periudhë, nga data 11 – 14 janar, është intensifikuar veprimtaria armiqësore e fshehtë, duke hedhur fletushka e parulla armiqësore në qytet e në fshat, duke hedhur e grisur veprat e shokut Enver Hoxha, si dhe hodhën dinamit para Komitetit të Partisë, i cili nuk shpërtheu pasi u kap në momentin e plasjes nga polici i shërbimit.
Grupe të veçanta kanë shkuar në restorante, kanë pirë dhe kanë kënduar këngën “O moj Shqipëri, e mjera Shqipëri, mjaft në robëri”, këngë të cilën do ta këndonin në datën 14 janar 1990.
Për vetë situatën e krijuar dhe për ta sqaruar më tej atë, më datë 15 janar 1990 u ndaluar edhe disa persona të tjerë, të cilët u sollën në Tiranë. Me ta u punua me kujdes e urtësi dhe disa prej tyre pranuan veprimtarinë konkrete armiqësore. Personat që u liruan u pajisën me teknikë operative dhe u dëgjuan bisedat me lidhjet e tyre, ku u mor informacion me vlerë dhe shërbyen për të thelluar më tej problemin”.
Nga përgjimet ishte arritur të ushtrohej një tjetër presion mbi të arrestuarit, sidomos mbi ata që nuk kishin pranuar e nuk kishin treguar gjë. Nëpër biruca regjimi kishte çuar njerëzit e tij për të mësuar më shumë. Disa kishin sukses, disa ishin thyer, disa ishin dërguar spitaleve psikiatrikë.

Të burgosurit

Në përfundim, është arritur të dënohet një grup personash në lidhje me këtë demonstratë. Listomi i tyre ishte si më poshtë:

1-Dedë Kasneci, 46 vjeç i papunë. Thuhej se kishte qenë person kryesor dhe ai që do u printe demonstruesve duke rrëzuar vetë bustin e Stalinit.

2-Kolec Hublina, 34 vjeç, punëtor në Qendrën e Rritjes së Peshkut në Ndërmarrjen e Peshkimit dhe kryetar i Bashkimeve Profesionale të asaj ndërmarrje. Koteci vlerësohej si intelektual dhe si njeri që zhvillonte agjitacion të ashpër në popull kundër regjimit komunist.

3-Rin Monajka, 27 vjeç, punëtor në Qendrën e Rritjes së Peshkut në Ndërmarrjen e Peshkimit, me arsim të mesëm, shok shumë i ngushtë i Kolec Hublinës. Gjyshi i tij ishte austriak dhe kishte vdekur më 1918-n. Dajallarët e tij Ludovik, e Kin Shestani kishin ngelur në Itali që prej vitit 1943, ndërsa kishin vdekur më 1989. Me ta Rini kishte mbajtur lidhje. Në hetuesi rini shprehej se këtij ngjarje kishin frymëzimin nga ngjarjet në lindjen komuniste si në Poloni, Hungari, RDGj, e sidomos në Rumani.

4-Nikolin Thana, 27 vjeç, me arsim të lartë, mësues i edukimit fizik në shkollën 8-vjeçare “Jordan Misja”, futbollist i ekipit “Vllaznia. Cilësohej si njëri prej personave që kishin kënduar në klub këngën “O moj shqipëri, e mjera Shqipëri”, këngë e cila ishte kënduar edhe në demonstratë.

5-Tonin Dema, 35 vjeç, me arsim të mesëm, trajner i mundjes së të rinjve të “Vllaznisë”, mjeshtër sporti. Akuzohej si nxitës i nipit të tij (Klaudio Daka, i arrestuar edhe ky) dhe një shoku të këtij të fundit. Thuhej se ia kishte marrë përsipër dinamitin për hedhjen në erë të bustit të Stalinit.

6-Gjergj Livadhi, 38 vjeç, punëtor në komunale. Thuhej se kishte kënduar këngë për demonstratën dhe së bashku me Toninin kishin dashur të siguronin eksplozivin kundër bustit të Stalinit.

7-Flamur Elbasani, 36 vjeç, shofer me origjinë nga Fushë-Bulqiza e Peshkopisë, do ishte ndër rrezuesit e bustit.

8-Nikolin Përgjini, 30 vjeç, punëtor në Uzinën e Telave, cilësohej si një nga njerëzit që do gjenin personin që do fliste në demonstratë. Kishte kënduar edhe këngë.

9-Klaudio Daka, 22 vjeç, kishte shkruar e shpërndarë “parulla armiqësore”.

Vendimi nr. i 30 prillit 1990, dënoheshin 10 vetë

Në fillim të proceseve demokratike, gazeta “Rilindja Demokratike” në numrat e parë të saj, në shkurt, botonte një shkrim të Preç Zogajt ku kujtonte se pavarësisht se monumentet e Stalinit ishin hequr, në burg mbaheshin akoma ato që kishin qenë për heqjen e tij. Këtë ai e ilustron me faktin se pjesëmarrësit e demonstratës për rrëzimin e bustit të Stalinit, ishin ndëshkuar nëpërmjet një procesi gjyqësor dhe vazhdonin të vuanin dënimet me burg. Dhe jo pa qëllim ishin dënuar 10 vetë me akuzën se do rrëzonin bustin e diktatorit sovjetik në një kohë që nga të gjitha qytetet e fshatrat e Shqipërisë, ishin larguar shenjat e tij, buste, momente, emërtesa, etj. Pavarësisht nga kjo, Ramiz Alia në atë kohë nuk pranoi lirimin e tyre, por pëlqeu të mos bënte lirime të posaçme.
Por çfarë ishte procesi kundër personave që do rrëzonin bustin e Stalinit në Shkodër dhe si u dënuan atë. Të gjithë ata janë dënuar me vendimin nr.2 të, datë 30 prill 1990 të Gjykatës së Lartë, pavarësisht se Ramiz Alia kishte dhënë shenjat e “ndryshimit” demokratizues të jetës së vendit. Ja dënimet e tyre:

1-Aldo Perrizi, i vitlindjes 1962, akuzohej për agjitacion e propagandë sipas nenit 55/1 të Kodit Penal duke e dënuar me 4 vjet burg.

2-Dedë Kasenci, i vitlindjes 1943, akuzohej për agjitacion e propagandë dhe diversion sipas nenit 55/1, 55/-11/1, 35 të Kodit Penal duke e dënuar me 12 vjet burg.

3-Flamur Begu, i vitlindjes 1953, akuzohej për agjitacion e propagandë sipas nenit 55/1 të Kodit Penal duke e dënuar me 3 vjet burg.

4-Gjergj Livadhi, i vitlindjes 1952, akuzohej për agjitacion e propagandë dhe diversion sipas nenit 55/1, 55/-11/1, 35 të Kodit Penal duke e dënuar me 8 vjet burg.

5-Klaudio Daka, i vitlindjes 1968, akuzohej për agjitacion e propagandë sipas nenit 55/1 të Kodit Penal duke e dënuar me 4 vjet burg.

6-Kolec Hublina, i vitlindjes 1953, akuzohej për agjitacion e propagandë sipas nenit 55/1 të Kodit Penal duke e dënuar me 5 vjet burg.

7-Nikolin Margjini, i vitlindjes 1956, akuzohej për agjitacion e propagandë dhe moskallëzim “krimi” sipas nenit 55/1 dhe 112/2 të Kodit Penal duke e dënuar me 3.5 vjet burg.

8-Nikolin Thana, i vitlindjes 1961, akuzohej për moskallëzim “krimi” sipas nenit 112/1 të Kodit Penal duke e dënuar me 5 muaj burg.

9-Rin Monajka, i vitlindjes 1953, akuzohej për agjitacion e propagandë dhe moskallëzim “krimi” sipas nenit 35, 55/1 dhe 112/2 të Kodit Penal duke e dënuar me 7 vjet burg.

10-Tonin Dema, i vitlindjes 1955, akuzohej për moskallëzim “krimi” sipas nenit 112/1 të Kodit Penal duke e dënuar me 8 muaj burg.

Raporti mbi ngjarjet

Një raport i Hetuesisë së Përgjithshme për ministrin e Punëve të Brendshme, Simon Stefani, mban datën 29 janar 1990. Sipas këtij raporti “tepër sekret” duket që ngjarja e 14 janarit 1990, duket se nuk ka qenë e vetmja në Shkodër. Më parë ka pasur një paralajmërim. Më 11 janar 1990 në përvjetorin e shpalljes së republikës komuniste, kishte pasur prirje organizimi nga shumë persona me synim rrëzimin e bustit të Stalinit. Këtë datë nuk kishte pasur arrestime.
Mbi bazë të kallëzimeve të ardhur nga Dega e Punëve të Brendshme Shkodër, një ditë para organizimit të demonstratës, kishte pasur disa arrestime nën akuzën e agjitacionit e propagandës. Si pasojë ishin marrë të pandehur Ded Kasneci, Flamur Begu, Rudolf Martini, Viktor Martini dhe Gjergj Livadhi. Më 14 janar 1990, njerëzit kishin qëndruar në heshtje kur kishte ardhur makina e policisë. Demonstrata kishte mbarur në orën 12.00.
Të çudit fakti se me këtë çështje nuk ishte marrë Hetuesia e Shkodrës, pro ajo e përgjithshme. Pikërisht më 16 janar 1990, bëhet edhe arrestimet e tjera dhe nën akuzën e agjitacionit e propagandës u arrestuan e dërguan në Tiranë Zef Hardhia, Simon Jubani, Zef Kasneci (së bashku me djemtë e tij Anton, Viktor, Franko), Lec Pjetri, Rin Monajka, Kol Margjini, Paulin Palushi, Rifat Nikaj, Pjetër Dedaj, Zef Koçeku, Ded Mirashi, Hysni Zeka, Dush Margjeka, Muharrem Hoxha, Fadil Popoviç, Matidh Prenushi, Leonard Kalaj dhe Kastriot Haxhi. Sipas këtij raporti thuhej se nga hetimi asnjëri prej tyre nuk ishte “inspirues i demonstratës”. Dy ditë më vonë ishte bërë lirimi i tyre dhe dërgimi drejt Shkodrës me automjete të Hetuesisë. Duke bërë kategorizimin e parë, dilte se 8 prej të ndaluarve kishin dijeni për ngjarjen. Dy priftërinjtë e arrestuar kishin deklaruar haptazi edhe në proces se ishin kundërshtarë të komunizmit e prej tyre mos prisnin gjë tjetër.
Megjithëse i liruan, më 24 janar 1990 u arrestua në Shkodër Rin Monajka si “një prej organizatorëve të ngjarjes”. Ishin kryer edhe arrestimet që i kemi bërë të njohura.

Dinamika e ngjarjes

Duke vazhduar dinamikën e hetimit të kësaj ngjarje. Në raport tjetër i 31 janarit i anës së Sigurimit të Degës së Punëve të Brendshme Shkodër, dilte se më 13 janar 1990, Gjergj Livadhi e Nikolin Thana, kanë shkuar tek Nadir Isufi në lagjen “Xhabiaj” duke i propozuar mbledhjen e rinisë së kësaj lagjeje.
Po atë ditë, Dedë Kasneci, Rin Manajka dhe Nikolin Margjini i kishin propozuar Kolec Hublinës që si “përfaqësues i punëtorëve” t’u printe demonstruesve.
Në bashkëpunim me të sipërmit, Nikolin Margjinin me punë në Uzinën e Telave, është aktivizuar për organizimin demonstratës.
Më 13 janar Rin Monajka ka shkuar tek Bebi Dingë me punë në Uzinën “Drini” duke i kërkuar të takohet me ndonjë prift me qëllim që ky të printe demonstratën që do bëhej. Ky ka shkuar dhe i ka gjetur një person me emrin Ndrek i cili do bisedonte me priftin me emrin Simon. Me këtë ishte biseduar, por ky kishte thënë:
“Me fe nuk lejohet për t’i pritë popullit në të tilla”.

Kastriot DERVISHI

Gazeta 55

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 24/04/2010. Filed under Diktatura komuniste,Patriotët. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

2 Responses to 14 Janar 1990 – SHKODER – Tentative per rrezimin e bustit te ”STALINIT”

  1. Bardhi

    10/02/2012 at 08:59


    Ke të drejtë Brunilda Gjovalin Zefi, që emni i babës tand nuk ka dalë. A asht një harresë apo mos dije? Kastriot Dervishi asht autori i shkrimit dhe nuk di të përgjegjem në emnin e tij kët harresë. Ju batë shumë mirë që e vendosët emnin e babës tand.
    Unë si lexues prita që ju të shkrueni ato episode që familja e juej ka përjetue nga policia si dhe si ju ka vlersue partia demokratike sëbashku me bashkin e Shkodrës!
    E premte, më dt.10.II.2012

  2. Brunilda Gjovalin Zefi

    06/02/2012 at 20:20


    ju te pakten permendeni te gjith emrat e pjesmaresve se njeri nja ato ka qen edhe babai im Gjovalin Zefi te cilit nuk i esht permendur emri me siper…..Me rrespekt e bija e Gjovalin Zefit…Brunilda Zefi

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.