- Home
- Shqipëria
- Bota
- Politika
- Mafia
- Shke-Tek
- Italiano
- Ekonomi
- Biografi
- Automobili
Lexuar 2890
Është si ajo fraza që ka thënë një kolegu ynë: Kastriot Dervishi nuk është historian, por ama asnjë historian nuk ka bërë më shumë se ai në këto vite demokraci. Këtë herë ai shjell në një përmbledhje të rrallë vrasjet politike në Shqipëri. Vrasje që nisin me ministrin e parë të ekzekutuar, Nexhati Libohovën, në vitin 1915, me Esat pashë Toptanin, me Avni Rsutemin, me Ceno Kryeziun, Bajram Currin, Luigj Gurakuqin, Idhomeno Kosturin, Omer Nishanin e deri tek Mehmet Shehu e Azem Hajdari. Një listë e shoqëruar edhe me historitë përkatëse, histori aq tragjike siç ka qenë edhe historia e shtetit tonë.
Por më shumë se kaq, Kastriot Dervishi ka rritur të sigurojë edhe fotografi që botohen për herë të parë, ku spikat një foto e rrallë e kufomës së Bajram Currit. Një politikan nga më në zë të kohës, senator dhe deputet ai është vrarë në Tropojë nga forcat zogiste dhe dhe fati na gjen në një situatë që për të tashmë dimë shumë më shumë gjëra. Sot po botojmë pjesën më të rëndësishme të librit, emrat e politikanëve të vrarë, por edhe historitë e tyre, duke vlerësuar shumë punën e Kastriot Dervishit, gazetari që nuk është diplomuar për histori, por që ka bërë më shumë se çdo historian sot.
Një libër studimor historik për përgjakjen e politikës shqiptare. Tani kur shteti shqiptar po i afrohet 100-vjetorit të krijimit të tij, është normale të bëhet një bilanc i përgjithshëm se ç’kanë sjellë këto për kombin dhe shtetin shqiptar. Pikërisht një nga bilancet e radhës është edhe ky i përfshirë në këtë libër me titullin “Plumba politikës”. Studimi i bazuar në arkivat më të njohura të vendit, ka në qendër të gjithë njerëzit e rëndësishëm të politikës në rangun e prefektit, deputetit, ministrit, kryetarit të shtetit, në detyrë ose jo, të cilët gjatë jetës së tyre u përballën me atentate apo sulme për t’i eliminuar ato fizikisht nga skena politike. Çështjet e trajtuara nuk janë ndarë në mënyrë të barabartë midis tyre, por sipas peshës që kanë pasur në kohë dhe sipas afërsisë me vitin kur janë shkruar. Ky libër merr përsipër të bëjë një rrëfim nga njëra anë dhe një analizë nga ana tjetër mbi ato që janë cilësuar “vrasje të mëdha”.
Që nga krijimi i shtetit shqiptar e deri sot, historia e vrasjeve politike përbën një anë të njohur, të panjohur e herë të manipuluar sipas kohëve kur kanë ndodhur apo lëvizjeve politike. Në vetvete, përveçse një krim i zakonshëm që merrte jetën e tjetrit, ngarkesa e vrasjes politike ishte e atillë, që merrte përmasa të mëdha. Viktima ishte njeri me lidhje politike, që mund të përbënte ngarkesë jo të vogël në popull apo në ngjarjet e kohës. Por në kuptimin e plotë të fjalës, atentatorët, porositësit e vrasësve, çmimet e vrasësve shkaktuan pasoja fatale mbi zhvillimet shoqërore, ndërsa nga ana tjetër, i dhanë historisë një rrugë që mbase nuk do ta përshkonte në kushte të tjera. Në fund të fundit, edhe politika shqiptare ka historinë e arkivolit të saj, i qëndruar herë i hapur e herë i mbyllur. Ministra apo deputetë të vrarë në detyrë, si dhe funksionarë të tjerë kanë hyrë tashmë në statistikat e përgjakjeve politike në Shqipëri.
Historia e politikës shqiptare, që në krijimin e shtetit shqiptar e deri sot, padyshim është ndër më interesantet në historinë e Shqipërisë. Ndonëse nuk është shkruar kurrë e plotë, pasi protagonistët e saj nuk kanë dashur ta prezantojnë plotësisht veten e tyre, kjo histori përbën një pjesë misterioze si pjesë përbërëse të asaj që ka ndodhur, nga viti 1912 e deri më sot.
Jo për të ngjallur pesimizmin apo për të kërkuar të keqen vetëm tek politika, por për të treguar një të vërtetë historike, ku toleranca mbetej në diskutim, ku cilësia politike mbetej në vlera të vogla, përveç të tjerash, ka bërë që shumë individë ta përfundojnë jetën e tyre në mënyrë tragjike nga armët e zjarrit. Përveç statistikave të tjera, ajo e vrasjeve politike është një pjesë që tregon edhe rezultatin tragjik të kësaj politike. Politikanë të ndryshëm, deputetë, ministra, kryeministra, regjentë, etj, janë në listat e të ekzekutuarve, qofshin këta në detyrë ose jo. Ky studim përqendrohet më së shumti në vrasjet që kanë ndodhur në kushtet e atentatit dhe jo ato që kanë ardhur pas përfundimit të proceseve gjyqësore.
• NEXHATI LIBOHOVA, ministër, vrarë më 1915
• PRENG BIBË DODA, vrarë më 1919
• ABDY YPI, ish-prefekt i Durrësit, vrarë më 1920
• ESAT PASHË TOPTANI, vrarë më 1920 në Paris
• AVNI RUSTEMI, deputet, vrarë më 1924
• ZIJA DIBRA, politikan, vrarë më 1925
• LUIGJ GURAKUQI, ish-ministër i Arsimit dhe Financave, vrarë më 1925
• BAJRAM CURRI, politikan, vrarë më 1925
• ISUF DIBRA, politikan, vrarë më 1927
• CENO KRYEZIU, politikan, vrarë më 1927
• MARK KAPIDANI, deputet i Shkodrës, vrarë më 1933
• HASAN PRISHTINA, politikan, vrarë më 1933
• SAVERINO RICOTTINI, ligjvënës italian, vrarë më 1943
• ILJAZ AGUSHI, ish-zv/kryeministër, vrarë më 1943
• HYSEN MYSHKETA, deputet, vrarë më 1943
• IDHOMENO KOSTURI, kryetar i Kuvendit Kombëtar, vrarë më 1943
• LEFTER KOSOVA, ministër, vrarë më 1944
• QAZIM BODINAKU, politikan, vrarë më 1939
• XHAFERR YPI, politikan, vrarë më 1940
• MUSA PUKA, politikan, vrarë më 1942
• SKËNDËR CCAMI, politikan, vrarë më 1942
• QAZIM KOCULI, politikan, vrarë më 1943
• VELI VASJARI, politikan, vrarë më 1944
• MARK KODHELI
• BARDHOK BIBA, politikan, vrarë më 1947
• NAKO SPIRU, politikan, vrarë më 1947
• ALUSH LLESHANAKU, politikan, vrarë më 1950
• OMER NISHANI, politikan, vrarë më 1953
• SALI ORMËNI, politikan, vrarë më 1953
• HAXHI HAJDARI, vrarë më 1963
• MEHMET SHEHU, kryeministër, vrarë më 1981
• AZEM HAJDARI, deputet, vrarë më 1998
. FATMIR XHINDIi – deputet, vrare ne Fier me 2009
Në fakt, njihet pak qeveria e Esat Toptanit, e cila ka ministrin e parë të vrarë në Shqipëri, që është Nexhati Libohova. Esat Toptani, pas ndarjes me Ismail Qemalin, u pa të formonte pleqësinë e Shqipërisë së mesme. Faik Konica, Fasil Toptani, Mehdi Frashëri dhe Nexhati Libohova ishin me Esat Toptanin. Pas largimit të 3 të parëve, vetëm Nexhati Libohova mbeti me të. Pasi ia arriti të kryesonte delegacionin shqiptar, që e çoi kurorën e fronit Wilhelm von Wied-it në Gjermani, më 21 shkurt 1914, Esati ishte figura kryesore pas Wiedit, në vend. Por në një mjedis të dominuar nga lakmitarë e parazitë ku prodhoheshin pafund intriga, midis Esatit dhe mbretit u shfaq si hije një konflikt i nxitur nga oborrtarët, që Wiedi mbante përqark. Për shkak të ushqyerjes së këtyre intrigave me lëndë të oborrit, Esati u detyrua të largohej nga Shqipëria duke siguruar së paku jetën e rrezikuar. Pasi filloi Lufta e Parë Botërore, ai u rikthye në Shqipëri, ku formoi edhe një qeveri, duke e renditur atë midis koalicionit që pas lufte rezultoi si fitues i saj.
Ministri Nexhati Libohova në maj 1915 ishte drejtues i dikasterit të rëndësishëm të Financave. Ministri kërkonte në këtë kohë të zhvillonte individualitetin e tij, si dhe duke luajtur midis dy aleancash, duke zgjedhur në fund atë fituesen. Por kryeministër ishte Esat Toptani, njëri prej pashallarëve më të njohur të vendit.
Nexhati Libohova bënte inspektime në Krujë, Mirditë dhe Lezhë duke burgosur shumë malësorë. Ai gjente armë tek ata dhe kërkonte pushkatimin e tyre. Por drejtësia në Durrës kërkonte të mos bëhej një gjë e tillë, pasi shtresa e kërkuar për pushkatim nuk ishte e atillë, që meritonte të çohej në plumb. Për këtë qëllim, kishte kërkuar t’i pyeste ata në Durrës. Nexhati Libohova i kishte vendosur në burgosurit të lidhur në pranga në një varkë në det. Por ata nuk u dënuan dot, pasi një incident i rëndë ndodhi midis Nexhatiut dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Shahin Dino. Ky i fundit, i zemëruar, i kishte rënë Libohovës me karrige në kokë. Në këtë gjendje, duke qenë simpatizant i austro – hungarezëve, Nexhati Libohova i çon një letër Hasan Prishtinës me anë të një korrieri për në Shkodër. Në letër ai tregonte gjendjen në Durrës dhe shprehte ndjenjat e tij ndaj Austro – Hungarisë. Mirëpo letra u kap prej myftiut matjan të Lezhës, që ia dërgoi Esat Toptanit, i cili menjëherë dha urdhër ta zhduknin ministrin e tij dhe të përhapnin fjalë se ishte zhdukur. Nexhati Libohova u arrestua, u çua në Shkallnuer, ku edhe u rrah, derisa vdiq.
Në nivel ekzekutivi, pas vrasjes së Mehmet Shehut (në vitin 1981), më e rëndësishmja mbetet ajo e Preng Bibë Dodës, e ndodhur më 22 mars 1919. vrasja kishte nisur si pasojë e vrasjes së nënprefektit të Lezhës, Gjeto Çoku, prej një vartësi të tij, të cilin e kishte rekomanduar më parë në punë, Preng Bibë Doda. Ky i fundit akuzohet për vrasjen, pavarësisht se nuk kishte asnjë lidhje me të. Por, rastisi që Doda nuk i kishte të mira marrëdhëniet me italianët. Më 22 mars 1919, ai kishte ndërmend të udhëtonte në Shëngjin me njerëzit që e shoqëronin e që ishin malësorë të Shkrelit. Komanda italiane pengon pikërisht personin që do t’i dilte përpara në Shëngjin Preng Bibë Dodës, ndërsa personi shoqërues, Sadri Zeka, lajmërohet se Doda ishte nisur në tokë. Me të marrë këtë njoftim, i Preng Gjeto Çoku niset për t’i bërë pritë Preng Bibë Dodës. Qëllohet vetura, ndërsa Preng Bib Doda çohet në këmbë, duke kërkuar që të vritej ai e të mos qëllohej mbi të huajt, pasi nuk ishte zakon shqiptar. E megjithatë, Edeni plagoset.
Ishte 15 janari i vitit 1920. Kur pritej të mbahej mbledhja e Kongresit të Lushnjes, në orët e vona të natës, do të vritej ish-prefekti i Durrësit, Abdyl Ypi, një njeri i respektuar dhe i nderuar, i njohur si përkrahës i linjës pro kongresit të pritshëm. Shpjegime të tjera në lidhje me vrasjen e Abdyl Ypit jepen në kujtimet e Hoxha Kadriut. Në pjesën që flet për ngjarjet e vitit 1919 – 1920, Hoxha Kadri shkruan se Abdyl Ypi, Rauf Fico, Hamit Toptani, Omer Shijaku, morën nismën për të thirrur një kongres e për të ftuar Esat Toptanin në Shqipëri. Kjo nismë dështoi për shkak të kundërshtisë italiane. Pas kësaj, u orvatën për kongres Hasan Prishtina dhe Ali Shefqet Shkupi, të cilët ndodheshin në Tiranë, por si kudo, një nismë ka edhe kundërshtarët e saj. Kundra u rreshtuan Eshref Frashëri, Xhavit Leskoviku, Rexhep Mitrovica, Halim Gostivari dhe Sali Vuçiterni, të cilët ishin anëtarë të “Klikës” (Krahut Kombëtar) në Durrës. Edhe Qeveria e Durrësit i ndihmoi ata të pengonin këtë kongres që ishte edhe kundër saj. “Klika” hyri në bisedime me Abdyl Ypin, ndërsa ky nuk tregonte se punonte për Esat Toptanin. Komiteti i Kosovës kishte kërkuar që mbledhja të bëhej në Shkodër, por francezët nuk e kishin lejuar. Ndërsa Abdyl Ypi vazhdonte përpjekjet për kongres, marrëdhëniet e tij me qeverinë e Durrësit dhe italianët u keqësuan. Ata që e ndjenin më tepër rrezikun e ardhjes së Esat Toptanit ishin italianët, Qeveria e Durrësit dhe Mustafa Kruja. Ndërsa Eshref Frashëri me shokë në kohën e Wiedit më 1914 i kishin vënë topin shtëpisë së Esatit, prandaj ardhjen e tij e shikonin si vdekje të tyre. Eshref Frashëri, Xhavit Leskoviku, etj, ngarkuan Rexhep Mitrovicën për të kurdisur planin e vrasjes së Abdyl Ypit. R. Mitrovica hyri në bisedime me Mustafa Krujën, i cili kishte besim tek Hysni Curri që ishte ndërmjetës. Ujdia ishte që kongresi të mbahej në Krujë më 21 janar 1920 dhe Mustafa Kruja të kishte një post kryesor në qeveri. Hysni Curri u ngarkua të dilte në malësi për të lidhur besë për një kongres, pa ditur gjë për vrasjen që po i kurdisej Abdyl Ypit. Mustafa Kruja solli njerëzit e tij nga Kruja për vrasjen. Eshrefi iku menjëherë nga Durrësi në Lushnje. Dy ditë para ngjarjes, u largua për në Vjenë Rexhep Mitrovica.
Ka qenë një prej vrasjeve kyç të historisë së Shqipërisë. Viktimën e kanë akuzuar se po kryente “tradhti” ndaj atdheut. Të tjerë e merrnin si shembullin e tradhtarit, etj. Askush mbase nuk e ka pasur këtë “fat” që të mbulohet nga akuzat e të jenë të paktë njerëzit që do të orvateshin të gjenin të vërtetën rreth tij. Një vrasje që kishte brenda sa pjesën e kundërshtarëve të dëshiruar ta shihnin sa më larg Shqipërisë, aq edhe atë të rrethit farefisnor që ia dinin forcën dhe energjinë. Dhe zgjidhja erdhi nëpërmjet vrasjes politike.
Më 13 qershor 1920, Avni Rustemi vrau në Paris, Esat Toptanin. Për shumë vite, mbi Esat Pashën u hodhën akuza “tradhtie kombëtare”, “shitje interesash kombëtare”, etj, pa mundur të sillen argumente, se ku ishte kjo tradhti. Duke iu afruar problemit, nuk është e vështirë të dallohet se vrasja e Esat Toptanit, nuk është tjetër, veçse për konkurrencë politike, e përfunduar në një eliminim fizik. Të lidhur në një koalicion të çuditshëm brezash dhe ngjyrash politike, kundërshtarët e Esatit kanë arritur ta etiketojnë atë vazhdimisht me akuza nga më të rëndat, për të fshehur pikërisht atë që u vendos në Tiranë nga politika sunduese e kohës. Avni Rustemin në fakt e ka gjetur mësuesi Sali Çeka, që vepronte në trevën e Elbasanit, ku ishte edhe ndikimi më i madh i Aqif Pashës. Çeka gjen Avni Rustemin dhe ia përcjell Aqif Pashës. Ali Asllani që kryente funksione të larta në administratën e kohëës plotëson çekun me para nga fondet e Këshillit të Naltë, ndërsa Selim Stërmasi kryen formalitetet si financiar. Një tjetër dëshmi gjejmë edhe në procesin politik ndaj kryetarit të parë të parlamentit shqiptar Xhaml Naipi. I marrë si dëshmitar, ai pyetje më 20 mars 1953 në burgun e Tiranës mbi çështje të ndryshme të historisë së Shqipërisë. Ndër të tjera gjejmë edhe këto fjalë: “Qeveria duke parë rrezikun se Esat Pasha po përgatitej për t’i rënë, vendosi ta vrasë dhe këtë mision ia ngarkoi studentit Avni Rustemi, i cili edhe e vrau Esat Pashën në Paris”.
Deputeti Avni Rustemi pasi kishte marrë pjesë për herë të fundit në Kuvendin Kushtetues më 12 prill 1924, rikthehet në Tiranë, ditën kur edhe do plagosej. Në paraqitjen e tij të fundit në Kuvendin Kushtetues më 20 mars 1924, ai kishte kërkuar leje tremujore dhe kishte nisur procedurat për marrjen e një vize amerikane. Rreth orës 17.00 të 20 prillit 1924 ai është parë në shoqërinë e disa miqve të tij, duke shkuar për të takuar në shtëpi ministrin e Arsimit, Fahri Rashit (Gjilani). Kur personat arrijnë në Varrezat e Pashës në çastin që Avni Rustemi bisedonte veç me Hoxha Kadriun, qëllohet me një plumb të vetëm nga mullixhiu Jusuf Reçi. Pas një qëndrimi dyditor në spital, Avni Rustemi vdiq 22 prillin e vitit 1924.
Në autopsinë e rastit thuhej:
“Zotni Avni Rustemi që asht plagosë me revolver, plumbi i ka hyrë nga prapa me të tetëtin e brinjës, në të mëngjërët 2 gisht afër peshkut të kurrizit, tue shpue majën e mëlçisë, diaphgramin, pankreas dhe duke shpuar stomakun, plumbi ka mbetë përpara nën lëkurë dhe rrjedhja e gjakut ka shkaktue vdekjen. Tiranë 29 qershor 1924”.
E shumëpërmendur si “vrasje patrioti” sidomos gjatë diktaturës komuniste për këtë ngjarje ishin ndërtuar sa e sa histori e libra studimorë, por pa prekur dhe pa hapur asnjëherë atë që ishte më kryesorja: dosjen hetimore të vrasjes së deputetit Avni Rustemi. U fol shumë se A. Rustemin e vrau ky apo ai person, por asnjëherë nuk u bë e njohur hetuesia e zhvilluar rreth kësaj vrasjeje dhe për motivet e saj.
Në mbrëmjen e 2 marsit 1925, një tragjedi shqiptare ndodhi në Bari. Balto Stamolla vrau ish-ministrin e Arsimit dhe të Financave të Shqipërisë dhe ish-deputetin, Luigj Gurakuqi.
Luigj Gurakuqi kishte vdekur me 3 plagë revolveri të kalibrit të mesëm 9 mm në anën e majtë dhe një plumb në krahun e djathtë.”Tribuna” e 4 marsit 1925 shkruan: “një tragjedi shqiptare në Bari. Ish-ministri Gurakuqi i vrarë nga një bashkatdhetar”.
“Il messaggero” 4 mars 1925: “Vrasja e ish-ministrit shqiptar Gurakuqi. Arrestohet Balto Stamolla”. “Giornale della Puglia” Bari, e 4 marsit 1925 shkruan: “Intervista e vrasësit Gurakuqi. Natyra e krimit. Deklarime kontradiktore. Ardhja e menjëhershme e shqiptarit të njohur në Bari. Në mjediset shqiptare të Barit flitej se Balto Stamolla ishte kushëri i parë i konsullit shqiptar në Bari, Çatin Saraçi. Saraçi thotë: Stamolla nuk ishte pjesëtar i asnjë partie politike dhe për asnjë lider nuk kishte simpati”. Një gazetë e 6 marsit 1925 shkruan ndër të tjera se “i vrari ishte armik i Serbisë dhe Britanisë së Madhe dhe kishte kundërshtuar me vendosmëri koncesionet që Zogu kishte ndërmend t’u jepte këtyre shteteve. Markezi Durazzo arriti nënshkrimin e një marrëveshje për pyjet që mëtoheshin në pronësi të Zogut, i cili mori si paradhënie 700 mijë lireta. Nga fotografia duket sikur është rreth 50 vjeç. Në të vërtetë nuk i kishte mbushur të 30-tat. Është Balto Stamolla, i cili në gjyqin e Trenit, është paraqitur me tre avokatë. Ndërkohë, akuzat vazhdonin të ishin të pareshtura. I akuzuari kryesor, ish-konsulli shqiptar në Bari, Çatin Saraçi, ishte larguar në një detyrë tjetër. Dyshimet dhe pohimet kryesore viheshin në shoqërimet që kishte pasur Stamolla me Saraçin. Në mbështetje të këtij pohimi, nëpunësi komunal i Barit, Pollstrini pohonte se e kishte njohur personin e Çatin Saraçit, djaloshin “elegantissimo con baffeti biondi”, që kishte folur disa minuta para vrasjes me Balto Stamollën në restorantin “Cavur”. Saraçi një ditë para se të bëhej paraqitja e Stamollës para gjykatësit, kishte lënë Italinë. Në kufirin austro – italian i ishin gjetur 200 mijë lireta.Prokurori kërkon që në bazë të vendimit të gjykatësve, Stamolla të lëshohej dhe me këtë vendim, bashkohej edhe mbrojtja. Kryetari në emër të mbretit, lajmëron mbylljen e seancën për çështjen Stamolla dhe urdhëron lirimin, nëse nuk kishte kërkesë për çështje tjetër. Fjalët e fundit të kryetarit u mbështetën në duartrokitje nga pjesëmarrësit. Stamolla kërkon të falënderojë dhe të marrë fjalën, por kryetari nuk ia jep, pasi për drejtësinë nuk kishte falënderime. Megjithë fjalët e kryetarit, Stamolla “dukshëm i prekur” ulet në gjunjë dhe bërtet se pas Shqipërisë, do të kishte gjithnjë vend për Italinë. Publiku duartroket.
Zija Dibra është një personazh historik që përmendet vetëm për vrasjen e tij në fillim të vitit 1925, në kohën kur Ahmet Zogu kishte rivendosur pushtetin e tij në Shqipëri. Jo vetëm kaq, por ngatërrohet edhe me një person tjetër, që mbante të njëjtin emër dhe që ka qenë deputet në vitet 1946 – 1950 dhe ambasador në Çekosllovaki, para se të dënohej si element antiparti. Parë me vëmendje, Zija Dibra nga Shkodra i vrarë në vitin 1925, i reklamuar shpesh herë si mik apo bashkëluftëtar i Hasan Prishtinës nga historianë të ndryshëm, del një personazh krejt tjetër i krahasuar me versionet e treguara të historiografisë. I vënë në shërbim të Kominternit në rrethana të caktuara, Z. Dibra informonte qendrën e Kominternit në Vjenë, për deviacionin politik të Hasan Prishtinës në drejtim të Italisë. Jetëshkrimi interesant i Zija Dibrës për lidhjet e tij me Moskën, do të bënte që ai me ardhjen e Ahmet Zogut në pushtet të akuzohej “për çështje bolshevike”. Ai u vendos të internohej nga Durrësi në Berat, i shoqëruar nga një aspirant i vetëm. Sipas versionit zyrtar, në Harizaj të Kavajës, Z. Dibra i iku nga duart aspirantit, i hipi kalit e u përpoq të largohej. Thirrjes së aspirantit për dorëzim ai nuk iu përgjigj, derisa e detyroi këtë të fundit ta qëllojë me një plumb, i cili, për fatin e tij të keq, e kapi në kokë.
Në marsin e vitit 1925 një tjetër vrasje do të ndodhte në veri të Shqipërisë, ajo e Bajram Currit, e rreshtuar nga ai moment në listën e vrasjeve për të cilat akuzohet Ahmet Zogu.
Curri një luftëtar me nam të madh gjatë viteve kur Shqipëria ishte pjesë e Perandorisë Osmane, për shkak të meritave të tij u zgjodh senator në Kongresin e Lushnjës, por shpejt dha dorëheqjen nga ky funksion dhe u zëvendësua nga Rexhep Mitrovica. Në qeverinë e Sulejman Delvinës, ai ishte ministër pa portofol. Ardhja e Ahmet Zogut nga Jugosllavia në fundin e vitit 1924, solli vetëm reagimin e forcave të Bajram Currit. Megjithatë, forcat e Zogut nuk u futën në konflikte me Bajram Currit. Vetë Zogu nuk dëshironte konfrontim me Bajram Currin. Kjo, pikësëpari, se nuk i prishin punë dhe së dyti, dinte pakënaqësinë që kishte ushqyer Curri në fund për qeverinë e Fan Nolit. Ahmet Zogu ndodhej në këto çaste midis kërkesës së aleatëve dhe krushqve të tij, Kryezinjve për hakmarrje dhe nevojës për ruajtjen e pushtetit në vend. Mesazhet e Zogut për Currin, që ky të largohej përkohësisht nga Shqipëria, ky i fundit nuk i kishte pranuar. Në këto momente, duke përfituar nga çasti se prefekti i Kosovës, Hasan Kryeziu ishte në konflikt me Bajram Currin, Kryezinjtë nën peshën e përhershme të gjakmarrjes rrethuan Bajram Currin në shpellën e tij. Në kujtimet e tij të botuara në Kostancë, Rumani 1935, sekretari i Bajram Currit, Niman Ferizit shkruan se ai (Curri) plumbin e fundit e fundit ia kishte falur vetes duke kryer kështu një vetëvrasje në kokë. Kjo ndodhi më 29 mars 1925. Mirëpo varrimi tij do të bëhej në prani të autoriteteve shtetërore dhe sipas riteve fetare, gjë që duket edhe në fotot përkatëse. Në njoftimin e saj gazeta kryesore e kohës “Indipendenca shqiptare” në mars 1925 shkruan se nga përleshja e kryer ishin vrarë dhe ishin plagosur disa. Në përfundim të këtij konflikti të panevojshëm, zëvendësisht ministri i Punëve të Brendshme, Kostaq Kotta, falënderonte prefektin Hasan Kryeziu për veprimin e armatosur. Një moskordinim i përsosur midis pjesës që nuk donte të prekej Bajram Curri dhe pjesës tjetër që bënte “detyrën”. Ahmet Zogu nuk do ta kishte dashur një ngjarje të tillë. Këtë e tregon më së miri lidhja e pensionit për familjen.
Vrasjet e ligjvënësve rifillojnë në vitin 1927. Vrasja më e rëndë e ndodhur në atë kohë përsa i takon pozitës politike të personit, është ajo e Isuf Dibrës, emri i të cilit sipas burimeve të kohës, shkruhet herë “Isuf” e herë “Jusuf”. Ai ishte një figurë e rëndësishme politike, aq sa në qeverinë e Esat Toptanit kishte qenë ministër i Luftës. Më 18 dhjetor 1926 ai kishte zëvendësuar senatorin e rrëzuar Eqrem Vlora, i cili nuk kishte marrë pjesë në punimet e Senatit prej dy muajsh duke sjellë vetiu edhe rrëzimin e tij nga kjo pozitë. Sipas njoftimeve të shtypit, senatori u vra në Tiranë më 19 mars 1927 nga shërbëtori i tij, ndërsa organet sekrete, siç tregojnë dokumentet arkivore, e hetuan çështjen veçan dhe i rezervuan informacionet e tyre.
Si finale, marrëdhëniet e acaruara shqiptaro – jugosllave patën vrasjen e Ceno bej Kryeziut, kunati i presidentit të Republikës, Ahmet Zogu. Kjo pikë ballafaqon edhe pozitën e dy kunetërve në lidhje me partneritetin politik apo çështjen e pushtetit dhe duket që ajo që u luajt në Pragë, ishte e vetmja rrugë që mund të çonte në zgjidhjen e pozitës së të dyve, sipas së cilës njëri vazhdonte në pushtet e tjetri dërgohej në varr. Ceno Kryeziu, si një njeri i orientuar drejt një partneriteti me jugosllavët, kishte shfaqur haptazi mospëlqimin e tij për kahun e kundërt që kishin marrë marrëdhëniet shqiptaro – jugosllave. Sipas burimeve diplomatike angleze, midis tij dhe Ahmet Zogut kishte nisur një rivalitet i pashmangshëm pushteti. Pas kryengritjes së Dukagjinit (nëntor 1926), Ahmet Zogu e kishte emëruar Cenon, ministër të Shqipërisë në Beograd. Mirëpo ai në kundërshtim me detyrën e një diplomati, kishte dhënë deklarata të kundërta me ato zyrtare, duke e detyruar presidentin ta transferonte si ministër të Shqipërisë në Pragë Më 14 tetor 1927, i riu nga Elbasani, Alqiviadh Bebi pasi e kishte pritur në lokal, do të qëllonte me tre plumba në kokë Ceno Kryeziun në Pragë, duke shënuar në këtë mënyrë emrin e tij në historinë e Shqipërisë. Sipas të dhënave të para, pasi e kishte qëlluar, Bebi kishte dorëzuar gjakftohtë armën dhe në frëngjisht i ishte drejtuar policit: “Je sius venu pour le tuer” (“erdha për ta vrarë). Një bashkëmoshatar e bashkënxënës i Bebit, Zoi Xoxa, pohonte vite më vonë se Shefqet Vërlaci dhe Andon Beça kishin ardhur disa herë në Itali, kur studionte Alqiviadh Bebi dhe e kishin takuar atë. Këto takime nuk vinin nga fakti se cili ishte personi i Alqiviadh Bebit, porse Andon Beça ishte kushëri i A. Bebit.
Legjislatura e dytë e monakisë do të tronditej nga vrasja e një tjetër ligjvënësi, kur sapo kishin mbaruar zgjedhjet e 11 nëntorit 1932. Tirana u përgjak nga vrasja e një deputeti.
Gegë Marka Gega nga Oroshi i Mirditës, dikur oficer në rezervë, i kishte sjellë shërbime qeverisë në kohën e rebelimit të Mirditës, por ishte dënuar me 15 vjet burg, pasi kishte strehuar Sulejman Belegun nga Kruja, si dhe kishte thënë se po përgatitjej një kryengritje kundër regjimit.
Në mëngjesin e 19 dhjetorit 1932, ora 10.30, deputeti i Shkodrës, Mark Kapedani, u vra në dhomën e oficerëve rezervë afër Pallatit Mbretëror nga Geg Marka Gega në Tiranë. Gega ka qëlluar në drejtim të deputetit duke i shkaktuar plagë atij. Njëkohësisht edhe deputeti ka qëlluar, duke i shkaktuar plagë të lehta Gegës. Vrasja ishte pjesë e intrigave.
Ndoshta nuk mund të gjendet politikan tjetër si Hasan Prishtina, që ka pasur aq herë plane për të ndërmarrë atentate kundër jetës së Ahmet Zogut. Duke qenë një politikan i veprimit, sa i ashpër, aq edhe jo tolerant, Hasan Prishtina, ish-ministër dhe ish-kryeministër i shtetit shqiptar, është njëri nga politikanët e vrarë jashtë Shqipërisë. Dikur mik i Ahmet Zogut, Hasan Prishtina ishte vënë në pozita të forta armiqësore me të, të paktën qysh nga kriza e dhjetorit 1921, marsi 1922, viti 1924, atentati i dështuar ndaj Zogut më 1928, atentati i Vjenës 1931, etj. Hasan Prishtina dukej i vendosur në aksionin për të vrarë Ahmet Zogun, të cilin e quante e keqja më e madhe e Shqipërisë.Mirëpo, krejt papritmas, H. Prishtina vritet në Selanik më 14 gusht 1933 nga një bashkatdhetar tij, i cili i rezultonte se kishte qenë mik i tij.
Statuti i ri i Mbretërisë Shqiptare i qershorit 1939, përcaktoi edhe natyrën e re fashiste të shtetit, imitim i modeleve musoliniane. Sipas këtyre modeleve, Këshilli i Epërm Fashist Korporativ (KEFK) ishte i vetmi në të gjithë historinë e legjislativit shqiptar, që përfshiu në radhët e tij edhe shtetas italianë, që kishin fituar të drejta politike në Shqipëri. Njëri prej këtyre italianëve ishte edhe Saverino Ricottini. Pasi ka shërbyer në Shkodër dhe Elbasan, anëtari i Këshillit të Epërm Fashist ka vazhduar “misionin” e tij në Pejë. Në ditët e vështira të pranverës vritet. Ishte 25 mars 1943. Një ditë më vonë, e përditshmja fashiste “Tomori” njofton në faqen e parë për vrasjen e tij. Vrasja ka ndodhur, teksa inspektori po shkonte për në zyrën e tij. Në shkrim thuhej: “Edhe nji pusi e poshtër. Edhe nji viktimë e subvencionit, i cili i paguar me arin e Moskës, është specializuar në atentate dhe grabitje. Saverino Ricottini ka qenë një prej figurave më në dukje, më të shquara në Shqipëri, sepse ka banuar këtu qysh në qershor 1939. Ka pas mbajtur detyrën e inspektorit federal në Shkodër, Elbasan dhe Pejë. Në këtë qytetin e fundit ka qenë shumë i njohur, sepse kishte qëndruar qysh në themelimin fashist vendës”, njofton “Tomori”.
Pasi Kuvendi Kombëtar i kishte hapur punimet e tij, një tjetër vrasje do të ndodhte në Tiranë, ajo e deputetit të Prishtinës, ish-zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve Botore, Iljaz Agushi. Prishtinasi Agushi pas bashkimit të 1941-it, ishte integruar në jetën politike të Shqipërisë, duke u emëruar fillimisht prefekt i Prishtinës më 1941 e më pas, ministër i Punëve Botore në qeverinë e Mustafa Krujës. Duke e ruajtur këtë detyrë, ushtroi edhe postin e zëvendëskryeministrit në qeveritë e Maliq Bushatit e Ekrem Libohovës. Në cilësinë e zëvendëskryeministrit, Iljaz Agushi i drejtoi popullit thirrjen për qetësi, kur kapitulloi Italia fashiste, ndërsa kryeministri Libohova “u nis për punë private në Itali”. Ai dorëzoi në rregull dhe pa probleme pushtetin tek autoritetet e reja në vend. Për këtë shkak, u zgjodh deputet në Kuvendin Kombëtar. Nuk do të mundte të jepte kontribut, pasi ndodhi vrasja më 28 tetor 1943 në Tiranë.
I vetmi kryetar legjislativi i vrarë në detyrë është Idhomeno Kosturi, pinjoll i një prej familjeve më atdhetare në vend. Babai i tij Jovani, së bashku Orhan bej Pojanin hapën shkollën e parë shqipe për Korçën, ndërsa i vëllai i tij Spiro, ishte vrarë nga grekët në Selanik. Idhomeno kishte qenë arkëtar i komitetit “Përparimi”, i krijuar nga kongresi i Elbasanit. Pas vitit 1913 u vendos në Durrës. Ishte pjesëmarrës në kongresin e Durrësit dhe atë të Lushnjes. Po ashtu, ishte kryeministër në qeverinë e tranzicionit (12 – 24 dhjetor 1921). Ai ishte deputet i Korçës në zgjedhjet e 1 tetorit 1943. Fillimisht u zgjodh kryetar i komisionit të letërpërfaqësimeve dhe pasi kryetari i mëparshëm, Lef Nosi, u zgjodh anëtar i Këshillit të Naltë, u zgjodh kryetar i Kuvendit Kushtetues, më 25 tetor 1943. Për fatin e tij të keq, këtë detyrë do ta ushtronte shumë pak ditë, pasi do të gjente vdekjen nga një atentat komunist.
Për të vrarë Idhomeno Kosturin, njësiti guerril komunist i Durrësit ngarkoi të riun Kolë Laku, i cili e kreu krimin, sapo kryetari i Kuvendit po dilte nga shtëpia. Në mënyrë të papritur, ai qëlloi mbi Kosturin duke kryer kështu vrasjen e njërit prej autoriteteve më të larta në vend. Ishte 5 nëntori i vitit 1943.
Sërish një statistikë e hidhur nga Kuvendi Kombëtar i 1943. Vrasjet i paraprinë mbledhjes së parë të Kuvendit, që ishte lënë për më 16 tetor 1943. Durrësi, qyteti me aktivitet jo të vogël të njësiteve guerile komuniste, do të bëhej dëshmitar i ngjarjes së 8 tetorit 1943, kur në shëtitoren që kishte mbajtur emrin e Musolinit (dhe me vonë atë të Stalinit), vritet deputeti i Durrësit, avokat Hysen Myshketa së bashku me të vëllanë. Gazeta e vetme në atë kohë shkruante se 3 të panjohur kishin qëlluar mbi vëllezërit Myshketa (“Kombi” 8 tetor 1943). Disa ditë më vonë gazeta njoftonte vdekjen e deputetit në spitalin e Tiranës, ku kishte shkuar për mjekim.
Në kaosin e shtuar dita – ditës, politika shqiptare do të shënonte edhe statisktikën më të shpejtë të vrasjes së një ministri. Më 6 shtator 1944 Lefter Kosova, pak orë pasi kishte bërë betimin si ministër i Punëve Botore para Këshillit të Naltë, vritet në Tiranë. Pasi u betua si ministër në para Këshillit të Naltë, Lefter Kosova mori makinën e kryetarit të Parlamentit, prof.Mihal Zallari dhe u nis drejt shtëpisë. Sapo mbërriti atje, në prani të nënës së tij, vritet nga personi i sipërpërmendur. Ora 20.00 i shkuan në shtëpi 3 xhandarë dhe 3 civilë dhe e vranë. Një ditë më parë në një mbledhje kishte kritikuar ashpër gjendjen dhe kishte thënë se për çka bëhej është lufta e myslimanëve kundra të krishterëve dhe në Parlament. Për të u tha se u vra nga Xhelal Staravecka, një personazh ky që, mbi të gjitha ka mbetur misterioz për atë çka ai përfaqësoi në ato vite. Në librin e Xh. Staraveckës me kujtime gjendet edhe “versioni” i tij për këtë ngjarje. Xhelali e ekzekutoi Pandi Dardhën të cilin e quante “terrorist” si dhe Lefter Kosovën. Midis L. Kosovës dhe Xhelalit kishte pasur një grindje më parë. Dardha kishte kujtuar se L. Kosova e kishte tradhtuar. Përveç tij Staravecka kishte arrestuar edhe 3 atentatorë të tjerë. Në këtë moment ai kishte filluar të ndjente hakmarrjen për Lefter Kosovën. Sipas tij ky ishte personi që do të bënte kompromisin midis partizanëve dhe gjermanëve në çastet kur përflitej qeveria e re. Kur kishte marrë vesh se Lefter Kosova ishte në listën e ministrave, në hotel “Dajti” në prani të Musa Kranjës dhe Islam Shehut, e kishte paralajmëruar të hiqte emrin nga lista, sepse në të kundërt do ta vriste. L. Kosova kishte premtuar, por nuk kishte hequr dorë nga marrja e postit. Edhe për qeverinë e re të Ibrahim Biçakçiut ai e quante si të përfshirë në këtë komplot. I urrente të gjithë, por hakmarrjen kishte bërë ndërmend ta kryente mbi 3 vetë: Ibrahim Biçakçiun, Mihal Zallarin dhe Lefter Kosovën. Përfundimisht kishte vendosur të vriste Lefter Kosovën.Përpara shtëpisë së vet ai e vret L. Kosovën. Në fund të kësaj pjese ai përmend proverbin shqiptar: “Sa të qajë nëna ime, le të qajë nëna jote”. Po edhe proverbin latin: “Vdekja jote është jeta ime”.
I vranë apo u vranë midis tyre? Një dilemë që ndoshta do të vazhdojë përjetësisht të diskutohet. Në funksionin e titullarit të Arkivit të Ministrisë së Brendshme, kërkova jo pak në fondet e pasura të këtij arkivi për të gjetur të dhëna në lidhje me këtë vrasje. Do isha i lumtur sikur të gjeja së paku ekspertizat mjeko – ligjore të trupave. Fondi i hetuesisë fillonte nga viti 1950. Fondet e tjera kishin pak gjë. Një mungesë e çuditshme. E pra, vrasja e 18 marsit 1947 në versionin zyrtar ishte thënë se baballarët deputetë të lidhur me pushtetin Mustafa Xhani (ndryshe Faja Martaneshi) dhe Fejzo Dervishi, u vranë nga Baba Abazi, ndërsa ky i fundit më pas veten e tij.Më 14 mars 1947 u vendos krijimi i organizatës Bektashinjtë Përparimtarë me një kryesi të përbërë nga Baba Fejzo (kryetar). Për këtë gjë filloi përpunimi i rezolucionit që do lexohej në mbledhje. Grupi ka marrë edhe një fotograf Maca dhe ka dalë në foto. Më 15 marsin e 1947 nënshkruan rezolucionin në shtëpinë e Baba Fajës. Në këtë rezolucion pasi përmendej pushteti popullor, përkrahja ndaj Frontit Demokratik, kritikoheshin zakonet prapanike në jetën e bektashinjve. “Neve bektashizmin nuk e pranojmë më si një koncept të një besimi të mykur prapanik” – thuhej ndër të tjera, sepse ky besim i pavend do të zhdukej. Moto do të ishte “me popullin e për popullin”. Anëtarët e organizatës merrnin përsipër të jetonin me punën e tyre dhe jo në kurriz të të tjerëve. Reformat që kërkoheshin ishin modifikimi i petkut dhe martesa e funksionarëve. Në rastin e martesës thuhej se bektashizmi i kishte rrënjët tek Muhamedi, Aliu, 12 imamët, pasardhësit e tyre e deri tek Haxhi Bektashi, të cilët kishin qenë martuar. Për Haxhi Bektashin thuhej se historianët ishin ndarë më dysh, disa thonin se ishte i martuar e disa jo. Në dëshmi thuhet Abaz Dedei, Baba Fejzo, Baba Faja, Baba Zeneli dhe Ibrahimi kishin ngrënë darkë së bashku. Abaz Dedei nuk kishte dhënë asnjë shenjë shqetësimi, madje kishte bërë edhe shaka. Abaz Dedei kishte raporte të mira me Baba Fajën dhe sillej gjithnjë i sjellshëm me të. Bënte pak përjashtim rasti i reformave, por nuk kalonte kurrë në ekstrem. Në darkën e datës 16, në shtëpi të Baba Fajës kanë fjetur edhe Baba Zeneli, Baba Iljazi dhe Gjysh Rustemi. Në mëngjes kryegjyshi ka kërkuar të takojë Baba Fajën. Të martën e 17 marsit 1947 Baba Fejzo, Baba Faja, Baba Zeneli, kishin shkuar në kryegjyshatë me makinën e Baba Fajës. Ky i fundit po përpilonte listën e grupeve që do të niseshin për agjitacion në krahina të ndryshme. Më pas shpjegohet pjesa e vrasjes: “Baba Faja niset të dalë për të dërguar Baba Fejzon me automobil, duke i thënë atij të qëndronte në këmbë, po në vendin e parë, me sy nga fotografitë, …dhe hapat e shpejton nga dera e korridorit, e cila gjatë këtyre çasteve ishte hequr. Porsa e hapi derën, që të dilte e gjend ballë për ballë shumë ngjitas me Abaz Dedenë, i cili paska qenë drejtuar për t’u futur brenda.
Menjëherë, në moment që u gjendën kështu, Abaz Dedei dhe Baba Faja përhapet një krismë arme dhe Baba Faja sakaq bie në tokë. Në moment, me një shpejtësi të vetëtimshme, Abaz Dedei futet në derë të zyrës, ku qëllon edhe Baba Fejzon dhe ky u rrëzua. Atëherë, Abaz Dedeja i drejtohet për së dyti nga trupi i shtrirë e Baba Fajës dhe e qëllon, ndërsa unë në këtë moment hidhem nga dritarja. Porsa kalova 3 – 4 metra duke bërë gjysmë rrethin nga ana e djathtë për të dalë në oborrin nga ana e kursit, dëgjova një të shtënë tjetër në dhomën e zyrës. Porsa largohem edhe disa metra të tjera, dëgjoj prapë një krismë të mbytur fare dhe kur gjendem në oborrin e kursit, kam dëgjuar edhe 2 – 3 të shtëna automatike. Tronditja ime shpirtërore kishte arritur kulmin këtë çast. I pari që kam takuar në oborrin e kursit ishte Dervish Jusuf Prishta, të cilin e vura në dijeni”. Pas këtij përshkrimi thuhet se kanë arritur forcat qeveritare. I habitshëm ky veprim, pasi kryegjyshata ndodhej relativisht në një vend të largët, ku nuk mund të shkohet aq shpejt. Ndërkohë, roli i rreshterit që ka qenë aty, del i paqartë. Osman Muka ka qenë rreshteri i Baba Fejzos. Pikërisht ky rreshter ka qëlluar me automatik mbi Abaz Dedenë dhe thuhej se i kishte marrë pistoletën. Mbetej dyshim i madh nga kishte ardhur arma e Abaz Dedesë, pasi nuk dilte që ai të kishte pasur një të tillë. Për më tepër, dyshimi shtohej pse rreshteri duhej të qëllonte mbi Abaz Dedenë, nëse ai ishte i vdekur. Kur kishin kaluar shumë vjet nga kjo ngjarje, një dëshmi e veçante vjen nga hetuesia që po zhvillohej ndaj ministrit më jetëgjatë të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu. Në 6 dhjetorin e ftohtë të vitit 1982 Hazbiu u pyet nga hetuesit për ngjarjen e largët të vrasjes së dy baballarëve. Hazbiu pyetej për shkakun se në atë kohë ai kishte bërë një raport për këtë ngjarje ku përgjegjësinë e çonte deri në udhëheqjen e partisë. Në deklaratën e atëhershme, Hazbiu implikonte si shkaktarë të vrasjes, Koçi Xoxen dhe Bedri Spahiun, duke shfajësuar në të njëjtën kohë Mestan Ujanikun. Xoxen dhe Spahiun, Hazbiu i cilësonte si shtytës të reformave që po ndërmerre Baba Faja. Por edhe Koçi kishte thëne se: “Vrasja… është rezultat i një pune të organizuar ku duhet të kenë gisht edhe njerëz të partisë”. Të nxitur nga kjo hetuesit e kishin pyetur K. Hazbiun: “A ishte në përputhje me vijën e partisë orientimi për të kërkuar vrasësit e Baba Fajës dhe Baba Fejzos në radhët e partisë”, por ish-ministri i Punëve të Brendshme, ua pret shkurt me fjalët “nuk përgjigjem”.
Vrasja e deputetit socialist Fatmir Xhindit ne Maj te 2009-tes akoma dhe sot e pazbardhur!!!
Xhindi paradite ka qene ne Fier ku ka percjelle djalin e tij Amarildon i cili vazhdon studimet per mjeksi ne nje universitet ne Rumani. Pasi e ka percjelle ai eshte kthyer ne Roskovec ku ka pire nje kafe me disa te njohur dhe me pas ka nderruar rrobat, duke veshur te punes dhe eshte nisur per nga tokat e tij qe ka ne fshatin Kurjan. Po sipas ketyre burimeve Xhindi ka takuar nje te njohurin e tij ku i ka kerkuar qe ta ndihmoje me nje makine korrese bari dhe ai i kish thene qe – ”Mos e ki problem. U tha…, u be”. Pasi ka takuar nje kushuririn e tij ne Kurjan e ka pire nje kafe Xhindi eshte nisur per ne Roskovec nderkohe qe ora kish kaluar 20:00. Ai ka pire nje kafe me tre persona ne nje lokal fare prane shtepise Me pas ka marre autromjetin e tij dhe eshte drejtuar per ne shtepi. Ende pa hapur porten kryesore te murit rrethues ai eshte thirrur ku ka dale nga automjeti I tij dhe eshte qelluar me bresheri automatiku per vdekje. Njeri prej gjashte vellezerve te tij qe ka benesen ngjitur me te ka degjuar te shtena dhe ka dale jashte. Sapo ka hapur porten kryesore ka pare te vellane, deputetin Xhindi te shtrire pertoke. Ai e ka marre dhe me urgjence e ka sjelle per ndihme te pare mjeksore ne repartin patologjik te spitalit rajonal Fier. Sipas tij, fatmir Xhindi kish nderruar jete gjate rruges per ne spital.