Tragjedia dhe Lavdia e kishës katolike shqiptare

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 3772
Paraqitje e denjë e martirizimit dhe e lavdisë së klerit katolik shqiptar.
PJETER PEPA I DHURON NË SHESHIN ”SHËN PJETRI” NË VATIKAN ME 14 MAJ 2008 NJË LIBËR PAPES BENIDIKTI TË XVI.
Paraqitje e denjë e martirizimit dhe e lavdisë së klerit katolik shqiptar.
Mbi veprën “Tragjedia dhe lavdia e klerit katolik në Shqipëri” të autorit dr.Pjetër Pepa.

Anton Çefa
Paraqitje e denjë e martirizimit dhe e lavdisë së klerit katolik shqiptar.

Mbi veprën “Tragjedia dhe lavdia e klerit katolik në Shqipëri” të autorit dr. Pjetër Pepa, Shtëpia botuese 55, Tiranë 2007.

Kur autori i kësaj vepre të vëllimshme, që i kushtohet martirizimit të klerit katolik shqiptar në periudhën e diktaturës komuniste – më e mira e më e plota e botuar deri tash për këtë subjekt, – pati botuar librin e tij të parë “Dosja e diktaturës”, në v. 1995, dhe e pati paraqitur atë “si këngë e mjelmës, si vepër e parë dhe e fundit që po ia kushtonte dhimbjes shqiptare”; unë duke menduar lirinë që po hapte krahët në të gjitha sferat e jetës shqiptare dhe sidomos në atë të fjalës së lirë e të shtypit dhe duke e njohur për së afërmi “dhimbjen shqiptare” që ndjente autori, pathosin për drejtësinë, mllefin për krimin dhe një gjakim të paanë për të vërtetën, i pata shkruar: “Lëre më një anë ‘këngën e mjelmës’, e marr me mend se je lodhur me dosjet, por edhe ndonjë vepër tjetër si ‘Dosja . . . ’ do t’i shërbente më tepër së vërtetës dhe do të ndihmonte që shpirti shqiptar të çlirohej, të qetësohej dhe të fisnikërohej më tej.”
Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshej. “Dosjen . . . ” e pasuan sa e sa vepra të tjera. E fundit në radhë, kjo vepër që kemi në dorë e botuar në dy vëllime, përkatësisht me 786 dhe 734 faqe.
Nga shumë të veçanta që ka kjo vepër, na vjen mbarë të theksojmë së pari kushtimin e autorit: “Dhjetë vjet më parë, më 1997, pata fatin të njihem, të miqësohem dhe t’i dhuroj “Dosjen e diktaturës” dy të lumturve, Papa Gjon Palit II dhe Nënë Terezes. Sot, më 2007, atyre ua kushtoj këtë vepër!”

Vëllimi i Parë hapet me një “Opinion” të Imzot Rrok Mirditës”, Arqipeshkëv Metropolit i Tiranë-Durrësit, ku ndër të tjera thuhet: “Libri që u dorëzon lexuesve njëri ndër njohësit më të mirë të dosjeve të martirizimit të Kishës Katolike në Shqipëri, dr. Pjetër Pepa, na paraqet në tërë lakuriqësinë e vet absurditetin e një sistemi që kishte vendosur t’i shkonte gjer në fund procesit të varfërimit shpirtëror të një kombi.” Dhe më poshtë: “Duke na dhuruar këto faqe të mbushura me dhimbje, dr. Pjetër Pepa nuk na jep vetëm një pasqyrë më të qartë të historisë sonë të re, që përmban shumë tragjizëm, por edhe një pamje të realitetit të Kishës Katolike, që martirizimin e saj nuk e përjeton si tragjizëm, por si dëshmi ndaj së vërtetës.”
Në “Dy fjalë . . .” që pasojnë “Opinion-in” e Imzot Mirditës, autori paraqet familjen etij, të dokumentuar së paku që nga koha e Kuvendit të Arbnit” (1703),përkushtimin e saj të krishterë, lidhjet e saj të ngushta më kishën dhe veprimtarinë e shërbimit që ka bërë ajo në prehrin e saj dhe, po ashtu, lidhjet e tij personale me këtë institucion sa besimi po aq atdhetarie. Rrjedhojë e këtyre lidhjeve është edhe kjo vepër: “Imzot Massafra, në emër të Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare e ngarkon me detyrën e re, atë të Komisionit Historik për Kanonizimin e Martirëve Shqiptarë”, në hullinë e së cilës detyrë u shkrua vepra “me të vetmin qëllim fisnik: nxjerrjen në pah të sakrificës së pashembullt të Kishës dhe klerit katolik shqiptar”.

Në “Parathënie” janë treguar shkurtimisht burimet e të dhënave për hartimin e veprës, vështirësitë e hasura, synimet, rëndësia dhe struktura e veprës. Libri bazohet kryesisht mbi të dhënat e arkivave (të Tiranës, Shkodrës, Vatikanit, Grotta Ferrattës, Genacanit, Loretos, arkivat arqipeshkvnore të Beogradit, Prizrenit, Tivarit, Cetinës, Tuzit, etj.); por u referohet edhe burimeve të tjera: veprave të autorëve tanë e të huaj, studimeve e artikujve të botuar në shtypin e përditshëm dhe periodik, dëshmive të shkruara dhe të botuara deri tani në këto fusha si dhe të marra nga dëshmitarë të mbetur gjallë mbas persekutimit.
Dihet që doktrina komuniste është diametralisht e kundërt me besimin në Zotin, prandaj kudo ku u vendosën regjimet komuniste filluan persekutimet antifetare, por si në asnjë vend tjetër në Shqipëri u bë një çrrënjosje e plotë e të gjitha besimeve fetare. “Duke shfrytëzuar të gjitha mjetet që zakonisht ka në dispozicion një regjim totalitar, shteti i parë ateist i planetit donte ta fshinte Zotin nga faqja e dheut shqiptar, ta shkulte atë nga zemrat dhe ndërgjegjja e besimtarëve, madje të zhdukte plotësisht prej tyre edhe vetë mundësinë e besimit, dashurinë dhe shpresën në Të”.

Përndjekjet kundër Kishës Katolike në vendin tonë nuk kanë munguar asnjëherë gjatë dy mijë vjetëve të krishtërimit shqiptar, por kjo e fundit ka qenë më e egra dhe më shkatërrimtarja. Ky libër i kushtohet pikërisht kësaj përndjekjeje të pashembullt. Veç kësaj, kjo vepër shkon në gjurmët e traditës së lashtë, të bukur e të lavdishme të krishtërimit, mbasi, siç dihet : “Prej kohësh, të krishterët e parë bënin përpjekje që të qarkullonin, nga njëra kishë në tjetrën, aktet e martirizimit të tyre dhe të dëshmitarëve të fesë.”
Gjithësesi, synimi kryesor mbetet tek dokumentimi individual i martirizimit të çdo kleriku për t’i shërbyer kanonizimit zyrtar të secilit dhe, në të njëjtën kohë, dokumentimit të martirologjisë së Kishës Katolike Shqiptare, që është e do të mbetet unike për atë që pësoi nga diktatura dhe për qëndresën e lavdishme që i bëri asaj. Kështu, kjo vepër madhore vjen edhe si plotësim i porosisë së Papës Gjon Pali II, dhënë në Fjalimin e Tij Historik gjatë vizitës në vendin tonë, më 25 prill 1993: “Historia nuk e ka njohur ende atë që ka ngjarë në Shqipëri. Kështu, të dashur shqiptarë, drama juaj duhet t’i interesojë gjithë kontinentit europian ! Është e domosdoshme që Europa të mos harrojë!”.

Këtu qëndron edhe rëndësia e kësaj vepre jo vetëm për vendin tonë, por edhe për gjithë Europën dhe botën.
Natyrshëm, hartimi i kësaj vepre ka kaluar nëpër vështirësi jo të pakta. Megjithëse autori pati fatin të shfrytëzojë arkivat e Tiranës dhe, siç shprehet ai, “për të parë anën tjetër të ‘medaljes”, gjë që përbën një të veçantë tjetër të këtij libri. Dihet se në ato dokumente është vënë dorë, janë bërë ndryshime e falsifikime, janë fshirë gjurmët e kriminelëve, etj.; shto edhe faktin e sajimit të proceseve gjyqësore për të justifikuar ekzekutimet e të pafajshmëve para breznive të ardhshme dhe historisë. Veç sa thamë, për të gjithë ata që kanë vdekur gjatë torturave ose janë mbytur para daljes së tyre në gjyq, dosjet mungojnë krejtësisht. Autori ka shfrytëzuar me kujdes dhe me sy kritik dëshmitë gojore, por mjerisht të mbijetuarit kanë qenë fare të paktë.

* * *
Në “Hyrje”, bëhet fjalë kryesisht për figurën e klerikut katolik shqiptar dhe për arsyet pse ndaj Kishës Katolike dhe klerikëve të saj u ushtrua një persekutim më i rreptë. “Detyra e parë dhe e vetme e rëndësishme, së cilës ata (klerikët) iu kushtuan tërësisht, duke privuar gjithçka nga jeta e tyre private, është përhapja e besimit dhe e dijes. Por shpesh herë, ashtu si gjithë intelektualët, nacionalistët dhe patriotët e tjerë, edhe ata nuk mund të mbylleshin e të kufizoheshin vetëm me problemet e shpirtit e të fesë, aq më tepër kur fatet e atdheut, të kombit dhe të popullit të cilit ata i shërbenin e i rrinin afër, ishin në rrezik. . . . Ashtu si pakuptuar, ata u gjetën para një detyre të dytë, ndërgjegjësimit të popullit, besimtar ose jo, për fatet e atdheut e të kombit”, çka u konkretizua me binomin “Fe e atdhe” të gjithë veprimtarisë së tyre, qëndrim që e karakterizoi klerin katolik shqiptar në shekuj. Kështu, pavarësisht nga pikëpamjet e tyre politike (balliste, legaliste a edhe socialiste), ata ishin nacionalistë, atdhetarë të flaktë të gatshëm të bëjnë edhe flinë më të lartë për atdheun e popullin e tyre. Shembujt janë të panumërt. Ata nuk u rreshtuan në partitë politike, sepse “ideali të cilit ata i ishin kushtuar qëndronte shumë më lart se vetë ato parti. . . .”
Kleri katolik shqiptar e njihte në rrënjë komunizmin ateist e të pa Zot, të egër e kriminel, dhe ai e pati demaskuar në shtypin, shkollat, predket që mbante në kisha, etj. qysh kur në vendin tonë, në vitet ’30 të shek. të kaluar, filluan të qarkullonin idetë e nepërkës së kuqe bolshevike dhe të përvillej jargu i saj pansllavist. Edhe vetëm kaq do t’i mjaftonte regjimit që të përdorte të gjitha mjetet për ta shkulur nga rrënjët këtë institucion të besimit e të atdhetarizmit, të moralit e të dijes, të kulturës e të progresit; por që për komunistët ishte një “mërimangë e zezë që ka shtrirë pëlhurën e saj gjithandej”, siç e pati quajtur Enver Hoxha Kishën Katolike, në vizitën e parë që bëri në qytetin e Shkodrës në vitin 1945.

* * *
Pjesa e parë e veprës, e titulluar “Shqipëria, shteti i vetëm ateist në botë dhe i fundit drejt Europës”, jep të dhëna të përgjithshme mbi origjinën ilire të shqiptarëve; Shkodrën si kryeqendrën e krishtërimit në Shqipëri, përhapjen e besimeve fetare në vendin tonë (krishtërimit, islamizmit, bektashizmit, ortodoksisë dhe protestanizmit), rendet a urdhërat fetarë katolikë në vendin tonë (bazilianët, benediktinët, dominikanët, françeskanët, jezuitët, unitët, kleri dioqezian, motrat stigmatine, servite, saleziane, vinçenciane) dhe veprimtarinë e tyre të gjithanshme kulturore e atdhetare dhe persekutimin e krishtërimit gjatë shekujve. Më tej, jepet lista e përgjithshme e atyre që vuajtën përndjekjet e diktaturës; gjithësejt 228, prej të cilëve 122 autori i ka njohur personalisht. Vazhdon një listë e meshtarëve të shuguruar pas vitit 1944, pjesa më e madhe të shuguruar jashtë Shqipërisë dhe një listë tjetër prej 20 emrash, që, siç thuhet, kanë dalë nga burime të ndryshme, por që nuk janë gjetur materiale për t’i pasqyruar në libër.
Më pas bëhet fjalë për gjendjen dhe luftën e popullit tonë gjatë viteve të Luftës II Botërore dhe për “çlirimin vrastar” të Shqipërisë, me një kapitull me thirrjen historike “Të mos harrojmë!”. Në fund të pjesës së parë është folur në mënyrë të veçantë për Kishën e Shkrelit. Pjesa e parë mbaron me kapitullin “Ata që u përballën me diktaturën – Të mërguarit e përjetshëm”, ku jepen të dhëna për jetën dhe veprimtarinë e atyre klerikëve katolikë, që për arsye të ndryshme ardhja në pushtet e komunistëve nuk i gjeti në Shqipëri dhe që jetuan, punuan e vdiqën jashtë Shqipërisë me plagën e mallit në zemër dhe me dhimbjen për atë që po ndodhte në atdhe.
.
* * *
Në pjesën II të vëllimit të parë, që mban titullin “Të dënuarit e përjetshëm” janë përfshirë ngjarjet dhe viktimat e viteve 1945-1947, për të vazhduar në vëllimin e dytë me vitet 1948-1950. Në pjesën e tretë, mbasi flitet për “Statutin e Kishës”, vijohet me vitet e tjera.

Pjesa e katërt përmbledh vitet 1971-1990 dhe përfundon me kapitullin “Ndalesa e fundit”. Në pjesën e pestë dhe të fundit, me titullin simbolik “Nga kryqi te Ringjallja – Lavdia e Kishës Katolike Shqiptare (Periudha 1991-2005)”, ngërthyer në gjashtë data, është trajtuar ripërtritja e Kishës në magjen e një lavdie të papërshkruar: Mesha e parë në Shqipërinë “ateiste”, më 4 nëntor 1990; Rrëzimi i bustit të diktatorit, simbol i diktaturës komuniste, më 20 shkurt 1991; Vizita e Papës Gjon Pali II në Shqipëri, më 25 prill 1993; Kardinali i parë shqiptar Mikel Koliqi, 26 nëntor 1944; Kanonizimi i martirëve shqiptarë, 10 nëntor 2002; E Lumja e parë shqiptare, Nënë Terza e Kalkutës, 11 tetor 2003.
Vepra mbyllet me shkrimin “Përfundim”, ku autori jep shkurtazi shtysat shpirtërore që e frymëzuan për hartimin e kësaj vepre madhore; pesë tabela ilustruese dhe literaturën. Është dhënë shkurt, gjithashtu, biografia e autorit dhe lista e librave që ai ka botuar.
Vepra, duke pasur të dhëna nga më të ndryshmet, po sidomos historike, për vendin tonë gjatë shekujve, duke pasqyruar gjendjen e besimeve në Shqipëri dhe persekutimin e elementit katolik, Kishës Katolike Shqiptare dhe të klerit të këtij besimi gjatë gjithë shekujve që nga fillimi i përhapjes së krishtërimit në vendin tonë në dekadat e para të shekullit I mbas Krishtit e deri në ditët e sotme dhe, duke vënë në dukje rolin e madh të Kishës dhe të klerit në shërbim të çështjes kombëtare, kulturës, edukimit dhe emancipimit të gjithanshën të shoqërisë shqiptare, në përgjithësi, etj., e tejkalon synimin e saj për t’i shërbyer thjesht Kanonizimit të klerikëve që u martirizuan gjatë viteve të diktaturës dhe fiton dimensione më të hapta të pasqyrimit të martirologjisë shqiptare, në përgjithësi.

Jozef Martini
E Marte, 21 Tetor 2008
Copyright Proletari.Com

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 26/04/2010. Filed under Patriotët. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.