- Home
- Shqipëria
- Bota
- Politika
- Mafia
- Shke-Tek
- Italiano
- Ekonomi
- Biografi
- Automobili
Lexuar 6942
Për herë të parë, djali i Koço Tashkos, një prej themeluesve të Partisë Komuniste Shqiptare dhe kryetar i Grupit Komunist të Korçës, rrëfen marrëdhëniet e të atit me Enver Hoxhën. Në një intervistë për gazetën “Tirana Observer”, Frederik Tashko rrëfen të gjithë historinë e Koço Tashkos, nga diplomimi në Harvard, miqësia me Fan Nolin dhe Faik Konicën e deri ardhjen në Shqipëri, ku mori drejtimin e Grupit Komunist të Korçës.
Në pjesën e parë të intervistës Frederik Tashko rrëfen momentin e krijimit të Partisë Komuniste në vitin 1941 dhe si u zgjodh Enver Hoxha kryetar i saj.
Cila është historia e familjes së Koço Tashkos?
Gjyshi im, Athanas Tashko ishte një emigrant shqiptar i vendosur në Misir, siç quhej aso kohe Egjipti. Më pas ky do të bëhet një veprimtar i flaktë në lëvizjen e pasme të Rilindjes Kombëtare. Kontributet e tij në atë lëvizje do ta shquajnë Tashkon si një nga figurat qendrore të saj. Ai qe autor i shumë nismave për Rilindje Kombëtare, ndër to botonjës i “Shkopi”, “Sopata” dhe “Rrufeja”, ideator dhe aktivues i projektit “Fan S. Noli dhe “Vatra” në Amerikë për Shqipërinë”; ideator dhe armator i çetave të Korçës dhe asaj të Bajo Topullit. Në Fajum të Egjiptit Thanas Tashkua krijoi edhe familjen, duke marrë për grua nga Korça Elenin, bijën e patriotit Pandeli Zografit. Atje, më 1899, lindi edhe Kostandini, fëmija i tyre i parë. Sot njihet me emrin Koço Tashko. Më pas familja u shtua edhe me Anastasinë, Katinën, Gaqon, Alekon dhe Teftën, të cilët u bënë të gjithë “fëmijë të vlefshëm për Shqipërinë”.
Shtëpia e Thanasit ishte “teqe” për të gjithë patriotët që kalonin në ato anë. Ndër ta Jani Vruho, Anton Çako, Bajo Topulli, Filip Shiroka, Aleksandër Xhuvani, Fan S. Noli e shumë të tjerë. Kjo ish bota ku u rrit Kostandini. Këtu ai shoqëronte të atin në Dhomën e Flamurit kur mblidheshin në kuvend burrat mëmëdhetarë.
Në Egjipt kishte shumë shqiptarë, por komunitetin më të madh të emigrantëve e përbënin grekët. Pra, kur dilnin fëmijët e Thanasit në rrugë të luanin me fëmijët e tjerë ishin të detyruar të flisnin ose arabisht ose greqisht, pasi shqip ata mund të flisnin vetëm në shtëpi. Kur Kostandini arriti moshën për të shkuar në shkollë, ai u dërgua në fillim në një shkollë arabe, ku mësonte të shkruante arabisht, kjo për shkak se Athanasi e quajti të udhës që djali të mësonte arabishten.
Edhe se shkolla arabe ishte një shkollë ku fëmijët nuk mund të merrnin shumë formim dhe ishin të detyruar të mësonin dhe të recitonin vetëm vargje në arabisht të letërsisë persiane apo ato të kuranit. Madje mësuesit e këtyre shkollave vazhdimisht mbanin në dorë një shkop me të cilin godisnin pa ndërprerje fëmijët pa ndonjë shkak. Këto mënyra bënë që një ditë Kostandini i vogël t’i deklaronte një ditë të atit se nuk dëshironte më të shkonte në atë shkollë. Për këtë arsye, Thanas Tashko, që kish synime që fëmijët e tij të përgatiteshin mirë si atdhetarë të vlefshëm, me gjithë vështirësitë financiare, vendos të marrë një mësuese angleze për t’i dhënë djalit të tij mësim në shtëpi. Brenda një kohe të shkurtër, Koço Tashkua e mësoi shumë mirë anglishten, sa arrinte të lexonte më së miri edhe libra. Madje librat e tij të parë, që ai lexoi në anglisht, ishin “Aventurat e Robinson Kruzoit”, veprat e Zhyl Vernit, Fenimor Kuperit, Tom Sojeri, Hakëllberi Fin si të Mark Tuenit.
Koço Tashko është nga të parë shqiptarë që është arsimuar në Universitetin e Harvardit…
Po, me kalimin e kohës mësuesja u detyrua të largohej dhe njëkohësisht Koçua kishte nevojë për një arsim më të mirë dhe të specializuar. Për këtë arsye Thanas Tashko e dërgon në Bejrut, ku ndodhej një kolegj amerikan “Syrian Protestant College”. Aty ai qëndron nga viti 1909 deri në vitin 1914. Me nisjen e Luftës së Parë Botërore, në vitin 1914, duke qenë se shkolla ndodhej në territorin e Perandorisë Osmane dhe kjo e fundit ishte në luftë me ANTANTA-n, Anglinë, Francën, Amerikën dhe Italinë atëherë mësuesit e shkollës u detyruan të largoheshin që andej.
Një nga mësuesit e shkollës, që ishte amerikan, i propozoi Thanas Tashkos se ai mund ta merrte Koçon në Amerikë me vete, ku ai mund të vazhdonte mësimet atje, me kusht që ky t’i paguante rrugën. Kjo bëri që Koço Tashkua në moshën 15 vjeç të largohej nga familja dhe të shkonte në Amerikë. Atje Koçon u regjistrua në “Eeildelberg Academy”, një nga kolegjet më të njohur edhe sot në SHBA, i cili ndodhet në shtetin Ohaio. Ai flinte në një papafingo të ftohtë dhe për të përballuar shpenzimet dhe të mbante veten Koçua filloi të punonte. Në restorante ai duhej të lante pjatat dy herë në ditë, që të mund të përfitonte gjithsej dy vakte ushqim. Gjatë tre muajve të pushimeve të verës ai punonte në fabrikë për të siguruar pak para për t’u veshur. Aso kohe punëtori i thjeshtë siguronte një rrogë prej tre deri në gjashtë dollarë në javë. Por vetëm një vit pasi ai kishte shkuar në kolegj në SHBA, në nëntor të 1915-ës, ai merr lajmin e vdekjes në Egjipt të të të atit, Athanas Tashkos. Në fakt telegramin për vdekjen e të atit, Thanasit, Koços ia dha në dorë vetë Fan Noli, miku dhe dishepulli i Athanas Tashkos. Që nga ai takim babai do takohej më shpesh me Fan Nolin dhe do angazhohej me gjithë shpirt në veprën e tij, duke u bërë edhe aktivist i shquar i shoqërisë “Vatra”. Ai e përfundoi kolegjin në vitin 1917. Pas kësaj, një mik i familjes i propozoi ta mbështeste për të vazhduar studimet e larta në Universitetin e Harvardit. Gjatë viteve në universitet ai u angazhua shumë në shoqatën “Vatra”, duke luajtur rolin e konferencierit, propagandistit, gazetarit dhe të organizatorit të aktiviteteve të saj. Kështu në vitin e dytë të universitetit, me propozim të Fan Nolit organizata “Vatra”, vendos që t’i paguajë shkollën, motivuar nga një kontribut i veçantë që Kostandin Tashko kish kryer në dobi të kësaj organizate.
Në kremtimet e 50-vjetorit të themelimit të Kishës Orthodokse Shqiptare në Amerikë, Fan Noli i dërgon një letër Koço Tashkos me të cilën i bën me dije se emri i tij është skalitur në murin e kishës së Shën Gjergjit në Boston bashkë me emrat e gjithë veprimtarëve që dhanë kontribut në ngritjen e organizatës shqiptarëve të Amerikës.
Koço Tashko ka qenë në moshë të re përfaqësues i Shqipërisë në Nju Jork.
Si është e vërteta e kësaj detyre që ai ka kryer?
Në shkurt të vitit 1921 ai përfundon studimet dhe menjëherë niset për në Shqipëri, pasi Fan Noli i kishte kërkuar “Vatrës” që Kostandin Tashkua ta caktonin pranë tij në Tiranë si sekretar personal të tij. Në atë kohë Noli ndodhej në Shqipëri si deputet, përfaqësues i “Vatrës” në Parlamentin Shqiptar. Para se të shkonte në Shqipëri, babai shkoi në Egjipt ku mori familjen e tij, nënën, dy motrat dhe tre vëllezërit që kishin ngelur atje pas vdekjes së Thanasit. Ai u kthye me ta duke i vendosur në Korçë. Në Tiranë ai punoi me Nolin deri në fund të vitit 1922, kur Noli u zgjodh ministër i Jashtëm. Më pas, me kërkesë të Nolit, ai u dërgua në SHBA dhe u emërua konsull në Nju Jork. Shumë njerëz janë munduar ta lënë në hije atë periudhë të punës të babit tim, duke aluduar se posti i tij në SHBA kish një rëndësi të vogël, mbasi ky ish vetëm një nën
konsull. Në fakt ai ishte i ngarkuar me punë i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe njëkohësisht mbulonte dhe shërbimet konsullore. Pra ishte personi që mbulonte detyrën shumë të rëndësishme të përfaqësimit të shtetit shqiptar. Paçka që shteti shqiptar aso kohe kish emëruar ambasador në Bruksel një bej të pa shkolluar, ndërsa ulte nivelin e përfaqësimit në Shtetet e Bashkuara, duke pasur atje një të diplomuar në shkencat politike në Universitetin e Harvardit.
Por dhe një tjetër përfaqësues i anadollakizmit shqiptar shumë vjet më vonë u shpreh se “në se Harvardi i ka të tillë të diplomuarit, nuk kanë ç’më duhen”. Ky ishte Enver Hoxha, që e ka shkruar këtë në veprat e veta. Por vetëm një vit pasi kishte filluar punë si përfaqësues i Shqipërisë në Nju Jork, ai pushohet nga kjo detyrë nga ministri i Brendshëm i asaj periudhe, Ahmet Zogu.
Cila ishte motivi i këtij pushimi nga detyra?
Motivi ishte se Koço Tashkua nuk iu bind. Dhe arsyeja se pse nuk iu bind, ishte se Zogu dëshironte t’i bënte një padrejtësi shoqatës patriotike “Vatra”, që vepronte në SHBA. Dhe si intrigant që ishte, Zogu dëshironte ta kryente këtë padrejtësi jo me dorën e tij, por me dorën e konsullit të tij në Nju Jork. Konsulli jo vetëm që nuk iu bind ministrit të tij, por bëri të kundërtën.
***
Pak nga jeta e Teftes.
Në shtator të vitit 1927, Tefta me gjithë familjen vendosen në Monpelje-Francë, ku ajo filloi edhe studimet muzikore, për t‘i vazhduar ato më pas në Konservatorin Superior të Parisit me rezultate shumë premtuese.
Në vitin 1930, Tefta bën incizimet e para muzikore pranë shoqërisë diskografike “Pathe”-Paris, si pjesëmarrëse në grupin e këngëtarit të shquar të iso-polifonisë labe, Neço Mukon. Me përfundimin e studimeve, Tefta kthehet në atdhe ku më 26 nëntor 1935 shënohet edhe koncerti i saj i parë si këngëtare profesioniste në Shqipëri, koncerte të cilat ajo i dha në shumicën e qyteteve shqiptare. Pikërisht në këto vite, Tefta futi në programet e saj krahas arieve lirike të autorëve të shquar botërorë si: Moxart, Guno, Shubert, Verdi, Donixeti, Pergolezi, Belini, Puçini, Rosini etj., dhe këngët popullore shqiptare, si pjesë integrale e kulturës muzikore popullore shqiptare.
Janë rreth 89 këngë popullore të të gjitha qyteteve të Shqipërisë që Tefta i kishte në repertor dhe rreth 36 prej tyre ajo i regjistroi në pllaka gramafoni në vitet 1930, 1937 dhe 1942 në Paris-Francë dhe Milano-Itali.
Ndër to po përmend: “Zare trëndafile”, Të dua, moj goc‘ e vogël”, Bilbil çapkëni”, Qante lulja lulen”, “Kenke nur i bukurisë”,”As aman, moj lule” etj. Sipas Hysen Files: Tefta diti të nxirrte nga kënga popullore ndjenjën e thellë që populli kishte shkrirë në të. Njihet tanimë faktet se Tefta Tashko i ka mbledhur një shumicë këngësh direkt nga goja e muzikantëve të shquar popullorë të vendit tonë.
Një gjë të tillë e provon edhe pjesëmarrja e Teftës së bashku me këngëtaren tjetër të shquar, Marie Kraja, në festivalin e folklorit të mbajtur në Firence Itali më 30 maj 1939 krahas këngëtarëve dhe muziktarëve të shquar popullorë të atyre viteve si: Adem Mani, Xhevat Boriçi, Kolë Vjerdha, Taip Kraja, Karlo Pali etj.
Në listën e gjatë të këngëve popullore të kënduara nga Tefta do të bashkëngjisnim edhe këngët popullore të përpunuara nga kompozitori Kristo Kono me poezi të Lagush Poradecit si p.sh “Kroi i fshatit tonë”, apo “Kur më vjen burri nga stani”. Krahas Teftës, do të përmendim edhe dy këngëtare të tjera të shquara në interpretimin e këngës popullore qytetare: Jorgjia Filçe (Truja) dhe Maria Paluca (Kraja).
Në vitin 1945, Tefta këndon në operën e Beogradit me shumë sukses rolin e Mimisë nga opera “Bohemë” e Puçinit dhe atë të Rozinës nga opera “Berberi i Seviljes” e Rosinit. Në vitin e fundit të jetës ka qenë vazhdimisht e sëmurë. Vdiq në moshën 37-vjeçare.
Përmbledhje nga Kosova.albemigrant.com dhe Tiranaobserver.com.al