- Home
- Shqipëria
- Bota
- Politika
- Mafia
- Shke-Tek
- Italiano
- Ekonomi
- Biografi
- Automobili
Lexuar 5936E gjithë familja e gjuhëtarit të njohur ndiqej nga Sigurimi i Shtetit. E. Çabej u përndoq nga viti 1947 e deri në vdekje.
Nga Nexhmije Hoxha nuk presim të dëgjojmë të vërteta. Kjo e moshuar ditët e fundit që i kanë ngelur nga kjo jetë (ku la veç gjurmë të zeza) ka menduar t’i harxhojë plotësisht në dobi të trashjes së falsifikimeve në mënyrë që të përligjë sa të mundë krimin e madhe që ka bërë ajo dhe bashkëshorti i saj. Sikur këto javë, muaj apo qoftë edhe vite t’i harxhonte për të kërkuar falje publike, prapë do të ishte borxh përpara shqiptarëve për gjëmën e zezë dhe 50-vjeçare që ajo si njëra anë e çiftit kriminal u shkaktoi shqiptarëve.
Në lëmin e madh të falsiteteve nuk do të habitemi kur ndonjë nga këto ditë që i kanë ngelur ajo të thotë se Enveri kishte planifikuar ekonominë e tregut, pluralizmin politik, etj. Asaj i ka ngelur vetëm të botojë libra, të japë intervista e për të vënë edhe sot në demokraci në kushtet e lirisë që të jep sistemi kapitalist, kapakun e falsifikimeve të saj. Sepse për Nexhmije Hoxhën duhej të kishte pasur një trajtim tjetër, duhej të kishte pasur një trajtim komunist për të kuptuar më mirë lirinë që të jep sistemi kapitalist. Për dy ditë një e përditshme, e sugjestionuar nga librat e Nexhmijes që janë niveli më i lartë i gënjeshtrës së saj po riboton pjesë në të cilat flitet për “miqësinë e madhe” që paska pasur Enver Hoxha (njeriu që nuk bënte njeri shok) me profesor Eqerem Çabejn. Tani sugjestioni për lexuesin e librave kalon për lexuesin e gazetave dhe për mbarë opinionin. Pyetja që shtron njeriu i zakonshëm në këto raste është: çfarë “miqësie” mund të ketë midis Enverit dhe Çabejt, kur e gjithë familja e gjuhëtarit të njohur ishte në kontroll operativ nga Sigurimi. Tani mund të ndodhë si përherë, nuk është çudi që Nexhmije Hoxha të thotë se “Enveri nuk ka ditur gjë”, sepse Enveri asnjëherë nuk ka “ditur gjë” për krimet e komunizmit, përgjegjësitë për to i vihen vetëm anës ideologjike. Mirëpo Nexhmija mund të kujtohet së paku që sekretarit të parë të Komitetit Qendror i dërgoheshin çdo muaj të dhëna mbi opinionet në popull, të dala pikësëpari nga dosjet e përpunimit të kundërshtarëve të regjimit. Kështu që Enver Hoxha ka lexuar dhjetëra raporte ku është përmendur emri Eqrem Çabej. Si nuk u prek “miku” për mikun dhe “miqësinë” që mëton Nexhmije Hoxha? Apo “nuk dinte gjë Enveri?”. Kjo sepse në pamundësi për ta mohuar këtë fakt, në rastin më të keq i bie që paska qenë Enveri bashkëpunëtor i Sigurimit.
Çabej, historia e një përndjekje në pak rreshta
Eqrem Çabej plotësonte kushtet për t’u përndjekur. Ishte njeri i shkolluar në perëndim. Por një brez injorantësh që u vendosën në pushtet pasi lanë stanet e zanatet e tjera, nuk mund të ishin veçse megalomanë dhe arrogantë ndaj brezit më të shkolluar që kishte pasur ndonjëherë Shqipëria, atij brezi të rritur në shkollat austriake apo gjermane, brezit që shkencën e albanologjisë jo vetëm e kishte pasion por e çoi më përpara në sajë të kulturës dhe dëshirës së madhe që kishte. Në Sigurimin e Shtetit ekzistonte një dosje “Çabej”, një dosje e degës së Punëve të Brendshme Tiranë, një dosje që edhe sot frikëson njerëz. Pse kanë frikë nga kjo dosje? Padyshim kanë ata që edhe sot bëjnë “analiza” zyrtare apo të natyrave të tjera, gjoja mbi dëmin që do të sjellin ato dosje që kanë ngelur të trashëguar nga koha e zezë e komunizmit. Elita e komunizmit, do të jetë pak e tillë po të njihet e vërteta e implikimit të saj me Sigurimin e Shtetit. Shembulli më i qartë sesi vlerësohej njeriu intelektual në diktaturë. Janë dhjetëra raporte biografike të hartuara nga Sigurimi ato vite në formën e “ustanofkës”. Tek të gjitha flitet keq. Shumë herë flitet keq. “Tisi” një intelektual që ishte marrë me punët e shkollave, por që kishte pasur një ndërthurje relative me politikën, sa si ish-bashkimxhi i 1924-s apo edhe bolshevik i atyre kohëve, harton një raport 4 faqesh kundër Eqrem Çabejt. Intrigat e “Tisit” për shkak zotësie e inteligjencie ishin të mëdha. Sejfulla Malëshova kishte pasur respekt për Çabejn dhe si i tillë denoncohej prej “Tisit”. Por si vëzhgues i vëmendshëm, “Tisi” nuk linte pa përmendur edhe kohën kur Çabej frekuentonte lokalet e Tiranës, miqësinë me Ernest Koliqin dhe Tajar Zavalanin, etj. Një denoncim i 24 janarit 1948 i A.V. (“polici” sekretet i gjithë inteligjencies së atyre viteve), tregon me “Dhelpëri” se kurdoherë ka pasur raporte për Çabejn. “Kur i kam folur me entuziazëm për themelonjësin e linguistikës sipas koncepteve marksiste për profesorin e famshëm sovjetik Mar, ai më është përgjigjur ftohtë dhe gati me buzëqeshje ironike se ata nuk kanë rëndësi” – shkruan “dhelpërisht” Andrea Varfi. Ai përmendtte se Çabej kishte lidhje me Sabiha Kasimatin dhe se dilte shëtitje shpesh Jonuz Tafajn dhe Selahudin Toton. Raporte të shumta vinin ato kohë nga “Prurësja” dhe “Edija” (në Institutin e Shkencave). Ky i fundit informonte më 29 shtator 1952 se Çabej shfaqej si “nacionalist borgjez”. Pas përshkrimit biografik mbi jetën e Çabej, më 13 tetor 1953 hartohet edhe plani i prej 14 pikash i masave operativo – agjenturiale, në të cilat kërkohej kërkimi për gjetjen e një bashkëpunëtori të kualifikuar, në qendrën e punës (Institutin e Shkencave) të shihej kontrolli i mirë me anë të bashkëpunëtorit “Edija”, në shtëpinë e banimit do vendosej një bashkëpunëtor që të kontrollonte të gjitha hyrje – daljet, në Bibliotekën Kombëtare, një tjetër bashkëpunëtor, duke pasur mendjen edhe nga të huajt e legatave, “Drojtjes” do t’i jepej detyrë të afrohej me Çabejn, do shihej mënyra e jetesës, të gjitha lidhjet etj.
Planet e tjera fokusoheshin në kërkimin e të dhënave nga e kaluara si dhe duke aktivizuar agjenturën, sidomos “Drojën”, “Dinamon”, “Burimin”, duke vazhduar me “Edijen” dhe “Çajupin”. Më 1958 shtoheshin në drejtim të tij, bashkëpunëtorët “Jaku” (Z. SH) dhe “Leksiku” për të parë aktivitetin e Çabejt në qendrën e punës. Disa muaj pasi Eqrem Çabej kishte vdekur, më 11 janar 1981 merret vendimi për arkivimin e dosjes së tij. Akti i fundit i kësaj ndjekjeje ka këtë përmbajtje: “Unë punëtori operativ Gëzim Bejko, mbasi studiova dhe analizova materialet e dosjes në kontroll operativ 2B të Eqrem Çabejt, Gjeta: Eqrem Çabej është i biri i Hysenit dhe i Lishesh, i datëlindjes 1908, lindur në Gjirokastër, rrjedh nga një familje shtresë e pasur qytetare, i martuar, i padënuar ndonjëherë, i paorganizuar, me arsim të lartë, ka punuar si punonjës shkencor në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, me kombësi shqiptare, ka banuar në lagjen nr.2, rruga “Qemal Stafa”, nr.395/12. Qëndrimi politik i familjes dhe të afërmve të tij gjatë regjimit të Zogut ka qenë pro atij regjimi, mbasi ishin me influencë dhe përkraheshin nga ai regjim. Okupacionin fashist e priti mirë dhe i shërbeu me besnikëri, duke propaganduar në favor të tij. Mbas çlirimit të vendit, ka vazhduar të propagandojë në rrethin e tij të ngushtë kundër pushtetit popullor dhe është shoqëruar me elementë të ndryshëm armiq. I vëllai i tij Selahudin Çabej ka qenë prefekt në Kosovë dhe është pushkatuar për veprimtari armiqësore. Vëllai i gruas së tij Selam Damani ka qenë eksponent i Ballit Kombëtar, në pragun e çlirimit u arratis në Itali. Gruaja e tij Shyhrete Turkeshi është përjashtuar nga partia dhe ka qenë në burg për veprimtari armiqësore. Vetë Eqremi pasi kreu studimet e larta në Austri për filozofi kthehet në Shqipëri dhe ka punuar në gjimnazin e Gjirokastrës si mësues në normalen e Elbasanit, ndërsa në vitin 1940 është dërguar në Itali nga Ernest Koliqi për punë shkencore pranë Akademisë në Romë. Në shtator 1943 megjithëse ndodhej në Itali, emërohet ministër i Arsimit, detyrë të cilën nuk e ka pranuar. Mbas çlirimit ka punuar në Institutin e Shkencave dhe të Letërsisë deri kohët e fundit që ka vdekur. I përmenduri, më datën 4 tetor 1952 është marrë në përpunim aktiv 2A si agjent i mundshëm në shërbim të zbulimit gjerman. Nga ndjekja e atëhershme e përpunimit të tij ka rezultuar se veç agjitacionit e propagandës armiqësore që ka zhvilluar, për të kanë lindur dyshime që të jetë vënë në shërbim të zbulimit të huaj.
Kështu në gusht të vitit 1961 Eqremi duke qenë me pushime në plazhin e Durrësit është takuar disa herë me një femër turiste gjermano-perëndimore Karla Vidali dhe në një rast e ka marrë atë për vizitë në vilën e tij, ku ka qëndruar rreth 2 orë. Këto takime me të lartpërmendurit kanë lënë dyshime duke qenë se vetë turistja kishte dyshime si kuadër e zbulimit. Ish b.p. “Moli” (A.DH.) me të dhënat e tij datë 10 nëntor 1970 ka raportuar se “Takimet e Olbergut me Eqrem Çabejn ishin jashtëzakonisht të shpeshta, deri të bezdisshme. Qysh sa kishte ardhur Olbergu në hotel “Dajti”, pa kaluar 5 minuta, Eqremi kërkoi në telefon që të mësonte numrin e dhomës së tij për “t’i uruar mirëseardhjen”. Olbergu është doktor austriak në fushën e gjuhësisë dhe gjatë kontrollit të tij kur ishte në vendin tonë, la dyshime si kuadër i zbulimit me detyra të caktuara. Sipas Xhavit Beqirit, ish-shifrant në ambasadën tonë në Austri, del se “Në vitin 1970 profesor Eqrem Çabej ishte në Vjenë për të kuruar djalin e tij. Aty ai ka mbajtur kontakte me mjaft të huaj, si dhe me Shvaken, lidhje e ngushtë e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, i cili ka shkruar artikuj në gazeta kundër Shqipërisë. Me këtë person Eqremi ka shkuar dhe është takuar në një vilë jashtë Vjenës e ka qëndruar më tepër se 4 orë me të. Eqremi ka bërë në Vjenë shpenzime jashtë mundësive dhe veç të tjerave ka blerë 4 orë dore. Nga viti 1973 e këtej në ngarkim të të sipërpërmendurit nuk ka dalë ndonjë material që të bëjë fjalë se zhvillon veprimtari armiqësore, por rezulton që të jetë korrekt në shoqëri e të punojë pa u lodhur e me pasion duke dhënë një kontribut të shquar për shkencën shqiptare. Duke marrë parasysh sa sipër, si dhe faktin që më datën 23 gusht 1980 Eqrem Çabej ka vdekur, dosja e tij e formularit 2B do të arkivohet.
Ishte një ndër rastet e zakonshme që më mirë se çdo gjë tregonte dështimin e Sigurimit dhe kotësinë e akuzave që ngrinte. Kjo sepse një person i ndjekur si i dyshuar prej vitesh si “agjent i zbulimit gjerman”, nuk dilte gjëkundi të ishte i tillë.
Por Sigurimi nuk do mjaftohet vetëm me kaq. Një dosje operative 2B kishte edhe bashkëshortja e Eqremit, Shyretja.
A i mjaftojnë vetëm këto dy fakte Nexhmijes për vazhduar më shumë me “miqësinë e madhe”?
Gazeta 55