Aviatorët që do të qëllonin nëndetësen atomike ruse në Vlorë

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 3582
Bardhyl TaçiRrëfimet për heroizmat dhe ndëshkimet e aviatorëve gjatë kohës së komunizmit dhe si u shkatërrua arma pas viteve ’90-të.

Në jetën si pilot ka patur edhe momente kur e ka ndjerë veten ngushtë, kjo sidomos kur kanë ndodhur defekte në teknikë. Ka marrë pjesë në shumë stërvitje, ku ka vepruar dhe aviacioni, duke qëlluar me predha luftarake dhe bomba të kalibrave të ndryshëm. Një rast i tillë ka ndodhur gjatë një stërvitjeje, ku komandanti Bardhyl Taçi, së bashku me tre pilotë do të qëllonin në malin e Postenanit, atje atij iu pre ndërlidhja me vendkomandën dhe qe shumë e vështirë për të përcaktuar vendin ku do të qëllohej. Ia dolën mbanë kaçakshe. Nuk u tërhoqën. Qesh dhe thotë se detyrën e kryen shkëlqyer. Sigurisht që ai pranon se kjo rrugë që u solli suksesin qe e gabuar, por fitimtari nuk gjykohet. Aviacioni në procesin e stërvitjes ka bërë shumë eksperimentime, duke fluturuar në lartësi të ulëta dhe fluturime në qafa e gryka, gjatë njërit prej këtyre eksperimenteve për të bombarduar objektin natën, duke përdorur bomba ndriçuese. Bardhyli u fut në rrezen e ndriçimit të bombës dhe pasi mbaroi misionin e doli nga rrezja e ndriçimit të bombës, iu errësua shikimi derisa ai u ambientua me errësirën. Ky ishte një moment shumë i vështirë, pasi jashtë bllokimit të shikimit, katastrofa është shumë afër. Qe fat që shpëtoi gjallë. Ky rast që ai e bën publik sot, është një guxim po aq i madh sa ai i bombardimit në atë situatë të vështirë, pasi komandant Bardhyli kurrë nuk i ka fshehur të metat e tij, duke qenë shembull për të tjerët. Probleme të tilla në aviacion ka patur, por pilotët tanë kanë ditur t’i përballojnë situatat. E rëndësishme është mos humbja e toruas dhe largimi i frikës nga paniku. Repartet e aviacionit kanë patur një ngarkesë të madhe pune. Gjatë një viti kryheshin mesatarisht 25.000-28.000 fluturime natën dhe ditën, kjo kërkonte një gatishmëri të lartë teknike dhe përgatitje intensive të pilotëve në tokë. Këtu vlen për t’u përmendur puna vetëmohuese dhe sakrificat e inxhinierëve, teknikëve dhe specialistëve të aviacionit, ata nuk kishin orar pune të caktuar pa vënë avionët në gatishmëri fluturimi. Kujton me respekt inxhinierët dhe teknikët Foto Lako,Yzedin Koçi, Qirjako Trebicka, Muhamet Orieti, Gjon Pali, Ali Shehu, Sulo Gorica, Shyqyri Langozi, etj. Gjatë kohës që ka qenë komandant aviacioni në krye të regjimenteve, ka patur komandantë të aftë për të drejtuar fluturimet dhe gjithë aktivitetet e repartit, si Klement Aliko, Sokrat Prifti, Mahmut Hysa, Gizdar Vehipi, Harilla Rebi, Servet Murati, etj.

Heroizmat

Aviacioni është një profesion i bukur, që ngjall kënaqësi nga fluturimi në fluturim, por në kohën që Bardhyli fluturonte ka patur vështirësi shumë të mëdha, pilotët qëndronin me ditë dhe net në gatishmëri pranë avionit, pa pushime të dielave ose festave. Mosha e daljes në pension për pilotët ishte shumë e madhe dhe fluturimi në avionët gjuajtës deri në atë moshë ishte shumë i vështirë. Por, aviatori në pension, Bardhyl Taçi, nuk mban mend asnjë rast ankese apo dorëzimi përballë vështirësive dhe thotë se aviatorët shqiptarë kanë qenë të gjithë heronj. Janë me dhjetëra rastet kur piloti shqiptar ka çmuar avionin më të shtrenjtë se jetën e vet dhe ka bërë të pamundurën për ta shpëtuar atë. Disa nga pilotët që më kujtohen dhe që kanë bërë heroizma janë: Asim Budo, Luto Sadiku, Ismet Zervoi, Martin Bregu, Maksi Rexha, Skënder Demollari, Bilal Sina, Bujar Sheme, etj. Apo trima të tillë si, Niko Hoxha, Dhimitraq Robo, etj., që kanë qëndruar para vdekjes si burra, të qetë, të prerë në marrjen e urdhrave, të saktë në veprime e më zë burrëror, pa ju dridhur asnjë fije zëri. Të tjerë kanë kryer misione tepër të vështira, që do t’ua kishte zili edhe agjenti amerikan 0007, si p.sh. ish-piloti, Esat Tetova, i cili rrëmbeu avionin grek dhe e solli në Shqipëri. Esati është dekoruar nga krerët më të lartë të shtetit për këtë akt të lartë guximi dhe heroizmi. Ai u shqua në një operacion sekret dhe me rëndësi të madhe për sigurinë kombëtare.

Ja disa episode reale:

Ishte vera e vitit 1972 dhe ne kishim fluturime intensive për kalimin e studentëve nga avioni tip-61 mësimor, në avionin luftarak Mig-15. Për këtë ishin zgjedhur të përdoreshin disa nga aerodromet e Shqipërisë, si Rinasi, Kuçova, Vlora dhe Pish Poro. Instruktorët ishin të gjithë pilotë të rinj dhe shumë të fuqishëm, që nuk ndjenin lodhje. Disa prej tyre nuk ndërroheshin nga kabina e avionit dhe ushqimin e hanin brenda në avion. Në kulmin e fluturimeve jepet sinjali “Të gjithë agregatët (avionët) në tokë!” Të gjithëve na shkoi mendja tek ndonjë katastrofë ajrore. Sa herë që ndërpriteshin fluturimet në këtë mënyrë, gjaku na ngrinte neve në tokë. Me frymën pezull, qëndronim derisa të merrnim vesh se kush ishte dëmtuar apo më keq, qe vrarë! Shyqyr Zotit, atë ditë nuk ndodhi katastrofë, por një premisë për katastrofë. Qenë rrezikuar të vriteshin 4 aviatorë; dy instruktorët, Ivanov Meta e Muzafer Zaho dhe dy studentët, Ramadan Anija e Sami Bolena. Avioni i parë ra në det dhe u ngrit përsëri! Rast i rrallë. Them se ata i shpëtoi guximi dhe trimëria.
Rasti tjetër është ai me pilotin Marti Bregu. Një ditë, kur fluturonte Martini, temperatura në kabinë i shkon mbi 75 gradë celsius! Specialisti A.D. kishte bërë një gabim në regjistrimin automatik të ngrohjes së kabinës. Martini e ndërpreu menjëherë detyrën dhe vjen e ulet në aerodrom. Tekniku ishte i pari që e priti dhe i hapi kabinën. Një lëmsh avulli përvëlues që doli prej kabine i përvëloi teknikut fytyrën. Ai na tha, “Preka Martinin sikur të kisha prekur thëngjij të ndezur! Zura me dorë dorezën e komandimit, ishte e pamundur ta mbaja dorën atje…-Martin!, – i them – çfarë ka ndodhur kështu? – Ujë! Ujë! Sillmëni ujë ju lutem!. Dikush më solli një enë me ujë që ia hodha Martinit në kokë. Pas pak ai u qetësua dhe rreth tij u mblodhën shumë shokë. Ngjarja qe vërtet e rëndë dhe sigurisht që u bë problem i madh. Puna shkoi në diskutimin për marrjen e një mase të rëndë për specialistin A.D. Si gjithmonë çudia me ne ndodhi. I pari që kërkonte falje për specialistin qe Martini dhe sigurisht që shoku u fal, duke i dhënë një qortim.
Rasti tjetër – Ne nuk kishim pilotë kamikazë si japonezët, por pilotët shqiptarë që të gjithë ishin pilotë vdekjeje për Shqipërinë, shqiptarët dhe kombin. Një ditë erdhi rasti të duheshin katër pilotë që do të shkonin drejt vdekjes. Në jetën time s’kam parë ngjarje më rrëqethëse e burrërore, ku të gjithë pilotët deshën të shkonin për të goditur nëndetësen në Gjirin e Vlorës. Askush nuk i lëshonte rrugë shokut dhe gati plasi grushti. Katër pilotët më të shpejtë i kishin zënë vendet nëpër avionë, por të tjerët nuk i linin…U desh urdhri i komandant Klement Alikos, që gjendja të qetësohej. Neve, flokët na ishin ngritur përpjetë. Disa qanin nga inati pse nuk mundën të shkonin… pse nuk i zunë ato katër vende!
Të katërt të parët e shkathët qenë vetë Kesi (kështu e thërrisnim ne Komandant Klement Alikon) nga qyteti i Korçës, Shahin Gurraj nga Perondia e Beratit, Lutfi Qyra nga Karkaveci i Librazhdit dhe Vagjel Kita nga Vithkuqi i Korçës. Mbaj mend, Lytfiu më thotë mua, “Na e bëni çdo gjë hallall!” Motorët u ndezën. Pritej vetëm sinjali i nisjes…Një pritje e gjatë. Ne i shikonim me dhimbje ato katër shqiponja, por njëkohësisht i shikonim edhe me krenari. Pastaj vjen urdhri: -“Zbrisni nga kuajt”! Siç morëm vesh më vonë, nëndetësja sovjetike që kishte hyrë në Gjirin e Vlorës kishte patur reaktor atomik.

Ndëshkimet

“Nuk i kam menduar të drejta arrestimet dhe pushkatimet e të ashtuquajturës kastë ushtarake, por në atë kohë dhe situatë nuk mund të dilje në mbrojtje të tyre, sepse vuaje jo vetëm si person, por edhe si rreth i gjerë familjar”. Sot ai ka kurajën që t’i dënojë ato krime shtetërore. Në kohën që Bardhyli ka qenë komandant aviacioni, ka patur shumë pilotë që u është hequr e drejta e fluturimit, sepse janë spiunuar nga bashkëpunëtorët e sigurimit, ose që kanë patur lidhje familjare me ata persona që quheshin të deklasuar, si p.sh. Bardhyl Lubonja, Perlat Lako, Agim Bylyku, Allaman Isaku, etj. Sot është koha që Bardhyli me plot guxim thotë, “Ju kam patur dhe ju kam shokë dhe miq, pavarësisht nga urdhrat që më jepeshin në atë kohë”. Këto s’janë fjalë të kota, pasi në përgjithësi ai ka patur me ta jo vetëm lidhje pune, por edhe shoqërore, shoqëri të cilën e ruan edhe sot. Kjo është një veti tjetër e lartë njerëzore e ish-komandantit të Forcave Ajrore Shqiptare, shembull tipik është lidhja e tij e ngushtë me ish-pilotin Bardhyl Lubonja, që u përjashtua nga fluturimi se ishte kunat i Nexhip Vinçanit!

Rrëfimi për ish-komandantin e Forcave Ajrore Shqiptare, sot emigrant në SHBA

Bardhyl Taçi, korçari që “jetoi” 30 vite në avion

Bardhyl Taçi lindi më 6 dhjetor 1933 në Korçë. Shkollën 7-vjeçare e ka mbaruar po në Korçë, shkollën e mesme, atë ushtarake Skënderbej, në Tiranë, Akademinë e Aviacionit në Rusi, si dhe disa kurse kualifikimi në Kinë e Shqipëri. Për herë të parë u njoha me komandantin kur ai erdhi për kontroll në gatishmërinë luftarake në Gjadër. Ishte verë e vitit 1980 dhe neve që ishim në gatishmëri atë ditë, na u tha se do të vinte për vizitë Komandant i Forcave Ajrore Shqiptare. E pastruam lokalin e Gatishmërisë Luftarake, siç bëjnë shqiptarët kur presin miq të rëndësishëm. Ai erdhi, na dha dorën dhe na pyeti për shëndetin e familjet, pastaj na pyeti sesi e kalojmë kohën në gatishmëri. Thirri komandantin e gatishmërisë dhe e pyeti nëse komanda e regjimentit na kishte sjellë kutinë e shahut që ne e kishim kërkuar prej kohësh. Mori një përgjigje negative. Ne, aviatorë, (pilotë dhe teknikë) kalonim një pjesë të mirë të jetës në atë lokal dhe kishim nevojë për të gjitha sendet për t’u argëtuar dhe çlodhur. Pashë komandant Bardhylin që bërtiti dhe dha urdhër që brenda një ore të vinte kutia e shahut! Vërtet na erdhi. Me këtë veprim, (në dukje pak i ashpër, por shumë i drejtë), respekti dhe dashuria për komandant Bardhylin u rrit akoma më shumë tek efektivi i gatishmërisë në çiftin roje. Nëse çdokush që njeh Bardhyl Taçin dhe e kujton atë, menjëherë mendja i shkon tek avioni. Ose nëse ndonjë mik apo i afërt i tij shikon një avion, me siguri do të kujtojë Bardhylin, ‘shtëpia’ e të cilit ka qenë mbi 30 vjet në qiell. Pas përfundimit të shkollës së mesme, Bardhyl Taçi shkoi në ish-Bashkimin Sovjetik, ku u pranua në shkollën Ushtarake të Aviacionit Luftarak, që mbante emrin e një prej pilotëve më të famshëm të ish-Bashkimit Sovjetik, Valeri Pavlloviç Shkallovit, që ishte një nga shkollat më të vjetra të aviacionit në ish-BS. Valeri Pavlovi Shkallovi ishte ai që me avion transporti të asaj kohe, në vitin 1936, fluturoi nga Rusia mbi Polin e Veriut dhe ka bërë ulje në San Françisko, USA, duke fluturuar 36 orë pa pushim dhe u vra në 1938-ën nga një defekt teknik në motor.
Sot ai nuk harron ata që e ndihmuan të realizonte ëndrrën për t’u bërë pilot. Ai kujton me nostalgji, në radhë të parë pedagogun e aeronautikës (teoria e fluturimit), kolonelin Korenjev, me gradë shkencore profesor. Pas përfundimit të teorisë, Bardhyli kujton me mall po ashtu instruktorin e praktikës fluturuese, Sozin e rreptë dhe kërkues për detyrat. Ai ishte një kërkues pedant për çdo gjë që kërkonte fluturimi, qoftë edhe një gjë fare të thjeshtë dhe në dukje pa rëndësi. Nga Shqipëria ata ishim vetëm 6 studentë për pilotë, të gjithë djem të mirë: Bardhyl Taçi, Hamit Ulqinaku, Anastas Ngjela, Agim Spahiu, Andrea Stavri, Vasil Andoni. Bardhyli edhe sot i kujton ata me respekt e dashuri për shoqërinë e shkëlqyer që kishin. Ai ndalon një moment dhe mundohet të largojë emocionet e mallëngjimit dhe keqardhjes për katër nga shokët e tij që nuk rrojnë sot. Ai thotë se kanë ngelur vetëm dy, miku i tij mirë Vasil Andoni dhe ai. Të gjashtë janë kthyer në Shqipëri në vitin 1955. Bardhyli u emërua pilot në regjimentin e Qytetit Stalin, sot Kuçovë.
Gjatë një stërvitjeje me gjithë grupin e studentëve, atë ditë në aerodrom frynte erë e madhe anësore, gjë që e vështirësonte ngritjen në ajër, pasi kur ngrihet avioni duhet ta ketë erën nga përpara. E thërrasin të riun shqiptar tek udhëheqësi i fluturimeve dhe i thonë, “Student Taçi, do të ngrihesh ti të fluturosh si studenti më i mirë, dhe pas uljes të na thuash a ka vështirësi për mbajtjen e drejtimit në ngritje nga studentët? Pastaj, nëse do marrim leje nga ty, do të fillojmë fluturimet me të gjithë studentët e tjerë. Këtë gjë mund ta bësh vetëm ti nga studentët, të cilët duhet të marrin shembull dhe të inkurajohen për fluturime të vështira”. Studenti shqiptar fluturoi si shqiponjë e sigurt në stuhi dhe kur zbriti tha me modesti: “Çdo student mund ta bëjë këtë që bëra unë”. Fluturimet filluan, po jo pa vështirësi, pasi shumë studentë rrëshqitën në një krah gjatë ngritjes, por shembulli i shqiptarit trim i bëri ata të guximshëm.
Karriera e Bardhyl Taçit në aviacion ka ecur në të gjitha shkallët e hierarkisë, që nga pilot i thjeshtë, komandant çifti, komandant katërshe, komandant skuadrilje, zv komandant regjimenti, komandant regjimenti dhe komandant i përgjithshëm i Aviacionit Luftarak Shqiptar. Kjo tregon se Bardhylin, në ngjitjen e tij në detyrë, e ka bërë vetë puna e tij, pa asnjë “levë” ngritëse, siç mund të ndodhte ndonjëherë me miqtë e udhëheqësve komunistë. Ai fluturoi mbi 30 vjet, pa futur vitet e shkollës. Është emëruar Komandant i Forcave Ajrore në vitin 1974 pas komandant Edip Ohrit, i cili kaloi në pozicionin e këshilltarit për një vit. Më vonë Edipit iu propozua të shkonte komandant i Akademisë së Aviacionit në Vlorë, se kishte eksperiencë, propozim të cilin ai nuk e pranoi dhe vendosi të dilte në pension si shumë të tjerë. Arrestimi i Edip Ohrit ndodhi më vonë. Bardhyli ka qëndruar në detyrë deri në vitin 1990, kur ka dalë në pension. “Unë, për 30 vjet, sa herë qëndroja në ajër, ndihesha i lirë. Në ajër unë s’kisha komandant, s’kisha parti, s’kisha kufij, s’kisha polic trafiku, s’kisha pengesa, s’kisha kompleksin e krijuar nga shteti dhe ligjet…Në ajër isha vetë Zoti”, – thotë sot Bardhyli, ndërsa qesh me gjithë shpirt.
Në moshën që është sot Bardhyl Taçi, duket shumë kureshtar të dijë se çfarë do të bëhet me aviacionin shqiptar, do të shuhet përfundimisht ose do të ringrihet. Ai lexon përditë shumë literaturë historike, sidomos veprimet e aviacionit gjatë Luftës së II Botërore. Lexon për anijet kozmike. Lexon çdo gjë që ka të bëjë më zanatin e tij si pilot dhe ajo kureshtje që kishte në fëmijëri për qiellin, tani në moshën e tretë i është shtuar akoma më shumë, por sidomos në drejtim të njohjes së gjithçkaje; në drejtim të avionëve, qiellit dhe kozmosit. Ai është një studiues i apasionuar dhe një enciklopedist në kërkim të gjithçkaje për aviacionin.
Bardhyl Taçi ndodhet përkohësisht në USA. Jeton njëkohësisht në Shqipëri dhe në USA. Kur është në USA mendjen e ka në Shqipëri, tek shokët e miqtë e tij, tek aviacioni dhe ndjek me shumë interes situatën politike, shoqërore dhe ekonomike të Shqipërisë. Jeton bashkë me gruan e tij, Shkëndijen. Është babai i dy vajzave shumë të talentuara si vetë babai i tyre. Ai është 75 vjeç dhe akoma ruan zhdërvjelltësinë e një të riu. Kur ju bë pyetja se a do të dëshironte të fluturonte përsëri me një reaktiv, ai u përgjigj pa u menduar: “Vetëm kur të largohem nga kjo jetë nuk do të ëndërroj të fluturoj. Mund të kem humbur shprehitë e fluturimit, por dashurinë nuk e humbas kurrë. Do të desha të isha i ri vetëm për të fluturuar. Më mirë i ri dhe plot dështime, sesa i vjetër e plot përkujdesje”.
Agim Bacelli/Shekulli
24/04/2009

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 26/04/2010. Filed under Patriotët,Shekulli jonë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.