Harresa e kufijve liqenorë me fqinjët

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 2703
Debati për detin, injoron liqenet. Jugosllavia nuk ekziston më, Mali i Zi dhe Maqedonia kontrollojnë 2/3-n e liqeneve të Ohrit dhe të Shkodrës. Shqipëria, asnjë përpjekje për rishikim. Vringëllimi i retorikës patriotike, lidhur me marrëveshjen e Platformës Kontinentale mes Shqipërisë dhe Greqisë, ndryshe si Marrëveshja e Detit, duket se për një mendje analizuese apo për një profesionist hap në parim disa probleme të reja, që kanë të bëjnë me vizatimin e kufijve në Ballkan. Si një dokument i negociuar mes dy subjekteve sovrane të së drejtës ndërkombëtare, marrëveshja në fjalë është vënë në sulmin e furishëm dhe të justifikueshëm të opinionit, pavarësisht se zhurma mbi të duhet të prodhojë edhe një debat të ri në shoqërinë shqiptare. Bëhet fjalë, si për vështrimin objektiv të historisë, ashtu edhe për riciklimin e qëndrimeve dinjitoze që, gjithsesi, kanë një mbështetje në të drejtën ndërkombëtare. Fjala është për caktimin e vijës kufitare në ujërat liqenore të Shqipërisë, të cilat administrohen sot në zbatim të vendimeve të dikurshme të imponuara, baza juridike e të cilave është ende në fuqi. Kështu, të drejtat sovrane të Shqipërisë mbi katër liqenet që ndodhen në territorin e saj, të Ohrit, të Shkodrës dhe të dy Prespave, shtrihen vetëm mbi një të tretën e sipërfaqes. Ky përcaktim kufitar është ngritur mbi logjikën juridike që ekziston edhe sot, sipas së cilës, “në rastet e liqeneve artificiale apo natyrale, që janë kufij mes dy shteteve, shteti më i madh përfiton 2/3 e sipërfaqes dhe shteti më i vogël vetëm 1/3”. Kështu, një vështrim i shpejtë në Wikipedia na jep disa të dhëna konkrete, që e vërtetojnë këtë gjë. Liqeni i Shkodrës varion, për shkak të ndryshimeve të nivelit nga  370 km2 – 530 km2 dhe, sipas burimeve në fjalë, 2/3 i takojnë Malit të Zi. Mandej, Prespa e Madhe, ku 190 km² i përkasin Maqedonisë (FYROM), 84.8 km² Greqisë dhe 38.8 km² Shqipërisë. E njëjta gjë edhe për Prespën e Vogël, por edhe për liqenin e Ohrit, vija tokësore e të cilit kap kuotën e 87.53 km, nga të cilat 56.02 km i takojnë fqinjit tonë dhe pjesa tjetër, 31.51 km, nga vendi ynë. Siç shihet pra, në zbatim të një ligji ndërkombëtar, që ndjek dhe rregullon një gjendje politike të caktuar, Shqipëria administron sot me heshtje të plotë një padrejtësi, e cila nuk mund të shihet më në optikën e nacionalizmit, por të logjikës së jurisprudencës ndërkombëtare, ashtu sikurse edhe të logjikës ekonomike. Ujërat liqenore për vendet e Ballkanit janë një industri ekonomike që përfshijnë peshkimin dhe truizmin, dhe për të cilat Tirana zyrtare prej kohësh luan një rol, ku edhe është specializuar si rrallëkush: të heshtë.

Kufijtë me premisën jugosllave
Përcaktimi i këtyre kufijve që i kanë lënë Shqipërisë, por, siç u pa, edhe Greqisë, një pjesë minore në kontrollin liqenor ka të bëjë me faktin historik të ekzistencës apo të krijimit të Mbretërisë Jugosllave. Madhësia e këtij shteti të ri përligjte aplikimin e kësaj logjike, e cila e “dënoi” Shqipërinë me një rol të vogël në këtë sektor. Ajo që sot shtrohet si një çështje që, minimalisht do të kërkonte një interpretim, lidhet sërish me Jugosllavinë, e cila tanimë, në ndryshim nga dikur, nuk ekziston. E drejta ndërkombëtare ka pranuar sot në gjirin e saj shtete të reja, sovraniteti i të cilave është pranuar plotësisht (Mali i Zi) apo pjesërisht (Maqedonia). Sot këto dy shtete gëzojnë të drejta sovrane, të bazuara mbi trashëgiminë e Jugosllavisë inekzistente, duke sendërgjuar në arenën ndërkombëtare një kontradiktë, e cila nuk përligj më parimet e aplikuar për ndarjen e ujërave liqenore. P.sh., kontrolli nga Mali i Zi i 2/3-ve të Liqenit të Shkodrës është një rast i paprecedent, padyshim shumë fatlum për këtë vend. Ajo që sot përbën një problem të mirëfilltë është heshtja e plotë e Tiranës zyrtare dhe lënia e këtyre dosjeve nën një heshtje, që dikur mund edhe të akuzojë.

Precedenti i Kosovës
Janë një sërë precedentësh, që krijojnë mundësi për një pretendim të natyrshëm të Shqipërisë në rishikimin e të drejtave mbi hapësirat liqenore. Kështu, rënia e Jugosllavisë vërtet nuk u shoqërua me një ratifikim kufijsh për së jashtmi, pra në raport me subjekte të tjera politike, por ato sollën ndryshime madhore në skenën ballkanike. Kështu, edhe rasti i Kosovës diktoi një shkrim kufijsh mes këtij shteti të ri dhe FYROM-it, çka hap parantezën e një kërkese të ngjashme, për të gjitha ato çështje që bartin diskutime. Vetë çështja e emrit që debatohet sot mes Shkupit dhe Athinës është një problem i ndërkombëtarizuar me rënien e Jugosllavisë dhe në vetvete ai është një problem që ka në sfond ankthin territorial. Për më shumë, është e natyrshme që të mendohet se lindja e shteteve të reja do të duhet të shoqërohet me atribuimin e përgjegjësive të njëjta përpara ligjit ndërkombëtar, në atë rast kur trashëgimia e një subjekti të vdekur nuk përligjet më nga forca e shtetit të ri.

Debati kroato-slloven
Por një rast më domethënës, lidhur me këtë argument, është debati i freskët slloveno-kroat ,për sa i përket gjirit të Piranës. I trajtuar gjerësisht në media, diskutimi në fjalë arriti deri aty sa të rrezikonte ambicien evropiane të Kroacisë. E djathta sllovene rrëzoi kandidaturën e Zagrebit, duke provokuar një krizë të fortë rajonale, që diktoi ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar. Në finale ky ballafaqim ngrihej mbi një problem kufitar, i cili, në ndryshim nga mënyrat e Beogradit, nuk iu drejtua luftës për t’u zgjidhur, por marrëveshjes. Në këtë drejtim është me rëndësi që të nënvizohet një element tjetër, që ka kuptim edhe në rastin e Shqipërisë; si Kroacia ashtu edhe Sllovenia janë dy shtete të afirmuar që në vitet 90, si pasojë e shkërmoqjes së Jugosllavisë. Në ndryshim nga Kosova, e cila ende vuan paragjykimin e legjitimimit, për sa kohë që nuk është anëtare e OKB-së, dy shtetet në fjalë diskutuan për kufijtë këtë vit. Kjo ka rëndësi, për shkak se debati kufitar, i provokuar nga mbyllja e ekzistencës së Jugosllavisë, është legjitim dhe i natyrshëm, sepse ai bart në vetvete problemin e të drejtave që trashëgohen nga një shtet, po ashtu sikurse edhe problemet që ky shtet lë hapur.

Diskutimi, problem politik dhe teknik
Një problem teknik, që ka të bëjë me këtë çështje që nuk është ngritur kurrë nga Tirana zyrtare, lidhet me instancën ndërkombëtare që do të mund të diskutonte këtë problem. Kështu, në ndryshim nga dikur, kur Konferenca e Ambasadorëve ekzistonte si një organizëm i legjitimuar për të diskutuar problemet politike të kohës, sot nuk ka një ent ndërkombëtar që të mund ta diskutojë në sens politik këtë gjë. Kuptohet që këtu prezumohet lindja e një fërkimi, si pasojë e logjikës rajonale, që nuk sundohet nga mendësia e marrëveshjeve. Por ky problem mbetet hipotetik, për sa kohë që hapja e këtyre diskutimeve kërkon kurajë nga Tirana zyrtare, cilësi e huaj kjo për politikën shqiptare. Ajo që sot e vendos Shqipërinë para faktit të kryer është e drejta e cunguar sovrane mbi hapësirat liqenore, për sa kohë që, jo për shkak të saj, Jugosllavia, si violinë e parë në Ballkan, ka përfunduar ekzistencën e saj dhe se Serbia, si trashëgimtare e vullnetshme e idesë së saj për supremaci, nuk është më në kufi.
Gazeta Libertas

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 14/05/2010. Filed under Aktualitet. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.