- Home
- Shqipëria
- Bota
- Politika
- Mafia
- Shke-Tek
- Italiano
- Ekonomi
- Biografi
- Automobili
Lexuar 2693Dell: Korrupsioni dëmton ekonominë e Kosovës
Prishtinë, 14 maj – Kosova ka një ekonomi të pabalancuar dhe të paqëndrueshme në kuptimin afatgjatë, tha ambasadori amerikan në Prishtinë, Cristopher Dell, gjatë një ligjërate të mbajtur në 15-vjetorin e themelimit të Institutit RIINVEST.
Korrupsioni dëmton gjithmonë zhvillimin ekonomik të secilit vend, përfshirë edhe Kosovën, tha sot ambasadori amerikan në Prishtinë, Cristopher Dell. Ai, siç raporton Radio Evropa e Lirë, rikonfirmoi mbështetjen amerikane për EULEX-in në angazhimet për luftimin е krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këto komente, Dell i bëri pas një ligjërate që mbajti sot, në 15-vjetorin e themelimit të Institutit RIINVEST, me temën “Aktivizimi i burimeve të rritjes ekonomike në Kosovë”. Që të ulet shkalla e korrupsionit, Dell sugjeroi zvogëlimin e rolit dominues të Qeverisë te ndërmarrjet më të mëdha publike, duke favorizuar në anën tjetër zhvillimin e sektorit privat.
Ambasadori amerikan rikujtoi se zhvillimi ekonomik është rruga që e bashkon Kosovën në familjen e integruar evropiane. Ai tha se Kosova vazhdon të ballafaqohet me zhvillim të ulët ekonomik, papunësi dhe investime të vogla nga jashtë, çka e bën atë që të mos krenohet me zhvillimin e arritur.
”Një ekonomi e tillë, e pabalancuar, është e paqëndrueshme në kuptimin afatgjatë. Është imperative që Kosova të zhvillojë një bazë legale të fuqishme të zhvillimit ekonomik, që do t’i mundësojë asaj që të jetë kandidat për integrim në Bashkimin Evropian”, tha Cristopher Dell.
Ai rikujtoi se rritja ekonomike vjetore në Kosovë vlerësohet nga 3-5 për qind. Përderisa papunësia llogaritet në 45 për qind, prej tyre 75 për qind të rinj kërkojnë punë. Dell tha se llogaritjet e bëra nga Fondi Monetar Ndërkombëtar kërkojnë që Kosova të shënojë rritje vjetore prej 7 për qind, në mënyrë që gjendja e rëndë që ekziston, të fillojë të përmirësohet.
“Kosova ka nevojë të krijojë 30 mijë vende të reja pune në vit, përderisa aktualisht arrin të krijojë 3 deri në 4 mijë vende pune”, tha Dell.
Më pas, Dell mori shembuj ekonomitë e vendeve të tjera, të cilat ishin ballafaquar me sfida të ngjashme, si Zimbabve apo Gjeorgjia.
Ai tha se te disa vende, forcat që dalin fituese nga lufta, mendojnë se gjaku i derdhur për liri u mundëson atyre të pasurohen në paqe. Por, ai shprehu besimin se Kosova ka një lidership që mendon ndryshe dhe në vend të pasurimit personal, të ketë si qëllim zhvillimin dhe pasurimin e vendit.
Ambasadori amerikan përmendi tri shtylla kryesore të zhvillimit të Kosovës, si: energjinë, zvogëlimin e dominimit të Qeverisë në ndërmarrjet e mëdha publike dhe miniera, si dhe ngritjen e bizneseve private.
Gjithashtu, ai inkurajoi vazhdimin e projekteve të mëdha, si: koncesionimi i Aeroportit të Prishtinës, privatizimi i PTK-së dhe ndërtimi i termocentralit Kosova e Re.
Me gjithë gjendjen jo të lakmueshme ekonomike, me të cilën po ballafaqohet Kosova, Dell inkurajoi kosovarët se Shtetet e Bashkuara do të jenë me ta dhe do t’i ndihmojnë e përkrahin që të mos mbeten vendi më i pazhvilluar i Evropës.
“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë me ju. Te ecim së bashku përpara, të ecim së bashku kah prosperiteti dhe shpresa për Kosovën”, tha ambasadori Dell.
Ai u sugjeroi kosovarëve që të mësojnë edhe nga praktikat e vendeve të tjera, në mënyrë që të zhvillojnë një ekonomi tregu, ku bizneset private, investitorët e huaj, si dhe eksporti do të shënonin rritje, çka automatikisht do të gjeneronte zhvillim dhe vende të reja pune.
***
Prishtinë, 14 maj – Ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, ka theksuar se EULEX-i nuk ka gjetur asgjë antiligjore gjatë bastisjeve në Ministri dhe në pronat e Limajt. Në një intervistë të dhënë në RTK, Limaj ka theksuar se nëse vërtetohet se është keqpërdorur edhe një cent nga Ministria e Transportit dhe e Postë-Telekomunikacionit, atëherë ai do të marrë të gjitha përgjegjësitë.
Në prononcimin e tij të parë publik që nga dita e bastisjeve të EULEX-it, Limaj ka thënë se është i gatshëm të bashkëpunojë me drejtësinë, ndonëse hetimet ndaj tij i ka konsideruar gabim të madh.
“Jam i gatshëm të bashkëpunoj me organet e drejtësisë për të dalë e vërteta në dritë”, ka theksuar Limaj në RTK.
“Kohës Ditore” ndërkaq sot shkruan se misioni i BE-së për sundimin e ligjit po vazhdon të shqyrtojë materialin e mbledhur nga bastisjet e bëra dy javë më parë në gjashtë lokacione të ndryshme, ku janë përfshirë Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit dhe pronat e dy zyrtarëve të kësaj ministrie, ministrit Fatmir Limaj dhe shefit të prokurimit Nexhat Krasniqi.
Të mbledhur në njërën nga sallat më të mëdha të ndërtesës kryesore të këtij misioni, me zyrat e hapura në “stilin amerikan”, një staf i përbërë nga hetues, prokurorë, përkthyes e zyrtarë të tjerë, punon çdo ditë rreth asaj që ata e vlerësojnë rasti Limaj, por edhe për shumë raste të tjera. Burime të gazetës kanë shpjeguar se ndërkohë zyrtarë të EULEX-it janë paraqitur edhe në vende të tjera, por nuk kanë dashur të japin hollësi.
Grupi që udhëhiqet nga kryeprokurori Johannes Van Vreesswijk urren fjalën “politikë” dhe nuk është se i kanë në qejf as mediet. Secili zyrtar e ka punën e ndarë, ndërkaq ndërlidhësi mes tyre dhe Brukselit mbetet u.d. i kryeprokurorit Van Vreesswijk. Ai udhëton shpesh për në Bruksel. Vetëm gjatë kësaj jave, dy herë.
Ndonëse asnjë zyrtar i EULEX-it nuk pranon të flasë për mundësinë e koordinimit të aktiviteteve me politikën, burime të tjera ndërkombëtare i kanë thënë gazetës se kjo periudhë kohore po shfrytëzohet edhe nga politika, me qëllim të qartësimit të rastit Limaj.
Burimet i kanë thënë gazetës se përfaqësuesit e shteteve mike të Kosovës kanë pasur disa takime me kryeministrin Hashim Thaçi, kryeparlamentarin Jakup Krasniqi dhe vetë ministrin Limaj, me ç’rast po kërkojnë daljen nga kjo situatë, duke u sugjeruar liderëve kosovarë se EULEX-it duhet “lënë duart e lira”.
Një takim i tillë ka ndodhur edhe të martën mbrëma, ndërsa konsultimet kanë vazhduar gjatë gjithë kësaj kohe edhe me opozitën.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka premtuar të enjten se Qeveria nuk do të ndikojë në procesin e hetimeve që po bëhet ndaj ministrit Fatmir Limaj.
Kuçi e ka dhënë këtë qëndrim, ani se kryeministri Hashim Thaçi javën e shkuar ka kontestuar profesionalizmin e shprehur me rastin e bastisjes së pronave të Limajt dhe vetë Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit dhe ka gjykuar se procesi ndaj këtij ministri është zhvilluar me qëllim linçimi.
Zëvendëskryeministri Kuçi ka theksuar se çështja që ka të bëjë me drejtësinë dhe çështja që ka të bëjë me deklarimet politike janë të ndara. “Unë besoj se të gjithë jemi dëshmitarë të asaj që i është dhënë mbështetje e plotë misionit të EULEX-it në vendosje të rendit dhe të drejtësisë në vendin tonë, por unë mendoj se është mirë që të gjithë të përmbahemi nga deklaratat”, ka theksuar numri dy i Qeverisë. “As drejtësia nuk duhet të ndikojë në politikë dhe as politika në drejtësi. Kjo është rruga më e mirë për një shtet demokratik”.
Edhe ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, ka bërë paraqitjen e dytë prejse EULEX-i ka bastisur ministrinë dhe pronat e tij. Të enjten, përderisa ka marrë pjesë në hapjen e një panairi të punës, ministri Limaj u ka ikur komenteve rreth hetimeve, ndërkaq pas insistimit të madh të gazetarëve ai ka pasur vetëm një mesazh. “Kush qesh i fundit, qesh më së miri”, ka thënë Limaj, për të vazhduar rrugën drejt veturës së tij.
“Lëreni bre djema se nuk jam kriminel”, ka thënë Limaj.
Deklaratat e para të zyrtarëve kosovarë për aksionin e EULEX-it dhe pastaj përgjigjja që këtyre deklaratave u ka dhënë u.d. i kryeprokurorit të EULEX-it, Van Vreesswijk, nëpërmjet një interviste në “Kohën Ditore”, kanë shënuar nivelin më të ulët të marrëdhënieve mes Qeverisë me EULEX-in dhe ICO-në.
Mesazhin se hetimet duhet të vazhdojnë pa ndërhyrje politike e ka dhënë edhe shefi i ICO-së, Pieter Feith. Ai ka shfrytëzuar një vizitë në Tiranë për të bërë komentin e parë pas bastisjeve, për të cilat ishte akuzuar nga kryeministri Thaçi.
“EULEX-i ka vepruar mbi bazën e mandatit të tij, për të cilin është rënë dakord nga BE-ja dhe është pranuar edhe nga Qeveria e Kosovës. Ky mandat synon mbështetjen e institucioneve të drejtësisë në Kosovë, nëpërmjet kujdesit, monitorimit dhe këshillimit për institucionet e drejtësisë në Kosovë”, ka thënë Feith, duke shtuar se “hetimi do të vijojë dhe ne do të vazhdojmë pa ndërhyrje politike”.
Koha Ditore