LUFTA E DYTE BOTERORE – Pjesa e nente

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 5276
LUFTA E DYTE BOTERORE
PJESA E NENTE

Rreth Revoltës Polake

Sovjetikët avanconin dhe lëshonin vazhdimisht ofensiva të rënda kundra ushtrisë gjermane. Më 22.6.1944, Operacioni Bagration ishte një ofensivë që përfshinte rreth 2.5 milion njerëz dhe rreth 6000 tanke. Qëllimi i Operacionit Bagration ishte pastrimi i qytetit Belarus nga trupat gjermane. Beteja do të ishte një sukses për sovjetikët dhe disfatë për gjermanët. Batalioni Gjerman Qendror u shkatërrua nën furinë e tankeve dhe Wehrmacht (ushtria gjermane) humbi 800 000 trupa, duke pësuar kështu goditjen më të rëndë në historinë e saj. Sovjetikët do të avanconin më tutje dhe më 31 korrik do të ishin në dyert e Varshavës.
Avancimi i Ushtrisë së kuqe i bëri Polakët të merrnin shpresë se shumë shpejt ata do të çliroheshin. Në Varshavë revoltat do të fillonin dhe me 1 gusht të 1944, një nga operacionet më të gjerë të kohës do të fillonte. Me Operacionin Furtuna, Rreth 40 000 luftëtarë të rezistencës Polake morën në dorë qytetin. Megjithatë Ushtria e Kuqe nuk do të avanconte më tepër dhe ndihma e vetme që do të merrnin polakët nga sovjetikët, ishte artileri e rëndë. Ndërkohë trupat gjermane do të organizoheshin. Ata lëvizën në brendësi të qytetit me qëllim që të shuanin revoltën. Revolta mbaroi më 2 tetor 1944, me trupat gjermane fitimtare. Këta të fundit shkatërruan edhe atë pjesë që kishte mbetur nga qyteti i Varshavës.
D-Day – Zbarkimi i Aleatëve në Normandi
Zbarkimi i Aleatëve në Normandi më 6.6.1944

6.6.1944, D-Day (shqiptimi Di Dei – Dita D). Trupat Aleate të përbëra kryesisht nga ushtarë amerikanë, britanikë dhe kanadez, do të sulmonin Normandinë që ishte nën pushtimin e Gjermanisë Naziste. Rezistenca gjermane ishte e fortë dhe e mirë pozicionuar, sidomos në plazhin Omaha dhe qytetin e Caen (Kaen). Në muajin e parë, Aleatët do të fitonin terren. Luftime të ashpra do të ndodhnin në këto toka me pyje të dendur dhe fusha të gjera që pikërisht për këtë faunë do të merrnin emrin luftimet Bocage (fjalë në frëngjisht). Por në të vërtetë Aleatët hovin do ta merrnin vetëm gjatë Operacionit Kobra në Saint-Lô, një qytet në veri të Francës.

Gjatë gushtit, Armata e Shtatë Gjermane dhe Armata e Pestë e Panzerave ishin rrethuar gati krejtësisht në Falaise. 50 000 ushtarë u zunë rob por një pjesë e mirë e ushtrisë, arriti të dalë nga rrethimi dhe të iki. Forcat aleate që vepronin në Itali u detyruan të pushtonin Rivierën Franceze dhe më 15 gusht, bënë të mundur lidhjen me trupat në Normandi.
Më 19 gusht, Rezistenca Franceze në Paris, ngriti krye kundra pushtuesve gjerman. Njësia Franceze nën komandën e Gjeneralit Jacques Leclerc, që erdhi në qytet drejt e nga Normandia, mori deklaratën e dorëzimit të forcave gjermane atje dhe kështu më 25 gusht, Parisi më në fund ishte çliruar.
Ofensiva Gjermane dhe Kundër-ofensiva e Aleatëve
Në dhjetor, ushtria gjermane do të lëshonte ofensivën e fundit në frontin perëndimor. Kjo ofensivë, që ishte angazhimi i fundit gjerman në luftë do të njihej me emrin Beteja e Bulge. Hitleri shpresonte se duke përdorur teknikat luftarake si ajo që ishte përdorur gjatë Ofensivës së Ardenes në 1940 ku ushtria gjermane kishte fituar betejën në mënyrë të shkëlqyeshme, Aleatët do të tërhiqeshin deri diku. Në këtë mënyrë sipas Hitlerit trupat Aleate do të binin dakord për negociata paqeje. Në fillimet e kësaj beteje, gjermanët korrën sukses. Ky sukses erdhi si pasojë e kapjes së trupave Aleate në mënyrë të papërgatitur. Grupi ushtarak i panzerave gjerman Kampfgruppe Peiper të drejtuara nga Jochen Peiper do të shkonte shumë larg. Avancimi i këtyre trupave në linjat e trupave amerikane, u quajt Beteja e Bulge (fjala “Bulge” merr kuptimin e “Avantazh”).
Moti i keq favorizoi këtë ofensivë duke i dhënë për momentin avantazh trupave gjermane pasi trupat e aviacionit të Aleatëve, nuk mund të përdoreshin. Megjithatë rezistenca e trupave amerikane në Saint Vith do të ishte e fortë dhe e vendosur për të mbajtur pozicionet e tyre. Marshimi i trupave gjermane do të ndalonte shpejt. Ushtria e Tretë e ShBA-së me gjeneralin George Patton në krye, do të merrte në dorë situatën. Rreziku gjerman do të shuhej dhe falë kundërsulmeve të ndryshme të trupave ushtarake të ShBA-së, një pjesë e mirë e divizioneve gjermane do të zihej ngushtë. Trupat e mbetura gjermane do të detyroheshin të tërhiqeshin në Gjermani. Këto beteja konsiderohen si nga betejat më të përgjakshme të trupave amerikane në frontin e perëndimit.
Lufta Sino-Japoneze dhe Azia Juglindore

B-29 duke bombarduar mbi Japoni.

Në prillin e 1944, japonezët do të lëshonin sulmin e njohur me emrin Operacioni Ichigo. Kjo u bë për të siguruar territoret hekurudhore përmes territoreve të pushtuara nga Japonia, dhe pjesës verilindore të Kinës, Koresë dhe Azisë Juglindore. Në këtë mënyrë ata shpresonin se do mund të shkatërronin bazat ajrore të ShBA-së që ndodheshin në atë territor. Në muajin e gjashtë të po atij viti, japonezët mobilizuan 360 000 trupa dhe pushtuan Çangasha-n për herë të katërt. Ky kishte qenë numri më i madh i përdorur nga forcat japoneze gjatë të gjithë luftës Sino-Japoneze. Numri i madh i ushtarëve do të jepte efektet e veta dhe mbas 47 ditë luftimesh të përgjakshme, qyteti do të binte në duar të forcave japoneze. Deri në nëntorë, japonezët kishin marrë gjithashtu qytetin e Guilin dhe Liuzhou, të cilët kishin shërbyer si baza të avjacionit amerikan për të bombarduar Japoninë. Megjithatë, me sa dukej japonezët ishin larg nga ndalimi i trupave ajrore amerikane, sepse amerikanët mund të bombardonin sërish Japoninë me anë të bazave ajrore që dukej se i shtinin në dorë shumë shpejtë. Këto baza mbinin si kërpudhat mbas shiut, gjithmonë të palodhura për të bombarduar qytetet e armikut të tyre. Në dhjetor, forcat japoneze arritën French Indochina (firma e naftës në duar të holandezëve në territorin e Indonezisë), dhe arritën të përmbushnin objektivin e tyre për të shtënë dorë mbi floririn e zi (pra naftën), edhe pse kjo i kushtoi atyre shumë. Japonia nuk mund të kënaqej me një fitore si ajo e Pirros.
Ndërkohë në Azinë Juglindore, Amerikanët do të kishin përfunduar rrugën Ledo (Ledo Road), që lidhte më në fund Indinë dhe Kinën me qëllim furnizime ushtarake. Kjo do të shtynte forcat japoneze dhe në mars të 1944-ës do të vendosnin të sulmonin Indinë. Ky marshim në kryeqytetin e Indisë, nuk do të ishte një shëtitje në park për trupat japoneze, sepse në Indi, trupat britanike në aleancë me ato indiane do të kundërshtonin rëndë këtë “marshim”. Trupat japoneze u përpoqën të shkatërronin trupat britanike dhe indiane në Imfal (Imphal). Luftimet që u zhvilluan ishin të ashpra. Japonezët do të merrnin hov në fillimet e luftimeve. Trupat aleate, pavarësisht se ndodheshin të rrethuara, furnizoheshin vazhdimisht nga qelli me ushqime dhe armatime, deri sa trupat e freskëta të aleatëve do të vinin aty dhe do të thyenin rrethimin e trupave japoneze me lehtësi, pasi kësaj radhe trupat luftuese japoneze ishin të sfilitura nga luftimet e vazhdueshme dhe pa furnizime. Japonezët u tërhoqën mbrapsht duke lënë pas rreth 85 000 të vdekur nga radhët e tyre. Një nga disfatat më të mëdha të trupave japoneze në luftën e madhe të Azisë.
I Gjithë Globi në Luftë: 1945
Ofensiva e Madhe e Sovjetikëve; 60 KM larg Berlinit

Më 12 janar të 1945, Ushtria e Kuqe dukej se ishte gati për ofensivën e radhës. Trupat e Konevit, të pozicionuara afër lumit të Vistulës, sulmuan trupat gjermane në territorin jugor të Polonisë duke u zgjeruar më tej dhe duke u afruar në Sandomierz. Më 14 janar, Trupat e Rokosovskit do të sulmonin nga lumi Narev, në veri të Varshavës. Ata thyen me sukses trupat mbrojtëse gjermane përgjegjëse për Prusinë Lindore (emri i një territori që nuk egziston më nën kufirin e Gjermanisë). Trupat e Gjeneralit Zhukov, do të sulmonin në qendër nga territori i tyre afër Varshavës. Fronti gjerman, u rrënua krejtësisht nga kjo ofensivë e madhe e Ushtrisë së Kuqe.
Më 17 janar 1945, Zhukovi hyri në Varshavë dhe vetëm dy ditë më vonë, trupat e tankeve ruse nën komandën e këtij të fundit, do të shtinin në dorë edhe qytetin e Lodz. Në po të njëjtën ditë, trupat e Konevit arritën më në fund kufijtë që Gjermania kishte pasur përpara luftës. Në fundin e javës të kësaj ofensive të madhe, sovjetikët kishin bërë përpara 160 kilometra në frontin gjerman me një gjerësi të madhe veprimi prej 650 kilometrash. Më 13 shkurt të po atij viti, sovjetikët shtinë në dorë Budapestin. Në eufori e sipër, në fund të muajit ushtria e kuqe do të marshonte deri në lumin Oder, duke lënë vetëm një distancë prej 60 kilometrash nga Berlini. 60 kilometra ishin gjithçka që ndanin sovjetikët nga fitorja përfundimtare.
Ofensiva e Dimrit, Aleatët në sulm
Më 14 janar 1945, Trupat Luftuese XII Corps (ose Njësia e Dytë Ushtarake Britanike), do të lëshonin Operacionin Blackcock. Operacioni me karakter ofensivë, kishte si synim pastrimin e Trekëndëshit të Roer. Ky trekëndësh nuk ishte asgjë tjetër më shumë se një territor strategjik në duart e trupave gjermane, i vendosur midis rivierës Maas dhe Roer, në jug të Roermond. deri me datë 27 të po atij muaji, trupat gjermane do të shtyheshin thellë në lindjen e Roer.
Konferenca e Jaltës dhe Konferenca e Potsdam

Nga e majta në të djathtë dallohen Uinston Çërchill, Franklin D. Rusvelt dhe Josif Stalin në

Konferencën e Jaltës më 1945.

Më në fund Gjermania ndodhej në fijen e perit, dhe udhëheqësit e mëdhenj të ShBA-së, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Sovjetik vendosën të takoheshin në Jaltë. Konferenca e Jaltës përfshiu presidentin e ShBA, Ruzvelt, liderin e pa diskutueshëm të Bashkimit Sovjetik, Josif Stalin dhe Ministrin e Parë (ose më saktë kryeministrin) e Britanisë së Madhe Uinston Çërçill. Konferenca filloi më 4 shkurt të 1945 dhe zgjati 7 ditë, deri në 11 shkurt. Në këtë konferencë u trajtuan shumë tema ku më të rëndësishmet ishin:

1. Në prill të 1945 vendet fituese do të rimblidheshin përsëri për të formuar Kombet e Bashkuara.

2. Polonia do të kishte zgjedhje të lira, pa presione nga sovjetikët.

3. Vendet satelite të Bashkimit Sovjetik do të reformoheshin dhe do të merrnin ndihmë me qëllim restaurimin e tyre.

4. Sovjetikët do të sulmonin trupat e mbetura japoneze në Kinë, tre muaj mbas kapitullimit të Gjermanisë Naziste.

5. Kufijtë e Polonisë do të zhvendoseshin nën kurrizin e territorit të Gjermanisë. Gjermania do të humbiste shumë toka dhe Rusia do të përfitonte gjithashtu. Edhe mbas aprovimit për shkatërrimin e Murit të Berlinit, Rusia mbajti të njëjtin qëndrim duke deklaruar se nuk do të kishte ndryshime kufijsh.

6. Si temë dytësore në këto diskutime, janë për t’u theksuar diskutimet në lidhje me detin e Mesdheut dhe hapjen e gjireve për flotën Ruse për qëllime tregtare dhe luftarake në territoret që kishin rëndësi për të. Kjo prekte kryesisht territoret e Turqisë.

Këto ishin disa nga pikat me rëndësi që do të trajtoheshin në konferencën e Jaltës. Më vonë, më 17 korrik, një tjetër konferencë do të zhvillohej midis fuqive të mëdha. Kjo konferencë do të zhvillohej në Potsdam, jashtë qytetit të Berlinit dhe do të zgjaste deri më 2 gusht të po atij viti. Në këtë konferencë, aleatët do të binin dakord për ndarjen e territorit të Gjermanisë. Kjo e fundit do të ndahej në katër territore, që do të kontrolloheshin nga Britanikët, Amerikanët, Francezët dhe Sovjetikët. Gjithashtu, ShBA dhe Britania e Madhe, do të ndryshonte qëndrim ndaj Sovjetikëve duke u tërhequr nga disa pika që ata kishin pranuar në konferencën e Jaltës, edhe pse kjo nuk shkaktoi ndonjë problem ose ndonjë ndodhi të padëshirueshme. Në Konferencën e Potsdamit do të parashtrohej gjithashtu edhe një ultimatum ndaj Japonisë. Nga kjo e fundit kërkohej dorëzimi i menjëhershëm dhe tërheqja nga territoret e Kinës. Në se ajo nuk do vepronte sipas ultimatumit, kjo do të kishte shumë pasoja të rënda për Japoninë.

Beteja për Berlinin
Sovjetikët në Berlin.

Ushtria e Kuqe kishte mbërritur në Berlin edhe pse marrja e këtij të fundi do të rezultonte një fushatë shumë lodhëse dhe me humbje si për sovjetikët ashtu edhe për gjermanët. Sulmi ndaj Berlinit nga ana e sovjetikëve, do të fillonte më 16 prill. Më 24 prill, tre grupe ushtarake do të rrethonin qytetin. Asgjë nuk mund të futej ose të dilte më nga kryeqyteti Gjerman. Atëherë, Hitleri, si një ndërmarrje e mjerueshme do të bënte thirrje për ndihmë te civilët. Duke rekrutuar adoleshentë dhe persona të moshuar, milicia Volkssturm (që në shqip do të merrte kuptimin “Stuhia e Popullit”), do të formohej për të luftuar kundra një ushtrie me përvojë si ajo e sovjetikëve. Milicia do të kishte edhe mbështetjen e atyre veteranëve që kishin luftuar edhe më parë.
Beteja mori pamjen më të egër të saj dhe Berlini do binte shtëpi mbi shtëpi dhe lagje mbi lagje. Nga luftimet në Berlin, pala e sovjetikëve do të kishte 305 000 të humbur, ndërsa nga ana gjermane do të kishte 325 000 të vdekur. Hitleri dhe do të fshihej në bunkerin e tij nga ku mendohet se dilte shumë radhë (kjo përfshinë edhe filmimet e dekorimit të fëmijëve nga ana e Hitlerit që mendohet se janë xhiruar afër bunkerit ku strehohej). Më 30 prill të vitit të fundit të luftës, ai do të kryente vetëvrasje për mos të rënë në duart e sovjetikëve; gruaja e tij Eva Braun gjithashtu do të kryente vetëvrasje.

Aleatët në Perëndim
Gjenerali Omar Bredli.

Vonë në janar, aleatët do të rifillonin marshimin e tyre në Gjermani. Pengesa e fundit që i ndante aleatët nga Gjermania, ishte lumi Rajn. Por edhe ky i fundit do të kalohej në mars të 1945-ës. Kalimi u bë i mundur vetëm pas kapjes së urës së Ludendorf në Remagen. Pasi aleatët kaluan Rajnin, britanikët do të shkonin në veri-lindje drejt Hamburgut, duke kaluar lumin Elbe për të lëvizur më tutje drejt Danimarkës dhe Detit Baltik. Njësia ushtarake e nëntë e amerikanëve do të drejtohej për nga jugu, ndërsa njësia ushtarake e parë amerikane do të drejtohej për nga veriu. Këto njësi ushtarake drejtoheshin nga gjenerali në fuqi Omar Bredli. Ky i fundit kishte nën komandë një numër të konsiderueshëm ushtarësh. Më 4 prill, rrethimi i Grupit B të trupave gjermane u bë i mundur. Gjermanët u izoluan bukur në xhepin e Ruhrit ku 300 000 prej tyre do të dorëzoheshin, duke u shpallur si të burgosur lufte. Aleatët atëherë (njësia ushtarake e nëntë e amerikanëve dhe njësia ushtarake e parë amerikane) do të drejtoheshin nga lindja. Ata do të ndalonin në Elbe, dhe në muajin prill aleatët perëndimorë do të përplaseshin me aleatët e tyre lindorë, sovjetikët.
Mbase kjo është arsyeja që shumë historianë e pranojnë idenë se aleatët perëndimorë në të vërtetë po dyndeshin mbi Gjermaninë thjeshtë për të ndalur një rrezik sovjetik. Në librin e gjeneralit Zhukov (volumi i dytë i botuar edhe në shqip), Zhukovi hedh një mendim se me atë ritëm, Ushtria e Kuqe mund të kalonte në dorë të gjithë Evropën që nuk mbahej më në këmbë. Megjithatë, gjithmonë sipas librit, Zhukovi shprehet se Stalini kishte plane të tjera. Kuptohet që këto janë mendime që debatohen edhe sot e kësaj dite.

Kapitullimi i Gjermanis

Admirali Karl Dënic do të bëhej kryetari dhe udhëheqësi i Gjermanisë pas vetëvrasjes së Adolf Hitlerit. Tashmë ishte e qartë që lufta ishte e humbur. Trupat gjermane dorëzuan Berlinin në duart e sovjetikëve më 2 maj 1945.
Shpërthimi i bombës atomike në Hiroshima.

Japonia dorëzohet. Pakti i kapitullimit do të firmosej në anijen e flotës së ShBA, Misuri.

Forcat gjermane akoma vepruese në Itali do të dorëzoheshin te aleatët perëndimorë, në po të njëjtën datë. Dy ditë më vonë, trupat ushtarake gjermane në Danimarkë dhe Holandë do të vepronin në të njëjtën mënyrë. Kapitullimi i forcave gjermane në Itali do të ishte i diskutueshëm. Sovjetikët do të akuzonin Britaninë e Madhe dhe ShBA-të, pasi këta të fundit (gjithmonë sipas sovjetikëve), në mars të 1945-ës, me anë të “Operacionit Lindja e Diellit” (Operation Sunrise), në mënyrë sekrete po bënin marrëveshje paqeje me Gjermaninë. Ndërsa komandanti i trupave gjermane në Rheims të Francës, do të dorëzohej më 7 maj. Dorëzimi i tyre do të ndiqej nga festimi i “Ditës V-E” më 8 maj nga aleatët perëndimorë.
9 maji do të ishte dita e festimeve të fitores së sovjetikëve, edhe pse në të vërtetë grupe ushtarësh gjerman ë do të vazhdonin akoma luftën për t’u dorëzuar përfundimisht më 12 maj. Komandanti në terren i Ushtrisë së Kuqe, Georgi K. Zhukov do të parakalonte i hipur mbi kalë së bashku me Rokosovskin në “Sheshin e Kuq” më 24.06.1945 si shenjë e mposhtjes përfundimtare të regjimit nazist.
Japonia

Hedhja e Bombës Atomike në Hiroshima dhe Nagasaki
Presidenti Rusvelt ishte larguar nga lufta me kohë duke i lënë vend presidentit të ri Truman. Harry S. Truman (Herri Truman) me leje të kongresit të ShBA, vendosi të përdorte një bombë atomike kundra Japonisë që vazhdonte akoma luftimet e vetme kundra të gjithëve. Një simulim i betejës së Okinavas, pra luftimi i trupave japoneze në tokën e tyre, përfundoi negativ. Mendimi i një Normandie tjetër i frikësonte amerikanët. Simulimi i betejës jepte një shifër tmerruese humbjesh nga radhët e ushtrisë së ShBA-së. Gjithashtu, një betejë mësymëse në tokat e Japonisë, mendohej se do të bënte kërdinë mbi civilët japonezë gjithashtu. Më 6 gusht 1945, bombarduesi B-29 Superfortress, e emëruar si Enola Gay, do të hidhte bombën atomike të emëruar “Little Boy” (Djali i vogël) mbi Hiroshimën. Qyteti u shkatërrua krejtësisht nga shpërthimi i bombës. Tre ditë më vonë, më 9 gusht 1945, bombarduesi B-29 i emëruar Bockscar do të lëshonte mbi Nagasaki bombën e dytë atomike të emëruar Fat Man (Burri i Majmë). Kjo pati pasoja shkatërruese për Japoninë e cila do të dorëzohej shumë shpejt. Gjithashtu, sovjetikët do të sulmonin trupat japoneze në Mançukuo, duke i’u përmbajtur kështu fjalës së tyre dhënë në konferencën e Jaltës.
Ajo do të dorëzohej më 14 gusht 1945 mbas një deklarate në të gjitha radiot nga perandori Hirohito. E njohur si V-J nga Amerikanët, kjo datë do të pasohej nga data zyrtare e 2 shtatorit. Trupat japoneze të mbetura në Kinë, u dorëzuan te trupat kineze jo në mënyrë zyrtare më 9 shtator 1945. Lufta e Globit kishte përfunduar.

Humbjet në Luftën e Dytë Botërore

Bota do të dilte e shkatërruar nga Lufta e Dytë Botërore. Mendohet se gjatë viteve të luftës, rreth 62 000 000 në mos më shumë njerëz do të humbnin jetën, duke përfshirë edhe civilë. Ky numër është i barabartë me 2.5% të popullsisë së globit (në kohën e luftës). Nga këto humbje, mendohet se 12 000 000 persona kanë humbur jetën vetëm gjatë holokaustit. Në një skemë të thjeshtë, aleatët do të kishin humbjet më të mëdha. Aleatët patën 80% të humbjeve dhe Forcat e Boshtit do të kishin 20%-shin tjetër. Civilët do të kishin qenë ata që do të vuanin më shumë nga lufta. Shumë civilë do të humbnin jetën si pasojë e sëmundjeve, urisë, gjenocidit, dhe eksperimenteve ushtarake të kryera kryesisht nga forcat e boshtit. Në ditët e sotme e vetmja gjë që mund të bëhet është mos harrimi i dëshmorëve dhe të rënëvë të luftës duke shpresuar se një luftë e tillë nuk do të përfshijë më njerëzimin. Më poshtë paraqitet një listë e shifrave të të humburve ushtarakë në Luftën e Dytë Botërore:

• Australia — 40 400
• Belgjika — 12 100
• Brazili — 1 000
• Japonia — 2 000 000
• Italia — 306 400
• Zelanda e Re — 11 900
• Bashkimi Sovjetik — 10 700 000
• ShBA — 407 300
• Britania e Madhe — 382 600
• Franca — 212 000
• Gjermania — 5 500 000
• Shqipëria — 28 000
• Kanadaja — 45 300
• Greqia — 20 000
• Kina — 3 000 000
• Totali në të gjithë botën–24 456 700

Burimet e materialeve
Referenca Baze:
• World History – Patterns of Civilization nga Marian Nelson (University of Nebraska, Onaha, Shteti i Nebraskes). fq 586 – 640. ISBN: 0-13-967886-7
Referenca te tjera:
• World History – Patterns of Civilization, fq. 517 – Duke modernizuar Japonine.
• “World War II”. The Columbia Encyclopedia (6th). (2007). Data 2008-03-10 marre nga arkivat.
• Hakim, Joy (1995) Nje Histori e Jona: Lufte, Paqe dhe Xhaz) New York: Oxford University Press. ISBN 0-19-509514-6.
• http://www.history.navy.mil/photos/events/wwii-dpl/hd-state/potsdam.htm – Konferenca e Potsdam
• Shaw, Anthony. World War II Day by Day (Dite pas Dite), fq. 35
• Japonia ka testuar arme kimike mbi te burgosurit e luftes: Provat e reja. The Japan Times (2007-07-27). Marre ne daten 2007-06-10.
• Georgi Zhukov (Shtypshkronja Ushtarake, gusht 2005) – Kujtimet e Gjeneralit Zhukov, volumi i dyte i botuar ne shqip. ISBN-ja nuk dihet, por mund te gjendet ne te gjitha biblotekat shteterore te RSH.
• Roger Ford – Armet Sekrete te Gjermanise – Lufta e Dyte Boterore – ISBN: 0-7603-0847-0
• Yuki Tanaka – Krime te Fshehta, 1996, fq. 23.
• Myers, Ramon; Peattie, Mark. Perandoria Militariste Japoneze, 1895-1945, fq. 458
• http://www.un.org/aboutun/history.htm

Fund

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 26/04/2010. Filed under Shekulli jonë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.