LUFTA E DYTE BOTERORE – Pjesa e tete

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 4040
LUFTA E DYTE BOTERORE

PJESA E TETE

Betejat në Atlantik

Erich Raeder ishte Komandanti i përgjithshëm i Flotës Gjermane nga tetori i vitit 1928 deri në janarin e vitit 1943

Betejat në Atlantik gjithashtu do të rezultonin në avantazh të Aleatëve. Beteja për Atlantikun do të merrte kthesë në fillimet e 1943. Gjatë kësaj kohe aleatët kishin studiuar mënyrën e luftimit të Ushtrisë Gjermane si edhe kishin mësuar nga gabimet e bëra më parë. Teknologjia e re do të përdorej në mënyrë efektive kundra nëndetëseve të gjermanëve. Megjithëse dy nga karvanët e Aleatëve pësuan dëme të mëdha gjatë këtij viti, edhe nëndetëset gjermane pësuan shumë humbje, duke bërë kështu që ata të hiqnin dorë nga ofensiva e tyre kryesore në Atlantik. Aleatët gjithashtu kishin rifilluar transportimin e ndihmave për Bashkimin Sovjetik me anë të karvanëve detare nga veriu. Në dhjetor, beteja më e madhe në Atlantik do të fillonte, kur Flota Mbretërore e Britanisë (Royal Navy) do të ndeshej me Flotën Gjermane. Në betejën e Kepit të Veriut (Battle of North Cape), Flota Gjermane do të humbiste edhe anijen-luftarake të fundit, Kruiserin Scharnhorst, i cili do fundosej nga HMS Duke of York, HMS Belfast si edhe anije të vogla të tjera. Në këtë vit, Aleatët do të tregonin hegjemoninë e plotë në Atlantik dhe rreziku i Flotës Gjermane do të zvanitej plotësisht në këtë hemisferë ujore të globit.

Oqeani Paqësor në 1943

Në 2 janar, Buna, Guineja e Re u kap nga Aleatët. Me kapjen e këtij territori, Porti Moresby mund të flinte i qetë. Deri më 22 janar 1943, Forcat Aleate ia kishin arritur qëllimit të tyre për të izoluar Forcat Japoneze në lindje të Guinesë së Re. Gjithashtu Aleatët kishin prerë rrugët kryesore të furnizimit të forcave armike. Më 8 shkurt, Aleatët e deklaruan Guadalcanal-in të sigurtë. Fill pas kësaj, Forcat Amerikane dhe Australiane ndërmorën fushatën e gjatë për rimarrjen e pjesëve të pushtuara të ishullit Solomon. Rezistenca do të ishte e ashpër edhe pse ishulli do të merrej plotësisht në vitin 1943.

Një tank i Ushtrisë Amerikane i tipit M4A2, në plazhin e Tarawa-s

Në nëntor, Flota Amerikane fitoi Betejën e Tarawa-s. Pavarësisht nga fitorja, Flota e ShBA do të pësonte humbje të shumta dhe kjo do të shkaktonte reagime të shumta në ShBA. Opinioni publik nuk mund të kuptonte gjithë këto humbje për një ishull të vogël dhe të parëndësishëm. Nga kjo situatë, Flota Amerikane do të përshtaste planin “Island hopping” (Shpresa e Ishullit). Ky plan synonte anash-kalimin e disa ishujve të fortifikuar japonezë dhe përqendrimin e trupave të kufizuara të aleatëve, në ato territore që mendoheshin se kishin rëndësi jetësore për luftën. Pra qëllimi i thjeshtë ishte ndërprerja e furnizimeve të këtyre vëndeve të fortifikuar, duke e detyruar armikun të “dilte vetë nga loja”. Mbas marrjes së ishujve kryesorë, Amerika shpresonte të sulmonte dhe të mposhte me lehtësi ato vende që do mund t’i kushtonin shumë në se sulmoheshin për momentin. Një plan i tillë rezultoi me sukses për flotën Amerikane. Flota e ShBA-së e bëri të mundur këtë plan me anë të nëndetëseve që shërbenin për të prerë linjat e furnizimeve të këtyre vendeve armike.

Lufta Japoneze dhe Azia Juglindore

Beteja e Çangade në Kinë do të konsiderohej si Stalingradi i Azisë. Gjithçka filloi me sulmin e japonezëve ndaj provincës Hunan më 2 nëntor të 1943. Askush nuk do të tregonte supremaci në këtë betejë. Beteja e Çangde-së do të ndryshonte herë në favor të Ushtrisë Kineze dhe herë në favor të Ushtrisë Japoneze edhe pse si përfundim, qyteti mbeti në duar të forcave kineze. Ushtria Kineze ndoqi një strategji defensive. Ata shpresonin për një kundër-ofensivë të Aleatëve ndërkohë që vetë organizoheshin për të ndërtuar një ushtri më të fuqishme. Për këtë betejë nga ana japoneze ishin mobilizuar 100 000 trupa.

Në të vërtetë Ushtria Kineze ishte e ndarë në dy ushtri. Njëra ushtri ishte Ushtria Nacionaliste Kineze Kuomintang nën urdhërat e Çiang Kai-shek dhe Ushtria Komuniste e Kinës nën urdhërat e Mao Cedunit. Të dy këto ushtri ishin kundra sundimit japonez, por duke qenë se ndanin ideale të ndryshme, nuk morën kurrë mundimin të bashkoheshin bashkë. Kuptohet që kishte bashkëpunim por ky bashkëpunim ishte i dobët dhe jo i mirëfilltë. Konfliktet midis nacionalistëve dhe komunistëve kishin filluar përpara se lufta të fillonte dhe do të vazhdonte edhe pas luftës.

Japonezët do të kapnin një pjesë të gjerë të Burmës dhe detyrimisht do të bllokonin Rrugën e Burmës që i shërbente Aleatëve për të furnizuar Ushtrinë Nacionaliste Kineze. Kjo detyroi Aleatët që të krijonin një rrugë të gjatë e të mundimshme transporti nga India. Kjo ishte arsye që trupat kineze, pas një tërheqje strategjike, do të furnizoheshin përsëri me armatime dhe nën komandën e Gjeneralit Joseph Stilwell, do të përpiqeshin të “hapnin” Rrugën Ledo, duke u përpjekur të zëvendësojnë rrugën e Burmës. Por kjo do të kërkonte përdorimin e shumë mekanizmave teknologjike dhe një punë inxhinierike të mirë.

Këto do të ishin ngjarjet e fundit që do të përcillnin 1943-shin.

I Gjithë Globi në Luftë: 1944

Ushtria e Kuqe Përsëri në Ofensivë

Në veri-perëndim ofensiva e Sovjetikëve në janar të 1944-ës i kishte dhënë fund rrethimit të Stalingradit. Gjermanët do të tërhiqeshin me kujdes nga Leningradi. Tashmë vija e Trupave Gjermane do të ngushtohej dhe një vijë mbrojtëse do të formohej në liqenet e jugut. Në jug, në mars dy njësi sovjetike do të rrethonin Ushtrinë e Parë të Panzerave të drejtuar nga Generaloberst Hans-Valentin Hube, pak në veri të lumit Dniestr. Gjermanët i mbathën nga kurthi ku e kishin mbërthyer veten vetëm në muajin prill. Nga kjo tërheqje shumë nga trupat gjermane do të shpëtonin, por gjermanët do të lenin mbrapa shumë makineri të rënda lufte dhe armatime. Në fillimet e majit, Njësia Ushtarake 3 e Ukrainës si pjesë e Ushtrisë së Kuqe, do angazhohej kundra Njësisë Ushtarake 17 Gjermane. Njësia 17 ishte lënë mbrapa që kur se Trupat Gjermane ishin tërhequr nga Ukraina. Beteja ishte padyshim një fitore e Ushtrisë së Kuqe. Vetëm gjatë përpjekjes për arratisje përmes Detit të Zi, do të humbnin jetën 250 000 trupa gjermane dhe rumune.

Gjatë prillit, Ushtria e Kuqe do të sulmonte vazhdimisht pranë qytetit të Iashi në Rumani. Sovjetikët shpresonin në këtë mënyrë, kapjen e territoreve strategjike. Megjithatë trupat gjermane dhe rumune do të mbronin pozicionin e tyre me sukses dhe në fund të prillit territoret e rëndësishme për sovjetikët mbetën në duar të gjermanëve. Sulmi në Târgul Frumos ishte përpjekja e fundit e forcave sovjetike për të arritur qëllimin e tyre. Me marrjen e atyre territoreve, sovjetikët synonin përgatitjen e ofensivës gjatë verës. Një vënd i përshtatshëm ky për t’u futur në Rumani.

Me avancimin e Forcave të Ushtrisë së Kuqe, Trupat Gjermane do të pushtonin Hungarinë. Pushtimi i Hungarisë u bë i mundur më 20 mars të 1943 dhe kjo u bë me arsyen se Adolf Hitleri nuk besonte se udhëheqësi i Hungarisë, Admirali Miklós Horthy do të qëndronte besnik për shumë kohë. Ndërkohë në shkurt, Finlanda u përpoq të vendoste një lidhje paqeje me Sovjetikët. Marrëveshja për paqe kishte disa kushte që Finlanda nuk dëshironte t’i pranonte. Pra do të lindnin kontradikta midis Moskës dhe Finlandës. Por kur më 9.6.1944 Ushtria e Kuqe do të ndërmerrte një ofensivë kundra kësaj të fundit, Finlandia do e pranonte marrëveshjen pa kushte.

Bombardimet Ajrore mbi Gjermani

Artikulli kryesor: Beteja e Berlinit (Bombardimet Ajrore)

Në muajin e gjashtë të 1944, gjermanët do të përdornin raketën e parë të tipit kruiser kundra Anglisë. Kjo raketë u pagëzua nga Britanikët si “V-1 flying bomb” (Bomba Fluturuese V-1), e cila do të ndiqej nga “V-2 rocket” (Rraketa V-2). Kjo e fundit (gjithashtu e përdorur për herë të parë në luftë), ishte një raketë e mbushur me lëndë plasëse dhe mund të komandohej në distancë.

Test i Raketës V-2 në Peenemunde, Gusht 1943.

Britanikët u gjendën të papërgatitur ndaj këtyre raketave të reja, që për kohën zotonin një teknologji të nivelit të lartë. Megjithatë Forcat Ajrore të ShBA-së, Britanisë dhe Kanadasë, do të sulmonin rëndë Luftwaffe-in (Forcat Ajrore Gjermane). Kështu bombardimet ajrore masive do të fillonin. Këto bombardime zakonisht kishin për synim qytetet e mëdha në brendësi të Gjermanisë. Kjo nismë u mor nga komandanti në detyrë Marshall Herris (Air Chief Marshall Harris), që më pas do të merrte edhe nofkën “Bomber Haris”. Çërçilli do të urdhëronte “bombardimet e terrorit”, që synonin bombardime masive të tilla, sa që qyteti të mund të bëhej rrafsh me tokën. Në këtë mënyrë, fabrikat gjermane do të shkatërroheshin krejtësisht dhe punëtorët gjerman do të mbesnin pa strehë gjithashtu. Bombardimet masive zakonisht përfshinin angazhimin e 600 deri në 1000 bombarduesish të rëndë. Zakonisht objektivat ishin qendra të industrializuara, baza nëndetësesh, rrugë hekurudhore si edhe depozitat e naftës, edhe pse nga fundi i bombardimeve, njësitë që lëshonin Bomba Fluturuese V-1 dhe Raketa V-2 do të bëheshin objektive primare, pasi ata shkaktonin shumë dëme mbi Britani. Një gjë e tillë ishte shumë për Luftwaffe-n. Forcave Ajrore Gjermane nuk i kishin mbetur më shumë se disa avionë që nuk mund të bënin shumë përpara një force të tillë ajrore si ajo e aleatëve.

Duke mos dashur të dalim nga 1944, e rëndësishme është të themi se deri në 1945, që kur se këto bombardime kishin filluar, të gjithë qytetet e mëdha të Gjermanisë ishin kthyer në gërmadha.

Një sy mbi Italinë dhe Ballkanin

Me kapitullimin e Italisë, Trupat gjermane morën në dorë situatën dhe Linja Gustav do të formohej në pjesën jugore të Maleve Apenine (në jug të Romës). Aleatët nuk mundën ta thyenin këtë linjë dhe menduan se një zbarkim detar në Anzio do të ishte më e logjikshme. Zbarkimi u bë i mundur më 22 janar 1944 dhe operacioni u quajt Operacioni Shingle. Ky veprim nuk dha rezultatet e pritura pasi njësitë ushtarake në këtë zonë u rrethuan me shpejtësi nga gjermanët.

Të pa aftë të bëjnë shumë kundra Linjës së Gustavit me dështimin e operacionit Shingle, Aleatët vendosën ta thyenin këtë linjë me sulme qendrore. Më 15 shkurt manastiri i Monte Kassino (një manastir ky shumë i vjetër), u shkatërrua nga bombarduesit B-17 dhe B-26, pasi mendohej se godina po përdorej nga Trupat Gjermane për vendosje artilerie. Dy ditë pas bombardimeve, trupat parashutiste gjermane u dyndën në gërmadhat e ndërtesës për ta mbrojtur. Në luftë e sipër për këtë territor, pas plot katër bombardimesh nga ana e aleatve, aleatët do të humbnin 54 000 trupa ndërsa gjermanët 20 000 trupa.

Vetëm mbas shumë muajsh, Linja e Gustavit do të binte dhe Aleatët patën mundësi të marshonin për në veri. Më 4.6.1944, Roma do të çlirohej nga Aleatët, që më pas në gusht do të arrinin deri në Florencë. Më pas ata do të ndalonin përsëri në dimër dhe një linjë tjetër do të formohej. Kjo linjë u njoh me emrin Linja e Gotikës.

Ndërkohë Gjermania u tërhoq nga Ballkani, edhe pse Hungaria u mbajt e pushtuar deri në shkurt të 1945-ës. Rumania u kthye kundra Gjermanisë në gusht të 1944, duke kërcënuar linjat gjermane me Ukrainën, që ishte e vetmja rrugë tërheqjeje e trupave gjermane në atë territor. Bullgaria do të dorëzohej në shtator.

Vazhdon

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 26/04/2010. Filed under Shekulli jonë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.