LUFTA E DYTE BOTERORE – Pjesa e shtate

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 2975
LUFTA E DYTE BOTERORE

PJESA E SHTATE

I Gjithë Globi në Luftë: 1942.

Luftë në Çekosllovaki dhe Francë.

Në maj të 1942, projektuesi i projektit Zgjidhja Përfundimtare, Reinhard Heydrich (që ishte plani për zhdukjen e të gjithë hebrenjve), do të vritej nga agjentë të rezistencës Çeke gjatë operacionit Antropoid. Kur Hitleri mori vesh një gjë të tillë, urdhëroi sulmin e territoreve ku ndodheshin partizanët, duke shkaktuar reprezalje të shumta kundra popullsisë civile. Më 19 gusht, 1942, Forcat Kanadeze lëshuan kundra trupave naziste, një sulm të shpejt në portin e Dieppe të Francës, që u njoh me emrin Operacioni Xhubileu (Operation Jubilee). Aleatët pësuan disfatë në këtë betejë, por kjo disfatë do të siguronte më vonë informacion që do të shërbente në operacione të tjera, si Operacioni Torç (Operation Torch) dhe Operacioni Ovërlord (Operation Overlord)

Ofensiva e Sovjetikëve

Në veri, Sovjetikët do të sulmonin nën operacionin e koduar Toropets-Kholm, në 9 janar deri në 6 shkurt të 1942. Ky aksion bëri të mundur, që divizionet gjermane të ngushtoheshin në afërsi të territorit të Andreapolit. Gjithashtu, Ushtria e Kuqe do të rrethonte një divizion të ushtrisë gjermane në “Xhepin e Demjansk-ut” (Rrethimi i Garnizonit gjerman u pagëzua me këtë emër). Kjo do t’i jepte avantazh Ushtrisë së Kuqe, duke prishur moralin e trupave gjermane.

Forcat e Boshtit në Sulm

Në muajin e gjashtë të 1942, me datë 28, do të fillonte ofensiva e Aleatëve e koduar Operacioni Blu. Ky plan përfshinte vendosjen e trupave të Aleatëve, nga lumi Don deri në lumin Volga, drejt maleve Kaukaziane. Grupi Ushtarak B, ndërkohë po bënte plan, shtënien në dorë të Stalingradit; një veprim ky që do mund të forconte frontin Gjerman. Ndërsa Grupi Ushtarak A, planifikoi marrjen e fushave të pasura me naftë në jug. Në Betejën e Kaukazit, Trupat e Boshtit Nazist do të kapnin nga fundi i verës dhe vjeshtë së 1942-it, fushat e pasura me naftë.

Beteja e Stalingradit

Më 23 gusht, 1942, Gjermanët arritën Vollgën, në veri të Stalingradit. Gjermanët pa humbur kohë, do të bombardonin qytetin duke shkatërruar shtëpitë prej druri. Shkatërrimi i këtyre të fundit u bë me qëllim që të dëmtoheshin uzinat moderne të sovjetikëve. Më 23 shtator, Ushtria Gjermane kishte marrë në dorë këto fabrika dhe rrezja e veprimit të Ushtrisë Gjermane, ishte aq i gjerë sa që kishte nën kontroll të gjithë lumin. Sovjetikët do të sillnin përforcime dhe tashmë do të fillonte ajo që në histori u njoh si Beteja e Stalingradit. Në rrugët e Stalingradit, do të zhvilloheshin beteja të ashpra guerirlase. Duke qenë se të dy palët luftonin brenda në qytet, mendohet se luftimet trup më trup nuk kanë munguar. Lufta e egër, bëri që morali i trupave të të dyja palëve të binte. Edhe pse Gjermania po dëmtohej shumë nga kjo betejë, Hitleri nuk do të urdhëronte kurrë dorëheqjen. Von Paulus, i ndodhur në një gjendje të mjerueshme, do provonte edhe një herë një sulm kundra Sovjetikëve në fillimet e nëntorit. Tashmë Ushtria Gjermane kishte në dorë rreth 88% të qytetit, por me sa dukej, rezistenca e Ushtrisë së Kuqe, nuk do të binte bashkë me qytetin e shkatërruar. Ndërkohë që Ushtria Gjermane, futej akoma më thellë në qytet, Sovjetikët kishin forcuar krahët në rrethinat e Stalingradit. Në këtë mënyrë, Sovjetikët patën mundësi të rrethonin deri diku Ushtrinë Gjermane. Operacioni Uranus, në 19 nëntor, pati si bazë sulmimin e forcave gjermane nga të dyja krahët. Ky operacion korri sukses.

Trupat Sovjetike do të takoheshin në Kalaç dhe 4 ditë më vonë, Divizioni i Gjashtë i Ushtrisë Gjermane, do të rrethohej i tëri. Kjo për ta ishte një grackë nga ku nuk do të ishte shumë e lehtë të dilnin. Divizioni i Gjashtë, kërkoi leje për të dalë nga rrethimi, por Hitleri nuk i lejoi, duke i premtuar se ata do të furnizoheshin nga qelli me ushqime, deri sa të shpëtoheshin. Megjithatë Sovjetikët nuk do të bënin sehir ndërkohë që Hitleri të sillte ndihmat. Në atë kohë, Sovjetikët do të lëshonin një sulm kundra forcave të ndodhura në afërsi të Moskës. Ky sulm i quajtur Operacioni Mars, kishte si synim ndërprerjen e kontakteve ndërmjet divizionit qendror me atë të divizionit në jug të Stalingradit. Me të shpejtë, Von Manstein do të formonte një batalion modest me ushtarë gjermanë, me qëllim për të shkuar në ndihmë ushtrisë që kishte ngecur në Stalingrad. Por ai do të afrohej vetëm 50 kilometra me ushtrinë e mbetur në brendësi të Stalingradit. Trupat Sovjetike, nuk do ta lejonin atë të ecte përpara qoftë edhe një metër me shumë. Në fund të vitit 1942, Divizioni i Gjashtë, ishte katandisur si mos më keq, pasi Luftwaffe (Forcat Ajrore Gjermane), nuk sillte as 1 të 6 e furnizimeve të nevojshme. Fieldmarshall Von Paulus do t’i dorëzohej Ushtrisë së Kuqe më 2.2.1943 duke mos parë rrugë tjetër shpëtimi. Nga ky vendim, 91 000 ushtarë Gjerman dhe 22 gjeneralë, do të binin në duart e Sovjetikëve. Kjo do të ishte lufta më e madhe në të gjithë historinë, si në shpenzime, ashtu edhe në humbje njerëzore. Mendohet se Gjermanët humbën rreth 850 000 ushtarë. Ndërsa gjithsej 2 milion njerëz do të vdisnin në këtë betejë (por kjo është e diskutueshme).

Betejat e Aleatëve në Paqësor

Më 19 shkurt 1942, Presidenti i ShBA-së Rusvelt do të firmoste Urdhrin Ekzekutiv të Shteteve të Bashkuara të Amerikës 9066, duke shpallur luftë ndaj Boshtit Japoni-Gjermani-Itali. Me fillimin e luftës, shumë persona japonez, italian dhe gjerman, që në të vërtetë ishin persona me shtetësi Amerikane, do të internoheshin nëpër kampe. Në këto kampe do të dërgoheshin edhe persona nga Hawai. Por këto kampe ishin brenda standardeve të jetesës dhe nuk pati keqtrajtime ndaj personave që qëndruan aty gjatë luftës.

Trupat Australiane ne Gjirin Milne, Guineja e Re

Më 18 prill të 1942-it, bombardimi i parë ajrorë do të godiste Japoninë në zemër të saj. Ky operacion i quajtur Doolittle Raid, pavarësisht se do shkaktonte dëme të pakta ndaj Japonisë, do të bënte që kjo e fundit të rikonsideronte tërheqjen e disa njësive ushtarake në mbrojtjen e Japonisë. Ky sulm gjithashtu do të ngrehte lartë moralin e trupave Amerikane.

Në fillimet e majit, Trupat Ushtarake Japoneze, do të sulmonin Portin Moresby, Guinea e Re. Por kjo për ta nuk do të ishte edhe aq e thjeshtë sepse Flota e Aleatve do të kundërsulmonte në atë që njihet si Beteja në Detin Koral (Battle of the Coral Sea). Kjo ishte kundërpërgjigjja e parë e armatosur e Aleatëve kundra forcave japoneze. Taktikisht Japonezët do të fitonin, sepse ShBA do të humbiste anijen aeroplan-mbajtëse USS Lexington në këtë betejë. Por pavarësisht nga kjo humbje, beteja u konsiderua si sukses nga Aleatët. Kjo ishte beteja e parë që organizohej midis dy anijeve aeroplan-mbajtëse. Vetëm një muaj më vonë, më 5, Beteja e Midway do të fillonte. Në këtë betejë, bombarduesit nën ujorë do të sulmonin me sukses Flotën Japoneze, duke fundosur katër nga anijet aeroplan-mbajtëse më të rëndësishme të Flotës Japoneze. Kjo betejë ishte një sukses sepse tashmë Japonia nuk do zgjeronte më fuqinë e saj në Paqësor. Historianët e vlerësuan këtë betejë, si një kthesë të luftës nga ana e Aleatëve, edhe pse më vonë do të kishte shumë për të luftuar. Për t’u theksuar është se kjo betejë u fitua me anë të Kriptografisë. Pra Ushtria e ShBA-së, arriti të zbërthente kodet e Flotës Japoneze dhe rrjedhimisht e dinte se ku ata do të do të sulmonin.

Në korrik, forca të shumta dhe të mirë-armatosura japoneze, do të sulmonin nga toka Portin e Moresby. Kundra këtyre forcave të stërvitura mirë në luftë, qëndronin vetëm trupat e papërgatitura Australiane. Këta të fundit, nuk kishin shumë armatime në dispozicion dhe nuk kishin shumë eksperiencë. Ajo që ka më shumë rëndësi është se këto trupa do të ishin edhe më të pakta në numër si edhe më keq të armatosur. Por kjo nuk i ndaloi Ushtarët Australian të luftonin dhe të fitonin betejën kundra 5 000 forcave të mirë-armatosura Japoneze. Australianët i detyruan këto trupa (në të vërtetë ishin dy njësi ushtarake japoneze ato që sulmuan forcat australiane) të tërhiqeshin mbrapsht. Kjo betejë, do të ishte mposhtja e parë e Japonezëve në teren si edhe fitorja e parë e rëndësishme e Forcave Ushtarake Australiane. Edhe pse Beteja për Kokodën, do të ishte shumë e kushtueshme në njerëz, aq sa trupat do të demoralizoheshin. Oficerët e AIF do të udhëhiqnin trupat Australiane, duke detyruar Japonezët të tërhiqeshin sa më larg, duke shpresuar kështu që brigada e 21-të, të forcohej dhe të riorganizohej.

Më 7 gusht të po atij viti, Flota e ShBA-së do të kalonte në ofensivë në Betejën e Guadalcanal. Luftimet zgjatën gjashtë muaj rresht, ku si japonezët, si Amerikanët, luftuan ashpër për të marrë nën kontroll ishullin. Ndërkohë, beteja të tjera detare në territoret në afërsi, do të angazhonin flotën aleate në luftime. Për t’u përmendur janë Beteja e SavoIsland (Beteja e Ishullit Savo), Beteja e Cape Esperance, Lufta Detare e Guadal Kanal dhe Beteja e Tassafaronga.

Vonë në gusht dhe në fillimet e shtatorit, trupat japoneze tinzarisht do të kryenin një sulm në pjesën e lindore të Guineja së Re. Ky sulm nuk do të ishte një surprizë për aleatët. Trupat Australiane do të ishin aty për të kundërshtuar forcat japoneze. Kjo do të ishte Beteja e Milne Bay (Beteja e Gjirit të Milne).

Ofensiva Japoneze në 1942

Japonezët do të fillonin një ofensivë madhore kundra Kinës, pak mbrapa sulmit të saj në Pearl Harbor. Ofensiva synonte të merrte qytetin e Çangsha, që ishte një pikë kyçe për Japonezët. Forcat Japoneze ishte përpjekur edhe më parë për të marrë Çangashan, por në të dy sulmet kishin dështuar. Në një sulm të tillë, japonezët menduan se 120 000 ushtarë do të ishin të mjaftueshëm, por Forcat Kineze do të mobilizonin 300 000 trupa. Të gjendur në një ekuilibër të tillë, shumë shpejt trupat Japoneze do të rrethoheshin dhe si rrjedhojë do të detyroheshin të tërhiqeshin.

I Gjithë Globi në Luftë: 1943

Ofensiva e Sovjetikëve dhe Ofensiva Gjermane

Mbas dorëzimit të Divizionit të Gjashtë të Ushtrisë Gjermane në Stalingrad, më 2 shkurt 1943, Ushtria e Kuqe do të hidhej në sulm kundra trupave tjera gjermane. 8 dallgë sulmesh do të ndesheshin me ushtrinë gjermane gjatë dimrit. Shumica e këtyre sulmeve, u përqendruan përgjatë Donit, një nga lumenjtë afër Stalingradit. Në fillim Ushtria e Kuqe do të korrte sukses, por më vonë gjermanët do të riorganizoheshin. Duke marrë avantazh nga dobësimi i Ushtrisë Sovjetike, që kishte bërë gjithashtu gabimin të zgjerohej shumë në terren, Gjermanët do të kundra-sulmonin dhe do të shtinin në dorë edhe një herë qytetin e Kharakov si edhe terrenet në afërsi. Kjo do të ishte fitorja më e madhe strategjike e Ushtrisë Gjermane.

Vjeshta do të shërbente vetëm si një pengues për të zhvilluar luftën. Shirat e rrëmbyeshëm do ta bënin situatën të vështirë për të dyja palët luftuese. Megjithatë të dyja anët do të përgatiteshin gjatë këtij intervali për të luftuar në betejën e verës. Gjermanët do të shtynin disa herë ofensivën e tyre, duke bërë të mundur një përgatitje sa më të fortë. Më 4.6.1943, Wehrmacht do të organizonte një mbledhje të përgjithshme. Në këtë mbledhje u vendos që në ofensivën e verës kundra Trupave Sovjetike, të përqendrohej artileria më efektive në dispozicion e përdorur gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo ofensivë do të hidhej kundra sovjetikëve në afërsi të qytetit të Kursk. Ishte e qartë për sovjetikët që në këtë linjë defensive do të kishte një sulm së shpejti dhe prandaj ata do të dërgonin përforcime në këtë pikë. Kjo u bë e mundur me hapjen e transheve, furnizim me armatim dhe ushtarë, duke shpresuar se sovjetikët do të përgatisnin një mbrojtje të fortë në këtë mënyrë. Gjermanët do të sulmonin vijën defensive të sovjetikëve si nga jugu, ashtu edhe nga veriu, duke shpresuar të takoheshin në qendër. Në se Gjermanët do të takoheshin në qendër, vija defensive mendohej se do të binte dhe 60 Divizione Sovjetike do të kapeshin rob. Megjithatë kjo ishte vetëm një presupozim i gjeneralëve gjermanë, sepse në të vërtetë forcat gjermane në veri do të bënin shuma pak përpara. Në veri mbrojtja Ruse qëndronte e pathyeshme, por në jug situata po shkonte pak keq dhe gjermanët po avanconin gjithmonë e më shumë. Duke iu frikësuar një penetrimi nga ana e forcave gjermane në këtë zonë (që njëkohësisht mund të lente njësinë mbrojtëse në veri të zbuluar), sovjetikët do të sillnin përforcimet e tyre. Kjo do të njihej si Beteja e Kurskut. Beteja e Kurskut, do të ishte beteja më e madhe e tankeve në të gjithë historinë. Luftimet do të zhvilloheshin në afërsi të qytetit të Prokhorovka dhe beteja do të merrte një kthesë krejt ndryshe nga ajo që Gjeneralët Gjermanë kishin menduar. Artileria dhe armatimet e tankeve gjermane, do të mbaronin shpejt. Njësitë gjermane tashmë ishin të lodhura nga luftimet, ndërkohë që sovjetikët, duke përfituar nga kjo situatë, filluan një kundër-ofensivë. Në këtë gjendje, Trupat Ushtarake Gjermane do të tërhiqeshin. Nga kjo ofensivë në verë, gjermanët do të humbnin pozicionin e tyre të mëparshëm duke u tërhequr akoma më mbrapa.

Sovjetikët më vonë do të çlironin Kharakovin, pas një fitoreje të bujshme në Kursk. Shirat e rrëmbyeshëm të Vjeshtës, bindën Hitlerin të merrte vendimin për një tërheqje të përgjithshme në gusht, deri në linjën e lumit Dnieper, që kontrollohej nga trupat gjermane. Ndërkohë që muajt ndiqnin njëri tjetrin, dhe ndërkohë që shtatori i linte vënd tetorit, Gjermanët do të ndërgjegjësoheshin se ishte me të vërtetë e pamundur të mbaje nën kontroll Dnieperin. Forcat Sovjetike do të gjenin mënyrën për të kaluar lumin dhe qytetet e rëndësishme të Dnieperit do të binin një nga një, duke filluar me qytezën e Zaporozhye, për të vazhduar më vonë me rënien e Dnepropetrovsk. Në fillimet e nëntorit, sovjetikët do të kalonin në të dy anët e Kievit dhe do ta çlironin kryeqytetin e Ukrainës. Gjatë Krishtlindjeve, Forcat Ukrainase do të sulmonin në Korosten. Tashmë Sovjetikët kishin rrugë të hapur. Sovjetikët do të avanconin deri tek kufijtë Sovjetiko-Polake të vitit 1939. Kjo tregonte hapur avancimin e tyre ndaj Gjermanisë, e cila po humbte betejë mbas beteje.

Kapitullimi i Italisë

Forcat e boshtit do të dorëzoheshin në Tunizi më 13 maj 1943 dhe me këtë dorëzim, 250 000 ushtarë do të binin rob në duart e Aleatëve. Fushata në Afrikën e Veriut, kishte qenë një disfatë për Italianët. Në këtë gjendje, Aleatët do të hidheshin në sulm kundra Italisë në bërthamën e saj. Aleatët në Operacionin Husky, pushtuan Sicilinë në 10 korrik. Vetëm për pak muaj ishulli do të binte dhe pushteti i Musolinit gjithashtu. Më 25 korrik ai do të hiqej nga detyra nga Viktor Emanueli i Tretë (Mbret i Italisë) dhe do të arrestohej më vonë me aprovimin e Këshillit të Lartë Fashist. Një qeveri e re do të formohej. Kjo qeveri e re, që mori fuqinë menjëherë në dorë, do të drejtohej nga Pietro Badoglio. Kjo qeveri deklaroi se Italia do të qëndronte e angazhuar në luftë. Megjithatë në të njëjtën kohë, Pietro kishte filluar bisedimet me Aleatët për paqen, edhe pse këto bisedime ishin të fshehta.

Aleatët do të pushtonin pjesën kryesore të Italisë më 3 shtator 1943. Italia do t’i dorëzohej zyrtarisht Aleatëve më 8 shtator, pas negociatash të shumta. Familja mbretërore dhe qeveria e Pietro Badoglios, u arratisën për në jug të Italisë, duke lënë Ushtrinë Italiane pa urdhër. Ndërkohë që Italia nuk po përbënte më një problem për Aleatët, luftimet u morën në dorë nga Gjermanët, të cilët detyruan Aleatët të ndalonin krejtësisht hapin e tyre gjatë dimrit të 1943 dhe 1944. Kjo u njoh si Linja e Gustavit, në jug të Romës. Në veri, Musolini me mbështetjen e Partisë Naziste, do të formonte një qeveri kukull e njohur me emrin Republika Sociale Italiane ose Republika e Salò-s.

VAZHDON

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 26/04/2010. Filed under Shekulli jonë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.