Kodi Penal i Shqiperise(2008) Neni 241-335

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 6139
Neni 241
Shpifja ndaj Presidentit të Republikës
Shpifja e qëllimshme ndaj Presidentit të Republikës dënohet me gjobë ose me burgim gjer
në tre vjet.

Neni 242
Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë
së rendit publik
Mosbindja ndaj urdhrave të ligjshme të punonjësit të policisë së rendit publik përbën
kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.

Neni 243
Goditjet ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen një detyrë shtetërore
Goditjet ose vepra të tjera dhune që i bëhen pjesëtarit të familjes së një personi që kryen një
detyrë shtetërore ose një shërbim publik, për të penguar në kryerjen e detyrës apo të shërbimit ose
për shkak të kësaj veprimtarie, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 244
Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike
(Ndryshuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 18)
Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të
parregullt, personit që ushtron funksionin publik, për vete ose për persona të tjerë për të kryer ose
mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën ose funksionin e tij, dënohen me burgim nga gjashtë
muaj deri në tre vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milion lekë.

Neni 245
Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë
(Ndryshuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 19)
Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt,
funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendorë, për vete ose për persona të tjerë për
të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohen me burgim
nga një deri në pesë vjet dhe me gjobë nga pesëqind mijë deri në dy milionë lekë.

Neni 245/1
Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike
(Shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 20)
Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt,
për vete ose për persona të tjerë, personit që premton ose siguron se është në gjendje të ushtrojë
ndikim të paligjshëm në kryerjen e detyrës dhe marrjen e vendimeve nga personat që ushtrojnë
funksione publike, shqiptarë ose të huaj, pavarësisht nëse është realizuar ushtrimi i ndikimit ose
kanë ardhur apo jo pasojat e dëshiruara, përbëjnë vepër penale dhe dënohen me burgim nga
gjashtë muaj deri në dy vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milion lekë.
Kërkimi, marrja ose pranimi, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, për
veten e tij ose për persona të tjerë, duke premtuar ose siguruar aftësinë për të ushtruar ndikim të
paligjshëm në kryerjen e detyrës nga persona që ushtrojnë funksione publike, shqiptarë ose të
huaj, pavarësisht nëse është kryer ushtrimi i ndikimit ose kanë ardhur apo jo pasojat e dëshiruara,
dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet dhe me gjobë nga pesëqind mijë deri në
dy milionë lekë.

Neni 245/2
Përjashtimi nga vuajtja e dënimit
(Shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 20)
Personi, që ka premtuar ose ka dhënë shpërblim ose përfitime të tjera, sipas neneve 164/1,
244, 245, 312, 319 dhe 328 të këtij Kodi, mund të përfitojë përjashtim nga dënimi ose ulje të tij,
sipas rregullave të parashikuara në nenin 28 të këtij Kodi, nëse bën kallëzim dhe jep ndihmesë në
procedimin penal të këtyre veprave.
Në dhënien e vendimit, gjykata mban parasysh edhe kohën kur është bërë kallëzimi, ardhjen
ose jo të pasojave të veprës.

Neni 246
Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore
Përvetësimi i një titulli apo detyre shtetërore i shoqëruar me kryerjen e veprimeve që i
takojnë mbajtësit të titullit apo të detyrës, përbën kundërvajtje penale dhë dënohet me gjobë ose
me burgim gjer në dy vjet.
Kur vepra kryhet me qëllim fitimi apo ka prekur lirinë, dinjitetin apo të drejta të tjera
themelore të shtetasit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.
Neni 247
Mbajtja pa të drejtë e uniformës
Mbajtja pa të drejtë e uniformës, e një dokumenti ose e një shenje dalluese, që tregojnë
cilësinë e një punonjësi që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik, shoqëruar me
veprime të paligjshme, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në
dy vjet.
Kur vepra kryhet me qëllim fitimi ose ka prekur lirinë, dinjitetin apo të drejta të tjera
themelore të shtetasit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.
SEKSIONI II
VEPRA PENALE KUNDËR VEPRIMTARISË SHTETËRORE TË KRYERA NGA
PUNONJËSIT SHTETËRORË
OSE NË SHËRBIM PUBLIK

Neni 248
Shpërdorimi i detyrës
(Ndryshuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 21)
(Ndryshuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 21)
Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin,
që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i
kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë
dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk
përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga treqind mijë
deri në një milion lekë.

Neni 249
Kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij
Vazhdimi i ushtrimit të funksionit shtetëror apo të shërbimit publik nga ana e personit që
është vënë në dijeni të vendimit apo rrethanës që u ka dhënë fund ushtrimit të tyre, përbën
kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Neni 250
Kryerja e veprimeve arbitrare
Kryerja e veprimeve ose dhënia e urdhrave arbitrare, nga ana e punonjësit që kryen një
funksion shtetëror ose një shërbim publik gjatë ushtrimit të detyrës së tij, të cilat prekin lirinë e
shtetasve, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet.

Neni 251
Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme
Mosmarrja e masave ose moskërkimi pranë personit kompetent, që të ndërpritet gjendja e
paligjshmërisë si rezultat i një veprimi arbitrar, që ka prekur lirinë e shtetasit, nga ana e personit
të ngarkuar me një funksion shtetëror ose në shërbim publik, që vjen në dijeni të asaj gjendjeje
për shkak të funksionit apo shërbimit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Neni 252
Mbajtja në burg pa vendim
Mbajtja në burg, pa vendim të organit kompetent ose tej afatit të caktuar në vendim apo në
ligj, prej personit të ngarkuar me detyrën e administratorit të burgut, përbën kundërvajtje penale
dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 253
Shkelja e barazisë së shtetasve
Kryerja për shkak të detyrës e në ushtrim të saj, nga ana e punonjësit me funksion shtetëror
apo në shërbim publik, të dallimeve mbi bazë origjine, seksi, gjendjes shëndetësore, bindjeve
fetare, politike, të veprimtarisë sindikale ose për shkak të përkatësisë në një etni, komb, racë apo
fe të caktuar, që konsiston në krijimin e privilegjeve të padrejta ose në refuzimin e një të drejte
ose përfitimi që buron nga ligji, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 254
Shkelja e paprekshmërisë së banesës
Hyrja në banesë, pa pëlqimin e personit që banon në të, prej punonjësit të ngarkuar me një
funksion shtetëror apo në shërbim publik gjatë ushtrimit të detyrës së tij, veç rasteve kur lejohet
nga ligji, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 255
Pengimi dhe shkelja e fshehtësisë së korrespondencës
Dhënia e urdhërave ose kryerja e veprimeve për asgjësimin, leximin dhe përhapjen e
korrespondencës postare ose që prish, vështirëson, vë nën kontroll ose përgjon korrespondencën
telefonike apo të çdo mjeti tjetër të komunikimit, nga ana e punonjësit të ngarkuar me funksion
shtetëror ose në shërbim publik e në ushtrim të tyre, veç rasteve kur lejohet nga ligji, dënohet me
gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Neni 256
Shpërdorimi i kontributeve të dhëna nga shteti
Shpërdorimi i kontributeve, subvencioneve ose financimeve të dhëna nga shteti ose
institucione shtetërore, për t’u përdorur në vepra dhe veprimtari me interes publik, dënohet me

gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.
Neni 257
Përfitimi i paligjshëm i interesave
Mbajtja, ruajtja ose marrja e drejtëpërdrejtë ose e tërthortë, nga persona me funksione
shtetërore apo shërbim publik, i një interesi të çfarëdoshëm në një ndërmarrje ose operacion, në të
cilat në momentin e kryerjes së veprimit ka pasur detyrën e mbikqyrjes, administrimit ose
likuidimit, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në katër vjet.

Neni 257/a
Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi
i rremë i pasurive të personave të zgjedhur
dhe nëpunësve publikë
(Shtuar me ligjin nr.9030, datë 13.3.2003, neni 1)
(Ndryshuar paragrafi i dytë me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007,
neni 22)
Refuzimi për deklarimin ose mosdeklarimi i pasurisë së personave të zgjedhur ose
nëpunësve publikë sipas ligjit, kur më parë janë marrë masa administrative, përbën kundërvajtje
penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj.
Fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë
dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

Neni 258
Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike
Kryerja nga personi i ngarkuar me funksione shtetërore apo në shërbim publik i veprimeve
në kundërshtim me ligjet që rregullojnë lirinë e pjesëmarrjes dhe barazinë e shtetasve në tendera
dhe ankande publike, për të krijuar avantazhe ose privilegje të padrejta për të tretët, dënohet me
gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Neni 259
Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike
(Ndryshuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 22)
Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt ose i një
premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga
përfitimi i parregullt, nga personi që ushtron funksione publike, për të kryer ose mos kryer një
veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet dhe
me gjobë nga pesëqind mijë deri në tre milionë lekë.

Neni 260
Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë
(Ndryshuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 23)
Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt apo i një
premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga
përfitimi i parregullt, nga funksionari i lartë shtetëror ose i zgjedhuri vendor, për të kryer ose mos
kryer një veprim që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga katër deri në
dymbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga një milion deri në pesë milionë lekë.

SEKSIONI III
VEPRA PENALE KUNDËR RENDIT DHE SIGURISË PUBLIKE

Neni 261
Pengimi në ushtrimin e të drejtës për t’u shprehur,
grumbulluar apo manifestuar
Kryerja e veprimeve për të penguar sh tetasit për të ushtruar lirinë e shprehjes së mendimit,
të grumbullimit apo manifestimit, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në gjashtë muaj.
Kur veprimet shoqërohen me përdorimin e dhunës fizike, dënohen me gjobë ose me burgim
gjer në tre vjet.
Neni 262
Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime
e manifestime të paligjshme
(Shtuar paragrafi III me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 59)
Organizimi i grumbullimeve dhe i manifestimeve të personave në sheshe dhe vende të
kalimit publik, pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta apo kur
nga organizatorët shkelen kushtet e parashtruara në kërkesën për dhënie të lejes, përbën
kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.
Pjesëmarrja në një grumbullim apo manifestim të paligjshëm edhe pas paralajmërimit të
bërë për shpërndarje, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre
muaj.
Po kjo vepër, e kryer më shumë se një herë ose kur ka sjellë pasoja të rënda, përbën
kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 263
Organizimi i grumbullimeve dhe manifestimeve të paligjshme
me pjesëmarrje të personave të armatosur
Organizimi i grumbullimeve dhe manifestimeve të paligjshme me pjesëmarrje të personave
të armatosur dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.
Pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme e personave të armatosur përbën
kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Neni 264
Detyrimi për të marrë pjesë ose jo në grevë
Detyrimi i punonjësit që kundër vullnetit të marrë apo të mos marrë pjesë në grevë ose
krijimi i pengesave dhe vështirësive për të vazhduar punën kur punonjësi dëshiron të punojë,
përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.

Neni 265
Nxitja e urrejtjes ose grindjeve ndërmjet kombësive,
racave dhe feve
Nxitja e urrejtjes dhe e grindjeve raciale, nacionale ose fetare, si dhe përgatitja, përhapja ose
ruajtja me qëllim përhapjeje e shkrimeve me përmbajtje të tillë, dënohen me gjobë ose me burgim
gjer në dhjetë vjet.

Neni 266
Thirrja për urrejtje nacionale
Vënia në rrezik e paqes publike duke bërë thirrje për urrejtje kundër pjesëve të popullsisë,
duke i fyer ose shpifur për to, duke kërkuar përdorimin e dhunës ose të veprimeve arbitrare
kundër tyre, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 267
Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik
Përhapja e informatave apo njoftimeve të rreme, me fjalë, me shkrim apo me çdo mënyrë
tjetër, me qëllim që të ngjallë një gjendje pasigurie dhe paniku te njerëzit, dënohet me gjobë ose
me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 268
Poshtërimi i Republikës dhe i simboleve të saj
Poshtërimi, botërisht ose nëpërmjet botimeve apo shpërndarjes së shkrimeve, i Republikës
së Shqipërisë dhe rendit kushtetues, i flamurit, i stemës, i himnit kombëtar, i dëshmorëve të
kombit ose heqja, dëmtimi, prishja, bërja e padallueshme apo e papërdorshme e flamurit apo
stemës së Republikës të Shqipërisë të ekspozuara nga institucionet zyrtare, përbëjnë kundërvajtje
penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 269
Pengimi me dhunë i veprimtarisë së partive politike
Pengimi me dhunë i veprimtarisë së ligjshme të partive, organizatave apo shoqatave politike
përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 270
Rebelimi i të burgosurve
Përdorimi i dhunës, nga ana e të burgosurve ndaj punonjësit që kryen një detyrë shtetërore
apo në shërbim publik, që bëhet për ta penguar në ushtrimin e detyrës apo të shërbimit ose për
shkak të veprimtarisë, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.
Kur dhuna ushtrohet nga një grup personash ose shoqërohet me trazira e çrregullime apo me
kërcënime e frikësime, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.

Neni 271
Disinformimi i ekipeve të urgjencës
Disinformimi me dashje i ekipeve të urgjencës për të prishur gatishmërinë e tyre, e bërë me
çdo mjet lajmërimi e thirrjeje, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim
gjer në një vit.

Neni 272
Njoftimi i rremë në organet e rendit
Njoftimi i rremë i bërë në organet e rendit, për kryerjen e një vepre penale, për t’i vënë ato
në gjendje gatishmërie dhe alarmi, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në një vit.

Neni 273
Largimi nga vendi i aksidentit
Largimi nga vendi i aksidentit, i drejtuesit të automjetit apo të çdo mjeti të motorizuar, për
t’u shmangur nga përgjegjësia penale, civile apo administrative, përbën kundërvajtje penale dhe
dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Neni 274
Prishja e qetësisë publike
Hedhja e gurëve apo sendeve të tjera në banesën e shtetasit, krijimi i zhurmave shqetësuese
si, me anë të shkrepjes së armëve apo plasjeve të ndryshme, të përdorimit jashtë rregullave të
sirenave të automjeteve, apo çdo lloj tjetër sjelljeje të papëlqyeshme, në rrugë, sheshe e vende
publike, që cenojnë dukshëm qetësinë e moralin apo tregon mospërfillje të hapët për mjedisin,
përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 275
Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike
Thirrjet telefonike keqdashëse që bëhen me qëllim për të prishur qetësinë e tjetrit, përbëjnë
kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Neni 276
Përdorimi pa të drejtë i emblemës së Kryqit të Kuq
Përdorimi pa të drejtë i emblemës së Kryqit të Kuq ose Gjysëm Hënës së Kuqe, kur ka sjellë
pasoja të rënda materiale, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer
në dy vjet.
Kur nga vepra penale ka ndodhur vdekja apo dëmtimi i rëndë i shëndetit të njerëzve, dënohet
me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.

Neni 277
Vetëgjyqësia
Ushtrimi i një të drejte prej personit që i përket ose që kujton se i përket dhe që nuk njihet
nga tjetri pa iu drejtuar organit kompetent shtetëror, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me
gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.

Neni 278
Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit
(Shtuar paragrafi I dhe II me ligjin nr.8279, datë 15.1.1998, neni 2
Ndryshuar paragrafi I, II dhe III, si dhe shtuar paragrafi IV me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001,
neni 60)
Prodhimi i armëve dhe i municionit luftarak, i bombave apo minave, lëndëve plasëse pa
lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.
Mbajtja e armëve, bombave apo minave, lëndëve plasëse pa lejen e organeve kompetente
shtetërore, dënohen me gjobë ose me burgim deri në shtatë vjet.
Mbajtja e municionit luftarak pa leje të organeve kompetente shtetërore, përbën kundërvajtje
penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.
Kur vepra kryhet në sasira të mëdha në bashkëpunim, më shumë se një herë ose ka sjellë
pasoja të rënda, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 278/a
Trafikimi i armëve dhe i municionit
(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 61)
Importimi, eksportimi, tranzitimi dhe tregtimi, në kundërshtim me ligjin, i armëve dhe
municionit luftarak, me qëllim fitimi material ose çdo përfitim tjetër, dënohet me burgim nga
shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.
Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë ose sjell pasoja të rënda,
dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

Neni 279
Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta
Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja e armëve të ftohta pa leje të organeve kompetente, si
shpatat, bajonetat, thikat dhe mjete të tjera të përgatitura e të destinuara posaçërisht për sulm
kundër personave ose për vetëmbrojtje, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 280
Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive
Prodhimi, mbajtja, shitja ose blerja e armëve të gjuetisë ose sportive, si dhe e municioneve
të tyre, pa leje të organeve kompetente shtetërore, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me
gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 281
Shkelja e rregullave mbi lëndët helmuese
Shkelja e rregullave të caktuara për mbajtjen, prodhimin, përdorimin, ruajtjen, transportimin
dhe shitjen e lëndëve helmuese me efekt të fortë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me
gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.
Kur nga vepra penale ka ndodhur vdekja apo dëmtimi i rëndë i shëndetit të njerëzve ose
kanë ardhur pasoja të rënda materiale, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.

Neni 282
Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe
radioaktive
Shkelja e rregullave të caktuara për mbajtjen, prodhimin, përdorimin, ruajtjen, transportimin
dhe shitjen e lëndëve plasëse, djegëse apo radioaktive, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet
me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.
Kur nga vepra penale ka ndodhur vdekja apo dëmtimi i rëndë i shëndetit të njerëzve ose
kanë ardhur pasoja të rënda materiale, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.

Neni 282/a
Trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive
(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 62)
Importimi, eksportimi, tranzitimi dhe tregtimi, në kundërshtim me ligjin i lëndëve plasëse,
djegëse, helmuese dhe radioaktive, me qëllim fitimi material ose çdo përfitim tjetër, dënohet me
burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.
Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë ose sjell pasoja të rënda,
dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

Neni 282/b
Stërvitja për prodhimin dhe përdorimin e paligjshëm të
armëve e lëndëve të tjera të rrezikshme
(Shtuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 23)
Përgatitja, stërvitja dhe dhënia e udhëzimeve, në çdo formë, edhe në mënyrë anonime apo në
rrugë elektronike, në kundërshtim me ligjin, për prodhimin ose përdorimin e lëndëve eksplozive,
të armëve të zjarrit dhe municioneve luftarake, të armëve të tjera dhe lëndëve kimike,
bakteriologjike, bërthamore apo të çdo natyre tjetër, të dëmshme dhe të rrezikshme për njerëzit
dhe pasurinë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohen me burgim nga dy deri në shtatë vjet.

Neni 283
Prodhimi dhe shitja e narkotikëve
(Ndryshuar paragrafi I, shtuar paragrafi II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 63)
Shitja, ofrimi për shitje, dhënia ose marrja në çdo formë, shpërndarja, tregtimi, transportimi,
dërgimi, dorëzimi, si dhe mbajtja, përveç rastit të përdorimit vetjak dhe në doza të vogla, të
substancave narkotike dhe psikotrope, si edhe i farërave të bimëve narkotike, në kundërshtim me
ligjin ose në kapërcim të përmbajtjes së tyre, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.
Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga
shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.
Organizimi, drejtimi apo financimi i kësaj veprimtarie, dënohen me burgim nga dhjetë gjer
në njëzet vjet.

Neni 283/a
Trafikimi i narkotikëve
(Shtuar me ligjin nr.8279, 15.1.1998, neni 2)
Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 64)
Importimi, eksportimi, tranzitimi dhe tregtimi, në kundërshtim me ligjin, i substancave
narkotike ose psikotrope, si edhe i farërave të bimëve narkotike, dënohet me burgim nga shtatë
gjer në pesëmbëdhjetë vjet.
Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga
dhjetë gjer në njëzet vjet.
Organizimi, drejtimi ose financimi i kësaj veprimtarie dënohen me burgim jo më pak se
pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 283/b
Krijimi i lehtësirave për marrjen dhe përdorimin e drogës
(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 65)
Krijimi nga ana e personave, që për shkak të detyrës administrojnë substanca narkotike ose
psikotrope, i lehtësirave për marrjen dhe përdorimin e këtyre substancave, në kundërshtim me
dispozitat ligjore përkatëse, dënohet nga tre gjer në shtatë vjet.

Neni 284
Kultivimi i bimëve narkotike
(Ndryshuar paragrafi I dhe III, shtuar paragrafi II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 66)
Kultivimi i bimëve, që shërbejnë ose dihet se shërbejnë për prodhimin dhe nxjerrjen e
lëndëve narkotike dhe psikotrope, pa leje dhe autorizim sipas ligjit, dënohet me burgim nga tre
gjer në shtatë vjet.
Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga
pesë gjer në dhjetë vjet.
Organizmi, drejtimi apo financimi i kësaj veprimtarie, dënohen me burgim nga shtatë gjer
në pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 284/a
Organizimi dhe drejtimi i organizatave kriminale
(Shtuar me ligjin nr.8279, datë 15.1.1998, neni 2)
Organizimi, drejtimi dhe financimi i organizatave kriminale me qëllim kultivimin,
prodhimin, fabrikimin ose trafikun e paligjshëm të narkotikëve dënohet me burgim nga 10 deri në
20 vjet.
Krijimi i kushteve apo lehtësirave për veprimtari të tilla nga persona me funksione
shtetërore, dënohet me burgim nga 5 deri në 15 vjet.

Neni 284/b
Ndihma në zbulimin e krimeve
(Shtuar me ligjin nr.8279 datë 15.1.1998, neni 2)
Personi i arrestuar ose i dënuar për njërën nga veprat penale që kanë lidhje me trafikun e
narkotikëve, armëve, klandestinëve, prostitucionit ose për vepra penale të kryera nga organizata
kriminale, që bashkëpunon dhe ndihmon organet e ndjekjes penale në luftën kundër tyre ose,
sipas rastit, në zbulimin e personave të tjerë që kryejnë krime të tilla, nuk mund të dënohet më
tepër se gjysma e dënimit të parashikuar për veprën e kryer prej tij. Në raste të veçanta, kur
konkurojnë edhe rrethana lehtësuese në favor të tij, ky person mund të përjashtohet nga dënimi.

Neni 284/c
Prodhimi dhe fabrikimi i lëndëve narkotike dhe psikotrope
(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 67)
Prodhimi, fabrikimi, nxjerrja, rafinimi, përgatitja pa licencë ose në kapërcim të përmbajtjes
së tij i lëndëve narkotike dhe psikotrope, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.
Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga
shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.
Organizimi, drejtimi ose financimi i kësaj veprimtarie dënohen me burgim nga dhjetë gjer
në njëzet vjet.

Neni 284/ç
Prodhimi, tregtimi dhe përdorimi i paligjshëm i prekursorëve
(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 67)
Prodhimi, importimi, eksportimi, tranzitimi, tregtimi dhe mbajtja, në kundërshtim me
dispozitat përkatëse ligjore, i prekursorëve të treguar me ligj në tabelat përkatëse, dënohet me
burgim gjer në pesë vjet.
Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se njëherë, dënohet me burgim nga
tre gjer në shtatë vjet.
Organizimi, drejtimi ose financimi i kësaj veprimtarie dënohen me burgim nga pesë gjer në
pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 285
Mbajtja, prodhimi dhe transportimi i substancave kimike
(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 68)
Prodhimi, mbajtja, transportimi ose shpërndarja e substancave kimike bazë ose e
substancave të tjera të çfarëdollojshme, e pajisjeve, e materialeve, në rast se dihet që ato përdoren
ose do të përdoren për prodhimin ose trafikimin e paligjshëm të substancave narkotike a
psikotrope, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.

Neni 285/a
Përshtatja e lokalit për përdorim droge
(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 69)
Përshtatja ose lejimi për përshtatjen e lokalit, banesës, mjeteve motorike dhe të çdo mjeti
tjetër publik ose privat për grumbullimin e personave me qëllim që ata të konsumojnë substanca
narkotike ose psikotrope, dënohet me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 285/b
Hedhja ose braktisja e shiringave
(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 69)
Hedhja ose braktisja e shiringave, në vende publike ose të hapura për publikun, si dhe në
mjedise private të përdorimit të përbashkët të shiringave ose instrumenteve të rrezikshëm, të
përdorura për marrjen e substancave narkotike ose psikotrope, përbën kundërvajtje penale dhe
dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Neni 286
Nxitja për përdorimin e drogës
(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 70)
Nxitja e të tjerëve për përdorimin e lëndëve narkotike dhe psikotrope ose dhënia në përdorim
ose injektimi i tyre te të tjerët, pa dijeninë dhe pëlqimin e tyre, dënohet me burgim nga pesë gjer
në dhjetë vjet.
Kur nxitja apo injektimi i detyruar bëhet ndaj fëmijëve apo në institucione penale, shkollore,
sportive apo të çdo veprimtarie tjetër shoqërore dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë
vjet.

Neni 286/a
Përdorimi i paligjshëm i teknologjise së lartë
(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 71)
Prodhimi dhe përdorimi i sistemeve telematike, mjeteve dhe pajisjeve të teknologjisë së
lartë, në rastet e veprave penale të parashikuara në nenet 283 gjer në 286/a të këtij Kodi ose për të
mundësur ose lehtësuar konsumimin e lëndëve narkotike dhe psikotrope ose për të transmetuar a
përhapur njoftime publicitare për stimulimin e përdorimit të tyre, dënohet me burgim gjer në pesë
vjet.

Neni 287
Pastrimi i produkteve të veprës penale
(Ndryshuar me ligjin nr.9086, datë 19.6.2003, neni 8)
(Shtuar shkronja “dh” me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 24)
(Ndryshuar shkronja “a” e pikës 1, shfuqizuar shkronja “ç” me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007,
neni 24)
1. Pastrimi i produkteve të veprës penale i kryer nëpërmjet:
a) këmbimit ose transferimit të pasurisë, që dihet se është produkt i veprës penale, për
fshehjen, mbulimin e origjinës së pasurisë ose dhënien e ndihmës, për të shmangur pasojat
juridike, që lidhen me kryerjen e veprës penale;
b) fshehjes ose mbulimit të natyrës, burimit, vendndodhjes, vendosjes, zhvendosjes së
pronësisë ose të të drejtave të tjera, që lidhen me pasurinë që është produkt i veprës penale;
c) kryerjes së veprimeve financiare dhe transanksioneve të copëzuara për shmangien nga
raportimi, sipas ligjit për pastrimin e parave;
ç) Shfuqizuar
d) këshillimit, nxitjes ose thirrjes publike për kryerjen e secilës prej veprave të përcaktuara
më sipër;
dh) përdorimit dhe investimit në veprimtari ekonomike ose financiare të parave ose sendeve,
që janë produkte të veprave penale,
dënohen me burgim nga tre deri në dhjetë vjet dhe me gjobë nga 500 mijë lekë deri në 5
milionë lekë.
2. Kur kjo vepër kryhet gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, në bashkëpunim ose
më shumë se një herë, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga
800 mijë lekë deri në 8 milionë lekë, ndërsa kur ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim jo
më pak se pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga 3 milionë lekë deri në 10 milionë lekë.
3. Dispozitat e këtij neni zbatohen edhe në rastet kur personi, që ka kryer veprën prej së cilës
burojnë produktet e veprës penale, nuk mund të merret i pandehur, nuk mund të dënohet, ekziston
një shkak që e shuan veprën penale ose mungon njëri nga kushtet e procedimit penal për një
vepër të tillë.

Neni 287/a
Çelja e llogarive anonime
(Ndryshuar me ligjin nr.9086, datë 19.6.2003, neni 9)
Çelja e depozitave ose e llogarive bankare, anonime ose me emra fiktivë, dënohet me
burgim deri në tre vjet dhe me gjobë nga 200 mijë lekë deri në 2 milionë lekë.

Neni 287/b
Përvetësimi i parave ose mallrave të vjedhura
(Shtuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 25)
Kushdo që blen, merr, fsheh apo, në një mënyrë tjetër, përvetëson për vete ose një palë të
tretë, apo ndihmon në blerjen, marrjen, fshehjen ose përdorimin e parave apo mallrave të tjera,
duke ditur se një person tjetër ka përfituar këto para apo mallra, si pasojë e kryerjes së një vepre
penale, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet dhe me gjobë deri në një qind mijë
lekë.
Papërgjegjshmëria e personit ose pengesa për të ndjekur penalisht personin për veprën
penale në fjalë nuk përjashtojnë përgjegjësinë personit, që kreu veprën penale të përvetësimit të
parave ose mallrave të vjedhura, sipas këtij neni.

Neni 288
Prodhimi dhe shitja e ushqimeve dhe e lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin
Prodhimi, importimi, ruajtja dhe shitja e ushqimeve, pijeve dhe lëndëve të tjera, e barnave të
rrezikshme ose të dëmshme për jetën e shëndetin, si dhe futja në prodhim e kimikateve,
materialeve dhe lëndëve shtesë në prodhimin e përpunimin e artikujve ushqimorë e të pijeve, kur
nga këto vepra ka ardhur vdekja ose dëmtimi i rëndë i shëndetit të personit, dënohen me gjobë ose
me burgim gjer në dhjetë vjet.
Kur nga vepra është shkaktuar vdekja ose dëmtimi i rëndë i shëndetit të disa personave,
dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet.

Neni 288/a
Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave
industrialë dhe ushqimorë
(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 73)
Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industrialë dhe ushqimorë përbën
kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.
Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë ose ka sjellë pasoja të
rënda, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.

Neni 289
Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë
Shkaktimi i vdekjes ose dëmtimi i rëndë i shëndetit të personit ardhur si pasojë e
mosrespektimit të rregullave që kanë të bëjnë me punën, prodhimin, shërbimin, të përcaktuara në
ligj, në aktet e Këshillit të Ministrave apo në rregulloret përkatëse të sigurimit teknik, të disiplinës
teknike, të mbrojtjes në punë, të higjenës dhe sigurimit nga zjarri prej personave të ngarkuar me
respektimin e rregullave dhe marrjen e masave në zbatim të tyre, dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në dhjetë vjet.
Kur nga vepra penale është shkaktuar vdekja ose dëmtimi i rëndë i shëndetit të disa
personave, dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet.

Neni 290
Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor
Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor, kur ka shkaktuar vdekjen, plagosjen e rëndë të një
personi ose plagosjen e lehtë të disa personave, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë
vjet.
Kur nga vepra penale është shkaktuar vdekja ose plagosja e rëndë e disa personave, dënohet
me burgim jo më pak se pesë vjet.

Neni 291
Drejtimi i automjeteve në gjendje të dehur apo pa dëshmi
Drejtimi i automjeteve apo mjeteve të tjera të motorizuara ne gjendje të dehur apo pa
dëshminë përkatëse të aftësisë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim
gjer në gjashtë muaj.

Neni 292
Shkelja e disiplinës së punës në transport
Shkelja e disiplinës së punës në transportin hekurudhor, ujor ose ajror prej punonjësve të
këtij transporti, që ka shkaktuar vdekjen ose dëmtimin e rëndë të shëndetit të personit, dënohet
me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.
Kur nga vepra penale është shkaktuar vdekja ose dëmtimi i rëndë i shëndetit të disa
personave, dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet.

Neni 293
Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit
Vënia e pengesave dhe ndalimi me çdo mjet e mënyrë i qarkullimit të mjeteve të transportit
automobilistik, hekurudhor, ujor e ajror, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

SEKSIONI IV
VEPRA PENALE KUNDËR SEKRETIT DHE KUFIJVE SHTETËRORË

Neni 294
Tregtimi i sekretit shtetëror nga personi që i është besuar
Tregtimi, përhapja dhe informimi i fakteve, shifrave, përmbajtjes së dokumenteve apo
materialeve që, sipas ligjit të njohur publikisht, përbëjnë sekret shtetëror, nga personi që i është
besuar ose që ka mundur të vijë në dijeni për to për shkak të detyrës, dënohen me gjobë ose me
burgim gjer në pesë vjet.
Po kjo vepër, e bërë botërisht, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.

Neni 295
Tregtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit
Tregtimi, përhapja dhe informimi i fakteve, shifrave, përmbajtjes së dokumenteve apo
materialeve që, sipas ligjit të njohur publikisht, përbëjnë sekret shtetëror, nga cilido që ka mundur
të vijë në dijeni për to, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.
Po kjo vepër, e bërë botërisht, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 295/a
Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete
(Shtuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 26)
Zbulimi ndaj të tretëve i të dhënave ose ndihma për të zbuluar të dhënat, të cilat ligji i
përcakton si sekret, nga ana e një funksionari publik ose e një personi të ngarkuar me një shërbim
publik, në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës ose duke abuzuar me cilësitë e veta,
përbën vepër penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.
Zbulimi ndaj të tretëve i të dhënave, të cilat përbëjnë sekret tregtar industrial ose profesional,
nga ana e personave publikë, që kanë detyrë ruajtjen e tyre, përbën vepër penale dhe dënohet me
gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Zbulimi i akteve sekrete ose i të dhënave, që përmbajnë aktet sekrete, nga prokurori ose
oficeri i policisë gjyqësore, si dhe mosrespektimi i detyrimeve të përcaktuara në nenin 103 të
Kodit të Procedurës Penale, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një deri në pesë
vjet.
Zbulimi i akteve sekrete ose i të dhënave të përmbajtura në aktet sekrete nga persona të
tjerë, që kanë dijeni për të dhëna për procedimin penal e që janë paralajmëruar nga prokurori
ose oficeri i policisë gjyqësore për moszbulimin e tyre, dënohet me burgim deri në tre vjet.
Zbulimi i të dhënave sekrete, që kanë lidhje me identitetin, procesin e bashkëpunimit, të
mbrojtjes ose për vendndodhjen e dëshmitarëve e të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të cilët
përfitojnë mbrojtje të veçantë, sipas ligjeve në fuqi, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim
nga dy deri në gjashtë vjet.
Zbulimi i sekretit që ka sjellë si pasojë vdekjen, plagosjen e rëndë ose ka rrezikuar seriozisht
jetën apo shëndetin e dëshmitarëve ose të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të familjarëve të tyre
apo të punonjësve të policisë, të ngarkuar me mbrojtjen e tyre, përbën vepër penale dhe dënohet
me burgim nga tre deri në tetë vjet.

Neni 296
Humbja e dokumenteve sekrete
Humbja e dokumenteve apo materialeve të tjera që, sipas ligjit të njohur publikisht, përbëjnë
sekret shtetëror, nga personi që i janë besuar për ruajtje apo për përdorim, dënohet me gjobë ose
me burgim gjer në tre vjet.

Neni 297
Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror
(Shtuar me ligjin nr.8279, datë 15.1.1998, neni 2)
(Ndryshuar me ligjin nr.9188, datë 12.2.2004, neni 8)
Kalimi i paligjshëm i kufijve shtetërorë përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë
ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 298
Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve
(Ndryshuar me ligjin nr.9188, datë 12.2.2004, neni 9)
(Ndryshuar titulli dhe paragrafi i parë me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 27)
Strehimi, shoqërimi, vënia në dispozicion ose përdorimi i mjeteve të lundrimit, të fluturimit
ose i mjeteve të tjera të transportit apo çdo ndihmë tjetër, me qëllim kalimin e paligjshëm të
kufirit të Republikës së Shqipërisë ose për hyrjen e paligjshme të një personi në një shtet tjetër, pa
qenë shtetas i tij ose që nuk ka leje qëndrimi në atë shtet, përbën vepër penale dhe dënohet me
burgim nga një deri në katër vjet dhe me gjobë nga tre milionë lekë deri në gjashtë milionë lekë.
Kur ndihma jepet për qëllime fitimi, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet dhe me
gjobë nga katër milionë deri në tetë milionë lekë.
Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, apo ka sjellë pasoja të
rënda, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet dhe me gjobë nga gjashtë milionë deri në
tetë milionë lekë.
Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen e të dëmtuarit, dënohet me burgim jo më pak se
pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm, si dhe me gjobë nga tetë milionë deri në dhjetë
milionë lekë.
Kur vepra penale kryhet nëpërmjet shfrytëzimit të funksionit shtetëror ose shërbimit publik,
dënimi me burgim dhe gjoba shtohen me ¼ e dënimit të dhënë.

Neni 299
Shkelja e rregullave mbi fluturimet
Shkelja e rregullave mbi fluturimet ndërkombëtare si, hyrja ose dalja nga territori i
Republikës së Shqipërisë pa leje fluturimi, mosrespektimi i vijave të fluturimit, i vendeve të
zbritjes, i korridoreve ajrore apo lartësisë të caktuar të fluturimit, dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në pesë vjet.

KREU IX
VEPRA PENALE KUNDËR DREJTËSISË

Neni 300
Moskallëzimi i krimit
Moskallëzimi në organet e ndjekjes penale, në gjykatë, në organet e rendit publik, të
pushtetit ose të administratës, i një krimi që është duke u kryer apo që është kryer, dënohet me
gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.
Përjashtohen nga detyrimi për kallzim të paralindurit dhe të paslindurit, vëllezërit dhe
motrat, bashkëshorti, adoptuesi dhe të adoptuarit, si edhe personat që janë të detyruar të ruajnë një
sekret të njohur për shkak të detyrës apo profesionit.

Neni 301
Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës
Kryerja e veprimeve për të ndryshuar vendin e kryerjes së veprës penale duke prishur,
ndryshuar apo fshirë gjurmët e saj ose duke lëvizur, fshehur, asgjësuar, vjedhur, falsifikuar një
send apo një dokument me qëllim për të vështirësuar dhe penguar zbulimin e veprës penale dhe të
autorit të saj, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Neni 302
Përkrahja e autorit të krimit
(Shtuar paragrafi II me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 25)
(Shtuar paragrafi II me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 28)
Furnizimi i autorit të një krimi me ushqime, me mjete të tjera për jetesë ose sigurimi i një
banese, vendqëndrimi ose me çdo mënyrë tjetër me qëllim që t’i shpëtojë kërkimit, kapjes ose
arrestimit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.
Po kjo vepër kur kryhet në lidhje me veprat penale, të parashikuara në nenet 73, 74, 75, 79,
219, 220, 221, 230, 230/a, 230/b, 231, 232, 232/a, 234/a, 234/b, 284/a, 333 e 333/a të këtij Kodi,
dënohet me burgim nga dy deri në shtatë vjet.
Përjashtohen nga përgjegjësia penale të paralindurit dhe të paslindurit, vëllezërit dhe motrat,
bashkëshorti, adoptuesit dhe të adoptuarit.

Neni 303
Fshehja ose asgjësimi i kufomës
Fshehja ose asgjësimi i kufomës së një personi, viktimë e vrasjes apo të veprave të tjera të
dhunshme, e bërë me qëllim për të ndihmuar autorin e krimit që t’i shpëtojë kërkimit, kapjes dhe
arrestimit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 304
Detyrimi për të kallzuar provën
Mosparaqitja menjëherë për të kallzuar ose dëshmuar para organeve të prokurorisë, gjykatës
apo organeve të rendit, për provën e njohur që e bën të pafajshëm një person tjetër që akuzohet
ose është dënuar për një vepër penale, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.
Përjashtohen nga detyrimi për kallzim autori i veprës penale, si dhe personat që vijnë në
dijeni të provës për shkak të detyrës apo profesionit dhe janë të detyruar të mos kallzojnë e
dëshmojnë për të.

Neni 305
Kallzimi i rremë
Kallzimi për kryerjen e një krimi që dihet se nuk është kryer ose për kryerjen e një krimi nga
një person që dihet se nuk e ka kryer atë, si edhe, krijimi i provave të rreme me qëllim që të bëhen
ndjekje penale, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 305/a
Deklaratat e rreme përpara prokurorit
(Shtuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 29)
Kushdo që, gjatë hetimeve apo procedimeve penale, i pyetur nga një prokuror që të japë
informacionin e duhur lidhur me hetimin, jep të dhëna, me gojë ose me shkrim, që ai e di se janë,
tërësisht ose pjesërisht, të rreme apo fsheh fakte ose prova, dënohet me gjobë ose me burgim deri
në një vit.
Dispozitat e këtij neni nuk janë të zbatueshme në rast se akti është kryer në çdo fazë të
procedimit penal nga një person i dyshuar ose i pandehur për veprën penale ose nga dikush, që
duhej të ishte përjashtuar nga kërkesa për informacion apo për të dëshmuar, për çdo arsye të
ligjshme, ose që nuk ishte paralajmëruar për të drejtën për të mos dëshmuar apo për t’iu
përgjigjur pyetjeve.

Neni 305/b
Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore
(Shtuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 29)
Kushdo që, gjatë hetimit, i pyetur nga një oficer i policisë gjyqësore që të japë informacionin
e duhur, jep të dhëna, me gojë ose me shkrim, që ai i di se janë, tërësisht ose pjesërisht, të rreme
apo fsheh fakte ose prova, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri
në gjashtë muaj.
Dispozitat e këtij neni nuk janë të zbatueshme në rast se akti është kryer në çdo fazë të
procedimit penal nga një person i dyshuar ose i pandehur për veprën penale ose nga dikush, që
duhej të ishte përjashtuar nga kërkesa për informacion apo për të dëshmuar, për çdo arsye të
ligjshme, ose që nuk ishte paralajmëruar për të drejtën për të mos dëshmuar apo për t’iu
përgjigjur pyetjeve.

Neni 306
Dëshmia e rreme
(Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 75)
(Shtuar paragrafi III me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 26)
(Ndryshuar paragrafi III me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 30)
Dëshmia e rreme e bërë përpara gjykatës përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë
ose me burgim gjer në dy vjet.
Kur dëshmia e rreme bëhet me qëllim fitimi apo çdo interes tjetër të dhënë apo të premtuar,
dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.
Po kjo vepër kur kryhet në lidhje me veprat penale të parashikuara në nenet 234/a, 234/b,
284/a 333 e 333/a të këtij Kodi, dënohet me burgim nga dy deri në gjashtë vjet.

Neni 307
Refuzimi për të dëshmuar
(Ndryshuar paragrafi II, shtuar paragrafi i fundit me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 31)
Refuzimi për t’iu përgjigjur pyetjeve rreth dijenisë për kryerjen e një vepre penale apo të
autorit të saj, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.
Kur refuzimi për të dëshmuar bëhet me qëllim fitimi apo çdo interes tjetër të dhënë apo të
premtuar, dënohet me burgim nga një deri në katër vjet.
Dispozitat e këtij neni nuk janë të zbatueshme në rast se akti është kryer në çdo fazë të
procedimit penal nga një person i dyshuar ose i pandehur për veprën penale ose nga dikush, që
duhej të ishte përjashtuar nga kërkesa për informacion apo për të dëshmuar, për çdo arsye të
ligjshme, ose që nuk ishte paralajmëruar për të drejtën për të mos dëshmuar apo për t’iu
përgjigjur pyetjeve.

Neni 308
Përkthimi i rremë
Shtrembërimi me dashje i përmbajtjes së një dokumenti apo shkrimi të dhënë për përkthim
nga organet e ndjekjes penale apo gjykata ose përkthimi i rremë përpara tyre, përbën kundërvajtje
penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.
Kur përkthimi i rremë bëhet me qëllim fitimi apo çdo interes tjetër të dhënë apo të premtuar,
dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Neni 309
Ekspertimi i rremë
Dhënia me dashje e rezultateve të rreme në raportet e ekspertimit të bëra me shkrim apo me
gojë përpara organeve të ndjekjes penale ose gjykatës, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në
tre vjet.
Kur ekspertimi i rremë bëhet me qëllim fitimi apo çdo interes tjetër të dhënë apo të
premtuar, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 310
Mosparaqitja e dëshmitarit, ekspertit apo përkthyesit
Mosparaqitja e dëshmitarit, ekspertit apo përkthyesit, pa shkaqe të arsyeshme ose
mospranimi prej tyre për të kryer detyrat e caktuara nga organi i ndjekjes penale ose gjykata,
përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.

Neni 311
Kanosja për të mos kallëzuar
(Ndryshuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 32)
Kanosja, që i bëhet të dëmtuarit nga vepra penale, me qëllim që të mos kallëzojë, të ankohet
apo të tërheqë kallëzimin ose ankimin e bërë, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga
një deri në katër vjet.

Neni 312
Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit
(Ndryshuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 27)
Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të
parregullt, për vete ose për persona të tretë, dëshmitarit, ekspertit ose përkthyesit, për të siguruar
deklarime ose dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë ose për të refuzuar kryerjen e detyrimeve
të tyre përpara organeve të ndjekjes penale dhe gjykatës, dënohen me burgim deri në katër vjet
dhe me gjobë nga pesëqind mijë deri në dy milionë lekë.

Neni 312/a
Kanosja për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim
të rremë
(Shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 28)
(Ndryshuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 33)
Kanosja ose vepra të tjera dhune, që i bëhen personit për të siguruar deklarime a dëshmi,
ekspertim ose përkthim të rremë ose për të refuzuar kryerjen e detyrave të tyre përpara organeve
të ndjekjes penale dhe gjykatës dënohet me burgim nga një deri në katër vjet.

Neni 313
Fillimi i paligjshëm i ndjekjes penale
Fillimi i paligjshëm i ndjekjes penale nga prokurori kundër një personi që dihet se është i
pafajshëm dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 313/a
Zhdukja ose humbja e fashikullit
(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 77)
Zhdukja ose humbja me çdo mënyrë e fashikullit të hetimit ose të gjykimit, si dhe heqja prej
tyre e dokumenteve, shkresave ose të dhënave të tjera që ndodhen të bashkuara me to, kur ka
sjellë pasoja të rënda në dëm të interesave të shtetasve ose të shtetit, dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në pesë vjet.

Neni 313/b
Ndalimi i dhënies dhe i shpalljes së të dhënave në kundërshtim me ligjin
(Shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 29)
1. Bërja publike, edhe në organe të medias, në kundërshtim me ligjin e të dhënave me
karakter të klasifikuar dhe konfidencial, që rrezikojnë jetën, integritetin fizik ose lirinë e
personave të mbrojtur, sipas ligjit nr.9205, datë 15.3.2004 “Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të
bashkëpunëtorëve të drejtësisë”, përbën vepër penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri
në dy vjet dhe, kur nga kryerja e kësaj vepre kanë ardhur pasoja të rënda për shëndetin e tyre, me
burgim nga 6 muaj deri në tre vjet.
2. Kur kjo vepër kryhet nga njëri prej personave që kanë përgjegjësinë për të ruajtur
karakterin e klasifikuar dhe konfidencial të të dhënave, dënohet me gjobë ose me burgim deri në
tre vjet dhe, kur nga kryerja e kësaj vepre kanë ardhur pasoja të rënda për shëndetin e tyre, me
burgim nga dy deri në pesë vjet.
3. Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.

Neni 314
Përdorimi i dhunës gjatë hetimeve
Përdorimi i dhunës nga personi i ngarkuar me zhvillimin e hetimeve për ta detyruar shtetasin
të bëjë deklaratë, të dëshmojë ose të pohojë pafajësinë e tij a të një tjetri, dënohet me burgim nga
tre gjer në dhjetë vjet.

Neni 315
Dhënia e një vendimi të padrejtë
(Shfuqizuar)

Neni 316
Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit
Kundërshtimi me dhunë, goditjet dhe vepra të tjera dhune që i bëhen gjyqtarit apo anëtarëve
të trupit gjykues, prokurorit, avokatit, ekspertëve, çdo arbitri të caktuar për një çështje, për ta
penguar në kryerjen e detyrës apo për shkak të saj, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në
shtatë vjet.

Neni 317
Kanosja e gjyqtarit
Kanosja që i bëhet gjyqtarit apo anëtarëve të trupit gjykues, prokurorit, avokatit ose çdo
arbitri të caktuar për një çështje për shkak të veprimtarisë së tyre, dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në tre vjet.

Neni 318
Fyerja e gjyqtarit
Fyerja e gjyqtarit apo anëtarëve të trupit gjykues, prokurorit, avokatit ose çdo arbitri të
caktuar për një çështje për shkak të veprimtarisë së tyre, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet
me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 319
Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë
(Ndryshuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 30)
Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt,
për vete ose për persona të tjerë, gjyqtarit, prokurorit ose çdo punonjësi tjetër të organeve të
drejtësisë, për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohen
me burgim nga një vit deri në katër vjet dhe me gjobë nga katërqind mijë deri në dy milionë lekë.

Neni 319/a
Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve
të tjerë të organeve të drejtësisë
(Shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 31)
Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt ose i një
premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi, që vjen nga
përfitimi i parregullt, nga gjyqtari, prokurori ose funksionarë të tjerë të organeve të drejtësisë, për
të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën e funksionin e tij, dënohen me burgim nga
tre deri në dhjetë vjet dhe me gjobë nga tetëqind mijë deri në katër milionë lekë.

Neni 320
Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës
Fshehja, tjetërsimi, konsumimi, dëmtimi apo shkatërrimi i sendeve për të cilat është marrë
një vendim prej gjykatës, ose kryerja e veprimeve të tjera të bëra me qëllim që të mos
ekzekutohet ose të pengohet ekzekutimi i vendimit gjyqësor, përbën kundërvajtje penale dhe
dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 320/a
Mosekzekutimi pa shkaqe të përligjura i vendimit të gjykatës
(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 78)
Mosekzekutimi pa shkaqe të përligjura i një vendimi penal ose civil të gjykatës, nga
punonjësi i ngarkuar me ekzekutimin e vendimeve, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me
gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.
Kur kjo vepër kryhet me qëllim fitimi ose çdo interes tjetër të dhënë ose të premtuar, si dhe
për të favorizuar persona që kanë interes për mosekzekutimin e vendimit, dënohet me gjobë ose
me burgim gjer në tre vjet.

Neni 321
Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës
Kryerja e veprimeve në kundërshtim me vendimin e gjykatës në lidhje me detyrimet e
lindura nga dënimet plotësuese të dhëna prej saj, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me
gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 322
Prishja e vulave dhe shenjave
Prishja me dashje e vulave dhe shenjave të tjera të vendosura mbi sende të ndryshme nga
organet e ndjekjes penale dhe gjyqësore, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose
me burgim gjer në gjashtë muaj.

Neni 323
Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit
Largimi i të ndaluarit, arrestuarit apo të dënuarit me burgim nga vendi i qëndrimit të
detyrueshëm ose gjatë transportimit të tij nga një vend në tjetrin, dënohet me burgim gjer në pesë
vjet.
Kur vepra penale kryhet me dhunë ose me përdorim të armëve, substancave zjarrvënëse,
eksplozive dhe helmuese dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 324
Dhënia ndihmë një të burgosuri për largim
Dhënia e këshillave, informatave, mjeteve, të ndaluarit, të arrestuarit apo të burgosurit, me
qëllim për t’u larguar nga vendi i qëndrimit të detyruar, dënohet me burgim gjer në tre vjet.
Kur dhënia ndihmë bëhet nga i ngarkuari me ruajtjen, mbikqyrjen apo transportimin, ose që
për shkak të funksionit ka të drejtë të hyjë në institucione burgimi apo të ketë lidhje me të
ndaluar, arrestuar apo të burgosur, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

KREU X
VEPRA PENALE QË PREKIN ZGJEDHJET E LIRA DHE SISTEMIN DEMOKRATIK TË
ZGJEDHJEVE

Neni 325
Pengimi i subjekteve për zgjedhjet në organet përfaqësuese
Pengimi me dhunë apo me çdo mënyrë tjetër i subjekteve elektorale për të zhvilluar
rregullisht aktivitetin e tyre në përputhje me ligjin gjatë fushatës së zgjedhjeve, dënohet me gjobë
ose me burgim gjer në tre vjet.

Neni 326
Falsifikimi i dokumenteve dhe rezultateve të zgjedhjeve
Paraqitja në dokumentet e zgjedhjeve të të dhënave, rrethanave, shifrave që dihen se janë të
pasakta, përpilimi i dokumenteve falso ose zëvendësimi i të saktave me të rreme, i bërë nga
personat e ngarkuar me përpilimin, vlerësimin, nxjerrjen e rezultateve apo ruajtjen e
dokumenteve, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 327
Shkelja e fshehtësisë së votimit
Shkelja e fshehtësisë së votimit nga ana e personave të ngarkuar me zgjedhjet, përbën
kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Neni 328
Dhënia e shpërblimeve dhe premtimeve
Ofrimi ose dhënia e të hollave, bërja e premtimeve për vende pune ose favorizime të tjera në
cilëndo formë, me qëllim që të marrë firmën për paraqitjen e kandidatit, për të votuar pro ose
kundër një kandidati apo për të marrë pjesë ose jo në votime, përbën kundërvajtje penale dhe
dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.
Pranimi i të hollave, premtimeve dhe favorizimeve të tjera për të kryer veprimet e
mësipërme, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë.

Neni 329
Kanosja e zgjedhësit
Kanosja që i bëhet zgjedhësit për të votuar pro ose kundër një kandidati si edhe për të marrë
pjesë ose jo në votime, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në
dy vjet.

Neni 330
Kanosja e kandidatëve
Kanosja si edhe çdo veprim tjetër i paligjshëm që i bëhet kandidatit me qëllim që të tërheqë
kandidaturën ose që të pengohet për të ushtruar çdo aktivitet të lejuar me ligj gjatë fushatës
elektorale, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 331
Shkelja e të drejtës së zgjedhjes
Mospërfshirja me dashje në listat e zgjedhësve e personave që e kanë të drejtën e zgjedhjes
ose regjistrimi me dashje në to i personave që nuk e kanë këtë të drejtë, përbën kundërvajtje
penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Neni 332
Shpërdorimi i autoritetit ushtarak
Shpërdorimi i autoriteiti ushtarak nga oficeri ose kuadri ushtarak për të influencuar në votim
tek ushtarakët e tjerë që ka në varësi, me dhënie urdhërash, këshilla apo me çfarëdo lloj
propagande, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

KREU XI
VEPRA PENALE TË KRYERA NGA BANDA E ARMATOSUR DHE ORGANIZATA
KRIMINALE

Neni 333
Organizata kriminale
(Ndryshuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 32)
Krijimi, organizimi ose drejtimi i organizatave kriminale dënohen me burgim nga pesë deri
në pesëmbëdhjetë vjet.
Pjesëmarrja në një organizatë kriminale dënohet me burgim nga katër deri në tetë vjet.
Nëse organizata kriminale është e armatosur dhe pjesëtarët e saj zotërojnë armë dhe lëndë
shpërthyese për qëllime të përmbushjes së veprimtarisë së saj kriminale, edhe nëse ato janë të
fshehura ose të mbajtura në vende të veçanta, dënimi me burgim shtohet me një të tretën.
Kur veprimtaritë ekonomike, të ndërmarra ose të kontrolluara nga pjesëtarë të organizatës
kriminale, financohen tërësisht ose pjesërisht me produkte të veprave penale, masa e dënimit,
sipas paragrafëve të sipërpërmendur në këtë nen, shtohet me një të tretën deri në një të dytën e tij.

Neni 333/a
Grupi i strukturuar kriminal
(Shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 33)
Krijimi, organizimi ose drejtimi i një grupi të strukturuar kriminal për kyerjen e veprave
penale dënohen me burgim nga tre deri në tetë vjet.
Pjesëmarrja në grupin e strukturuar kriminal dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.

Neni 334
Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal
(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 79)
(Ndryshuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 34)
1. Kryerja e veprave penale nga pjesëtarë të organizatës kriminale dhe të grupit të
strukturuar kriminal dënohet sipas dispozitave penale përkatëse, duke i shtuar dënimit për veprën
penale të kryer edhe pesë vjet burgim, si dhe gjobën në masën një të tretën, por pa kaluar kufirin
maksimal të dënimit me burgim.
2.Kur dispozita përkatëse referuese përmban dënim me burgim apo me burgim të
përjetshëm, dënohet me njëzet e pesë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.
3. Kur dispozita përkatëse referuese përmban vetëm dënim me burgim të përjetshëm,
dënohet me burgim të përjetshëm.

Neni 334/1
(Shtuar me ligjin nr.9017, datë 6.3.2003, neni 1)
Pavarësisht nga neni 278, përjashtohen nga ndjekja penale për armëmbajtje pa leje të armëve
dhe municioneve luftarake personat që në përputhje me legjislacionin në fuqi, dorëzojnë
vullnetarisht armët deri më datën 31.5.2005.
Në çdo rast nuk përjashtohen nga ndjekja penale për armëmbajtje pa leje personat që kanë
kryer vepër penale, duke përdorur si mjet për këtë qëllim armë dhe municione luftarake.
Nuk përjashtohen nga ndjekja penale edhe personat të cilët, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji,
deklarojnë se nuk kanë armë e municione luftarake dhe nga kontrollet e ushtruara në mbështetje
të dispozitave përkatëse të Kodit të Procedurës Penale u gjenden armë e municione të fshehura.

Neni 335
Ky kod hyn në fuqi më 1 qershor 1995. Aktet ligjore që shfuqizohen, si dhe efektet dhe
mënyra e hyrjes së tij në fuqi, do të caktohet me ligj të veçantë.

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 09/05/2010. Filed under Kodi Penal. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.