- Home
- Shqipëria
- Bota
- Politika
- Mafia
- Shke-Tek
- Italiano
- Ekonomi
- Biografi
- Automobili
Lexuar 3790KODI PENAL I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
(I azhurnuar ne 2008-ten)
Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore
kushtetuese”, me propozim të Këshillit të Ministrave
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
I
PJESA E PËRGJITHSHME
KREU I
LIGJI PENAL DHE ZBATIMI I TIJ
Neni 1
Ligji penal dhe ndarja e veprave penale
Ligji penal përcakton veprat penale, dënimet dhe masat e tjera që merren ndaj autorëve të
tyre.
Veprat penale ndahen në krime dhe në kundërvajtje penale.
Dallimi i tyre bëhet në çdo rast në dispozitat e pjesës së posaçme të këtij Kodi.
Neni 1/a
Bazat e legjislacionit penal
(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 1)
Kodi Penal bazohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në parimet e përgjithshme të
së drejtës penale ndërkombëtare, si dhe në marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga shteti
shqiptar.
Legjislacioni penal përbëhet nga ky Kod dhe ligje të tjera që parashikojnë vepra penale.
Neni 1/b
Detyrat e legjislacionit penal
(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 1)
Legjislacioni penal i Republikës së Shqipërisë ka për detyrë të mbrojë pavarësinë e shtetit
dhe tërësinë e territorit të tij, dinjitetin e njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, rendin kushtetues,
pronën, mjedisin, bashkëjetesën dhe mirëkuptimin e shqiptarëve me pakicat kombëtare, si dhe
bashkëjetesën fetare nga veprat penale, si dhe parandalimin e tyre.
Neni 1/c
Parimet e Kodit Penal
(Shtuar me ligjin 8733, datë 24.1.2001, neni 1)
Kodi Penal bazohet në parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës, të barazisë përpara ligjit,
të drejtësisë në caktimin e fajësisë dhe të dënimit, si dhe të humanizmit.
Zbatimi i ligjit penal me analogji nuk lejohet.
Neni 2
Mosdënimi pa ligj
Askush nuk mund të dënohet penalisht për një vepër që më parë nuk është e parashikuar
shprehimisht në ligj si krim ose kundërvajtje penale.
Askush nuk mund të dënohet me një lloj dhe masë dënimi të paparashikuar në ligj.
Neni 3
Veprimi në kohë i ligjit penal
Askush nuk mund të dënohet për një vepër që, sipas ligjit të kohës kur është kryer, nuk
përbënte vepër penale.
Ligji i ri që nuk dënon veprën penale ka fuqi prapavepruese. Në rast se personi është
dënuar, ekzekutimi i dënimit nuk mund të fillojë dhe, në qoftë se ka filluar, pushon.
Kur ligji i kohës kur është kryer vepra penale dhe ligji i mëvonshëm janë të ndryshëm,
zbatohet ai ligj dispozitat e të cilit janë më të favorshme për personin që ka kryer veprën penale.
__________________________________________________
Vendim i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë nr.4,
datë 27.3.2003
Nisur nga fakti që ligjvënësi shqiptar në një dispozitë të vetme, sikurse është ajo e nenit 3 të
Kodit Penal, ka përcaktuar veprimin e ligjit penal në kohë, jo vetëm në përgjithësi, sipas parimit
që askush nuk mund të dënohet për një vepër që sipas ligjit të kohës kur është kryer, nuk përbënte
vepër penale, por edhe duke dhënë përjashtimet nga ky parim, Kolegjet e Bashkuara çmojnë se
lidhje me çështjen objekt shqyrtimi, ka përmbajtja e paragrafëve të dytë dhe të tretë të kësaj
dispozite, në të cilat parashikohen përjashtimet nga rregulli i përgjithshëm i veprimit në kohë të
ligjit penal dhe brenda tyre, lidhje më të drejtpërdrejtë me këtë çështje, pa dyshim, që ka
paragrafi i tretë i saj.
Nga përmbajtja e këtij paragafi, sipas të cilit, kur ligji i kohës kur është kryer vepra penale
dhe ligji i mëvonshëm janë të ndryshëm, zbatohet ai ligj, dispozitat e të cilit janë më të favorshme
për personin që ka kryer veprën penale, arrihet në përfundimin se, në rastet kur, ligji që ka qenë
në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, është më i disfavorshëm se ligji që është në fuqi në
kohën e gjykimit të çështjes penale në ngarkim të personit që e ka kryer atë, gjykatat detyrohen të
zbatojnë këtë të dytin d.m.th. ligjin e mëvonshëm, i cili është në fuqi në kohën e gjykimit të
çështjes.
Ky detyrim rrjedh nga fakti që, në rastin konkret, ligji i mëvonshëm përmban dispozita, të
cilat janë më të favorshme për personin që ka kryer veprën penale ose, duke përdorur
terminologjinë kushtetuese, duhet thënë se ligji i mëvonshëm është ligj penal favorizues dhe
pikërisht për këtë arsye, ai ka fuqi prapavepruese.
Megjithatë, duhet vënë në dukje fakti që fuqia prapavepruese e ligjit penal favorizues, në
raport me momentin kohor të zbatimit të tij, nuk është e pakufizuar, pasi ky moment është i
kushtëzuar nga faza në të cilën gjendet procedimi penal, që i përket personit të akuzuar për
kryerjen e veprës penale, fazë e cila, duke u bazuar në sa u thanë me hollësi më lart, Kolegjet e
Bashkuara të Gjykatës së Lartë, arrijnë në përfundimin se nuk mund të jetë tej momentit kohor
kur vendimi i dënimit penal të personit të akuzuar, ka marrë formë të prerë, gjë që vlen edhe për
personat e dënuar me vendim penal të formës së prerë të gjykatave të huaja penale, sikurse është
rasti objekt gjykimi.
Të gjitha çështjet e tjera, që mund të lindin pas këtij momenti, i përkasin një faze tjetër, asaj
të ekzekutimit të vendimit penal.
Dihet se ndryshe nga fuqia prapavepruese e ligjit penal, që përfshihet në institutin e
veprimit penal në kohë, institut, i cili rregullimin e tij ligjor e gjen në normat e ligjit penal
material, faza e ekzekutimit të vendimeve penale rregullohet nga normat e ligjit procedural penal,
nocione këto që konfondohen në kërkesën e paraqitur nga mbrojtësi i kërkuesit Juan.
Bazuar në sa u parashtrua me hollësi në pjesët e përparshme të këtij vendimi, Kolegjet e
Bashkuara arrijnë në përfundimin e përgjithshëm se paragrafi i tretë i nenit 3 të Kodit Penal
është i zbatueshëm në procedimet penale të vëna në lëvizje pas hyrjes në fuqi të ligjit favorizues,
si dhe në procedimet penale, të cilat, megjithëse janë vënë në lëvizje para hyrjes në fuqi të ligjit
favorizues, gjykimi për to nuk ka përfunduar ende me vendim të formës së prerë.
Kështu që, personat, vendimi i dënimit penal për të cilët ka marrë formë të prerë, sikurse
është rasti i kërkuesit Juan, nuk mund të përfitojnë nga ligji i mëvonshëm, edhe pse ai mund të
jetë favorizues në raport me ligjin penal që u zbatua nga gjykatat në kohën e dënimit të tyre.
I vetmi përjashtim nga ky rregull, në kushtet e zakonshme të zbatimit të Kodit Penal, bëhet
vetëm për personat e dënuar me vendim të formës së prerë, kur ligji i ri, veprën për të cilën ata
janë deklaruar fajtorë dhe dënuar, nuk e konsideron më vepër penale.
Dhe këtë përjashtim e ka bërë vetë ligjvënësi në paragrafin e dytë të nenit 3 të Kodit Penal,
sipas të cilit, ligji i ri që nuk dënon veprën penale ka fuqi prapavepruese dhe në rast se personi
është dënuar, ekzekutimi i dënimit nuk mund të fillojë dhe në qoftë se ka filluar, pushon.
Thuhet, “në kushtet e zakonshme të zbatimit të Kodit Penal”, pasi ligjvënësi, mbas miratimit
të ligjit nr.7895, datë 27.1.1995 “Për Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë me dy ligje të
veçanta, të miratuara ad`hoc me nr.7942 dhe 7984 të datave, respektivisht, 31.5.1995 dhe
28.7.1995, miratuar për hyrjen në fuqi të Kodit Penal, ka parashikuar shprehimisht që personave
të cilët janë dënuar me vendim të formës së prerë për një ose më shumë vepra penale me masa
dënimi, për një ose më shumë prej tyre, më të larta sesa maksimumi që parashikon për to Kodi i
ri Penal, ju mbetet për secilën prej tyre, ky maksimum (nenet 2 dhe 1 të ligjeve respektive).
Nëpërmjet këtyre dy ligjeve, kanë përfituar vetëm personat që ishin dënuar para hyrjes në
fuqi të Kodit të ri Penal, d.m.th. me kodet e mëparshme penale dhe një gjë e tillë ishte jo vetëm e
domosdoshme, por edhe e kuptueshme, për shkak të disa ndryshimeve jo pak të rëndësishme, që
pësoi instituti juridik i përgjegjësisë penale dhe elemente përbërëse të tij në Kodin e ri Penal, në
krahasim me të mëparshmet.
__________________________________________________
Neni 4
Mosnjohja e ligjit
Mosnjohja e ligjit që dënon veprën penale, nuk përbën shkak për përjashtim nga
përgjegjësia penale, veç rasteve kur mosnjohja është objektivisht e paevitueshme.
Neni 5
Territori i Republikës së Shqipërisë
Territori i Republikës së Shqipërisë, në kuptim të ligjit penal, quhet hapësira tokësore,
gjerësia e ujërave territoriale dhe të brendshme detare, hapësira ajrore që shtrihet mbi hapësirën
tokësore dhe të ujërave territoriale dhe të brendshme detare, si dhe çdo vend tjetër ku shtrihet
sovraniteti i shtetit shqiptar, si selitë e përfaqësive diplomatike dhe konsullore shqiptare, anijet që
mbajnë flamurin e Republikës së Shqipërisë, anijet e marinës luftarake, të aviacionit ushtarak ose
civil kudo që ndodhen.
Neni 6
Zbatimi i ligjit penal për vepra penale të kryera
nga shtetas shqiptarë
Për vepra penale të kryera nga shtetas shqiptarë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë
zbatohet ligji penal i Republikës së Shqipërisë.
Ligji penal i Republikës së Shqipërisë është i zbatueshëm edhe për shtetasin shqiptar që
kryen krim në territorin e një shteti tjetër, kur krimi është njëkohësisht i dënueshëm dhe derisa
nuk është dhënë për të një vendim përfundimtar nga një gjykatë e huaj.
Në kuptim të këtij neni shtetas shqiptarë do të konsiderohen edhe ata persona që përveç
shtetësisë shqiptare gëzojnë edhe shtetësi tjetër.
Neni 7
Zbatimi i ligjit penal për vepra penale të kryera
nga shtetas të huaj
(Ndryshuar shkronja “d” me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 2)
(Shtuar shkronja “h” me ligjin nr.9086, datë 19.6.2003, neni 1)
(Shtuar shkronja “i” me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 1)
(Ndryshuar shkronja “c” me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 1)
Shtetasi i huaj, që kryen vepër penale në territorin e Republikës së Shqipërisë, përgjigjet në
bazë të ligjit penal të Republikës së Shqipërisë.
Ligji penal i Republikës së Shqipërisë është i zbatueshëm edhe për shtetasin e huaj që jashtë
territorit të Republikës së Shqipërisë kryen në dëm të interesave të shtetit ose të shtetasit shqiptar
një nga krimet e mëposhtme:
a) krime kundër njerëzimit;
b) krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues;
c) vepra me qëllime terrroriste;
d) organizimi i prostitucionit, trafikimi i jashtëligjshëm i njerëzve, fëmijëve dhe grave,
prodhimi dhe trafikimi i jashtëligjshëm i armëve, drogës, substancave të tjera narkotike e
psikotrope, i substancave bërthamore, i materialeve pornografike, si dhe trafikimi i jashtëligjshëm
i veprave të artit dhe i objekteve me vlerë historike, kulturore dhe arkeologjike;
e) rrëmbimi i avionëve dhe i anijeve;
f) falsifikimi i vulës së shtetit shqiptar, parave dhe letrave me vlerë shqiptare;
g) krime që cenojnë jetën dhe shëndetin e shtetasit shqiptar, për të cilat ligji parashikon
dënim mbi pesë vjet burgim ose çdo lloj dënimi më të rëndë;
h) pastrimi i produkteve të veprës penale;
i) krimet e korrupsionit aktiv dhe pasiv, të kryera nga persona që ushtrojnë funksione në
sektorin publik ose atë privat.
Neni 7/a
Juridiksioni universal
(Shtuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 2)
Ligji penal i Republikës së Shqipërisë është i zbatueshëm edhe për shtetasin e huaj, që
ndodhet në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe nuk është ekstraduar, i cili jashtë territorit të
Republikës së Shqipërisë ka kryer njërën nga veprat e mëposhtme:
a) krime kundër njerëzimit;
b) krime lufte;
c) gjenocid;
ç) vepra me qëllime terroriste;
d) torturë.
Ligji penal i Republikës së Shqipërisë është i zbatueshëm edhe për shtetasin e huaj, që jashtë
territorit të Republikës së Shqipërisë kryen ndonjërën nga veprat penale, për të cilat ligje të
veçanta ose marrëveshje ndërkombëtare, ku Republika e Shqipërisë është palë, përcaktojnë
zbatueshmërinë e legjislacionit penal shqiptar.
Neni 8
Zbatimi i ligjit penal për vepra penale të kryera
nga personi pa shtetësi
(Ndryshuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 3)
Për personin pa shtetësi që kryen vepër penale në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe
krim jashtë këtij territori, vlejnë rregullat e neneve 7 e 7/a të këtij Kodi.
Neni 9
Përgjegjësia për personat e huaj që gëzojnë imunitet
Çështja e përgjegjësisë për shtetasit e huaj që kryejnë vepër penale në territorin e Republikës
së Shqipërisë dhe që gëzojnë imunitet në bazë të së drejtës ndërkombëtare, zgjidhet me rrugë
diplomatike.
Neni 10
Fuqia e vendimeve penale të gjykatave të huaja
Vendimet penale të dhëna nga gjykatat e huaja ndaj shtetasve shqiptarë që vërtetojnë
kryerjen e një vepre penale, kur nuk është parashikuar ndryshe nga marrëveshjet dy ose
shumpalëshe, vlejnë në Shqipëri brenda kufijve të ligjit shqiptar edhe përsa vijon:
a) për efekt të cilësimit përsëritës të personit që ka kryer veprën penale;
b) për zbatimin e vendimeve që përmbajnë dënime plotësuese;
c) për zbatimin e masave të sigurimit;
d) për shlyerjen e dëmit ose efekteve të tjera civile.
Neni 11
Ekstradimi
Ekstradimi mund të lejohet vetëm kur është parashikuar shprehimisht në marrëveshjet
ndërkombëtare në të cilat Republika e Shqipërisë është palë.
Ekstradimi lejohet kur vepra penale që përbën objektin e kërkesës për ekstradim është e
parashikuar si e tillë njëkohësisht si nga ligji shqiptar dhe ai i huaj.
Ekstradimi nuk lejohet:
a) në qoftë se personi që do të ekstradohet është shtetas shqiptar, veç rasteve kur në
marrëveshje është parashikuar ndryshe;
b) në qoftë se vepra penale që përbën objektin e kërkesës për ekstradim ka një
karakter politik ose ushtarak;
c) kur ka arsye për të dyshuar që personi i kërkuar të ekstradohet do të persekutohet,
dënohet ose kërkohet për arsye të bindjeve të tija politike, fetare, kombëtare, racore ose etnike.
d) në qoftë se personi që kërkohet të ekstradohet është gjykuar nga një gjykatë kompetente
shqiptare për veprën penale për të cilën kërkohet ekstradimi.
KREU II
PËRGJEGJËSIA PENALE
Neni 12
Mosha për përgjegjësi penale
Ka përgjegjësi penale personi që në kohën e kryerjes së një krimi ka mbushur moshën
katërmbëdhjetë vjeç.
Personi që kryen një kundërvajtje penale ka përgjegjësi kur ka mbushur moshën
gjashtëmbëdhjetë vjeç.
Neni 13
Lidhja shkakësore
Askush nuk ka përgjegjësi penale kur midis veprimit ose mosveprimit të tij dhe pasojave
apo mundësisë së ardhjes së tyre, mungon lidhja shkakësore.
Neni 14
Faji
Askush nuk mund të dënohet për një veprim ose mosveprim të parashikuar nga ligji si vepër
penale, në qoftë se vepra nuk është e kryer me faj.
Quhet me faj personi që e kryen veprën me dashje ose me pakujdesi.
Neni 15
Dashja
Vepra penale kryhet me dashje, kur personi i parashikon pasojat e veprës penale dhe
dëshiron ardhjen e tyre ose, megjithëse i parashikon dhe nuk i dëshiron ato, me ndërgjegje lejon
ardhjen e tyre.
Neni 16
Pakujdesia
Vepra penale kryhet me pakujdesi kur personi, megjithëse nuk i dëshiron pasojat, e
parashikon mundësinë e ardhjes së tyre dhe me mendjelehtësi shpreson t’i shmangë ato, ose nuk i
parashikon, megjithëse sipas rrethanave duhej dhe kishte mundësi t’i parashikonte.
Neni 17
Papërgjegjshmëria për shkak të gjendjes mendore
Nuk ka përgjegjësi penale personi që në kohën e kryerjes së veprës vuante nga një turbullim
psikik ose neuropsikik që ka prishur tërësisht ekuilibrin e tij mendor dhe për pasojë nuk ka qenë
në gjendje të kontrollojë veprimet apo mosveprimet e tij dhe as të kuptojë se kryen vepër penale.
Personi që në kohën e kryerjes së veprës penale vuante nga një turbullim psikik ose
neuropsikik, që ka ulur ekuilibrin e tij mendor për të kuptuar dhe kontrolluar plotësisht veprimet
apo mosveprimet e tij, është i përgjegjshëm, por kjo rrethanë mbahet parasysh nga gjykata në
caktimin e masës dhe llojit të dënimit.
Neni 18
Kryerja e veprës penale në gjendje të dehur
Nuk përjashtohet nga përgjegjësia personi që ka kryer veprën penale në gjendje të dehur.
Kur dehja është shkaktuar në rrethana të rastit dhe ka sjellë uljen e ekuilibrit mendor, kjo
rrethanë mbahet parasysh për zbutjen e dënimit ndaj tij.
Kur dehja është bërë me paramendim për të kryer veprën penale, kjo rrethanë mbahet
parasysh për rëndimin e dënimit.
Rregullat e mësipërme zbatohen edhe kur vepra penale kryhet nën efektin e narkotikëve apo
stimulantëve të tjerë.
Neni 19
Mbrojtja e nevojshme
Nuk ka përgjegjësi penale personi që ka kryer veprën duke qenë i detyruar të mbrojë jetën,
shëndetin, të drejtat dhe interesat e tij ose të një tjetri, nga një sulm i padrejtë, i vërtetë dhe i çastit
me kusht që, karakteri i mbrojtjes të jetë në proporcion me rrezikshmërinë e sulmit.
Mospërputhja haptazi ndërmjet tyre përbën kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme.
Neni 20
Nevoja ekstreme
Nuk ka përgjegjësi penale personi që ka kryer veprën nga nevoja për të përballuar një rrezik
real dhe të çastit që e kërcënon atë, një person tjetër apo pasurinë nga një dëmtim i rëndë dhe i
pashmangshëm me mënyra të tjera, me kusht që të mos jetë i provokuar prej tij dhe dëmi i
shkaktuar të mos jetë më i madh së dëmi i zmbrapsur.
Neni 21
Ushtrimi i një të drejte apo përmbushja e detyrës
Nuk ka përgjegjësi penale personi që vepron për të ushtruar të drejta apo përmbushur detyra
të caktuara nga ligji ose nga një urdhër i dhënë prej një personi kompetent, veç rastit kur urdhri
është haptazi i paligjshëm.
Kur vepra penale është kryer si rezultat i urdhrit të paligjshëm, për të përgjigjet personi që
ka dhënë urdhrin.
KREU III
TENTATIVA
Neni 22
Kuptimi i tentativës
Vepra penale quhet e mbetur në tentativë kur, megjithëse personi ndërmerr veprime të
drejtpërdrejta për ta kryer atë, vepra ndërpritet e nuk përfundohet për rrethana të pavarura nga
vullneti i tij.
Neni 23
Përgjegjësia për tentativën
Personi që tenton të kryejë një krim përgjigjet për të.
Gjykata, në varësi të shkallës së afërsisë së pasojës, si dhe të shkaqeve për të cilat krimi
mbeti në tentativë, zbut dënimin dhe mund ta ulë atë nën minimumin e parashikuar nga ligji ose
të caktojë një lloj dënimi më të butë nga ai i parashikuar në ligj.
Neni 24
Heqja dorë nga kryerja e veprës penale
Personi që më vullnetin e tij dhe në mënyrë përfundimtare heq dorë nga kryerja e veprës
penale, me gjithë mundësitë që ka për kryerjen e saj, nuk ka përgjegjësi penale.
Kur veprimet e gjeratëhershme përmbajnë elementët e ndonjë vepre tjetër penale, personi
përgjigjet për veprën e kryer.
KREU IV
BASHKËPUNIMI I PERSONAVE PËR KRYERJEN
E VEPRËS PENALE
Neni 25
Kuptimi i bashkëpunimit
Bashkëpunim quhet kryerja e veprës penale nga dy ose më shumë persona me marrëveshje
ndërmjet tyre.
Neni 26
Bashkëpunëtorët
Bashkëpunëtorë për kryerjen e veprës penale quhen: organizatorët, ekzekutorët, shtytësit dhe
ndihmësit.
Organizatorë quhen ata persona që organizojnë dhe drejtojnë veprimtarinë për kryerjen e
veprës penale.
Ekzekutorë janë personat që kryejnë veprime të drejtëpërdrejta për realizimin e veprës
penale.
Shtytës quhen personat që nxisin bashkëpunëtorët e tjerë për kryerjen e veprës penale.
Ndihmës quhen personat që me këshilla, udhëzime, dhënie mjetesh, largim të pengesave,
dhënie të premtimit për fshehjen e bashkëpunëtorëve, të gjurmëve apo të sendeve që rrjedhin nga
vepra penale, ndihmojnë për kryerjen e saj.
Neni 27
Përgjegjësia e bashkëpunëtorëve
Organizatorët, shtytësit dhe ndihmësit kanë përgjegjësi si edhe ekzekutorët për veprën
penale të kryer prej tyre.
Në caktimin e dënimit për bashkëpunëtorët, gjykata duhet të mbajë parasysh shkallën e
pjesëmarrjes së secilit dhe rolin e luajtur në kryerjen e veprës penale.
__________________________________________________
Vendim i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë nr.1, datë 26.3.2002
Marrëveshja, që është një nga elementët e domosdoshëm për të patur bashkëpunim në
kryerjen e veprës penale, madje më kryesori, mund të vendoset jo vetëm midis organizatorit,
ekzekutorit, shtytësit dhe ndihmësit që përbën formën klasike të bashkëpunimit. Ajo mund të
vendoset edhe midis vetë ekzekutorëve të veprës penale, (në rastet kur ata janë dy ose më shumë
persona) dhe në këtë rast do të ndodhemi para bashkëpunimit për të kryer vepër penale në
formën e bashkekzekutimit të saj.
Për të pasur këtë formë bashkëpunimi, kërkohet që secili nga personat që marrin pjesë në
realizimin e veprës penale ose, thënë ndryshe, secili nga bashkekzekutorët, të kryejë veprime që të
kenë lidhje të drejt përdrejtë shkakësore me pasojën e dëshiruar nga të gjithë të tjerët dhe që vjen
si rezultat i këtyre veprimeve të kryera nga secili prej bashkkzekutorëve d.m.th. secili nga
bashkekzekutorët me veprimin apo veprimet e tij, të marrë pjesë direkt në realizimin e anës
objektive të veprës penale.
Në të njëjtën kohë, kërkohet që veprimet e secilit prej bashkekzekutorëve të jenë rezultat i
realizimit jo i dëshirave individuale të tij, por të jenë rezultat i realizimit të vullnetit të përbashkët
të të gjithë bashkëkzekutorëve të një veprimtarie të caktuar, konkrete, kriminale.
Kur vepra penale kryhet në bashkëpunim në formën e bashkekzekutimit, midis
bashkëpunëtorëve nuk ka më ndarje rolesh, në kuptimin klasik të kësaj fjale (ndarje në rolet
organizator, ekzekutor, shtytës dhe ndihmës), por ka një lloj ndarjeje tjetër, e cila ka të bëjë me
ndarjen e punëve direkte që duhet të kryejë secili nga bashkekzekutorët për realizimin e vullnetit
të përbashkët kriminal, vullnet ky që, në fund të fundit, manifestohet në botën e jashtme, veç
veprimeve të secilit, edhe me arritjen e rezultatit kriminal të dëshiruar prej tyre.
__________________________________________________
Neni 28
Forma të veçanta të bashkëpunimit
(Ndryshuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 2)
(Shfuqizuar paragrafi i dytë i pikës 1, ndryshuar pika 2 me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni
4)
1. Organizata kriminale është forma më e lartë e bashkëpunimit, në të cilin bëjnë pjesë tre
ose më shumë persona dhe që dallohet nga shkalla e veçantë e organizimit, strukturimit,
qëndrueshmërisë, kohëzgjatjes, si dhe nga qëllimi për kryerjen e një a më shumë veprave penale,
për të realizuar përfitime materiale dhe jomateriale.
2. Organizata terroriste është një formë e veçantë e organizatës kriminale, e përbërë nga dy
ose më shumë persona, që kanë një bashkëpunim të qëndrueshëm në kohë, me synim kryerjen e
veprave me qëllime terroriste.
3. Banda e armatosur është një formë e veçantë bashkëpunimi që, duke zotëruar armë,
municione luftarake dhe mjete të tjera të nevojshme, synon kryerjen e veprave penale, të
parashikuara në krerët V, VI dhe VII të pjesës së posaçme të këtij Kodi.
4. Grupi i strukturuar kriminal është formë e veçantë bashkëpunimi, në të cilin bëjnë pjesë
tre ose më shumë persona, për kryerjen e një a më shumë veprave penale, për të realizuar
përfitime materiale dhe jomateriale.
Grupi i strukturuar kriminal për kryerjen e një vepre penale nuk formohet rastësisht e nuk
është e nevojshme të dallohet për anëtarësi të qëndrueshme, ndarje detyrash, organizim dhe
strukturim të zhvilluar.
5. Krijimi dhe pjesëmarrja në një organizatë kriminale, organizatë terroriste, bandë të
armatosur ose grup të strukturuar kriminal cilësohen si vepra penale dhe dënohen sipas
parashikimeve të pjesës së posaçme të këtij Kodi ose të dispozitave të tjera penale të veçanta.
6. Anëtarët e organizatës kriminale, të organizatës terroriste, bandës së armatosur ose grupit
të strukturuar kriminal janë përgjegjës për të gjitha veprat penale, të kryera prej tyre, në
përmbushjen e qëllimeve të veprimtarisë së tyre kriminale.
7. Pjesëtari i organizatës kriminale, organizatës terroriste, bandës së armatosur ose i grupit të
strukturuar kriminal, përfiton përjashtimin nga dënimi ose uljen e tij, kur jep ndihmesë, që
gjykohet vendimtare për njohjen e veprimtarisë së tyre, të bashkëpunëtorëve të tjerë, pasurive të
zotëruara drejtpërdrejt ose jo prej tyre, si dhe për veprimtaritë hetimore, që zhvillohen ndaj
organizatave kriminale, organizatave terroriste, bandave të armatosura dhe grupeve të
strukturuara kriminale.
KREU V
DËNIMET
Neni 29
Dënimet kryesore
(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 79)
(Shtuar paragrafi i fundit me ligjin nr.9086, datë 19.6.2003, neni 2)
Për personat që kanë kryer krime jepen këto dënime kryesore:
1. Me burgim të përjetshëm
2. Me burgim
3. Me gjobë
Për personat që kanë kryer kundërvajtje penale jepen këto dënime kryesore:
1. Me burgim
2. Me gjobë
Dënimi me burgim dhe gjobë jepen bashkërisht, kur parashikohet në dispozitat përkatëse të
këtij Kodi.
Neni 30
Dënime plotësuese
(Ndryshuar pika 2, me ligjin nr.9086, datë 19.6.2003, neni 3)
(Ndryshuar pika 1 me ligjin nr.9275, date 16.9.2004, neni 3)
Për personat që kanë kryer krime ose kundërvajtje penale, bashkë me dënimin kryesor,
mund të jepen edhe një ose disa nga këto dënime plotësuese:
1. Ndalimi i të drejtës për të ushtruar funksione publike.
2. Konfiskimi i mjeteve të kryerjes së veprës penale dhe produkteve të veprës penale.
3. Ndalimi për të drejtuar automjete.
4. Heqja e dekoratave, titujve të nderit.
5. Heqja e së drejtës të ushtrimit të një veprimtarie ose mjeshtërie.
6. Heqja e së drejtës për të ushtruar detyra drejtuese pranë personave juridikë.
7. Ndalimi për të qëndruar në një ose disa njësi administrative.
8. Nxjerrja jashtë territorit.
9. Detyrimi për publikimin e vendimit gjyqësor.
Gjykata, në raste të veçanta, kur dhënia e dënimeve kryesore çmohet e papërshtatshme dhe
kur ligji parashikon dënim me burgim deri në 3 vjet ose dënime të tjera më të lehta për veprën e
kryer, mund të mjaftohet vetëm me caktimin e dënimit plotësues.
Neni 31
Dënimi me burgim të përjetshëm
(Ndryshuar paragrafi i I, II dhe titulli me ligjin nr.8733,
datë 24.1.2001, neni 79)
(Shfuqizuar paragrafi i fundit me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 5)
Dënimi me burgim të përjetshëm jepet me vendim të gjykatës për kryerjen e një krimi të
rëndë.
Dënimi me burgim të përjetshëm nuk jepet ndaj personave që në kohën e kryerjes së krimit
nuk kanë mbushur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, si dhe për gratë.
Neni 32
Dënimi me burgim
Dënimi me burgim për krime jepet për një kohë nga pesë ditë deri në njëzetepesë vjet.
Për kundërvajtje penale dënimi me burgim jepet për një kohë nga pesë ditë deri në dy vjet.
Neni 33
Mënyra e vuajtjes së dënimit me burgim të përjetshëm dhe
me burgim
Dënimi me burgim të përjetshëm dhe dënimi me burgim vuhen në institucione të caktuara
posaçërisht për këtë qëllim.
Rregullat mbi mënyrën e vuajtjes së dënimeve, të drejtat dhe detyrat e të dënuarve caktohen
me ligj.
Të miturit e kryejnë dënimin me burgim në vende të veçanta nga të rriturit.
Gratë e kryejnë dënimin me burgim në institucione të veçanta nga burrat.
Neni 34
Dënimi me gjobë
(Ndryshuar paragrafi i III dhe IV, shtuar paragrafi i V, ndryshuar paragrafi i VII, me ligjin
nr.8733, datë 24.1.2001, neni 3)
(Ndryshuar paragrafi IV me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 4)
Dënimi me gjobë konsiston në pagimin në favor të shtetit të një shume të hollash brenda
kufijve të parashikuar në ligj.
Dënimi me gjobë jepet për personat që kryejnë krim ose kundërvajtje penale.
Për personat që kryejnë krim gjoba jepet nga 100 mijë gjer në 10 milionë lekë.
Për personat që kryejnë kundërvajtje penale, gjoba jepet nga 50 mijë gjer në 3 milionë lekë.
Për personat që kryejnë krime për motive të fitimit të pasurive ose të sigurimit të çdo lloj
përfitimi tjetër material, nëse dispozita penale parashikon vetëm dënim me burgim, gjykata mund
të japë edhe dënim me gjobë nga 100 mijë gjer në 5 milionë lekë.
Dënimi me gjobë paguhet në afatin e caktuar në vendimin e gjykatës.
Gjykata, duke marrë parasysh gjendjen ekonomike të të dënuarit, mund të lejojë që gjoba të
paguhet me këste, duke caktuar këstet dhe afatin e pagimit të tyre.
Kur gjoba nuk paguhet në afatin e caktuar, gjykata vendos zëvendësimin e gjobës me
burgim, duke llogaritur 5 mijë lekë për një ditë burgim.
Kur gjoba është dhënë për kryerjen e një krimi, zëvendësimi i saj me burgim nuk mund të
kalojë tre vjet, ndërsa kur ajo është dhënë për kryerjen e një kundërvajtjeje penale, zëvendësimi
nuk mund të kalojë një vit burgim, por gjithmonë pa kaluar maksimumin e dënimit me burgim që
parashikon dispozita përkatëse.
Kur i dënuari si më sipër gjatë zbatimit të burgimit paguan gjobën, gjykata revokon
vendimin, duke bërë llogaritjet sipas kriterit të paragrafit të 7 të këtij neni.
Neni 35
Heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike
(Riformuluar me ligjin nr.9275, date 16.9.2004, neni 5)
Heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike, për një kohë jo më pak se pesë vjet,
jepet detyrimisht ndaj personit që ka kryer një krim, që lidhet me detyrën, duke shpërdoruar
funksionin publik ose ka kryer një krim, për të cilin gjykata ka caktuar një dënim me burgim jo
më pak se dhjetë vjet.
Heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike mund të jepet për një kohë nga tre deri
në pesë vjet, kur gjykata ka caktuar një dënim nga pesë deri në dhjetë vjet burgim, dhe nga një
deri në tre vjet, kur është caktuar dënimi deri në tre vjet burgim.
Neni 36
Konfiskimi i mjeteve të kryerjes së veprës penale
dhe produkteve të veprës penale
(Ndryshuar me ligjin nr.9086, datë 19.6.2003, neni 4)
1. Konfiskimi jepet detyrimisht nga gjykata dhe ka të bëjë me marrjen dhe kalimin në favor
të shtetit:
a) të sendeve që kanë shërbyer ose janë caktuar si mjete për kryerjen e veprës penale;
b) të produkteve të veprës penale, ku përfshihet çdo lloj pasurie, si dhe dokumentet ose
instrumentet ligjore që vërtetojnë tituj ose interesa të tjerë në pasurinë që rrjedh ose fitohet
drejtpërdrejt ose tërthorazi nga kryerja e veprës penale;
c) të shpërblimeve, të dhëna ose të premtuara, për kryerjen e veprës penale;
ç) të çdo pasurie tjetër, vlera e së cilës i korrespondon asaj të produkteve të veprës penale;
d) të sendeve, prodhimi, përdorimi, mbajtja ose tjetërsimi i të cilave përbëjnë vepër penale,
edhe kur nuk është dhënë vendim dënimi.
2. Nëse produktet e veprës penale janë transformuar ose shndërruar pjesërisht ose plotësisht
në pasuri të tjera, këto të fundit i nënshtrohen konfiskimit.
3. Nëse produktet e veprës penale janë bashkuar me pasuri të fituara në rrugë të ligjshme,
këto të fundit konfiskohen deri në vlerën e produkteve të veprës penale.
4. Konfiskimit i nënshtrohen edhe të ardhurat ose përfitimet e tjera nga produktet e veprës
penale, nga pasuritë në të cilat janë transformuar ose shndërruar produktet e veprës penale ose
nga pasuritë me të cilat janë përzier këto produkte, në të njëjtën masë dhe mënyrë sikurse
produktet e veprës penale.
Neni 37
Ndalimi për të drejtuar automjete
Ndalimi për të drejtuar automjete jepet nga gjykata, për një kohë nga një gjer në pesë vjet,
kundër personave që kanë kryer vepër penale, kur çmohet se do të ketë efekt parandalues apo
pajtohet me natyrën e veprës së kryer.
Neni 38
Heqja e dekoratave dhe e titujve
Heqja e dekoratave dhe titujve të nderit vendoset për personat që kanë kryer një vepër
penale që dënohet me burgim dhe çmohet se mbajtja e tyre nuk pajtohet me natyrën e veprës
penale të kryer.
Heqja e dekoratave dhe titujve të nderit është e përhershme kur personi dënohet për një krim
mbi dhjetë vjet dhe nga një gjer në pesë vjet, kur dënohet gjer në dhjetë vjet burgim.
Neni 39
Heqja e së drejtës të ushtrimit të veprimtarisë apo mjeshtërisë
Heqja e së drejtës të ushtrimit të një veprimtarie ose të një mjeshtërie e ndalon të dënuarin të
ushtrojë veprimtarinë ose mjeshtërinë për të cilën është dhënë leje e veçantë, dëshmi, autorizim
apo licencë nga organi kompetent.
Heqja e së drejtës së ushtrimit të veprimtarisë ose mjeshtërisë jepet për një kohë nga një
muaj gjer në pesë vjet dhe është rrjedhojë e çdo dënimi për vepra penale që kryhen duke i
shpërdoruar ato.
Neni 40
Heqja e së drejtës të ushtrimit të detyrave drejtuese
(Shtuar paragrafi i fundit me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 6)
Heqja e së drejtës të ushtrimit të detyrave drejtuese pranë personave juridikë, i heq
mundësinë të dënuarit të ushtrojë detyrat e drejtorit, të administratorit, sipërmarrësit, likuidatorit,
si dhe çdo detyrë tjetër që ka të bëjë me cilësinë e përfaqësuesit të personit juridik.
Heqja e së drejtës të ushtrimit të detyrave drejtuese pranë personave juridikë është rrjedhojë
e çdo dënimi për vepra penale dhe jepet për një kohë nga një muaj gjer në pesë vjet, kur i dënuari
ka shpërdoruar funksionet apo ka vepruar në kundërshtim me rregullat që lidhen me detyrën.
Kur dënimi i dhënë nga gjykata është jo më pak se pesë vjet burgim, kjo e drejtë mund të
hiqet për një kohë nga pesë deri në dhjetë vjet.
Neni 41
Ndalimi për të qëndruar në një apo disa njësi administrative
Ndalimi për të qëndruar në një apo disa njësi administrative jepet nga gjykata për një kohë
nga një gjer në pesë vjet, kur çmohet se qëndrimi i të dënuarit në këto vende përbën rrezik për
sigurimin publik.
Neni 42
Nxjerrja jashtë territorit
Nxjerrja jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë jepet nga gjykata ndaj shtetasit të huaj
dhe atij pa shtetësi që kryen një krim dhe çmohet se qëndrimi i mëtejshëm i tij në territorin e
Republikës së Shqipërisë nuk duhet të vazhdojë më në të ardhmen.
Vendimi revokohet nga gjykata, me kërkesën e të dënuarit, kur shtetasi i huaj apo pa shtetësi
fiton shtetësinë shqiptare.
Neni 43
Publikimi i vendimit gjyqësor
Publikimi i vendimit gjyqësor jepet nga gjykata kur çmon se njohja e përmbajtjes së
vendimit ka interes për persona juridikë e fizikë.
Publikimi i vendimit gjyqësor konsiston në detyrimin e të dënuarit që me shpenzimet
e veta të publikojë në një apo disa gazeta ose stacione radiotelevizive tërësisht apo pjesërisht
vendimin gjyqësor, sipas urdhërimit të bërë nga gjykata.
Data e publikimit dhe kohëzgjatja e tij caktohen nga gjykata.
Organet e shtypit dhe të radiotelevizionit janë të detyruar të bëjnë publikimin e vendimit
gjyqësor të dërguar nga gjykata.
Publikimi i vendimit gjyqësor nuk jepet kur rrezikohet përhapja e sekretit shtetëror, cenohet
jeta intime e personave ose preket morali shoqëror.
Neni 44
Mënyra e vuajtjes së dënimeve plotësuese
Kur gjykata, së bashku me një dënim me burgim, jep edhe një ose disa nga dënimet
plotësuese të përmendura në nenin 30 të këtij Kodi, zbatimi i tyre fillon së bashku me vuajtjen e
dënimit kryesor.
Për numrat 1, 3, 5, 6, 7 dhe 8 të nenit 30 të këtij Kodi zbatimi i tyre fillon pas vuajtjes së
dënimit me burgim. Të drejtat e cenuara nga dënimet plotësuese i dënuari nuk mund t’i ushtrojë
gjatë kohës së vuajtjes së dënimit me burgim.
Neni 45
Zbatimi i ligjit penal ndaj personave juridikë
(Shfuqizuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 4)
(Shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 7)
Personat juridikë, me përjashtim të institucioneve shtetërore, përgjigjen penalisht për vepra
penale, të kryera në emër ose në dobi të tyre nga organet dhe përfaqësuesit e tyre.
Njësitë e qeverisjes vendore përgjigjen penalisht vetëm për veprime të kryera gjatë ushtrimit
të veprimtarisë së tyre, të cilat mund të ushtrohen nëpërmjet delegimit të shërbimeve publike.
Përgjegjësia penale e personave juridikë nuk përjashton atë të personave fizikë, të cilët kanë
kryer ose janë bashkëpunëtorë në kryerjen e të njëjtave vepra penale.
Veprat penale dhe masat ndëshkuese përkatëse, që zbatohen ndaj personave juridikë, si dhe
procedura për vendosjen dhe ekzekutimin e tyre rregullohen me ligj të veçantë.
Neni 46
Masat mjekësore dhe edukuese
Masat mjekësore mund të jepen nga gjykata ndaj personave të papërgjegjshëm që kanë kryer
vepër penale, ndërsa masat edukuese mund të jepen ndaj të miturve që përjashtohen nga dënimi
ose që për shkak të moshës nuk kanë përgjegjësi penale.
Masat mjekësore janë:
1. Mjekimi i detyruar ambulator
2. Mjekimi i detyruar në një institucion mjekësor
Masa edukuese është:
1. Vendosja e të miturit në një institucion edukimi
Vendimi gjyqësor për masat mjekësore dhe edukuese është i revokueshëm në çdo kohë kur
zhduken rrethanat për të cilat ai është dhënë, por në çdo rast, gjykata, kryesisht, është e detyruar
që pas kalimit të një viti nga dita e dhënies së vendimit, të marrë në shqyrtim vendimin e saj.
Rregullat për revokimin e vendimit gyqësor që përmban masën mjekësore dhe edukuese,
parashikohen në Kodin e Procedurës Penale.
KREU VI
CAKTIMI I DËNIMIT
Neni 47
Mënyra e caktimit të dënimit
Gjykata cakton dënimin duke respektuar dispozitat e pjesës së përgjithshme të këtij Kodi
dhe kufijtë e dënimeve të parashikuar në ligj për veprën penale.
Në caktimin e dënimit ndaj personit ajo merr parasysh rrezikshmërinë e veprës penale, të
autorit të saj, shkallën e fajit, si dhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese.
Neni 48
Rrethanat lehtësuese
Lehtësojnë dënimin rrethanat që vijojnë:
a) Kur vepra është kryer e shtyrë nga motive me vlera pozitive morale e shoqërore;
b) kur vepra është kryer nën ndikimin e tronditjes psikike të shkaktuar nga provokimi ose
veprime të padrejta të viktimës apo të ndonjë personi tjetër;
c) kur vepra është kryer nën ndikimin e veprimeve apo të udhëzimeve të padrejta të eprorit;
ç) kur personi që ka kryer veprën tregon pendim të thellë;
d) kur personi ka zëvendësuar dëmin e shkaktuar nga vepra penale ose ka ndihmuar aktivisht
për të zhdukur ose pakësuar pasojat e veprës penale;
dh) kur personi paraqitet në organet kompetente pas kryerjes së veprës penale;
e) kur marrëdhëniet ndërmjet personit që ka kryer veprën penale dhe të dëmtuarit janë
normalizuar.
Neni 49
Gjykata, pavarësisht nga rrethanat që përmenden në nenin 48 të këtij Kodi, mund të marrë
në konsideratë edhe rrethanat të tjera për sa kohë i quan të tilla që justifikojnë lehtësimin e
dënimit.
Neni 50
Rrethanat rënduese
(Ndryshuar shkronja “b”, shtuar shkronja “h” dhe “i” me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 5)
(Ndryshuar shkronja “dh” me ligjin nr.9275, date 16.9.2004, neni 8)
(Shtuar shkronja “j” me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 6)
Rëndojnë dënimin rrethanat që vijojnë:
a) kryerja e veprës i shtyrë nga motive të dobëta;
b) kryerja e veprës për të vënë para përgjegjësisë ose për të fshehur përgjegjësinë penale të
një tjetri apo për të shmangur dënimin për një vepër penale tjetër ose për të realizuar, ose për të
siguruar për vete a për të tretët fitime pasurore, ose çdo lloj përfitimi tjetër material;
c) kryerja e veprës penale me egërsi dhe mizori;
ç) kryerja e një krimi pas dhënies së një dënimi për një krim të kryer më parë;
d) kryerja e veprimeve që rëndojnë apo shtojnë pasojat e veprës penale;
dh) kryerja e veprës penale duke shpërdoruar funksionin publik ose shërbimin fetar;
e) kur vepra është kryer kundër fëmijëve, grave shtatzana ose personave që, për shkaqe të
ndryshme, nuk mund të mbrohen;
f) kur vepra është drejtuar ndaj përfaqësuesve të shteteve të tjera;
g) kur vepra është kryer duke përfituar nga marrëdhëniet familjare, të miqësisë, të
mikpritjes;
gj) kryerja e veprës penale në bashkëpunim;
h) kryerja e veprës penale më shumë se një herë;
i) kur vepra është kryer duke përdorur armë, municione luftarake, lëndë plasëse, djegëse,
helmuese dhe radioaktive.
j) kryerja e veprës e shtyrë nga motive që kanë të bëjnë me gjininë, racën, fenë, kombësinë,
gjuhën, bindjet politike, fetare ose sociale.
Neni 51
Dënimi me burgim për të miturit
Për të miturit, që në kohën e kryerjes së veprës penale nuk kanë mbushur moshën 18 vjeç,
dënimi me burgim nuk mund të jetë më shumë se gjysma e dënimit që parashikon ligji për veprën
penale të kryer.
Neni 52
Përjashtimi i të miturit nga dënimi
Gjykata, nisur nga rrezikshmëria e pakët e veprës penale, nga rrethanat konkrete të kryerjes
së saj, nga sjellja e mëparshme e të miturit, mund ta përjashtojë atë nga dënimi.
Në këto raste gjykata mund të vendosë dërgimin e të miturit në një institucion edukimi.
Neni 53
Ulja e dënimit nën kufijtë e parashikuar nga ligji
Gjykata, në raste të veçanta, kur çmon që vepra dhe autori i saj paraqesin rrezikshmëri të
pakët dhe janë të pranishme disa nga rrethanat lehtësuese, ka të drejtë të caktojë një dënim nën
minimumin ose një lloj dënimi më të butë se ai që parashikon dispozita përkatëse.
Neni 54
Pranimi i pagimit të gjobës
Për kundërvajtjet penale për të cilat, veç gjobës, parashikohet njëkohësisht dënimi me
burgim, gjykata, me kërkesën e autorit të kundërvajtjes penale mund të pranojë që ai të paguajë
aty për aty një shumë të hollash në favor të buxhetit të shtetit, e barabartë me gjysmën e
maksimumit të gjobës të parashikuar për kundërvajtjet penale në Pjesën e Përgjithshme të këtij
Kodi.
Kërkesa mund të paraqitet në çdo fazë të gjykimit deri përpara dhënies së vendimit
përfundimtar të shkallës së parë.
Kur gjykata nuk pranon kërkesën, jep dënimin për veprën e kryer.
Pranimi i kërkesës nuk lejohet për personat që më parë janë dënuar edhe për kundërvajtje
penale.
Neni 55
Caktimi i dënimeve për disa vepra penale
Kur veprimet ose mosveprimet përmbajnë elementët e disa veprave penale, si dhe kur
personi ka kryer disa vepra penale për të cilat nuk është dhënë akoma vendim, gjykata më parë
cakton dënimin për çdo vepër penale dhe në përfundim jep një dënim të vetëm, që përbëhet nga
dënimi më i rëndë i shtuar.
Dënimi më i rëndë i shtuar nuk mund të kapërcejë shumën e përgjithshme të dënimeve të
caktuara veç e veç, as kufirin më të lartë të parashikuar për llojin e dënimit të dhënë.
Kur gjykata çmon se kryerja e shumë veprave penale nuk tregon rrezikshmëri të madhe të
fajtorit, mund të japë si dënim përfundimtar dënimin më të rëndë që ka caktuar për një nga veprat
penale.
Gjykata në vendimin përfundimtar jep një ose më shumë nga dënimet plotësuese të dhëna
më vete për çdo vepër të veçantë.
Neni 56
Bashkimi i dënimeve
Kur i dënuari, para vuajtjes së plotë të dënimit, dënohet për një vepër penale të kryer para
dhënies së vendimit, zbatohen rregullat e nenit të mësipërm dhe pjesa e vuajtur e dënimit
llogaritet në dënimin e ri.
Kur i dënuari, pas dhënies së vendimit, por para vuajtjes së plotë të dënimit, kryen një vepër
penale të re, gjykata bën bashkimin e dënimit të ri me pjesën e mbetur të dënimit të mëparshëm,
duke ndjekur rregullat e parashikuara nga neni 55 i këtij Kodi.
Neni 57
Llogaritja e paraburgimit
(Ndryshuar paragrafi i III me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 6)
Koha e paraburgimit llogaritet në dënimin me burgim ose me gjobë, si dhe në detyrimin për
kryerjen e një pune në interes publik si më poshtë:
Një ditë paraburgim baras me një ditë e gjysmë burgim.
Një ditë paraburgim baras me 5 mijë lekë gjobë.
Një ditë paraburgim baras me tetëmbëdhjetë orë pune në interes publik.
KREU VII
ALTERNATIVAT E DËNIMIT ME BURGIM
Neni 58
Copëzimi i dënimit me burgim
Për dënimet gjer në një vit burgim, gjykata, kur vëren rrethana të rënda familjare, mjeksore,
profesionale apo shoqërore, vendos që dënimi të ekzekutohet me copëzime jo më të vogla se dy
ditë në javë.
Në çdo rast ekzekutimi i vendimit duhet të përfundojë brenda tre vjetëve.
Kur këto rrethana nuk ekzistojnë më, ose kur i dënuari shkel detyrimet e caktuara në
vendim, gjykata bën revokimin e vendimit të dhënë me copëzim.
Neni 59
Pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim
Për shkak të rrezikshmërisë së pakët të personit dhe rrethanave të kryerjes së veprës penale,
gjykata, kur jep dënim me burgim gjer në pesë vjet, mund të urdhërojë që i dënuari të vihet në
provë duke u pezulluar ekzekutimi i dënimit, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë
vepër tjetër penale po aq të rëndë apo më të rëndë.
Afati i provës është tetëmbëdhjetë muaj gjer në pesë vjet.
Neni 60
Masat ndaj të dënuarit të vënë në provë
I dënuari i vënë në provë, mund të detyrohet nga gjykata të plotësojë një apo më tepër prej
masave të mëposhtëme:
1. Të ushtrojë një veprimtari profesionale ose të marrë një arsim apo formim profesional.
2. Të paguajë rregullisht pensionet familjare.
3. Të riparojë dëmin civil të shkaktuar.
4. Të ndalohet të drejtojë automjete të caktuara.
5. Të mos ushtrojë veprimtari profesionale kur vepra penale ka lidhje me këtë veprimtari.
6. Të mos frekuentojë vende të caktuara.
7. Të mos frekuentojë lokale që shërbejnë pije alkoolike.
8. Të qëndrojë në banesën e tij në orare të caktuara.
9. Të mos shoqërohet me persona të caktuar, kryesisht me të dënuar apo bashkëpunëtorët e
veprës penale.
10. Të mos mbajnë armë.
11. T’u nënshtrohet masave mjeksore kundër alkoolit dhe narkotikëve.
Neni 61
Detyrimet e të dënuarit gjatë kohës së provës
Gjatë kohës së provës i dënuari detyrohet:
1. T’u përgjigjet thirrjeve e kërkesave të organeve të caktuara për mbikqyrjen e provës.
2. Të njoftojë organet e mbikqyrjes së provës për ndryshimet në llojin e punës.
3.Të marrë pëlqimin tek organet që merren me mbikqyrjen e provës për ndryshimin e
banimit, qendrës së punës dhe largimet jashtë shtetit.
Neni 62
Revokimi i vendimit të pezullimit me vënie në provë
Në qoftë se i dënuari gjatë afatit të provës kryen një vepër penale po aq të rëndë apo më të
rëndë se vepra e parë, gjykata revokon vendimin e pezullimit.
Revokimi bëhet edhe kur i dënuari, pa shkaqe të arsyeshme, nuk ka plotësuar masat dhe
detyrimet e përmendura në nenet 60 dhe 61 të këtij Kodi, që atij i ishin vënë.
Kur vendimi i pezullimit nuk është revokuar, dënimi i dhënë konsiderohet i paqenë.
Neni 63
Pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim
dhe detyrimi për kryerjen e një pune në interes publik
Gjykata, për shkak të rrezikshmërisë së pakët të personit dhe të rrethanave të kryerjes së
veprës penale, kur ka caktuar një dënim gjer në një vit burgim, mund të vendosë pezullimin e
ekzekutimit të vendimit me burgim dhe zëvendësimin e tij me detyrimin që i dënuari të
përmbushë një punë në interes publik.
Puna në interes publik jepet për një kohë nga dyzet gjer në dyqind e dyzet orë dhe konsiston
në kryerjen nga i dënuari të një pune pa shpërblim në favor të interesit publik apo shoqatës të
caktuar në vendimin e gjykatës.
Ky detyrim nuk mund të vendoset kur i dënuari refuzon pezullimin në seancë gjyqësore.
Puna në interes publik kryhet brenda afatit prej gjashtë muajsh.
Në vendimin e saj gjykata cakton orët e punës, si dhe ditët e javës kur do të kryhet ajo.
Pas përfundimit të punës, dënimi konsiderohet i paqenë.
Ky lloj pezullimi ndjek të gjitha rregullat që janë vendosur në nenet 61 e 62 të këtij Kodi.
Neni 64
Lirimi para kohe me kusht
(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 7)
I dënuari me burgim mund të lirohet para kohe me kusht, nga vuajtja e dënimit vetëm për
arsye të veçanta, nëse me sjelljen dhe punën e tij tregon se me dënimin e vuajtur i është arritur
qëllimit për edukimin e tij, si dhe të ketë vuajtur:
-jo më pak se gjysmën e dënimit të dhënë për kundërvajtje penale;
-jo më pak se dy të tretat e dënimit të dhënë për krime me masa dënimi gjer në pesë vjet
burgim;
-jo më pak se tre të katërtat e dënimit të dhënë për krime me masa dënimi nga pesë gjer në
njëzet e pesë vjet burgim.
Në masën e dënimit të vuajtur nuk llogaritet koha e përfituar me amnisti ose falje.
Nuk lejohet lirimi para kohe me kusht për të dënuarin përsëritës për krime të kryera me
dashje.
Lirimi para kohe me kusht revokohet nga gjykata, kur i dënuari për një vepër penale të kryer
me dashje, gjatë kohës së kushtit, kryen një vepër tjetër penale me dashje, po aq të rëndë ose më
të rëndë se e para, duke u zbatuar dispozitat për bashkimin e dënimeve.
Neni 65
Nuk lejohet lirimi para kohe me kusht për të dënuarin me burgim të përjetshëm.
Vetëm në raste të jashtëzakonshme i dënuari me burgim të përjetshëm mund të lirohet para
kohe me kusht kur:
Ka vuajtur jo më pak se njëzet e pesë vjet burgim dhe, gjatë vuajtjes së dënimit ka mbajtur
sjellje shembullore dhe çmohet se i është arritur qëllimit të dënimit për edukimin e tij.