“Nuk ka term Vorio-Epir, por vetëm Shqipëri e Jugut”

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 7513
Kryebashkiaku i Selanikut, “kryeqytetit të dytë” grek, Janis Boutaris, i ardhur në pushtet pa i përkitur asnjë rryme politike, tha në një intervistë se ka ndër mend të zbatojë një politikë “zgjerimi” me fqinjët, të krijojë binjakëzime me bashkitë e vendeve të tjera, së shpejti në Shqipëri, e të vlerësojë jetën që i kanë dhënë emigrantët Selanikut. Ai është “pozicionuar” kundër përdorimit të termit “Vorio-Epir”, i cili përbën një pikë delikate të marrëdhënieve greko-shqiptare.

Pas 25 vjetësh, e djathta la fronin e kryebashkiakut të Selanikut kur populli votoi për ndryshim. Por një ndryshim që e tejkaloi cakun tjetër; duke votuar një personalitet, i cili nuk i përket asnjë partie politike. Përse ju besuan votën e tyre qytetarët e Selanikut z. Butari?
Përgjigjen e thatë ju vetë, qytetarët shprehën besimin ndaj një personi që nuk bën pjesë në asnjë parti politike. Populli grek duket se është lodhur nga ky sistem politik, që ngjan me lojë ping-pongu, ma jep – ta jap, madje edhe pa rezultat përfundimtar.  Unë nuk jam politikan, as nuk dua të bëhem, por jam një qytetar aktiv dhe si i tillë i shërbej vendit tim nga çdo pozicion që mendoj se mund t’i shërbej më mirë. Besoj se selanikasit i vlerësuan përpjekjet tona me grupimin “Iniciativa për Selanikun”, i cili veproi jashtë partive, me një frymë pluraliste dhe të hapur. Me votën e tij qytetarët na dhanë rastin të tregojmë se mund të bëhet edhe ndryshe, të punosh për komunitetin jashtë interesave të ngushta partiake, për të mirën e qytetit, nëpërmjet bashkimit, dhe jo kundërthënies.

Janis Butaris, vazhdues i emrit të njohur në prodhimin e verës, biznesmen, enolog dhe verëtar i famshëm, përse synuat pozitën e kryetarit të bashkisë? Çfarë doni të ndryshoni në Selanik?
Gjithçka! Dua që Selaniku të bëhet një qytet i këndshëm, ku njeriu të dalë shëtitje, qytet për banorët e tij si edhe të kënaqë vizitorët. Një qytet mbushur me gjelbërim, i pastër, miqësor dhe njerëzor. Një qytet krijues, me dinamikë zhvillimi, i cili nuk përzë fëmijët e tij, dhe me të cilin mos të ndiejmë turp e faj. Dhe, që të arrihen të gjitha këto, duhet së pari të ndryshojë mentaliteti ynë. Duhet të vëmë në lëvizje banorët e Selanikut, që të punojnë për qytetin e tyre. Gjithashtu, synojmë që t’i kthejmë Selanikut identitetin e tij historik, duke e kthyer në pol tërheqës për turistët që të shohin historinë tonë bizantine, hebreje dhe otomane, me një fjalë, të nxjerrim në pah pasuritë e pashfrytëzuara të tij, civilizimin me kuptimin e gjerë dhe historik të termit. Nuk isha i marrosur pas idesë për t’u bërë kryebashkiak. Ishte rruga ime e natyrshme që më çoi atje, në fillim si qytetar aktiv dhe pastaj si këshilltar bashkiak. Gjykova se kështu si funksionon ky sistem, vetëm nga pozicioni i kryebashkiakut mund të realizoja ëndrrat e mia për të përmirësuar gjendjen e qytetit, duke i shërbyer atij me mënyrën më të mire të mundshme. Për mua, pjesëmarrja në politikë nuk është profesion dhe duhet të japësh nga vetja, dhe jo të marrësh. Veç kësaj, pjesëmarrja në problemet shoqërore gëlon në dejet e familjes sime. Gjyshi im, Janis Butaris, ishte këshilltar bashkiak para çlirimit të Selanikut më 1912, babai im ishte dy herë kandidat për këshilltar bashkiak dhe mbi 20 vjet ishte president i Ligës së Prodhueseve grek të Verës. Ishte më së e natyrshme pra, që biri i një familje të tillë të ofronte veten e tij për komunitetin duke harxhuar kohë, por edhe para për të mirën e përgjithshme. Si fillim, shërbeu pjesëmarrja ime në Bashkimin e Qytetarëve për Ambientin dhe Kulturën, pastaj u zgjodha këshilltar bashkiak duke arritur kulmin me krijimin e “Iniciativës për Selanikun”, që krijuam bashkë me dy këshilltarë të tjerë bashkiak. Të tre ne vinim nga krahë të ndryshme politike, fakt që pasuroi më shumë bagazhin tonë ideor. Si rezultat, populli na besoi drejtimin e Bashkisë.

Cili është dallimi midis biznesmenit dhe kryebashkiakut ?
Dallimi është shumë i madh, por varet nga këndvështrimi i secilit. Ndonjëri mund të thotë se kryebashkiaku funksionon ashtu si biznesmeni. Ai kujdeset që biznesi të mos venitet, krijon kushtet për mbarëvajtjen dhe fuqizimin e tij, ndan fitimet e aksioneve midis aksionerëve – ashtu si kryebashkiaku krijon kushte më të mira në dobi të qytetarëve – dhe përpiqet të administrojë sa më mirë buxhetin që ka. Nga ana tjetër, kjo nuk nënkupton se mbushja e skenës politike me biznesmenë do t’i zgjidhte me shkop magjik problemet e shoqërisë. Sepse, dallimi i madh qëndron në faktin se kryebashkiaku nuk është aty për t’u pasuruar, ashtu siç do të vepronte natyrshëm një biznesmen, por për t’u përkushtuar. Politika nuk është profesion, as edhe futja në politikë nuk përbën karrierë. Drejtimi i shtetit, i prefekturës dhe i bashkisë është rezultativ, kur ne e konceptojmë pjesëmarrjen tonë mbi të gjitha si detyrim ndaj qytetarit.

Çfarë është Selaniku – bashkë-kryeqytet i Greqisë, bashkë-mbretëreshë e Bizantit, kryqëzim i Ballkanit, porta e Ballkanit apo nënoke e vuajtur – siç thotë kënga?
Selaniku përfaqëson të gjitha ato, njëkohësisht asnjë nga ato, apo më shumë akoma. Dikur ishte nënoke e varfër kur u mbush me të ardhurit nga Azia e Vogël në 1922. Ishte bashkë-mbretëreshë, porti i dytë i Perandorisë Bizantine pas Stambollit, tani është bashkë-kryeqytet si qytet i dytë pas Athinës. Dikur ishte edhe udhëkryq i civilizimeve dhe i Ballkanit dhe, sipas mendimit tim, vazhdon të jetë akoma edhe sot. Por sot, kur Selaniku ka 3 Universitete, mjaft Institute dhe Kolegje të huaja dhe vendase, i ka kthyer kurrizin detit dhe vendeve fqinje, një qytet jo mikpritës dhe i izoluar. Selaniku sot nuk mundet të punësojë qytetarët e tij dhe duket se po venitet e vyshket, pa gjelbërim dhe parqe, pa kulturë qytetare. Selaniku tani është katandisur një qytet pa identitet, edhe pse i mbushur me pasuri kulturore dhe histori të madhe. Të gjitha këto më shtynë që të nxjerrim në pah historinë multikulturore të qytetit tonë, për të rigjetur identitetin e tij dhe të luajë përsëri rolin e tij në këtë pjesë të botës, të tërheqë turistë dhe gjithashtu të punësojë banorët e tij.

Cilat janë marrëdhëniet tuaja me partitë politike që ju mbështetën në votime, qëndrojnë ato në kuadrin e programeve ideore apo janë ndërtuar sipas ndarjeve të posteve bashkiake midis partive aleate? Bëj këtë pyetje nisur nga praktika shqiptare, ku postet ndahen sipas përqindjeve të votave, ashtu si nëpër “pazaret anadollake”.
Jo, pozitat në administratën bashkiake nuk u ndanë me kritere partiake, por sipas aftësive të njerëzve dhe aktivitetit të tyre. Kriter i rëndësishëm ishte mosha e tyre, shumica rreth të dyzetave, njerëz me dije dhe dëshirë, pa u përzierë më parë me politikë. Më përfolën qarqe të ndryshme politike kur zgjodhëm nënkryetarët e Bashkisë, për faktin se nuk iu nënshtrova atij “pazarit anadollak”, që ju përmendët. Nuk mund të ndodhte ndryshe, sepse marrëdhëniet tona me partitë që na mbështetën ishin mbi baza ideore, me të cilat hartuam programin e grupimit tone. Me këtë program punuan më shumë se 150 persona gjatë fushatës zgjedhore. Grupimi ynë bashkiak është mbipartiak, përbëhet nga persona me aktivitete dhe prejardhje të ndryshme politike, por na bashkon të gjithëve dëshira për të punuar për qytetin tonë.

Qytetarët votuan idetë tuaja rreth pjesëmarrjes më të madhe të tyre në administrimin e Bashkisë. Cilat janë masat që do të merrni në nivelin strukturor dhe funksional të administratës për realizimin e ideve tuaja?
Ideja jonë synon së pari në ndërgjegjësimin dhe aktivizimin e qytetarit për problemet e lagjes së tij, e cila përbën qelizën e çdo qyteti. Bashkia nuk mund të bëj asgjë pa ndihmesën dhe bashkëveprimin e qytetarëve të saj. Krijuam administratën e re të Rinisë, Vullnetarizmit dhe Sporteve, me synim organizimin e qytetarëve në grupe të ndryshme, sipas dëshirës së tyre për të kontribuar në problemet e qytetit. Deri tani kemi organizuar 5 grupe të tilla në sektorët e ambientit dhe pastërtisë, rinisë, ndihmës sociale dhe shëndetit, arsimit. Jemi në fazën e organizimit të grupeve të think-tank pranë çdo zv.kryetari Bashkie. Punë e madhe po bëhet për kandidaturën e Selanikut si Kryeqytet Europian i Rinisë për vitin 2014. Rreth 500 qytetarë të organizuar në grupe pune sipas fushave të ndryshme, hartuan dosjen e kandidaturës së Selanikut.

Kur përmendni pjesëmarrjen e qytetarëve në qeverisjen lokale, a keni parasysh se një përqindje e madhe e tyre janë emigrantët ekonomikë, të cilët jetojnë këtu duke paguar të gjitha taksat bashkiake, ashtu si qytetarët grekë? Edhe pse ligji u dha të drejtën, pjesëmarrja e tyre e vogël në zgjedhjet e vjetshme vendore shpreh protestën e tyre për trajtimin që u bën shteti grek? Cili është programi juaj për këtë kategori qytetarësh, z. kryetar?
Të jemi të sinqertë, emigrantët janë një kategori qytetarësh, të cilët u shfrytëzuan nga interesa të ndryshme duke u dhënë premtime boshe. Dhe ata na e kthyen kusurin me bojkotim të pjesëmarrjes së tyre në zgjedhjet vendore. Bashkia e Selanikut nuk ka fuqi vendimmarrëse në politikën shtetërore të emigrimit, por ne përjetojmë çdo ditë problemet e tyre. Tani jemi në fazën e ngritjes së Këshillit të Emigrantëve, siç e përcakton ligji i ri i pushtetit vendor. Po organizojmë ngritjen e zyrave të Shërbimit ndaj Emigrantëve në çdo minibashki. Paralelisht po merremi me dy probleme për organizimin e vendeve të tregjeve për shitësit ambulantë, si edhe me ngritjen e kulteve të faljes për rreth 5000 besimtarët myslimanë që jetojnë në Selanik. Kemi gjithashtu në program shumë veprimtari të tjera. Të mos harrojmë se Selaniku ishte gjithmonë qendër e pranimit të emigrantëve, duke filluar me ardhjen e hebrenjve nga Spanja para shumë shekujsh, ardhjen e grekëve të Azisë së Vogël dhe sot të atyre nga ish-Bashkimi Sovjetik deri tek ardhja e emigrantëve shqiptarë këto vitet e fundit.

Greqia ndodhet në një krizë të madhe, ku po vonon të duket dritë në fund të tunelit. Si mendoni, a janë analizuar shkaqet e krizës dhe cilat janë idetë tuaja për daljen nga kriza?
Greqia është zhytur në krizë pikërisht prej politikave që u ndoqën prej dhjetëra vitesh. E si mund të mbijetojë një sistem, i cili rronte duke ngrënë veten e tij?! Vetëm kështu mund të krahasoj administratën tonë abuzive të tejmbushur me nëpunës, ndërtimet e pafund mbi çdo gjelbërim dhe bregdet, qytetet tona në anarki urbanistike, marrëdhëniet klienteliste, ryshfeti, një korrupsion tërësor. Besoj se pak a shumë të gjithë ne e kuptojmë pse u katandisëm këtu, i kemi kuptuar shkaqet që sollën këtë krizë. Për tejkalimin e kësaj gjendjeje duhet që të gjitha forcat politike të lënë mënjanë interesat e vogla partiake. Nga ana tjetër, nuk mjafton vetëm ulja e shpenzimeve, por vendi ka nevojë për një perspektive zhvillimi.

Frymëzohen neogrekët nga civilizimi dhe kultura e lashtë greke apo ai shërben vetëm si trashëgimi muzeale dhe përfitim turistik?
Civilizimi dhe kultura e lashtë greke mund të përcillet tek greku i sotëm nëpërmjet sistemit edukativo-arsimor. Por, fatkeqësisht, ne kemi humbur orientimin duke na përmbytur koncepti perëndimor i shoqërisë së konsumit si mënyrë jetese. Dhe tash për tash, paraardhësit tanë funksionojnë vetëm ashtu si e përcaktuat ju – si objekte muzeale dhe përfitime turistike.

Është për t’u përshëndetur sinqeriteti juaj lidhur me historinë e Selanikut. Vërejmë me interes nismat tuaja radikale për zgjerimin e marrëdhënieve me vendet fqinje. Mund të na shtjelloni idetë tuaja dhe mënyrat e realizimit të tyre?
Faleminderit për përcaktimin e ideve të mia si radikale, edhe pse unë personalisht i shoh ato thjesht si pragmatiste. Selaniku e ka detyrim të tregojë të shkuarën e tij kur hebrenjtë i jepnin jetë qytetit, dhe jo vetëm të kujtojë ata që u zhdukën nga nazistët. Gjithashtu, kemi rastin të zhvillojmë turizmin me Izraelin. Pas vizitës që bëra unë atje, një tur operator izraelit do të sjellë në Selanik rreth 140 000 turistë hebrenj. Ashtu edhe për të ardhur në Selanik 300 000 turistë turq, është më se e mundshme, po të kesh parasysh mijëra grekë që vizitojnë Shën Sofinë në Stamboll, ashtu edhe turqit do të duan të vizitojnë këtu shtëpinë ku lindi Mustafa Qemal Ataturku dhe shumë objekte të tyre kulti në Selanik, i cili ishte qyteti i dytë i Perandorisë Otomane. Detyra jonë është pra t’i ftojmë këta njerëz të vizitojnë qytetin tonë. Gjithashtu, kemi filluar riaktivizimin e marrëdhënieve me qytetet që jemi binjakëzuar, ku planifikojmë edhe të tillë drejt Shqipërisë.

Ballkanasit nuk ndjehen krenar me njollën që ka kjo zonë si “fuçi baruti”. Ballkanasit duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët të mirëkuptimit. Qarqet përparimtare këtu përshëndetën qëndrimin e administratës bashkiake kur mori masa ndaj një gazetareje të bashkisë, kur përdori termin “Vorio Epir” në vend të atij zyrtar Shqipëri e Jugut. Si mund të çlirohemi nga kthetrat tinëzare të së shkuarës dhe çfarë mendoni për marrëdhëniet Greqi-Shqipëri?
Ato kthetra nacional-patriotike e kthyen Selanikun në një qytet ksenofob, të izoluar dhe mbyllur nga Ballkani, zona e tij e marrëdhënieve të natyrshme historike. Bashkia nuk ushtron politikë të jashtme, përgjegjës për këtë janë qeveria dhe Ministria e Jashtme. Por Bashkia duhet të kryejë detyrën e saj – të respektojë politikën e jashtme të shtetit – dhe aty nuk përdoret termi “Vorio Epir”. Bashkia mund të zhvillojë diplomacinë e qyteteve duke vendosur lidhje bashkëpunimi me Bashkitë e vendeve të tjera. Gjithashtu, bashkia do të kujdeset veçanërisht për qytetarët e saj të huaj, të cilët nuk i konsideron të dorës së dyte, por thjesht të ndryshëm nga vendasit grekë. Marrëdhëniet e Greqisë me Shqipërinë janë të ngushta dhe unë personalisht kam në plan të vizitoj Tiranën dhe qytete të tjera shqiptare në kuadër të politikës së bashkisë për hapjen ndaj fqinjëve të tij. E theksoj se është më mire të kesh marrëdhënie miqësore me fqinjët, sepse me bashkëpunim mund të bëjmë çudira, ndërsa me kundërthënie dhe konflikte ka vetën një përfundim – do të mbetesh i vetmuar. Më 8 maj ju zhvilluat zgjedhjet vendore dhe unë uroj rezultate pozitive për një pushtet të fortë vendor.
Intervistoi: Dr. Luan Zyka/Panorama

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 09/05/2011. Filed under Politika Botërore. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.