Widgetized Section

Go to Admin » Appearance » Widgets » and move Gabfire Widget: Social into that MastheadOverlay zone

Shkodra heroike vazhdon luftën me ujin, përmbytjet në ditën e 6-të

Lexuar 1532
Përmbytjet në ditën e 6-të, Shkodra vazhdon luftën me ujin.
Basha: Moti i paqëndrueshëm, duhet të evakuoheni. Emergjenca, dhjetra mjete në dispozicion për të përmbyturit. Shpërndahen dhjetra tonë ushqime e ndihma.

Shiu ndaloi, por lagjet e Shkodrës vazhdojnë të jenë nën ujë, ndërsa helikopterët dhe mjetet lundruese kanë evakuuar më shumë se 14 mijë persona. Dita e kthjellët nuk ka sjellë shumë të mira për banorët e zonave të përmbytura dhe qëndrueshmëria e motit është e pagarantuar, për këtë arsye ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, që ndodhej dje në zonën e Dajçit, bëri sërish thirrje për evakuim të banorëve që tashmë janë të rrethuar nga uji. “Situata është ende e rëndë dhe ende nuk mund të flitet për përmirësim të saj, për këtë arsye u bëj thirrje banorëve që ndodhen ende në shtëpitë e tyre, t’u përgjigjen thirrjeve të kryepleqve dhe kryetarëve të komunave për evakuim”, – theksoi ministri i Brendshëm, që prej ditësh ndodhet në Shkodër. Basha theksoi se mjetet ajrore dhe lundruese në dispozicion janë të shumta dhe se atje ku nuk është pranuar evakuimi, është ndërhyrë duke dhënë ndihmë në ushqime e ujë. Sidoqoftë, ai shprehu edhe një herë domosdoshmërinë për lëvizjen e banorëve nga zonat e mbuluara prej ujit.

Ndërkohë, Shkodra është futur në ditën e 6-të të përmbytjes. Pas shumë ditësh me reshje, në zona të tëra nuk ka më rrugë për të ecur, por vetëm hapësira për të lundruar. Në lagjet periferike Xhabie, Tophane, Ajasëm, Bahçallëk dhe “Salo Halili” niveli i ujit shkon deri në 1 metër e 50 cm. Moti është përmirësuar, por nuk dihet sa do të zgjasë kjo ndalesë e shiut. Referuar të dhënave zyrtare të Shtabit të Emergjencave, janë 14 mijë hektarë tokë nën ujë, një zonë që përfshin rreth 5 mijë shtëpi. Më të rrezikuarit nga përmbytjet janë evakuuar dhe numri i tyre shkon në 14 mijë vetë. Në këtë situatë, uji i pijshëm është jetik dhe për këtë çështje po merret Shtabi i Përgjithshëm i Emergjencave. Ky i fundit po drejton edhe operacionin për furnizimin e banorëve me ushqime, i cili po bëhet me helikopterë në zonat ku rrugët janë të bllokuara dhe me mjete të rënda, nga ku qarkullimi prej ujit është i mundur. Janë shpërndarë dhjetra tonë ujë, ushqime e karburant. Ndihmat e shpërndara fillojnë që nga uji, buka, fasulet, orizi, makaronat, koncentrati për bagëtitë, si dhe mijëra litra naftë e benzinë për barkat që janë vënë në shërbim të qytetarëve në qytetin e Shkodrës e më gjerë.

Zonat ku operacioni i furnizimit me ushqime vijon me intensitet, si prioriteti kryesor pas kujdesit për evakuim e shpëtim jetësh njerëzore, është shtrirë në Bashkinë e Shkodrës dhe komunat Dajç, Guri i Zi, Bushat, Bërdicë, Velipojë, Ana e Malit dhe Rrethina. Frika nga sëmundjet në një situatë si kjo mbetet e pranishme në çdo moment, ndaj dhe medikamentet po shpërndahen në të gjithë zonën.

Sikurse raporton Shtabi i Emergjencës, kritike mbetet situata në komunat Bushat, në Malin e Jushit, ku uji ka depërtuar drejt fshatrave Barbullush, Rranza dhe Fshat i Ri, duke e shndërruar zonën e Nënshkodrës në një liqen. Edhe komuna e Dajçit dhe ajo e Velipojës janë të bllokuara dhe aty mund të shkosh vetëm me varka.

Mjaft biznese shqiptare i janë përgjigjur thirrjes për ndihmë për banoret që prej ditësh po vuajnë pasojat e përmbytjeve të mëdha. Kompani të mëdha kanë ndërmarrë një nismë humanitare, duke u ardhur në ndihmë banorëve me ujë të pijshëm, lëngje frutash, produkte ushqimore, si vaj, sheqer, makarona, biskota, kafe.

Të dhëna

Pako ushqimore 3 mijë copë

Buke 8 mijë copë

Ujë i pijshëm 80 tonë

Oriz 2.2 tonë

Makarona 90 kuintalë (kw)

Vaj ushqimor 10 kw

Fasule 6 kw

Sheqer 8 kw

Miell 20 tonë

Konserva mishi 36 kw

Detergjente 10 kw

Set fjetjeje 2 mijë copë

Koncentrat për bagëti 48 tonë

Naftë 3 mijë litra

Benzinë 3 mijë litra

Rrugët, situata deri në mbrëmjen e djeshme

Ministria e Punëve Publike dhe Transporteve njofton se situata e rrugëve, e shkaktuar nga reshjet e shumta të shiut, të cilat kanë shkaktuar ngritje të nivelit të lumenjve tej normave si dhe rrëshqitje të dherave, është përmirësuar, ndërsa ka ende rrugë me probleme në disa zona. Situata dje paraqitej si më poshtë:

Në segmentin rrugor Qafë-Mali – Fierzë, në vendin e quajtur Arrëz Miliska, ka çeduar 50 cm trupi i rrugës në një gjatësi prej 50 ml. Është punuar nga firma kontraktore për karikimin e rrugës, për pasojë qarkullimi i mjeteve kryhet me vështirësi për mjetet e ulëta.

Qarkullimi i mjeteve për në Shkodër bëhet nga Mjeda, ndërsa qarkullimi për në Muriqan kryhet vetëm me mjetet e ushtrisë.

Rruga për Shirokë është e bllokuar.

Në hyrje të qytetit Shkodër, para Uurës së Bunës dhe te vendi i quajtur “Harku i Bërdicës” rruga është e pakalueshme, pasi ka përmbytje të rrugës me lartësi të ujit rreth 1.7 m mbi rrugë.

Segmenti rrugor Shkodër – Harku i Bërdicës – Velipojë është i pakalueshëm, pasi është rritur niveli i ujit deri në 1.8 m. Është pezulluar qarkullimi i mjeteve nga rrugët dytësore.

Segmenti rrugor Koplik – Dedaj – Bogë është hapur për trafikun

Në segmentin rrugor Shkodër – Hani i Hotit, tek degëzimi për Tamarë, në distancë rreth 1 km pa shkuar në Doganë, rruga është e bllokuar, pasi uji mbi rrugë është mbi 1 m. Kalimi, vetëm për mjetet e rënda.

Në segmentin rrugor Krumë – Kam, është shembur një mur mbajtës me gjatësi rreth 30 ml në afërsi të Skatinës. Është vendosur sinjalistika përkatëse, qarkullimi i mjeteve kryhet me një kalim.

Në segmentin rrugor Bajram Curri – Fierzë, km 11, lumi ka marrë murin mbajtës të rrugës (shembur), rruga qarkullohet me një kalim.

Në Shishtavec ka shembje të herëpashershme, por mjetet janë duke punuar për ta bërë rrugën të kalueshme edhe për mjetet e ulëta.

Segmenti rrugor Bujan – Fierzë vazhdon të ketë të njëjtat probleme. Në këtë vend punëtorët dhe makineritë e DRRR Kukës kanë qenë të pranishme dhe kanë bërë ndërhyrjet e nevojshme për riparimet e përkohshme, në mënyrë që të mos pengohet qarkullimi i automjeteve.

Segmenti rrugor Sopot – Bujan, vazhdon të ketë të njëjtat probleme në Urën e Bujanit, si pasojë e reshjeve të shumta dhe fryrjes së lumit Valbonë.

Ne aksin Lozhan – Moglicë ka shkarje. Rruga është e kalueshme vetëm për mjetet e larta, si pasojë e prurjeve të aluvioneve nga lumi

Në segmentin Peshkopi – Muhurr – Qafë-Drajë, rreth 5 km larg Muhurrit, vazhdon të jetë e bllokuar. Pjesa deri në Reç është hapur nga mjetet e DRRR Dibër.

Në segmentin rrugor nga Burreli në Milot në 30-40 vende, kanë ndodhur shkarje dhe rruga është me një kalim.

Në afërsi të nyjes së asfaltit të Burrelit ka dy shembje, rruga është e kalueshme vetëm për mjetet e vogla. Në kthesat e Klosit rruga është me një kalim.

Në Bulqizë kalohet përmes qytetit, pasi unaza vazhdon të jetë e përmbytur.

Në segmentin rrugor Cërrik – Gramsh, është përmbytur Ura e Banjës. Lartësia e ujit mbi urë është rritur akoma më shumë, duke përfshirë edhe disa pjesë të këtij segmenti, të cilat tashmë janë nën ujë. Ky aks vazhdon të jetë i përmbytur, është i bllokuar, qarkullimi kryhet nga aksi Gramsh – Drizë – Kaçivel – Llixhë.

Në segmentin rrugor Përmet – Çarshovë, në Badlonjë është hapur për trafikun.
Aksi rrugor Gjirokastër – Subash është hapur për trafikun.

Në pjesën fundore të aksit rrugor Lushnjë – Fier rruga vazhdon të jetë e përmbytur. Qarkullimi i automjeteve kryhet nga rruga e vjetër. Nga ana e DRRR Fier është vendosur sinjalistika përkatëse.

Në segmentin rrugor Rrashbull – 4 Rrugët e Shijakut, niveli i ujërave ka rënë ndjeshëm, qarkullimi i mjeteve kryhet normalisht.

***

Katastrofa në Shkodër 11,500 banorë lënë shtëpitë.
Policia dhe ushtria në gatishmëri, evakuohen edhe 2600 familje. Fillojnë përmirësimet e motit, mesi i javës së ardhshme parashikon rifillimin e reshjeve

Situata e rënduar nga përkeqësimi i motit vazhdon, ndonëse në disa qytete në mesditë ka pasur ndërprerje të reshjeve dhe hapje të kohës. Parashikohet që në ditët në vazhdim të ketë një përmirësim të dukshëm të motit dhe ndërprerje të shirave, të cilat pritet të fillojnë nga mesi i javës së ardhshme. Megjithatë, në qarkun e Shkodrës situata mbetet e rëndë dhe për shkak të shirave është zgjeruar harta e përmbytjeve afro 14 ha, ndërkohë që në zonat më problematike vazhdon evakuimi i banorëve nga ushtria dhe policia. Por, vihet re që prej ditës së djeshme ka pasur disi një rënie të nivelit të ujit në disa zona që deri dy ditë më parë ishin në gjendje të vështirë.

Burime zyrtare nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile bëjnë të ditur se rreth 1000 efektiva të Policisë së Shtetit dhe afro 500 efektiva të Forcave të Armatosura kanë vijuar punën për evakuimin e banorëve nga zonat e përmbytura. Banorët e evakuuar janë strehuar në objektet e vëna në dispozicion nga pushteti vendor ose pranë të afërmve në zonat që nuk janë prekur nga përmbytja. “Nga zonat e përmbytura janë evakuuar 2623 familje me 11023 persona. Sipërfaqja e tokës së përmbytur rezulton 13 950 ha. Të rrethuara nga uji gjenden 4597 shtëpi, ndërkohë janë të përmbytura 2561 shtëpi”, njoftoi dje në mbrëmje Shtabi i Emergjencës.

Efektivat e Policisë së Shtetit dhe të Forcave të Armatosura që po veprojnë në terren krahas evakuimit të banorëve po kryejnë edhe furnizimin me ushqim, ujë të pijshëm e veshmbathje të banorëve të evakuuar, e po kështu po angazhohen për përforcimin e argjinaturave. Strukturat policore kanë marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në të gjithë territorin e veçanërisht në zonat e përmbytura. Situata shëndetësore është nën kontroll dhe është koordinuar puna me strukturat policore dhe ushtarake për transportimin e ekipeve mjekësore. Drejtoria Rajonale e Rrugëve në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Shkodër kanë vendosur shenjat dhe kufizimet në akset rrugore problematike.

Gjendja e rrugëve

Gjendja e disa akseve rrugore në qarkun e Shkodrës vazhdon të jetë problematike. Është i bllokuar aksi i rrugës nacionale Shkodër – Tiranë, tek Harku i Bërdicës. Aksi rrugor Shkodër – Velipojë është i pakalueshëm në vendin e quajtur Ura e Gjolulit. Tek Ura e Bunës është kufizuar qarkullimi i mjeteve për shkak të rritjes së nivelit të ujit sipër dyshemesë së urës. Unaza e re nga vendi i quajtur shkolla “Sallo Halili” Ndocej, deri tek “Bexhisteni”, kalohet vetëm me mjete të larta pasi në rrugë është rritur niveli i ujit. Aksi rrugor nga Pesëkatëshi me urë në Xhabie deri tek Ura e Bunës (lokali “Freskia”) kalohet vetëm me mjete të larta. Rruga e Shirokës është e pakalueshme. Rruga për në komunën Ana e Malit dhe PKK Muriqan kalohet vetëm me mjete të larta. Aksi rrugor Shkodër – Velipojë është e pakalueshme në të dy krahët. Rruga për në komunën Dajç është e pakalueshme, ndërsa aksi rrugor Shkodër – Kir – Mali i Shoshit – komuna Shalë lëvizja kryhet me vështirësi. Aksi rrugor Bogë – Theth është i pakalueshëm (në Qafë-Terthorë ka rreth 1 m borë), ndërsa aksi rrugor Breg Lumi – Theth është e bllokuar si pasojë e shembjes së rrugës nga reshjet.

Në komunën Dajç janë dëmtuar argjinaturat në Rrushkull, Belaj, Samrisht, Pentar dhe Luarzë. Situata paraqitet e vështirë edhe në Malësinë e Madhe. Nga të dhënat zyrtare bëhet e ditur se aksi rrugor Tamarë – Vermosh kalohet me vështirësi në Qafë të Bordolecit, ndërsa aksi rrugor Tamarë – Vukël është i bllokuar nga shembja e dheut dhe po punohet për zhbllokimin e kësaj rruge. Akset e tjera rrugore janë të kalueshme nga automjetet. Disa shembje dheu ka pasur edhe në disa akse rrugore në Pukë. Më konkretisht, aksi rrugor Fushë Arrëz – Iballë është i bllokuar nga shembja e dheut si pasojë e reshjeve të rëna dhe po punohet për zhbllokimin e rrugës.

Aksi rrugor Fierzë – Tropojë është i bllokuar kalimi tek Ura e Hidrocentralit të Fierzës pasi ka gërryerje pranë urës nga vërshimi i ujit. Akset e tjera rrugore janë të kalueshme nga automjetet.

Në qarkun e Lezhës, forcat policore dhe ushtarake në bashkëpunim me Bordin e Kullimit po punojnë për përforcimin e argjinaturës së Torovicës. Në qarkun e Korçës mësohet se nga reshjet e shiut në fushën e Maliqit ka prezencë uji në ngastra të veçanta të saj.

Më e mirë paraqitet situata në qarkun e Durrësit, ku në Fushë-Krujë, niveli i ujërave në shtratin e lumit Zezë ka rënë duke lejuar pastrimin e aluvioneve nga banesat. Po kryhet pastrimi i kanaleve sipërfaqësore dhe rrugëve në mes të qytetit. Prezencë uji, por në nivele të ulëta vazhdon të ketë edhe në disa lagje dhe rrugë të brendshme të Bashkisë Durrës. Ndërsa në qarkun e Fierit, si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Gjanica ka prezencë uji në disa banesa në qytetin e Fierit.

Evakuimet në Shkodër

Komuna Ana e Malit  53 familje,  240 persona

Komuna Dajç       330 familje, 1550 persona

Komuna Bërdicë    768 familje, 3306 persona

Komuna Bushat     500 familje, 2000 persona

Komuna Gur i Zi    320 familje, 1300 persona

Komuna Velipojë    70 familje,  350 persona

Komuna Rrethina    20 familje,  102 persona

Bashkia Shkodër    562 familje,  2175 persona

Parashikimi i motit deri më 8 dhjetor

Dje, aktiviteti i fushës me presion të ulët atmosferik ka ardhur duke u dobësuar. Si rezultat parashikohet që të mbizotërojë mot i karakterizuar nga alternime vranësirash, të shoqëruara me shira me intensitet të ulët dhe kthjellimesh. Era do të fryjë e lehtë në bregdet mesatare me shpejtësi deri në 36 km/orë nga kuadranti i veriut. Temperaturat ekstreme të ajrit pritet të luhaten: në vendet malore, minimalja do të arrijë 3oC, ndërsa maksimalja deri në 6oC, në vendet e ulëta, temperatura minimale do të jetë 9oC, ndërsa maksimalja deri 12oC dhe në bregdet, temperatura minimale do të jetë 10oC, ndërsa maksimalja do të regjistrohet deri në 14oC. Ndërsa ditën e sotme, në datën 5 dhjetor, pritet përmirësim i kushteve të motit. Do të mbizotërojë mot i kthjellët me kalime vranësirash të çrregullta, të cilat në bregdet mund të shoqërohen me ndonjë shi të dobët të izoluar. Era me shpejtësi deri në 36 km/orë do të fryjë nga kuadranti i veriut. Temperaturat ekstreme të ajrit , pritet të luhaten: në vendet malore minimalja do të arrijë -1oC, ndërsa maksimalja deri në 6oC, në vendet e ulëta, temperatura minimale do të jetë 8oC, ndërsa maksimalja deri 12oC dhe në bregdet, temperatura minimale do të jetë 9oC, ndërsa maksimalja do të regjistrohet deri në 13oC. Në datën 5-6-7 dhe 8 dhjetor, në përgjithësi do të mbizotërojë mot i kthjellët me kalime vranësirash të çrregullta, të cilat mund të sjellin ndonjë reshje të dobët me karakter lokal. Reshjet pritet të fillojnë përsëri në datën 9 dhjetor.

Gjirokastër, disa rrugët të bllokuara nga shembjet

Moti i keq ka përfshirë të gjitha qarqet në vend, por në disa prej tyre fatmirësisht nuk ka bllokime rrugësh dhe akset rrugore raportohen të kalueshme. Burime zyrtare nga Gjirokastra bëjnë të ditur se si pasojë e moti të keq, në këtë qark gjendja e rrugëve paraqitet e mirë. Në rrethin e Gjirokastrës të gjitha akset rrugore nacionale, si Gjirokastër – Sarandë dhe Gjirokastër – Tepelenë janë plotësisht të kalueshme dhe deri tani s’ka asnjë vështirësi për qarkullimin e automjeteve. Në aksin rrugor nacional Gjirokastër – Tepelenë në vendin e quajtur Hormovë ka pasur herë pas herë rënie gurësh në rrugë por që s’kanë bllokuar qarkullimin, pasi në këtë vend është instaluar një fadromë e Ndërmarrjes Rajonale Rruga-Ura, e cila bën pastrimin e herëpashershëm të këtij aksi. Akset rurale që lidhin komunën Lunxhëri me Gjirokastrën dhe komunën Antigone me Gjirokastrën janë të bllokuara pasi në një segment prej 100 metra ka dalë uji i lumit Drino mbi asfalt ku automjetet e vogla nuk qarkullojnë fare, por edhe automjetet e mëdha qarkullojnë me shumë vështirësi. Në aksin rrugor rural Gjirokastër – Lunxhëri në vendin e quajtur Ura e Aznakut rreth orës 08.30 të mëngjesit të ndjeshëm një automjet është bllokuar mbi urë si pasojë e ujit. Është ndërhyrë menjëherë nga Reparti Zjarrfikës dhe Patrulla e Përgjithshme e Policisë ku është bërë e mundur nxjerrja nga uji e automjetit dhe e personave që ishin brenda, ku s’ka pasur asnjë problem për jetën e tyre. Si pasojë e daljes së lumit Drino nga shtrati është nën ujë edhe nënstacioni elektrik i qytetit Gjirokastër.
Gazeta Standard

***

Fushë-Krujë, banorët në protestë: Qeveria të vijë që të shohë dëmet
Banorët e Fushë-Krujës kanë protestuar sot për indiferencën e pushtetit për dëmet që u janë shkaktuar nga përmbytjet.
Në qendër të zonës, ata janë mbledhur bashkë dhe kanë bllokuar rrugën kryesore, ne te dy anet duke penguar qarkullimin.
Sipas tyre, kjo është përmbytja e dytë në 20 ditë që po vuajnë, ndërkohë që pushteti vazhdon të qëndrojë indiferent.
Ata ankohen se nuk ka shkuar kush t’i shohë dhe bëjnë apel që autoritetet të shkojnë ndërkohë që dëmet janë lehtësisht të evidentueshme.
Pas protestes prefekti i Durresit ka zhvilluar nje takim me perfaqesues te zones per te njohur nga afer shqetesimit dhe pretendimet e banoreve.
Shekulli

Immagine anteprima YouTube





Immagine anteprima YouTube

Immagine anteprima YouTube

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 06/12/2010. Filed under Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

One Response to Shkodra heroike vazhdon luftën me ujin, përmbytjet në ditën e 6-të

  1. shkelqim

    07/12/2010 at 03:07


    Kur e pash Rozafen ne lot
    shpirti me ka dhembur shume
    dhimben s,mund t ja lehtesoj dot
    kur shef te birin te mbytur ne lume
    dhe ngrin dyfish murrosur kot
    ajo legjend hedhur mbi Bune
    sa keq qe kafshet vertete nuk njohin
    krijesen qe jete i dha
    dhembje vec dhembje mbi te derdhin
    dhe kafsha te ngopur kurre nuk ka

    Moj Shkoder loke djep shekullor
    ashtu ndertuar ne gurre e gjak
    ne malet tona shkembor
    me kengen dhe dashurine tende
    perkunde mijra dashuri
    dhe sot mbuluar nga uji
    varkat e kohes lundrojne tek ti

    Ata njeres qe u besuan
    gjakpiresve u dhane buken
    te vene cati e gjene e gjalle
    ne gjirin tend u futen
    dhe vdesin cdo dite nga gjak i pire
    kur te tjeret fryhen
    mbi lumenj qe zemra lidhin
    genjeshtren e tyre ngjyejn

    Ah moj loke Shqiperi
    Tomor me hidh nje shuk debor
    ta shkrij kete mall te femijeris
    dhe vrap te vij te mbeshtillem tek ti
    me lodhi mua mergimi
    skam aspak qetesi
    ku ta tregoj krimin
    qe mu be shekuj ne trup
    cdo dite duke me mohuar
    cdo dite te shoh se si ti humb
    dhe une….ah… jam e harruar

    Sa u dashka ta paguash
    te jetosh mbi kete toke
    ne gji te kurves keshtu te vuash
    kjo quhet mikja evrop
    qe po na varros sic do vet
    ne te njejten grop

    20 vjet kaluan me shprese
    te prek nje dite atdheun tim
    ta jetoj aty nje cast
    qofte dhe nje kujtim
    i kendoj kaq here heshtur
    zgjohem kaq here me lot
    te gjitha vendet i kam bredhur
    atdhe Ty ste harroj dot
    nuk me perzure ika vet
    se dhembja ime ish pa Zot
    Kish fytyre bishe …
    si e kane keta kriminela
    qe me dhembje nuk kane sosur
    ata… keta qe sot si gjela
    ngrefen tribunave te persosur
    duar te genjeshterta shtrengojne
    firmosin per ditezine
    me fatin tim dhe fatin tend
    cdo dite groposin Shqiperine

    Kam heshtur dhe do hesht o miq
    nuk eshte me lufta ime
    cdo ender pa dashur brenda meje vdiq
    kycur me vula shprese e vec premtime
    Atdhe je ti keshtu per mua… ANIJA IME

    Rozaf hidhme nje shege te lutem
    kam deshire ende te shpresoj
    se shega ky frut i embelsise
    me ben qe shpirtin te lehtesoj
    Shkoder hidhma kapiten Ashikun
    barkat futi ne Anijen time
    Le ta caje edhe kete rrebesh
    me ty atdhe ne zemer
    bej edhe mijra shtegtime
    vec me prit aty ne breg te sjell ..ah….
    ….

    Puthjen e fundit
    Zemren malluar kengen time…

    Madi dhjetor 2010

    ©M.Kelmendi2007