Widgetized Section

Go to Admin » Appearance » Widgets » and move Gabfire Widget: Social into that MastheadOverlay zone

Parlamenti shqiptar: Grushta, dhunë dhe skenar shkatërrimi/video

Lexuar 2987
Sterkaj provokon, Prenga godet Palokën. Mazhoranca nis votimin e ligjeve, opozita ikën nga salla

Dhuna e nisur nga opozita të premten e 21 janarit u zhvendos dje në Parlamentin e Shqipërisë. Debati i ashpër mes mazhorancës dhe opozitës u shoqërua edhe me konfrontim fizik mes deputetëve. Gjatë fjalës së ligjvënësit demokrat, Edi Paloka, ndërhyri ligjvënësi socialist, Paulin Sterkaj, i cili i mori mikrofonin nga dora, por pa u konfrontuar fizikisht me të. Dhuna vijoi nga deputeti tjetër i PS-së, Armando Prenga, i cili u afrua menjëherë dhe e goditi me grusht Palokën. Menjëherë pas këtij momenti ndërhynë deputetët e tjerë të mazhorancës dhe opozitës, por edhe garda, për të qetësuar situatën, ndërsa Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, pasi paralajmëroi Sterkajn, ndërpreu seancën. Konfrontimi vijoi edhe pas rinisjes së seancës plenare, e cila u shoqërua më tej me bojkotin e opozitës.

Debatet

Seanca e djeshme plenare nisi me një minutë heshtje në nderim të 4 viktimave të 21 janarit, edhe pse opozita kontestoi fort komentet e Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli lidhur me demonstratën e dhunshme të opozitës. Seanca vijoi më tej me akuzat e forta të kreut të deputetëve socialistë, Gramoz Ruçi, ndaj qeverisë. “Erdhëm me përgjegjshmëri në këtë seancë që të vinim përpara përgjegjësisë urdhëruesit dhe ekzekutorët e atyre shqiptarëve që nuk jetojnë më. Në vend që të ndodhte kështu, ju me qëndrimin që mbajtët, treguat se jeni bashkëfajtorë dhe bashkëpërgjegjës me ngjarjen makabre të 21 janarit. Kjo qeveri nuk sheh interesat e veta, por ato personale. Ju pret gjyqi i drejtësisë, por edhe ai i shoqërisë”, – tha Ruçi. Menjëherë u përgjigj kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, i cili bëri përgjegjës për vdekjen e katër protestuesve kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe strategjinë e tij. “Unë nuk dua ta identifikoj Partinë Socialiste me atë bandë që sulmoi Kryeministrinë, por me sa ka ndodhur pas 21 janarit, e kam të vështirë ta ndaj atë nga përpjekja për të marrë pushtetin me dhunë. Përfytyroni o shqiptarë, se çfarë fytyre do të kishte qeveria e imagjinuar prej Ramës, me ata horra dhe banditë që sulmuan Kryeministrinë. Rama një gjë duhet ta dijë mirë, se nuk do të ketë më shans për të sulmuar shtetin me dhunë. Sot bëre sërish thirrje për dhunë, por duhet ta dish mirë dhe ta harrojë kush se duhet të shantazhojë mazhorancën legjitime, do keni përgjigjen e merituar”, – tha ai. Seanca vijoi me debate, ndërsa socialisti Ruçi kërkoi përsëri fjalën. Ligjvënësit socialistë u çuan në këmbë, dhe ndërsa vendoseshin pranë foltores, shanin dhe akuzonin mazhorancën. “Vrasës, hajdutë, kriminelë” ishin thirrjet në kor të deputetëve socialistë, ndërsa Ruçi mori fjalën për herë të dytë, kërkoi praninë në Kuvend të Kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha. Pas tij, mes thirrjeve të opozitës mori fjalën deputeti Edi Paloka. “Në 21 janar ishin këta që organizuan dhunën, ishin këta që organizuan banditë dhe vrasës ordinerë për të marrë pushtetin për Edvin Ramën. Sot nuk po bëjnë gjë tjetër më shumë se t’u thonë shqiptarëve, ja se kush jemi ne, për të marrë pushtetin për një këlysh të Bllokut, bashkë me këlyshë të tjerë të organizuar më 21 janar”, – tha ai, ndërsa iu ndërpre fjala nga Sterkaj, që i mori mikrofonin me dhunë. Pavarësisht nga acarimet e momentit, të dy deputetët e mbajtën veten dhe situata nuk degjeneroi në dhunë. Por krejt papritur, deputeti tjetër i PS-së, ai i qarkut të Lezhës, Armando Prenga, ka goditur Palokën me grusht në fytyrë. Kryeparlamentarja ndërpreu seancën. Edhe rinisja e saj ishte përsëri me debate të forta. Topalli tentoi të vazhdonte seancën parlamentare dhe i dha fjalën ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, por deputetë të opozitës vazhduan të qëndronin para foltores së Kuvendit. Ndërkohë, një grup gardistësh u vendosën para podiumit të ministrave, duke ndarë deputetët PS-së dhe ministrat e kabinetit qeveritar. Pas debateve me Imamin mazhoranca nisi votimin e projektligjeve, ndërsa opozita braktisi sallën.

LSI: Opozita, dhunë mbi institucionet si më 21 janar

Lëvizja Socialiste për Integrim dënoi dje aktet e dhunës të ndodhura në Parlamentin e Shqipërisë gjatë seancës plenare ku një deputet i PS-së u konfrontua fizikisht dhe qëlloi me grusht deputetin demokrat Edi Paloka. Në një konferencë për shtyp, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, tha se dhuna në Parlament është e papranueshme.
“Me aktet e dhunës në Parlament, Partia Socialiste përçoi në këtë institucion qëndrimin e dhunshëm të nisur që në datën 21 janar”, – tha zyrtari i LSI-së, Luan Rama.
Sipas tij, aktet e deputetëve të opozitës në Kuvend shprehin qartë filozofinë e dhunës që karakterizon Partinë Socialiste.

Debatet në Kuvend

Jozefina Topalli: Meqenëse zoti Ruçi ka folur 34 minuta, zoti Patozi do ma thoni ju, do ndjek minutazhin. Zoti Olldashi ka fjalën.

Çohet Ruçi kërkon fjalën pas tij dhe deputetët e tjerë.

Jozefina Topalli: Ka rregull, ka rregullore. Rregullorja nuk parashikon që të flisni 34 minuta, si kryetar grupi mund të flisni 10 minuta. Zoti Ruçi uluni dhe respektoni rregulloren. Keni folur 34 minuta, u kam dhënë një të drejtë që nuk ua jep ligjin. Ju e njihni ligjin zoti Ruçi, respektojeni. Kur të vijmë te ligjet flisni përsëri.

Ndërhyn opozita.

Jozefina Topalli: Rregulloren e kam të shtrenjtë, ligjin e kam të shtrenjtë dhe do e respektoj. Ju lutem, zini vendin.

Balla: S’ka rregullore siç do ti. Ka të drejtën e replikës. Jepi fjalën.

Jozefina Topalli: Për replikë ua jap fjalën. 2 minuta.

Namik Dokle: 200

Jozefina Topalli: Jo more Namik, jo 200, bëji në asamblenë tënde, jo këtu.

Gramoz Ruçi: Zonja drejtuese e seancës dola këtu vetëm për një gjë, ka ndodhur në këtë vend një gjëmë e madhe dhe unë në emër të opozitës akuzova pushtetit tuaj, Kryeministrin tuaj, ministrin tuaj. Janë vrarë katër jetë shqiptarësh. Kushdo mund të mungonte por dy persona nuk mund të mungonin, kryeministri dhe ministri i Brendshëm. Të vijë qeveria këtu, të vinë ata këtu të përgjigjen para popullit.

Jozefina Topalli: Në 21 janar, 5 orë rresht keni rrethuar qeverinë. Më 22 kam thirr konferencën dhe ju keni bojkotuar. Të dielën kam thirr konferencën dhe u mblodh seanca. Pse nuk erdhët? Çfarë frike kishit? Çfarë fshihnit? Përmbysjen me dhunë të pushtetit harrojeni. Kush ju thirri, kur ju paralajmëroi, kush e sulmoi Kryeministrinë?

Sokol Olldashi merr fjalën.

Opozita në këmbë: Vrasës, kriminelë, hajdutë

Mazhoranca duartroket fjalën e Olldashit

Edi Paloka: …Sot nuk po bëjnë gjë tjetër më shumë se t’u thonë shqiptarëve, ja se kush jemi ne. Për të marrë pushtetin për një këlysh të Bllokut, bashkë me këlyshë të tjerë të organizuar më 21 janar…

Paulin Sterkaj: Pusho (i merr mikrofonin Palokës).

Armando Prenga afrohet menjëherë dhe godet Eid Palokën.

Ndërhyjnë deputetët, largojnë Prengën.

Jozefina Topalli: Mbyllet seanca. Zoti Sterkaj të tërheq vëmendjen. Largohu zoti Sterkaj. Mbyllet seanca. Largohen kamerat. Mbyllet seanca, largohet media.

Manjani, akuza prokurorisë: Skandal, nxjerrja e të dhënave hetimore

LSI-ja e cilësoi dje nxjerrjen e të dhënave hetimore nga prokuroria për 21 janarin si një skandal të papranueshëm dhe si një shkelje e hapur të ligjit procedural penal. Sipas Ylli Manjanit, të dhënat hetimore që janë marrë nga prokuroria e shteti, në rastin e hetimit të ngjarjeve të 21 janarit po përhapen dhe kjo është një shkelje e hapur të ligjit procedural penal, por dhe të ligjit penal. Sekretari për Çështjet Zgjedhore në LSI, duke e cilësuar këtë, “akt të pashembullt, një skandal të pashembullt tha se nuk shkon për shtat me parimet e shtetit të së drejtës, nuk shkon për shtat me parimet e një hetimi të drejtë të paanshëm dhe mbi të gjitha i të besueshëm”. Manjani shtoi se “mbi të gjitha kjo sjellje, komprometon një sërë parimesh kushtetuese për hetimin dhe në radhë të parë komprometon parimin e prezumimit pafajësisë. Dalja e dëshmive në publik, apo e të dhënave të tjera hetimore, në kundërshtim të hapur me sa parashikon kushtetuta e vendit por dhe ligji procedural penal është në fakt një arsye e fortë ligjore që nesër në gjykim këto të dhëna, këto prova, të mos konsiderohen, dhe ky është skandali. Duke mos i konsideruar këto të dhëna si prova në një gjykatë legjitime, i gjithë procesi është i kompromentuar dhe i gjithë procesi mund të rrezikojë, që të dështojë siç ka ndodhur për fatin e keq edhe në të shkuarën. Duke i zhvlerësuar këto hetime prishet drejtësia e mundshme e dhënë dhe mbi të gjitha prishet besimi i institucioneve të drejtësisë, në radhë të parë i prokurorisë së shtetit në sytë e opinionit publik dhe kjo është e papranueshme për LSI, prandaj jemi sot këtu për ti bërë apel, prokurores së përgjithshme, gjithë trupës së prokurorëve të këtij vendi, që të marrin përgjegjësitë që u jep detyra shtetërore që të marrin përgjegjësitë që u ngarkon ligji dhe të sigurojnë hetim të ndershëm, të lirë, të barabartë, të drejtë dhe mbi të gjitha të besueshëm”.
Suela Topi/Gazeta Standard

Immagine anteprima YouTube





Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 12/02/2011. Filed under Parlamenti shqiptar,Politika. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

One Response to Parlamenti shqiptar: Grushta, dhunë dhe skenar shkatërrimi/video

  1. agim

    13/02/2011 at 17:36


    Me urdhër të Edvin Ramës dhe me vulën e Bamir Topit u demonstrua Politika e Dhunës në parlament me konfliktin absurd të përdorimit të grushtit të deputetit socialist kundër kolegut të PD-ës.
    Binomi Rama-Topi janë në krizë për 21 janarin 2011. Kanë jë synim që të vazhdojnë zinxhirin e dhunëve mbi institucionet që të kaloji shqyrtimi i dhunës të 21 janarit në kalenda greke.