Widgetized Section

Go to Admin » Appearance » Widgets » and move Gabfire Widget: Social into that MastheadOverlay zone

Në prag të Ditës së Pavarsisë

Lexuar 1730
Shënime kritike nga Daniel Gàzulli(Pjesa 1)

HAJREDIN ISUFI:

“FEJA DHE FLAMURI”

 

- Dom Nikollë Kaçorri –

 

  1. 1.      PARATHANJA

 

Libri i Hajredin Isufit “FEJA DHE FLAMURI” ka tre vjet që asht botue, por megjithate ka kalue pothuej në heshtje.

E pra, në llojin e vet, atë të letersisë historike dokumentare, ky libër i ka të rrallë shokët.

Historiani Hajredin Isufi na ka sjellë një shembull të studimit të historisë të qëmtueme ndër arkiva me përkushtim e dashuni. Ai do të mbetet një liber model që ndriçon shumë skuta të errta të historisë sonë të fillimit të shek. XX. Kushdo që do të ulet me hartue Historinë e Shqipnisë për këte periudhë, nuk mund të mos ketë në të djathtë të tryezës së tij të punës këte libër shumë të vlefshëm, i historisë siç asht, jo si e kanë masakrue pseodohistorianë të ideologjizuem apo edhe të pamoral, jo rrallë edhe antishqiptarë.

Pasqyrimi i jetës, e sidomos veprimtarisë së Imzot Kaçorrit, nëpërmjet dokumentave origjinalë, asht një kontribut shumë i randësishëm jo vetëm për ndriçimin e kësaj figure, por të vetë historisë sonë të asaj periudhe.

Libri paraprihet nga një parathanje e shkrueme poaq me pasion e përgjegjësi shkencore nga Prof. Dr. Shaban Sinani.

Pikërisht për këte parathanje do të doja të thoja dy fjalë. Ma vonë do të dëshiroja t’i paraqisja lexuesit vepren e Hajeredin Isufit në kandvështrime të ndryshme kohore.

***

Prof. Dr. Shaban Sinani nuk e fillon me pompozitet, siç ndeshim random, parathanjen e tij. Ai natyrëshëm e me sinqeritet na thotë se “Emri i Dom Nikollë Kaçorrit më ka shoqëruar qysh nga fëmijëria. Kënga popullore që i kishin ngritur bashkëvendësit e tij në Lurë, prej së cilës mbaja mend gjithnjë vargjet “Dom Nikolla, shqipe malit / n’krah të djathtë të Ismail Qemalit”, për një kohë të gjatë ishte i vetmi njoftim historik rreth figurës së tij”. E ma tej vazhdon se “… ishte dhe s’ishte nënkryetar i qeverisë së parë kombëtare, ishte dhe s’ishte krahu i djathtë i Ismail Qemalit …”.

Sa i përket thanjes së Prof. Sinanit se “nuk ishte veshja klerikale ajo që i bënte hije rolit të tij”, por “… një pëshpërimë tinzare ..”, nuk jam krejt i një mendje, por le të lamë të rrjedhë bukur parathanjen plot mirënjohje të Profesorit për këte figurë madhore të histroisë sonë kombëtare.

Thotë Prof. Sinani: “Dom Nikollë Kaçorri kishte bashkuar në vetvete të gjitha vetitë më të mira të atdhetarëve shqiptarë të periudhës së Rilindjes dhe të kohës pas saj. Jo rastësisht qe gjendur në kuvendin e shpalljes së pavarvsisë në Vlorë më 1912. Jo rastësisht dhe aspak si klerik qe zgjedhur prej I. Qemalit në krahun e tij të djathtë”.

Ma tej Profesori shtjellon me argumente përse kjo “jo rastësisht”. Duke arrijtur në përfundimin se “Ai ishte i së njëjtës gjedhe me mendimtarët dhe veprimtarët e periudhës romantike, tek të cilët është vështirë të njësosh se cila është parësore e cila dytësore. Iluministi dhe misionari, kleriku dhe dijetari, kryengritësi dhe paqëtuesi ishte e vështirë të veçoheshin e të përshkruheshin tek ai”.

Atëherë, si shpjegohet që ai “… ishte dhe s’ishte nënkryetar i qeverisë së parë kombëtare, ishte dhe s’ishte krahu i djathtë i Ismail Qemalit …”, sa kohë që “Me mendimin dhe veprimin e Dom Nikollë Kaçorrit lidhen nisma, zhvillime, protagonistë, ngjarje, procese historike, fare pak të studjuara në shkencën historiografike shqiptare”? Ai, në “rolin e një rabini … meshtarë dhe mësues njëherësh, prift dhe mësues i shqipes …”, Ai, pra, pjesëmarrës në ato zhvillime të vrullëshme, deri edhe në “një akademi shqiptare kushtuar çështjes së alfabetit qysh në vitin 1902”, apo “Konferencen gjuhësore të peshkopëve për njësimin e shqipes …” ,frymëzues, organizator, armator e udhëheqës në Kryengritjen e Kurbinit, mbi të gjitha protagonist i dorës së parë në Shpalljen e Pavarësisë, harrohet qëllimshëm nga “… thjesht një vullnet i mbrapshtë përbaltjeje”.

Këtë, me gjithë vullnetin e mirë, pra këtë “…vullnet të mbrapshtë përbaltjeje”,Prof Sinani nuk arrin ta shpjegoj si duhet, prandaj, ndoshta, mendimi i tij shumë i respektueshëm se “nuk ishte veshja klerikale ajo që i bënte hije rolit të tij”, mendoj se çalon. Vullneti i mbrapshtë i lanjes në harresë të njenes prej figurave ma të panjollë të të gjithë historisë sonë kombëtare qendron pikërisht tel veladoni, që Ai mbajti me nder e përkushtim deri sa ndrroi jetë në dhè të huej.

Kjo mungesë nuk ia ulë aspak vlerat parathanjes së shkelqyeshme të Prof. Sinanit, i cili me ndershmëni prej hisoriani shkencëtar, e jo sharlatan – si shumë para tij -, thekson se si ato pëshpërimat e mbrapshta për të varrosë këte figurë madhore kishin vetëm paragjykim ideologjik, sa kohë që “… relacionet e tyre (Austro-Hungarisë – shënimi i imi, DG) e denoncojnë si klerik të pabindur, që nxit veprime që prekin barazpeshat delikate midis dy kryeqyteteve perandorake”, e se, megjithate, “… Dom Nikollë Kaçorri arriti të trondisë jetën e sulltanit dhe të ndërkombëtarizojë përmes një kryengritjeje lokale çështjen shqiptare”. Pra, qoftë edhe në mënyrë të pavetëdishme, por me ndershmëni intelektuale, Prof. Sinani na sjell në dritë të diellit se “pëshpërimat e mbrapshta” nuk mund të kishin zanafillë tjetër, veç asaj ideologjike, sa e hoqen nga çdo vepër arti që nga Monumenti i Pavarësisë, ku ishte në variantin maket; e thanë ndrysh, figura e tij madhore u sakrifue për hir të veladonit, ashtu si edhe Luigj Gurakuqi “i paveladon”.

Në vijim Prof. Sinani shtjellon shkurt, por i shkëputun tashma nga çdo trysni, rolin e Imzot Kaçorrit në Kongresin e Manastirit, në atë të Elbasanit e të Dibrës, në themelimin e Klubit patriotik të Durrësit, ashtu edhe shumë veprimtarive të tjera ku ai ishte protagonist i dorës së parë, tue analizue me kompetencë shkencore arrestimin e dënimin nga Turqia në vitin 1911, por mbi të gjitha tue cilësue se ai proces gjyqësor ishte i jashtëzakonshëm e se “Mbrojtja që i bëri vetes, … është njëherësh një apologji e çështjes shqiptare jashtë kuadrit perandorak”.

Mbasi vlerëson nalt (ashtu si e meriton plotësisht) punën aq të përkushtueme e shkencore të autorit Hajredin Isufi, arrin në konstatimin shumë të drejtë se tue u mbështetë ma shumë në arkivat e hueja, ndërkohë që janë të pastudjueme arkivat tona – siç asht rasti i dokumetacionit origjinal që ka sjellë autori -,“është një provë se historia e popullit shqiptar njihet shumë pak, kryesisht në vija të përgjithëshme”. Ja përse shënova ma nalt se “Kushdo që do të ulet me hartue Historinë e Shqipnisë për këte periudhë, nuk mund të mos ketë në të djathtë të tryezës së tij të punës këte libër shumë të vlefshëm ….”. “Një histori e Shqipërisë, si na e dëshmon edhe monografia e Hajredin Isufit, – thekson Prof. Sinani – nuk mund të rishkruhet duke u mbështetur gjithë në ato burime që dihen, gjithë në po ato dokumente që janë këshilluar deri më sot”; si të thuesh, ja ku e keni historinë, tek këto dukumenta origjinale mbi veprimtarinë e Imzot Kaçorrit, palcë e historisë sonë kombëtare të para një shekulli, “që e ka shkruar me veprim historinë e jetës së vet”.

Sepse, siç e përfundon parathanjen e tij Prof. Dr. Shaban Sinai, Dom Nikollë Kaçorri ishte “një vijues i traditës së herëshme të klerikëve shqiptarë, të cilët e nisën rrugën e veprimit të tyre “en së dashunit botës sanë”, për hir të dashurisë për këtë vend, për këte botë, për Arbërin dhe dheun e tij, për shqipen dhe hijeshinë e saj, për viset shqiptare që i krahasojnë me vendet e lashta biblike, për lirinë e bashkatdhetarëve. Në gjuhën e tyre “të vetët” qenë dhe mbetën gjithnjë vëllezërit e një gjaku, të një gjuhe dhe besimi kurrë s’u bë shkas për t’i kuptuar ndryshe … Ky është një tipar themelor në historinë e Kishës Shqiptare dhe të klerikëve të saj, të cilët iluminizmi dhe idetë përparimtare përgjithësisht i udhëhoqën në veprim laik dhe doktrina kurrë nuk i pengoi të ngriheshin në lartësinë që i kërkonte historia”.

Në ato naltësi, në pikën ma të naltë të historisë sonë kombtare, rri mrekullisht Imzot Nikollë Kaçorri, i mënjanuem nga politika, por kurrë i harruem nga populli i tij për të cilin u flijue.

 

2. FILLIMET E VEPRIMTARISË PATRIOTIKE

Nëse në pjesën e parë, ate me titull “Parathanje”, folëm shkurt për vlerësimet dhe reflektimet e Prof. Shaban Sinanit mbi librin e Hajredin Isufit “FEJA DHE FLAMURI”, në shkrimin e sotëm po kalojmë menjëherë tek veprimtaria atdhetare e Imzot Kaçorrit. Kjo nuk asht një zgjedhje e imja, por e historianit tonë, që fëmininë, përgatitjen e Imzot Kaçorrit në Universitetin e Propaganda Fide në Romë e deri sa Ai emnohet meshtar në Durrës, i kalon me një gjysëm paragrafi. Asht një zgjedhje e vetëdijëshme. Nuk ka qenë synimi i Autorit të hartojë një biografi të atdhetarit të shquem, por thjeshtë të dokumentojë veprimtarinë e tij, pse nëpërmjet paraqitjes së figurës së Imzot Kaçorrit pasqyrohet ma së miri vetë historia jonë prej fundit të shekullit XIX e deri në Luftën e Parë Botënore. Dora doras ai dokumenton e na befason se si asht lanë pothuej në harresë për gati një shekull ky vigan i atdhetarisë.

Mbasi përshkruen shkurt gjendejn e Durrësit në fund të shekullit të XIX, ndalet tek vendi e roli i dy institucioneve klerikale të krishtena, ku nuk i shpëton dot një kandvështrimi tepër klasik për historiografinë tonë: sikur ata  funksiononin thjeshtë në shërbim të kësaj apo asaj fuqie të huej, por shqisa prej historianit e ban të kthjellohet shumë shpejt e të pohojë se “Fusha e parë e betejës u bë lëvizja arsimore”, e se “Porta e Lartë lejonte çdo institucion klerikal dhe çdo fuqi të huaj, duke përfshirë  dhe monarkitë ballkanike, të organizonin shkolla në gjuhët e tyre në të katërt anët e perandorisë. Përkundrazi, hapja e shkollave shqiptare dhe përdorimi i shkrimit shqip në sistemin arsimor …. ishte rreptësisht i ndaluar”. Pra, beteja arsimore, ku kleri katolik, si dëshmohet në mbarë vendin, jo vetëm përpiqej e hapte shkolla, edhe me ndihmë të Austrisë, në gjuhën shqipe, por mbi të gjitha të shërbenin ato për edukimin atdhetar, sepse, siç e pohon edhe Hajredin Isufi, qellimi i meshtarëve katolikë ishte që “krahas ushqimit shpirtëror, që merrnin në kishë, të ushqeheshin edhe me ndjenjën e atdhetarisë, që për fenë katolike, feja dhe atdheu janë të pandarë” (nënvizimi im, DG). Me këto fjalë mendoj se Autori ka dëshmue qartë e premë kujt i shërbente Kisha Katolike; e natyrisht, meritë ka historiani ynë që në titullin e librit “FEJA DHE FLAMURi”.

Në të njejten kohë shkollat turke kishin si synim themelor “të fanatizonin me anën e doktrinës islamike …. të osmanizonin me anën e kulturës turke, nxënësit shqiptarë të fesë muslimane”, ndërkohë që shkollat ortodokse i konsideronin nxanësit e tyne me kombësi greke, megjithëse, siç pohon konsulli austro-hungarez Ippen në një relacion drejtue Vjenës, “Ortodoksët e Durrësit … nuk janë në shërbim të propagandës greke”.

Në këtë kontekst, kur deskriminimi i shkollave katolike e i çdo veprimtarie atdhetare ishte tejet i egër, fillon veprimtarinë e tij si mësues, përveç se meshtar, Imzot Kaçorri.  Ai ishte emnue meshtar në Durrës në vitin 1893 dhe menjëherë, vetëm mbas një viti, pra më 1894, vihet në shërbim të shkollës shqipe të hapun nga Vjena, ku përveç mësimit të shkrimit të gjuhës shqipe, si dëshmon një prej nxanësve të parë të tij, pak vite ma vonë edhe ai mësues në shkollën katolike, Agostin Serreqi,  se Imzot Nikollë Kaçorri “ishte i pari që na kalli në zemër atdhedashuninë”, e se “…. ai e trajtoi shkrimin shqip … si mjet që do ta çonte vendin drejt përparimit dhe popullin shqiptar drejt bashkimit, në luftë për lirinë e atdheut”.

Për herë të parë Autori na sjell dokumenta se përçapjet për një alfabet të përbashkët, veç përpjekjeve të Shoqnive “Bashkimi” e “Agimi” në Shkodër, përkatësisht të drejtueme prej Imzot Prengë Doçit dhe Imzot Lazër Mjedës, nuk asht Kongresi i Manastirit në nandor 1908, por në mënyrë të institucionalizueme, qysh me  Konferencën e Gjuhësore të Shkodrës, e quejtun për t’u fshehë nga pushtuesit turq, Konferenca e Arqipeshkvive (të Shkodrës, Durrësit e Shkupit), që u mbajt nga 30 prilli deri me 7 maj 1902. Nuk asht rasti me u ndalë tek punimet e kësaj Konference të injorueme nga historiografia, por duem të theksojmë rolin thellësisht atdhetar që kishte ajo konferencë. Të mos harrojmë se në atë kohë, ndërsa lejohej shkrimi në çdo gjuhë tjetër, “… shkrimi shqip dhe botimi i librave shqip, ishte i ndaluar dhe cilido , që e thyente këte urdhëresë, ndiqej dhe dënohej rëndë”. E megjithate, edhe në ato kushte të randa, vetëm Shoqnia “Bashkimi” arrijti të botonte jo pak, por plot 35 tituj librash shkollorë dhe letrarë në gjuhën shqipe!

Me dokumenta arkivore Autori vërteton rolin e Imzot Kaçorrit në përhapjen e librit shqip në Durrës e rrethina, të gazetave të pakta shqip që vinin nga shoqnitë e mërgimit, prej “Albania” e Faik Konicës, e sidomos ato që i dërgonte miku i tij Shahin Kolonja. Përhapja e gazetës “Drita” shërbeu edhe ndër ortodoksë e muslimanë edhe si abetare për të mësue shkrimin shqip. Të gjitha këto, e tue marrë në sy edhe rreziqet që vinin prej kësaj pune, i kishte marrë përsipër Imzot Kaçorri.

Veçanarisht ai solli për herë të parë nga Vjena librin e botuem atje në gjuhën shqipe “Historia e Shqipnisë” qysh në vitin 1899.  Libri shpërndahej në Durrës si trakt i vërtetë, tue kalue dorë më dorë, por njëkohësisht të bahej nxitje libri edhe për mësimin e shkrimit e leximit të gjuhës sonë.

Tue qenë se shumica e popullit nuk dinte të lexonte, Imzot Kaçorri vetë, ashtu edhe bashkëpunëtorët e tij ma të afërt si Stef Kaçulini, lexonin këtë libër në grupe të vogla njerëzish, në mënyrë krejtësisht sekrete, me qellimin e vetëm edukimin atdhetar të popullit.

I vendosun në veprën e tij atdhetare, ai këtë libër e dërgoi deri në zonat ma të thella malore; atje ngarkoi për leximin e tij meshtarët që vareshin nga Arqipeshkvia e Durrësit.

Autoritetet turke nuk mund të mos vinin ore këtë rizgjim të ndërgjegjes kombtare, prandaj, përveç propagandes zyrtare fe – komb (nënkupto: muslimanë – turq), jo vetëm nuk penguen, por nxiten e bashkpunuen në përhapjen e gazetes greke “Astir”, që shpërndahej lirshëm e falas, gazetë me tendenca të theksueme antishqipatre, kundër Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, si shërbim i drejtpërdrejtë që Patriarkana i bante Stambollit.

Asht shumë domethanëse që populli patriot i Durrësit, përfshi edhe pjesën ortodokse, e braktisen me përbuzje këte fletushkë mjerane.

Ky dështim i plotë i bashkpunimit haptas ndërmjet Portës së Naltë dhe Patriarkanës së Stambollit ishte vepër e Imzot Kaçorrit dhe i nderimit që populli atdhetar i Durrësit kishte për meshtarin e vet.

Pranë tij, në çdo hap e në çdo rrezik, nuk u gjenden vetëm bashkëpunëtorë besimtarë katolikë, por edhe të besimeve të tjera, prej të cilëve nuk mund të la pa përmendë mikun e tij Saida Kërtusha, prej të cilit kemi, gjithnjë simbas kujtimeve të bashkëpunëtorëve ma të afërt të Imzot Kaçorrit, thanjen lapidare: “Nderi dhe liria mbrohet dhe fitohet me gjak..”.

         Nuk kishte si të ndodhte ndrysh: Durrësakët, jo vetëm katolikët e paktë që jetonin aty, por edhe ortodoksët e muslimanët, shikonin tek biri i urtë e trim i Lurës, Imzot Nikollë Kaçorrin, udhëheqësin e tyne, çka nuk do të vononte ta provonte edhe me vepra të mëdha atdhetare për liri, një ndër faqet ma të bukura të historisë sonë, siç ishte Kryengritja e Kurbinmit, edhe kjo e anashkalueme në historiografi.

 

3. /1. KRYENGRITJA E KURBINIT

    DHE DOM NIKOLLË KAÇORRI

          (1905-1907)

 

“Mendja dhe zemra asht gjithnji





në Kurbin e me kurbinas”.

Dom Nikollë Kaçorri

 

Imzot Kaçorri ishte përthithë i tani në veprimtari nga ma të ndryshmet, gjithmonë i nxitun nga motive atdhetarie të pashoqe: nga shërbimet meshtarake me theks kryekëput atdhetar, në shoqnitë kulturore, përsëri me theks e qellim veprimtarinë kombtare, tek shpërndamja e librave e gazetave shqip, tek pjesëmarrja aktive e me rol të dorës së parë në çashtje të alfabetit e deri të njësimit të normës gjuhësore, deri tek pjesëmarrja direkte në veprimtari politike, sidomos mbrenda juridiksionit kishtar të Durrësit. Kjo e ndihmoi të ngrihej në shkallët ma të nalta të Lëvizjes Kombtare Shqiptare.

Vala e trazinave politike kishte fillue qysh në fund të shek. XIX nën drejtimin e Murat dhe Refik Toptani, që në vitet e para të shekullit të ri do të arrinte kulmin nën udhëheqjen e atdhetarit të shquem Abdi Toptani, Kryetar i Komitetit të Rezistencës, formue në Valias në dhjetor 1901. Përfaqësues të Durrësit në këtë lëvizje ishin Imzot Kaçorri dhe Mustafë Ali Beshiri.

Komiteti e shtriu ndikimin e lidhjet e tij në gjithë Shqipninë e Mesme, ate Veriore e deri në Prizren, Pejë e Gjakovë.

Ishte hera e pare në historinë e kombit tone, mbas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, një bashkëpunim kaq i gjanë ndërkrahinor.

Do të pyesë lexuesi: A i dinë historianët tanë këto, se nuk i kemi lexue kund? Natryrisht që i dine, dhe i dinë shumë ma mire se unë, por na vazhdojmë ta trajtojmë historinë me paragjykime.

Kërkesat e qarta politike dhe bashkëpunimi me armë në dorë ndaj çdo përpjekjeje raprezaljesh nga autoritet turke, siç ishte ajo e Shëngjergjit, e detyruen adminsitraten të tërhiqej përkohësisht.

Por paqja e rremë nuk do të zgjaste shumë. Valiu i Shkodrës vendosi të fillonte shtypjen e lëvizjes me nënshtrimin e kurbinasve, zona ku tyrqit kishin humbë krejtësisht autoritetin shtetnor. Ekspedita barbare iu ngarkue pinjollit ma të mbrapshtë të fisit të Toptanëve: Esat Pashë Toptanit, që në shkurt 1903 ndërmori një nga aktet ma të turpshmë të të shitunve. Forcat e tij jo vetëm vranë njerëz të pambrojtun, dogjën e plaçkitën gjatë ekspeditës në zonën e Kthellës, por edhe përdhunuen vajza e gra të traumatizueme nga barbaria e tyne.

Imzot Kaçorri, tue u veshë e mbrojtë nga një mandate i misionit austriak për verifikimin e ankesave që arrinin nga çdo anë, me 26 mars 1903 niset drejt Kurbinit dhe “grumbulloi shumë fakte rrënqethëse të veprimtarive të dhunëshme, që kishte kryer Esat Pasha me forcat e tij”, na thotë historiani ynë.

Gjatë misionit të tij, që zgjati deri me 5 prill 1903, ai çfrytëzoi rastin të vihej në kontakt me parinë e Kurbinit për organizmin e kryengritjes. Ajo filloi menjëherë, porsa u kthye në Durrës Imzot Kaçorri, aq sa forcat osmane të udhëhequna nga faqeziu Esat Toptani, u detyruen të tërhiqeshin me turp, por tue lanë mbrapa një gjendje tejet të randë, qoftë ekonomike, ashtu edhe morale.

Bashkimi e bashkërendimi e veprimtarive luftarake u ba edhe ma i fortë në  zonat ku kaluen hordhitë esadiste, si në Krujë, Tiranë etj. Tashma shqiptarët e kishin të qartë se historia i kishte thirrë të shpreheshin me grykën e armëve.

Kulmin e këtij rebelimi do të ndeshim pak ma vonë, në Kryengritjen e gjatë dhe heroike të Kurbinit në vitet 1905-1907.

Kurbini, që bante pjesë në Kazanë e Krujës, jetën e mbrendëshme e kishte organizue simbas dokeve të veta, i njohun si “Kanuni i Kurbinit”. Përpjekjet e Turqisë që ta detyronin popullin e panënshtrueshëm të Kurbinit simbas ligjeve kuranike, normave të administrates osmane, dështuen për gjithë shekujt me rradhë; përpjekja e tyne e fundit, raprezaljet e vitit 1864, e kishin përgjakë, por jo përulë. “Kurbini – thekson historiani Hajredin Isufi – vazhdoi të qeverisej rregullisht në bazë të Kanunit të vet. Kurbinasit nuk paguanin as taksa, as nuk jepnin ushtarë. Ata i paguanin pushtetit qendror osman vetëm tributin vjetor tradicional”.

Jeta e kurbinasve rregullohej simbas vendimeve (të detyrueshme për të gjithë) të Kuvendit Krahinor të Kurbinit, krejtësisht i pavarun nga adminsitrata turke.

Me kalimin e Kurbinit nga vartësia prej sanxhakut të Shkodrës në vartësi të Sanxhakut të Durrësit, u dekretue edhe “që të vendoste në Kurbin adminsitratën shtetërore turke dhe t’i detyronte banorët të dërgonin nizamë, … të dorëzonin tatimin e së dhjetës mbi prodhimin bujqësor dhe të paguanin taksat e tjera shtetërore …….. të cilat ishin pezulluar që nga viti 1846.

         Aksionin për likuidimin e venomeve të Kurbinit e drejtoi personalsiht valiu i Shkodrës, Hajdar Pasha……

          Përfshirja e tyre në sistemin e administrates burokratike perandorake, nënkuptonte …. Fundin e vetëqeverisjes, fundin e autonomies së tyre lokale dhe fillimin e zgjedhës administrative osmane. ……….

         Krerët e Kurbinit e njoftuan mytesarifin e Durrësit se nuk kishin ndër mend të pranonin asnjë qeveritar turk .……”.

Konflikti politik i pranverës 1903 mbas dy vjet mosnënshtrimi do të kthehej në një nga konfliktet ma të ashpra ushtarake, që do të trondisnin perandorinë e kalbun osmane.

Në ato çaste jetike Kleri Katolik, si gjithmonë, u gjend pa mëdyshjen ma të vogël pranë besimtarëve.

Do të duhej, si e kërkonin marëdhanjet e kohës, që Arqipeshkvia e Durrësit t’i kundërvihej mosbindjes së armatosun.

Kundër mosbindjes? Natyrisht, por në një mënyrë tjetër. Imzot Kaçorri doli haptas për luftë të armatosun deri në çlirimin e plotë. Me të u rreshtuen plot klerikë të tjerë atdhetarë, prej të cilëve na ban nder të kujtojmë të madhin At Shtjefën Gjeçovi.

Rreth tij e me të, në mbrojtje të popullsisë katolike të Kurbinit, nuk ishin vetëm luftëtarët e shquem vendas, me në krye Gjin Pjetër Pervizin e Skurajve, por edhe disa atdhetarë durrsakë, që nuk kursyen asgja në ndihmë të tyne, si Neki Libohova, Stef Kaçulini, Hafiz Ali Podgorica, Pavli Terka, Abaz Çelkupa, Saida Kërtusha, Sabri Dermani, Sulejman Kadiu, Musta Haxhiu, Jahja Ballxhini, Ilia Llavda etj. I shënova disa prej tyne, sepse i kërkova në famëkeqen Enciklopedi Shqiptare, ku mjelses Lenka Çuku i kushtohet një faqe, kurse këtyne atdhetarëve të flaktë s’u zihet në gojë as emni.

Imzot Kaçorri gjet menjëhjerë edhe mbështetjen e trimave të Shëngjergjit, me në krye Xhafer Shtërpanin, vëllazënve atdhetarë tiranas Abdi e Refik Toptani; përkrah tyne u gjenden edhe Ishmi, Shijaku, Kruja e Hajdar Belegut, Mati, Dibra, Lura e tij, Mirdita, Kavaja, Lezha, sepse kudo ai kishte miq, kudo e donin dhe e nderonin.

Edhe pse përkohësisht, u detyruen të tërhiqeshin si Valiu i Shkodrës, ashtu edhe mytesarifi i Durrësit.

Ajo tërheqje i kushtonte shumë në karrieren e tij Teofik Pashës, prandaj edhe ndërmori një sulm të përgatitun me kujdes ndaj anmikut të tij numur një, Imzot Kaçorrit. Administrata e tij, nëpërmjet hafijeve, kishte mbledhë informata të mjaftueshme për lidhjet dhe rolin e Imzot Kaçorrit me kryengritësit kurbinas. Tentativat për arrestimin e tij qysh në vitin 1903 kishin dështue, veç prej cilësisë së tij të rrobës ekumenike, edhe pse ai kishte përkrahje të plotë jo vetëm nga pjesa e krishtenë, por edhe nga muslimanët e Durrësit e deri tek familja e bejlerëve të Tiranës, familje me autoritet në popull, por edhe në administraten osmane.

Më anë tjetër, randimi me taksa, pse vendosja e autoritetit adminsitrativ turk kishte dështue, vështirësonte shumë gjendjen e kurbinasve të vorfën, ashtu si edhe të zonave të tjera.

 

3/2. KRYENGRITJA E KURBINIT

    DHE DOM NIKOLLË KAÇORRI

          (1905-1907)

 

“Mendja dhe zemra asht gjithnji

në Kurbin e me kurbinas”.

Dom Nikollë Kaçorri

 

 

 

Në prag të konfrontimit ma të egër Imzot Kaçorri denoncon para opinionit vendas, por edhe të huej, me një letër të hapun që e boton në gazetën “Drita” të Sofjes miku i tij Shahin Kolonja në mars 1905.

Deklarata e tij denoncuese publike shkaktoi, ashtu si pritej, reagime të forta në Durrës. Më atë rast duhet thanë se edhe Vjena, protektore e katoliçizmit në Shqipni simbas marrëveshjes me Stambollin, u tërhoq dhe nuk përkrahu rebelimin e meshtarit të Durrësit.  Kjo u dha aq zemër otomanëve që sundonin në Durrës, sa ai u rrah nga xhandarët në një rrugicë të qytetit barbarisht e pa asnjë shkak. Qellimi nuk ishte ta vrisnin, por ta trembnin e ta zhburrnonin.

Imzot Kaçorri ishte aq i zgjuet të kuptonte se tashma ishte krejt i pambrojtun, por ishte edhe poaq trim sa të mos i shkonte mendja të tërhiqej; përkundrazi, ai e shtoi veprimtarinë e tij në një kuadër ma të gjanë të Lëvizjes Kombtare.

Bashkë me mikun e bashkëpunëtorin e tij ma të ngushtë, Gjin Pjetër Previzin e Skurajve (Kurbin) ideoi dhe ndërmori përgatitjet për një aleancë ndërkrahinore ku do të përfshihej shumica e Veriut e me një bërthamë kryesore në krahinat katolike të Kurbin, Lezhë, Mat, Mirditë, Lurë. Nën petkun e meshtarit e me atë cilësi, ai shkel vetë gjithë Veriun; nga Bregu i Matës në Lezhë te vëllaznit atdhetarë Gjeto Coku e Dedë Coku, tek vëllaznit ma të famëshëm në Tiranë, Murat e Refik Toptani, deri në Mirditë apo Lurën e tij tek Baftjar Doda, deri te organizimi i Kuvendit që u mbajt në Delbinisht (Kurbin) në vjeshtë 1905.

Ndër vendimet e tij themelore ishin:

Të mos paguenin asnjë taksë administratës turke – çka do të thonte praktikisht mosnjohjen e saj

Vendimet e Kuvendit u banë publike: Ato iu dërguen adminsitratës në Durrës, Valiut në Shkodër, i cili tregoi një shpërfillje fyese dhe si kundërpërgjigje urdhënoi adminsitratën e Sanxhakut të Durrësit, që të vilej me çdo kusht taksa e bedelit ushtarak në Kurbin. Sanxhaku mendoi ma së pari arrestimin e Imzot Kaçorrit, që simbas Konsullit austriak Karl “ishte shpirti i qëndresës antiosmane dhe frymëzuesi i luftës së armatosun të kurbinasve”.

Imzot Kaçorri, për t’i ikë arrestimit, strehohet në mes kryengritësve në Kurbin. Tentativa për arrestim kishte ba efektin e kundërt: shpirti i kryengritjes tashti ishte në mes të kryengritësve.

Shkodra dhe Durrësi gjendeshin në prag të një dështimi të turpshëm para kurbuinasve trima. Atëherë menduen me vu në lojë diplomacinë, aty edhe ate austriake.

Si dështoi çdo përpjekje për të shue kryengritjen, e fundit ajo e Kajmekamit të Krujës, që mori përgjigjen trimoshe të Gjin Pjetër Pervizit, se “Populli i Kurbinit ishte i vendosun mos me i pague asnjë takes qeverisë, sepse nga taksat, që ishin mbledhë për dekada me rradhë, nuk ishte rregullue një urë, …..nuk ishte hapë asnjë shkollë në gjuhën shqipe”. Gjin Pervizi, flamurtari i 28 Nandorit 1912 në Milot, në kulmin e kryengritjes e të një mjerimi ekonomik të skajshëm, kujtohet edhe për shkollat shqip.

Mbas këtij dështimi ishte i pritshëm një operacion i gjanë ndëshkimor prej Valiut të Shkodrës.

Për t’i dale para punës, Imzot Kaçorri organizon një Kuvend të ri me datë 31 maj 1906, po në Delbinisht, ku ishte transferue edhe Arqipeshkvia e Durrësit, si rezultat i përndjekjeve turke. Në këtë Kuvend për herë të parë në mes kryengritësve, merr pjesë edhe vetë Arqipeshkvi Prengë Bardhi.

Ashtu siç pritej, vendimi ishte një: Rezistencë deri në fund dhe bashkëpunim me krahinat tjera. Me këtë rast Imzot Kaçorri hartoi dhe u lexoi të pranishmëve një promemorie për Perandorinë e Austro-Hungarisë për t’u dhanë ndihmë. Përgjigja e Vjenës nuk vonoi, por ajo ishte negative.

Atëherë vetë Imzot Kaçorri, në bashkëpunim me Gjin Përvizin, ashtu edhe me meshtarë të tjerë si Dom Zef Nikaj, Dom Luigj Kroqi, Dom Zef Shllaku, morën përsipër sigurimin e armëve nga tregjet e Europës dhe sjelljen e tyne fshehtas me anije të ulqinakëve e të durrësakëve. Të hollat për blemjen e armëve i kishte dhanë atdhetari brilant Gjin Pervizi.

Ndonse lajmi u muer vesht dhe Valiu i Shkodrës mori të gjitha masat e mundëshme që armët të mos arrinin, ato përsëri arrijtën nëpërmjet Durrësit dhe prej aty në Kurbin.

Me 5 gusht 1906 e për tri dit rresht organizohet Kuvendi tjetër i Delbinishtit, që ishte jashtë kontrollit të adminsitratës turke. Organizatorët kryesorë janë përsëri Imzot Kaçorri, At Shtjefen Gjeçovi, Gjin Pervizi, sidhe Beg Ali Vokrri nga Malbardha.

Në atë Kuvend u përvijue kërkesa për autonomi kombtare, me sa di unë, hera e parë që ndeshet një kërkesë e tillë e qartë.

Aty u morën edhe një seri vendimesh që kishin të banin me raprezaljet e mundëshme të sundimtarëve turq, sepse autoritetet e Shkodrës, Durrësit e Krujës, ma shumë se sa mosaftësia për të mbledhë taksat, i shqetësonte  lëkundja e autoritetit të tyne para Stambollit dhe ndikimi i rebelimit të Kurbinit në krahinat tjera.

Me 4 shtator 1906 forca të shumta osmane iu drejtue Kurbinit. Paria dha alarmin. Çdo mashkull i aftë për pushkë doli në mal. Forca aleate të besëlidhuna me Kurbinin gjithashtu iu afruen nga të gjitha anët.

Batalioni ndëshkimor, mbas një demostrimi frikësues, u ndrye në Krujë, sepse hafijet i kishin njoftue se nuk do të mund ta përballonin zemrimin e kurbinasve. Aq u tremb komandanti i garnizonti, sa mori masa për sigurimin e qytetit nga një sulm i mundëshëm prej fshatrave përreth, aleatë të kurbinasve.

Komandanti i garnizonit shpalli shtetrrethimin, në mënyrë që asnjë fshatar të mos mund të hynte në treg.

Me 20 shtator ai thirri gjithë kryepleqësitë e fshatrave të kazasë për bisedime në Krujë. Përgjigja e kruetanëve qé e preme: “…. As edhe një kokë për katund nuk do ta japim, sepse ju u mjafton një pike e zezë mbi letër të bardhë, për të na marrë gjithë pasurinë”.

Kur kryepleqësitë po largoheshin prej qytetit, komandanti i garnizonit Shefqet beu u dha sinjalin forcave që ishin në kala të hapnin zjarr mbi të ftuemit. Fshatarët, të gjithë të paarmatosun, të premë me pabesi, mbetën të vdekun nga breshëritë që vinin nga kalaja: 22 të vdekun.

Masakra e 20 shtatorit çoi peshë gjithë fshatarët. Ata prenë rrugët nga mund të vinin përforcime prej Tirane apo prej Durrësit, prenë linjat telefonike, dhe u organizuen për vetëmbrojtje nga ndonjë raprezalje e matejshme.

Mbas kësaj masakre osmanët sulmuen Zhejen, ku u ndeshen në prita të organizueme me forca të pakta nga Gjin Pervizi.

Mbasi morën Zhejen, turqit iu drejtuen fshatit Skuraj, kryeqendër e Kurbinit, djep i Lëvizjes Kombtare Shqiptare. Akti i parë ishte djegëja e kullës-kështjellë të kryetrimit Gjin Pervizi. Mbas saj u dogjën fshatra të tanë, u shkretuen me gjithçka.

Mbi masakrat e turqëve mbi popullsinë e pambrojtun kemi një dokumentacion të tanë nga dëshmitarë okularë, prej Imzot Kaçorrit, tek At Shtjefen Gjeçovi e shumë të tjerë. Përballë kësaj mësyemje të egër, që kishte shkrumbue shtëpi e të mbjella, u vunë në lidhje me fuqitë e mëdha të kohës personalitete si Imzot Kaçorri, At Gjeçovi, Imzot Prengë Bardhi, Gjin Pjetër Pervizi etj., por edhe ndërhymja e tyne pranë Stamollit nuk pat sukses. Kur armët e kurbinasve e të zonave përreth iu kundërvunë deri në pikën e fundit të gjakut të paktë që u kishte mbetë, Valiu i Shkodrës kaloi në premtime për marrëveshja dhe praktikisht pezulloi si veprimet ushtarake, ashtu edhe vjeljen e taksave.

Siç pasqyrohet në korrispondencën e dendun e në protestat e Imzot Kaçorrit, shqiptarët ishin të vetëdijshëm se Stambolli donte vetëm të merrte kohë për sulme edhe ma të egra e nuk u rrejten nga premtimet e Valiut të Shkodrës, por edhe kurbinasit, mbas katër vjet lufte krejtësisht të pabarabartë e të rreskapitun veçanarisht nga ana ekonomike, u detyruen të pranonin marrëveshje e 29 prillit 1907, që u nënshkrue në Milot.

Edhe pse nuk ishte ky qellimi i vërtetë i kryengritjes, duhet thanë se ajo nuk i uli armët pa sukses: Stambolli u detyrue të pranonte shumicën e kërkesave të kryengritësve, ndër to, të drejtën me u administrue simbas venomeve vendase e jo nga adminsitrata turke.

Kryengritja e Kurbinit, që zgjati katër vjet, e udhëhequn nga Gjin Pjetër Pervizi, me frymëzues, organizator dhe armator Imzot Nikollë Kaçorrin, ishte kushtrimi ma i fortë në prag të Pavarsisë.

 

 

4. KONGRESET DHE NDIKIMI I TYNE

Revolucioni xhonturk, që solli ramjen e absolutizmit sulltanor, ma shumë se një erë lirie, për shqiptarët ishte një rast për t’u çfrytëzue për një organizim të fuqishëm, që tashma ua njihte kushtetuta e re. Imzot Kaçorri ua bani të qartë durrësakëve e ma gjanë se nuk ishte fjala për fitimin e lirive të trumbetueme nga xhonturqit, por rasti me u bashkue edhe ma shumë, pavarësisht nga besimi fetar, që të organizohej e të shpejtohej verpimtaria në dobi të çashtjes kombtare, sa kohë që edhe sundimtarët e rij nuk kishin kalue ende në raprezalje kundër shqiptarëve si paraardhësit e tyne.  Ai nuk humbi rastin në riorganizmin e Klubit patriotik të Durrësit (edhe pse ende fshehtas e të paligjëruem), shtrimjen e veprimtarisë së tij nga Kurbini në Kavajë, futjen e gjuhës shqipe edhe në shkollen e mesme turke e hapjen zyrtarisht të shkolles shqipe, por sidomos krijimin e lidhjeve të ngushta me atdhetarë kudo shtrihej veprimtaria e Arqipeshkvisë së Durrësit.

Shkolla e gjuha shqipe, të ndalueme prej shekujsh, tashti duhej të kapërcenin ngutshëm një vështirësi të madhe: alfabetin e njësuem.

Ja përse Kongresi i Manastirit do të mbesë një ngjarje e madhe për kombin tonë. U mblodhën aty burrat ma të shquem të kombit, e ndër ta Imzot Nikollë Kaçorri.

Ndërsa delegatët e tjerë të Kongresit ishin përfaqësues të 23 klubeve të krijuem në trojet tona e jashtë tyne, Imzot Kaçorri u thirr përjashtimisht pikërisht për personalitetin e tij zamadh, që kishte krijue në të gjithë lëvizjen atdhetare e sidomos në Kryengritjen e Kurbinmit. Kongresi për të ishte në  radhë  të  parë  një  rast “për të hedhë themelet e bashkimit e të vëllaznimit”.

Tashma ai ishte figurë qendrore e shumë e respektueme në gjithë lëvizjen kombtare.

Xhonturqit, si kundërpërgjigje të Kongresit të Manastirit, menduen dhe organizuen në Diber një kongres, që duhej të ishte përkrahës i politikës “së re”, pra me të zgjedhun nga klube xhonturke, që mbin si këpurdha helmuese në çdo kaçubë. Por Durrësi njëzashëm zgjodhi në mes katër delegatëve atë që tashma kishte autoritet absolut në qytet, rrethina e ma gjanë, Imzot Kaçorrin.

Komiteti Xhonturk sidhe qeverisja e vilajetit në Shkodër refuzuen pjesëmarrjen e Imzot Kaçorrit në Kongres. Ky kundërshtim ishte heqja përfundimisht e maskës së “politikës së re”, që Imzot Kaçorrin nuk e kishte pengue kurrë me pa fytyren e vërtetë të pushtuesëve “të moderuem”.

Imzot Kaçorri e kishte pranue mandatin e përfaqësuesit të Durrësit me qellim që të shkonte në Dibër e të luftonte dhamb për dhamb me “përfaqësuesit” e Komiteteve Xhonturke, ardhë deri nga Selaniku, po që vetëm përfaqësues të idealeve kombtare nuk ishin. Në shej proteste dorëzuen mandatin e tyne të delegatit edhe atdhetarët durrësakë Dr. Neki Libohova dhe myftiu u Durrësit Myrtesim Këlliçi.

Gjatë zhvillimit të punimeve të kongresit të Dibrës, atdhetarët durrsakë i durëzuen mytesarifit një deklaratë ultimative ku e paralajmronin se do të krijonin një klub për mbrojtjen e interesave të qytetarëve durrsakë. Ishte kjo një kundërpërgjigje flakë për flakë ndaj veprimtarisë së dhunëshme të adminsitratës së re nacionaliste xhonturke kundër shqiptarëve të vërtetë. Në gusht 1909 ata formuen edhe dy komitete mbrojtëse dhe sigurie. Kryetar nderi u zgjodh Imzot Kaçorri, kurse kreytar efektiv Dr. Neki Libohova.

Stambolli gjatë vitit 1909 u angazhue me zjarr e hekur që të pengonte çdo lëvizje kombtare shqiptare, por edhe ma e fortë ishte kundërpërgjigja e atdhetarëve për bashkim e përparim të lëvizjes kombtare. Hapi ma i randësishëm ishte Kongresi Arsimor i Elbasanit në shtator 1909.

Përsëri adminsitrata xhonturke pengoi pjesëmarrjen e Imzot Kaçorrit në këtë Kongres. Ai dhe delegatët e tjerë të Durrësit, të penguem nga sundimtarët e sanxhakut, munden të arrinin në Elbasan vetëm në dy ditët e fundit të punimeve mbas presionit të fortë të organizatorëve të Kongresit. Në kujtimet e tij atdhatari Jahja Ballhysa përshkruen se me sa emocion e duertrokitje të pandërpreme u prit në sallën e Kongrsesit arritja e Imzot Kaçorrit.

Në fjalën e tij, që e mbajti sa arrijti në Elbasan, ai doli haptas për çashtjen e autonomisë së Shqipnisë, për shkollimin në gjuhën shqipe e me alfabet latin, për hapjen e Shkollës Normale të Elbasanit, e si kundërshtar i rreptë i çdo rryme pseodoreformiste proxhonturke.

Pavarësisht tensioneve politike të krijueme nga xhonturqit, Shoqata “Vëllazënia”, që vepronte në fshehtësi, e palegalizueme, kontrollonte e dominonte mbi veprimtarinë e autoriteteve zyrtare turke. Por kjo nuk mjaftonte, prandaj u ba i domosdoshme legalizimi i Klubit patriotik “Bashkimi”. I ngarkuemi për nxjerrjen e lejes për legalizmin e klubit, atdhetari Jahja Ballhysa, iu imponue mytaserifit deri në ballafaqim kërcënues dhe e detyroi ate të pranonte legalizmin. Përurimi i Klubit “Bashkimi” zyrtarisht u kthue në një festë të vërtetë popullore, ku në fjalën e tij, që pritej nga durrësakët si shiu në ditë të gushtit, Imzot Kaçorri vuni theksin tek mesazhi jetik për kohën e të gjitha kohnat: Dashuninë e vëllaznimin e popullit pa dallime fetare.

Suksesi i Klubit ishte i jashtëzakonshëm: Durrësakët, pa dallim feje, u mblodhën të gjithë rreth tij e rreth frymëzuesit kryesor të të gjithë lëvizjes kombtare, Imzot Nikollë Kaçorrit. Me thjeshtësinë, çiltërsitë e mënyren aq të ngrohtë të komunikimit, ai kishte arrijtë të bante për vete deri edhe ata që dikur kishin qenë kundërshtarë të tij, sepse ai kishte një ideal, që ndoshta të tjerët nuk arrinin ta shihnin ende; ideali i tij ishte FLAMURI.

Vërtetë në qendër të veprimtarisë së klubit ishte çashtja e arsimit shqip, por nëpërmjet kësaj veprimatria ngërthej shumë ma gjanë gjithë shtjella e lëvizjes kombtare.

Nuk ia vlen të ndalemi këtu gjatë mbi reagimin e turpshëm të administratës xhonturke ndaj Klubit, për metodat vandale, nxitjen e rrugaçrisë kundër Klubit, manipulimin e mjeranëve që manifestonin nëpër rrugë se “s’duem shqipen”, “rroftë gjuha turke”, “shqipja na ban kaurrë”, deri tek thyemja e xhamave apo rrahja e atdhetarëve për t’i poshtnue e trembë të hiqnin dorë nga rruga atdhetare.

Po ata që u tremben ishin të tjerë, prej bimbashit e mytaserifit të sanxhakut të Durrësit, deri tek valiu i Shkodrës, Bedri Pasha, që erdh vetë në Durrës, gjoja “të zbuste gjaknat”, por u gjend para akuzava të drejtpërdrejta e të ashpra të Imzot Kaçorrit: Shqiptarët, i tha ai, nuk kanë asnjë lidhje me ato abetare me alfabet arab që na keni dërgue. Asht vonë, Pashë, me i imponue përsëri një vullnet të huej popullit shqiptar, që tashma e ka zgjedhë rrugën e tij.

Ndeshja e ashpër në mes atdhetarëve e adminsitratës përditë e ma të egërsueme, çoi në krijimin e Komitetit të Fshehtë, që shumë shpejt do të ndikonte gjithë jetën politike e shoqnore të Durrësit. Në atë Komitet banin pjesë atdhetarë të sprovuem, si Imzot Kaçorri, Neki Libohova, Jahja Ballhysa, Stef Kaçulini, Saida Kërtusha etj.

Por “përparimet që shënoheshin në Durrës nga përpjekjet e rretheve patriotike – na thotë historiani Hajredin Isufi – nuk ishin gjithçka për Dom Nikollë Kaçorrin. Ai synonte që arritjet në Durrës dhe vendimet që ishin marrë në Kongresin e Manastirit dhe të Elbasanit, t’i popullarizonte edhe në zonat më të thella e të izoluara ….”. Ai, meshtari i Durrësit, nuk ishte thejshtë propagandues i fesë, por një misionar i vërtetë e i përkushtuem në mbrojtjen dhe përhapjen e ideve atdhetare shqiptare, sidhe realizimin e tyne me veprimatri praktike. Për të realizue këte, ai kishte përzgjedhë me shumë kujdes miq personalë e shumë të shtrejtë kudo, në Ishëm, Sukth, Bizë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Milot. Një ndër “të zgjedhunit” e tij  ishte edhe djaloshi kruetan, 20-vjeçari Jahja Kovaçi, financier në nënprefekturë të Krujës. Bashkëqytetar e mik me Mustafa Krujen, qysh heret, 17 vjeç djalë, ishte aktivizue në lëvizjen patriotike përkrah Muharrem Tagës, Hysen Kalloshit, Xhemal Belegut etj. Me Imzot Kaçorrin e kishte lidhë pikërisht Mustafa Kruja tue ia përshkrue si “patriot i madh dhe me besë dhe të gjithë shqiptarët, pa dallime fetare, i quante vëllezër”. Këto janë shenimet që ka nxjerrë Hajredin Isufi nga ditaret e Jahja Kovaçit.  “Ne ishim të bindun, se …. ai që do të na drejtonte, me këshillat dhe udhëzimet, si të vepronim për çashtjen kombtare shqiptare, kishte vetëm një drejtues kryesor dhe fjala e tij kishte peshë, ai ishte Dom Nikollë Kaçorri” – shkruen Jahjaj në kujtimet e tij.

Imzot Kaçorri, ashtu si meshonte në Kishë për fe, ashtu edhe meshonte në çdo shtëpi e në çdo takim për Atdhe.

Jahja Kovaçi u ba një dishepull i dejë i Imzot Kaçorrit në Krujë. Letërkëmbimi i tij i pasun e kujtimet, janë një burim i randësishëm historik autentik. Vetë ai mund e duhet të konsiderohet një prej figurave të shqueme të Lëvizjes Kombtare Shqiptare.

Veçanarisht roli i tij në përhapjen e abetareve shqipe e mësimin shqip në shkolla në Krujë asht i dorës së parë. Represioni xhonturk në prag të kongrsit të Dibres ishte ba i egër. Pikërisht ato ditë J. Kovaçi njoftonte mikun e tij Mustafa Kruja në Stamboll: “…. shumicën e abetareve i kemi shpërnda … Të gjtihë i kanë marrë me gëzim …. Posë disa fanatikëve, këtu shumica e madhe e popullit e çmon nevojen dhe shejtninë e gjuhës amtare …. thuejse të gjithë këtu dëshirojnë me gjithë zemër ta nxanë shqipen”.

Në letërkëmbime, por mbi të gjitha në veprimtarinë konkrete, shpirti patriot i Jahja Kovaçit shpaloset madhërisht. Ai nuk njeh frikën e presionin në rrugën e tij prej atdhetari; brenga e tij e vetme asht mungesa e abetareve dhe një mësues i aftë që të përçonte arsimin kombtar në zemrat e kruetanëve.

U ndalem veçanarisht tek kjo figurë atdhetare, pse mendojmë se e meriton jo vetëm për fillimet e shkollës shqipe në Krujë, por për gjithë rezistencën e rolin tij në rebelimin e Krujës e krahinave përreth gjatë viteve 1909-1912.

Kajmekami i Krujës dhe myteserifi i sanxhakut të Durrësit, të trembun nga kompaktimi i gjithë popullsisë në Lëvizjen Kombtare, e kthyen Kruejën në një garnizon të mirëfilltë ushtarak, me rreth “6000 pushkë zjarri”, siç njofton nëpunësi i ri i nënprefekturës, por kjo nuk e ul optimizmin e tij se “çdo aksion që mund të marrin xhonturqit kundër shkrimit shqip e alfabetit latin në Krujë, do të ishte i pasuksesëshëm”.

Forcat e shumta ushtarake u përqëndruen në Krujë pa guxue të kryenin asnjë operacion ushtarak, sepse shpresonin që, në rast përkeqësimi të gjendjes në pjesën katolike të krahinës, Kurbin e Kthellë, të kishin mbështetjen e popullsisë muslimane të qytetit e të fshatrave përreth, të paktën ata të mos bashkoheshin me kurbinasit kryengritës, që ishin ngritë rishtas në revoltë. Priteshin ekspedita ndëshkuese kundër tyne e kjo e kishte shqetësue shumë edhe Arqipeshkvinë e Durrësit. Valiu i Shkodrës u përpoq ta qetësonte gjendjen tue dërgue në mes kryengritësve përfaqësuesit ma të naltë me origjinë shqiptare, por gjithçka ishte e kotë. Konsulli austriak në Durrës shkruente ato dit se “njeriu i vetëm që mund të qetësonte gjendjen do të ishte Dom Nikollë Kaçorri”. Ai i sugjeronte kajmekamit të Krujës se “për çdo kërkesë të zyrtarëve turq, së pari, të këshillohej me Dom Nikollë Kaçorrin dhe propozimet e tij të mos refuzoheshin”. Arqipeshkvi Bardhi gjithashtu deklaron se as ai, as ndonjë njeri tjetër, nuk mund të ndikonte te populli i Krujës e i rrethinave për të ulë rezistencën ndaj osmanëve, përveç Dom Nikollv Kaçorrit. Kjo dëshmon ma së miri ç’autoritet kishte tashma Imzot Kaçorri në Shqipninë e mesme, ashtu edhe në mbarë Lëvizjen Kombtare.

Qeveritarët e Shkodrës, Durrësit e Krujës u detyruen të uleshin në bisedime me Imzot Kaçorrin dhe vetë valiu, Bedri Pasha, pranoi kërkesat e meshtarit të Durrësit dhe urdhënoi ndërpremjen e çdo operacioni ushtarak. Nga korrispondenca e konsujve të asaj kohe kjo marrëveshje konsiderohet si kapitullim i autoriteteve xhonturke para Imzot Kaçorrit. Ata e njihnin personalitetin e tij dhe forcën për të ngritë në kambë krahina të tana me një fjalë të vetme.

Autoritetet u detyruen të ulnin presionin e tyne edhe sa i përket mësimit të gjuhës shqipe. Tashma, në prag të Kryengritjes historike në Kosovë, ata përpiqeshin të acaronin sa ma pak gjendjen në Shqipninë bregdetare.      Por nuk mund t’u shkonte në mend se në mes kryengritësve kosovarë, për të dhanë edhe përvojen e tij si organizator i Kryengritjes së Kurbinnit në vitet 1905-1907, sidhe mbështetjen e krahinave fqinje të Krujës, Kurbinit, Kthellës, Mirditës, Lezhës etj., do të gjendej pikërisht Imzot Kaçorri. “Don Nikollë Kaçorri ishte kryetari i famëshëm i lëvizjes nacionaliste mes katolikëve. Ai mori pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë në Kryengritjen e Kosovës më 1910” – do të shkruente Fernand van Langenhove. Po ashtu, ai dhe shumë autorë të tjerë, theksojnë se si kryengritësit shpresat për sigurimin e armëve i kishin varë tek meshtari i Durrësit, mik i ngushtë i detarëve atdhetarë ulqinakë. Anijet niseshin prej Trieste e zhgarkonin përgjatë bregut në mes Matit e Durrësit. Prej atje, përmes një rrjeti që e drejtonte një njeri i vetëm, Imzot Kaçorri, shpërndaheshin ato prej bregut të detit deri në Shkup. As vetë qeveria, shkruen Jahja Kovaçi, nuk do të mundte të organizonte në fshehtësi një transport të tillë armësh.

Ky ishte meshtari i atdhetarisë Imzot Nikollë Kaçorri: i squet e trim, bujar e i besës, frymëzues e organizator, armator e udhëheqës.

 

 

5. VITET 1910-1912.

Në prag të Kryengritjes së përgjtihëshme të vitit 1911, xhonturqit, ma me egërsi se paraardhësit e tyne, ndërmorën një valë arrestimesh.

Ata ndiqnin me shqetësim veprimtarinë e Imzot Kaçorrit. Në selinë e tij në Durrës vinin atdhetarë nga të gjitha anët: nga Ohri e Tirana, Kruja e Shkodra, Kosova e Mati, Lezha e Mirdita.

Ndjekja e Imzot Kaçorrit nga ana e “hafijeve “ turke kishte fillue që më 1903, e sidomos gjatë Kryengritjes së Kurbinit në vitet 1905-1907, tue pa ndikimin e tij të madh në popull pa dallime fetare. Në fakt ai ishte njeriu ma i përfolun si në Stamboll, ashtu edhe në Vjenë, që në vend që ta mbronte, si shtet protektor i katolikëve shqiptarë, shikonte tek Imzot Kaçorri “të pabindunin”, që po përshpejtonte ngjarjet. Vetë Veziri i Madh (kryeminsitri) i kishte kërkue Vjenës të ndërhynte për të frenue veprimtarinë e tij.

Pjesëmarrja dhe roli i tij në Kongrese, mbrojtja që i bani alfabetit latin, roli i tij në ngritjen e shkollave në Durrës e Krujë, mosbindja haptas ndaj çdo urdhëni të pushtetarëve, çoi në arrestimin e tij me 18 qershor 1910.

Imzot Kaçorrit iu mohua e drejta e fjalës në gjyq, sepse e njihnin gojëtarinë dhe guximin e lurianit trim dhe e dinin se mund t’u nxirrte shumë telashe gjatë mbrojtjes. Por i kishin ba llogaritë gabim. Avokati gjirokastrit Dalip Efendiu i bani Atij një mbrojtje të shkëlqyeshme, aq sa proçesi i Tij u zgjat për rreth gjashtë muej e në të gjitha instancat, tronditi Durrës, Shkodër e deri Stambollin, aqsa u detyruen ta lironin nga burgu në mars 1911.

Imzot Kaçorri nuk humbi kohë: Sa u njoh me zhvillimin e ngjarjeve prej miqëve të shumtë që erdhën ta përgëzonin në Durrës, si vizitoi Kthellë, Selitë e Bushkash, u nis menjëherë në Lurën e tij, që të takonte atdhetarët e të ndihmonte në organizmin e Kryengritjes.

Para se të niste Kryengritja, Ai bani gjithçka, që me urtësinë dhe autoritetin e Tij, të ndikonte në dy drejtime:

a) Heqja dorë nga përçamja dhe gjakmarrja;

b) Bashkërendimi i veprimtarisë në mes krahinave, që kryengritja të ishte e përgjithëshme dhe një e vetme.

Hapi i parë që Ai ndërmori ishte organizmi i një kuvendi për një Besëlidhje të re, që u mbajt në Lurë me pjesëmarrjen e parisë së Matit, Dibrës, Kurbinit, Lezhës e deri Shala e Shoshi.

I shoqnuem nga dy djem besnikë, Hilë Kançi e Stefë Kaçulini, Ai shkeli pothuej gjithë Veriun, deri në zonat shqiptare në Mal të Zi. Tashma votrat e zjarrit që ishin  ndezë në mbarë vendin, duheshin bashkue. Ishte koha kur turqit, të gjendun nën zjarr të gjithanëshëm, u përpoqen të banin paqë me kryengritësit, një paqë dinake, me secilen krahinë veçmas, por kudo propozimet e tyne u hodhën poshtë e këtu pat një rol shumë të randësishëm mendja dhe guximi i Imzot Kaçorrit. Ai, përkundrazi, u kthye në Durrës më një mision shumë të randësishëm: të siguronte armë për kryengritësit.

Aksioni i çarmatosjes se popullsisë, i ndërmarrë gjatë vitit 1910, e kishte gjetë, veçanarisht sanxhakun e Durrësit, të çarmatosun. Gjithçka bani Imzot Kaçorri për sjelljen e armëve nga Trieste asht një vepër gjigande, që do të meritonte studim të veçantë. Po kufizohem të them se në këte ndërmarrje të jashtëzakonshme (ai siguroi armët për pothuej gjithë Veriun e Shqipnisë) pat mbështetjen poaq të jashtëzakonshme të atdhetarëve durrsakë Saida Kërtusha, Jahja Ballhysa, Hysen Fani, Sabri Dermani etj., të cilët besonin verbnisht tek idealet e Imzot Kaçorrit, e ndiqnin dhe e mbështetnin Atë pa iu trembë asnjë rreziku, qoftë edhe me jetë. Jo vetëm në kushtet e terrorit ma të egër turk, por edhe në rrethana të tjera krejt të favorshme, zbarkimi, transportimi dhe shpërndamja e armëve nga Shqipnia e Mesme e deri në Malësi të Mbishkodrës do të ishte një ndërmarrja e pamundun; natyrisht, jo për një gjigand si Imzot Kaçorri, që nuk e njihte të pamundunën kur fjala ishte për liri të Atdheut.

Si ua siguruen armët, me 3 qershor 1911, rreth 500 kryengritës, mirditorë, lurianë, matjanë, kurbinas etj., sulmuen forcat osmane në Lezhë, arrijtën të shtinin në dorë një depo armatimi tue marrë armatimin dhe municionin që gjendje aty. Ishte aksioni i parë i randësishëm i atij viti, që do të ndizte flakë mbarë vendin në luftë kundër pushtuesëve.

Si kundërmasë të parë turqit arrestuen pothuej të gjithë atdhetarët katolikë të Durrësit, tue mendue se kishin qenë ata që kishin mbështetë Imzot Kaçorrin për armatosjen e kryengritësve, pa u shkue në mend se atdhetarët muslimanë të Durrësit e të rrethinave kishin vu në dispozicion të Imzot Kaçorrit djemtë e tyne ma të mirë, anijet, pasuninë e gjtihçka tjetër që u kishte kërkue meshtari trim. Gjithçka e organizonte Ai, e frymëzonte Ai, edhe pse fizikisht ato dit gjendej në mes kryengritësve në krahinën e Fanit tue organizue përgatitjet për të përballue ushtrinë e Shefqet Durgut Pashës prej rreth 70.000 vetësh, që ishte drejtue kundër zonave kryengritëse.

Por me gjithë gjakun e derdhun, kërkesa kryesore e kryengritësve për autonomi të trojeve shqiptare nuk u plotësue nga Stambolli. Në këto rrethana, Komiteti i Përgjithëshëm i Kryengritjes, ku bante pjesë edhe Imzot Kaçorri, në vjeshtën e vitit 1911 u muer intensivisht me organizmin e një kryengritjeje të re e të përgjithëshme pranverën e vitit 1912. Duhet thanë se lëvizja e armatosun nuk kishte pushue një çast, por ajo nuk ishte e bashkërendueme: luftohej në Kosovë, luftohej në Hot e në Mirditë, në Dibër e në Kurbin, por pa një drejtim të unifikuem, siç do të kishte dashtë e kambëngulte gjithmonë Imzot Kaçorri. Përpjekjet e turqëve për t’i përça kryengritësit nëpërmjet disa pashallarëve shqiptarë, dështuen, sepse ndikimi i fjalës dhe respekti që gëzonte Imzot Kaçorri tek ata, ishte shumë ma i fuqishëm sesa e disa pashallarëve të nënshtruem ndaj osmanëve.

Me 12 mars 1912 malësorët e Bregut të Matës, të Ishmit e të Kurbinit, kryen sulmin e parë të fuqishëm te Kepi i Rodonit. Sulmet vijuen në Shijak, Zadrimë, Kthellë e kudo ishte e mundun që të siguroheshin armë, që të bahej i mundun sulmi i përgjithëshëm.

Ndërkohë edhe Kosova, e prime prej legjendarit Isa Boletini, ishte ngritë rishtas në kreyngritje.

Administrata turke, e bindun për rolin e Imzot Kaçorrit në organizmin e kryengritjes, bante gjithçka të siguronte të dhana për ta sulmue, po ai lëvizte në të gjithë Veriun e kthehej herë mbas here në Delbinisht, qendër e përkohëshme e Arqipeshkvisë, i mbrojtun nga gjithë populli, sidomos bashkëpunëtorët e tij besnikë Hilë Kançi e Stefë Kaçulini.

Duhet thanë se Imzot Kaçorri gjatë kësaj periudhe nuk pat as përkrahjen e duhun të Vjenës, ashtu si do ta kishte për detyrë, si shtet protektor i katolikëve (H. Isufi këtu e tepron tue u mbështetë në relacionet e ndonjë konsulli, që nuk përfaqësojnë gjithmonë makropolitiken e një shteti, e thotë se “Qëndrimi i Vjenës ndaj Dom Nikollë Kaçorrit, nuk ishte më pak armiqësor, se sa ai që kishin qeveritarët e administratës osmane në sanxhakun e Durrësit dhe në vilajetin e Shkodrës”. Mbasi shtjellon disa intriga jo fort bindëse kundër Imzot Kaçorrit, Isufi sjell edhe pjesë nga relacioni i konsullit austriak në Durrës, Lovental, drejtue MPJ në Vjenë, lidhun me propozimin për emnimin e Imzot Kaçorrit Arqipeshkëv i Durrësit: “… Marr leje që të rakomandoj nga ana ime për një mbështetje në mënyrën më të nxehtë …. që të bëhet një përkrahje energjike e kandidatruës së Imzot Kaçorrit”.)

Pavarësisht nga mbështetja austrohungareze apo jo, lufta kundër sundimtarëve turq aty nga fundi i prillit bahet përditë e ma të shpeshta, qoftë në sanxhakun e Durrësit, ashtu edhe në Mirditë, Zadrimë etj.

Lidhja me Luigj Gurakuqin në Shkodër ishte gjithashtu një hap i randësishëm drejt kryengritjes së përgjtihëshme. Në këto marëdhanje, ashtu si në gjithë veprimtarinë atdhetare të Imzot Kaçorrit, një rol shumë të randësishëm pat rishtas Stefë Kaçulini.

Nga Durrësi e drejt Durrësit lëvizjet e atdhetarëve baheshin gjithnjë e ma të shpeshta. Një ndër ata që shkoi tek Imzot Kaçorri në atë periudhë ishte edhe Hilë Mosi, përfaqësues i Komitetit të Kryengritjes në Podgoricë, përfshi edhe një pjesë të madhe të Malsisë së Mbishkodrës.

Ndërkohë, lëvizja atdhetare në Durrës e rrethina vazhdonte ma me vendosmëni drejt kryengritjes së përgjtihëshme, por duheshin ende armë, një ndër arsyet kryesore që atdhetarët nuk përshpejtonin ngjarjet.

Imzot Kaçorri, që nga Biza, ku ishte strehue për t’i ikë një arrestimi tjetër, organizoj furnizmin me armë, kësaj here jo ma nga Trieste, por nga Korfuzi.  Pa hy në hollësi të kësaj ndërmarrje të jashtëzakonshme, mjaftohem të them se Ai ka qenë armatori numur një ne vitet 1905-1912 për zonën nga Durrësi deri në Lezhë, Mirditë, Fan, Lurë, Kurbin etj. Kjo dëshmohet edhe nga relacionet e shumta Durrës-Stamboll, apo Shkodër-Stamboll, të burimeve konsullore, por sidomos të administratës osmane.

Ndërkohë Ai lëvizte me bashkëpunëtorët e tij Saida Kërtusha, Hilë Kançi e Stefë Kaçulini nga një krahinë në tjetrën me synim bashkërenditjen e veprimeve nëpërmjet një lidhje të re e të fortë. Këtë qellim pat edhe Kuvendi i Zejmenit i datës 11 maj 1912 i organizuem me mbështetjen e vëllazënve Coku ku morën pjesë përfaqësues të Mirditës, Kthellës, Selitës, Malësisë së Lezhës, Kurbinit e Bregut të Matës, besëlidhje së cilës pak ma vonë iu shtuen edhe Dibra e Mati. Menjëherë filluen edhe sulmet kundër turqëve, si në Kurbin e në Breg të Matës.

Tashma qellimi kryesor i Imzot Kaçorrit i kapërcente shumë organizmin e sulmeve luftarake në zona të veçanta. Komiteti i Kryengritjes për Shqipninë e Mesme, me Imzot Kaçorrin mendje e frymëzues, e ku banin pjesë atdhetarë si Abdi Toptani, Sali Nivica e Stefë Kaçulini, i vuni vehtes si qellim kryesor lidhjen në mes komiteteve ndërkrahinore. Këte detyrë jetike për kryengritjen e morën përsipër pikërisht Imzot Kaçorri dhe Sali Nivica.

Biri i Kurveleshit Sali Nivica, i emnuem mësues në gjimnazin e Durrësit më 1909 (atëherë vetëm 19-vjeç djalë), u lidh me mish e me shpirt me lurianin trim, që çashtjen e lirisë e kishte kthye në qellim të vetëm të jetës së tij. Askush, në vitet 1903-1912, nuk qé ma aktiv se Ai në lëvizjen kombtare për liri. Ndërsa lëvizja e armatosun në qershor 1912 kishte shpërthye pothuej se kudo, dy miqtë e bashkëpunëtorët, Imzot Kaçorri e Sali Nivica, shkelen anë e kand Shqipninë për të koordinue veprimet luftarake. Ndërsa i pari shkeli gjithë Veriun e deri në Kosovë, Sali Nivica nisej për në Berat, Vlonë, Delvinë e Gjirokastër. Korrispondenca e këtyne dy atdhetarëve gjatë asaj periudhe asht një burim autentik e shumë i randësishëm për historinë.

 

6. DREJT PAVARSISË

 

                                      “Qela e Dom Nikollë Kaçorrit ishte një votër, rreth së

                                      cilës çdo zemër shqiptari mblidhej me afsh atdhetarie

                                      dhe mund të shprehej lirshëm.”

                   Mustafa Kruja

 

Situatën që u krijue në vjeshtë 1912 historiani Hajredin Isufi e përshkruen qartë: Shpërthimi i Luftës së Parë Ballkanike, më 8 nëntor 1912, krijoi një situatë të ndërlikuar në Shqipëri. Monarkitë shoviniste fqinje … kishin vendosur për ta fshirë Shqipërinë nga harta politike e Ballkanit”. Pra, ndërsa shqiptarët, kudo në trojet e tyne po luftonin për çlirimin nga pushtuesit osmanë, një rrezik tjetër shumë i madh, siç do ta dëshmonin vitet në vazhdim, po u kërcënohej shqiptarëve. Që me 14 tetor 1912, tue parapa rrezikun e ri e tejet të madh, mbahej në Shkup një mbledhje e përfaqësuesëve të Komiteteve të Shpëtimit për të vendosë si do të veprohej në rrethanat e reja “sesi mund t’i dilej para rrezikut të vdekjes, që po i kanosej kombit tonë”. Aty u vendos të njoftoheshin Fuqitë e Mëdha, “se populli shqiptar do të rrokte armët … për t’i dal zot mbrojtjes së territoreve tokësore shqiptare”. Barra për drejtimin e mbrojtjes së trojeve tona iu ngarkue në fillim atyne që u gjenden në Shkup: Mit’ha Frashërit, Sali Gjukës, Rexhep Mitrovicës e Bedri Pejës. Me lëvizjen e tyne drejt Tiranës udhëheqjes mbarëkombtare iu shtuen edhe Abdi Toptani, Mustafa Kruja e Imzot Nikollë Kaçorri. Në mbledhjen e tyne të parë në strehen e Imzot Kaçorrit u hodh ideja t’u kërkohej Fuqive të Mëdha autonomia e Shqipnisë nën mbrojtjen e Austro-Hungarisë. Por shqipja e malit, Imzot Kaçorri, nuk ishte i atij mendimi. Ia vlen të sjellim një fragment nga fjala e Tij: “Pasha bukën, or shokë e vllazën, po qé puna për nji autonomi me proje (mbrojtje, DG) të dikujt e jo indipendencë, un kishim me pëlqye ma parë vetë Turqinë, e cila …. herët a vonë, asht e dënueme me u shporrun këtyne viseve t’Europës ….. nuk na ka hije me i thanë nji tjetri: Eja na sundo ti, qi je zotni ma i mirë se ai qi kemi, mbasi na s’jemi të zotët me sundue veten”.

U vendos ashtu si kërkoj Imzot Kaçorri. Mbledhja i drejtoi një memorandum mbretit të Austro-Hungarisë, tekstin e të cilit e hartoi Imzot Kaçorri: “Shqipnia me katër vilajetet: Shkodër, Kosovë, Manastir dhe Janinë, të mbetej e paprekun, e pazvoglueme …. Që me katër vilajetet e përmendun ma sipër, me tre milion e sa shqiptarë, të bahej mbretni (shtet, DG) më vete ….. dhe po të ishte e mundun të merrej parasysh dëshira jonë, të bahej një mbretni e paanëshme si Belgjika e Zvicëra”.

Ja si e përshkruen Mustafa Kruja kundërshtimin e Imzot Kaçorrit për të qenë nën protektorat të Austro-Hungarisë:

“Shqipnia për Dom Nikollë Kaçorrin, Atdheu, liria e saj, ishte ideali i tij, kurse Austria ishte (për të) një shtet i huej …. Dom Nikollë Kaçorri ishte shqiptar plot gojën …. “.

Sa mbaroi mbledhja e Durrësit dhe i nisën  memorandumin Vjenës, ata u shpërndanë: Sali Gjuka në Elbasan, Abdi Tpotani në Tiranë, Dom Nikllë Kaçorri në Mirditë, Mustafa Kruja në Krujë, Mit’hat Frashëri në Vlonë.

Ndërkohë Ismail Qemali njoftonte se së shpejti do të arrinte në Shqipni e do të shpallej Pavarsia.

Po një gjamë e zezë vinte nga Veriperëndimi: armata serbe pushtoi zonat nga Shëngjini deri në Krujë.

Pikërisht në këto rrethana arrijti me 21 nandor Ismail Qemali me shokë në Durrës. Ai u prit nga Imzot Kaçorri, Abdi Toptani e Mustafa Kruja. Veçanarisht në rrethanat dyfish të randa, të pushtimit turk e të invazionit serb, lindte nevoja e shpalljes së mënjëherëshme të Pavarsisë pikërisht në Durrës, pavarësisht se një pjesë e madhe e popullsisë muslimane, kryesisht e rrethinave, ishte jo mirë e informueme, e se gjykonin veprimatrinë e atdhetarëve me në krye Ismail Qemalin si agjentë e provokatorë.

Por Imzot Kaçorri lëshoi kushtrimin e tij historik: “O SOT, O KURRË MA”!

Turma fanatikësh, të mbështetun e të ndërsyem si nga mytaserifi i Durrësit, ashtu edhe nga metropoliti Jakov, mbushën rrugët e qytetit tue rrezikue edhe jetën e Ismail Qemalit e të atdhetarëve të tjerë. Por kjo nuk bani që ata të tërhiqeshin: Me 23 nandor u organizue një takim madhështor me popullin e Durrësit, që të shpalosnin planin e tyne për Pavarsinë. Bashkë me Ismail Qemalin, në një tribunë të improvizueme, dolën edhe Abdi Toptani, Mustafa Kruja e Dom Nikollë Kaçorri, që mori fjalën: “Sot asht dita ma e shënueme në historinë e kombit tonë. Për të ardhë në këte ditë, asht dashtë të bajmë shumë sakrifica të gjithë shqiptarët, musliamnë, ortodoksë e katolikë, që gjithëherë kanë qenë në krah të njeni tjetrit si vllazën, kur ishte fjala për çashtjen kombtare …”.

Mbas tij foli Ismail Qemali, që shpalosi qellimin e ardhjes së tij në Durrës.

Por nuk ishte e thanë që entuziasmi i popullit të zgjaste shumë: Të ndërsyem nga myftiu, por sidomos nga mytaserifi e metropoliti Jakov, populli sulmoi ashpër Ismail Qemalin, që atë situatë të mjerë e kujton me trishtim: “Kishim ndër mend të bënim në Durrës punën që bëmë këtu (në Vlorë), por …. pa kuptimi i durrësakëve na dha të marrim vesh se një punë e atillë nuk mund të bëhej atje. E mjerisht nuk u ndamë me kaq, po ….. na përgjigjeshin “Ju jeni tradhëtarë”…….”

Në fakt ngjarjet e Durrësit do të kishin marrë edhe ma për keq, nëse komandanti i garnizonit të vogël turk, Hamid Toptani, nuk do të vihej plotësisht në shërbim të atdhetarëve, të pushtonte telegrafen e të njoftonte gjithë atdhtarët të niseshin për “në VLonë, ku do të mbahej Kongresi i madh për vetëqeverimin e Shqipërisë sonë ….”, siç do të shkruente Dhimitër Zografi pesë vjet ma vonë.

Ndërsa Ismail Qemali detyrohej të nisej për në Vlonë në rrethana jo pak dramatike, atdhetarët durrsakë Stefë Kaçulinin, Jahja Ballhysën, Hafiz Ali Podgoricën etj., merrnin të gjitha masat që, gjithësesi, të ngrihej flamuri i Pavarsisë edhe në Durrës.

Me 26 Nandor 1912, kryetari i bashkisë, Hafiz Ali Podgorica, ngriti mbi konakun e administratës turke Flamurin Shqiptar.

Podgorica kishte dëshmue vendosmëninë e tij prej atdhetari qysh heret, e bashkë me atdhetarët e tjerë durrsakë si Abaz Çelkupa, Jahja Ballhysa etj., kishte qenë pranë Imzot Kaçorrit në të gjtihë veprimtarinë atdhetare. Kur erdhën xhonturqit në fuqi, gjoja për të dëshnmue se pushteti tashti do të ishte në duert e shqipatrëve, e caktuen kryetar bashkie. Po kjo nuk e largoi as edhe një çast Podgoricën nga bashkëpunimi me miqtë e tij atdhetarë, çka e dëshmoi edhe me këte akt historik. Ishte hera e parë që valvitej Flamuri ynë, mbas atij të ngritun nga legjendari Dedë Gjo Luli në Deçiq.

Flamurin e Durrësit e pikturoi Stefë Kaçulini dhe e qendisi motra e tij Maria Kaçulini. Simbas gjithë gjasave, Kaçulini njihte flamurin e ngritun nga plaku i urtë Dedë Gjo Luli, sepse ngjashmënia e tyne asht shumë e madhe.

Ngritja e Flamurit në Durrës pat jehonë në të gjithë trojet shqiptare, ashtu edhe në Europë. Ishte lajmi ma i gëzueshëm që merrnin Ismail Qemali e Imzot Kaçorri, të porsaarritun në Vlonë natën e 27 nandorit, e që pak ditë ma parë ishin largue zemërthyem nga kundërshtimi që kishin ndeshë prej rretheve reaksionare e fanatike.

Por gëzimi i durrësakëve do të ishte tepër i shkurtë.

Qyteti u pushtue nga forcat serbe, që do të largoheshin vetëm në fund të dhjetorit simbas vendimit të marrun nga Konferenca e Fuqive të Mëdha në Londër.

Lezhë, Nandor 2011.

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 11/11/2011. Filed under Kultura,Patriotët. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

One Response to Në prag të Ditës së Pavarsisë

  1. camisetas barcelona

    10/12/2011 at 12:37


    I have recently been searching on the internet over Several several hours nowadays, nevertheless We by no means found any kind of intriguing post just like the one you have. It’s relatively worth adequate for me personally. For my part, in the event that all site proprietors as well as blog writers produced great content material when you did, the web will probably be substantially far more useful than ever before ahead of.