Widgetized Section

Go to Admin » Appearance » Widgets » and move Gabfire Widget: Social into that MastheadOverlay zone

Kodi Penal i Shqiperise(2008) Neni 66-105

Lexuar 1389
KREU VIII
SHUARJA E NDJEKJES PENALE, TË DËNIMEVE DHE MOSEKZEKUTIMI I TYRE

Neni 66
Parashkrimi i ndjekjes penale
Nuk mund të bëhen ndjekje penale kur nga kryerja e veprës deri në çastin e marrjes së
personit si të pandehur kanë kaluar:
a) njëzet vjet për krimet që parashikojnë dënim jo më të ulët se dhjetë vjet burgim ose dënim
tjetër më të rëndë;
b) dhjetë vjet për krimet që parashikojnë dënim nga pesë gjer në dhjetë vjet burgim;
c) pesë vjet për krimet që parashikojnë dënim gjer në pesë vjet burgim ose gjobë;
ç) tre vjet për kundërvajtjet penale që parashikojnë dënim gjer në dy vjet burgim;
d) dy vjet për kundërvajtjet penale që parashikojnë dënim me gjobë.

Neni 67
Mosparashkrimi i ndjekjes penale
Nuk i nënshtrohen parashkrimit të ndjekjes penale krimet e luftës dhe ato kundër njerëzimit.
Neni 68
Parashkrimi i ekzekutimit të dënimit
Vendimi i dënimit nuk ekzekutohet kur nga dita që ka marrë formë të prerë kanë kaluar:
a) njëzet vjet për vendimin që përmban dënim pesëmbëdhjetë gjer në njëzetepesë vjet
burgim;
b) dhjetë vjet për vendimin që përman dënim pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet burgim;
c) pesë vjet për vendime që përmbajnë dënim me burgim gjer në pesë vjet ose dënime të
tjera më të lehta.
__________________________________________________
Vendim i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë nr.7, datë 11.10.2002
Në kreun e VIII-të të Kodit Penal ligjvënësi ka parashikuar një institut më vete në lidhje me
shuarjen e ndjekjes penale, të dënimeve dhe mosekzekutimin e tyre.
Brenda kuadrit të këtij instituti janë përfshirë dispozita të veçanta në lidhje me parashkrimin
e ndjekjes penale, (neni 66 i K.Penal); në lidhje me parashkrimin e ekzekutimit të dënimit, (neni
68 i Kodit Penal) dhe shuarjen e dënimit ose, sikurse e ka emërtuar vetë ligjvënësi, rehabilitimin,
(neni 69 i Kodit Penal).
Këto dispozita përmbajnë rregullimin ligjor të këtij instituti në tre aspekte të veçanta të tij.
Kështu, dispozita e nenit 66 të Kodit Penal bën fjalë për parashkrimin e ndjekjes penale me
të cilin duhet kuptuar ndalimi që ekziston me ligj për të bërë ndjekje penale, në qoftë se, nga koha
kur është kryer vepra penale, deri në momentin e marrjes si të pandehur të autorit të saj, kanë
kaluar afatet e parashikuara në këtë dispozitë.
Në dispozitën e nenit 68 të Kodit Penal ligjvënësi ka parashikuar afatet, me kalimin e të
cilëve, vendimi i dënimit, dhënë ndaj një personi për vepra penale të kryera prej tij, nuk mund të
ekzekutohet më.
Kurse në dispozitën e nenit 69 të Kodit Penal janë parashikuar afatet, me kalimin e të
cilave, personi i dënuar për vepra penale të kryera prej tij, do të quhet i padënuar ose, siç e ka
vetë ligji i rehabilituar.
Nga sa u parashtrua shkurtimisht më lart, arrihet në përfundimin se, në rastin e parë, (neni
66 i Kodit Penal) ndodhemi para rastit të parashkrimit të së drejtës së organeve kompetente të
ndjekjes penale; në rastin e dytë (neni 68 i Kodit Penal), ndodhemi para parashkrimit të së
drejtës së organeve kompetente shtetërore, të ngarkuara me ekzekutimin e vendimeve të dënimit
për të ekzekutuar këto vendime. Kurse, në rastin e tretë, (neni 69 i Kodit Penal) ndodhemi para
shuarjes së dënimit të dhënë ndaj një personi për vepra penale të kryera prej tij d.m.th., para
rehabilitimit të këtij personi që sjell si pasojë ndryshimin e gjendjes gjyqësore të tij, nga i dënuar
në i padenuar.
Çështja objekt gjykimi në Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë ka të bëjë me aspektin e
dytë të institutit të parashkrimit, d.m.th. me parashkrimin e ekzekutimit të dënimit, parashikuar
nga neni 68 i Kodit Penal.
Nga përmbajtja e kësaj dispozite, del se vendimi i dënimit nuk ekzekutohet kur nga dita që
ka marrë formë të prerë kanë kaluar: njëzet vjet për vendimin që përmban dënim pësëmbëdhjetë
gjer në njëzetëpesë vjet; dhjetë vjet për vendimin që përmban dënim pësë gjer në pësëmbëdhjetë
vjet dhe pesë vjet për vendime që përmbajnë dënim me burgim gjer në pesë vjet ose dënime të
tjera më të lehta.
Duket qartë se, ligjvënësi, nëpërmjet kësaj dispozite, ka vënë përpara organeve kompetente
shtetërore të ngarkuara me ekzekutimin e vendimeve të dënimit një kufizim kohor brenda të cilit
këto organe kanë të drejtë që të vënë në ekzekutim një vendim penal të formës së prerë. Ky
kufizim kohor, përbën në të njëjtën kohë edhe një ndalim të shprehur për këto organe, i cili nuk u
lejon atyre që të ekzekutojnë vendime penale tej afateve të përcaktuara, sipas rastit, në shkronjat
“a”, “b” dhe “c” të dispozitës së nenit 68 të Kodit Penal.
Qëllimi i ligjvënësit në vendosjen e këtij kufizimi kohor dhe ndalimi ka qenë së pari,
realizimi në praktikë i efektit të përgjithshëm dhe të veçante parandalues të dënimit në çdo rast
konkret dhe së dyti, disiplinimi i procesit të ekzekutimit të vendimeve të dënimit në përgjithësi dhe
në mënyrë të veçantë në rastet kur personi i dënuar, për njërën apo tjetrën arsye i shmanget apo i
fshihet këtij procesi.
Të drejtën dhe njëkohësisht detyrën që kanë organet kompetente shtetërore, të ngarkuara me
ekzekutimin e vendimeve të dënimit, ligjvënësi ë ka kushtëzuar së pari me momentin kur vendimi
i dënimit ka marrë formën e prerë dhe së dyti, në vartësi të masave dhe llojeve të dënimit të
dhënë, me afatet, (njëzet, dhjetë dhe pesë vjet), që parashikohen në dispozitën e përmendur të
Kodit Penal.
Nga sa u parashtruan në paragrafin e mësipërm, arrihet në përfundimin se, organet
kompetente shtetërore të ngarkuara me ekzekutimin e vendimeve të dënimit, kanë të drejtë dhe
njëkohësisht detyrë që menjëherë, sapo vendimi i dënimit të ketë marrë formë të prerë, ta vënë në
ekzekutim atë.
Këtë të drejtë ato vazhdojnë ta kenë derisa pa u plotësuar akoma afatet, njëzet, dhjetë dhe
pesë vjet të parashikuara respektivisht nga shkronjat “a”, “b” dhe “c” të nenit 68 të Kodit
Penal.
Nga kjo del se vendimi i dënimit nuk mund të ekzekutohet as para se ai të ketë marrë formë
të prerë, as pasi të jenë plotësuar afatet njezet, dhjetë dhe pesë vjet që u përmendën dhe kjo
përbën ndalimin që u përmend më lart.
Nga leximi i vetë tekstit të dispozitës së nenit 68 të Kodit Penal shihet fare qartë që
ligjvënësi jo vetëm që nuk ka parashikuar, por as ka lënë të nënkuptohet se ekzistojnë shkaqe apo
faktorë që mund të sjellin si pasojë zgjatjen e afateve të parashkrimit që janë parashikuar prej tij
në lidhje me ekzekutimin e vendimit të dënimit.
Gjykata e shkallës së parë Elbasan dhe Gjykata e Apelit Durrës e kanë rrëzuar kërkesën e të
dënuarit Blerim Llukani me arsyetimin: “se me datë 13.3.1997 është ndërprerë vuajtja e
dënimit”. Ky konkluzion i gjykatave nuk gjen mbështetje në asnjë dispozitë ligjore të së drejtës
penale. Në Kodin Penal dhe në Kodin e Procedurës Penale nuk parashikohet ndërprerja e
ekzekutimit të vendimeve. Megjithëse në legjislacionin penal shqiptar nuk parashikohet
ndërprerja e ekzekutimit të vendimit, gjykatat i referohen parimeve të përgjithshme të së drejtës e
sidomos të drejtës civile që e parashikon ndërprerjen si një institut ligjor. Një qëndrim i tillë vjen
në kundërshtim me parimet e Kodit Penal shqiptar. Në të drejtën penale shqiptare është
sanksionuar: “Kodi Penal bazohet në parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës, të barazisë
përpara ligjit, të drejtësisë në caktimin e fajësisë dhe të dënimit, si dhe të humanizmit. Zbatimi i
ligjit penal me analogji nuk lejohet.
__________________________________________________

Neni 69
Rehabilitimi
Quhen të padënuar:
a) ata që janë dënuar me burgim për një kohë gjer në gjashtë muaj ose me çdo dënim tjetër
më të lehtë dhe që gjatë dy vjetëve nga dita e vuajtjes së dënimit nuk kanë kryer vepër tjetër
penale;
b) ata që janë dënuar me burgim për një kohë nga gjashtë muaj gjer në pesë vjet dhe që gjatë
pesë vjetëve nga dita e vuajtjes së dënimit nuk kanë kryer vepër tjetër penale;
c) ata që janë dënuar me burgim për një kohë nga pesë gjer në dhjetë vjet dhe që gjatë shtatë
vjetëve nga dita e vuajtjes së dënimit nuk kanë kryer vepër tjetër penale;
ç) ata që janë dënuar me burgim për një kohë nga dhjetë gjer në njëzet e pesë vjet dhe që
gjatë dhjetë vjetëve nga dita e vuajtjes së dënimit nuk kanë kryer vepër tjetër penale.

Neni 70
Falja
Me aktin e faljes organi kompetent përjashton tërësisht apo pjesërisht personin nga vuajtja e
dënimit të dhënë me një vendim gjyqësor ose bën zëvendësimin e dënimit me një lloj dënimi më
të butë.

Neni 71
Amnistia
Me aktin e amnistisë organi kompetent përjashton nga ndjekja penale, nga vuajtja tërësisht
apo pjesërisht e dënimit ose bën zëvendësimin e dënimit me një lloj dënimi më të butë.
Amnistia shtrihet për ato vepra penale të kryera deri një ditë para shpalljes së saj, veç rastit
kur në aktin përkatës vendoset ndryshe.

Neni 72
Zbatimi i dispozitave të pjesës së përgjithshme
Dispozitat e pjesës së përgjithshme të këtij Kodi zbatohen edhe për veprat penale të tjera të
parashikuara si të tilla nga ligje të veçanta.
PJESA E POSAÇME
KREU I
KRIME KUNDËR NJERËZIMIT

Neni 73
Genocidi
(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 79)
Zbatimi i një plani të paramenduar që synon shkatërrimin tërësisht apo pjesërisht të një grupi
nacional, etnik, racial apo fetar i drejtuar kundër anëtarëve të grupit dhe i shoqëruar me veprat që
vijojnë, si: vrasje me dashje të anëtarëve të grupit, dëmtime të rënda fizike dhe psikike, vendosja
në kushte jetese të rënda që shkaktojnë shkatërrimin fizik, zbatimi i masave që synojnë pengimin
e lindjeve, si dhe transferimi i detyrueshëm i fëmijëve të një grupi në një grup tjetër, dënohet me
burgim jo më pak se dhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.

Neni 74
Krime kundër njerëzimit
(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 8)
Vrasjet, shfarosjet, kthimi në skllevër, internimet dhe dëbimet, si dhe çdo lloj torture ose
dhune tjetër njerëzore të kryera, sipas një plani konkret të paramenduar, kundër një grupi të
popullsisë civile për motive politike, ideologjike, raciale, etnike e fetare dënohen jo më pak se
pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.

Neni 75
Krimet e luftës
(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 79)
Veprat e kryera nga persona të ndryshëm në kohë lufte, si vrasja, keqtrajtimi ose dëbimi për
punë skllavëruese, si dhe për çdo lloj shfrytëzimi tjetër çnjerëzor në dëm të popullsisë civile ose
në territor të pushtuar, vrasja ose keqtrajtimi i robërve të luftës, vrasja e pengjeve, shkatërrimi i
pasurisë private ose publike, shkatërrimi i qyteteve, komunave ose fshatrave, jo të diktuara nga
nevoja ushtarake, dënohet me heqje të lirisë jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të
përjetshëm.

KREU II
VEPRA PENALE KUNDËR PERSONIT
KRIME KUNDËR JETËS

SEKSIONI I
KRIME KUNDËR JETËS TË KRYERA ME DASHJE

Neni 76
Vrasja me dashje
Vrasja e kryer me dashje dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

Neni 77
Vrasja me dashje në lidhje me një krim tjetër
(Ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 9)
Vrasja me dashje, që paraprin, shoqëron, fsheh ose pason një krim tjetër, dënohet me burgim
jo më pak se njëzet vjet.

Neni 78
Vrasja me paramendim
(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 10)
(Shtesë në paragrafin e dytë me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 7)
Vrasja me paramendim dënohet me burgim nga pesëmbëdhjetë gjer në njëzet e pesë vjet .
Vrasja e kryer për interes, hakmarrje a gjakmarrje dënohet me burgim jo më pak se njëzet
vjet ose me burgim të përjetshëm, si dhe me gjobë nga pesëqind mijë lekë deri në tre milionë
lekë.

Neni 79
Vrasja në rrethana të tjera cilësuese
(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 11)
(Ndryshuar shkronja “c” me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 9)
Vrasja me dashje e kryer:
a) ndaj të miturit;
b) ndaj personit me mangësi fizike ose psikike, të sëmurë rëndë ose shtatzënë, kur cilësitë e
viktimës janë të dukshme ose të njohura;
c) ndaj deputetit, gjyqtarit, prokurorit, avokatit, policit, ushtarakut, funksionarët e tjerë
publik, gjatë detyrës ose për shkak të saj, kur cilësitë e viktimës janë të dukshme ose të njohura;
ç) ndaj kallëzuesit, dëshmitarit, të dëmtuarit ose palëve të tjera ndërgjyqëse;
d) më shumë se një herë;
dh) kundër dy ose më shumë personave;
e) në mënyrë të tillë që i shkakton mundime të veçanta viktimës;
ë) në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, dënohet me burgim jo më pak se
njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm.

Neni 80
Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje dënohet me burgim gjer në
pesë vjet.

Neni 81
Vrasja e foshnjës
Vrasja e foshnjës e kryer me dashje nga nëna, menjëherë pas lindjes, përbën kundërvajtje
penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 82
Vrasja e kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike
Vrasja me dashje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike të çastit shkaktuar nga
dhuna ose fyerja e rëndë e viktimës dënohet me burgim gjer në tetë vjet.

Neni 83
Vrasja e kryer me kapërcim të kufijve të mbrojtjes
së nevojshme
Vrasja e kryer në kushtet e kapërcimit të kufijve të mbrojtjes së nevojshme dënohet me
burgim gjer në shtatë vjet.

Neni 83/a
Kanosja serioze për hakmarrje ose për gjakmarrje
(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 12)
(Ndryshuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 8)
Kanosja serioze për hakmarrje ose gjakmarrje, që i bëhet një personi për t’u mbyllur në
shtëpi, dënohet me burgim deri në tre vjet, si dhe me gjobë nga njëqind mijë lekë deri në një
milion lekë.

Neni 83/b
Nxitja për gjakmarrje
(Shtuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 9)
Nxitja e të tjerëve për hakmarrje ose gjakmarrje, kur nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet
me burgim deri në tre vjet, si dhe me gjobë nga njëqind mijë lekë deri në një milion lekë.

Neni 84
Kanosja
Kanosja serioze për vrasje ose për plagosje të rëndë që i bëhet një personi, përbën
kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

SEKSIONI II
KRIME KUNDËR JETËS SHKAKTUAR ME PAKUJDESI

Neni 85
Vrasja nga pakujdesia
Vrasja e kryer nga pakujdesia dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

SEKSIONI III
VEPRAT PENALE TË KRYERA ME DASHJE
KUNDËR SHËNDETIT

Neni 86
Tortura
(Ndryshuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 10)
Kryerja me dashje e veprave, nëpërmjet të cilave një personi i janë shkaktuar vuajtje të
rënda, fizike apo mendore, nga një person, që ushtron funksione publike, ose me nxitjen apo
miratimin e tij, të hapur ose të heshtur, me qëllim:
a) për të marrë prej tij ose një tjetri informata ose pohime;
b) për ta ndëshkuar për një veprim të kryer ose që dyshohet të jetë kryer prej/ose një personi
tjetër;
c) për ta frikësuar ose bërë presion mbi të ose një person tjetër;
ç) për çdo qëllim tjetër të bazuar në çfarëdolloj forme diskriminimi;
d) çdo akt tjetër çnjerëzor apo poshtërues;
– përbëjnë vepër penale dhe dënohen me burgim nga katër deri në dhjetë vjet.

Neni 87
Tortura me pasoja të rënda
Tortura, si dhe çdo akt tjetër çnjerëzor, kur ka sjellë gjymtimin, shëmtimin ose çdo dëmtim
të përhershëm të shëndetit të personit apo vdekjen, dënohen me burgim nga dhjetë gjer në njëzet
vjet.

Neni 88
Plagosja e rëndë me dashje
Plagosja e kryer me dashje që ka sjellë si pasojë gjymtimin, shëmtimin ose çdo dëmtim
tjetër të përhershëm të shëndetit, ndërprerjen e shtatzanisë, ose ka qenë e rrezikshme për jetën në
çastin e shkaktimit të saj, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.
Po kjo vepër, kur është kryer kundër disa personave ose kur ka sjellë si pasojë vdekjen,
dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 88/a
Plagosje e rëndë në gjendje të tronditjes së fortë psikike
(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 13)
Plagosja e rëndë, e kryer në gjendje të tronditjes të fortë psikike të çastit, shkaktuar nga
dhuna ose fyerja e rëndë nga ana e të dëmtuarit, dënohet me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 88/b
Plagosje e rëndë me kapërcim të kufijve të mbrojtjes
së nevojshme
(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 13)
Plagosja e rëndë, e kryer me kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme, dënohet me
burgim gjer në tre vjet.

Neni 89
Plagosja e lehtë me dashje
Plagosja e kryer me dashje, që ka shkaktuar paaftësi të përkohshme në punë më tepër se 9
ditë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 89/a
(Shtuar me ligjin nr.8204, datë 10.4.1997, neni 1)
Shitblerja e transplanteve, si dhe çdo veprimtari që lidhet me heqjen dhe implantimin e
paligjshëm të organeve, dënohet me burgim nga 3 deri në 10 vjet.
Kur këto vepra kryhen me qëllim fitimi, dënohen me burgim nga 10 deri në 20 vjet.

Neni 90
Dëmtime të tjera me dashje
Rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune, përbën kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë.
Po kjo vepër, kur ka shkaktuar paaftësi të përkohshme në punë deri në 9 ditë, përbën
kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.

SEKSIONI IV
VEPRA PENALE KUNDËR SHËNDETIT TË KRYERA
NGA PAKUJDESIA

Neni 91
Plagosja e rëndë nga pakujdesia
Plagosja e rëndë e kryer nga pakujdesia përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë
ose me burgim gjer në një vit.

Neni 92
Plagosja e lehtë nga pakujdesia
Plagosja e lehtë e kryer nga pakujdesia përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë.

SEKSIONI V

VEPRA PENALE QË RREZIKOJNË JETËN DHE SHËNDETIN NGA NDËRPRERJA E
SHTATZANISË OSE MOSDHËNIA E NDIHMËS

Neni 93
Ndërprerja e shtatzanisë pa pëlqim të gruas
Ndërprerja e shtatzanisë pa pëlqim të gruas, veç rastit kur ndërprerja diktohet nga një shkak
shëndetësor i justifikuar, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 94
Ndërprerja e shtatzanisë e kryer në vende dhe nga persona
të paautorizuar
Ndërprerja e shtatzanisë e kryer jo në ambiente spitalore publike apo klinika private të
lejuara posaçërisht, ose nga një person që nuk është mjek ose, tej kohës së lejueshme për
ndërprerje veç rastit kur kjo diktohet nga një shkak shëndetësor i justifikuar, përbën kundërvajtje
penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.
Kur nga vepra është shkaktuar rrezikimi i jetës ose vdekja, dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në pesë vjet.

Neni 95
Dhënia e mjeteve për ndërprerjen e shtatzanisë
Dhënia e mjeteve që shërbejnë për ndërprerjen e shtatzanisë një gruaje me qëllim që kjo të
kryejë vetë ose me ndihmën e ndonjë tjetri ndërprerje, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet
me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Neni 96

Mjekimi i pakujdesshëm
(Shtuar paragrafi i II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni14)
Mjekimi i pakujdesshëm i të sëmurëve nga ana e mjekut ose e personelit tjetër mjekësor, si
dhe moszbatimi i terapisë ose i porosive të mjekut nga personeli mjekësor apo farmacist, kur ka
shkaktuar dëmtimin e rëndë të shëndetit, ka rrezikuar jetën e personit ose ka shkaktuar vdekjen e
tij, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.
Po kjo vepër, kur ka shkaktuar infektimin e të sëmurëve me infeksionin HIV/AIDS, dënohet
me burgim nga tre gjer në shtatë vjet.

Neni 97

Mosdhënia ndihmë
Mosdhënia e ndihmës, pa shkaqe të arsyeshme nga ana e personit që me ligj ose për shkak të
detyrës detyrohej ta jepte atë, kur si pasojë e saj është shkaktuar dëmtimi i rëndë i shëndetit,
rrezikimi i jetës ose vdekja, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer
në dy vjet.

Neni 98

Mosdhënia e ndihmës nga kapiteni i anijes
Mosdhënia e ndihmës nga kapiteni i anijes njerëzve që janë duke u mbytur në det ose në
ujëra të tjera, kur kjo ndihmë mund të jepej pa rrezik serioz për anijen, ekuipazhin dhe udhëtarët,
dënohet me gjobë ose me burgim gjer në katër vjet.

Neni 99

Shkaktimi i vetëvrasjes
Shkaktimi i vetëvrasjes ose i tentativës së vetëvrasjes të një personi, si rrjedhojë e trajtimit të
keq sistematik ose nga sjellje të tjera sistematike që prekin rëndë dinjitetin, të kryera nga personi
që e ka në vartësi materiale apo çfarëdolloj vartësie tjetër, dënohet me gjobë ose me burgim gjer
në pesë vjet.

SEKSIONI VI
KRIME SEKSUALE

Neni 100

Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur
(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 15)
Kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale me fëmijë të mitur, që nuk ka arritur
moshën katërmbëdhjetë vjeç ose me të miturën që nuk ka arritur pjekurinë seksuale, dënohet me
burgim nga shtatë gjer në në pesëmbëdhjetë vjet.
Kur marrëdhënia seksuale ose homoseksuale kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë
ose me dhunë, ose kur i janë shkaktuar fëmijës së dëmtuar pasoja të rënda për shëndetin, dënohet
me burgim nga pesëmbëdhjetë gjer në njëzet e pesë vjet.
Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen ose vetëvrasjen e fëmijës së mitur dënohet me burgim
jo më pak se njëzet vjet.

Neni 101

Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç
(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 16)
Kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale, me dhunë, me fëmijë të mitur në
moshën katërmbëdhjetë gjer në tetëmbëdhjetë vjeç dhe që ka arritur pjekurinë seksuale, dënohet
me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.
Kur marrëdhënia seksuale ose homoseksuale, me dhunë, kryhet në bashkëpunim ose më
shumë se një herë, ose kur fëmijës së dëmtuar i shkaktohen pasoja të rënda për shëndetin, dënohet
me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.
Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen ose vetëvrasjen e fëmijës së mitur dënohet me burgim
jo më pak se njëzet vjet.

Neni 102

Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura
(Ndryshuar paragrafi i I, II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001,
dhe neni 17)
Kryerja e marrëdhënieve seksuale me dhunë me të rritura dënohet me burgim nga tre gjer në
dhjetë vjet.
Kur marrëdhënia seksuale me dhunë kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, ose
kur të dëmtuarës i shkaktohen pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim nga pesë gjer në
pesëmbëdhjetë vjet.
Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen ose vetëvrasjen e të dëmtuarës, dënohet me burgim nga
dhjetë gjer në njëzet vjet.

Neni 102/a

Marrëdhëniet homoseksuale me dhunë me të rritur
(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 18)
Kryerja e marrëdhënieve homoseksuale me dhunë me të rritur dënohet me burgim nga dy
gjer në shtatë vjet.
Kur marrëdhënia homoseksuale me dhunë kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë,
ose kur të dëmtuarit i shkaktohen pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim nga pesë gjer
në dhjetë vjet.
Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen ose vetëvrasjen e të dëmtuarit dënohet me burgim nga
dhjetë gjer në njëzet vjet.

Neni 103
Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona
të pazotë për t’u mbrojtur
(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 19)
Kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale, duke përfituar nga pazotësia fizike ose
mendore e personit të dëmtuar ose, nga vendosja në gjendje të pandërgjegjshme, dënohet me
burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.
Kur marrëdhënia seksuale ose homoseksuale kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një
herë, ose kur personit të dëmtuar i shkaktohen pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim
nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.
Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen ose vetëvrasjen e personit të dëmtuar dënohet me
burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

Neni 104
Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me kërcënim me përdorimin e armës
(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 20)
Kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale, duke kërcënuar personin e dëmtuar për
përdorim aty për aty të armës, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 105
Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale duke shpërdoruar detyrën
(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 21)
Kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale duke shpërdoruar marrëdhëniet e
varësisë ose të detyrës, dënohet me burgim gjer në tre vjet.

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 09/05/2010. Filed under Kodi Penal. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry