Revista Jonë

Revista Jonë -> Histori -> LUFTA E DYTE BOTERORE [ Kërko ]

LUFTA E DYTE BOTERORE
Titulli LUFTA E DYTE BOTERORE
Përshkrimi VAZHDON PJESA E TETE
Shkruajtur nga Liberta

                                             VAZHDON


                                         LUFTA E DYTE BOTERORE


                                                 PJESA E TETE


Betejat në Atlantik






Erich Raeder ishte Komandanti i përgjithshëm i Flotës Gjermane nga tetori i vitit 1928 deri në janarin e vitit 1943



Betejat në Atlantik gjithashtu do të rezultonin në avantazh të Aleatëve. Beteja për Atlantikun do të merrte kthesë në fillimet e 1943. Gjatë kësaj kohe aleatët kishin studiuar mënyrën e luftimit të Ushtrisë Gjermane si edhe kishin mësuar nga gabimet e bëra më parë. Teknologjia e re do të përdorej në mënyrë efektive kundra nëndetëseve të gjermanëve. Megjithëse dy nga karvanët e Aleatëve pësuan dëme të mëdha gjatë këtij viti, edhe nëndetëset gjermane pësuan shumë humbje, duke bërë kështu që ata të hiqnin dorë nga ofensiva e tyre kryesore në Atlantik. Aleatët gjithashtu kishin rifilluar transportimin e ndihmave për Bashkimin Sovjetik me anë të karvanëve detare nga veriu. Në dhjetor, beteja më e madhe në Atlantik do të fillonte, kur Flota Mbretërore e Britanisë (Royal Navy) do të ndeshej me Flotën Gjermane. Në betejën e Kepit të Veriut (Battle of North Cape), Flota Gjermane do të humbiste edhe anijen-luftarake të fundit, Kruiserin Scharnhorst, i cili do fundosej nga HMS Duke of York, HMS Belfast si edhe anije të vogla të tjera. Në këtë vit, Aleatët do të tregonin hegjemoninë e plotë në Atlantik dhe rreziku i Flotës Gjermane do të zvanitej plotësisht në këtë hemisferë ujore të globit.



Oqeani Paqësor në 1943


Në 2 janar, Buna, Guineja e Re u kap nga Aleatët. Me kapjen e këtij territori, Porti Moresby mund të flinte i qetë. Deri më 22 janar 1943, Forcat Aleate ia kishin arritur qëllimit të tyre për të izoluar Forcat Japoneze në lindje të Guinesë së Re. Gjithashtu Aleatët kishin prerë rrugët kryesore të furnizimit të forcave armike. Më 8 shkurt, Aleatët e deklaruan Guadalcanal-in të sigurtë. Fill pas kësaj, Forcat Amerikane dhe Australiane ndërmorën fushatën e gjatë për rimarrjen e pjesëve të pushtuara të ishullit Solomon. Rezistenca do të ishte e ashpër edhe pse ishulli do të merrej plotësisht në vitin 1943.






Një tank i Ushtrisë Amerikane i tipit M4A2, në plazhin e Tarawa-s



Në nëntor, Flota Amerikane fitoi Betejën e Tarawa-s. Pavarësisht nga fitorja, Flota e ShBA do të pësonte humbje të shumta dhe kjo do të shkaktonte reagime të shumta në ShBA. Opinioni publik nuk mund të kuptonte gjithë këto humbje për një ishull të vogël dhe të parëndësishëm. Nga kjo situatë, Flota Amerikane do të përshtaste planin “Island hopping” (Shpresa e Ishullit). Ky plan synonte anash-kalimin e disa ishujve të fortifikuar japonezë dhe përqendrimin e trupave të kufizuara të aleatëve, në ato territore që mendoheshin se kishin rëndësi jetësore për luftën. Pra qëllimi i thjeshtë ishte ndërprerja e furnizimeve të këtyre vëndeve të fortifikuar, duke e detyruar armikun të “dilte vetë nga loja”. Mbas marrjes së ishujve kryesorë, Amerika shpresonte të sulmonte dhe të mposhte me lehtësi ato vende që do mund t’i kushtonin shumë në se sulmoheshin për momentin. Një plan i tillë rezultoi me sukses për flotën Amerikane. Flota e ShBA-së e bëri të mundur këtë plan me anë të nëndetëseve që shërbenin për të prerë linjat e furnizimeve të këtyre vendeve armike.



Lufta Japoneze dhe Azia Juglindore


Beteja e Çangade në Kinë do të konsiderohej si Stalingradi i Azisë. Gjithçka filloi me sulmin e japonezëve ndaj provincës Hunan më 2 nëntor të 1943. Askush nuk do të tregonte supremaci në këtë betejë. Beteja e Çangde-së do të ndryshonte herë në favor të Ushtrisë Kineze dhe herë në favor të Ushtrisë Japoneze edhe pse si përfundim, qyteti mbeti në duar të forcave kineze. Ushtria Kineze ndoqi një strategji defensive. Ata shpresonin për një kundër-ofensivë të Aleatëve ndërkohë që vetë organizoheshin për të ndërtuar një ushtri më të fuqishme. Për këtë betejë nga ana japoneze ishin mobilizuar 100 000 trupa.


Në të vërtetë Ushtria Kineze ishte e ndarë në dy ushtri. Njëra ushtri ishte Ushtria Nacionaliste Kineze Kuomintang nën urdhërat e Çiang Kai-shek dhe Ushtria Komuniste e Kinës nën urdhërat e Mao Cedunit. Të dy këto ushtri ishin kundra sundimit japonez, por duke qenë se ndanin ideale të ndryshme, nuk morën kurrë mundimin të bashkoheshin bashkë. Kuptohet që kishte bashkëpunim por ky bashkëpunim ishte i dobët dhe jo i mirëfilltë. Konfliktet midis nacionalistëve dhe komunistëve kishin filluar përpara se lufta të fillonte dhe do të vazhdonte edhe pas luftës.


Japonezët do të kapnin një pjesë të gjerë të Burmës dhe detyrimisht do të bllokonin Rrugën e Burmës që i shërbente Aleatëve për të furnizuar Ushtrinë Nacionaliste Kineze. Kjo detyroi Aleatët që të krijonin një rrugë të gjatë e të mundimshme transporti nga India. Kjo ishte arsye që trupat kineze, pas një tërheqje strategjike, do të furnizoheshin përsëri me armatime dhe nën komandën e Gjeneralit Joseph Stilwell, do të përpiqeshin të “hapnin” Rrugën Ledo, duke u përpjekur të zëvendësojnë rrugën e Burmës. Por kjo do të kërkonte përdorimin e shumë mekanizmave teknologjike dhe një punë inxhinierike të mirë.


Këto do të ishin ngjarjet e fundit që do të përcillnin 1943-shin.



I Gjithë Globi në Luftë: 1944



Ushtria e Kuqe Përsëri në Ofensivë


Në veri-perëndim ofensiva e Sovjetikëve në janar të 1944-ës i kishte dhënë fund rrethimit të Stalingradit. Gjermanët do të tërhiqeshin me kujdes nga Leningradi. Tashmë vija e Trupave Gjermane do të ngushtohej dhe një vijë mbrojtëse do të formohej në liqenet e jugut. Në jug, në mars dy njësi sovjetike do të rrethonin Ushtrinë e Parë të Panzerave të drejtuar nga Generaloberst Hans-Valentin Hube, pak në veri të lumit Dniestr. Gjermanët i mbathën nga kurthi ku e kishin mbërthyer veten vetëm në muajin prill. Nga kjo tërheqje shumë nga trupat gjermane do të shpëtonin, por gjermanët do të lenin mbrapa shumë makineri të rënda lufte dhe armatime. Në fillimet e majit, Njësia Ushtarake 3 e Ukrainës si pjesë e Ushtrisë së Kuqe, do angazhohej kundra Njësisë Ushtarake 17 Gjermane. Njësia 17 ishte lënë mbrapa që kur se Trupat Gjermane ishin tërhequr nga Ukraina. Beteja ishte padyshim një fitore e Ushtrisë së Kuqe. Vetëm gjatë përpjekjes për arratisje përmes Detit të Zi, do të humbnin jetën 250 000 trupa gjermane dhe rumune.


Gjatë prillit, Ushtria e Kuqe do të sulmonte vazhdimisht pranë qytetit të Iashi në Rumani. Sovjetikët shpresonin në këtë mënyrë, kapjen e territoreve strategjike. Megjithatë trupat gjermane dhe rumune do të mbronin pozicionin e tyre me sukses dhe në fund të prillit territoret e rëndësishme për sovjetikët mbetën në duar të gjermanëve. Sulmi në Târgul Frumos ishte përpjekja e fundit e forcave sovjetike për të arritur qëllimin e tyre. Me marrjen e atyre territoreve, sovjetikët synonin përgatitjen e ofensivës gjatë verës. Një vënd i përshtatshëm ky për t’u futur në Rumani.


Me avancimin e Forcave të Ushtrisë së Kuqe, Trupat Gjermane do të pushtonin Hungarinë. Pushtimi i Hungarisë u bë i mundur më 20 mars të 1943 dhe kjo u bë me arsyen se Adolf Hitleri nuk besonte se udhëheqësi i Hungarisë, Admirali Miklós Horthy do të qëndronte besnik për shumë kohë. Ndërkohë në shkurt, Finlanda u përpoq të vendoste një lidhje paqeje me Sovjetikët. Marrëveshja për paqe kishte disa kushte që Finlanda nuk dëshironte t’i pranonte. Pra do të lindnin kontradikta midis Moskës dhe Finlandës. Por kur më 9.6.1944 Ushtria e Kuqe do të ndërmerrte një ofensivë kundra kësaj të fundit, Finlandia do e pranonte marrëveshjen pa kushte.



Bombardimet Ajrore mbi Gjermani





Në muajin e gjashtë të 1944, gjermanët do të përdornin raketën e parë të tipit kruiser kundra Anglisë. Kjo raketë u pagëzua nga Britanikët si “V-1 flying bomb” (Bomba Fluturuese V-1), e cila do të ndiqej nga “V-2 rocket” (Rraketa V-2). Kjo e fundit (gjithashtu e përdorur për herë të parë në luftë), ishte një raketë e mbushur me lëndë plasëse dhe mund të komandohej në distancë.






Test i Raketës V-2 në Peenemunde, Gusht 1943.



Britanikët u gjendën të papërgatitur ndaj këtyre raketave të reja, që për kohën zotonin një teknologji të nivelit të lartë. Megjithatë Forcat Ajrore të ShBA-së, Britanisë dhe Kanadasë, do të sulmonin rëndë Luftwaffe-in (Forcat Ajrore Gjermane). Kështu bombardimet ajrore masive do të fillonin. Këto bombardime zakonisht kishin për synim qytetet e mëdha në brendësi të Gjermanisë. Kjo nismë u mor nga komandanti në detyrë Marshall Herris (Air Chief Marshall Harris), që më pas do të merrte edhe nofkën “Bomber Haris”. Çërçilli do të urdhëronte “bombardimet e terrorit”, që synonin bombardime masive të tilla, sa që qyteti të mund të bëhej rrafsh me tokën. Në këtë mënyrë, fabrikat gjermane do të shkatërroheshin krejtësisht dhe punëtorët gjerman do të mbesnin pa strehë gjithashtu. Bombardimet masive zakonisht përfshinin angazhimin e 600 deri në 1000 bombarduesish të rëndë. Zakonisht objektivat ishin qendra të industrializuara, baza nëndetësesh, rrugë hekurudhore si edhe depozitat e naftës, edhe pse nga fundi i bombardimeve, njësitë që lëshonin Bomba Fluturuese V-1 dhe Raketa V-2 do të bëheshin objektive primare, pasi ata shkaktonin shumë dëme mbi Britani. Një gjë e tillë ishte shumë për Luftwaffe-n. Forcave Ajrore Gjermane nuk i kishin mbetur më shumë se disa avionë që nuk mund të bënin shumë përpara një force të tillë ajrore si ajo e aleatëve.


Duke mos dashur të dalim nga 1944, e rëndësishme është të themi se deri në 1945, që kur se këto bombardime kishin filluar, të gjithë qytetet e mëdha të Gjermanisë ishin kthyer në gërmadha.



Një sy mbi Italinë dhe Ballkanin


Me kapitullimin e Italisë, Trupat gjermane morën në dorë situatën dhe Linja Gustav do të formohej në pjesën jugore të Maleve Apenine (në jug të Romës). Aleatët nuk mundën ta thyenin këtë linjë dhe menduan se një zbarkim detar në Anzio do të ishte më e logjikshme. Zbarkimi u bë i mundur më 22 janar 1944 dhe operacioni u quajt Operacioni Shingle. Ky veprim nuk dha rezultatet e pritura pasi njësitë ushtarake në këtë zonë u rrethuan me shpejtësi nga gjermanët.


Të pa aftë të bëjnë shumë kundra Linjës së Gustavit me dështimin e operacionit Shingle, Aleatët vendosën ta thyenin këtë linjë me sulme qendrore. Më 15 shkurt manastiri i Monte Kassino (një manastir ky shumë i vjetër), u shkatërrua nga bombarduesit B-17 dhe B-26, pasi mendohej se godina po përdorej nga Trupat Gjermane për vendosje artilerie. Dy ditë pas bombardimeve, trupat parashutiste gjermane u dyndën në gërmadhat e ndërtesës për ta mbrojtur. Në luftë e sipër për këtë territor, pas plot katër bombardimesh nga ana e aleatve, aleatët do të humbnin 54 000 trupa ndërsa gjermanët 20 000 trupa.


Vetëm mbas shumë muajsh, Linja e Gustavit do të binte dhe Aleatët patën mundësi të marshonin për në veri. Më 4.6.1944, Roma do të çlirohej nga Aleatët, që më pas në gusht do të arrinin deri në Florencë. Më pas ata do të ndalonin përsëri në dimër dhe një linjë tjetër do të formohej. Kjo linjë u njoh me emrin Linja e Gotikës.


Ndërkohë Gjermania u tërhoq nga Ballkani, edhe pse Hungaria u mbajt e pushtuar deri në shkurt të 1945-ës. Rumania u kthye kundra Gjermanisë në gusht të 1944, duke kërcënuar linjat gjermane me Ukrainën, që ishte e vetmja rrugë tërheqjeje e trupave gjermane në atë territor. Bullgaria do të dorëzohej në shtator.


                                                              VAZHDON

Vlerësimi Vota: 0 - Mesatarja:

Dërgo një koment Voto
Komentet
Laert
30 Jan 2010

LUFTA E DYTE BOTERORE
VAZHDON PJESA E NENTE

PJESA E NENTE
Rreth Revoltës Polake
Sovjetikët avanconin dhe lëshonin vazhdimisht ofensiva të rënda kundra ushtrisë gjermane. Më 22.6.1944, Operacioni Bagration ishte një ofensivë që përfshinte rreth 2.5 milion njerëz dhe rreth 6000 tanke. Qëllimi i Operacionit Bagration ishte pastrimi i qytetit Belarus nga trupat gjermane. Beteja do të ishte një sukses për sovjetikët dhe disfatë për gjermanët. Batalioni Gjerman Qendror u shkatërrua nën furinë e tankeve dhe Wehrmacht (ushtria gjermane) humbi 800 000 trupa, duke pësuar kështu goditjen më të rëndë në historinë e saj. Sovjetikët do të avanconin më tutje dhe më 31 korrik do të ishin në dyert e Varshavës.
Avancimi i Ushtrisë së kuqe i bëri Polakët të merrnin shpresë se shumë shpejt ata do të çliroheshin. Në Varshavë revoltat do të fillonin dhe me 1 gusht të 1944, një nga operacionet më të gjerë të kohës do të fillonte. Me Operacionin Furtuna, Rreth 40 000 luftëtarë të rezistencës Polake morën në dorë qytetin. Megjithatë Ushtria e Kuqe nuk do të avanconte më tepër dhe ndihma e vetme që do të merrnin polakët nga sovjetikët, ishte artileri e rëndë. Ndërkohë trupat gjermane do të organizoheshin. Ata lëvizën në brendësi të qytetit me qëllim që të shuanin revoltën. Revolta mbaroi më 2 tetor 1944, me trupat gjermane fitimtare. Këta të fundit shkatërruan edhe atë pjesë që kishte mbetur nga qyteti i Varshavës.
D-Day - Zbarkimi i Aleatëve në Normandi
Zbarkimi i Aleatëve në Normandi më 6.6.1944
6.6.1944, D-Day (shqiptimi Di Dei – Dita D). Trupat Aleate të përbëra kryesisht nga ushtarë amerikanë, britanikë dhe kanadez, do të sulmonin Normandinë që ishte nën pushtimin e Gjermanisë Naziste. Rezistenca gjermane ishte e fortë dhe e mirë pozicionuar, sidomos në plazhin Omaha dhe qytetin e Caen (Kaen). Në muajin e parë, Aleatët do të fitonin terren. Luftime të ashpra do të ndodhnin në këto toka me pyje të dendur dhe fusha të gjera që pikërisht për këtë faunë do të merrnin emrin luftimet Bocage (fjalë në frëngjisht). Por në të vërtetë Aleatët hovin do ta merrnin vetëm gjatë Operacionit Kobra në Saint-Lô, një qytet në veri të Francës.
Gjatë gushtit, Armata e Shtatë Gjermane dhe Armata e Pestë e Panzerave ishin rrethuar gati krejtësisht në Falaise. 50 000 ushtarë u zunë rob por një pjesë e mirë e ushtrisë, arriti të dalë nga rrethimi dhe të iki. Forcat aleate që vepronin në Itali u detyruan të pushtonin Rivierën Franceze dhe më 15 gusht, bënë të mundur lidhjen me trupat në Normandi.
Më 19 gusht, Rezistenca Franceze në Paris, ngriti krye kundra pushtuesve gjerman. Njësia Franceze nën komandën e Gjeneralit Jacques Leclerc, që erdhi në qytet drejt e nga Normandia, mori deklaratën e dorëzimit të forcave gjermane atje dhe kështu më 25 gusht, Parisi më në fund ishte çliruar.
Ofensiva Gjermane dhe Kundër-ofensiva e Aleatëve
Në dhjetor, ushtria gjermane do të lëshonte ofensivën e fundit në frontin perëndimor. Kjo ofensivë, që ishte angazhimi i fundit gjerman në luftë do të njihej me emrin Beteja e Bulge. Hitleri shpresonte se duke përdorur teknikat luftarake si ajo që ishte përdorur gjatë Ofensivës së Ardenes në 1940 ku ushtria gjermane kishte fituar betejën në mënyrë të shkëlqyeshme, Aleatët do të tërhiqeshin deri diku. Në këtë mënyrë sipas Hitlerit trupat Aleate do të binin dakord për negociata paqeje. Në fillimet e kësaj beteje, gjermanët korrën sukses. Ky sukses erdhi si pasojë e kapjes së trupave Aleate në mënyrë të papërgatitur. Grupi ushtarak i panzerave gjerman Kampfgruppe Peiper të drejtuara nga Jochen Peiper do të shkonte shumë larg. Avancimi i këtyre trupave në linjat e trupave amerikane, u quajt Beteja e Bulge (fjala “Bulge” merr kuptimin e “Avantazh”).
Moti i keq favorizoi këtë ofensivë duke i dhënë për momentin avantazh trupave gjermane pasi trupat e aviacionit të Aleatëve, nuk mund të përdoreshin. Megjithatë rezistenca e trupave amerikane në Saint Vith do të ishte e fortë dhe e vendosur për të mbajtur pozicionet e tyre. Marshimi i trupave gjermane do të ndalonte shpejt. Ushtria e Tretë e ShBA-së me gjeneralin George Patton në krye, do të merrte në dorë situatën. Rreziku gjerman do të shuhej dhe falë kundërsulmeve të ndryshme të trupave ushtarake të ShBA-së, një pjesë e mirë e divizioneve gjermane do të zihej ngushtë. Trupat e mbetura gjermane do të detyroheshin të tërhiqeshin në Gjermani. Këto beteja konsiderohen si nga betejat më të përgjakshme të trupave amerikane në frontin e perëndimit.
Lufta Sino-Japoneze dhe Azia Juglindore
B-29 duke bombarduar mbi Japoni.
Në prillin e 1944, japonezët do të lëshonin sulmin e njohur me emrin Operacioni Ichigo. Kjo u bë për të siguruar territoret hekurudhore përmes territoreve të pushtuara nga Japonia, dhe pjesës verilindore të Kinës, Koresë dhe Azisë Juglindore. Në këtë mënyrë ata shpresonin se do mund të shkatërronin bazat ajrore të ShBA-së që ndodheshin në atë territor. Në muajin e gjashtë të po atij viti, japonezët mobilizuan 360 000 trupa dhe pushtuan Çangasha-n për herë të katërt. Ky kishte qenë numri më i madh i përdorur nga forcat japoneze gjatë të gjithë luftës Sino-Japoneze. Numri i madh i ushtarëve do të jepte efektet e veta dhe mbas 47 ditë luftimesh të përgjakshme, qyteti do të binte në duar të forcave japoneze. Deri në nëntorë, japonezët kishin marrë gjithashtu qytetin e Guilin dhe Liuzhou, të cilët kishin shërbyer si baza të avjacionit amerikan për të bombarduar Japoninë. Megjithatë, me sa dukej japonezët ishin larg nga ndalimi i trupave ajrore amerikane, sepse amerikanët mund të bombardonin sërish Japoninë me anë të bazave ajrore që dukej se i shtinin në dorë shumë shpejtë. Këto baza mbinin si kërpudhat mbas shiut, gjithmonë të palodhura për të bombarduar qytetet e armikut të tyre. Në dhjetor, forcat japoneze arritën French Indochina (firma e naftës në duar të holandezëve në territorin e Indonezisë), dhe arritën të përmbushnin objektivin e tyre për të shtënë dorë mbi floririn e zi (pra naftën), edhe pse kjo i kushtoi atyre shumë. Japonia nuk mund të kënaqej me një fitore si ajo e Pirros.
Ndërkohë në Azinë Juglindore, Amerikanët do të kishin përfunduar rrugën Ledo (Ledo Road), që lidhte më në fund Indinë dhe Kinën me qëllim furnizime ushtarake. Kjo do të shtynte forcat japoneze dhe në mars të 1944-ës do të vendosnin të sulmonin Indinë. Ky marshim në kryeqytetin e Indisë, nuk do të ishte një shëtitje në park për trupat japoneze, sepse në Indi, trupat britanike në aleancë me ato indiane do të kundërshtonin rëndë këtë "marshim". Trupat japoneze u përpoqën të shkatërronin trupat britanike dhe indiane në Imfal (Imphal). Luftimet që u zhvilluan ishin të ashpra. Japonezët do të merrnin hov në fillimet e luftimeve. Trupat aleate, pavarësisht se ndodheshin të rrethuara, furnizoheshin vazhdimisht nga qelli me ushqime dhe armatime, deri sa trupat e freskëta të aleatëve do të vinin aty dhe do të thyenin rrethimin e trupave japoneze me lehtësi, pasi kësaj radhe trupat luftuese japoneze ishin të sfilitura nga luftimet e vazhdueshme dhe pa furnizime. Japonezët u tërhoqën mbrapsht duke lënë pas rreth 85 000 të vdekur nga radhët e tyre. Një nga disfatat më të mëdha të trupave japoneze në luftën e madhe të Azisë.
I Gjithë Globi në Luftë: 1945
Ofensiva e Madhe e Sovjetikëve; 60 KM larg Berlinit
Më 12 janar të 1945, Ushtria e Kuqe dukej se ishte gati për ofensivën e radhës. Trupat e Konevit, të pozicionuara afër lumit të Vistulës, sulmuan trupat gjermane në territorin jugor të Polonisë duke u zgjeruar më tej dhe duke u afruar në Sandomierz. Më 14 janar, Trupat e Rokosovskit do të sulmonin nga lumi Narev, në veri të Varshavës. Ata thyen me sukses trupat mbrojtëse gjermane përgjegjëse për Prusinë Lindore (emri i një territori që nuk egziston më nën kufirin e Gjermanisë). Trupat e Gjeneralit Zhukov, do të sulmonin në qendër nga territori i tyre afër Varshavës. Fronti gjerman, u rrënua krejtësisht nga kjo ofensivë e madhe e Ushtrisë së Kuqe.
Më 17 janar 1945, Zhukovi hyri në Varshavë dhe vetëm dy ditë më vonë, trupat e tankeve ruse nën komandën e këtij të fundit, do të shtinin në dorë edhe qytetin e Lodz. Në po të njëjtën ditë, trupat e Konevit arritën më në fund kufijtë që Gjermania kishte pasur përpara luftës. Në fundin e javës të kësaj ofensive të madhe, sovjetikët kishin bërë përpara 160 kilometra në frontin gjerman me një gjerësi të madhe veprimi prej 650 kilometrash. Më 13 shkurt të po atij viti, sovjetikët shtinë në dorë Budapestin. Në eufori e sipër, në fund të muajit ushtria e kuqe do të marshonte deri në lumin Oder, duke lënë vetëm një distancë prej 60 kilometrash nga Berlini. 60 kilometra ishin gjithçka që ndanin sovjetikët nga fitorja përfundimtare.
Ofensiva e Dimrit, Aleatët në sulm
Më 14 janar 1945, Trupat Luftuese XII Corps (ose Njësia e Dytë Ushtarake Britanike), do të lëshonin Operacionin Blackcock. Operacioni me karakter ofensivë, kishte si synim pastrimin e Trekëndëshit të Roer. Ky trekëndësh nuk ishte asgjë tjetër më shumë se një territor strategjik në duart e trupave gjermane, i vendosur midis rivierës Maas dhe Roer, në jug të Roermond. deri me datë 27 të po atij muaji, trupat gjermane do të shtyheshin thellë në lindjen e Roer.
Konferenca e Jaltës dhe Konferenca e Potsdam

Nga e majta në të djathtë dallohen Uinston Çërchill, Franklin D. Rusvelt dhe Josif Stalin në

Konferencën e Jaltës më 1945.
Më në fund Gjermania ndodhej në fijen e perit, dhe udhëheqësit e mëdhenj të ShBA-së, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Sovjetik vendosën të takoheshin në Jaltë. Konferenca e Jaltës përfshiu presidentin e ShBA, Ruzvelt, liderin e pa diskutueshëm të Bashkimit Sovjetik, Josif Stalin dhe Ministrin e Parë (ose më saktë kryeministrin) e Britanisë së Madhe Uinston Çërçill. Konferenca filloi më 4 shkurt të 1945 dhe zgjati 7 ditë, deri në 11 shkurt. Në këtë konferencë u trajtuan shumë tema ku më të rëndësishmet ishin:
1. Në prill të 1945 vendet fituese do të rimblidheshin përsëri për të formuar Kombet e Bashkuara.
2. Polonia do të kishte zgjedhje të lira, pa presione nga sovjetikët.
3. Vendet satelite të Bashkimit Sovjetik do të reformoheshin dhe do të merrnin ndihmë me qëllim restaurimin e tyre.
4. Sovjetikët do të sulmonin trupat e mbetura japoneze në Kinë, tre muaj mbas kapitullimit të Gjermanisë Naziste.
5. Kufijtë e Polonisë do të zhvendoseshin nën kurrizin e territorit të Gjermanisë. Gjermania do të humbiste shumë toka dhe Rusia do të përfitonte gjithashtu. Edhe mbas aprovimit për shkatërrimin e Murit të Berlinit, Rusia mbajti të njëjtin qëndrim duke deklaruar se nuk do të kishte ndryshime kufijsh.
6. Si temë dytësore në këto diskutime, janë për t’u theksuar diskutimet në lidhje me detin e Mesdheut dhe hapjen e gjireve për flotën Ruse për qëllime tregtare dhe luftarake në territoret që kishin rëndësi për të. Kjo prekte kryesisht territoret e Turqisë.
Këto ishin disa nga pikat me rëndësi që do të trajtoheshin në konferencën e Jaltës. Më vonë, më 17 korrik, një tjetër konferencë do të zhvillohej midis fuqive të mëdha. Kjo konferencë do të zhvillohej në Potsdam, jashtë qytetit të Berlinit dhe do të zgjaste deri më 2 gusht të po atij viti. Në këtë konferencë, aleatët do të binin dakord për ndarjen e territorit të Gjermanisë. Kjo e fundit do të ndahej në katër territore, që do të kontrolloheshin nga Britanikët, Amerikanët, Francezët dhe Sovjetikët. Gjithashtu, ShBA dhe Britania e Madhe, do të ndryshonte qëndrim ndaj Sovjetikëve duke u tërhequr nga disa pika që ata kishin pranuar në konferencën e Jaltës, edhe pse kjo nuk shkaktoi ndonjë problem ose ndonjë ndodhi të padëshirueshme. Në Konferencën e Potsdamit do të parashtrohej gjithashtu edhe një ultimatum ndaj Japonisë. Nga kjo e fundit kërkohej dorëzimi i menjëhershëm dhe tërheqja nga territoret e Kinës. Në se ajo nuk do vepronte sipas ultimatumit, kjo do të kishte shumë pasoja të rënda për Japoninë.
Beteja për Berlinin
Sovjetikët në Berlin.
Ushtria e Kuqe kishte mbërritur në Berlin edhe pse marrja e këtij të fundi do të rezultonte një fushatë shumë lodhëse dhe me humbje si për sovjetikët ashtu edhe për gjermanët. Sulmi ndaj Berlinit nga ana e sovjetikëve, do të fillonte më 16 prill. Më 24 prill, tre grupe ushtarake do të rrethonin qytetin. Asgjë nuk mund të futej ose të dilte më nga kryeqyteti Gjerman. Atëherë, Hitleri, si një ndërmarrje e mjerueshme do të bënte thirrje për ndihmë te civilët. Duke rekrutuar adoleshentë dhe persona të moshuar, milicia Volkssturm (që në shqip do të merrte kuptimin “Stuhia e Popullit”), do të formohej për të luftuar kundra një ushtrie me përvojë si ajo e sovjetikëve. Milicia do të kishte edhe mbështetjen e atyre veteranëve që kishin luftuar edhe më parë.
Beteja mori pamjen më të egër të saj dhe Berlini do binte shtëpi mbi shtëpi dhe lagje mbi lagje. Nga luftimet në Berlin, pala e sovjetikëve do të kishte 305 000 të humbur, ndërsa nga ana gjermane do të kishte 325 000 të vdekur. Hitleri dhe do të fshihej në bunkerin e tij nga ku mendohet se dilte shumë radhë (kjo përfshinë edhe filmimet e dekorimit të fëmijëve nga ana e Hitlerit që mendohet se janë xhiruar afër bunkerit ku strehohej). Më 30 prill të vitit të fundit të luftës, ai do të kryente vetëvrasje për mos të rënë në duart e sovjetikëve; gruaja e tij Eva Braun gjithashtu do të kryente vetëvrasje.
Aleatët në Perëndim
Gjenerali Omar Bredli.
Vonë në janar, aleatët do të rifillonin marshimin e tyre në Gjermani. Pengesa e fundit që i ndante aleatët nga Gjermania, ishte lumi Rajn. Por edhe ky i fundit do të kalohej në mars të 1945-ës. Kalimi u bë i mundur vetëm pas kapjes së urës së Ludendorf në Remagen. Pasi aleatët kaluan Rajnin, britanikët do të shkonin në veri-lindje drejt Hamburgut, duke kaluar lumin Elbe për të lëvizur më tutje drejt Danimarkës dhe Detit Baltik. Njësia ushtarake e nëntë e amerikanëve do të drejtohej për nga jugu, ndërsa njësia ushtarake e parë amerikane do të drejtohej për nga veriu. Këto njësi ushtarake drejtoheshin nga gjenerali në fuqi Omar Bredli. Ky i fundit kishte nën komandë një numër të konsiderueshëm ushtarësh. Më 4 prill, rrethimi i Grupit B të trupave gjermane u bë i mundur. Gjermanët u izoluan bukur në xhepin e Ruhrit ku 300 000 prej tyre do të dorëzoheshin, duke u shpallur si të burgosur lufte. Aleatët atëherë (njësia ushtarake e nëntë e amerikanëve dhe njësia ushtarake e parë amerikane) do të drejtoheshin nga lindja. Ata do të ndalonin në Elbe, dhe në muajin prill aleatët perëndimorë do të përplaseshin me aleatët e tyre lindorë, sovjetikët.
Mbase kjo është arsyeja që shumë historianë e pranojnë idenë se aleatët perëndimorë në të vërtetë po dyndeshin mbi Gjermaninë thjeshtë për të ndalur një rrezik sovjetik. Në librin e gjeneralit Zhukov (volumi i dytë i botuar edhe në shqip), Zhukovi hedh një mendim se me atë ritëm, Ushtria e Kuqe mund të kalonte në dorë të gjithë Evropën që nuk mbahej më në këmbë. Megjithatë, gjithmonë sipas librit, Zhukovi shprehet se Stalini kishte plane të tjera. Kuptohet që këto janë mendime që debatohen edhe sot e kësaj dite.
Kapitullimi
Gjermania

Admirali Karl Dënic do të bëhej kryetari dhe udhëheqësi i Gjermanisë pas vetëvrasjes së Adolf Hitlerit. Tashmë ishte e qartë që lufta ishte e humbur. Trupat gjermane dorëzuan Berlinin në duart e sovjetikëve më 2 maj 1945.
Shpërthimi i bombës atomike në Hiroshima.


Japonia dorëzohet. Pakti i kapitullimit do të firmosej në anijen e flotës së ShBA, Misuri.
Forcat gjermane akoma vepruese në Itali do të dorëzoheshin te aleatët perëndimorë, në po të njëjtën datë. Dy ditë më vonë, trupat ushtarake gjermane në Danimarkë dhe Holandë do të vepronin në të njëjtën mënyrë. Kapitullimi i forcave gjermane në Itali do të ishte i diskutueshëm. Sovjetikët do të akuzonin Britaninë e Madhe dhe ShBA-të, pasi këta të fundit (gjithmonë sipas sovjetikëve), në mars të 1945-ës, me anë të "Operacionit Lindja e Diellit" (Operation Sunrise), në mënyrë sekrete po bënin marrëveshje paqeje me Gjermaninë. Ndërsa komandanti i trupave gjermane në Rheims të Francës, do të dorëzohej më 7 maj. Dorëzimi i tyre do të ndiqej nga festimi i "Ditës V-E" më 8 maj nga aleatët perëndimorë.
9 maji do të ishte dita e festimeve të fitores së sovjetikëve, edhe pse në të vërtetë grupe ushtarësh gjerman ë do të vazhdonin akoma luftën për t'u dorëzuar përfundimisht më 12 maj. Komandanti në terren i Ushtrisë së Kuqe, Georgi K. Zhukov do të parakalonte i hipur mbi kalë së bashku me Rokosovskin në "Sheshin e Kuq" më 24.06.1945 si shenjë e mposhtjes përfundimtare të regjimit nazist.
Japonia

Hedhja e Bombës Atomike në Hiroshima dhe Nagasaki
Presidenti Rusvelt ishte larguar nga lufta me kohë duke i lënë vend presidentit të ri Truman. Harry S. Truman (Herri Truman) me leje të kongresit të ShBA, vendosi të përdorte një bombë atomike kundra Japonisë që vazhdonte akoma luftimet e vetme kundra të gjithëve. Një simulim i betejës së Okinavas, pra luftimi i trupave japoneze në tokën e tyre, përfundoi negativ. Mendimi i një Normandie tjetër i frikësonte amerikanët. Simulimi i betejës jepte një shifër tmerruese humbjesh nga radhët e ushtrisë së ShBA-së. Gjithashtu, një betejë mësymëse në tokat e Japonisë, mendohej se do të bënte kërdinë mbi civilët japonezë gjithashtu. Më 6 gusht 1945, bombarduesi B-29 Superfortress, e emëruar si Enola Gay, do të hidhte bombën atomike të emëruar "Little Boy" (Djali i vogël) mbi Hiroshimën. Qyteti u shkatërrua krejtësisht nga shpërthimi i bombës. Tre ditë më vonë, më 9 gusht 1945, bombarduesi B-29 i emëruar Bockscar do të lëshonte mbi Nagasaki bombën e dytë atomike të emëruar Fat Man (Burri i Majmë). Kjo pati pasoja shkatërruese për Japoninë e cila do të dorëzohej shumë shpejt. Gjithashtu, sovjetikët do të sulmonin trupat japoneze në Mançukuo, duke i'u përmbajtur kështu fjalës së tyre dhënë në konferencën e Jaltës.
Ajo do të dorëzohej më 14 gusht 1945 mbas një deklarate në të gjitha radiot nga perandori Hirohito. E njohur si V-J nga Amerikanët, kjo datë do të pasohej nga data zyrtare e 2 shtatorit. Trupat japoneze të mbetura në Kinë, u dorëzuan te trupat kineze jo në mënyrë zyrtare më 9 shtator 1945. Lufta e Globit kishte përfunduar.
Humbjet e Luftës
Humbjet në Luftën e Dytë Botërore
Bota do të dilte e shkatërruar nga Lufta e Dytë Botërore. Mendohet se gjatë viteve të luftës, rreth 62 000 000 në mos më shumë njerëz do të humbnin jetën, duke përfshirë edhe civilë. Ky numër është i barabartë me 2.5% të popullsisë së globit (në kohën e luftës). Nga këto humbje, mendohet se 12 000 000 persona kanë humbur jetën vetëm gjatë holokaustit. Në një skemë të thjeshtë, aleatët do të kishin humbjet më të mëdha. Aleatët patën 80% të humbjeve dhe Forcat e Boshtit do të kishin 20%-shin tjetër. Civilët do të kishin qenë ata që do të vuanin më shumë nga lufta. Shumë civilë do të humbnin jetën si pasojë e sëmundjeve, urisë, gjenocidit, dhe eksperimenteve ushtarake të kryera kryesisht nga forcat e boshtit. Në ditët e sotme e vetmja gjë që mund të bëhet është mos harrimi i dëshmorëve dhe të rënëvë të luftës duke shpresuar se një luftë e tillë nuk do të përfshijë më njerëzimin. Më poshtë paraqitet një listë e shifrave të të humburve ushtarakë në Luftën e Dytë Botërore:
• Australia -- 40 400
• Belgjika -- 12 100
• Brazili -- 1 000
• Japonia -- 2 000 000
• Italia -- 306 400
• Zelanda e Re -- 11 900
• Bashkimi Sovjetik -- 10 700 000
• ShBA -- 407 300
• Britania e Madhe -- 382 600
• Franca -- 212 000
• Gjermania -- 5 500 000
• Shqipëria -- 28 000
• Kanadaja -- 45 300
• Greqia -- 20 000
• Kina -- 3 000 000
• Totali në të gjithë botën--24 456 700
Burimet e materialeve
Referenca Baze:
• World History - Patterns of Civilization nga Marian Nelson (University of Nebraska, Onaha, Shteti i Nebraskes). fq 586 - 640. ISBN: 0-13-967886-7
Referenca te tjera:
• World History - Patterns of Civilization, fq. 517 - Duke modernizuar Japonine.
• "World War II". The Columbia Encyclopedia (6th). (2007). Data 2008-03-10 marre nga arkivat.
• Hakim, Joy (1995) Nje Histori e Jona: Lufte, Paqe dhe Xhaz) New York: Oxford University Press. ISBN 0-19-509514-6.
• http://www.history.navy.mil/photos/events/wwii-dpl/hd-state/potsdam.htm - Konferenca e Potsdam
• Shaw, Anthony. World War II Day by Day (Dite pas Dite), fq. 35
• Japonia ka testuar arme kimike mbi te burgosurit e luftes: Provat e reja. The Japan Times (2007-07-27). Marre ne daten 2007-06-10.
• Georgi Zhukov (Shtypshkronja Ushtarake, gusht 2005) - Kujtimet e Gjeneralit Zhukov, volumi i dyte i botuar ne shqip. ISBN-ja nuk dihet, por mund te gjendet ne te gjitha biblotekat shteterore te RSH.
• Roger Ford - Armet Sekrete te Gjermanise - Lufta e Dyte Boterore - ISBN: 0-7603-0847-0
• Yuki Tanaka - Krime te Fshehta, 1996, fq. 23.
• Myers, Ramon; Peattie, Mark. Perandoria Militariste Japoneze, 1895-1945, fq. 458
• http://www.un.org/aboutun/history.htm


Statistikat
Ndodhen 383 artikuj në database
Më e shikuara: Video Seks-Skandali e Ponit me reperin Unikkatil
Më e votuara: Pazarlleqe e Sali Berishes me socialistet Ilir Meta-Edvin Rama

Totali i përdoruesve tek Revista: 1 (0 Përdoruesit e Rregjistruar 1 Vizitorë dhe 0 Përdorues Anonim)
Përdoruesit e dukshëm janë:


 
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari