Benedikti XVI Primatit anglikan Uiljams, ‘Ta vijojmë dialogun!”.
Titulli
Benedikti XVI Primatit anglikan Uiljams, ‘Ta vijojmë dialogun!”.
Përshkrimi
Jane drejte bashkimit te anglikaneve me katoliket
Shkruajtur nga
Laert
21/11/2009 15.37.09 Benedikti XVI Primatit anglikan Uiljams, ‘Ta vijojmë dialogun!”.
(22.11.2009 RV)Benedikti XVI priti dje në audiencë, në Vatikan, Hirësinë e Tij, Rouan Uiljams Kryeipeshkëv i Kantërburit, Primat i Bashkimit Anglikan. Sipas njoftimit të një komunikate të Sallës vatikanase të Shtypit, “gjatë bisedimit të përzemërt u theksua posaçërisht sfida që duhet të përballojnë të gjitha bashkësitë e krishtera në këtë fillim mijëvjeçari. U theksua se është e nevojshme të promovohen forma të përbashkëta bashkëpunimi e dëshmimi, në përpjekjen për t’i përballuar këto sfida. U fol edhe për ngjarjet e fundit, që kanë të bëjnë me lidhjen ndërmjet Kishës katolike e Bashkimit anglikan, duke theksuar vullnetin për t’i vijuar e për t’i fuqizuar më tej marrëdhëniet ekumenike ndërmjet katolikëve e anglikanëve e duke kujtuar se, pas pak ditësh, do të mblidhet Komisioni i ngarkuar për të përgatitur fazën e tretë të dialogut teologjik ndërkombëtar ndërmjet palëve”.
Takim historik e vëllazëror i Papës Benedikti XVI me Primatin anglikan, kryeipeshkvin e Kanterbërit, Uilliams, të cilët nënshkruan një Deklaratë të përbashkët sot në Vatikan.
(23.11.2006 RV)Në takimin e sotëm me kryeipeshkvin Uiljams, Benedikti XVI foli fjalë falënderimi për gjithçka pozitive që është jetuar gjatë 40-vjetëve, që nga takimi i Palit VI me kryeipeshkvin Ramsej, i cili shënoi rifillimin e dialogut të ndërprerë prej shekujsh. E pastaj iu kushtua vëmendje e veçantë zhvillimeve të fundit dhe rrugëve të reja që mund të bëjë Bashkësia anglikane në të ardhmen e afërt, me vetëdijen se shumë ndikime negative e presione rëndojnë mbi të krishterët dhe mbi bashkësitë e krishtera, posaçërisht në botën e shekullarizuar perëndimore. Benedikti XVI uroi të arrihet bashkimi i plotë e i dukshëm dhe nënvizoi se duhet falënderuar Zoti për hapat e bëra, duke kujtuar marrëdhëniet miqësore ndërmjet anglikanëve e katolikëve në shumë vende, gjë që ka krijuar rrethana të reja bashkëpunimi. E Papa më pas foli edhe për vështirësitë: “OVER THE LAST THREE YERS YOU HAVE SPOKEN OPENLY…” “Në tre vitet e fundit – deklaroi Ati i Shenjtë – është folur haptazi për tensionet dhe vështirësitë në mjediset e Bashkimit anglikan. Më pas kujtoi zhvillimet e kohëve të fundit, posaçërish lidhur me ministerin ipeshkvnor dhe disa mësime morale që – pohoi Papa – prekin marrëdhëniet e brëndshme të botës anglikane, por edhe marrëdhëniet me Kishën katolike. Papa nënvizoi se rrugët që do të zgjedhë Bashkësia anglikane, do të kenë rëndësi jetike për çështjet e brëndshme që po diskutohen aktualisht e sidomos, për predikimin e plotë të Ungjillit. “YOUR CURRENT DISCUSSIONS WILL SHAPE THE FUTURE OF OUR RELATIONS…” Më pas shtoi se do t’i japin formën edhe ardhmërisë së marrëdhënieve me katolikët. Në përfundim, ftesa për vijimin e dialogut, me vetëdijen se bota ka nevojë për dëshminë e përbashkët e për forcën që buron nga shpallja pa përçarje e Ungjillit. Përsa i përket fjalimit të Primatit, theksojmë sidomos pohimin: “ONLY A FIRM FOUNDATION OF FRIENDSHIP IN CHRIST WILL ENABLE US…” Vetëm një bazë e sigurtë miqësie do të na krijojë kushte për të qenë të ndershëm me njëri-tjetrin përsa i përket vështirësive – pohoi Primati anglikan - i cili në vijim falënderoi Selinë e Shën Pjetrit për organizimin e këtij takimi dhe kujtoi një hollësi domethënëse: “Unaza që mbaj në gisht – pohoi Primati anglikan – është ajo që Pali VI I pati dorëzuar kryeipeshkvit Ramsej, ndërsa Kryqi, ai që më dhuroi Gjon Pali II. Janë dy simbole që flasin qartë për impenjimin e punës së përbashkët në rrugën e bashkimit të gjithë të krishterëve. Primati nënvizoi edhe se ka ardhur me shpirt vëllazëror e kujtoi se është prekur thellësisht nga fjalët e Benediktit XVI në fillim të papnisë lidhur me rëndësinë ekumenizmit. Më pas u nënshkrua Deklarata e përbashkët, në të cilën kujtohet takimi historik i Palit VI me kryeipeshkvin Majkëll Ramsej e më pas pohohet se ka shumë zona dëshmie e shërbimi në të cilat katolikët e anglikanët mund të punojnë gjithnjë më të bashkuar, si impenjimi për Tokën Shenjte e kundër kërcënimit të terrorizmit. Ekumenizmi i vërtetë – lexohet në Deklaratë - i kapërcen kufijtë e dialogut teologjik: përshkon jetët shpirtërore dhe dëshminë e përbashkët. Jemi të vëtëdijshëm – lexohet në përfundim të Deklaratës - se bashkimi aktual është real, por jo i përkryer. Gjatë 40-vjetëve dialogu ekumenik ndërmjet katolikëve e anglikanëve ka pasur zhvillime pozitive, por ka hasur edhe vështirësi të reja. Ndokush ka folur edhe për një farë krize të këtij dialogu. Për këtë intervistuam vetë Primatin anglikan, Rouan Uiljams, në mikrofonin e Radios sonë: Përgjigje: - Nuk mund të them se është krizë. Them - ashtu siç ka thënë ndonjë herë kardinali Murfi O’Konorr – se është realizuar një lloj platforme. E kalova paraditen duke menduar për të ardhmen e dialogut tonë. Sqaruam sa më mirë që mundem se nuk ekziston asnjë lloj ndërprerjeje e procesit të dialogut e se shpresat nuk janë zbehur. Prandaj nuk besoj se mund të flitet për krizë; jemi përballë sfidave, por më duket se po ecim përpara në dialog me entuziazëm të madh. Pyetje: - E megjithatë, shumë njerëz kanë përshtypjen se entuziazmi i madh, i lindur menjëherë pas Koncilit II të Vatikanit, mungon disi në marrëdhëniet aktuale. Si mund të rifitohet kjo frymë pozitive? Përgjigje: - Mendoj se në gjurmët e Koncilit, shpresat e para kanë qenë ndoshta tepër të mëdha: është shpresuar për bashkimin e dukshëm gjatë jetës sonë, gjë që ndoshta nuk do të realizohet. Mendoj, prandaj, për entuziazmin që duhet të rifitojmë në dy fusha: së pari, në ekumenizmin themelor, dmth në gjetjen e identitetit të përbashkët përballë kulturës së shekullarizuar që na rrethon; e së dyti,në përpjekjen për të kuptuar më thellë ç’mund të bëjmë praktikisht për t’iu përgjigjur nevojave të botës, si mund t’i shfrytëzojmë burimet tona për të përballuar krizën e njerëzimit në ditët tona. E kjo mjafton për ta rifituar entuziazmin! Pyetje: - Duke menduar për pengesat që ekzistojnë në këtë dialog, kujtojmë njërën, brënda Kishës anglikane, e pikërisht shugurimin ipeshkvnor të grave: në fillim të këtij viti kardinali Kasper ka thënë se një vendim i tillë do të krijonte një pengesë të pakapërcyeshme në kërkimin e bashkimit të plotë,…Përgjigje: - E njohim këtë pengesë dhe e konsiderojmë shumë serioze. Njëkohësisht, në Kishën e Anglisë po vijojmë një proces reflektimi teologjik me afate të gjata mbi këtë argument. Pra, ka rëndësi të vijojmë reflektimin. E pastaj çfarëdo vendimi të merret, e mendoj se kardinali Kasper do të jetë dakord - ne e kemi një gjuhë të përbashkët, me të cilën mund të diskutojmë, gjuhë e cila bazohet mbi marrëveshjet që tashmë janë realitet.
Katolikët e anglikanët japin hov të ri dialogut ekumenik: takim historik i ipeshkvijve katolikë të Anglisë e të Galesit me ipeshkvijtë anglikanë në Lids.
(15.11.2006 RV)Ditë historike e sotmja në rrugën ekumenike: për herë të parë u mblodhën së bashku në Lids ipeshkvijtë katolikë të Anglisë e të Galesit me ipeshkvijtë anglikanë, të kryesuar përkatësisht nga Primati i Anglisë, Rouan Uilliams, kryeipeshkëv i Kanterbërit dhe nga Kardinali Kormak Marfi-O’Konorr, kryeipeshkëv i Uestminsterit.40 vjet më parë, vizita në Vatikan e kryeipeshkvit të atëhershën të Këntërbërit Majkëll Ramsei, që u prit në audiencë nga Pali VI, shënonte, menjëherë pas Koncilit II të Vatikanit – një etapë historike në dialogun ekumenik, që do ngjallte shpresa të mëdha për bashkimin e plotë të gjithë të krishterëve e do të sillte, në vitet që do të vinin, fryte pajtimi doktrinor e baritor. Për ta përkujtuar këtë ngjarje të madhe, u organizua takimi që u hap dje pasdite në Lids të Anglisë, i cili do të pasohet nga vizita që Primati i Anglisë, Uiljams, do të bëjnë më 23 nëtorin e ardhshëm në Vatikan, ku do të takohet me Benediktin XVI. “E njohim vlerën që ka puna e përbashkët për t’i dhënë shoqërisë një dëshmi të krishterë të njëzëshme” nënvizojnë kryeipeshkvi Uiljams e kardinali O’Konorr në një deklaratë të përbashkët, publikuar dje, në të cilën theksohet edhe rëndësia e punës krah për krah me konfesionet e krishtera dhe me përfaqësuesit e feve të tjera për të mirën e gjithë shoqërisë njerëzore. Misioni që na ka besuar Krishti - shkruajnë dy prijësit, ai anglikan e ai katolik – na ngarkon me detyrën të impenjohemi thellësisht e gjërësisht në këtë mision, të bazuar mbi dialogun e mbi lutjen e përbashkët”. Nuk i fshehin, më pas, as vështirësitë, që nuk mungojnë. Por entuziazmi për dialogun – shkruajnë dy kryeipeshkvijtë – na shtyn t’i përballojmë ndershmërisht argumentet për të cilat nuk jemi të një mendimi. E kjo është e mundur – përfundon nota – kur mbështetesh tek Ungjilli".
Ipeshkvijtë e Anglisë e Uellsit te Papa: katolikët të impenjuar në dëshmimin e fesë në shoqëri :
(25.1.2010 RV)Papa Benedikti XVI priti sot paradite në Vatikan, grupin e parë të ipeshkvijve katolikë të Anglisë e Uellsit, me rastin e vizitës që bëhet çdo pesë vjet pranë Selisë Apostolike të Shën Pjetrit në Vatikan, e që njihet me emrin vizita “Ad Limina Apostolorum”. E sivjet kjo vizitë merr një domethënie të veçantë, në kuadrin e udhëtimit apostolike që Benedikti XVI do të bëjë në Britani të Madhe në shtatorin e ardhshëm. Kujtojmë se Kisha lokale ka 5 kryedioqeza e 17 dioqeza. Besimtarët katolikët janë pak më shumë se 5 milion, baras me 8,9% të popullsisë. Sot grupit të ipeshkvijve në audiencë te Papa, i prini kryeipeshkvi i Westminsterit, imzot Vincent Gerard Nichols, president i konferencës ipeshkvnore të Anglisë e Uellsit. Ta dëgjojmë imzot Nichols në mikrofonin tonë mbi sfidat aktuale që ka Kisha katolike në Angli. “Një anketë e bërë kohëve të fundit na paraqet një bashkësi më të përzier, më komplekse dhe regjistron një rritje numerike për çka nuk ishim plotësisht të vetëdijshëm. Një tjetër gjë që në këtë periudhë bie në sy është fakti se jeta fetare është më shumë e dendur nëpër qytetet më të mëdha (..) se në zonat fshatare të Vendit, ku numrat janë në ulje e meshtarët janë duke u plakur, prandaj kemi edhe vështirësi të ndryshme. Një tjetër element, që mendoj se anketa ka treguar, është fakti se po të bënim një krahasim me popullsinë tjetër të Vendit, katolikët janë më shumë të impenjuar në çështjet e drejtësisë e të drejtësisë shoqërore. E ky element për ne është inkurajues, sepse është shprehje konkrete e mësimeve shoqërore të Kishës dhe dëshmon që përtej vështirësive tashmë të njohura, kemi edhe shumë histori tjera të suksesshme për t’i treguar e ofruar si shembull të mirë”.
Britania e Madhe sot ndoshta është një ndër shoqëritë më të shekullarizuara në Evropë. Ju kohëve të fundit keni pohuar se ajo “ia ka shitur shpirtin e vet diturisë shkencore e materializmit në dëm të fesë”, e megjithëkëtë ekziston një etje e madhe shpirtërore…. “Shoqëria britanike është mjaft komplekse. Disa institucione kyçe siç janë shpesh universitetet, apo herëve tjera aparaturat apo sistemet e qeverive më veprimtarinë e tyre legjislative, përqendrohen pothuaj vetëm e vetëm mbi të dhënat e prodhimit e të përfitimit, e unë mendoj se kjo nuk e pasqyron ndjenjën e përbashkët të qytetarëve. Mendoj se në këtë Vend gjithnjë më tepër është duke dalur në pah një pasiguri mbi natyrën e vet shoqërisë që duam ta kemi, një shoqëri në të cilën duhen të jenë vlerat e vërteta për t’u respektuar, ndjekur e mbi të cilat duhet ndërtuar e mbështetur identitetin e qartë e të thellë. Në këtë pasiguri e paqartësi, feja në Zotin na ndihmon të jetojmë e të jemi të fortë, sepse na ofron një dritare drejt trashendencës e bindjes së plotë se nuk dimë e as nuk kontrollojmë gjithçka në jetë. Mbi këto e tema tjera siç është mbrojtja e jetës deri në vdekjen natyrore, bioetika, eutanazia e tjera, ne si Kishë mundohemi të ofrojmë ndihmesën dhe të luajmë deri në fund rolin tonë në debatin publik. Pra duhet të veprojmë në nivele të ndryshme në shoqëri duke ofruar dritën e fesë që përkon me dritën e arsyes”. Pra katolikët janë të impenjuar në dëshminë e fesë e të vlerave të patjetërsueshme në kompleksitetin e shoqërisë britanike.