By-pas Liqenit të Shkodrës, projekt për zgjerimin e qytetit
SHKODËR - Një "ndërhyrje në zemër" është duke u përgatitur nga bashkia për qytetin më të madh verior. Projekti quhet By-pas i Liqenit të Shkodrës dhe synon shtrirjen e qytetit drejt liqenit, me ndërtimin e një rruge-bulevard të gjatë 4.5 km dhe për më tepër një port të vogël për jahte.
Bashkia e Shkodrës bën të ditur për 'Shekullin' se rruga do të ndërtohet përgjatë brigjeve të Liqenit të Shkodrës në hyrje të qytetit dhe do të përfshijë lagjen Kiras, një ndër lagjet periferike me shtim të ndjeshëm të popullsisë dhe do të përfundojë në lagjen Rus, duke bërë në këtë mënyrë lidhjen e këtij segmenti me autostradën Shkodër- Han i Hotit.
Rruga është projektuar me katër korsi, me zona të caktuara për lëvizjen e këmbësorëve dhe biçikletave. Përveç ndikimit që do të ketë në turizëm ajo pritet t'i japë një hov të ri zhvillimi, lagjeve periferike që normalisht kanë diktuar zgjerimin qytetit. "Ky projekt do të shërbejë edhe si argjinaturë për liqenin e Shkodrës, për të penguar daljen e tij kur mbushet me ujë", thonë specialistët.
Drejtuesit e Bashkisë së Shkodrës shprehen shumë optimistë për këtë projekt dhe pohojnë se tashmë ka nisur puna për hartimin e tij nga specialistë të Drejtorisë së Rrugëve, studimin e fizibilitetit dhe përcaktimit të kostos. Ata mendojë se në vitin 2010 do të fillojë nga zbatimi By-pas i Liqenit të Shkodrës, pasi të paraqitet projekti pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe KRRTRSH-së.
Si bazë për hartimin e projektit ka shërbyer edhe një studim i bërë nga Universiteti i Firences në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, ku u dha për herë të parë ideja e ndërtimit të këtij By-pas. Nxitje për të, ka pasur edhe konsullata italiane në Shkodër e cila ka organizuar aktivitete kulturore mbi peizazhin e mrekullueshëm të liqenit të Shkodrës.
Faleminderit Laert, por mundohem me gjete vetem esencen e informacionit pasi kohet e fundit ka shume informacion qe vetem e nervozojne njeriun dhe nuk e informojne aspak por thjesht e bejne me humb kohe dhe me e spostu nga realiteti i ndryshem nga ai informativ.