Gjithcka mbi naten e erret 45vjecare komuniste shqiptare
Moderatorë: Laert, I-AMESHUAR
Posto një përgjigje 4 postime · Faqe 1 prej 1
Futja e Armve n'Kishat katolike Modeli turkë-komuniste
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4314
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Futja e armëve në Kishën Katolike
Model satanik turko-komuniste

Futja e Armve në Kishë nga Pushtuesit Osmano-Turk në 1910
Pjesae I-rë


Futja e armve në Kishën Katolike të Shkodrës nga Sigurimi i Shtetit në periudhën e diktaturës komuniste ishte vazhdimi i metodave djallzore, shpifse me synime denigruese, shfarosëse dhe likujduese nga parardhsit e tyne anadollak osmanë-turk:

”Turgut Pasha msŷn Dukagjinin”


Fragment nga ”Kujtime të vjetit 1910”
”Hylli i Dritës”, fq. 20-21, 1936/1
Autori - Shkndija
”……….Nderkaq ushtrija e Turgutit(1.) kaloi Qafen e Kolçit(2.) e erdhi e zû vend te gurra e Sahaçit, log i gjânë e të tanë blerim prej kah Turguti çoi nji pjesë të vogel ushtrijet te Kisha e Nikaj, kû asokohe heret sherbete porsi Famullitar P. Pjeter Giadri(3.). Ne e parë ushtrija u prû mjaft njerzisht me Fratin deri sa, mas pak ditsh, nji çetë Nikajsh, dalë në mal, erdh e shprazi nji batare pushkësh m’i çadra, qi kishin ngrehë ushtarët n’oborr të Kishës. Kapitani i ushtris u idhnue fort per ket punë edhe lypte arsye prej Famullitarit, e mos t’ishte Ali Begu, qi permendem mâ nalt, me zbutë pûnë, çasja u kje tuj u bâ pernji mend e madhe. Që prej ksaj dite Famullitari i shkretë ndêj porsi i huej në shpi të vet: Kisha e Qela u bâne porsí nji kazermë, kû nuk sundote mâ Frati, i zoti i shpis, por Kapitani me ushtarët e vet.
Imazh
Kisha e Nikajve 1903(4.)

Mâ zi kje tuj i ndollë Famullitarit të Ràjés, P. Gjon Çapalikut.
Populli i Rajës(5.) nuk i bâni kurrfarë qindreset ushtris tyrke, pri prej Kapitan Ali Begut, Shqyptár, por i u shtrue, me nji herë, tuj dorzue armët, tuj dhánë djelmt ushtarë e tuj regjistrue gjâ të gjallë e pasuni. Pushkët e mbledhuna, mas dishirit të komandantit, kjenë ndry, në Qelë por me rrezik per me shkue e me u bashkue me pjesën tjeter t’ushtris, qi kishte ra, në Nikaj. Kur qe i a behë nji komandant tjeter me nji çetë ushtarësh, rrethon Kishë e Qelë, zen Fratin e ngratë, tuj e majtë porsi kundershtar t’qeveris konstitucjonale, e mprojtës koçakësh, qi prandej kishte mbledhë në shpi të vet edhe armët e tyne. sé mramit, sado qi Famullitari u vu me dishmue gjith se sí ishte kene puna, i ndihmuem edhe prej sa dìshmitarësh tjerë, kje kapë e vu per udhë ndermjet disa ushtarve të terbuem, per me i çue perpara Turgut. Edhe nder sy të tij P. Gjoni foli gjith si kishte pasé folë perpara, tuj thirrë per dishmitar vétë Ali Begun. Gjygji u shty per ne e nesre, e per at natë i kje lanë Frati në roje nji Yzbashit. Mas nji gjygjit krejt të marrë, e do pvetjesh të pa krypë, mujt me pshtue P. Gjoni masi Ali Begu e bani at burrnin e vet, si shqyptar qi ishte, e e dishmoi të verteten.”

Shenim
- U kopjue nga "Hylli i Dritës" nga Bep Martin Pjetri
- Shenimet janë vue nga kopjuesi i shkrimit.
1.Turgut asht emni i një mashkullit turk që i vehet para emnit
2.Qafën e Kolçit ndodhet në Krahinën e Nikaj Mërturit në kufi me komunën e Bujanit dhe të Fierzës. Qafa e Kolçit lidh luginën e Nikaj-Mërturit me Krasniqen, te dyja fise te Malësise se Gjakovës.
3. P. Pjeter Giadri – P. Pjetër Gjadri
4. Foton e gjeta te shkrimi ”Nikaj Mertur: perla katolike e Tropojës…”
5. Fshati Rajë (Breglumi) – Qendra e Dukagjinit

E shtunë, më dt. 11.III.2017
Bep Martin Pjetri
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi sundimit të gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. E pregatiti në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Radovani
Ubi spiritus Domini ibi libertasKu ashtë shpirti i Zotit, aty ashtë liria. At Gjergj Fishta
“Ai që e di dhe thotë një gënjeshtër asht nji kriminel”Bertold Brehtin.
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4314
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Kush i futi këto ARMË NË KISHË, dhe si i futën?
Imazh

Po paraqes të kopjuem shumë pak, nja pesë faqe nga libri i botuem ”Çinarët” të meshtarit At Konrrad Gjolaj në 2006, te pjesa e III-të, faqja 110-116:
Imazh


Fq.110 ”Vendi ku lutej Zoti, u ba burg. Aspak e papritun. Gadi 2000 vjet përpara na e kishte thanë Krishti. Ai vend ku njerzit me sy kah qielli presin një mirsi, një nderë, dhe ku pajtohen gjaqet e njerzve me rruzare në dorë, një ditë papritmas Do TË MBUSHEJ ME ARMË E MUNICION…
Kush i futi këto ARMË NË KISHË, dhe si i futën?
Gazeta ”Koha e Re” e Shkodrës me 19 Nandor 1946 shkruen ”Zbulime sensacionale në Kuvendin Françeskan”…Po n’atë gazetë shkruhet se janë gjetë: 7 arka municion, fishekë, karikatora, bombe dore, granat gjermane, 10 tyta mitralozi të randë, të cilat ishin të mëshehuna në Kishë dhe në Kuvend. Tek stalla e derrave ishte një arkë me armë të gjata. U gjetën edhe monedha ari dhe sterlina angleze. Në qoshen e dhomës së xhakonit Anselm Bulgri(prej Tuzit), ishin pas kenë aty edhe aty armë e municione. Asht gjetë edhe një arkë me shkrime të At Bernardin Palajt(VETEM KËTE E BESOJ!).
Perfaqsuesit e frontit, rinisë, grues, etj. vizituene Kishen, Kuvendin, dhe kishin ”pa me sy” se shka ishte kenë mësheh aty….
Na që ishim mbrenda Kuvendit, mbas datës 12 Nandor ishim n’arrest mbrenda Kuvendit, dhe nuk kishim të drejtë as me hy, as me dalë. Për shpenzime lëvizte vetëm At Aleks baqli dhe Fra Zef Pllumbi, ndërsa kuzhinjerët e ndonjë puntor ishte i lirë me punue, mandej me shkue në shtëpi të vet.
Fq. 111
Kur na mbyllëm n’arrest, u pat kontrollue Kuvendi dhe nuk u gjet kurrgja, me përjashtim të armëve muzeale që pat sjellë Mehmet Shehu mbasi u plaçkitën, dhe u kërkuen me kabëngulje nga Provinçjali, At Matia, si vlera kombëtare, një prej të cilave e ruentë At Çipriani te dhoma e Tij. Armët e gjetuna te stalla e derrave ishin të lanuna jashtë, mbasi ishin jashtë përdorimi, të prishuna dhe të ndryshkuna prej shiut, që binte mbi to.
Në Kuvend nuk kishte vetëm një arkë me materiale e shkrime të At Bernardinit, por kishte disa arka me materiale me vlerë të madhe histroike, letrare dhe kulturore të Gjeçovit, Fishtës, At Pal Dodaj, e deri tek korrespondencat, që janë kenë një thesar i paçmueshëm. Ndërsa libra, revista, artikuj, broshura, etj. as nuk xehen me gojë për atë kohë, as prej Kolë Jakovës, e ma vonë as prej Jup Kastratit, që pat jargitë për sa vjet dorën e paralizueme të At Justin rrotës, derisa ia mori shka pat, tue e mashtrue e me shpnesë se “do t´’ía botonte” …Ku janë sot makare arkat boshe?
Lëvizjet e natës së xhakonit Ndoc Vasili, letër shkëmbimet me Tano Banushin(¤) dhe njerzit të tjerë të sigurimit, të denoncuem prej At Aleks Baqli, që e ka pa dhe kapë në flagrancë me presh në dorë, lëvizjet e konstatueme gjatë natës 16 dhe 17 nandorit(1946 – sh. im Bep Martin Pjetri) prej derës së fundit, kalimi nëpër mencën tonë, humja në Kishë nga dera ngjitë me kompanjelin, tregojnë kjartë se kush i futi arkat e ARMËVE NË KISHË.
Të gjitha këto dyer ishin të mbylluna. Kush i mbante çelsat? Kush i dha çelsat sigurimit me u futë natën? Pse u zgjodh kalimi nëpër mencë? Arrestimi i Fra Ndue Vilës, dhe torturat e bame mbi te, vetëm pse Ai nuk i kishte dhanë çelsat e derës kryesore të Kishës, prej ku shkarkimi i armëve ishte krejtsisht i lehtë, direkt nga rruga, detyroi sigurimin rrugën e mencës, rrugën në, të cilën At Aleksi e pau me sytë e Tij.
Distanca prej sakristisë ku ishte At Aleksi, vetëm nuk lejoi me dallue se shka shkarkohej, sigurisht nata dhe errsina ishin në favor të sigurimit. Mbajtja e armëve prej nesh edhe në dhomë personale asht e ndalueme pa dije t’eprorit. Sikur armët të gjindeshin ndër dhomat e Fretënve t’arrestuem, kjo do të ngarkonte me përgjegjësi vetëm ata. Po kjo, a do të kënaqte ata që kishin sajue skenarin me qëllim ma të randsishëm? Këtu nuk ishte më
fq.112
fjala për të GJITHË FRANÇESKANËT, dhe ajo ma e randsishmja, NJOLLOSJA E KISHËS KATOLIKE ME ARMË, se armët nuk ishin në Kuvend, por “ishin” NËN LTER të Shnan Ndout e të Zemrës së Krishtit…
Logjika mbështetet mbi faktin. Atëherë pse armët na i futën në Kishës, dhe jo në fund t’oborrit, apo te stallat? Kush do të kontrollohej ma parë.Kisha apo stalla? Kompanjeli apo hatllat e Kuvendit, Lteri i Shna Ndout apo magazinat e ushqimeve? E, në fund të fundit, a nuk muejshin edhe na me ba shka po bante e gjithë popullsia e Shkodrës, me i tretë armët në pusat e zez, kjoftë edhe të Kuvendit? A nuk muejshim me i vup ara derës së Kuvendit në rrugë, dhe me bërtitë “kush i ka prue këto armë me na akuzué”? Asnjë arsye nuk lejon me mendue, se po të kishim armë, na ato do t’i futshim në Kishë, dhe do të pranojshim me na njollosë Kishën!
FUTJA E ARMËVE ASHT BA VETËM NGA SIGURIMI I SHTETIT, dhe ma mirë se gjithkush e din Hulusi Hako, Dilaver Sadikaj, Pjerin Kçira dhe Ndoc Vasili me spijuj të tjerë, që kanë krye këtë vepër të shëmtueme kundër Kishës Françeskane të Gjuhadolit, dhe gjithë Klerit Katolik të PAFAJSHËM.
Françeskanët e Shqipnisë nuk kanë pasë kurrë armë në Kuvend, dhe as nuk kanë futë kurr armë në Kisha. Kisha asht Shtëpia e Zotit, dhe mbrohet me ato armë që na ka armatosë Krishti dhe Shpirti Shejtë tash 2000 vjet.
Armët tona fitimtare janë KRYQI dhe UNGJILLI. Me ato kem fitue dhe do të fitojmë ndër shekuj. Kurr dyert e ferrit nuk kanë muejt me e fitue!
…………………………………….fq.113
këtë vepër të sigurimit nuk e besoj jo vetëm pjesa katolike e popullsisë, por as pjesa Myslimane e Ortodokse, mbasi për 50 vjet ishin vetëm individ spijuj e servila të sigurimit, që ma vonë me shpifjet e tyne moren tituj e grada shkencore si; Rakip Beqja, Hamid Beqja, Jup Kastrati(¤), Viron Koka, Bik Pepa(¤), Skënder Drini(¤), Hasan Smaja(¤), Kolë Jakova e sa të tjerë, artista e shkrimtarë, që u bane paliaço të ”popullit”, tue nas ha né.
……………………………………..fq. 116
Jugosllavët kanë drejtue komplet këte veprim. Ata kanë instruktue edhe spijujt e devotshëm shqiptarë si me veprue me ne. Ata janë gjetë edhe ndër hetime me duert e tyne edhe Fratel Gjon Pantalinë, ata kanë ba fotografi e filma në Kishë për me dokumentue gjoja gjetjen e armëve, dhe ata janë kenë gjithmonë ideatorët e masakrimit të Klerikt Katolik, dhe Popullit Shqiptar ATDHTAR.
Me akuzën e ”Futjes së armëve në Kishë” u pushkatuen me 11 mars 1948:
IMZOT FRANP GJINI
AT MATI PRENNUSHI
AT ÇIPRIAN NIKA
DON NIKOLL DEDA


Shenim;
(¤) Tano Banushi – Humorist, Artist i Popullit, sekretar i Organizatës Partis i Teatrit Shkodër
(¤) Bik Pepa – Humorist i Estradës Shkodrës
(¤) Jup Kastrati – Në shtëpinë e Prof. Dr. J. Kastratit, pedagogë, si bashkëpuntor i sigurimit banoi 3 muej ish Sekretari i KQ të PPSH, sh. Ramiz Alia si një nga projektuesit kryesor të Shtabit të Projektit të Shfarosjes të Kishave dhe atë Klerikale Katolike në 1967.
(¤)Skënder Drini – Shkrimtar, Konsull i Kulturës në Ambasadën Shqiptare në Turqi nën presidencën e Sali Berishës.
(¤) Hasan Smaja – Humorist i Estradës Shkodrës dhe Artist i Merituem.

E kopjoi Bep Martin Pjetri
E mërkurë, më dt. 15.III.2017
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi sundimit të gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. E pregatiti në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Radovani
Ubi spiritus Domini ibi libertasKu ashtë shpirti i Zotit, aty ashtë liria. At Gjergj Fishta
“Ai që e di dhe thotë një gënjeshtër asht nji kriminel”Bertold Brehtin.
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4314
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Pjesa e II-të

Historia e Futjes së Armve nga Diktatura Komuniste në 1946
Në Dy Kishat Katolike Shkodër dhe Mirditës


Sipas shkrimtarit, studjues Fritz Kolë Radovani të periudhës komuniste mbi Krimet dhe gjenocidin shtetnor të diktaturës komuniste mbi Klerin katolik rezulton se nga sherbimet e sigurimit të shtetit me urdhën të Enver Hoxhës, Mehmet Shehut, Ramiz Alis dhe Kadri Hazbiut janë futë armë në tre Kisha Katolike;
- 1- Kisha Françeskane Gjuhadol - Shkodër - Me datën 17 nandor 1946
- Kisha "Shen Aleksandri" e Oroshit të Mirditës - Më 17 dhetor 1946

1- Me datën 17 nandor 1946, ora 02 e mesnatës futen Armët n'Kishën Françeskane Gjuhadol - Shkodër

Fragment nga ” FILMI JUGOSLLAV „DOSJA 1302/II-A“ - PJESA E TRETË - Fq. 256 – libri Një monument nën Dhé” shkrimtari Fritz Kolë Radovani, Bot. 2004 Zagreb – Kroaci
Imazh

Në Shkodër, drejtojnë operacionin e futjes së armëve në Kishën Françeskane të Gjuhadolit, Zoi Themeli, Hulusi Hako, Dilaver Sadiku që kanë ngordhë me spaletat e Ministrisë së Mbrendshme të ndihmuem nga Pjerin Kçira, Lin Çollaku, Nush Baba, Gjovalin Mazrreku, etj.
Me datën 17 nandor 1946, rreth orës 02.00 të mëngjezit, në një natë me shi, ndalojnë makinën tek dera e kuvendit ngjitë me Kishë, e hapin me çelsat e marrun me zori prej kuzhinjerit Martin Tarri, kalojnë nëpër mencë dhe futen në Kishë, nëpër derë të kompanjëlit, rrugë e tregueme nga trathtari Ndoc Vasili (Antoni Kapaj në Amerikë).

Shkarkojnë armë e municione mbrenda Kishës tek Elteri i Shna Ndout, i Zemrës së Krishtit etj, dhe rreth orës 04.00 e rrëthojnë Kishën me ushtarë të Ndjekjës, tue mos lanë njeri me u afrue në ora 05.00 kur thohej mesha e mëngjezit. Atë kohë rrëthohet edhe kuvendi me të gjithë françeskanët e xhakojt që ishin aty. Ditën bahen vizita nga autoritetët e organizatat për me pa armët e mëshefuna nga “fretnit”.

Merrën në mbramje rreth orës 20.00 nga hetuesia (shtëpia P. Çiurçisë), At Mati Prennushi, At Donat Kurti, At Çiprian Nika, At Pal Dodaj, At Aleks Baqli, të gjithë fretën të arrestuem, sillën me pranga në Kishë, ku mbasi vëndosen ndër vendet ku janë “gjetë” armët, (të vueme nga vetë Sigurimi) afër Eltërit të Shna Ndout dhe Zemrës së Krishtit, xhirohën në film nga operatorë jugosllavë....

Ky film jugosllav asht “Dosja 1302/II-A”.


I vetmi njeri i penduem që kam njohtë në vitin 1982, pjesëmarrës i Sigurimit të Shtetit në këtë vepër të shemtueme asht kenë Zef Bardhoku, i cili më ka tregue krejt mënyrën si kanë hy në Kishë me armë dhe, si i kanë vendosë arkat aty. Tregonte, se Fra Ndue Vila nuk i kishte dhanë çelsat dhe ishte torturue mizorisht. Ai pohonte se dyshohej për armë përsonale ndër fretën, mbasi kishin informata nga xhakoni Ndoc Vasili (Antoni Kapaj). Në fund të bisedës, thonte: “Nuk dij sesi, Zoti nuk ka premtue për të gjithë ne që kemi futë armët në Kishë, me na varë populli katolik në traun e sipërm të derës së Kishës së Shna Ndout, për atë vepër të ultë që kemi ba, tue çue në plumb
At Mati Prennushin e At Çiprian Nikën krejt të pafajshëm, e sa të tjerë me vite të tana në kampet e burgjet e mnershme të shfarosjës ku edhe kanë vdekë. Kur rashë në burg vetë, kishte edhe priftën që më njifnin mirë, e dinin se çka i kam ba klerit dhe më jepnin cingare e bukë që ma shumë më mungonin, pa ua kërkue ...

” Kuvendi i Françeskanëve në Gjuhadol u kthye në burg dhe thirrej Burgu i Kishës së Fretënve, burgu ma i mnershëm i komunizmit në Shqipni, e pse jo i krejt Lindjës komuniste.
Porosia jugosllave ishte: “... të shkatrroni kulm e thëmel çerdhën e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye FRANÇESKANËT!” ... dhe porosia e mësuesve po kryhej ...

Përballë të arrestuemve do të shënoj disa nga bishat hetues:
Imzot Frano Gjini ishte përballë kasap kap. Lilo Zenelit e aspirant Ali Xhungës,
At Mati Prennushi, përballë kap. Nesti Kopalit,
At Çiprian Nika përballë kap. Nesti Kopalit,
Don Nokoll Deda përballë kap. Fadil Kapisyzit,
Don Tom Laca përballë aspirant Ali Xhungës e kap. Fadil Kapisyzit,
At Donat Kurti përballë kap. Zoi Shkurtit,
At Frano Kiri përballë major Zoi Themelit e kap. Zoi Shkurtit,
Don Nikoll Shelqeti përballë kap. Zoi Shkurtit,
At Gjon Karma S.J. përballë aspirant Pjerin Kçirës,
Don Ndoc Sahatçija përballë toger Bilo Bregut,
xhakoni Zef Pëllumbi përballë kap. N. Kopalit,
At Mëhill Miraj përballë aspirant Pjerin Kçirës ( nëpunës në Sigurim, që mbante edhe rrjetin e spijujve ), dhe Ali Xhungës etj. etj.

Kishe me thanë se, sa me vlerë do të ishte me pasë në dorë proçesin e plotë të kësaj ngjarje të mnerëshme që u zhvillue ata vite në Shkodër. Arrestimet u banë në muejt tetor e nandor te 1946, ndërsa dokumentacioni flet për muejt e fundit të 1947, pra, mbas një viti nuk asht e mujtun me pas fillue hetimet.

Praktikisht: Imzot Frano Gjini, më 14 shtator 1947, pyetet nga Lilo Zeneli;
Don Nikoll Deda, më 30 tetor 1947 pyetet nga Fadil Kapisyzi;
At Mati Prennushi, pyetet më 26 shkurt 1947 nga Nesti Kopali etj.

Ballafaqimet bahën pothuej të gjitha në dhetor 1947, pak ditë para gjyqit. Në këta dokumente përmblidhen në 5-6 faqe krejt hetimet e bame në një vit të plotë, me përjashtim të Don Ndoc Sahatçisë dhe At Mëhill Miraj që kanë edhe 40-45 faqe të daktilografueme proçeset e tyne, mbasi mbi bazën e thanjëve të tyne për fat të keq, atëherë, ndërsa, tashti, për fat të mirë që janë ruajtë dhe shihën këta proçese, janë thurë lloj-lloj lëgjendash, të gjitha të projektueme nga Sigurimi i Shtetit, dhe të daluna nga goja e këtyne njerëzve të dobët në qëndresën para torturës, që mbasi hodhën firmat e tyne në këto proçes-verbale përfundimisht ishin vetëm kenje, mbasi ndërgjegja dhe karakteri humbën përjetësisht.

At Rrok Gurashi, asht gati me ia kujtue hetuesit ndonjë rresht që ai e ka harrue, flet pa pikë mëshire për kedo, veç me dalë nga dhoma ku bahën ballafaqimet. Ai akuzon “fajtorë” cilindo të pafajshëm që i kërkohet: “për derisa unë jam këtu, le të vijnë të gjithë mbas meje!”. At Mati Prennushi i kujton: “Të gjitha këto që thue këtu, Padër Rrok, janë vetëm shpifje që nuk i kam pritë kurrë prej teje, por, mos harro, se kemi edhe një gjyq tjetër, e, atje, nuk ka ma rrena e shpifje!”. Me të vërtetë, kur At Rroku ishte në çastet e fundit të jetës, në një kamp pune thërret At Konrrad Gjolaj, dhe i thotë: “At Konrrad, po vdes, po, a thue Zoti, ka me mi falë ato tmere fajesh e shpifjesh që kam ba unë, vetëm tue mendue sa vetë janë pushkatue me rrenat e mija!?”, dhe At Konrradi i thotë: “Padër Rrok, eja të rrëfej, se mëshira e Zotit, kalon kufijt e arësyes sonë, ti nëse je pendue fol, se edhe ata për të cilët ti je shpifë, jam i sigurt se sot lutën për shpirtin tand ...”, dhe ishte rrëfye ...

Po, At Rrok Vata, sa ditë ndej ndër gjunjë para Kryqit kur e pau se i kishte ardhë fundi? Po, Don Nikoll Troshani, pse thonte: “Si do të shihëm andej me Don Dedë Malaj?!” ... Në dosje ruhët një proçes-verbal i ballafaqimit të Imzot Frano Gjinit me At Rrok Gurashin, Don Ndoc Sahatçinë dhe Prenkë Lezaj. Ballafaqimi asht ba me datën 28 dhetor 1947 pra, një javë para gjyqit.

Aspirant Ali Xhunga shkruan: “... i pandehuri Monsinjor Frano Gjini nuk atribon thanjet e Padër Rrok Gurashit,
Don Ndoc Sahatçisë dhe Prenk Lezajt
, prandaj u pa e nëvojshme të kompozohet ky proçes ballafaqimi... dhe flet Padër Rroku, 5 faqe e gjysëm proçes, mbas tij flet Don Ndoci, 2 faqe të tjera dhe 3 faqe, flet edhe Prenk Lezaj. Të gjithë plotësojnë edhe ndonjë mangësi që ka pretenca e prokurorit, mbasi ai asht edhe qëllimi i “kompozimit” të ballafaqimit.

Cila asht përgjigja e Imzot Gjinit?

“Monsinjor Gjini, mbasi ndigjoi thanjet që iu banë para fëtyrës së tij, nga Padër Rrok Gurashi, Don Ndoc Sahatçija, dhe nga Prenk Lezaj, merrët në pyetje dhe deklaron sa ma poshtë vijon: P. P. (Përgjigjet i pandehuri), Përsa thonë para meje Padër Rrok Gurashi, Don Ndoc Sahatçija dhe Prenk Lezaj, i dëgjova të gjitha, por vetëm dua të them, se për posë atyre që kam deklarue në proçes, nuk asht asnjë e vërtetë, që të kem patur lidhje direkt me Mark Gjon Markun, ose me ndonjë të arratisur tjetër dhe, se kam patur dijeni xxxxxxxx (prishnja që) ma të vogël për këto organizata kundërshtare të Pushtetit Popullor.”(faqe 1-11 Proces-ballafaqimi Nr.rend. 12 ).............................................................................
I pandehuri (Monsinjor Gjinaj).

Oficeri pyetës: Aspirant Ali Xhunga d.v. Fq. 258

2. Futja e armve në Kishën "Shen Aleksandri(Sh'Llezhdri)" e Oroshit të Mirditës dhe në Qelë më 17.XII.1946
Imazh
Abacia e Mirditës, Orosh. Foto e vitit 1903.

Prof. Dr. Pjetër Pepa
“Më 17 dhjetor 1946, seksioni i Sigurimit të Shtetit zbuloi në abacinë e Mirditës, brenda në kishë e në qelë, armë e materiale të tjera komprometuese”, - njofton përgjegjësi i Sigurimit të Mirditës, togeri Bardhok Biba.
“Dr. Pjetër Pepa: Dosja e diktaturës komuniste, zbulohet e vërteta e armëve nëpër Kisha”

Studjues - Fritz Kolë Radovani:
“Akuza kryesore asht “futja e armëve në Kishë”, veper e cila u krye edhe në Orosh të Mirditës nga sigurimi i shtetit komunist, mbas instruksionit të oficerëve jugosllav, ngjarje e cila lidhej me vepra të tilla të kryeme pothuej në të gjitha vendet komuniste të Europës Lindore satelit të Bashkimit Sovjetik, që drejtohej nga Stalini dhe Beria.” Fritz RADOVANI: VITI 1946… VIT TERRORI DHE PËRGJAKJE SLLAVOKOMUNISTE ! (06 Janar 2011 )

Shenime:
Fati tragjik i spijunve

Më 28 korrik 1948 do të arrestohen:
1. Pjerin Kçira - 25 vjeç, anëtar partie, aspirant në seksionin e sigurimit Shkodër, korrespondent i “Zërit të popullit” dënohet 20 vjet burg e mandej pushkatohet më 11.VI.1949 në Zall të Kirit. "Ai, për të pastruar ndërgjegjen, nxjerr një sekret që e digjte prej kohësh, por që do të binte si bombë mbi trupin gjykues e mbi të gjithë sallën: “Mos mendo se bën me mua siç kemi bërë me klerikët katolikë, duke ia futur armët në kishë e duke i detyruar përmes torturave çnjerëzore të pranojnë se janë të tyret... Për të mbuluar poshtërsitë tuaja e të E. Hoxhës, ju doni të dënoni njerëzit e pafajshëm!
2. Gjovalin Mazreku - 20 vjeç, anëtar partie, kapter në seksionin e sigurimit, Shkodër dënohet 13 vjet burg.
3. Lin Çollaku- 23 vjeç, anëtar partie, kapter në seksionin e sigurimit, Shkodër dënohet 8 vjet burg.
4. Zef Bardhoku - 24 vjeç, anëtar partie, nëpunës dënohet 15 vjet burg.(Prej Hajmelit të Vau Dejës)
5. Nush Simoni - 22 vjeç, nëpunës banke dënohet 20 vjet burg.
(kto të dhana të masipërme u morën nga shkrimi “Dr. Pjetër Pepa: Dosja e diktaturës komuniste, zbulohet e vërteta e armëve nëpër Kisha"
http://sq.radiovaticana.va/storico/2010 ... alb-356228)

E pregatiti Bep Martin Pjetri
E shtunë, më dt. 11.III.2017
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi sundimit të gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. E pregatiti në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Radovani
Ubi spiritus Domini ibi libertasKu ashtë shpirti i Zotit, aty ashtë liria. At Gjergj Fishta
“Ai që e di dhe thotë një gënjeshtër asht nji kriminel”Bertold Brehtin.
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4314
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Drama e përgjakshme e armëve në Kishë në përvjetorin e terrorit komunist mbi klerin katolik

ImazhImazh
A thue ishte shkak Vdekja e Parakohshme e Prof. Dr. Pjetër Pepës se i dhuroi Shenjtit - Papës Gjon Palit të II-të dhe Papës Bendiktit të XV-të
Vëllimet e Librave të Krimeve të Komunizmit?????

Mjeku, studiuesi, ish Ambasadori i Shqypnis në Vatikan dhe pedagogu Prof. Dr. Pjetër Pepa(1942-1914)
Fragment
15.XII.2012

"Zbulohen “Armët në Kishë“ të françeskanëve në Shkodër;

Sekuestrohet Kuvendi Françeskan në Shkodër!
Arrestohen e torturohen:
1. Imzot Frano Gjini;
2. Imzot Nikoll Deda;
3. Pader Mati Prendushi;
4. Pader Cipirian Nikaj;
5. Pader Pal Dodaj;
6. Dom Tom Laca;
7. Dom Ndoc Sahatçija;
8. Pader Gjon Karma;
9. Dom Nikoll Shelqeti;
10. Pader Mhill Miraj;
11. Fra Zef Pllumi etj.
Sigurisht që kemi të bëjmë me një shtet diktatorial të specializuar për të shpifur e për të ndryshuar të vërtetat, por edhe për të përzgjedhur, ndryshuar e transformuar dokumentet...."

SHENIM:
At Donat Kurti
At Frano Kiri
Kta dy meshtarë të masipërm sipas listës të F.Radovanit të arrestuem nuk figurojnë te lista e Prof. Dr. Pjetër Pepës

E pregatiti Bep Martin Pjetri
E shtunë, më dt. 11.III.2017
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi sundimit të gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. E pregatiti në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Radovani
Ubi spiritus Domini ibi libertasKu ashtë shpirti i Zotit, aty ashtë liria. At Gjergj Fishta
“Ai që e di dhe thotë një gënjeshtër asht nji kriminel”Bertold Brehtin.
Përgjigju duke Cituar
Posto një përgjigje 4 postime · Faqe 1 prej 1
Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 0 vizitorë
Powered by phpBB3
Copyright ©2008 phpBB Group.
Të gjitha oraret janë UTC + 2 orë . Ora 27 Qershor 2017, 05:32
Designed by Monitonix
[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari