Ketu do gjeni te postuar cdo gje ne lidhje me ligjet, kushtetuten dhe azhornimet e fundit ne lidhje me fushen juridike
Moderatorë: Laert, I-AMESHUAR
Posto një përgjigje 3 postime · Faqe 1 prej 1
KUSHTE PER DALJEN NE PENSION PER 2010 NE SHQIPERI
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4137
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Tabela sipas moshave që ligjëron të drejtën e pensioneve sipas kategorive


Kushtet për daljen në pension në vitin 2010

Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka zbardhur kushtet që duhet të përmbushen për të gjitha ato kategori që duan të përfitojnë një pension të plotë ose të pjesshëm deri në datën 30 qershor 2010. Specialistët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH) në Tiranë kanë përcaktuar moshat që do ta ligjërojnë të drejtën e pensionit, deri në afatin e mësipërm. Ndërkaq, për t'u ardhur në ndihmë personave në prag të daljes në pension, specialistët e Sigurimeve Shoqërore kanë detajuar kushtet e përfitimit të pensionit të pleqërisë, për të dyja gjinitë sipas kategorive. Sipas kushteve të vendosura, kriteret e përfitimit të pensionit kanë pësuar ndryshime për çdo kategori. Kështu, deri më 30 qershor 2010, për punët e kategorisë së parë mosha e daljes në pension dhe periudha e sigurimit në vite është rritur me një vit. Ndërsa për punët e kategorisë së dytë, mosha e përfitimit të pensionit të pleqërisë është rritur me 6 muaj, por periudha e sigurimit nuk ka pësuar asnjë ndryshim. Për rrjedhojë, të gjithë personat që bëjnë pjesë në kategorinë e dytë të punës, që e plotësojnë moshën e pensionit brenda harkut kohor korrik 2009 - qershor 2010, duhet të kenë të siguruara plot 35 vite pune. Të njëjtat ndryshime me kategorinë e dytë kanë pësuar kushtet e daljes në pension edhe për kategorinë e tretë. Edhe për këtë kategori, mosha e daljes në pension është rritur me 6 muaj për të dyja gjinitë, ndërsa periudha e sigurimit ka mbetur po 35 vite pune. Ekspertët e ISSH-së kanë specifikuar kushtet kryesore që duhet të plotësojnë personat për të ligjëruar të drejtën e pensionit. Kushtet për të përfituar pension të plotë pleqërie deri më 30 qershor 2010, për të dyja gjinitë, sipas kategorive, janë si më poshtë. Për punët e kategorisë së parë, mosha e daljes në pension për burrat është 58 vjeç, kurse për gratë 53 vjeç. Periudha e vjetërisë në punë për burrat dhe gratë që bëjnë pjesë në kategorinë e parë do të jetë e njëjtë, përkatësisht me 30 vjet të siguruara.

Periudha e sigurimit në vite për pensionet e plota

Për punët e kategorisë së dytë, mosha e përfitimit të pensionit është 63 vjeç për burrat dhe 58 vjeç për gratë. Periudha e sigurimit në vite për të përfituar pension të plotë për punë të kategorisë së dytë është 35 vite pune për të dyja gjinitë. Për punët e kategorisë së tretë është përcaktuar që mosha e daljes në pension për burrat të jetë 64 vjeç dhe për gratë 59 vjeç, ndërsa periudha e sigurimeve që duhet plotësuar është 35 vjet pune. Harku kohor që ka të bëjë me vjetërsinë e punës ngushtohet më shumë kur bëhet fjalë për nënat që janë me shumë fëmijë. Mosha për të përfituar një pension pleqërie për këtë kategori është 50 vjeç, ndërsa kushtet për ta plotësuar atë dhe që lidhen me periudhën e sigurimit në vite janë 30 vite vjetërsi pune. Për punët e kategorisë së parë dhe të dytë, nga vjetërsia e punës gjithsej që kërkohet, 3/4 e saj duhet të jenë kryer në punë të kategorisë së parë dhe të dytë, me përjashtim të personave që kanë punuar në miniera në nëntokë ose në punime të tjera të nëntokës, të cilëve u kërkohet që 1/2 e periudhës së punës të jetë në këto punime. Drejtuesit e ISSH-së sqarojnë se një informacion më të hollësishëm të gjithë të interesuarit në prag të përfitimit të pensionit mund ta marrin pranë punëdhënësit të tyre, ose pranë agjencisë lokale të Sigurimeve Shoqërore të vendbanimit përkatës.

Procedurat për përfitimin e kushteve


Mbështetur në rregulloren nr.1, datë 21 tetor 2008 "Për caktimin, administrimin dhe pagesën e pensioneve", të Këshillit Administrativ të ISSH-së, të gjithë personat që u afrohet koha për të përfituar një pension pleqërie, sipas Ligjit Nr.7703, "Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë", duhet të paraqesin kërkesë me shkrim që 12 muaj para plotësimit të kushteve për pension, pranë agjencisë lokale të Sigurimeve Shoqërore të vendbanimit të tyre. Kurse personat që nuk disponojnë dokumentet, duhet të bëjnë vetëdeklarimin me shkrim në kërkesën paraprake. Më poshtë, ekspertët e ISSH-së sqarojnë procedurat që duhet të ndjekin të interesuarit për të përfituar pension pleqërie jo vetëm për ata që i disponojnë dokumentet, por edhe personat që i kanë humbur ato. Çdo person që është në prag të plotësimit të kushteve të mësipërme, duhet të paraqitet pranë organeve përkatëse të vendbanimit të tij për të plotësuar kërkesën paraprake për të drejtën e pensionit, duke dorëzuar dhe një listë të caktuar dokumentacionesh që kërkohen. Kjo procedurë duhet të kryhet 12 muaj para se personit t'i lindë e drejta ligjore e marrjes së pensionit të pleqërisë.

Dokumentet e kërkesës paraprake

Dokumentet e nevojshme që shoqërojnë kërkesën paraprake për pension janë: fotokopje e librezës së punës, në mungesë të saj, deklaratë për vitet e punës; çertifikatë lindje me fotografi; çertifikatë martese për kërkueset femra. Kur personi që do të fillojë procedurën e kërkesës paraprake, paraqitet për herë të parë tek inspektori pritës i ALSSH-së, ky i fundit, krahas sqarimeve ligjore, është i detyruar ta pajisë të interesuarin me formularin e dokumenteve që duhet të paraqesë për efekt pensioni. Kërkesa paraprake plotësohet në ALSSH nga vetë personi ose i autorizuari prej tij me prokurë të posaçme, në prani të inspektorit pritës.

Profesionet e ndara në tri kategoritë e pensioneve

Për efekt të daljes në pension, Këshilli i Ministrave, sipas shkallës së vështirësive të punës, ka bërë ndarjen e tyre në tri kategori dhe për këtë nga viti 1958-1991 ka nxjerrë rreth 50 vendime. Lloji i punës që punëtori ose nëpunësi ka kryer dhe vjetërsia në atë punë vërtetohet me anën e librezës së punës.

Kategoria e parë


Në punë të kategorisë së parë, ose shumë të vështirë, hyjnë mbi 18 profesione të minierave nën tokë, me të cilat barazohet edhe puna e inxhinierëve, teknikëve, brigadierëve, përgjegjësve dhe zëvendësve të reparteve ose të turneve nën tokë, kur ajo kryhet gjatë gjithë ditës, në miniera nën tokë, ose në punime të tjera të nëntokës; puna e civilëve dhe ushtarakëve të aviacionit dhe të nëndetëseve, si ajo e komandantit të aeroplanit, navigatorëve, mekanikëve, radiotelegrafistëve dhe radiotelefonistëve; disa lloje punësh në fabrikat e pasurimit të minierave të bakrit, të kromit, të fonderive, farkëtarëve, palombarëve, saldatorëve dhe elektrosaldatorëve në rezervuare, kulla dhe cisterna. Gjithashtu, puna e bërë nga artistët e baletit, akrobatët e gjimnastët e cirkut, solistët e operës dhe ansambleve shtetërore, muzikantët e veglave të frymës, artistët e valleve të ansambleve, koristët e operës përfshihen në kategorinë e parë. Po kështu, në kategorinë e parë përfshihen edhe disa punë në industrinë ushtarake, kimike, të naftës, në prodhimin e baterive, në metalurgjinë e zezë, në ferro-krom, në miniera e gjeologji etj.

Kategoria e dytë

Në punë të kategorisë së dytë, për daljen në pension hyjnë: puna e kryer në miniera nën tokë, nga drejtuesit dhe personeli inxhinier-teknik, që ka lidhje me kontrollin e punimeve nën tokë; puna në miniera e në sipërfaqe si vagonistët, ngarkuesit e mineralit, ekskavatoristët, buldozeristët, brigadierët e repartit ose turnit, punët e disa profesioneve në gjeologji, në industrinë e gomës, të naftës e gazit, në centralet elektrike, në hekurudha, në prodhimin e çimentos, të xhamit e qelqit; mbi 45 lloje punësh në industrinë tekstile, në industrinë e lëkurëve, të drurit e letrës, të duhanit e cigareve, në institucionet shëndetësore, në ndërtim, mbi 20 lloje punësh në poligrafi, në transportin ujor e peshkim, ndërlidhje, farkëtari, femra dhe meshkuj ushtarakë të shërbimit aktiv, veterinerë me arsim të lartë; 18 profesione në arsim, kulturë e sport, si edukatorë në kopshtet e fëmijëve, mësues e pedagogë, trajnerë profesionistë. Efektivë të të gjitha kategorive të klubeve sportive, disa lloje punësh në shëndetësi, si mjekë, kirurgë, psikiatër, infermierë të reparteve infektive etj.

Kategoria e tretë

Në punë të kategorisë së tretë, për efekt të daljes në pension, përfshihen: punonjësit e administratës civile, ekonomistët, financierët, juristët, kompjuteristët, menaxherët, përkthyesit, magazinierët, punonjësit e mirëmbajtjes, shoferët, punonjësit e tregtisë, të biznesit, të bujqësisë, të blegtorisë etj.

Personat që nuk disponojnë asnjë dokument për daljen në pension

Kërkesa plotësohet pranë vendbanimit

Madje edhe personat që nuk disponojnë dokumentet për pension duhet të paraqiten pranë vendbanimit të tyre për të plotësuar kërkesën paraprake. Për këtë, ata do të plotësojnë një formular, në të cilin duhet të deklarojnë periudhat e tyre të sigurimeve (historikun e punës). Kështu, kërkesa parapake për plotësimin e dokumenteve për caktimin e pensionit ndahet në disa pjesë. E para, përmbledh të dhënat mbi gjendjen civile të aplikuesit, ku deklarohen të gjitha gjeneralitetet dhe vendbanimet e tij deri në çastin e përftimit. Këto të dhëna plotësohen duke pasur parasysh regjistrimet e bëra në gjendjet civile. Pjesa e dytë përmban kërkesën ku detajohet se ç'lloj pensioni duhet të përfitojë. Më pas vijohet me pjesën e tretë, e cila përbëhet nga tabelat përkatëse në të cilat evidentohen periudhat e sigurimeve në vite. Përbri secilit subjekt të punësuar citohen detyrat e bëra nga aplikuesi nga data e fillimit të punës deri në kohën e ndërrimit të vendit të punës. Po e njëjta procedurë ndiqet dhe në tabelën tjetër përkatëse: punësimet në kooperativat bujqësore me shpërblim në ditë pune, apo punësimet e bëra në subjektet private. Gjithashtu, në këtë kërkesë duhet të detajohen dhe rastet e të vetëpunësuarve në aktivitetet bujqësore. Më pas bëhet dhe deklarimi i sigurimeve vullnetare të derdhura në afatet kohore përkatëse, deklarohet nëse aplikanti është trajtuar me përfitime afatshkurta nga sigurimet shoqërore pas 1 janarit të 1994-s, si dhe vitet kur është kryer shërbimi ushtarak.
Drita ÇOKAJ
Gaz. Rilindja Demokratike''
18.1.2010
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi sundimit të gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”: Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko - Jerzi Popielushko

Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin! Fritz Kolë Radovani
Drejtues

Poste: 93
Antarësuar: 01 Korrik 2009, 23:01
Don zoti dhe e kapi shpejt pensionin, se veç per te po jetoj :bobe:
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4137
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Ja lista e plotë e dokumentacionit për pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar


ISSH publikon dokumentet që duhen plotësuar në prag pensioni

Instituti i Sigurimeve Shoqërore publikon dokumentacionin që duhet të dorëzohet pranë këtij institucioni për të përfituar pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar. Sipas ISSH, të gjithë ata që ndodhen në prag të pensionit të pleqërisë duhet të plotësojnë 16 dokumente, ku përveç viteve të punës dhe kontributeve që kanë derdhur duhet të plotësojnë edhe një sërë dokumentesh të tjera.

Ndërsa për të përfituar pension familjar duhet të paraqesin pranë ISSH certifikatën e gjendjes familjare, certifikatë vdekje të të siguruarit ku të jetë shënuar dhe shkaku i vdekjes, si tek pensionet e invaliditetit, koha e sigurimit apo vjetërsia në punë dhe lloji i saj vërtetohet me të njëjtat dokumente si në rastin e pensionit të pleqërisë si dhe vërtetim të pagës së personit që ka vdekur. Për pensionin e invaliditetit duhet paraqitur certifikatë lindje me fotografi dhe certifikatë e gjendjes familjare, vërtetimi i periudhës së sigurimit (është i njëjtë si për pensionin e pleqërisë), sipas modeleve bashkëlidhur dhe vërtetim për profesionin apo natyrën e punës(për punëmarrësin), modeli bashkëlidhur. Ndërkohë që prej 1 korrikut të vitit 2002, mosha e daljes në pension është rritur me gjashtë muaj çdo vit, derisa të arrijë kufirin e parashikuar në vitin 2012, ku burrat do të dalin 65 vjeç dhe gratë 60 vjeç. Por kjo moshë nuk është e barabartë për të gjitha kategoritë dhe kufiri prej 65 dhe 60 i përket kategorisë së tretë, ndërkohë që dy kategoritë e para e përfitojnë më parë këtë pension.


Pagesa kontributeve

Pagesa e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore kryhet nga punëdhënësi sipas afateve të përcaktuara me ligj. Dokumentet bazë për pagesën e tyre janë bashkangjitur në Aneksin e këtij Manuali. - Punëdhënësi ka detyrim ligjor për llogaritjen, deklarimin dhe pagesën e kontributeve në kohën dhe masën e duhur. Listëpagesa është një deklaratë e subjektit, në të cilën evidentohen kontributet individuale, dhe si e tillë, në mbështetje të Ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” tatimpaguesi që nuk lëshon deklaratën tatimore në afat dënohet me gjobë me 10 mijë lekë, për çdo deklaratë tatimore të padorëzuar; - Punëdhënësi, i cili nuk ka deklaruar në organin tatimor çdo të punësuar rishtazi, të paktën 48 orë përpara fillimit të punës, përveç detyrimit për pagimin e shumës së kontributeve të papaguara, detyrohet të paguajë edhe një gjobë 10 - 20 mijë lekë për çdo rast; - Punëdhënësi duhet të dorëzojë rregullisht sipas afatit të caktuar listëpagesat, të cilat janë i vetmi dokument, që vërteton pagesën e kontributeve për çdo punonjës. Listëpagesa është dokumenti bazë për dhënien dhe llogaritjen e përfitimeve për çdo punonjës, si dhe vërtetimeve të kërkuara prej tyre.


Masa e pensionit

Masa mujore e pensionit të plotë të pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë e pensionit iu jepet të gjithë personave të siguruar. Shtesa që iu jepet personave të punësuar është 1 % për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme, që i siguruari ka arritur nëpërmjet kontributeve, gjatë gjithë historisë së tij kontributeve. Shuma e përgjithshme e pensionit do të jetë jo më shume se dyfishi i shumës bazë, ose 75 % e pagës neto mesatare të 3 viteve rresht, në 10 vitet e fundit të punës të personit të siguruar, cila të jetë më e vogël. Instituti i Sigurimeve Shoqërore, në mbështetje të Ligjit Nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë“,të ndryshuar, VKM-ve, Udhëzimeve të Ministrisë së Financave dhe Udhëzimeve të ISSH-së, që kanë dalë në zbatim të Ligjit të sigurimeve shoqërore, llogarit dhe jep përfitime të ndryshme, të cilat do t’i sqarojmë në këtë manual.Të ardhurat që përfitohen nga Ligji nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, janë si më poshtë:

Dokumentet për pension Invaliditeti

1. Certifikatë lindje me fotografi dhe certifikatë e gjendjes familjare.
2. Vërtetimi i periudhës së sigurimit (është i njëjtë si për pensionin e pleqërisë), sipas modeleve bashkëlidhur.
3. Vërtetim për profesionin apo natyrën e punës(për punëmarrësin), modeli bashkëlidhur.
4. Raport mjekësor të gjendjes shëndetësore para periudhës së sigurimit.
5. Raport mjekësor i lirimit nga ushtria, lëshuar nga KMU pranë SQU, për ushtarët që bëhen invalidë gjatë shërbimit ushtarak.
6. Vërtetim për pagesën e paaftësisë për punë shkaktuar nga aksidente në punë/ sëmundje profesionale ose sëmundje të përgjithshme (për punëmarrësin).
7. Fletë drejtimi për në KMCAP, nga institucioni shëndetësor me shtretër, fletë dalje nga spitali dhe ekzaminimet e dokumente të tjera.
8. Vërtetim i mesatares së bazës së vlerësueshme nga 01.01.1994 deri në ditën e lënies së punës.
9. Procesverbal i aksidentit në punë.
10. Vërtetim nga organet e prokurorisë ose gjykatës për rastet kur kërkohet të përfitohet nga Dekreti nr. 758, datë 01.04.1994 “Për një mbrojtje të veçantë të ushtarakut”.
11. Vërtetim tip i vjetërsisë në punë për ushtarakët.

Dokumentet për pension Familjar

1. Certifikatë e gjendjes familjare.
2. Certifikatë vdekje e të siguruarit(ku të jetë shënuar dhe shkaku i vdekjes), si tek pensionet e invaliditetit.
3. Koha e sigurimit apo vjetërsia në punë dhe lloji i saj vërtetohet me të njëjtat dokumente si në rastin e pensionit të pleqërisë.
4. Vërtetim i pagës së personit që ka vdekur: a) sipas germës “c” të kapitullit II, kur i ndjeri kishte apo i takonte pension pleqërie; b) sipas pikës II/2 të kapitullit të II, kur i ndjeri kishte apo i takonte pension invaliditeti.
5. Vërtetim i vazhdimit të shkollës për jetimët që kanë mbushur moshën ligjore për t’u punësuar ose vetëpunësuar.
6. Vendimi i KMCAP-it, për paaftësinë në punë të personave të familjes në ngarkim të të siguruarit të vdekur, kur ata janë në moshë pune.
7. Vërtetimi i organeve të pushtetit lokal që një i ve ose e ve ishin në ngarkim të të vdekurit dhe mban një fëmijë deri në moshën 8-vjeç dhe që ishte në garkim të të vdekurit.
8. Procesverbal që provon faktin e vdekjes nga aksidenti në punë si dhe vendim i KMCAP kur vdekja është e shkaktuar nga sëmundje profesionale.
9. Vërtetim i organeve të pushtetit lokal që prindërit, prindërit e prindërve kur nuk kanë persona që detyrohen t’i mbajnë dhe jetonin në të njëjtën familje me atë që ka vdekur jo më pak se një vit para vdekjes.

Dokumentet për pension Pleqërie

1. Certifikatë lindje me fotografi.
2. Certifikatë e gjendjes familjare.
3. Kur kërkohet pension si nënë me shumë fëmijë dhe në certifikatën familjare nuk figurojnë të gjithë fëmijët, fakti i lindjes, martesës apo vdekjes së tyre provohet me certifikatë të veçantë lindje, martese ose vdekje.

Periudha e sigurimit dhe lloji i punës

1. Librezë pune ose vërtetim arkivi.
2. Vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj.
3. Vërtetim për periudhën e sigurimit lëshuar nga zyra e arkivit pranë Drejtorisë Rajonale të ISSH
4. Vërtetim i vjetërsisë në punë në kooperativat bujqësore për ish anëtarët e saj.
5. Vendim gjykate për njohje vjetërsie në punë.
6. Vërtetim nga dega ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Për personat që përfitojnë nga Ligji Nr 7514 datë 30.09.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë“.

Për të ardhurat
1. Vërtetim page që nga viti 1994 dhe në vazhdim.
2. Vërtetim tip nga kontributet për të vetëpunësuarit.
3. Vërtetim toke në Kadastër.
4. Vërtetim shkolle për fëmijët nga 16-18 vjeç, si dhe vërtetim shkolle për studentët deri në moshën 25 vjeç.
5. Vërtetim komune për ndihmë ekonomike.
6. Vërtetim nga tatim-taksat.
7. Deklaratë.

Ornela Manjani
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi sundimit të gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”: Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko - Jerzi Popielushko

Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin! Fritz Kolë Radovani
Posto një përgjigje 3 postime · Faqe 1 prej 1
Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 1 vizitor
Powered by phpBB3
Copyright ©2008 phpBB Group.
Të gjitha oraret janë UTC + 2 orë . Ora 18 Shtator 2014, 23:43
Designed by Monitonix
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari