Ketu do te gjeni librat e rinj dhe botime te librit ne shqip
Moderatorë: Laert, I-AMESHUAR
Posto një përgjigje 3 postime · Faqe 1 prej 1
GOMARI I BABATASIT - AT GJERGJ FISHTA - Botime i plote
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4133
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10

''GOMARI I BABATASIT''
AT GJERGJ FISHTA O.F.M.

Imazh

POEM DRAMATIKE


“Populli falë ata që e mundojnë,
por nuk ka me falë kurr ata që e rrêjnë.”
Montalembert



Botue nga “Hylli i Dritës”
Tiranë 1994



PJESA E PARË


¨
1

PROLOG

Pra, nji herë e pikë ma s’parit
Po i diftoj rodit t’Shqiptarit
Se un ktu s’kndoj burrnin’e t’Parit,
As trimnit e ndo’i luftarit,
Veç nji gaç, nji zog gomarit,
Qi, qyqari, për send tjetër
-N’dashtë i ri t’jet, n’dashtë i vjetër-
S’duhet gja, veç se me bártë
E me ngrânë, t’thuesh, si Shqiptarët....
M’thotë, por, mêndja se ndokujë
Ka m’iu dukë se un mifi nd’ujë
Me ketë kangë, e se mâ gjásë
Sod për mue do t’kishte pásë
Ndo’i send tjetër po t’kish’ zgjedhë
Tortë me vjerrsha ktu me drêdhë.
Po, por shka, se ata e dijnë vetë
Qi ka cofë mikrobi i shkretë
I burrnis’ e i trimnis,
E qi sod në Shqiptarí
Besa ka nji t’madhe zí
Jo aq për bukë e miredi
Sa për burra-burra t’dheut,
Qi për komb e nderë t’Atdheut
Me jetue t’dijnë e me dekë.
Jo, por asht kot, besa, me u rrékë
Se po gjen fatos ndër né,
Se po gjen burra n’ketë dhé –
Burra fjalet e atdhetarë:
Kta veç, Zot! Kjoshin për farë;
Se, per tjetër, mbyti n’ujë:
Gja-ha’ i keq – s’i duhen kujë.
E vërtetë qi njadisa
Ndër né flasin fjalë të mdha,
E na mbahen se ata kjenë
Qi shpëtue na kânë Atdhenë:
Sado qi, kur ishte puna
Me u shpëtue Shqipni kërcûna
E, për té n’luftë me qindrue,
Ata rrijshin tue guksue
N’për Stambollë e np’r Anadoll,
A se villshin kund n’ndo’i stjoll
T’ndo’i hoteli npër Evropë
Alkool’n, me t’cillin ngopë
E ki’n barkun si bagtija,

2.

Der sa n’gjak lahej Shqipnija....
Por, kujtoj, s’ka kund nevojë
Qi un t’i zâ kta ndopak n’gojë;
Pse për ta “Dielli” i Bostonit
Nji epopé ka shkrue tash s’vonit,
Nji epopé me kaq do krypë,
Qi mâ mirë s’ké aspak pse e lypë.
Prandej mue nuk m’jitte tjetër,
Veç me kndue ndo’i fatos t’vjetër:
Ndo’i Berdyl a ndo’i Kastrjot.
Po, por shka, se sot me sot
Edhe ktyne u ka dalë fryma,
E si t’ishin do gjygyma
Të pa fund, janë lanë m’njan’ ânë
E askush n’gojë ma s’don me i xânë,
Kújë për tá ndër mênd s’i bjen.
Der tash vonë, qi, fjala vjen,
Posta e jonë pat përdorue
Nji lloj pullash, m’t’cillat shkrue
Ishte ftyra e Skanderbeut,
Námi e ndera e parë e Atdheut.
Tash, kto pulla mbi sergji
Na i kanë hjedhë nji palë zotni,
Qi ktu marrë kanë Postën n’ dorë,
Kin’ për organizatorë,
E t’kanë qitë do tjera pulla,
Me kambë urash e me kulla,
E me plepa e rrêma shkjope,
T’gjana e t’ gjata si gjuhë lope.
Anì pra Shqiptarët e sotit
S’çajnë fort kryet për punë t’Kastriotit,
As për njat trimnin’e t’Parit,
Ké janë dhanë mbas rrogash arit.
Prandej thashë un se për s’mârit
Do t’ tingllojë për veshë t’Shqiptarit
Nji poem mbi’i zog gomarit.
Edhe kshtu, si fola s’parit,
Vetë me vedi kam mendue,
Mbasi ngaeshëm paçë qillúe-
Mbi ‘i gomar nji kangë me shkrue,
Herë tue qeshë, herë tue vajtue,
“Simbas” rregllave t’Poezisë,
E nevojve t’Shqiptarisë.
Eja, Zanë, pra, prej Parnasit,
E kaluer ti m’shpinë t’Pegasit,
Mêndes s’eme shkundja blozën,
E m’ difto metamorfozën
E njatij gomarit t’ri ,
3

Qi njâ’i vlershmi zotëni
Babatasi bleu sivjet
Në Tiranë, n’atë kryeqytet,
Ku Ministra e Deputetën
-Ktyne Zoti jau rritët jetën!-
-Qesin xhixha atdhédashtnije
Për lulzim të ksaj Shqipnije
E për ...kambë t’ndo’i sandalije,
Sado qi, mâ e shumta sish,
-Si thanë m’ka mue nji dervish-
Der dje kjenë... nuk dij se shka....
Kush n’ “kapicë” kush në “qylah”,
Por qi sod, npër rroga arit,
Na janë bâ t’gjith frotë Shqiptarit,
Edhe pshtetun mbi kolltukë,
Kalamuq e si terrçukë,
Fâ mirë barkun me “mastikë”,
Pa logjikë – pa gramatikë,
Na pshtyjnë dije e politikë,
E, me “gisht” ngordhun përpjetë
I pijnë gjakun Kombit t’shkretë
Jo me hingzë, por me sahâna.
Veç se shka, mori lum Zâna,
Kah të dirgjesh m’shpinë t’Pegasit,
Xiere ‘i vishkull n’pyllë t’Parnasit –
Vishkull t’hollë e t’gjatë zarânet,
Pse ksaj herë, besa, po m’kândet
Me ja hjekun qafës dikuj,
Për m’e bâ qi zâ’n t’a shuej,
Se t’jet’ gjallë. Due t’a marrë vesht,
Se me buej s’kapet nji plesht.

4

AKT’ I PARË

ARKEOLOGU

Oda e Ministrit t’Arsimit në Tiranë

MINISTRI
(Tuj këndue “Rivistën Pedagogjike”, thotë me vedi:)

Mirë...mirë fort...ma mirë nuk ka....
Punë e madhe!...(Drejtorit A) Kem’ me pa
Shka do t’thotë, tash, “Hylli i Dritës”
Edh’ aj Frati i dheut t’Mirditës,
Qi botue ka njat broshuer
Mbi programin t’onë shkolluer,
Tuj e prû për t’patenzonë.
Kem’ me pá, po, shka do t’ thonë
Kur ky artiklli i Nebil Çikës,
Shkrue mbas rregllave t’kritikës,
T’u bjerë n’dorë. Me shum mjeshtri
Ktu auktori vên n’qesti
Papë e Kishë e meshtari,
E difton, me arsye në dorë,
Se janë hasëm e trathtorë
T’gjith njata, qi n’ tokë shqiptare
Duen qi shkolla elementare
T’jetë e lirë. Sod afetare
Qeverija ktu asht dishmue:
S’ka prá ndryshej n’shkollë me msue,
Veç se mbas programit t’onë;
Edh’un, po, herët a vonë,
Kam me i mbyllë shkollat private.

DREJTORI A

Ju ngjatët jeta zotnis s’ate:
Mirë ketë punë mendue e ké.
Veç se shka, zotni, n’ketë dhé
Po kam shum njerz fanatikë –
Elè Priftënt katolikë....

MINISTRI

Priftënt, jo, por Fretënt, thuej;
Pse kta janë qi, posë gjithkuj,
Po na jesin m’qafë.

5

DREJTORI A

Zotni,
Ashtu punën si un e di,
Jezuit, Priftën e Fretën
T’gjith nji mêndje p’rherë u gjetën
Ndër punë féjet e moralit:
Posë ndonjaj fatziut, batallit,
Qi t’ketë mangut n’krye ndo’i hatull
E, qi vorr mos t’ketë kund m’shpatull.
Tash ti pra, zotni, tue kênë,
Se morali i fés s’krishtênë,
S’njet gjithkund e s’njet gjithmonë
Me moral t’besimit t’onë,
Meshtarija kurdoherë
Ka me bâ zhurmë e poterë
Për punë t’shkollave fillore,
Edhe kurr në shkollë shtetnore
Fmin e kshtênë s’ka me i dërgue.
Për ketë punë – si m’duket mue –
Thom do t’ishte fort mâ mirë
N’Shqipni msimin m’e lânë t’lirë.
Qi seicilli Shqipëtar,
A komunitet fetar
Mund t’çilë shkolla për komb t’vet
N’ dashtë n’ katund, n’ dashtë në qytet.
Por gjithmonë – si rrjedhë prej vedit –
Tuj u mbajtë n’çark t’ ligjve t’ shtetit,
Si n’Angli e n’Amerikë,
E, atje n’Francë e në Belgjikë.
Pse, zotni, me thânë t’vërtetën,
Sod me sod Jezuit e Fretën
E kanë shkollën me zanat’
Si e kem’ na. Sa për inat’
Gjithshka t’duem për ta mund t’thomi,
Por e drejta âsht, se kombi
Shum prej sish ka pasë dobi:
Si ajo Shkodra e bân dishmi,
Ku ka shkolla e strehë foshnjore,
Ka gymnaze e qytetnore
Me programe prendimore
E, me msim e me punë dore,
Fort mâ mirë se shkollat t’ona,
Për të cillat dy miljona
Franga ar na vjetë për vjetë
Kulihum i mbysim n’dét;
Pse, zotni, shkolla për né
Politikë asht ase fé.
6

Mûjm m’e strukë punën me prralla,
Porse n’thes, bèsa, s’hin pálla....

MINISTRI

Jo, pra, jo! Shkollën n’Shqipni
Nuk e baj Kishë as Xhami.
Prandej shkollat fillestare,
Qi mos t’jenë qeveritare,
Do t’i mbylli varg e vistër,
Mbasi ndodhë kam un Ministër:
S’due qi mosha e ré e Shqipnisë
T’rritet n’dorë të Meshtarisë –
Sidomos t’Fretn’e shqiptarë.
Kta, po, janë antikombtarë,
Njerz t’rrezikshëm, fanatikë,
Marrë gjithmonë me politikë,
E qi munden me na i prishë
Fmin me shkollë edhe me Kishë,
Tue na i rritë djelmt t’onë trathtarë,
Ma fort t’huej se Shqiptarë:
Si fort bukur Nebil Çika
E ka shkrue ndër kto kritika,
Qi aj bâ i paska “Hyllit t’Dritës”.
Jo, po, vetë në “rend të ditës”
Do t’a vê emnin e kti,
Për m’ e pru ktu n’ Ministri
Inspektuer ase drejtuer,
Edhe kta, po, sa mâ parë,
Shi p’r inat t’Fret’n Shqiptarë,
Qi “Programin syntetik” –
Syntetik e analytik –
Keqas fort ná kânë poshtnue.

DREJTORI A

Po, zotni, si urdhnon e thue
Veç, ashtu si m’duket mue,
Thom Nebili ka gabue
Me qitë n’dritë ketë lloj kritike,
Në “Revistë Pedagogjike”.
Qi â’ i përkohshme fjesht zyrtare,
Mbajtë me mjete t’Kashës kombtare.
Qeverija âsht afetare:
Prandej thom se zyrtarisht
Edhe kshtu llapazânisht
Nuk âsht mirë qi n’polemikë
T’hijmë na sod me katolikë
7

E t’u shajm Papë e Meshtarë,
T’u shajmë Fénë e Kishën mbarë,
Thue se Arsimi i jonë kombtar
Asht nji lozhë e masonisë.
Katolikët e Shqiptarisë
Na i kem’ vllazën, edhe vetë
Kish’ me thanë, se s’â’ e vërtetë,
Qi atje n’Shkodër Françeskâjt
T’huej na i rrisin kalamajt,
E qi ata tue kenë shqiptarë,
T’jenë, si thue ti, antikombtarë.
E po ‘imênd – t’ngjatët Zoti jetën! –
Esad Pasha a thue ndër Fretën
Ka xanë shkollë?.... Arif Hiqmeti
A ndër Fretën apo n’jeti
Ai kjé rritë?.... Haxhi Qamili
- T’ thotë shka t’thotë, po, qaj Nebili –
Osman Bali, Halit Lleshi
E, sa tjerë, qi fati deshti
Armët t’i sjellin kundra Atdheut,
Kundra Flamrit t’Skanderbeut,
As kta, besa – t’u ngjatët jeta! –
S’i kanë bâ kndimet e veta
N’shkollë fretnore. A e din, zotni,
Kush ka xanun n’ketë “skoli”?
Qaj Preng Jaku, si harusha,
Qaj Luc Nishi e qaj Prengë Tusha,
Dy djelmoça, dy skyferë,
Si edhe ata oficjerat tjerë,
- Gjetun gati kurdoherë
Për Shqini me ra m’poterë –
Qi mbas msimit t’Françeskanve,
M’shpinë u lshuen kta esadjanve
Edhe i shtypën. Kta, po, janë
Qi ndër Fretën shkollë kanë xanë.
Prandej tham se Nebil Çika,
Para se me shkrue kritika
Kundra Fretn’e e kundra Fésë,
T’i a vêjë gishtin nji herë kresë
E t’mendojë se “uhaja n’Lesh –
Si tha i moçmi – merret shpesh”

MINISTRI

Pse po thue për Nebil Çikën?
Po ti kndoje ‘i herë kritikën,
Qi për t’madhe bukuri
U bân Fretënve n’”Vllazni”
8

Nji (e)S. (e)S. – kush âsht s’e di:
(Me gisht i difton do vjerrsha, botue
prej “Vllaznijet”, nr.9, nën titullin:
“Vallja Popullore”).
A ké ç’ndien?.... Ktu kish’ me thanë
Se njat Fratin n’gojëka xanë,
Qi dikur shkrou njat broshuer
Mbi programin t’onë shkolluer.
E ktu poshtë, si npër tërthuer,
Fjalët e ashpra t’ktij vjershtorit,
Kish’ me thanë, si shi drejtorit
T”Hyllit t’Dritës” i janë kushtue.

DREJTORI A

Ashtu m’duket edhe mue,
Por, zotni, t’ngjatët Zoti jetën!
Mos t’a xamë në gojë gazetën
“Vllazënija”; pse randsi
Kjo nuk ka kurrkund n’Shqipni.
Veç ban mirë me i shkrue vjershtarit,
Qi ktu n’gojë xen punë gomarit,
Se aj gabon poetët me i ngâ;
Pse kta uhá – nuk lânë pa lá
E, t’a bâjnë, besà, me kjá,
Porsi viç djerrë nepër plish,
Ka’ e salvojnë m’konop tre fish.
(Hin Babatasi. Drejtori A del).

BABATASI

T’u ngjatët jeta! –

MINISTRI

T’u ngjatët jeta!,
Si po shkoni?

BABATASI

Si do’ zoti....
Gjene mirë.

MINISTRI

Asht edhe moti,
Qi na kalbi. Kujtoj ka
Mâ se’ i muej qi shiu s’ka dá.
9

Me t’ mërzitë!

BABATASI

Shka t’i bajmë prá.
Vetë ju fajin, thom, e kini,
Qi bje shi.

MINISTRI

Na, pse?

BABATASI

Pse jini
Ju njata, qi sod n’Shqipni
Vrâni e kthîeni....

MINISTRI

Nuk e di....
Nejse mâ...veç fjalë t’kam çue,
Ktu me ardhë me u pjekun m’mue,
Pse nji punë kam pasë me ty.

BABATASI

Qé, tèk m’ké – me kâmbë me krye,
Urdhno e fol. Ku ti me sy,
Aty “praf” un kambë e krye,
Npër stomije e npër “hêndeqe”.

MINISTRI

Babatas, mjaft punë e keqe
Për nji shtet “okcidental”.
Si ky i joni, as n’fushë as n’mal
Mos me pasun nji Muzé;
Jo, po asht turp, besa, për né,
Për njiket Shqipninë e ré,
Pa Muzé vendin m’e lânë.
Tham, âsht mirë, qi ktu n’Tiranë
T’a ndërtojmë nji far’ Muzeut.
Për lulzim e nderë t’Atdheut,
-Vjet në Shndré pata fillue
Nji Muzé vetë me ndërtue,
Edhe krejt e pata mblue;
Por nji ditë – si do t’keshë ndie –
10

Ra do shi e u kaperdi
U shêmb mbrendë, e e marroi Zoti.
Shka me bâ: e prishi moti.

BABATASI

Mirë zotni, veç se po drue
Se endè dita nuk ka ague
T’ndertojm na Muzej n’Shqipni,
Me kuletë t’shpume në gji.
Ti e di mirë se as n’tokë shqiptaré
Muzejt s’ngrifen n’kambë pa paré;
Jo, po, ktu edhe, n’tokë t’Kastriotit
Hécë nji fjalë qi kje thanë motit:
“Xhep e lèp – mori Rexhep!”
Prandej vetë kishe me thanë
Se, për tash, Muzeu do lanë:
Na s’po kemi bukë me ngrânë,
Jo me ngrefë Muzej n’Tiranë!...
Po a njimend, more lum beu,
Se, tu’ u ngrefë n’Tiranë Muzeu,
T’a há mendja ty qi Atdheu –
Qi Shqipnia, fush’ e djèrr,
Tash na bahet Ingilterr,
E, pjekë vedit pulat n’furrë,
Fluturim kanë me na u turrë
Me na hî përdhuni n’gojë?...
Jo, zotni: S’âsht gjâ ajo lojë.
Edhe tham se mirë do t’ishte
Për nji shtet endè ferishte,
Si Shqipnia, nji Spital
Me ngrefë kund n’ndo ‘i fushë a mal,
Për me shndoshun “pelivromin”
Ase “dergjen” qi sot kombin
Janë tue lshue shakull për dhé,
E, mu shpòrr Muzeut, Për né,
Qi nuk kemi bukë me u ngî
Sot Muzeu â ‘i “kabuni”,
Qi nuk âsht, jo, për dhambë t’onë;
Pse Financa, si po thonë,
Sod ka ardhë e âsht bâ teneqe

MINISTRI

S’â e vërtetë. Asht punë e keqe
Kshtu me folun, lum zotnija.
Ti sì e din, por sod Shqipnija
La mjaft pare n’kashë të vet:
11

Si me pá mundet n’ “budget”,
Qi Kolë Thaçi e ka përmbledhë
Edhe bukur aj e ka dredhë,
“Simbas urdhnit” qi ka pasë.
A din ti, se sivjet n’kasë,
(Si ky Kola e ka shpjegue)
N’Financë t’onë kanë me u grumbullue,
-Tanë fyshekë, ndry ndër kashuj –
Rrash njizetedy miljuj
Franga ar. Prandej kuleta....

BABATASI

S’di gjâ Kola – t’u ngjatët jeta! –
Po t’tham un , po, Babatasi.
Po a drò m’pare kund aj hasi,
Qi kështu, n’hamende t’vet,
Shton miljona në “budget”?...
Fjala e tij nuk çon kandâr:
Se atij kasha i ka qitë bár,
Edhe âsht bâ me dalë me lypë,
Qysh se rrogat i ka krypë.
Jo qi ka edhe ‘i tjetër punë:
Parja n’kashë kurr nuk i bûnë;
Pse, ke vetë s’âsht veç se ‘i kukull,
Até shokët e bâjnë krejt sukull,
E ia shijnë paret përdhuni,
Si n’Shqipni qi hecë kanuni...
Posë qi vedit s’i shef hall,
Edhe krejt ka ra batall
Me “budget” t’Pandel Vangjelit,
Qi n’dugâjë t’Ali Kacelit
S’la kund karta as envelopën,
Kè po merr e ep me Evropën,
Tue çue Korsuj e Sefira
Për gjith skuta e për gjith bira,
Për m’ia u shtî evropjanve n’kokë,
Se na mênd kemi me okë:
Se Shqipnija, fush’e male,
Asht bâ sod “aksidentale”....
Desha t’thom “oksidentale”:
Si ajo Italja, si ajo Franca,
Me aeroplana, orkestra e danca,
Me “mocjone” e “interpelanca”:
“Ferku” âsht vetëm ndër “pjatanca”:
Kè atje rruejnë, po, shepka e fllânxa,
Na me mzì ktu bukë e plânca,
Kur t’i kemi; pse Financa
12

Endè ktu, si kje dishrue,
S’mujt me u “oksidentalizue”
Veç se shka, se do tregtarë
Mue m’kanë thanë se punët fort mbârë
Nuk po i ki’n kta korcullarë,
Kta sefira t’onë shqiptarë,
Kè qyqarve muej për muej
Po u mbijnë fjalë me gjìnd të huej,
Sidomos për qirá t’shpisë,
Posë kasapit e furrxhisë;
Pse “xhaxhaj” Pandel Vangjeli,
Tash qi kasha pa gjâ ngeli,
Nuk ka pare me u dërgue.
Prandej t’mjerët sod janë ngushtue
Pa nji dysh, me thanë, n’kuletë,
Me i shkue Evropës poshtë e përpjetë,
Si kual pleq qi lshohen n’knetë,
Pa tagji – pa kashagi
Përse askund nuk del me i blé:
Si mo’ Zot! Ma keq për né,
Qi gjithmonë e kém’ mâtë vrapin
Mâ të madh se kém’ pâsë hapin.
E vërtetë se ky Kolë Thaçi
Vjet der m’gjû kërrçikët i zgaqi
Edhe i rá detit përtej,
Me do tjerë financjer t’mdhej:
E, npër Romë e ...shishe t’Kjantit
Na ka vojtë në bankë t’Brabantit,
Diku larg atje n’Belgjikë,
Për me lypun metelikë.
Veç se rruga i vojt bihude,
Edhe i shkuen paret zollude,
Pse “Brabanti”, si un kam ndie,
Po kish kenë nji bastanxhi
Qi epte vetë, po, kastraveca
Për sherqij, edh’ epte speca
Për tomate e patlixhana,
Kshtu qi Kola – at’e pastë nana! –
Tanë korrname e punë të mdhaja,
Kthej n’Tiranë me i kalë mushkaja,
E të mjerës moj Shqipni,
Qi ministra e tevabi
Do t’i lajë me ar flori,
Prap npër kambë iu vuer jullari,
Edhe i mbet nën bark samâri.
Tash qi kasha mbet filuzë
E, besë kush s’na xên p’r’i rruzë,
Po na thonë se ky Kolë Thaçi
13

Ka çue kashën té kovaçi,
Thatë ngarkue mbi dy shilurtha,
Për me ndreqë me té do kurtha,
Qi me i ngrefë mandej n’Shqipni,
Do n’Gegni – e do n’Toskni,
Ku mâ fort t’ket gjâsë e ishkile,
Se bjen mbrenda ndonji skile –
Ndonji skile britanike,
A ndo’i shqarth prej Amerike,
T’cillve shtrêjt po u bânte lkura.
Veç ka thanë Ali Klisura,
N’Palament kur e kanë pvetë,
Se kjo punë âsht “peshk në dét”,
E prej saj kurrgjâ n’kuletë
Nuk i hînë s’mjerës Shqipni
Por, po e zamë, zotni, se Kola
Po ka pare e po ka t’holla,
Për me mkambun ketë Muzé:
Arkeologun, por, ku e ké?
Pse un e dij, more bablok,
Se Muzeu pa Arkeolog –
Arkeolog i dámë me gisht,
Asht si spata e ré pa “bisht”.

MINISTRI

Un ketë punë e kam mendue,
Edhe fjalë prandej t’kam çue
Për me ardhë me u pjekë me mue,
Pse Arkeolog un t’kam emnue –
Arkeolog edhe antikvar,
Për me mkambë Muzeun Kombtar.

BABATASI

Aman jarebi....Zotni,
E ké gabim, pse un s’e di
Se ku shpin’ ka Arkeologjia
Me shka m’duket, lum zotnija,
Ti me mue po don me u tállë.

MINISTRI

Jo, pra, jo, s’po due me u prrallë.
A di’ shka, more bablok,
Me u bâ nieri Arkeolog
Punë e vshtirë nuk âsht ndër né.
Si Arkeolog, ti tjetër s’ké
14

Veç me rmue, ndo‘i herë në dhé,
Me gjetë vorba a palaré,
Me mbledhë shtamba e karratyqe
Hekuraqe e belezyqe:
Me bartë gur e shtylla t’thyeme,
Me gjetë kund ndo’i xhybe t’shkyeme,
Qi pat veshë motit ndo’i plakë,
Ndo’i stravecë me gjetë t’pa thákë.
Me grumbllue brisq e biqakë,
Ndo’i topanxhë t’veshne n’teneqe,
A ndo’i “ltinë” të pa ngaskeqe
E njikso partallesh tjera.
Qi edhe n’pleh gjinden herhera.
A se n’dorë t’ndonji tellallit
Kur ndokush, ngushtue prej hallit,
Qet me shitë rraqet e t’et,
A ndo’i tjeter mallimet.
Sa për kaq, kishem me thanë,
Mjaftë qi nieri të ketë zanë
Ndo’i rrushdije – a iptadije,
E ndo’i fjalë edhe t’a dije
A latin ase greqisht,
-Por mjafton edhe turqisht –
Se Arkeolog aj del me nám.
Pra kto fjalë për tesh poi lámë.
Ti n’Shqipni Arkeolog sod jé:
Qé dekretin tèk e ké,
Me nënshkrim të zyrës s’naltë
Botë Tirana ka, edhe baltë,
Ka dibranë, jevk e ustallarë:
Pre’ qerpiq, e sa mâ parë
Hînia punës s’këtij Muzeut
Për lulzim e nderë t’Atdheut.
T’u ngjatët jeta! Mâ s’mund t’rri,
Pse do t’shkoj n’Kryeministri,
Ku Ministrat janë bashkue
Për do çashtje me u kshillue.
(çohën e dalin të dy)

Rrugë

BABATASI
(tue folë me vedi)

Se, për Zotin – kjoftë lëvdue! –
Me shka vetë po jam tue pá,
Gjâ Shqipnia n’dorë nuk ká
E, as përpara kjo s’do t’vetè,
15

Q’se Ministrat ndajnë dekrete,
Pa peshue nji herë ma s’parì
Se ç’zotsi mund t’ketë zyrtari,
E q’se fati i Atdheut të shkretë
Mûjtka aj sod edhe me mbetë
N’dorë t’do njerzve, për t’cillt vetë
E as kurrkush, kujtoj, s’di gjâ
Se ç’shirok a se ç’murrâ
Na i ka hjedhë e prû n’ketë dhé
E po kush di gjâ ndër né
Për nji palë, qi ktu n’Shqipni
Po rruejn petlla e “kabuni”,
E rrmejn rroga n’ar flori,
Kush di gjâ, po tham, zotni,
Se ku i kanë gjak e gjini,
Se ku i kanë kta plâng e shpi,
Stane, pleme, vathë e gji?
Pasaportat kush ua pav ,
Për me thânë se kta s’janë Slav.
Nuk janë Slav, Turq, as Bulgarë,
Por janë fjesht burra Shqiptarë?...
Shka punuen kta për Atdhé?...
Ku janë krenat qi kanë pré?...
Librat shqip qi kanë botue?...
Edhe ndihmët qi kanë kushtue
Për triumf të liris s’onë?
Për posë emnit se si u thonë,
Kurrkush gjâ nuk di, për tà:
Nuk di gjâ, por megjithktà,
Megjithse edhe t’pa zotsi,
Na po e shofim kè n’Shqipni
-Qeni t’zo’n mâ ku s’po e njeh –
Na janë ngrefë si gjelat m’pleh,
E pedanta e “Don Kishjote”,
Me nji hije krejt kokote,
Tuj u mbajtë për liberala,
Për modern e oksidentala.
-Sidomos n’kto kohët e mbrame –
Pjellin ligjë, vjellin programe,
Apin urdhna edhe dekreta,
Sjellin gjinden poshtë-përpjeta,
E n’ketë mnyrë çdo përparim
Kanë pengue, e mbrendë n’sundim
Njerz e punë kaq kanë pshtjellue,
Kaq përzie e kaq ngatrrue,
Porsi flokët e atij harapit,
Sa qi mbrendë në krye t’nji krapit
Ka mâ shum, thom, harmoni
16

E tendencë për qytetni,
Se n’shtet t’onë. – Eh, moj Shqipni!
Fort po drue se nji ditë ngusht
Ké me ra, e kryet në grusht
Ké m’e kapë, pa pasë pi musht,
Q’se do njerz, qi kush me i xanë
S’kisht’ për pêng as për dorzânë,
M’kurriz t’and po sjellin patën,
Edhe m’mjaltë po e mbajn sod spatën:
T’cillt ngërdheshë m’nipa t’Kastriotit,
Kndojnë at kangën, si ‘i herë motit:
“T’shkojmë e t’hamë na voe t’fergueme
Ké ajo ndrikulla e hutueme.”
E, kjo ndrikulla e pamênd
Ti Shqipni jé, t’tham p’r’imênd:
Pse, po mêndt t’i kish’ ti tok,
Sod s’do t’ishe un Arkeolog,
E as do njerz, besa, për t’gjallë,
Kurr Ministra s’do t’ki’n dalë,
Po pse mêndt ti m’vend s’i ké.
Prandej kot rrërmoj un dhé,
E batallat, varg e vistër,
Bâhen “Pashë”, bahen “Ministër”,
E i biejn shtjelm sahânit t’shllinës,
Kah ty t’hjekin dredha shpinës,
E pa i qitë zavall kaptinës,
Pa prek pêndë – pa prek parmêndë,
Tuj u tállë – tuj u gërvállë.
Po t’i hjekin spik ksaj jeté,
Qi ma mirë nuk ka ku veté.
Xhepin plot e barkun kodër
S’ka si u vè’ mâ mirë kjo lodër.

17

AKT’ I DYTË
GOMARI

Rruga e Kavajës. Ditë pazarit.
Babatasi e Drejtori B tue shetitë.

BABATASI

Besà, pra, Arkeologu i shkretë
Fort asht lodhë e krejt ka mbetë
Kah do t’endet poshtë – përpjetë,
Për me gjetë jevkë e ustallarë,
Për me blé drrasa e binarë,
Qepra, trena e pullazina,
Me gërshanza, hûj e trîna,
-Ku për dyer e ku për kthîna –
Edhe tjegulla për me pré,
Qi do t’duhen për Muzé;
Pse nuk asht, jo, besà, urti,
Njaj ndërtese me ja hî
Për pa afrue landen përpara.

DREJTORI B

T’a zâ besë, po, lum kumbara,
Se jé lodhë; por mue m’kanë thânë,
Se nji shoq, me gjasë, t’kanë dhânë,
Për m’e pasë ti si ndihmtar
Në ndertesë t’Muzeut kombtar.

BABATASI

Jo, po, dhanë m’a kanë nji shoq –
“Dordolec” për kollomoq;
E qi un s’due m’e pasë për brî,
Jo për résë e pèr zili,
Por pse gjâ s’asht hajri i tij.
Për me dijtë si asht puna e ktij,
Mjaft ‘asht ktu ty me t’kallxue
Se ç’rrezik i pat tokue
Nëpër tè Financës s’Atdhéut.
-Vjet qi shkoi në muej të Shndréut
-Rexhep beu, Ministri i Arsimit,
Shty prej zêllit t’përparimit
E mbas planit t’ktij mendizit,
(Qi aj e mban p’r ‘i farë telbizit,
Si t’isht’shkputë prej dhéut t’Inglizit...)
18

Qiti argàt, llaca e ustallárë,
Për me mkâmbë Muzeun kombtár.
Bèsa, i thojshe, shporru s’i
Pse me ç’m’duket, gjâ nuk di.
Por Ministri vesht nuk muer,
Edhe kshtu (me gjásë n’kallnduer
A pak para, nuk e di),
Si ajo kpurdha kur bjen shi,
A si m’pleh nji madërgonë,
Befi m’kambë Muzeu i jonë;
Ashtu, hàn, pa kurrnji kthînë,
Tanë qerpiq njeshë me deltinë,
Mbrendë e jashta me baltë lye,
Hukubet me u pa me sy:
Thue se isht’ furrë me pjekun tulla,
A kaçorr ngrefun për pula.
Kur, qé, ‘i nade, tue rá dielli,
Brî Muzeut po kalon filli
Nji grue plakë, pështjellë n’“binish”,
Garravaxh e bâ dyfish
-Ashtu lamsh, si shtupë buliret-
Me ‘ì shkop n’dorë e shmërtisë ftyret,
Jo pse ndie kisht’ gja njimênt
Se isht çilë fjala n’Parlament
Qi, për t’dajtë na liberala,
Njerz taman “oksidentala”,
Do t’a bâjshim sod zanat
Me na u siellë pa perde grat’;
Por pse isht’ plakë e bâ gjytrym,
Si dêll ujkut thá mbi tym,
Nieri i shkretë e lé në skam
E qi n’gojë s’kish’ veç se ‘i dhamb,
Edhe até, po, me ixhiram.
Mbasi prá na mbrrini plaka
Brî Muzeut – i u preftë nafaka!
Hè! Até Zana m’a shitoftë! –
Kè isht’ tue fry nji erë e ftoftë
E, ajo lehtë fort ishte veshë.
Po ja nisë nji herë me u teshë,
“Tshjef” e”tshjef” tuj u ngërdheshë,
Mandej kolli i çohet peshë,
“Rruf”e “gjuf” njâ disa hera,
Sa as me hecë mâ s’mujt e mjera.
Ashtu, n’kambë, tu’ u teshë, tu’ u kuell,
Bâ prej lotësh...e, nejse, quell,
Edhe krejt irnue ajo bojet,
Kur, qé.... dhambi i shkulet gojet,
Edhe shkon – morè ku jé! –
19

Shkon e ndêshèt për Muzé,
Qi, si rá t’i kisht’ nji rrfé,
Vjen e shâmbet krejt për dhé
Edhe kshtu djalli i rrumbullon
Rràsh pesqind e ‘i napoljon.

DREJTORI B

Shka po flet, brè burrë? Kam ndie
Si ndër dhámë punën e tij,
Por, kush asht, endè s’e dij.

BABATASI

Kush asht ky? Ky asht nji mendiz,
Qi xânë ka, po thonë, n’Paris....
N’ Paris jo, por në Stambollë,
Ku, po thonë edhe, se n’shkollë
Xânë nuk paska tepër hollë,
Pse, si thânë m’kanë do puntorë,
Me mbajtë s’din as shesten n’dorë.
Veç, tue kenë se ky asht sebet
Me dikè ndër deputet,
Fjala e t’cillit aso hére,
Mbrrijté nalt ndër Ministére:
Mbasi ky “gishtin e shllinës”,
-Me nji thue si ‘i gjeraçinës –
Qeverisë ja kishte dhânë,
Për m’e njitë ajo m’gerhânë,
N’rend me “gishta” tjerë t’“Partisë”,
E me té mandej Shqipnisë
Pa dhimbë shpinën me ja lnuer
E, m’ja xjerrë ndo’i dredhë m’likurë:
Për ketë punë, mbas fjalve t’tija,
Ketë mendiz thrret Qeverija,
Edhe e qét në “Punë Botore”,
Tue i caktue për rrogë muejore
Gjashtqind Frank të njehun n’ar.
Por pse ky s’ishte shqiptar,
Veç, me gjasë, nji anadollak,
E pse shqip nuk dijte aspak.
Për me i vû ksaj punë kapak:
Mbasi ktu, si kurrkund njeti,
Nuk mund t’bâhej zyrtar shteti:
Qeverija e quen “ekspert”,
-Njatë qi i dêjë s’isht për shegert –
Edhe kshtu, po, me këte rrênë,
Ky mendiz, halldup tue kenë,
20

E, qi s’dijte inzhenjerí,
Me sa di un arkeologji,
Në Tiranë na u bâ zotni;
Edhe, ngrefë porsi kokot,
Me kaloshë e redingot,
Lavjerrë hundën si gjel deti;
“Teodolitten” për mbas veti:
Qitë “sarvietën” për nën sjetull
E vrâ ballë e ngërthye vetull,
Për mendiz edhe arkitekt,
Kalangerrçet npër qytet
Si t’isht’ Gjoti – a Bonarroti.

DREJTORI B

Çudë, njimend, me bâ! Shqiptari
Për nji krrabë, p’r’i rreth kulari,
P’r’i’ krye lakne a ‘i bisht purrîni
Pushkë shi m’t’vllan ndo’iherë aj shtîni,
Edhe bartë nuk ka qi nieri
T’a damtojë hiri e pa hiri
N’tokë a n’gjâ sado qi vetë,
Q’se n’mênd mbahet në ketë jetë,
Kjé gjithmonë zemërbujar,
Si për shokë si për shtegtarë,
Si për miq, për nevojtarë,
Edhe dalë u ka aj vllá
N’daç me bukë, në daçme uhá
Por, qé sod, qi disa piça,
-Qi po mbahen për ogiça:
Kush mehmur e kush Ministër –
Si ata orlat, varg e vistër
Na i kanë rá Financës kombtare
E me kthetra guximtare
Tue përpushë npër gjak t’Shqiptarit.
Po ndajnë zyre e rroga arit
Nëpër krushq e kushrini,
Nëpër miq e kumbari,
Për me ngrefë me tá parti –
Parti barkut e karrigash,
-Klika t’mshefta, çerdhe intrigash.-
Jo, veç gjyq Shqiptari s’lypë,
Pse aj do t’hajë veç bukë e krypë,
Ndërsa ata npunsat e shtetit
Rrijnë t’u mâjë si gjela detit
Me gjak t’tij, por ndêjë harrû
Si gur vorri e mênden hû.
Piqet n’diell e kalbet n’shí,
21

Për me mbushë me ar florí
Kanavetat e Financës....

BABATASI

Ah Shqiptarët... këta i ndjeftë Zoti!
Se s’i regjë as halli as moti,
Edhe vetë, po, me sy m’ballë,
N’ vorr me hî duen për të gjallë.
Për pa mbâjtë kush për tá zi,
E po ku, posë se n’Shqipni.
Njikjo punë mundet me u ndi
Se, pa u mbushun gjymsa e vjetit
Firo shkon gjith parja e shtetit
Nëpër xhepa t’ “atdhetarve”.
Qi p’r Atdhé e nderë të t’Parve
Der mësod nji marimângë
Prej birucet s’e kanë shmângë;
E as ndër mênd kurr s’u pat rá
Se Shqipni kund m’shekull ká,
Veç dishmue janë për Shqiptarë,
Q’se Financat n’dorë kanë marrë?
Jo! Shqipninë na s’e kem’ bâ
Veç për t’ngopë edhe për t’fâ
Me bukë t’bardhë e rroga arit
Ndonji kalangerrç zyrtarit,
T’cillit barku i pat ndejë fyell,
Edhe shtatit ardhë kercyell
Kjè si hûni n’kapërcyell,
E as pse dhet’ a pesmbdhetë vetë,
-Pa gjâ n’bark, pa gjâ n’kuletë –
Me u njitë t’mujshin thìk përpjetë
E me xânë “kulltukët” e parë,
Edhe ngrefë për sundimtarë,
Me mehmur e me zyrtarë,
Me inzhenjera – e me shofera,
Me nëpunsa e sherbtorë
Me përla Financën n’dorë:
E grìsh miq e semahorë,
Ngref Kongrese e Parlamente,
Kshille t’Nalta e Konstituente,
Herë tue qeshë, herë tu’u gërmushë,
Tash tu’u tállë, tash tu’u përpushë,
M’shpinë t’Shqipnisë me lujtë harushë,
Mirë me ngrânë e mirë me pi,
Me mbushë xhepat me ar flori,
Me ja u pasë nji Mbret lakmi:
Por Shqipninë na bâ e kína.
22

Qi t’gjith na, po, t’gjith si jína,
Gegë e Toskë, fushë e malcina,
Qytetarë – edhe fshatarë,
Nëpër rreze të lirisë
T’vêhna m’rrugë të qytetnisë,
E t’kem bukë edhe qetsi,
Përparim n’Shtet edhe n’shpi,
E mos t’vuejm gjith’ atë siklet,
Qi vuejtë kem’ për pesqind vjet,
Sa pa’m ndêjë nën thembêr t’huej,
T’shámë e t’shtypun prej gjithkujë.

DREJTORI B

Me gjith kta populli i ngrâtë
Prap ka ngelun me bukë thatë.
E me crule e zhele m’shtat,
E me krye aj për nën bàt,
Tuj u vrá gjindja n’ditë t’sotit
Si kjenë vrá kta dikur motit:
Pse ata dhet’ a pesmbdhetë vetë,
Qi “kulltukun” e atdheut t’shkretë
E kanë bâ sod monopol
Edhe dajnë rrogat me spol,
Ata ‘i t’mirë vendit s’i a réshën,
Veç shka kombin t’ngrâtë e zhveshën,
Me “tarifa”, “taksa” e “oktrova”,
Me “xhelepa” e tjera prova,
Si me thânë, me “t’dheta” specash,
Kungujsh, poçash, kastravecash:
Me “vergî” mbi stane e ksolla,
Edhe vendin rreth e okolla,
Kshtu tue repë si njeti askund,
E kanë lshue sod n’ujë t’pa fund.

BABATASI

Jo, po, mirë, besà, po thue,
Pse kurrkush s’din me kallxue,
Kta zotni shka kanë veprue,
Q’se kanë nisë ktu me sundue:
Ku janë rrugat qi kanë shtrue?
Ku janë urat qi kanë lshue?...
Sa janë knetat qi kanë thá?
Kund ndo ‘i prrue a lùm a ká,
Qi kta prû t’a kenë n’âmë t’vet?...
Qé , tash mbush’ janë plot dhetë vjet
Q’se Shqipnija ka dalë m’veti
23

E, q’se kombi nisë ka i shkreti
Me lá taksa, pagë e t’dheta,
E q’sè prè si kacabeta
Kta kanë rá m’Financa t’ona
Dhe me lira e napoljona
Lajnë nëpunsat - akraba
E atdhetarët e “fjalve t’mdha”,
N’ kto dhetë vjetë, po pyes un, prá,
A thue u vû ndo ‘i punë për fije?
A u çil kund ndo ‘i shteg tregtije,
A ‘i burim ekonomije,
Për me t’mbajt sado pak shpresa,
Se për né dikur rrnésa
Ka me u sjellë ajo për s’mârit,
Mbasi shtetit grumbuj arit
Asht tue i lá rodi i shqiptarit?

DREJTORI B

Jo, qé bésà, kurrnji sênd
Der sod bâ s’asht për ketë vênd –
Per ketë t’mjerën moj Shqipni,
Edhe tham se kta zotni
Kot thajnë dokrra e thajnë kopalla,
Çajnë makllada e qesin prralla,
Kur na thonë, me ‘i qind inshalla!
Se me u orvatë kanë për Atdhé,
E, se s’shpejti ‘i kohë e ré
Do t’zânë fill n’Shqipni për né:
Se, manà, me ç’m’duket mue,
Fort ma zí punët kanë me shkue,
Po kjé imênd se na harrû
Kem’ me ndejë, e porsi viça
Syt me i ngulun kem’ m’kta piça,
Kinse kta t’na çilin shteg
Edhe Atdhénë t’na qesin m’breg
Nulla, po, cupido ignoti,
Ka pasë thanun Aristoti,
Për me u orvatë, pra, për Atdhé,
Duhet pasë ma para i’idé,
E me dijtë se shka asht Atdhéu,
Shka asht Shqipnija e Skanderbeu.
Po, por kta, kishe me thanë,
Se endè mirë nuk e kanë xanë
Se shk’à Atdheu e shk’asht Shqipnija.
Venju shêj, po, fjalve t’mija:
Kta Shqipnin’ me gjásë, s’e duen
Për gjâ tjetër, veç pse druen
24

Se i mbytë Slavi a se i shtypë Greku,
E, se u hupë rroga a qiflleku:
E jo, pse kta kanë dashtni
Për Atdhé e për lirí,
A pse duen me pasë vllazní
Shoq me shoq, e parasí
Ndër detyrë e në drejtsí.
Prandej fjalët “demokraci”,
“Shqypni e lirë” e “qytetní”
“msim”, “Arsim” – e “përparim”,
“Orjental” – “Oksidental”,
“Parlament” e “Punë Botore”,
E, sa tjera fjalë kso dore
Nuk janë tjetër veç se dokrra,
“Thasha” e “thana” të pakokrra
E krejt fjalë à la zhon – tùrka,
Qi më sa shpata ndër furka,
Aq n’gojë t’tyne kto kanë hije:
Fjeshtë makllada komedije.
Edhe kshtu né asht tue na rá
Me pa sod shka jem’ tue pá:
Me pa popullin t’ngrâtë tue kjá,
Me pa popullin t’mjerë pa bukë
E, me pa pështetë m’kulltukë
Muhaxhirë edhe spathokë,
Matrahula e njerz t’pa kokë:
T’cillt, kërtylë, si t’mbajtun n’thark
E me ‘i zemër leprit n’bark,
Na janë ngrefun për “dëshmorë”,
Edhe marrë Financën n’dorë
E marrë n’dorë edhe fuqinë,
Qifllek t’vetin bâ Shqipninë,
Po rruejn petlla e makerona,
Po dajnë lira e napoljona:
E si orrla e si kojrrila,
Tuj u endë m’automobila.
Poshtë-përpjetë nëpër Shqipni,
Si ‘i herë Mbretënt koçi:
Kta qi – ‘i palë – s’kanë pasë me u ngî
As bukë thatë t’pjekun në hî
E, der djé, mos tjetër gjâ,
Pásë i kanë vithet n’shullâ
Edhe, bésa, n’nâde e n’mbrâme
Kanë njye n’shllînë e kanë zie bâme
E t’kanë repë morrin për kâme,
Si çdo tjetër matrapaz.


25

BABATASI


E prandej un do t’pëlsas
Poshtë – përpjetë nëpër Tiranë
Se për shoq mue më kanë dhanë:
Nji mendiz qi s’asht mendiz,
As me çilë kund ndo’i gjeriz,
Jo mâ m’kamë me ngrefë Muzej
N’dashtë të vogjël, n’dashtë të mdhej,
Ky asht mendiz veç syretá!
Pse, tue kenë se asht akrabá
Me ata t’Ndershëmit zotëni,
Qi luejn shtregull me Shqipni,
edhe kshtu “tagër” tue pásë
N’budget t’onë mbrenda me u rrásë
E me hangër – sado i huej –
Gjashtqind frangat muej për muej,
Duhej t’kishte ‘i titull m’vedi:
Qeverija edhe ia gjeti
Titllin ktij, tue quejt ekspert;
Si nuk pat as turp as dert
Me quejt’ n’rrênë “bibliotekar”,
(me nji rrogë treqind frangsh ar)
Dike tjetër m’Kshill Kombtar,
Ku, jo veç s’ka bibliotekë,
Por, me pasë ti për t’u rrékë
Nji javë ditë n’atë Kshill, nuk ké,
Për t’hasëm’libër kûnd për bé;
Pse, mjerisht, doke asht ndër né,
-Si ndër pupuj gjymsë – barbarë –
Me u çilë zyret për zyrtarë,
Jo zyrtarët me u zgjedhë për zyre
E prandej sod ketë linjyre –
Ketë mendiz – ekspert e kam
Nepër kamë sabah e aksham,
Der sa vetë – nga poshtë – përpjetë,
Kaq jam lodhë e kputë e lmekë,
Sa qi n’mênd e kam me hjekë
Dorë prej punet t’ktij Muzéut,
Dalë ku t’ dalë “lulzimi i Atdhéut”;
Pse edhe kshtu s’po mújë m’e qitë.

DREJTORI B

Jo, zotni, asht mirë me pritë
Kush e di si puna sillet:
Sod asht vrântë e neser kthíellet.

26

BABATASI


S’ka shka kthíellet: Pse edhe vetë
Arkeolog s’jam.

DREJTORI B

E vërtetë;
Me gjith kta kishe me thanë,
Se s’ban mirë punën m’e lânë:
Mbasi zjarmi shpisë ‘i asht dhânë,
Pse mos t’ndezësh m’té cingaren?...
A din shka? Ndigjo kumbaren,
Se márë puna ka me t’dalë.
Del n’pazar e blejë nji kalë,
Tuj e qitë n’kredit t’Muzéut,
“Për lulzim e nderë t’Atdhéut”.

BABATASI

Po, ketë punë e kam mendue
Edhe un vetë. Veç se nuk due
Me blé kalë: Tham, ma për s’marit
M’del me blé nji zog gomarit;
Pse gomari bjen mâ lirë.
E din vetë, se n’ketë kohë t’vshtirë
Nuk asht, besà, kurrkund ngâja
Me bâ kot shpenzime t’mdhaja.
Por gomarin, lum zotnija,
Due m’e blé me pare t’mija,
E jo me kredit t’Muzeut:
Me u përzie s’due n’gjak t’Atdhéut;
Pse edhe mjaft rodi i Shqiptarit
Sod me sod aj pare arit
Asht tue lá për shpirt t’gomarit.

Kalon aty pari nji katundar me gomar për dore, tue çue me e shitë.

DREJTORI B

Qè, zotni, ‘i gomar për ty....
Bukuri me u pá me sy,
Kurrkund sho’jn un s’ia kam pá.
Kqyrja veshët nji herë sa i ká:
Me të dy, po, (tham), del s’pakut
Për Ministër nji bisht “frakut”,
Ndoshta, ndoshta, edhe ‘i “kravatë”.
Syni i keq oh! Mos e pát’të.

27


Parsmja gjanë e bishti gjatë;
Sho’jn kurrkund ti pá s’ia ké
N’Barbullush as n’Myzeqé.
Nji gomar – tamand gomár,
N’daç për shálë, n’daç për samár;
Marshallah edhe kenka i ri,
Turru e bleje, brè fatzi;
Pse nuk hasë má m’sho’jn e tij.

BABATASI
(katundarit)

Héj, ti burrë! Sa po m’a shet
Njat gomar?

KATUNDARI


Asht alamet
Gomarit, t’ngjatët Zoti jetën!
E, me dashtë me thanë t’vërtetën ,
Shoqin pá s’i a ké kujë n’derë:
Thue âsht mushk ndër gomarë tjerë.

BABATASI


Nejse mâ: Sa napoljona
M’lypë për té?

KATUNDARI

Pesqind korona

Pak kishin me kênë,vallahi;
Veç tash s’voni u ka hupë pahi
-S’dij se pse – kualve e gomarve,
E s’po shiten n’dorë t’tregtarve
M’ep m’té katërqind korona.


BABATASI


Jo; janë shumë. Gjashtë napoljona
Mjaft ké.

KATUNDARI

Jo, janë pak, zotni.


28

BABATASI


Nuk janë pak, besà, or dai:
Gjashtë napoljona a e din ku vrasin?

KATUNDARI


Po, po, e dij; veç nuk ia gjasin
Kurrkund, besa, t’u ngjatët jeta!
Me gjith kta, mbasi kuleta
Thatë m’ka ngelë mue t’mjerit n’gji
E, me lá kam do “vergî”,
S’kam shka bâj: M’ep shka t’duesh vetë:
Drue bles tjerë se s’mujë me gjetë.
Pse, t’mos isht’se tregu asht ndalë,
Me Itali, e as mushk as kalë
E as gomar ma atje s’mund t’dalë,
Tetë napolona un t’kish kputë
M’kambë e m’dorë e pa t’u lutë.
Veç, mbasi un nuk kam, i shkreti,
Si me pritë der t’çilet deti,
Për me i nisë gomarët përjashta,
E, tuj m’lanë asht edhe kashta,
I pash’ hajrin! Tùk e ké,
Se gjâ t’mirë, manà, ké blé:
M’ksi gomarit nuk hasë mâ.

BABATASI

Ç’rodit asht? A thue din gjâ?

KATUNDARI

Nuk e dij – besa, zotni;
Se ky n’vâthë mue nuk m’ka lé.
Un për qár këte e kam blé
M’rrugë të Prezës, s’ka nji muej,
E kam blé prej s’dij se kuj.
Veç aj burri m’tha se n’arë
Gjetë e paska ketë gomar,
Lshue pa zot, tue kullotë bár,
Edhe e marrka e e çueka n’shpi,
Ku e leçitka nëpër fqi.
Por i zoti kund s’i duel
Me té, atëherë, aj kênka ulë
Për me dalë me rá n’Tiranë
Pse dikush i paska thanë
Se Tirana lypë gomarë

29

Sa ma t’mdhej: Si për samar,
Si për shalë: E, se me ár
I pagueka mirë gomarët –
Me njátë ar qi lajn’ shqiptarët....

BABATASI

(mbasi i ka pague 6 napoljonat)

N’qoftë se punë tepër nuk ké,
A po vjen ti bashkë me né
Për m’e çue der té hanxhija
Ketë gomar?

KATUNDARI

Po, lum zotnija;
Der ku t’m’thuesh po vi me jue,
Pse për ngut nuk kam qillue.

Nisen me shkue. Babatasi e Drejtori B para,
katundari mbrapa, me gomar për dore.

DREJTORI B
(Babatasit)


Váll, traktatit të tregtisë
N’mjes Shqipnisë e Italisë,
Qi tash mâ se nji motmot
Kjé bâ gati, pse der m’sot
Qeverija s’i vû dorë,
Por là fushë edhe malcorë
Me u thá ûjet t’ngratët té shpija,
Kè s’u ban pare bagtija?

BABATASI

Dorë traktatit nuk i vue,
-Ashtu mêndja si m’thotë mue –
Pse Italija e Shqipnija
Me “hânë pisk” po thonë, janë pá
-S’dij p’r ‘imend a syretá –
Edhe kshtu Qevrija e jonë
Shtyn traktatin sa mâ vonë,
Për me u dukë Qevri kombtare:
Sado qi Qevri pa paré,
Si me thanë: Tamand shqiptare.
Veç, si ‘i ditë un kam ndigjue,
Qeverija ka vendue

30


Njat Kolë Thaçin n’Romë me e çue,
Kola, po, nieri me kokë,
Kokë tamand – peshue me okë
Oka katërqind derhem:
Krejt njashtu si ban lazem
Qi t’jét koka e Delegatit,
Për me i vumun dorë traktatit.
Pra, kur dita e bardhë t’agojë,
Qi Kolë Thaçi n’Romë të shkojë,
Kanë me u sjellun punët për s’marit,
Pse nji herë – e pikë ma s’parit,
Ka me i hecë ktij djeta arit.
Me “shpërblime” e “përfaqsime”
“Të pandehne” e “t’papandehne”,
“Simbas ligjit”, s’dij me ç’datë,
Sado qi arka ka mbetë m’t’thatë,
Masandej kah pak kah pak
Ka me u vû punve kapak,
Edhe Itale e Shqiptarí
Kanë me u ndezun flakë n’dashni
-Merret vesht, njana edhe tjetra –
E, tu’ u dashtun mirë me kthetra,
Kryet shò – shoqes kanë m’i a lmue,
Krah e m’krah, edhe tuj kndue
Márë e márë si’i parë zamáre,
Kanë me marrë njat kangë shqyptare:
“Hajde hajde, Ali Dervêlla:
Po kush t’qiti n’kto punë t’ kthêlla!”
Edhe atëherë Ministri i jonë
Ka me u çue ‘i sahat mâ vonë –
Kah mjesdita a njatypari:
Kur m’e çue t’shkojë Sekretari,
Për me i thânë se i zoti i shpisë
S’Legacjonit t’Shqiptarisë
Nëpër mjet të Policisë,
I kërnohet për qirá
Qi shtatë muej ka mbetë pa lá;
Pse as n’Evropë, besà, qiraja
Nuk po u laté me mushkaja
Qi Kolë Thaçi suell n’Tiranë,
Kur prej Belgjit kthej n’ketë anë....
Prá, si thashë, kur n’Kvirinal
T’shkojë Ministri “okcidental” –
Ky Ministri i Shqiptarisë,
T’shkojë me “çantë” t’diplomacisë,
Gjatë dy pllambë “cilindrin” m’ krye,
Ngrî manshetat n’dorë mbërthye,
Si aj Bismarku hapa – hapa,

31

Un shpresoj se atë – herë e mbrapa
Do t’na siellen punët për s’marit
E, n’Shqipni nji zog gomarit
S’ka me u gjetë as n’Barbullush
Persè i lirë do t’jetë gjithkush
-Si traktati t’jetë nënshkrue –
Në dhé t’huej gomarët me i çue....

DREJTORI B

(tue qeshë nën mustak, katundarit)

Si po e çoni n’atë katund?

KATUNDARI


Besà, keq, si n’ujë t’pafund,
tu’u përpjekë si peshku n’záll;
Me t’u bâ mos me kenë gjáll.
Eja rreth e gjithmonë zhárg,
Zdathë e zdeshë e pa bukë n’bark,
Mbytun n’borxh e me ‘i tubë fmí,
Na shkon jeta si â mâ zí:
Gjymsa n’burg, gjymsa angârí;
Bájë zyrtarë, e bájë shkatrrina,
Bájë dajakun sá t’hà shpina:
Si “mo’, Zot! Ma keq për né”,
Qi bâjm hije për mbi dhé!

BABATASI


Shka? Shka?....Nierzt e Qeverisë
Rrahin burrat e Shqipnisë?

KATUNDARI


Besà, po, zotni: M’dajak!
Edhe ktu, mor samadak,
Shkon dajaku për mustàk;
Sa mâ i madh qi t’jet mustaku,
Aq ma i tráshë gërset dajaku,
Aq ma tepër gurgllon gjaku.
Na nën Turk, zotni kem’ kênë,
E un po t’tham po, un qi ‘am i kshtênë
-Lé n’Dervênd, mbi Urë të Gjolës –
Se, t’thuesh, kurr Turku i Stambollës
S’i a ka bâ Shqipnisë ketë dhunë;
Me rrahë njerzit punë e pa punë,
Si po i rreh sot Qeverija.

32

Sod po e dijm, po, shka asht robnija,
Q’se spathokët e Qeverisë,
-Faqja e ngrijtë e gjith Shqipnisë –
Qi der djé as arrën n’dorë
Ngranë s’ua kishe, drun’ m’malcorë
E, m’fshatarë tue sjellun janë,
“Simbas urdhnash marrë n’Tiranë”.
E, prá ná me gjak e pare
M’kamë e mbajmë Qevrinë shqiptare!

BABATASI
(Drejtorit B)


S’ka ku shkon puna ma zi.
Se, për Zotin, Qeveri
Kjo nuk asht: Asht kjo nji çetë
Njerzsh t’pa njoftun, t’cillt as vetë
S’din shka duen; e, t’mos isht’ fllanxa –
Të mos isht’, due t’tham, Financa
Qi me i mbajtun lidhë n’mjes vedit,
Kta Shqipninë shi atij t’shkorretit,
Do t’ia falshin. I njof mirë
Gjinden un. Prandej asht vshtirë
Me i luejt vêndit.
(mbrrijn té hani; katundarit)
Tash, lum djali
T’falem nderës; se mâ s’po t’ndali.
Udha e mbarë!

KATUNDARI


T’mbarë paç! Zotni,
N’kjé se t’vjen ty n’terezi,
Thueje ‘i fjalë n’atë Qeveri:
Se, për Zotin, kjoftë lëvdue! –
Po shkoi puna si ka shkue,
Márë Shqipnija ka mbarue.

33

AKT’ I TRETË
METAMORFOZA

Drejtorija e Muzeut


BABATASI
(vetëm)

Ju rrugaça e sallahâna,
Vagabonda shakllabâna,
Rriqna t’ndyet, mikrobë të kqi,
Qi të mjerës moj Shqipni
Kthelltë hî i keni në mushkni,
Pa dhimbë gjakun tuj ia pi,
Po der kur, brè batakçi!
Brè coftina, kalbë mbi dhé! –
Der kur ju, tu’ u tallë npër né,
Do t’na qelbni fis e Atdhé?
Ah! Brè ju....nuk dij shka u kjoftë,
Se tash mâ jemi tue u njoftë,
Se kush jini e se shka jîni,
Se kah shkoni e se kah vîni,
Plang e shpi se kah i kîni
E sa pare u ban ju gjaku:
Se për ju, po, duhet laku,
Për me u vjêrrë – o kund m’do ‘i shpàt!
Deri dje, pa kmishë mbi shtat,
Me ‘i gjysmë setre t’pa astar,
Lshuemun krahve kalavar
E me ‘i komçë t’njitne nën grykë:
Pantallonat me “gjyslykë”
Kto edhe lidhun me nji spagë:
Shtatit rreshkë e bâ saragë,
T’tanë gordec – e berdalec,
Pa ndo ‘i msim, pa ndonji dije,
Me ‘i “fillore” a nji iptadije,
Erz e shpirt qitun nën themër:
Turq a Slavë a Grek me zemër,
Falun barkun veç Shqipnisë,
Si ajo marrja e t’gjith njerzisë....
Tuj u shitë ju për gjithë treg,
Sod na mbahi “Skanderbeg”,
E ngërdhucë, goditë, lëmue,
Rrue e qethë, pipirique,
Tash n’ “smoking” tash në “bon-jour”
Ju, qi djé s’kishi as ushkuer
Me lidhë brekët – me nderë me thânë –

34

M’sahan t’huej gjithmonë tue ngrânë,
Rrugën krejt na e keni xânë,
Kè na shkoni pash – e m’pash,
Edhe, besà, me “gulash”,
Me “afishe” e me “sultjash”,
Me “kjumshtuer” e me “ashure”,
“Kosha gjelash” si kubure,
“Tarator”, “pilaf me kos”,
“Mish me qepë” e “majdanos”,
“Shish qebab”, “brizholla viçi”,
“Kunguj t’mbushun”, “kuzuiçi”,
“Kabuni” – e “mualebi”,
Barku sod u rri’ ju kodër,
Kargatisë e bamun lodër:
Der sa ata burrat e dhéut,
Qi për jetë e nderë t’Atdhéut
Kanë rá n’luftë si shqipe t’leta,
Kanë shkrî gjâ e shpija t’veta,
Janë tue dekë rrugave ûnit,
Me iu dhimbtë gurit e drûnit:
Përse, po, kta matrahula,
Kta shqiptarë – shqiptarë kah ksula,
N’vend qi jú me u vû m’konop,
A se brinjt m’jau zbrû me shkop,
A, mos tjetër, me u ngushtue
Me xjerrë zhuri kund m’ndo’ i prrue,
Për me shtrue ndo ‘i rrugë të shtetit
A me dlirë ndo ‘i skele detit,
Lavjerrë buzësh, harrû si viça,
Kqyrin m’ju, si t’ishi ogiça,
Për me u prî udhës s’qytetnisë
E me i sjellë t’mârën Shqipnisë.
Ani kush, pra, me i prî kombit:
Ju, do pyka bîjtë prej llomit
Qi “shqiptarë” vedit i thoni,
Jo pse ju Shqipninë e doni,
Jo pse ju ndo ‘i sênd kuptoni
Shka asht Atdheu e shka asht Lirija,
Shka asht Vllaznija e Parasija,
Përparimi e Qytetnija,
Por veç pse endè der më sot
Nji tyran s’po e gjêni dot,
Nën kambët’cillit ju me u shtrue,
Se un mâ tash jam regjë me jue,
E jau njof shpirtin der m’palc:
Pleh i ndytë, me u bartun m’shkalc
E, me u qitë jashta Shqipnije.

35

(HinëDrejtori A)

DREJTORI A

T’u ngjatët jeta!

BABATASI

T’u ngjatët jeta!

DREJTORI A

Zotëni, ktu m’ka dërgue
Vetë Ministri, me t’diftue
Se, për t’ndreqë Muzén kombtár
Ka me ardhë nji dijetár,
Doktor universitetit,
Sjellë n’Shqipni me pare t’shtetit,
Arkeolog ky n’nám e n’zâ:
Si rrfen puna qi ka bâ,
Edhe veprat qi ka qitë.
Na për sânde jem tue pritë;
Edhe, t’ardhmen në Tiranë,
Në dorë t’tij na kem’ m’e lânë
Të gjith punën e Muzéut,
Si e lypë puna e e mâra e Atdhéut.
Prandaj, tash, ti, lum zotnija
Ké për t’lshuemun ndër duer t’tija
T’tana punët e Arkeologjisë
Me gjith zyre t’drejtorisë.

BABATASI

Po, zotni; me gjith gëzim.
Ky për mue, po, asht nji vendim
Pjekë me krye, jo njéshë me kambë,
Njéshë me kambë – e pré me dhâmbë
Si zanat qi e ká pasë bâmë,
(sidomos njitash t’é vona)
Qeverija e naltë e jona
Qi me urdhna e me dekreta,
E me ato programa t’veta,
Ka bâ zyret lâmë besimit
Edhe bâ i ka mjet ushqimit
Për do npunsa – farke s’vjetër,
T’cillt mund t’jenë, po, gjithshka tjetër,
Veç se npunsa jo. Prandej,
(T’thonë shka t’thonë do njerz të mdhej)

36

Për me i sjellë punët t’ona mbârë
Ktu duen sjellë njerëz dijetarë
Prej Evropet: Profesorë
Edhe eksperta: E ktyne n’dorë
Me ja u lshue administratën,
Me do sharte: Ashtu si patën
Bâ n’Japan, kur kjo mbretni
Nisi s’parit me u përtrî;
Pse na, besa, sot me sot
S’kemi njerz njimend të zott
Qi m’ia sjellë të mbârën vendit
Kot me i bâ na làk kuvendit;
Se manà, mirë fort e dijm,
Se sa duhna e se shka vijm.
Se na krûnde jem’ n’ketë dhé:
S’njeshet bukë, besà, me né,
S’mkambet shtet, s’mbahet Atdhé.
E po ‘imend – t’drejtën m’a thuej –
P’r Arkeolog shka i viej un kuj?....
Si edhe ti – m’ndiej se po t’tham –
Rrogën t’ânde e han haram
Pse, me e ndjekë punën hollë – hollë,
Ti s’mund t’jesh bedel n’nji shkollë,
-Sè për shkollë nuk ké kuptim –
Jo me t’vû Drejtuer n’Arsim,
Anì ku? Në Ministri!
E, po ‘i palë ndër do zotni,
Quejt.......................................
Për sa i blén, m’kallxo t’vërtetën?....
Un për vedi t’thom nji fjalë
Nuk i marr as me mi falë,
Pse nuk dij se shka me i bâ.
Kta me mîfë, nuk duhen gjâ;
Me bajtë dênga, edhe ma pak;
Treg me kapë t’qesin n’sakak,
N’mal a n’fushë me i çue me lopë,
Jé i sugurt se i djerrin n’shkjopë,
Me msue n’shkollë, nuk janë të zott;
Për auktorë i lypë ti kot;
Me i vû n’zyre, jé n’gazep
Se t’zhyejn kartat n’mereqep;
As i ké ti për kulturë,
P’r industri, agrikulturë,
Se kta ‘i hajr kurr s’e kanë bâ
As s’janë dashtë për tjetër gjâ
Posë me ngrânë e posë me pi
Posë me u tallë npër dugajxhi,
Npër mejhane e nëpër kafe,

37

Me thá dokrra e me qitë llafe,
Herë mbi stol, herë mbi “sofá”
Tash n’”kapelë”, tash në “qylah”,
Kryet n’ajrí e menden trângull,
Prej “mastiket” syt mbajtë gângull:
Veç, po, dijn, po, me êndë intriga,
Me pshtjellë lamsha për karriga
E, me u bâ n’Shqipni....ministra,
Kur t’kenë pshtue pa u vjerrë m’kapistra.
Prandej tham, lùm ti Drejtori,
Se – ashtu mu m’difton shpóri –
Po s’u vûnë n’administratë
Njerz qi dijn me pré e me mâtë,
Shqiptarija s’e ka t’gjâtë.
Nji kjo faqe qi asht sod gjâllë
-Posë ndonjâj ndonjâj fort rrâllë,
T’cillt prandej kanë mbetë në záll –
Nuk ka sý me ngrefë Shqipni.
Na kem’ prishun nji Turki:
T’cilen, ndoshta, edhe e kem’dashtë,
Por sugure se e kem ‘drashtë:
Jo po t’ngrefim Shqipni t’ré,
Për të cillën po bâj bé,
Se as s’e duem – as nuk e druem.

DREJTORI A

Mirë, zotni, por tham nuk bân
N’nji shtet t’lirë e superan
Me sjellë t’huej me na sundûe.
Kurr ketë punë s’kem m’e durue.

BABATASI

Un s’po thom me i prû për Mbretën,
Për Ministra e Deputetën:
Thom me i prû për “eksperta”
-Shka nuk do’ me thânë “shegerta” –
Qi ata ‘i herë ktu tash ma s’parit
Lè t’na sjellin punët për s’mbârit;
Perse né, si thashë ma para;
-Mbasi ndodhë kém lara-lara –
Nuk na hecë aq fort e mâra:
Kè edhe dija na mungon,
E vullneti na shkjepon,
Ndër kto punët e qytetnisë....
-Me t’u smue ty kush i shpisë,
Për me e kthye prap n’jet’e n’shndet,

38

Me ‘i herë mjekun çon e thrret;
E, sado qi nieri i huej,
E sjellë mbrêndë me javë e muej,
Edhe ti e gjith shtëpija,
Der ku t’mundni, fjalët e tija
M’vend i çoni, për shka shndetes
I përket. Po a ‘imênd ti vetes
Rob i thue, pse aj nieri i huej
Të vjen mbrendë me javë e muej
E, t’ep urdhna e t’ep reçeta
Për m’iu ruejtun t’smundit jeta,
Npër do mjete e npër do bâre,
Qi ti vetë s’i di kurrfare?
Jo, prá, jo; pse ti me pare
E ké marrë, e n’atë shërbim,
Me gjithse aj ka dijé e msim,
Nuk asht tjetër veç rrogtar.
Kshtu, pra, shteti ynë shqiptar
Mundet sod me sjellë doktora,
Zejetarë e profesora,
Për m’e vû n’rregull Shqipninë,
Pa cenue kurrkund lirinë,
As lirinë – as sypraninë,
Për të cillën ti po m’thue
Se nuk mundesh me durue
T’huejt në zyre me t’sundue.
Prandej vetë, të pamen ftyrën
E Arkeologut, ia lshoj zyrën,
Me gëzim, si t’thashë përpara:
Kshtu pse e dij se e lypë e mbara
E Muzéut – e e mbara e Atdhéut.
E ma tepër due me shitë
Njat gomar, qi tash nji ditë
N’rrugë t’Kavajës e pata blé.
Mbasi tash un në Muzé
Dorë as gisht s’kam me pasë mâ,
Mue gomari s’m’duhet gjâ.

Hinë nji postjer me nji tubë letra e fletore në dorë:
I ep Babatasit fletoren e Shkodrës “Vllaznija”edhe
del. Babatasi, tue zhvillue fletoren këndon nën zâ:

“Mori Shkoder, moj mizore,
Pak na u duke e shum’ na dole”.

(Drejtorit A:)

Me shka m’duket lum zotnija,

39

Po na merr t’keqen “Vllaznija”.
Ndiej ktu ‘i herë se shka ka shkrue:

Z.Z. Pajtimtarve t’onë – I vlerti e i palodhshmi bashpuntori ynë, zotni S.S. pa pritë pa kujtue asht zhdukë prej këtij qyteti. Ia kemi lëshue sogjet për gjith anë por der sod s’kemi mujtë me e hetue kurrkund. Prandej, tue na mungue, si me thanë: krahi djathtë i yni, kemi me kenë të ngushtuem me ndalue për do kohë botimin e fletores.
Drejtimi

DREJTORI A

Anì shka se nuk del mâ
Kjo fletore. S’duhet gjâ
Me sa tjerat, qi n’Shqipni
Janë tue bîjtë si kpurdhat n’shi.
Besà ‘imênd – si thue, zotni? –
As se tepër garramét
Janë fletoret për nji shtet,
Kè s’e lânë me përparue,
Qeverinë tue kritikue
Mârë e mbrapshtë? Me m’ndigjue mue
Njajo “Kshilla Ministrore”.
Besà, t’tana kto fletore,
-Qi s’e viejn, me thanë, nji astër –
Kisht’ me i mbyllë, e n’Gjinokatër
Kisht’ me nisë, me hekra n’dorë,
Redaktorë e bashkpuntorë;
Pse kta janë qi na ngatrrojnë
Shoq me shoq, e na pshtjellojnë
T’tana punët e Qeverisë
E, ato planet e “Partisë”.
T’gjith rreziku i Shqiptarisë,
Tham un, janë këto fletore,
Kto t’përkohshme përmujore,
Edhe ajo lirija e shtypit –
Njajo shpata “n’dorë t’magjypit”,
Qi pret t’a’ n mshirë aspak.


BABATASI
(tue lëshue n’tryezë fletoren)

Ah, jo, jo, mor’samadák:
Nuk asht gja, besà, ajo fjalë.
Se un po dij ku don me dalë:
Don me ruejtë “kulltuk” e “gisht”!
Por e ké ti krejt angllisht;
Pse fletoret për nji shtet
Jo veç s’janë nji garramet,

40

Si ti mue po do’ me m’thanë,
Por ma tepër atojanë
Për té ‘i armë e fortë. Zotni,
Shtypi asht sot nji artiljeri,
Qi, si puna e ban dishmi,
Rreh ma larg e ushton ma thekshëm,
Edhe rrposë fort ma termegshëm
Se çdo top e çdo gopedër.
Po, po, shtypi asht nji kulshedër
Vetëm për Qevri autokrate
Për do “klika” e “komitate”
T’mshefta e t’ndyta, qi me lák,
Qi tuj lá Kombin në gjak,
E me rrêna e kaçarrêna
Tuj punue pa besë e fé,
Gjithmonë tinzi e për nën dhé,
Nierz të poshtër e tradhtorë,
Duen me mbajtë fuqinë në dorë,
Për me shtypë me té lirinë.
Për me ndrydhun qytetninë
Edhe m’shpinë të popullit t’ngrâtë
Me mbajt vedin e akrobatë.
Për kta, po, shtypi asht rrezik,
Si thue ti e ndo ‘i tjetër mik;
Se për tjerët shtypi asht nji mjet,
Për të cillin sod çdo shtet
Ka nevojë. Nëpër gazeta
Kombi njef t’drejtat e veta,
Njef detyrët, e ato janë sod
Qi këtij i dalin zot
Kundra dhunës e padrejtsisë,
Qi edhe n’mênd ia shtijn Qevrisë
Kur do punë janë për t’u bamë
E, kur jo. Kështu po e zamë,
Se n’nji cillëndo Qevri,
-S’jam tue folë për ktu n’Shqipni –
Ka ministra batakçi,
Njerz kopukë t’pa farë kulture,
Zemrën lepër, mendët kobure;
Thonin krrabë e kryet matare,
Të cillt mbetë si t’kên pa pare
Edhe “kashën” t’a kenë thá,
Dërgojnë vllazën e akrabá
Me leçitun npër Evropë
Ktu nji breshtë, atje nji shkjopë,
Kndej qymyr, andej vojguri
A se edhe ndo ‘i rrënojë muri
T’kohve t’vjetra, e bajnë kontratë,

41

Dykuptimçe e me kamatë,
Edhe kta po, lùm kumbara,
Për xhep t’vet nji herë ma para,
Masandej, n’teproftë ndo ‘i sênd,
Për Atdhé: Thue se njimênd
Trashigim shtetin kanë pasë
Me gjith tokë, e landë e rrasë.
Ndiejn fletorsit për ketë dhunë,
Edhe atbotë, besà, me ‘iherë
T’çohen peshë e bajn poterë
E diftojn me shum urti
Se Ministrat batakçi
S’do t’kenë tagër m’iu përzie
Kombit t’mjerë në pasuni
E, as s’do t’apin konçesjone
Përmbi xehe a përmbi pronë,
Edhe kshtu me pêndë thumáte
Shkyejn projekte e shkyejn kontráte,
Qi kto pyka, mbîjtë prej llomit,
T’i kênë bâ për dám të kombit.
E, kur n’kohë elektorale
Ndonji Qeveri batalle
Shpërdoron auktoritetin
E me forcë ngushton të shkretin
Morè popull, qi s’di gjâ,
Me përdhuni me dhanë zâ
Qi ndo i cull a kalama,
Ndo’i bastardh a ndo’i kopuk,
Krye-babune e mullë-terrçuk
T’kalangerrçet mbi “kulltuk”,
Kush ma fort se’i “Orë ndër vallé”-
Se ‘i gazetë Qevris batalle
Ia shtypë hundët e e bjen n’hullí,
Si ajo Shkodra e ban dishmí?....
Po e shef vetë, pra, tash, zotni,
Se fletoret për nji shtet
S’janë rrezik as garramet,
E se ajo lirija e shtypit
S’asht nji shpatë në dorë t’magjypit,
Por â mjet, pa t’cillin shteti
S’përparon as ktu as n’jeti.

DREJTORI A

E, prá s’dij shka do me thânë
Qi mue kurr s’asht tue m’u dhânë
Me lexue fletoret t’ona –
Elè do, qi tash n’e vona

42

Na kanë nisë me u shkarravitë....
Deshta t’tham, me dalë në dritë.

BABATASI

A din pse, mor’t’u ngjatët jeta,
S’t’bâhet me lexue gazeta?
Pse m’gazeta, njitash vonë,
-Sidomos n’ketë vendin t’onë –
Asht tue shkrue çdo matrahúl,
Çdo surrat-qerep krye-túl:
Njerz rrugaça e krejt batâlla,
Me dy faqe porsi msâlla,
Qi, dbue jashtë prej shkollës fillore,
Bánë kinse me kapë punë dore,
Tash tue qepun n’ndo ‘i prestore,
Tash tue fshi kafe e hotela,
Tash n’kujxhi tue ngrefun m’tela,
E, tue fry me rrshiq n’do farkë,
A se muça kund n’ndo’i barkë,
Hamaj dengash n’ndo’i fabrikë,
Prej ka’ata mandej kanë hikë,
A se ndoshta janë përzânë,
Pse me u rritë thonin ki’n lânë...
Edhe zhèl e kundrash shkye,
Si ato mizat të pa krye,
“Kanë marrë detin-o me sye”
E kanë dalë në dhé të huej:
Ktu nji javë, atje nji muej:
Ha e pi e mos paguej:
Shitu princa e profesora,
Shitu béj, shitu doktora:
Shkoje ditën ndër sokaqe
Kalo natën ndër handraqe:
Gënje shok e trdhto mik
Për nji llastër “metelik”,
E kur, mbetë me miza n’grusht,
Me gjallnim kta kanë rá ngusht,
Vú qeleshen m’njanin sye,
Kanë marrë rrugën e kanë kthye,
E kùk vetllat m’ball ngërthye,
Ngrefë tureçkat për “dëshmorë”
Përly kanë pêndën në dorë
E t’kanë nisë kinsè me shkrue:
Jo kshtu shteti dò sundue,
Jo na jémi demokrat:
Nuk duem Prift as nuk duem Frat:
Jezuitt duen ndrydhë nën bàt;

43


Se kta janë “obskurantista”
“Kantonista” e “monarkista”,
Qi veç barkun duen me fâ.
Jo, po, kleri s’duhet gjâ;
Edhe shkolla fillestare
Ktu do t’jét fjesht afetare.
“Sepse” jemi “oksidentala”;
S’rrêhna mâ, jo, me kopalla.
N’Parlament kleri s’do t’shkojë,
Se ata janë si qymja n’gojë
Qi s’del jashtë as nuk përdîhet:
“Sepse” klerit bésë s’i zíhet!
Kshtu Voltaire e kshtu Mazzini,
Kështu Bûena e kështu Drini,
Jo po knetat, jo po plisat:
Jo çarçafat, jo binishat....
Na Shqipninë e kemi bâmë:
Për té desim e s’e lâmë
Me ná e prishun “tradhëtorët”.
Se un për vedi kam Malcorët:
Jo, un Toskninë e kam në xhep:
Me mue Dibra merr e ep. –
Edhe kshtu, po, qèp e shkèp,
Me nji shqipe për gazep
E, si t’ishin në kllápi,
Pa kqyrë càk, pa mbajtë hulli,
Pa pasë shkrimi as kâmë as krye,
N’mereqep kartat kanë zhye,
E t’kanë pjêllë – me nderë me thanë –
Njata artikuj, qi ty dhânë
S’t’asht der sod me u vû me i kndue.
Se ata, besà – m’ndigjo mue –
Nuk i kanë shkrimet zanát:
S’janë për pêndë, por janë për shát.
Jo po, kshtu asht, mor’t’u ngjatët jeta!
Për me shkrue, zotni, m’gazeta
Duhet shkruesi t’jet mâ párë
Nieri i ndershëm e atdhetár.
T’jetë fisnik, zemër-bujár,
Jo intrigant e ngatrrestár,
Edhe kênë mos t’két afije.
Mandej duhet qi t’ket dijé –
Dijé t’hapët n’ekonomi,
N’histori e në tregti,
N’politikë e në drejtsi;
Edhe t’dijë shk’asht shkolla e msimi,
Shka asht lirija e qytetnimi,
T’jetë Shqiptar në shkrim e n’gojë
VAZHDON
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi sundimit të gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”: Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko - Jerzi Popielushko

Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin! Fritz Kolë Radovani
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4133
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
GOMARI I BABATASIT - AT GJERGJ FISHTA, Posted 10 Korrik 2009, 01:16
VAZHDON

44

Fjala n’pêndë mos t’i ngûrrojë:
Mârë e mârë punët t’i kallxojë,
Me t’ngushtue me kndue përdhûni
Shka ndër shtylla rresht aj vûni,
Tashti, pra, nji sallahàn,
Vagabond e shakllabàn,
Nieri idjótë e laramàn,
Qi mendon se për tamàn
Të tanë bota rrì n’ “sahàn”,
Shka mund t’shkruej, po t’pves un ty,
Ky qi as byk nuk ka në krye,
Jo mâ trû?

DREJTORI A

Si urdhnon e thue –
M’a nep lejen, zot, me shkue,
Pse pak tepër jam vonue.
Mirë u pashim! – T’u ngjatët jeta! (del).

BABATASI

Udha e mbarë, e t’u ngjatët jeta! –
Mbasi sod asht ditë pazarit,
Po e qes n’treg atë zog gomarit
Qi paçë blé për punë t’Muzeut,
“Për Lulzim e nderë t’Atdheut”
Pàle i’herë a e blén ndokush.
Mana, drue se s’do t’dalë kush
Myshteri; pse Barbullush
Asht bâ sod edhe Tirana.

Oborri i Muzeut. – Dita e të çilunit t’Asamblesë Kushtetuese.
(Gomari lidhë m’kûj. Babatasi e zgjidhë e niset me dalë
me gomar për dore. Porsa kanë mbrrijtë té portarja, gomari
ndrron formë e prej hijes s’tij del S. S., korrispondenti i fletores
“Vllaznija”. Frêni i lavjerrët m’qafë e shala i bjen té kambët.)

S.S.

Zotëni!

BABATASI

(Sjellë kryet, e, tue mos pa gomarin, thotë në habí:)

Palè!....Ç’ m’u bâ,
Tash gomari?
45

S.S.

Mos bân zâ,
Zotëni, se un jam....

BABATASI

Gomari
Ti?...

S.S.

Si urdhnon, po; vetë. Veç s’pari,
T’lutem, fol kadalë.

BABATASI

Çudi!
Si tash, ti gomar?

S.S.

Zotni,
Po vetë jam gomari i yt:
A s’m’â shef ti frênin m’fyt,
Edhe shala si m’ka rá
Poshtë té kambët?....

BABATASI

Po, jam tue i pá.
Veç si mundet, tash, me kênë
Njikjo punë, s’e di. A mos m’rrênë,
More i patenzonë?

S.S.

Jo, besà,
Jo: S’ka rrênë, as s’ka ngatrresa;
Veç të drejtën ktu po t’tham,
Se gomari i yt un jam:
Po, a thue veshët ti pa s’mi ké?

BABATASI

Po a gomar ti paske lé,
A veç bâ jé masandej!

46

S.S.

Jo zotni; q’n’vjeshtë e tèktej
Qi un jam bâ gomar. Përpara
Kam kenë njeri....

BABATASI

Lara-lara
Mjaft, kujtoj, e stramastik....
Kámë-kujrril e krye-lladik....
Por kallxo si kênke bâ
Ti gomar!...

S.S.

Mos kjosha mâ! –
Kur u bânë zgjedhjet në Shkodër
E “Opozita” luejti atë lodër,
Si e din vetë, nji zotëni,
Qi e kish mirë me Qeveri
E, qi vû aj kishte dhámb
M’”Opozitë”, për me i bâ dám
M’lutë me i qitë nji Dityramb’
Kundra ”Orës s’Maleve”. Edhe vetë,
Qi kurr kenë nuk jam poetë,
Por, si ngjeshëm kish’qillue,
N’ fjalë t’ti u vuna, atëherë, me shkrue,
E me krraba e me çengela,
Mbasi zhvjeva do kartela,
edhe ‘i javë bana haram,
N’dritë e qita atë Dityramb,
Tue e quejtë: “Vallja Popullore”.

BABATASI

Mbasi vjershat s’t’vijn për dore,
Përse ti m’i a hi asaj kangë?
Po a nuk ké ti tjetër rangë,
Qi ia nisë vjersha me shkrue?...
Mbasandej: Ku ké mbarue
-N’kjoftë se n’krye ké mênd ndo‘i fije –
Se, me atë buzë, porsi opângë dhije,
E me atë gjuhë – motrë e çangalleve
Ti po qet me ‘i “Orë të Maleve”,
Qi shitue ka tjerë kaprreça,
Jo mâ ty e do kakareça
Tjerë, shokë t’ue.
47

S.S.

E dij, zotni.
Oh! Po, mirë, mirë fort e di.
Se sa i rrebtë asht pezmi i sáj:
S’lèn anmik pa bâ me váj;
Si sivjet kém’ mujtë me pá,
Kè Shqipninë mbarë trândë e ká;
Por un deshta me t’kallxue
Se mue shnjalli m’pat germue
Mbrendë n’atë Dityramb me shtî
Disa fjalë, mjaft pa njerzi,
Kundra Fretënve shqiptarë.

BABATASI

T’a kish dijtë ketë fjalë ma parë,
Un ty m’shpinë t’kish vû samar
E, jo shalë. Ç’ké me Fretën,
Qi shnjerzue e ké ti veten,
Për tá n’shkrim tue folë pa lá?

S.S.

Un? Kurrgja, besà, e tue pá
Jam gabimin t’em me sy,
Se s’asht mirë kênd n’shkrim me fye.
Por, zotni, shnjerzue un kam veten;
Jo veç folë se kam për Fretën,
Por mâ tepër, tue vû gojë.
-Për pa pasë kurrkund nevojë –
Mbi drejtuer të “Hyllit t’Dritës”,
Qi as Qevrisë as “Opozitës”
E, as Shqipnisë s’i ka sjellë dám.

BABATASI

E ti shtî e ké n’Dityramb?

S.S.

Po, zotni; por npër terthuer.

BABATASI

Hangké bar, e? – e po qysh kur? –
Qi s’po mujtka aj me u kujtue
Se për ké n’vjeshtë ké guksue....
48

S.S.

Jo, po pra, si kjeçë tue thânë,
Un me kaq t’a kishe lânë,
Ndoshta s’kjé tue m’gjetë shka m’gjet:
Për gomar me u shitë n’pazar,
Por mue sorra m’i piu mêndt,
Edhe kapa do krení,
Kinse kshtu shkruej Dityramba
E ja lâ gjithkujë në zhel,
Kur t’më kapet mendja tel,
E medje – ty t’u ngjatët jeta! –
Njikaq mendja mue m’u rrit,
Qi un nji ditë dola prej Shkodret
Edhe u nisa për Parnas,
Ku lodrojnë Orë edhe Zana,
Kin me marrë un kezen larit.

BABATASI

A se veshët e nji magjarit....

S.S.

Jo, po, ashtu mandej duel puna –
Kur u kapa n’vrrî t’Parnasit,
Lâgë e ndrâgë e kputun rruget,
Qé po shof se, lshue pa zot,
Po kullotte i hjèdhtë Pagasi
Npër ato rudina t’blera,
Ku lulzon gjithmonë prendvera
E s’ka dimën as rreh era
Lodhë e kputë si un kish’ qillue,
Tèk e pava, i kceva m’shpinë,
Edhe e lshova brijs s’Parnasit,
Mos m’e e pa dy herë me sy.
Ashtu m’t katrat lshue Pegasin
Gjatë asaj termales s’rryeshme,
Kam nisë kangën me kendue
Dityrambin, qi kish’ shkrue,
Kìn’ mërzín’ un me kalue.
Veç, zotni, shka me t’kallxue!
Porsa mora atë kangë me kndue,
Nisë Pegasi me turfllue,
Nisë me hjedhë, nisë me u tërbue,
Porsi thérë t’a kish m’mamuza.
Iu kukzova, atëherë, mbi shpinë,
Me t’dy duert qafën ia rroka
49

E mbërthye kamët nën bark t’tij,
U mundova me ì qindrue.
Por se kot, besà, zotni,
Pse t’u çue shàh m’kamë t’para,
Edhe t’m’ hòdh, si planc, n’nji prroskë.
Gjysa e s’keq’; por se m’i vuni
Shtjelma brish’ njadisa hera,
Qi edhe sod, besà, m’dhêm shtati.

BABATASI

Brè qi, kur fryte shirok,
Edhe t’lshojshe ndo ‘i herë tròk,
Shkojshe rrugës ti tue marrë m’thue.

S.S.

Po, zotni; si urdhnon e thue! –
Ndìç, atëherë, qita bërtita,
Porsi shpirt i keq n’gajúsh.
Rrânë n’atë brîmë Orë edhe Zana,
Edhe muerën me m’pëvetë
Se shka sjellë m’kishte m’atë bjeshkë
E pse ashtu gërthitë un kishe.
Edhe un punën ua kumtova
Gjithsesì fill’ e për pê.
Kur ka ndie Zana Kajlopè’
Për guxim qi un kishe pasun,
Gur me gur m’hukati e Mira,
Njiketë námë tue lshue mâ t’mbramen:
“Ti m’u bâsh gomar me veshë,
Der m’atë ditë qi n’Shqipni
Asambleja t’çilet s’parit”....

BABATASI

Edhe ti u bane gomar?

S.S.

Po, zotni. Shì n’herë të parë
Qi m’Parnas m’hukáti Zâna,
Fill gomar me veshë u bâna:
Krejt njashtu si pá ti m’ké
M’rrugë t’Kavajës kur m’pate blé.

50

BABATASI

Çúdë me bâ!

S.S.

Po, pra, zotni;
Se me rrêjtë, besà, nuk di:
Nuk t’a tham nji fjalë p’r’i tjetër.
Ti edhe kndue do t’keshë në letër
Si njaj Aelius’. Shkrues i vjetër,
Na kallxon për s’dij se ç’nieri,
Qi kjé bâ gomar pa hiri
Tue u lye me do bar shtrigash,
Nuk e dij se n’ç’rasë intrigash.
Jo qi vetë mujë me t’diftue
Se n’Parnas un kam ndigjue
Orë e Zana tue ligjrue
Për nji tjetër djalë shkrimtar,
Qi edhe ky, shtatë muej ma parë,
Paskà kenë térnue n’gomar.
A e njef ti ‘i farë Nebil Çike,
-Turk a s’dij se i cillës fabrike –
Qi m’nji lvere masonike
Quejt “Revistë Pedagogjike”
Ia pàt nisë kinse me u kapë
Me “Hyll t’Dritës”, e klér e Papë?
Ketë tésh prá Pallas Athina
Për arsye qi poshtërsina
Ky kisht’ shkrue për “Hyll të Dritës”,
Námë e paska nji “dishditës”
Edhe ky shkrimtar çyçek
Kenka bâ me ‘iherë “Eshék”,
A se shqyp m’e thanë mâ mârë:
Kenka bâ me ‘iherë gomar;
E jo veç për dy a tre muej
Si un kjéçë bâ, por (posë gjithkujë)
Ky kjé bâ gomar për ymër;
N’mos e njifsh, e ké n’Tiranë
Tuj bajtë m’ “karro” pleh e ranë,
Per “Reformë” t’nji “burgu” t’gjanë
Mbrenda Ministrisë s’Arsimit.

BABATASI

Mirë ia paska bâ kulimit!
Por as ty keq bâ s’t’a ká,
Pse, po n’mênd tash asht tue m’rá
51

Se kto fjalë, si në kllapí,
Shkrue i ka pasun në “Vllazní”,
Kur stërklatshe ti gazetën,
Tue bâ fjalë për Deputetën:
“Se do t’kthejm në Shkodër-o,
Për me lidhë gomarin-o
Si e pat lidhë até dikur
Nji poetë, me ‘i copë ushkur.
Lassen Sie nur
Edhe tash mirë tue pá.
Se ké paske dashtë me vrá
Me kto fjalë e dokrra t’shkreta.
Po a s’din se kur poeta
Bân me lidhun nji gomar,
Besà, e lidhë ai me litar
Edhe ‘i nye ma t’fortë i’a bân,
Se pàt kênë neni gordján,
E se vetë, po, shpata e Lekës
Nuk e zgjidhë e, mè sa dekës,
Pezmit t’tij s’mundesh me ‘i pshtue?
Tash, kah t’duesh mundesh me shkue.
Edhe i lirë prej mejét jé;
Veç, t’a dijsh se borxh m’i ké
Gjashtë naplonat qi páçë dhanë
Kur gomar t’bleva n’Tiranë;
Por, jo sod; palè se kur....

S.S.

Un?... Pse?...

BABATASI
(tue i rá qafës me kamxhik)

“Lassen Sie nur!”

S.S. Vehet m’t’hikun tue krue qafën.
Babatasi merr rrugën kah Parlamenti,
edhe për tash mbaron veprimi.


PJESA E DYTË


VISKU I BABATASIT

53


AKT’ I PARË

KONSTITUCIONALËT

Ana e Asamblésë

Kaherë kafazi i Parlamentit, veshë me còhë të kuqe, ka dalë në Parlament e asht ndêjë qiri n’kambë ndërmjet ziles e anës s’Asamblesë. Shërbtorët e Parlamentit mbushin katrovat me ujë për Deputetët, ndërsa “tellalli” njëherë, e mbasandej xhendarët, me bajoneta ngrefë, urdhnojnë qi të mbyllet pazari. Tiranasit kush shkon në shtëpi, kush rri mbas “tarabave” të dugajës, tue u xé në zjarm e tue pritë qi duhija e së kremtes kombtare të kalojë. Rrugat e banimet janë stolisun me flamurë kombtar. Mbi portare t’oborrit të Parlamentit mvaret nji zhel i kuq, me ketë nënshkrim: “Rroftë Parlamentua”. Ana e Asamblesë vjen e mbushet pilë e përmaje me zyrtarë, do terzi e “marangona” shkodranë, do tregtarë kontrabandaxhi korçarë, miq Deputetësh. Mbrendë shifën nja tri a katër zoja e zojusha, e disa oficera veshë civil. Dy tribunat, ato edhe janë mbushë, si dy kutija sardelesh. Në njanën anë ka xanë vend Këshilli i Naltë, bashkë me do zotni të tjerë të zgjedhun e me nja dy skrrâje cucash të motnueme të “Kryqit Kuq Amerikan” – të gjata e të thata si dy parë krezhme ortodoksësh. Në tjetrën asht Trupi Diplomatik’ Ministri i Anglisë, nji levantin “dora vetë”, çubardh e balosh në ftyrë; Ministri i Italisë, burrë i njeshun, çufrrok, por jo krejt antipatik e i pakrypë, si shumica e Diplomatëve të tjerë, ngulë sytë m’anë prej Pekingut; Ministri i Jugosllavisë, nji tesh me t’ngja dishka me me nji hû dullije, por synin kokërr. Në nji skaj t’anës e kermez në ftyrë, asht ndejë Mihajl Grameno, i cili, tash e ma vonë, ndihet kè thotë, si nëpër dhambë: rezilat, surrat-qerepat, maskarenjt. Ka hi edhe Vinjau qi s’duel i zgjedhun për Deputet në prefekturën e Gjirokastrës.
Hin nji çetë Deputetësh. Ma vonë hinë edhe disa të tjerë. Ia mbrrin Kryetari i Parlamentit në “redingot”, tanë hundë, tanë veshë e tanë gojë. Ia behin Deputetët e Shkodrës. Nji Deputet i Korçës, Tosku, xen vend në kolltuk të vet e hin me folë me nji Deputet të Tiranës, të cillit tue i mbarue fjalën, ndihet se i thotë për gaz: “Eh!...Baba!...” Kafazi i bjen ziles. Hinë prap do Deputetë të tjerë. Së mbrami ia bèhë Qeverija. Mbas Qeverijet hin edhe Babatasi, da mjekrren dysh si dy lvore pjepni dhe xèn vend diku atje ndër zyrtarë, krej hupë ndër mendime. Atëherë, mbas urdhnit të Kryetarit, shërbëtori mbyll derën e sekretari kndon emnat rresht e rresht mbas rendit alfabetik der në ma të mbramin:
Z. Zija Toptanin.


KRYETARI

Më kambë tue u mbajtë për tryezë, purë shtatin prej Deputetësh,
si samâr pështetë për mur.

Shumica asht; mbledhja hapet
Zotni, n’ketë anë llapet,
Jem’ pështjellë e grumbullue
Ktu, pse kombi na ka çue...

54

BABATASI
(me vedi)

Besà, pra, me ç’ m’ duket mue,
Ktu kurrkush ju s’ju ka çue,
Veçse vetë, po, keni rrâ
Zhaben t’uej mirë për me fâ.
Kombi i ngratë aj nuk din gjâ
Se shka keni n’mend me bâ.
Ah! Po, mirë ju njoh un ju.

KRYETARI

Shtetit t’onë themel me i vue,
Nji Statut na tue i ndërtue:
Nji Statut “oksidental”
Si për fushë ashtu për mal.

TERRTABUCLECI

Nji burrë dishka si jevg: Me nji ftyrë të rreshktë e të zymtë, si nji mushkni kali, e me do mustakë njeshë faqeve, a thue se ngjitë me tutkall. Çohet e flet, pa lypë fjalën:

E pra vetë kishe me thanë,
Se për tash do lanë m’njàn’anë
Puna e ktij Statuti. Shteti
-Si n’Shqipni ashtu edhe njeti –
Ka lazëm për Qeveri,
Qi me mbajtë kombin n’hullí;
Pse, sa për Statut, s’e di
Ç’na duhet Statuti né?
Qeverija për ketë dhé,
Tham, asht mjaft. Statuti asht kot.

KRYETARI

E vertetë, por, sot për sot,
Pa Statut nuk bahet dot:
Pa ‘i Statut, sado edhe çal,
Por qi t’dajë si “oksidental”;
Pse, po s’pat Statut Shqipnija,
Atë e Kombevet Shoqnija
Kisht’ m’e dbue, besà, prej vetit
Si nji rriqën. Prandej Shtetit
I do dhanë Statuti.

55

PALOK CUCA
(pa lyp fjalën)

E pra,
Un thom jo. Asht kot me thá
Dokrra ktu për punë t’Statutit,
Mbasi endè ligjët e “harbutit”
Janë n’fuqi ndër né. Nuk bân.
“Redingoti” me fistan....

Deputetët e partisë qeveritare përplasin kambët;
ata t’opozitë nji palë qeshin nën mustak, nji palë ulin sytë.

KRYETARI
(tue i rá ziles)

Lyp fjalën nji herë, zot’rote,
Mandej fol. Kjo asht krejt fjalë kotè
E, n’ “rend t’ditës” nuk hin aspak –
Por ksaj fjalë po i vemë kapak;
Pse, tash, ktu, ju zotëni,
Kèm’ nji fjalë me shumë randsi.
Për me mbajtë Financat n’rregull....

BABATASI
(me vedi)

Qi me luejtë mandej ju shtregull....

KRYETARI

Do t’isht’ mirë qi Asamblistat
T’merrshin rrogat edhe kistat
Për tre muej, si “paradhane”....

BABATASI
(me vedi)

Për me luejtë bixhoz n’mejhane...

KRYETARI

Pra, kush asht i ktij mendimi,
Që t’na epet sod shpërblimi
I tre muejvet, t’çohet në kamë.

56

Të gjith Asamblistat, pa ndërlikim partish e intrigash, çohen m’kambë, posë P. Ambroz Marlaskàjt O.F.M. Kryetari vetë ngrihet si hû telegrafe para tryezës së kryesisë. Edhe Ministrat çohen, posë Kryeministrit, i cilli ban se asht tue këndue deklaratën që do t’ia bajë Asamblesë. Zyrtarët zanë e çyçyrisin njani me tjetrin.
Mihajl Grameno nunuron me dikë që ka përbri, e tue folë me té për kushedi për çka, ndihet kè i thotë: Pizavengat! Halldupat! Surrat-qerepat!...Ministri i luftës, me kamë edhe ai, mban sytë n’ajri: Ndoshta aty për aty i bjen m’mend puna e xhendarëvet, të cilët me gjith se prej sish mvaret qetësia e vendit e përparimi i kombit prandej, kanë nandë muej rrogë pa marrë. Ministri i Financavet grisë buzën me dhamë, kah mendon se kashën e ka thatë e si padashtë i shkojnë sytë më Vinjaun, i cilli, përzie me popull, e shikjon si ai nën elter....Sherbtori i Parlamentit, qi edhe ai ka tri rroga pa nxjerrë, rrumbullon thonjt e gishtavet me dhambë. Kryetari, tue mos pasë nevojë me njehë votuesit, thotë:

Punët do t’shkojn, shpresoj, me namë:
Kem’ votue të gjith nji zani.


DIKUSH PREJ DEPUTETËSH

Për posë Kryeministrit....

KRYETARI

Njani
Çon e s’çon kandar. (Me vedi) Ç’nevojë
Kryeministri ka t’votojë,
Kur Ministrin e Financës,
Si njat zogun e fëllanxës,
E mban n’grusht. (Në za) Tash ktu ma para
Se t’fillojmë na tara-tara,
Do këndue nji telegrafë
Që ktij Kshilli ia ka rrafë
Prej tèj detit, nga Bostoni,
Nji zotni koleg i joni.

SEKRETARI I PARLAMENTIT
(këndon telegrafën)

Duke venë ré ilegalitetin e zgjedhjeve (nervozizëm i madh n’Asamble), duke patur parasysh inkompetencën e shumicës së madhe të misave të zgjedhur (përplasje kamësh prej anës së Deputetvet qeveritarë) e, se prandaj “Asamble” e “Parlament” në Shqipëri nuk janë tjatër veçse një komedi e turpëshme, që lozin avantyrjerët e palaçuat analfabetë, sharlatana slavo-turko-greko-shqipëtarë mbi kurrizin e kombit të gjorë e kafshë, e dyke qënë i sigurtë se këta zotërinj kurrin e kurrit s’i dëlirin dot veshët nga “hallva”, jam i shtrënguar të jap dorëheqjen nga mandati që më qé ngarkuar nga popullsia e Prefekturës sime. Sygjeraqina.

57

DEPUTETËT QEVERITARË

Po, pranohet.

DEPUTETËT OPOZITARË

Jo, s’pranohet.

KRYETARI

U pranue. Ka fjalën “zoti”
Kryeministër.

Me njiherë zhduket zani e potera n’Asamblé. Kryeministri me nji hije të randë e njiheri edhe buzqeshun, ngjitet m’pult të kryesisë, tue rrotullue sytë mbi Asamblé. Disa ndër Deputetn hapin gojën e préfin veshët. Nji ndër ta – s’dihet se kush – gukson të madhe.

KRYEMINISTRI

Deshti Zoti
Dhe ia mrrimë kësaj ditë,
Aq me d’shir qi e kemi pritë,
Përse sod, po, me Asamblé
Nisë për komb nji kohë e ré.
Kohë lulzimi e përparimi....

TOSKU
(tue i rá ndër fjalë)

Eh po, inshalla! Lulzim specash,
Kungujsh, laknash, kastravecash;
Përparim misrash të lashta
N’kopshtë t’Ministrit t’Punvet t’Jashta....
Se për tjetër përparim,
Përparim – a lulëzim,
Besà, asht kot me u folë ndër né
N’daç n’kohë t’lashta n’daç n’kohë t’ré.

KRYETARI
(tue i rá zilës)

Lutem, fjalën mos m’ia pré.

TOSKU

Pàj, nji herë e pìkë ma parë,
Për shumë kênd, po, ndër Shqiptarë
58

Përparimi asht vetë nji armik,
(Kryetari i bjé zilës ma fort.)
Msimi e dija nji rrezik.

KRYEMINISTRI

Jo, kjo fjalë s’asht e vërtetë.
Shqiptarija vjetë për vjetë
Asht tue shkue gjithnji përpara
Ditë për ditë t’iu dhanë e mbara.
Sod me sod gjithkund qetsija
Ktu mbretnon, ç’se Qeverija
Çarmatisë popllin e ká
E, as me vjedhë s’lèn, as me vrá.

HUNDLESHI
(Sjellë prej Kryetarit e tue trakllue me gisht m’tryezë)

Lypi fjalën.

KRYEMINISTRI

Masandej
Shteti bâ ká hapa t’mdhej
Edhe n’lâmë t’kulturës e t’msimit:
Si difton budgeti i Arsimit,
Që ka çilë – në krye t’pesë vjet’e –
Pesqind shkolla....

BOSKU

Mehmurjete,
Thuej ma mirë – n’daç me ia gjá –
Sa për t’majtë miq e akraba:
Apo vegla politike,
Vegla fejé n’dorë t’njâjë “klike”,
Që me mndyra masonike
E pa turp tue shkelë ndërgjegjet
E njatyne qi bajnë zhegjet
E acarimin e stinës e t’motit,
T’mund nipnija e Gjergj Kastriotit
T’përforcohet n’dije e n’msim,
Duen t’pengojnë çdo përparim,
Çdo kulturë oksidentale....

KRYEMINISTRI

Nuk asht gjâ, zotni, aso fjale
59

Përse vetë, po, Qeverija
Deklarue ka npër fjalë t’mija,
Se ajo don që Shqiptarija
T’jetë nji Shtet oksidental....

BOSKU

Me tanuz.

KRYEMINISTRI

Jo, zotni, m’fal.
Por si t’gjitha shtetet tjera.
T’Evropës.

BOSKU

Mos e thuej dy hera
Zotni, at fjalë, pse t’qeshë Tirana –
Po, a për njata tre aeroplana
Të shkatrruem e nji “Markoni”,
Ndêjë batall n’Durrës, Ju thoni,
Se jem’ shtet oksidental?
(tue kqyrë kahë “klikarët”)
Me mehmurë endè orjental,
Që zbutue nuk i ka shkolla
E qi sytë mbajnë kah Stambolla;
(Kryetari shkundë ma fort zilën)
Që nuk dijnë se shka asht Atdheu
E, për t’cillt vetë Skanderbeu
Asht hajdut, mor lum zotnija,
S’qytetnohet, jo, Shqipnija.

(Zhurmë n’Asamblé).

TERTABUCLECI

Protestoj “rrebtsisht”, zotni
Kryetar.... Ktu s’po ka qetsi.
Duket, po, se jem’ n’Shqipni.

(Kryetari shkund “rrebtësisht” zilen)

BABATASI
(me vedi)

Pse nuk kthen n’Jugosllavi?

60

TERRTABUCLECI

Kto janë fjalë, për me përçá
Turq e t’kshtênë.

BOSKU

Ktu turq nuk ká....

BABATASI
(me vedi e tue kqyrë kahë “klikarët”)

Var, efendêm, var!

KRYETARI
(tue i ra ziles e tue luejt kryet Terrtabuclecit, thotë në zâ)
Belá!...
(Boskut) Zotni, jeni jashta rendit
T’ditës.

BOSKU

Làk s’do bâ kuvendit,
Por do folë e drejta rrumbull.
A din ku na bahna grumbull
-Na qi quh’mi “intelektual”,
Edhe mah’mi “okcidentalë”? –
Në shfrytzim t’Financës s’Shtetit.
Ktu, po, t’damë na s’jém n’mjet t’vetit,
Edhe gjindmi gjithmonë bashkë:
Nuk na ndajnë Bajram as Pashkë;
Se për ndryshe – posë gjithkuj –
Për sho-shojn na jemi t’huej,
Sa që sod fjala “bashkim”
Ndër shqiptarë s’ka ndo’i kuptim.
Pse jo veç që t’dám na jina,
Por as n’mênd kurrkund s’e kîna
Me u bâ bashkë. M’besoni mue.
Prandaj kot rrin tue turfllue
Zotëni Terrtabucleci,
Mbasi n’thes nuk hin koteci,
Edhe bota nuk há bar;
Por há bukë.

TERRTABUCLECI

Zotni Kryetar....
61

BOSKU

E, prandej janë t’gjitha rrêna,
T’gjitha rrêna – e kaçarrêna
Fjalët e mdha qi na trillojmë
E pa turp qi ktu llapzojmë
Për bashkim. Por megjith kta,
Kombi i ngratë, t’mos ishim na
Qi me dokrra politike
E me fjalë kabalistike
Me e marrë mêndç, der m’sod aj vetë
Mnyrën, thom, do t’a kish gjetë,
Si, tue ndêjë secili m’veti.
-Kshtu si ndá na ká kysmeti –
Do t’ki’n mujtë bashkë me gjallnue,
Shoqishojnë për pa trazue.
Pse e vërteta asht kjo, zotni,
Qi ndër né sod ktu n’Shqipni
Si kristjan – si muhamedan,
T’cillt sado qi bashkë s’jetojnë,
Me gjith kta me shoqi-shojnë
Nuk kan t’keqe ndër punë feje
-Për posë shka â i ksajë Asambleje –
Ata s’kan ndo’i kundërshtim
Edhe kan, po, shum nderim
Ndërmjet vedit. Qé, po e xâmë,
-Ktu po e flasim, ktu po e lâmë,
Pse s’po flas, jo, për me shá,
Por ma fort un hàll me kjá –
Na shqiptarët jem’ mjaft belá,
Mjaft barbarë e.... me shát n’ujë,
Me gjith kta, ndër mênd kurrkujë
Sod me sod s’i vè’ me prishë
As xhami, as teqè, as kishë,
As kujë trûtë m’ia nxjerrun kréje
Për punë dini a për punë féje.
Prandej, tham, ndër kta gjashtë vjet
Qi Shqipnija mkambë asht shtet.
Ata rá do t’ki’n’ujdi,
Do t’ki’n rá n’udhë e m’hulli
Ç’ligjë e ç’trájtë me i dhanun shtetit,
Si me marrë e dhânë n’mjet vedit.

KRYETARI

Un nuk dij ku don me dalë
Zotni Bosku me kto fjalë.

62

KRYEKORTOLLA

N’ “kantoniz’m”, zotni Kryetar....

TERRTABUCLECI

Në parim antikombtar.
Poshtë! Poshtë “kantonizma”!

DISA DEPUTETËN

Rrnoftë
Bashkimi kombtar!

KRYEMINISTRI

Shka qoftë
Kantonizmi në Shqipni....
A drò jemi n’Helveti,
Ku tri kombe shteti ka,
Ndër kantone na me u nda?
Na, shyqyr! Jem t’gjith nji vlla;
Jem’ Shqiptarë me gjuhë e gjak,
S’duem kanton as s’duem bajrak:
Duem Shqipni t’pamvarshme e t’lirë!
(Duertrokitje....)

DEPUTETET QEVERITARË

Kryeministri rroftë!

BOSKU

Fort mirë.
Rrnoftë e kjoftë. Veç shka, zotni,
E vërtetë që na n’Shqipni
Vllazën jem’ nga gjuha e gjaku,
Por hallbu – si turkoshaku
Thotë – si vllazën s’po jetojmë,
As vllaznisht Shqipnin s’po gzojmë;
Kush me túl kush me koc n’gojë.
Qé, për shembull t’na tregojë
Kryeministri ktu njiherë,
Sa zyrtarë ka “kardashllerë”
Të krishtênë n’Kryeministri?
Nji, me thânë, jo, kè un e di.
E po mbrendë në Ministri
T’Punvet t’Mbrendshme sa, thue ká
63

Ksì zyrtarësh, me t’cillt aj vlla
Po e mban vedin?

TARAVOLI

Asnji besà.

BOSKU

Na, mandej, kèm’ pesë Shkëlqesa –
Pesë Sefira, a shkaf u thonë,
Mirë a keq t’cillt vendin t’onë
-Ku s’po e njef mâ qéni t’zo’n
Në dhé t’huej sod përfaqsojnë
Qeverinë, edhe lajmojnë
Për shka bluen bota për né:
Mirë, po, ‘i t’ kshtênë ndër tá s’e ké.

Ktu Terrtabucleci lypë ujë. Vjen shërbtori me gotë e me kungull ujit në dorë e i jep me pi. Pìn edhe Kryekortolla me atë gotë, mandej Veshllapota, mbas tij Kryetuli, Kalangêrrçi e nja dhetë Deputetën të tjerë.

Prap n’tri mi, a mâ pak, ushtarë
Kèm’, po, ràsh tetë komandarë
Kolonela, e pak me thanë
Nja tridhjetë Majora, t’tanë
Veshë e mbâthë porsi Alemanë:
Por ndër tá, s’di, a e ké ‘i kristjan.

MINISTRI I LUFTËS

Zotëni s’kanë mbarue shkollën....

BABATASI
(si npër dhamë)

E as m’e pá s’kan pá Stambollën....

BOSKU

Janë pallavra, t’u ngjatët jeta!
T’gjitha dokrra e fjalë të shkreta,
Shka me thânë po don për shkolla:
Se mâ e dijmë se ç’msime t’holla
Po mund merren ndër do shkolla....
Por asht tjetra, besà, n’thes,
Që un për fushë ktu s’mund e qes.
Kryeministrit veç po i thâm
64

Se Shqipnija do t’shkoj dám,
Q’se dikush – se kush s’e di:
Nieri, a “klikë”, a se “Parti” –
Po don zot me u bâ n’Shqipni,
Për me lânë Shqipninë Turki.
Ktu, Terrabucleci çohet e del prej anës s’Asamblesë
Kjo asht arsyeja, zotëni,
Per të cillen shka asht kristjan
Lêhêt ujë me rrah n’havan
Ndër Financa e Punë Botore
Edhe lêhên krejt mbas dore
Ku t’jetë çashtje administrate,
Punë komande a punë legate
Jashtë Shqipnisë ndër tjera shtate.

KRYEMINISTRI

Ky â ‘i mendim i zotnis s’ate.

BOSKU

E nji punë e zotnis s’uej,
Që n’ketë çashtje, posë gjithkujë,
Tue e mbajtë jeni shatin’ ujë.

Zhurmë e madhe n’Asamblé – Kryetari shkundë pa prâ zilen.

KRYEMATARJA

Po a për t’bâmë na çashtje féje
Jèm’ ktu mbrendë ksajë Asambléje,
A për çashtje “kombëtare”?....

BOSKU

Për asnjanën, Kryematare.
Jém’ për rroga e kurrgja tjetër;
Rroga n’ar, por jo në letër.
T’kallxoj vetë qi jam i vjetër
E, jam regjë me ksò kopallash
Por asht mirë që t’shporrmi prrallash
E, ta thomë nji herë t’vërtetën:
T’mos ta rrêjmë kombin e veten
Tuj u shitë për “liberala”,
Për “modern” e “oksidentala”,
E se mbrendë ksaj Asambléje
S’duem me u marrë na me punë féje.
Se na fénë e kem’ krye-kreje,
65

Qeverija, edhe, zotni,
Besà, mirë po e bân dishmi
Se ç’frotë liberalash jemi
E ç’liberalizm na kemi....
Jo, po, kot na çajmë kopalla
Për bashkim e tjera prralla;
Se na t’dám jemi n’mjet veti,
Si mos t’ishim njerz t’nji shteti,
Fisit t’ndryshëm si t’kî’m lé.
Pàj na bashkë s’kém’ besë as fé,
As moral – as ideal,
As kulturë e as histori:
Né kem’ bashkë gjak e gjini,
Né krushqí – né kumarí,
Né miqsí – né ortakí,
Lagjet m’vedi – e fshatet m’vedi,
T’ dám me oxhaqé – e me sokaqé,
E me petk – e me djalekt,
Me gojdhana – edhe me tbâna,
Thue se ‘imênd s’jém t’gjith shqiptarë.
Prandej, tham, se asht punë e mbarë,
Masi t’dám de facto jena
E, as kurrkund ndër mênd s’e kena,
Me u bâ bashkë, që ndër kantona
T’a ndajmë shtetin sado vona,
Por tue ruejt njisinë shtetnore
Edhe t’drejtat qytetnore
Për secill’n minoritet
Që kantoni t’ndryjë n’çark t’vet:
Ma mirë dá zotni, se çá.
A se, ndryshe, t’zgjedhim Mbretin
Edhe n’dorë t’ia lshojmë na shtetin.
N’dorë t’ia lshojm na fatin t’onë,
Që ky t’jetë, dér vonë e vonë,
Autokrat përmbi Shqipni:
Vetë me zí – vetë me përzí,
Pa çá kryet për Qeverí
E ma pak për Parlament,
Që për né asht nji element
Krejt damtues – edhe shkatrrues.
Me tetdhetë përqind “klikarë”
N’Parlament s’hecë puna mârë.
Fort ma mirë, t’kém nji tiràn,
Se ‘iqind vetë me dorë n’sahàn.

Zhurmë e poterë e përplasje kambësh prej anës së Deputetënve “klikarë”.


66

BABATASI
(me vedi)

Ky po folka pravo, zdravo....

Kryeministri i ban me sy Kryetarit, që t’a kpusë bisedën.

KRYETARI

Pesë minuta pushim....
(çohet e del)

NJI DEPUTET

Bravo!
Se kjéçë thá krejt për duhan.

MIHAJL GRAMENO
(tue qeshë)

“Redingoti” me fistan....

Deputetënt dalin prej anës s’Asamblesë, shumica e madhe e tyne tue u zgërdhi njani me tjetrin. Kush ndezë cingarën: Kush shkon me pi ujë n’odë të katrovavet; kush rrethon aty njanin a tjetrin Ministër, për me i porositë për ndo’i zyre vllanë, akrabanë, mikun, bashkbesimtarin e vet, analfabeta, semi-analfabeta, delinkventa atëherë dalë prej burgut – sido kjoshin. – Nji palë flasin vesh m’vesh me kondrabandaxhi, ortakë të vet; tjerët futen në zyre të Kryetarit, ku, bashkë me té intrigojnë për punë të moratoriumit të Korçës, për punë të “misrit” të beglervet të Tosknisë, për konop e jullarë beglerësh, për portogala nipash e stërnipash, për hekura e materjal tjetër lufte t’ushtrivet të hueja, për plane qytetesh e kryeqytetesh, për nandëmijë napoljona t’udhës së Durrësit etj. etj. etj. Ka asish, mandej, që, hû m’kamë para njanës a tjetrës tribunë, xânë kuvend me njanin a tjetrin Ministrash dragomanash të huej. Mbrenda odës së katrovavet e m’prak të dritarës së saj, thye xhamash, që ep m’odë të shkallës, nji sheqerxhi Tirane, ortak me nji deputet shkodran, ka qitë me shitë hallvë, sheqera të kuq me “gjela” m’krânde, limontoz, xhixhi-birrë, mastikë, voe të zijme etj., si me thanë se ka çilë nji “bufet” për parlamentarë. Nji malsuer i Mbishkodrës i kshtênë, qi, tue u ndodhë në Tiranë, kishte pasë shkue me ndie bisedimet e Asamblesë, pvetë nji muhamedan malok prej Skraparit: A turqe kanë folë apo arumçe? – Jo, kanë folë rumunçe, ia kthen ‘iskraparasi. Odat e komisjonevet vlojnë me deputetën, si verës kjori me miza. Dikush, vesh m’vesh me ndo’i mik të vetin, flet turçe, kush grekisht, e të gjith nji shqipe mushke, të bastardhueme, me terme e trajta djalektale të ndryshme. Tash a ma vonë, aty – ktu ndër ta ndihen fjalët “demokrat”, “aristokrat”, “diktator”, “feudal”, “vagabond”, “vagabondazh”, “analfabet”, “pasha Shqipninë”, “për flamur”, “i poshtërm”, “të poshtërm”, e këso fjalësh të tjera bihude. Dikur del Kryetari prej zyrës së vet. Kafazi i bjé ziles e Deputetënt, kokrra – kokrra e pritueshëm – si me kenë tue shkue me ruejtë ndonji të dekun – hinë n’anë t’Asamblesë. Si bahet numri legal, mbyllet dera e kuvendi zen fill.

67

KRYETARI

Kryeministri fjalën ká.
Veç, zotni, u baj rixhá
Fjalës sho-shojt ndêsh mos me i rá.

KRYEMINISTRI

Ndiç, zotni, si kjeshë tuj thanë,
-Se për gjysë fjalën paçë lanë, -
Qeverija ka ndër mênd,
Me punue shumë për ketë vênd –
Për ketë shtet....

NJI DEPUTET OPOZITAR

Oksidental....
(si me gaz)Uh! Po, “zoti” Kryetar; m’fal.

KRYEMINISTRI

Kjo njiherë, si thashë ma parë,
Çarmatisë ka popllin mârë;
E prandej, pa mûnd aspak,
Sod mund t’çohet ligja m’cak,
E, “xhelèp”, “pagë” e “vergî”
Mund do t’mirren edhe n’malci.

DISA DEPUTETËN QEVERITARË

Mirë, mirë fort.

KRYEMINISTRI

Mandej, zotni,
Tham asht mirë që edhe ndër né
-Si kudo njeti mbi dhé –
Veç nji ligjë t’hijë n’punë gjithkund:
Në qytet, n’malci e n’katund,
E, kanúja t’zhduket fare,
Që asht nji ligjë kryekput barbare.

TARAVOLI

Mirë, po thue do t’kesh mendue,
Cillat ligjë mandej me u vue
Në zbatim ndër male t’ona,
-Ç’ mer prej Matit té Valbona –
68

T’cillave vetë Turku i Azisë,
Që aq t’madh dàm na i suell lirisë
Për pesë shekuj rresht e rresht,
Kurr kanún me u prekë nuk desht.

KRYEMINISTRI

Ligja e shtetit, merret vesht.

TARAVOLI

Por kjo ligjë â ‘i ligjë e hueja –
E Turkisë; ndërsa kanúja
Asht nji ligjë, po, fjesht shqiptare
E, prandej nji ligjë kombtare,
Pse ngjallitë prej shpirtit t’kombit.
Pra nuk bân që prej avromit
T’Asamblesë të shuhet fare.

KRYEMINISTRI

Po, por ligjë asht kjo barbare.

TARAVOLI

Si e Turkisë.

KRYEMINISTRI

S’asht njâ për njâ,
Kujtoj un. Por, me gjith kta,
Për n’pastë t’meta mexheleja,
Sod, qi mbledhë asht Asambleja,
Ajo mundet me u qortue,
Shka ka t’tepërm tue e krekcue,
E shka t’mangtë tuj e plotsue.

TARAVOLI

Mirë, po pse, thue, t’mifim n’ujë
Tue qortue na i’ligjë të huej
As ma mirë t’qortojmë ligjët t’ona?
Të qortojmë, po, sado vona,
Kanún t’onë? Pse edhe, zotni,
Mexheleja s’hin n’hullí.
69

KRYEMINISTRI

Jo po; hinë. Pse s’hinë?

TARAVOLI

S’hinë, prá.

KRYEMINISTRI

Hinë.

TARAVOLI

S’hinë, laholevela!
Veç për n’daçim që Shqipnija
T’turqizohet.

KRYETARI

Lum zotnija,
Jeni jashta rendit t’ditës.

TARAVOLI

Si urdhnon.

KRYETARI

Mbi kanún t’Mirditës
S’mund t’ia vêmë na bazën shtetit....

TARAVOLI

Por as m’Mexhele t’Dauletit
Jo.

KRYETARI

Néjse.

KRYEMINISTRI

Mandej, zotni,
Tash qi n’vend po ka qetsi,
Na e kem’ bâ me mênd pleqni
Me çilë rruga sa mâ shum....

70

BABATASI
(me vedi)

Shkulmit t’Drinit kulihum.
Mbani ato, që janë, njihera,
Mandej çilni rruga tjera.

KRYEMINISTRI

Kshtu ndër mênd, edhe, na e kém’,
Nji urë m’Mat me lshue, e nji m’Cém,
Dy m’Shkumbin e tri m’Devóllë.

BABATASI
(me vedi)

Edhe nji Tiranë – Stambóllë....

KRYEMINISTRI

Atëherë na kemi bâ
N’skelé t’Durrsit nji limâ....

NJI DEPUTET OPOZITAR
(me ironi)

Mos harroni me vû fnerin.

KRYEMINISTRI

Kem’me nisë edhe inzhenjerin
Për me mâtë Drinin e Bunën,
E mandej me xanë fill punën
Sa mâ parë. Por prap pleqni
Na e kem’ bâ, me nji shoqni
Me u marrë vesht – me ‘i shoqni t’huej –
Për me thá....

BABATASI
(me vedi)

Me mifun n’ujë....

KRYEMINISTRI

T’tana knetat e bregut t’detit;
Edhe mbrenda këtij vjetit
Nji udhë hekrit fill me zanë
71

Ç’ merr prej Durrsit der n’Tiranë.
Prap ndër mênd ka Qeverija
Me pré pare....

NJI DEPUTET QEVERITAR

Lum zotnija,
Sa për pare kish me t’lutë,
Tash për tash fort mos me u ngutë.

NJI DEPUTET TJETËR QEVERITAR
(nën zâ)

Pse thue jo? Asht mirë qi shteti
Pare t’presë, si gjithkund n’jéti.

DEPUTETI I PARË QEVERITAR
(nën zâ)

Mirë, mor’burrë, por un po drue,
Se mandej kèm’ me u pendue,
Pse ka gjásë qi me ato pare
Kjo Financa e jonë shqiptare
Ka me lá rrogat për né
E aq mênd n’krye, kujtoj, ti i ké,
Sa me dijt se ‘i “Lekë” i joni
S’kapet kurr té “Napoljoni”:
A t’hinë n’krye kjo punë ndopàk?

DEPUTETI I DYTË QEVERITAR
(nën zâ)

Jo, po, ktu jé tue folë hàk.

KRYEMINISTRI

Tashti pra, zotni, po shihni
Punën vetë edhe po e njihni,
Se – me dashtë me folë me arsye –
Qeverija mirë ka krye
Njat detyrë që vû i ka kombi.
Prandej tjetër s’kém’ shka thomi,
Veç se presim “vot-besimin”
Pre’Asamblesë, edhe pelqimin
Për ketë vepër t’Qeverisë;
Pse edhe sod shteti i Shqipnisë,
Npër veprim t’ksaj Qeverije,
Ka shtërngûe néje miqsije
72

Me të tana shtetet tjera.
Prap shpresojmë se, tue dalë vera,
Kém’ me marrë do pare uhá.

Deputetënt qeveritarë rrahin shplakët si të tërbuem, ndërsa t’opozitës përplasin kambët. Terrtabucleci, Kryekortolla, Kalangerrçi përgzohen me Kryeministrin, i cilli – mbasi vetë as i marrë as bihude s’asht – ua ep dorën disi përdhûni.

KRYETARI

Ka fjalën Hundëleshi.

HUNDËLESHI

Ngjá
Kryeministri askund s’ia ká
Me njato makllada t’mdhá,
Që ktu mbrendë tash na i ka thá
Mbi veprim të Qeverisë
Për t’ia sjellë t’marën Shqipnisë,
Tue na thanë jo ç’ka punue,
Por shka n’mënd ká me veprue
Për Shqipni, kushdi se kurë,
Herë me ‘i rrugë e herë me ‘i urë,
Tash me lumèj ‘e tash me kneta,
Tash me sa tjera fjalë t’shkreta,
Me t’u bâ se asht fàll tue qitun,
E jo mâ se do me shndritun
Asamblenë mbi gjendje t’Shtetit
E, mbi përdorim t’pushtetit,
Që atij n’dorë kombi i ka lânë.
Pse s’na thotë, se ç’i ka ngrânë
Njatà ‘izet miljon frank ar,
Që për vjetë Kombi shqiptar
Qeverisë dorzue ia ká?...
Ndo’i detyrë me tó a thue, u lá?
A u çil shtek, a u thye kund vá?
Punë a u kap, a u nis kund rângë?
A por t’gjith ndër shqekë janë shmângë –
Shmângë ndër shqekë té dó zyrtarve –
T’dó zyrtarve – e kumarve
Të Partisë – e t’Qeverisë,
Që kanë hypë m’kurriz t’Shqipnisë?...

KRYEMINISTRI

Protestoj rrebtë për kto fjalë.

73

HUNDËLESHI

Lutem fjalën mos me m’ndalë.
Se na bár nuk hamë kurrnjani,
Edhe dijmë sa ban bostani
E sa kastraveci. Kombi
Ka dhanë pare ktu: Lè t’thomi
Ku kan shkue kto pare t’shkreta.

KRYEMINISTRI

Kqyr budgetin, t’u ngjatët jeta,
E, atëherë fol.

HUNDËLESHI

Dokrra! Pallavra!
Se un e dij ç’janë kto paçavra,
Kto shtupa letrash kote
Që na i qet zotnija jote
Ktu përpara. Në budget
-Për budget mbasi po flet –
Lum zotnija asht dhanë “kredija”
Rrumbull për pesë mij ushtarë,
Ndërsa sod nuk ké, gjithmarë,
As dymij ushtarë nën armë.
Si po shef, budgeti â i larmë.

KRYEMINISTRI

Nuk asht e vërtetë.

HUNDËLESHI

Zotni,
Asht e vërtetë. E, un e di,
Se me paré e gjak shqiptarit
Janë tue u mbajtë do qéj pazarit –
Do bihúde e derbedérë.
Të pa ród e nierz t’pa ndér,
Si edhe ndodhë ka tash n’e vona,
Me dhanë shteti napoljona
Për t’lá borxhe kumarxhish,
Borxhe t’turpshme batakçish.

BABATASI
(me vedi)
Kshtu i dó mushka drutë....
74

HUNDËLESHI

Mandej,
Jem’ tue pá si andej e ktej
Jem’ rrethue na me “afije”
Njerz të zot të çdo tradhtije.
E po: a Abdul Hamid ktu ká
Që m’iu dashtë shtetit me lá
Paré “afijesh”....

Ktu Kryeministri vrânë vetllat; Terrtabucleci përhapët; Veshllapota kotet.
Kryekortolla flenë.

Ç’taksirat
Ka – pves un – Shqipnija e ngrâtë,
Ku s’ka populli bukë me ngrânë,
Qeverisë n’budget me i dhânë
“Fonde t’mshefta” për “afije”
E për “qejf” t’ndonjaj Partije?...
Se budgeti, or zotëni,
Në nji shtet, ku, si n’Turki
E si ktu, po, në Shqipni,
Parlamenti as Qeverija
S’duen me dijt se shka asht “Vllaznija”,
Shka “Lirija” – e “Barazija” ,
Tjetër s’asht veç nji pelhurë
Marimanget endë tërthuer
Për me xânë me té ndo’i mizë....

KRYETARI
(tue u çue me dalë)

Ktu bisedës po i hjekim vizë.
Beledija e Kryeqyteti
Na grishë n’darkë n’hotel t’Ismetit.
Prandej, lutem, n’orën tetë
Sonde t’gjith aty me u gjetë.
(Dalin).

75

Rruga e Dibrës – Tiranë

BABATASI
(me vedi)

Besà-bésë, si m’duket mue,
N’shkojshin punët si kanë fillue,
“Popullore” as “Opozitë”
S’kan me qitë kurrgja në dritë;
Mú po drue fort se njiditë
N’bèlá shtetin kanë m’é qitë
Shoq me shoq tue u kacafitë.
Dishka m’vjen se jam tue ndi
Erë baroti npër ajrí....

NJI POLIC

T’u ngjatët jeta! Zotëni,
Komisari n’Polici
Nesër t’pret, “ora më tetë”.

BABATASI

Po, për ç’punë? – A ban me t’pvetë?

POLICI

Sod kanë ardhë e bâ davá,
Kin’ demek se ti i ké rá
Kamxhik qafës nuk dij se kúj.

BABATASI

Kâm me ardhë, jo, po mos drúej
(Polici shkon)
A shef ti! Paska paditë
Kambë- kujrrili i faqes ngritë....
Gjâ njimênd për t’u çuditë
Puna e atij zogut gomarit
Që páçë blé prej katundarit
N’rrugë t’Kavajës. Asht nieri s’parí
Mandej bahet zog gomarí;
Atëherë nieri prap se prap,
Edhe lshohet, madje vrap,
Me paditë té komiseri.
Si asht kjo punë: Gomar’ e nieri!

76

AKT’ I DYTË



NEOSHQIPTARËT


Hoteli “Internacional

Të gjith mbasditën vlon puna në “Restaurant” të “Internacjonalit”, për të bamë gati “sofrën” për ministra e deputetën. Ndihet krisma e tryezavet kah përbaren prej njanës anë m’tjetrën të “Restaurantit”. Vetë Ismet Efendija drejton punën, tue i dhanë urdhna herë njanit herë tjetrit ndër sherbtorë. Edhe tryezat vehen ndër vende e mblohen me sofrabeza, aviten karrigat, bárën gotat, shishet, boskat, çinijat e gjithshka lypet për me shtrue nji sofër për zotni. Ismet Efendija, tue pa se Koço, i pari i shërbëtorve, po shtronte mbi nji tryezë nji sofrabez që nuk ishte krejt i pastër, i thotë:

ISMETI

Ç’bën, or’ Koço?.... Tyke parë
Se tavolja është e pa larë,
Pse t’a shtrosh m’trapez s’e dij?
Shtro një tjatër. Pastërti
Lypset për n’hotel!

KOÇO

S’ka gajle,
Zoti Ismet. Pse gjith kjo lajle
Për ca dylme delenxhi,
Që gjer ndër paçaxhi
Kanë fâ barkun me mëlçi
E me speca – e kastraveca,
Pështetë për dy copa dërrasa
Të tërë neje e të tërë plasa,
Keq mbërthyer n’dy këmbaleca,
Që londiten porsi shtrrjegullë,
Njërën këmbë zerë me një tjegullë,
Sofrabeza është mjaft e dlirë,
Rrahë n’ujti e.... s’ka m’e mirë:
Pse ta ndërroj, tash, kèsh t’a dija?
Për ata myshterit’e tija
Haxhi Filja mbi trapeza
S’e ka adet t’shtrojë sofrabeza
As të lara – as të palara.
77

ISMET EFENDIJA

Ç’janë, or’ Koço, kto dumbara....
Se ata neve i kem’Ministra,
Direktora e Deputetën....

KOÇUA
(nën za)

Mirë do t’bëjnë të blenë kapistra,
Për t’a varur në to vehten.

ISMETI

Janë ogiçat me kumbonë,
Të cillt kombi i zgjodh tash vonë:
Përandaj detyra t’onë
Është që neve t’i nderojmë,
-T’jenë si t’jenë, po – dhe t’i çmojmë
Gjer sa t’gjinden n’at detyrë.
(Ganiut, drejtorit të gjelltores së Hotelit)
Tani ti, Gani, a ké kqyrë
P’r ato pula e gjela deti
Në janë pjekë a jo. Pëveti
Shërbëtorët për “majonezën”
A ësht gati; përse trapezën
Un do t’shtroj. E, kqyr, Gani,
N’gjithshka t’ketë pastërti:
S’ka p’r ‘i “rostarant” reklam
Më të mirë se gjellët pa vjam,
Vera – verë, raki – rakija,
Birra e ftohtë, hesapi i dlirët,
E mbi t’gjitha pastërtija,
Me fjalë t’ëmbla, erz e shpirt.

Prendon dielli. Tiranasit endën e shendën rrugave të qytetit, si të burgosunit n’oborr të burgut; merzitshëm. Nisë ndriçimi i qytetit. Aty – ktu nëpër dritare të do shpijave shifen kè xhixhillojnë do “stearinë”. M’minare të xhamisë kundruell “Internacjonalit” në njan’anë hidhet nji zhel kuq e zi, i dalun bojet: Flamuri kombtar; në tjetrën varet nji fener, me nji qiri vjami ndezun mbrendë. Nji fmij, me nji vandak gazeta nën stjetull, gërthet: “Ora e Malevet”; nji tjetër: “Republika”; ma përtej: “Dajti”, “Opinga”, “Kombi” etj.
Në kafehane t’ “Internacionalit” do deputetën kan xanë vend ké ‘i tryezë e veçueme në nji skutë të salonit. Tash e ma vonë ndihet shegerti tue bërtitë: Një kafé! Tri “mastika” me meze! Një çaj! Dy deputetën – njani “popullor” tjetri “opozitar” – kaherë ia kan nisë me luejt tavëll, e ndihen kè, herë njani herë tjetri, tue njeh “zaret”, thonë: shesh-besh, besh-dort, gjihar i se, se-jek, iqi-bir, hep-jek, dy-shesh etj. Nji deputet, që me dy a tre vetë tjerë rrité tue i shikjue, thotë si nëpër dhamë:

78

“Popullorja” brigje-brigje:
Digje, Bedri Peja, digje!
(Gaz në salon)

Rruga e Dibrës

Djelmnija e zyrevet të Tiranës, për rasë të hapunit t’Asamblesë, ka organizue nji “fjakolata”. Do ksi djelmsh, janë para me flakadane në dorë, e shumë nxanëse e nxanësa shkollash, përcjellë prej mësuesvet, bijnë rrugave të qytetit tue këndue kangë kombtare. Kur mbrrijnë para “Internacjonalit”, gadi të gjith deputetët, ministrat e të tjerë të grishun, gjindenin kush në “kafe”, kush më “trotoire”, kush edhe në “restaurant” të hotelit. Ndijnë kangën e poterën edhe të gjith derdhën në rrugë të Dibrës, ku ndodhen disa të tjerë të pa punë e apatikë. Aty ndalet “fjakolata”. Atëherë nji dallkauk hyp m’nji karrigë – samârë e ia nisë me folë me të madhe e me nji zâ ushtori:

O ju hallk! O kallabllek!
Efendëm....n’kté ditë....demêk....
Asambleja e çel më së pari:
Dovlet m’vehte u bë Shqiptari....

NJI TJETËR DALLKAUK
PREJ POPULLIT

Sorrën m’ballë e kryqën m’krah....

DALLKAUKU
(me vedi)

Tobe estagi furullah!
(me të madhe)
Çynçi neve jém’ Shqiptarë,
E, jo grekë ose bullgarë,
S’jem’ kristjanë as muhamedanë
Se né “Ingjill” edhe “Kuranë”
Hjedhë i kemi mbi tavanë.
Besà t’ënë ësht Shqipërija
(me vedi)
Meazallah!
(me të madhe)
Se né kisha edhe xhamija
Na kanë darë – na kanë përçarë
Si mos t ‘i’m trima Shqiptarë:
Gegë me opinga.... e Toskë me çizma.
Poshtë dasija e fanatizma!

DO KASAPË
(gabimisht)
Poshtë Shqipnija!
79

DO MUHAXHIRË
(tèk s’kuptojnë fjalët e oratorit bërtasin)

“Rroftë” Turkija!

DALLKAUKU

Shqipërin’ né e kemi bërë,
Me gjak larë e kemi të tërë.
Smajl Qemajli, një dëshmor
Me ‘i guzim fare madhshtor
Erdh nga Beça me pampor
Ngriti flamurin në Vlorë,
Dhe muer qeverinë në dorë;
E, për Shqipërinë e gjorë
Bëri luftë me tradhëtorë:
Me Izet Pashajn....

DIKUSH PREJ POPULLIT

Me Esat Pashajn....

DALLKAUKU

Po, me Esadin – pastë rahmet –
Atdheun nxori n’selamet....
Rroftë Flamuri kombëtar!

NXANSAT E SHKOLLAVE

Rroftë Flamuri kombëtar!

DALLKAUKU

Se né jemi “oksidental”,
Kém’ namuz e kém’ moral.
Dhe jém njerz me karaktérë
Fjalën fjalë punën me ndérë....

BABATASI
(nën zâ)

Elè mâ, po ndër teftérë.

DALLKAUKU

Për Shqipëri vdesim të tërë,
Se ktu s’ka, jo, më begllerë:
80

Neve jemi demokratë
Me “kapello”, me “kravatë”,
Edhe jémi liberala....

BABATASI
(me vedi)

Me “tanuz”....

DALLKAUKU

....e intelektuala.
Duhen mbyllë shkollat private,
S’ka kush tager edukate
Përposë shtetit. Se edhe kleri
Dasinë n’popull don ta shtjeri
Me theorira dogmatike
Për qellime politike,
E, kè s’don që muhamedajtë
Të martohnën me t’krishtera,
E, as don që kalamajtë
T’zënë në shkolla të përzjera
Çupa e çuna, pa kqyrë fera
Të zënë dije e marifet
Për t’qitë kombin n’selamet:
Për t’i sjellur lumtërinë
Se kristjan – e muhamedan
Sot, shyqyr, jem’bark e shpinë....

BABATASI
(me vedi)

Njani sjellë e tjetri mbarë....

DALLKAUKU

Por kem’ vllezërt kosovarë,
Kosovarë, po, edhe çamërjotë:
Shqipëtarë shumë patriotë:
Që po vuajnë nën zgjedhë të barbarit,
Sëpse janë gjak Shqipëtarit.
Ësht detyra t’ënë prandaj,
Burrë e grua e kalamaj
Që t’i fusim n’Shqipëri:
Të mos i lëmë të heqin zi.
Për nën Sllav’ e nën Greqi.
Rroftë Kosova me Çamri!
Rroftë Flamuri kuq e zi!
81

Rroftë sa malet Qeverija!

ZYRTARËT
(tue rrahë shuplakë e tue britë)

Rroftë sa malet Qeverija!

NXANËSAT E SHKOLLAVE
(tue britë të madhe)

Rroftë Flamuri! Rroftë Shqipnija!

DALLKAUKU
(tue vazhdue turbull)

Muhamedanët, pa këqyrë fera,
Edhe s’don që në skoli
Çupa e çuna bashkë përziera
Të na rriten n’dituri
Si ato lulet n’një saksi.
Konferâsi i Lundrës bëri
Shumë një gaffe kur prej një zëri,
Po thua tërë Dipllomacija
Avropiane, Franca e Anglija
Dhe Rusija vún dorë
Që nga Shqiptarija e gjorë
Mbarë Kosova të shkëputesh
Dhe, n’Çamri Greku të futesh.
Rroftë Kosova me Çamri!
Rroftë Flamuri kuq e zi!

Deputeti dallkauk ulet prej karriget.
Hyp Mati Logoreci

NJI NACJONALIST
(bërtet sa kurr ka në krye)

Rrnoftë! Rrnoftë veterani i Arsimit!

NXANËSAT E SHKOLLAVE
(në brohori)

Rrnoftë! Rrnoftë veterani i Arsimit!

Luigj Shala ul sytë, Ndue Paluca vrâhet, Aleksandër Xhuvani kthen në shpi, Hilë Mosi hin në kafe e lyp nji “uzo”, Gaspër Beltoja thotë “Oll rajt”!, Gaspër Mikeli ved me vedi thotë: do qitë edhe nji mësues muhamedan me folë.

82

MATI LOGORECI
(tue u falë nderës t’ulun të kresë)

Zotëni! – Pa histori,
S’ka jetë kombi, as s’ka gjallni.
Historija né ma s’miri
Na difton se n’shekull niri
Nuk do të shkojë hiri e pa hiri:
-Kudo rasha – mos u vrasha
E si thonë: hallakatrum;
Por me mûnd e me mênd shum,
Si n’qytet ashtu n’katund,
Për n’mos dashtë që kulihum
T’bjerë e t’mbytet n’ujë t’pafund.
Edhe na, pra, sado vonë,
Do t’a kem’historin t’onë,
Pse ndryshe Shqipnija e shkretë
S’ka gjallni as nuk ka jetë.
Veç se shka? Se me reklame
E me rrêna e me korrnâme
Nuk po shkruhej Historija.
Qé, po zamë nji ky zotnija,
Që ktu foli para méje
Shum do sênde fill prej kréje
Trillue i ka e qi n’Shqipni
Nuk kan ndollë – kè un mûnd t’a dij.
A se, ndoshta edhe kam ndollë,
Por jo kshtu si e túer ky hollë.
Thá, bjè fjala, ç’m’herë të parë:
“Çynçi neve jem’ Shqiptarë
E, jo, grekë a se bullgarë”.
Bullgarë jo – por grekë tham po.
Grekë e turq e serb der m’sod,
Që n’Financë s’u bâmë na zot,
Ka pasë vendi, besà, plot:
Gadi t’gjith Shqiptarët e sotit
Serb a grek a turq kjenë motit;
Se Shqyptarë, fis i Kastriotit,
Kè e dij un, kurrkush s’ka kênë,
Për posë se nji grusht të kshtênë,
Do malcorë e katundârë
Që n’Financë s’kân pasë kurr zár,
Shì për kta qi ishin Shqyptarë.
Prandej s’dij përse a ndopak
Me i zânë n’gojë kto fjalë n’sokàk:
Djé turq, serb e grekës ç’i bani
Sot Shqiptarë s’e dij....

83

NJI GJIMNAZIST

Sahâni!
(gaz ndër nxansa)

MATI LOGORECI

Mandej prap, zotni, oratori
Po na thotë me zâ ushtóri,
Due me thânë me zâ të naltë,
Rrumbullak tue theksue fjalët
Porsi t’ishin të vërteta
E, jo dokrra e fjalë të shkreta:
“Shqipërin’ né e kemi bërë
Me gjak larë e kem’ të tërë”.
E din vetë, kujtoj, zotnija
Se janë rrêna kto fjalë të tija,
Se ai Shqipninë nuk e ka bâ.
Ai ka ndêj n’borë e n’murrâ,
N’Tarabosh e kah Tetova,
Zi tue hjekun si sarova,
Edhe asht thá e bâ tërfurk
Veç për t’lânë Shqipninë nën Turk,
Për nën thundër të Sulltanit,
Ndërsa tjerë shqiptarë “sahânit” –
-Leprin n’bark e dreqin n’kokë –
Kjen kapë fyt-a për tokë
Kush Shqipninë Grekut m’ia shitë,
Kush n’Shqipni Serbin me qitë,
Por jo kurr Shqipni me mkâmë,
S’kjem prá nà Shqipninë q’e bâmë.
Tjetër kush Shqipninë ka bâ,
Se na vetë, haram!: Kurrgjâ!
Záti gjâ kurr s’kem ndërtue
Veç shka prish e shka rrënue;
Na veç, po, kur kemi pá
Se kund shpnesë mâ nuk po ká
Për me e bâmë Shqipninë me kjá
Për nën Turk a Grek a Shkjá,
Atëherë ngrefë kem’Qeverinë
Sa për t’marrun n’dorë fuqínë,
Për me repë mandej Shqipnínë.
Po, por tjetër âsht Shqipnija
E, prap tjetër Qeverija:
Për liri të Shqiptarisë,
Përposë burrave t’Malcisë,
Kurrkush nesh s’ka luejtë nji gur,
Megjithëse kryq e tërthuer
84

Po derdhë pare sod Tirana
Për “patriot” e “veterana”,
Për “dëshmorë” edhe “therorë”,
Ktij mbaj çunin, atij çupën,
Asajë me pare mbushja kupën,
Kin’ demek për grue “deshmori”.

ÇAKO
(Babatasit)

Besà, pra, s’thotë keq Matija:
Sado qi kto fjalë të tija
Shum ndokujë, q’i kem’ për ngjat,
S’do t’u bijnë tham për shtat;
Pse e vërteta asht kjo, zotni,
Që për komb e për liri
E, për t’mjerën moj Shqipni
Kanë luftue malcorët e shkretë,
Ç’merr prej Krujet e përpjetë.
Se ortodoks, muhamedan
-Qi rrim sod me lugë n’sahan
Kush dëshmorë, kush veteran –
Për Shqipni kurrgja s’kem bâ
Mè sa plàk e kalamá.
Çka â ortodoks, ka dashtë Grekinë,
Karadakun e Serbinë;
E shka â turk, ka dashtë Turkinë.
E vërtetë, se mâ se ‘i herë
Na ortodokst kem bâ poterë
Me turki, po ti e din vetë,
Jo për ketë Shqipninë e shkretë.
A po turqt? A për Shqipni
Sa herë grî janë me Turkí?
Po, tamam, pra! Për bidate,
Për ndo’i Pashë, ndo’i kallavrade,
A për t’rrasun ma mirë zhabën,
Por gjithmonë, po, për t’mbajtë “babën”
Në Shqipni....

BABATASI
(Çakos)

Jo, mirë po thue,
Kshtu m’dan puna edhe mue.
Megjithse ndoj Belkameno
Ase ndo’i Mihajl Grameno
Aty-ktu asht gjetë n’Toskni
Për me rrokë armët për Shqipni;
85

Si edhe ka zotni korçarë
T’cillt kanë kênë e mbetë Shqiptarë
Tue vue gjânë n’rrezik e jetën,
Edhe n’kohë n’t’cillën të shkretën
Mori Korçë Greku e pat shtrue,
Prap se prap, drejt me kallxue
Malësori ka luftue
Kurdoherë për Shqiptari,
Për liri e për kombsi,
E, për Flamur kuq e zi.
Záti s’ka Shqiptar t’vërtetë
Veç prej Krujet e përpjetë.

MATI LOGORECI

Për mâ tepër oratori
Kshtu bisedën gjatë e tori:
“S’jém kristjan as muhamedan;
Se né “Ingjill” edhe “Kuran”
Hjedhë i kemi mbi tavan;
Besà t’ënë ësht Shqipërija,
Se né kisha edhe xhamija
Na ká darë, na ká përçarë”.
Kinse kshtu se sod ndër né
S’kqyr mâ kush besim, as fé,
Veç kombsi, liri e Atdhé.
Edhe kjo, zotni, asht rrênë;
Pse si motit qi ka kênë
Kshtu edhe sod shka asht Shqiptar
Asht dintar a se fétar
E â der n’thundër fanatik,
Njeni tjetrit fjesht anmik;
E për kryq a për “jebrik”
Veç pse s’ka, ndoshta, kërçik,
Se për ndryshe “adalet”
Kisht’ me bâm mbi shokë të vet.
Jo, po, t’tana kto janë rrêna,
T’tana rrêna e kaçarrêna,
Edhe petlla qitun n’ujë,
Pluhën sysh për gjinde t’huejë:
Thue se t’huejtë janë teveqela,
E, jo mâ do biramela
Me t’dhânë voen, besà, pa t’kuq,
Me t’shitë gogla për kakruq.
Janë pallavra, zotëni,
Fjalët që t’madhe ktu n’çarshi,
Porsi t’ishte n’nji ùk shpati,
Petulloj tash deputati:
86

“Se kristjan e muhamedan
Janë, shyqyr, sod bark e shpínë”.
Ah, jo, n’thes minarja s’hínë!
Se kto fjalë stereotipike
Janë këlbaza e njaj “klike”,
Që, strukë mbrapa Qeverisë,
Do me sjellë punët e Shqipnisë
Mbas hesapit të Turkisë.
Ktu, po, asht “soni”. Nuk janë gjâ
Këto fjalë, jo. Për me bâ
Që Shqipnisë t’i epet e mâra,
Ktu njiherë e pikë ma e para
Doemos lypet, që n’mjet t’vetit
Të gjith qytetsat e ktij shtetit
Shoqi-shojnë t’a mbajnë për vlla;
Se për ndryshej Shqipni s’ka.
Mbasandej lypet drejtsija,
N’mos daçim që t’hupë Shqipnija;
Por drejtsi, jo hipokrizi
Për t’mos tjerrë punët tortë
E ujë për t’mos t’bartë me shportë,
Lypet, po, nji dorë e fortë,
Që, me t’butë ase me dhûnë,
Drejtësinë me qitë në punë.
Sa për fjalë qi ktu oratori
Varg për muhaxhirë na i tori
E vërtetë se na detyrë
Kém’ me pritë edhe me i kqyrë,
E për bukë mos me i lanë keq:
Por për bukë, jo për përpeq.
Pse edhe askund s’asht punë urtije
Me vú shteti zota shpije
Muhaxhirët ndër né. Nji nieri,
Që s’ma ká plâng as shpi, bâ zhiri,
Që prandej shka me djêrrë s’ka,
Veç çka me fitue, bèlà
Manà, mund t’i gjindet shtetit
N’politikë a n’punë të budgetit;
Sidomos, po, n’punë t’budgetit;
Pse kollaj mund t’i hánë shpina
Me pasë vila e automobila,
Me mblue n’Bankë “Rushpa” e “Sterlina”;
E, aj që kjé der djé “teneqe”,
Me blé mylk edhe qiflleqe,
Edhe kshtu lânë me u rritë thojt,
Shqipnis s’mjerë edhe patkojt
Me ia hjekë, se mâ likurën
Po se po: Herë shto “faturën”,
VAZHDON
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi sundimit të gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”: Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko - Jerzi Popielushko

Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin! Fritz Kolë Radovani
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4133
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
GOMARI I BABATASIT - AT GJERGJ FISHTA, Posted 10 Korrik 2009, 01:27
VAZHDON

87

Herë ngatrro ndër “konçesione”,
Tash ndër “djeta” e ndër “pensione”
Tash.... eh ku t’a di un i mjéri!
Veç se e di, që larg tefteri
Mund ta qesë popllin e ngratë,
Qi s’po i del as buka thatë,
Për me mâjë do zogj shqiptarit
Prej Sanxhak – Novi – Pazarit.
Prej Dobrugjet, prej Kosovet,
Prej Prishtinet e Tetovet
T’cillt po thonë janë Shqiptarë,
Brez mbas brezit m’gjèt të parë:
Fjesht Shqiptarë, po të gjith kotrum,
“Të lumt na, se shum, se shum”!
-Për zogj t’rikës, të cillt ndoj kllukë
Me zogj t’vet nën fletë i strukë,
Klluka thotë se pula janë.
Por i zoti qi ka dhânë
Voet e rikës me çilun pula,
Aj e di – ia di edhe ksula –
Se s’janë pula. Veç, kè atij
Mishi i rikës i shtjé lakmi
E pse drò se rika vetë
Zogj nuk çilë, aj kllukës nën fletë
Voet e rikës n’furrik ia qet,
Që t’i çil e zogj’t’i rrisë,
Tue kujtue se janë të vett.
Edhe kshtu, po, i zoti i shpisë
Nëpër kllukë, qi zogjt s’dallitë
Po ka rika edhe me shitë
Sa me ngrânë edhe pa bukë.
Ndiç po thâm, për popllin kllukë
Muhaxhirët janë fjesht Shqiptarë
Brez mbas brezit n’gjèt të parë:
Fjesht Shqiptarë, po, të gjith kotrum:
“Të lumt ná, se shum se shum”!
Por shka janë tamand, me thanë
Nuk po e dijte as birameli
Zotëni Pandel Vangjeli:
Veç se i njef zoti Salí
Vuçiterni: Biringjí
Ardhetar, besà, edhe kyt:
-N’dashtë se rima t’bâjë tehyt –
Atdhetar, po, e fjesht Shqiptar.
Jo, Shqiptarë me nandë likura,
Të trasha fort, edhe mendiz,
-Elè mâ mendiz për ura –
E mbi t’gjitha hoxhë telbiz:
88

Veç se hoxhë mjaft tekahyt,
Der sa kjé pa u bâ Shqipnija,
-Dikur Shqype, sod kjé qyqe –
E, endè bâ s’isht hoxhë modern,
Pa “çallmë” m’krye e mjekrrën shyt;
Pse aso kohe zotënija,
-“Çallmë” kur barte n’Vuçitern –
Po e kisht’ pasë punën n’telhyqe. –
-Asht uzdajë se Asambleja,
Me statute e ligjé të réja,
Ka me dijtë me i dalun zot
Kësaj Shqipnije për shum do mot,
E, me pritë që ndo’i “patriot”,
Ndo’i “dëshmor” a “veteran”
Mos t’a lshojë t’mjerën n’zalldan,
Veç për t’mbajtë lugën n’sahan.
Prandaj, t’thrrasim t’gjith nji zâni:
Rrnoftë Shqipnija!

NJI GJIMNAZIST

Edhe sahani....

Nxanësat e shkollave nisin me kndue Hymnin e Flamurit “Porsi fleta e Engjllit t’Zotit”. Kur fillojnë përkthesën “Bini Toskë, e bini, Gegë”, Babatasi, tue përcjellë kangën,
këndon nën zâ:

Bini, Toskë, e bini, Gegë!
Shoqi-shojnë shkoni tue djegë!
Bini n’pshesh! Bini n’laknorë!
Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë!
89



AKT’ I TRETË

NË RESTAURANT


Kryetari i Bashkisë së Tiranës e Kryetari i Asamblesë qendrojnë përballë e, me fesa të thijtë në krye, kanë xanë kryet e vendit. Mandej, Ministra e Deputetën e tjerë të grishun, ndër të cilët edhe BABATASI, janë ulë kush ndër vende t’caktueme, kush aty ku mbas gjaset i duket se asht té vendi. Disa shikjojnë jo vendin që mund t’u takonte, por nierin ngjat të cillit dishrojnë me ndêjë. Kshtu:
KRYEKUNGULLI me TERRTABUCLECIN; VESHLLAPOTA me KRYEMATAREN, SURRATQEREPI me FTYRFUDULLIN, KRYETULI me GOJOPANGEN, HUNDSPECI me HUNDKASTRAVECIN e tjerë, sidomos dallkaukë aty-ktu, rreth e rrotull. Diku atje poshtë ka xanë vend edhe MIHAJL GRAMENO. Në fund të salonit nji INSPEKTOR ARSIMI, që s’din shqip, pshty prej Turkijet në Shqipni. Në fillim mbi tryezë nuk ka pije, por Deputetënt lypin shumica birrë, ndokush edhe “mastikë”, edhe menjiherë u mblodhën tryezat me shishe birre, si lâmi i grunit me korba. Kush s’pijte, filloi me hangër minestrën që me kohë ka pasë kenë dikue(qitë) ndër çinija. Tue u çilë shishët e birrës, xen me u çilë edhe llapa e zotnive të grishun e nisin me bisedue, kush vesh m’vesh e kush t’madhe me shoqi-shojnë, tue thanë fjalë që me u ndie edhe skaj më skaj të salonit. Kah herë VESHLLAPOTA po flet dishka nën zâ me KRYEMATAREN.

DIALOGU I

Veshllapota e Kryematarja

VESHLLAPOTA

Si vjen devri edhe zamâni,
Me u seritë mbi vedi insâni!
Me u seritë me bâ çudi
Kè do punë mund t’bâjnë vaki,
Për të cilat kujton nieri
Se s’mund t’mbijnë hiri as pa hiri,
Por që rrotull tuj ardhë jeta,
Tue u endë moti ndër stinë t’veta,
Ato dalin fjesht t’vërteta,
Edhe bindet nieri i shkretë
Për shka mund të mbîj n’ketë jetë.
Qé, po zamë, sot njizet vjet
Me pasë kapë kush muhabet
E me t’thanë se i’ditë m’mbretni
Do t’na mbahej kjo Shqipni,
Shqipni e keqe – e krejt teneqe –
Un, për vedi, do t’kish thânë
Se até mêndt krejt e kânë lânë,
90

Se trûtë m’qafë atij i kan rá
E asht krejt potkojsh ai lá,
Me u ruejt n’timarhane t’ndryeme.
Mirë, po, sod kjo â punë e kryeme,
E un, zavalli, me ‘i kalë thîja,
Do t’vikas rrugve si fmîja:
Rrnoftë Flamuri e rrnoftë Shqipnija!

KRYEMATARJA

Meazallah! Se ç’kemi pritë,
Ç’kemi pritë – ma pá n’ketë ditë:
Me ia njitë vedit “Shqiptar”,
Arnaut – e npër pazár
Endu e shendu vi e vi
Përmbas Flamurit kuq e zi,
Tue britë t’madhe: Rrnoftë Shqipnija!

VESHLLAPOTA

E prá, e di, ti lum zotnija,
Se si vetë, po tash do mot,
-Kur ktu urdhnote tjetër zot –
E ná ‘i m n’ “fès” e n’ “redingot” –
Kam lá lesh pa kqyrë shka â mshira,
Me t’gjith njata shqiptarë qafira
Që i kam gjetë se për Shqipni
Kan punue, e për liri
E për Flamur kuq e zi
I kam rrahë, i kam mundue,
Tokë e shpi u kam pushtue
Shnjerzue u kam un vajzë e grue,
E i kam kalbë, besà, n’hapsane,
E i kam tretë syrgjyn n’Adane,
U kam dhanun mal e shkrep,
I kam marrun për gazep,
Un, po, vetë, po, bendenyzi;
Pse mehmurët që çonte Yldyzi
Ishin t’butë e s’ki’n kyvet
Për me e bâ Shqipninë terbjet....
Si kjé puna, tash, s’po di,
Qi ná u bâ né kjo Shqipni,
Kshtu, pa pritë e pa kujtue:
Punë që kurr s’e kish mendue!

KRYEMATARJA

Eh Shqipnija – lum zotnija,
91

Ajo u bâ, pse kshtu desht fati:
Diku fati – diku Frati,
Diku miku – diku anmiku,
Ku letrari – ku atdhetari,
-Që pshtue patën nga litari –
Elè Austrija – me singija,
Dér që s’mbrami u bâ Shqipnija.

(Dikush gugson të madhe në salon.)

Mkamsit bijnë “pilafin” m’tryezë. Nji palë Deputetën nisin me u xanë për punë të “pilafit”: kinse “pilafi” ka kenë tash 500 vjet e tektej – ideali i shqiptarvet, për mbas të cillit motit nji palë shqiptarë s’kishin marré e turp me pshty më Fé e Atdhé, më sa do tjerë s’kan turp sod me shkelë n’erz e besë e burrni.


DIALOGU II

Kalangêrrçi e Kryekortolla

KALANGÊRRÇI

Jo, po, vetë – e kam pa rrênë –
Kurr shqiptar – tobè! – s’kam kênë,
As s’kam dijt se shka â Shqipnija,
Shka Gegnija – e shka Tosknija,
Shka kombsija – e shka lirija,
As shka t’zijt asht Qeverija;
E as kam pasë un dijeni
Për at Flamur kuq e zi,
Që tue hjedhë rri për terthuer
Atje nalt mbi Prefekturë,
Ku pat kenë “hâna” dikur.
Se un tash vonë jam bâ Shqiptar,
Kur jam shkrue s’pari zyrtar
E mu lidh rroga n’frang ar.

KRYEKORTOLLA

Po a ‘imênd lypet që ‘i zyrtar
Domosdo të jetë Shqiptar
Për me marrun rrogat n’ar?
Se, as un kurr Shqiptar s’kam kênë:
“Shqiptar” do me thanë i kshtênë!

KALANGERRÇI

“Shqiptar” s’do me thanë asgjâ....
92

KRYEKORTOLLA

E po atëherë? Si me ia bâ?

KALANGERRÇI

Kollaj fort. Njiherë vên n’krye
Nji ksulë t’thijtë, disi m’njân’ sye,
Për me dajtë dishka rrebèl,
Edhe ngrihu kacagjèl
Mbi shokë t’ue: P’r’i burrë Shqiptar
Asht si “shan”, me kenë krenar,
Çehre-suz, brutal. Atbotë
Zén n’gojë Lékë e Kastriotë....

KRYEKORTOLLA

Allahile! – Se t’rashë n’fjalë –
Disa herë kam dashtë me t’ndalë
E me t’pvetë, shka asht ky Kastrjota,
N’gojë që e zânka ktu mbarë bota?
Turk a i kshtênë – a shka ká kênë?

KALANGERRÇI

Ky ká kênun nji krutânë:
Elez emnit i kan thânë
-Shqip, demêk, Gjergj kisht’ me ‘i ardhë –
Edhe ky, moj faqja e bardhë,
Paska kênë, po thonë, nji zdap,
Hukubet i madh, sa ‘i trap,
Me nji mjekërr për gazep,
Edhe kênë paska kasap,
Që nuk pritte veçse skjèp
Për “babajn” e teqes s’Krues,
(Kushrî i parë nga ana e grues....).
Qatje vonë – për ç’punë s’e di –
Paska rá Mbretit hasí
Edhe hikë e dalë kah Zhuba,
Ku na u bâkà me do cuba,
-Brac i keq – tue vjedhë ndo’i shtrrí,
Der’ që e kapin dy zaptí,
Dy djelmoça – si kaprroça,
Me mustaqe vesh e m’vesh,
Të cillt lidhë t’a çuen në Lesh
E, ta rrasën mbrendë n’hapsane.
Aty, atëherë, ky kopilane,
Tue ngranë kastraveca e fiq
93

Mori ethet edhe diq.
Diq e shkoi, si mos t’kisht’ kênë
As turk dinit, as i kshtênë.

KRYEKORTOLLA

E, m’atëherë pse m’e përmêndë
A ndopak, thâm, ketë belá?

KALANGERRÇI

Po, por t’kshtênët e mbajnë “iljá”.
Prandej ti, tue kênë zyrtar,
Për me u dukë se jé Shqiptar,
Njifarë vllaut me të krishtênë....

KRYEKORTOLLA

Meazallah!

KALANGERRÇI

Po ndonji herë
Ké nevojë – t’a zâshë me gojë
-Merret vesht: Kodër mbas bregut –
Emnin e Gjergj Skander-begut
-Sozyn ia bâmá! – Pse kshtu
E lypë puna sot ktu.

(Prap ndihet nji goksim i fortë në salon.)

MONOLOG

DAUD EFENDÎJA
Ish-mehmur i Turkisë, mbushë dy fulqitë, tue u përçápë e me
nji koshë bibe në dorë, vedi me vedi.

Po, po; sod Shqiptar un jam,
E Shqiptar për t’mbetun kam:
Fjesht Shqiptar e zog Shqiptarit,
Mjaft qi t’m’hecë mue rroga arit.
-Jo mâ, thonë nji palë, nuk bân
Nji turk dini, ‘i mysliman,
Kênë dikur tebaja i Mbretit,
Sod, “Shqiptar” m’ia njitë aj vedit,
Me britë rrugave si fmija:
Rrnoftë Flamuri! E, rrnoftë Shqipnija!
94

E mehmuri i nji Turkisë
Me marrë rrogat e Shqipnisë! –
Xhanëm, po, s’po them se jo:
Se mâ ná t’Dauletit jina,
As t’gjallë pa Daulet nuk kina,
Veç, p’r’i herë, Daulet s’po ká,
Mandej vetë, manà, n’belá
Kish’ me rá, pa ‘i mehmurjét,
Sado t’vogël, n’hyqymét
Të Shqipnisë, që, sado shkrét
T’mujë disi me gjeçenisë,
Mirë a keq, me u beshletisë.
Se manà, kaq qesatllêk
Ka kapë vendin sa, demêk,
S’ké pse del n’pazar aspàk:
Veç me u êndë , po, npër sokàk,
Me pi kafe – me çá llafe;
Se, për punë me bismiláhi,
S’ké shka bán n’pazar, valláhi! –
Veç se as kjo Shqipnija e jonë
S’po ishte, besà, ashtu si thonë,
Krejt e keqe – edhe teneqe.
Qé njiherë e pikë ma e pára,
Për me folë si e lypë e mâra –
Nji kjo e bardha Shqipni e jona,
Qi lánë rrogat n’napoljona –
S’po m’â vên mue gjunin n’bark
Që m’i a njitë un vedit “Mark”:
Me prishë ditt e ramazânit
E me dalë dinit e imânit.
Bilè.... nejse. Mbasandej
E dijnë t’vogjël edhe t’mdhej
Se un për dije jam krejt bèrr,
Lé e rritë, si thonë, në térr,
E se asgjâ, harâm, nuk dij.
Jo, për dije, dij pak fort,
Pse, kur un kam pàs kênë fmij,
Në mejtèp m’çojshin me zòrt:
Kshtuqi sod un, për kah dija,
Jam – si me thânë – mjaft bagti,
Nji sênd që, po, vetë Turkija
Si këlbazë m’pshtyni n’Shqipni:
M’qiti jashtë, shkurt llakërdija,
Kè asaj gjâ s’isht tue iu dashtë
Pa gjâ n’xhep e me byk n’rrashtë.
Por, po e zâmë se un dishka dij,
-Se prap Turku ktu n’Shqipni
Po sundon, si pat sundûe
95

N’ato kohë qi kan kalue, -
Sa meash, thue, do t’m’kisht’ dhânë?
Pesqind grosh n’muej, shum me thânë!
Po, por kjo Shqipni e jona
Rràsh njizet m’ep napoljona
Rrogë në muej, pósë se aq e mâ
Marr nën dorë. Eh!....shka me bâ....
Kshtu po e kishte kjo dynjâ:
Dy nën dorë e tri nën thue,
Un për vedi e ti për mue - ....
E pra vetë mezì me kndue
Që dij shqip: Se mâ me shkrue,
Pak e aspak. Do t’kuqem n’ftyrë
Me pasë kush me ndejë tue m’kqyrë
Kur vé imzan. Prandej me mhyr
Un nënshkruej akte zyrtare,
Kah për shkrim dora s’m’bân pare.
Pse, prá, tash, përse un dikur
Pata kênë tebaja i Mbretit
Edhe kênë pata mehmur
Nën Turki, Shqiptar sod vedit
Mos t’ia njés: Edhe, demek,
Prej Shqipnisë mos t’marr ajllék,
Mbasi sod un në Shqipni
Po i kam punët mjaft n’terezi?
Përposë ksaj – kam shum uzdajë,
Uzdajë t’ngulët e jo hava,
Mbasi kam un nji akraba
N’Ministri – ngjati, Zo’jetën! –
E kam miq do Deputetën,
Se do t’zgidhem veteran:
Kin’, demek, se un nji zaman
Qindrue paskam për vatan,
A, si thonë sod, për Atdhé,
Tue bâ nâmin n’turq e m’shkjé:
Turqt tue i vrá e shkjét tue i pré!
Ani turqit!....Sa për shkjé,
Lè se vrá nuk kam kurrkênd,
Por, mos tjetër, nëpër mênd
Sa kjé Turku në ketë vênd,
Do t’m’ket shkue kjo punë, thâm, shpesh:
Si me i bâ, demek, t’gjith pshésh.
Por për turq....a bân vâki?!....
Si m’kan shpifë ketë punë, s’e di!
Un kam plasë me i ndálë n’Shqipni,
Jo mâ, tash, shì vetë m’ia hí
E, kshtu m’turq me bâ kërdí!....
Ah pà! Pà! Pà! Rrêna! Rrêna!,
96

Xhânëm! Rrêna e kaçarrêna!
Un vetë turk, paskam pàs vrá
Turqit? Meazallah! Hatá!....
Diku veç ndoj Deputat
E ka hjedhë ketë fjalë për shpat,
Sa me e qitë punën në kllef,
Se, manà, mue gjithkush m’njef
Edhe e din se për Shqipni
S’kam bâ tjetër – kè un e di –
Der më sod, veç se ndo’i fmij.
Prandej fjala veteran,
Që kjo po ishte ‘i fjalë taljan,
Shqip mund t’thohet për taman:
Kastraveca për bastan....
Sido kjoftë, si veteran
Kam me pasë nji rrogë mujore
Prej Financavet shtetnore.
Prap Shqipnija – berqavers! –
Dy djelm t’mi, me t’cillt mjaft ters
Kam pasë punën, pse harâma,
Faqezez e dy kryeshtâma,
Zhytë ndër vese e ndër flligshti,
Sa as s’kam mujtë me i pá mâ n’shpi
E i kam pasë primênd havale,
M’i ka marrë e çue n’Itale,
Tue m’u dhânë bursa shkollore
Prej Financave shtetnore.
Edhe kshtu, n’saje t’Shqipnisë,
Ata tallen e gërvallen
Npër sokaqe t’Italisë,
Kin’, demek, po xamë terbjet,
Po xamë dije e marifet:
Endu e shendu poshtë-përpjetë,
Si ata mázat nëpër knetë!
(Ktu gukson njiherë të madhe)
Por kam pasë edhe nji cucë,
Nji gojëshkarpë, nji sybirucë:
Sa kam drashtë se ká me u plakë
Mbrendë në shpi, pa gjetë nafakë,
Pa gjetë kênd që m’ia ngâtrrue,
Tue ia dhânë, belanë, për grue:
Vajza rritë e bâ hargele.
Kur, qé, ‘i ditë Ministri i Arsimit
Çon e m’thrret me shum exhéle
-Porsi t’ishte shtet rrethimit –
E me mue, ashtu krye për krye,
M’ban rixhá qi t’éme-bij
Ta dërgojshe der n’Austri
97

Për me xánë vajza me kcye,
Me m’xánë dájre edhe çapáre,
Që kur t’kthete n’tokë shqiptare,
Pipin n’gojë, synin kakruk,
Për mbas vedi ndoj qén-uk,
Zhaburetën ulë m’njanë sye:
Buzët në t’kuq, marshalla, zhye,
Si t’kisht’ ngrânë fiq kakaréça,
Vetllash repë si peshqt lakéça,
Dy kapakësh setrën shpërthye:
Përmbi gjû kotllën shkurtue,
Krahët der m’stjetlla picakue,
Vesh e m’vesh flokët rrumullue,
Dishka djalë e dishka grue,
T’dijte ajo rrugës me u përkûndë,
Kodër vithet me i lëkûndë,
Me hjedhë kamën, me dredhë belin,
Me këcye “kamsharavelin”,
Kamë për kamë e duer për duer
Me oficera e me mehmurë
Me Njizetetetë Nanduer;
Pse po thonë, ka thanë Luigj Shala,
Gjergj Kokoshi e Qamil Bala, -
Zgjedhun teste mbas besimit –
Se t’gjith vrapi i qytetnisë
E i lulzimit të Shqipnisë,
-Posë se nëpër brýna t’skjapit –
Aj po matej për mbas hapit
Që po bajshin varzat t’ona
Tue kcye ballo npër salona:
Edhe grat – veç jo fort t’vjetra.
Kshtu që sa mâ haptë t’jetë “sétra”,
Edhe kamët e ndoj marroqes
Sa mâ larg t’rrijn prej shoshoqes,
Kur t’kcejë ballo e t’hidhet lepër,
Duen me thanë se njáq mâ tepër
Hapet dija – e qytetnija,
E, aq mâ fort lulzon Shqipnija.
Edhe rrashtat arsimore
I caktuen nji “bursë” shkollore
Prej Financave shtetnore,
“Si mbas ligjit në fuqi”.
Napoljona ar flori,
Për njiherë, mâ mirë nuk ká!
Mue Shqipnija m’doli vllá,
Mâ dahà se vetë Turkija:
Bân fmij grueja e mbâjë Qevrija.
Ku kjo punë mund t’bâjë vakí?
98

Kurrkund n’jeti veç n’Shqipni!
Jo, p’r’i herë jam n’terezí;
Kurr mâ mirë vedin s’e di!
-Dersa t’m’hecë, prá, puna mârë,
E t’m’hecë rroga në frank ar,
Kam për t’kënë gjithmonë Shqiptar.
Veç jam n’hall me t’ême-bij,
Që sa kthej, belaja, n’shpi,
Ia ka nisë kjo me u zgërdhî
Me harâma djelm të ri,
-Do kodosha batakçi, -
Hà-hà-hà! E hì-hì-hì!
Hì-hì-hì! E hà-hà-hà!
Tobe stagi furullah!
Por pse vetë, ashtu tue e pá,
Shpërvjelë shtatit për hatá,
-Me t’u xânë, vallâhi, syet! –
E, se askund s’po çáte kryet
As për t’âmën as për mue,
As me mshie as me gatue,
As pse digjej tava n’furrë,
Thashë me vedi: Diku burrë
Veç lypë kjo, po, edhe ia fola
Njaj zotnije, djalë esnâfë,
Mjaft i zoti edhe kah shkolla:
Muej për muej ky shtèk tue rráfë
N’at Avropë për reshperí;
Serè s’mirë, taman zotní.
S’dij kù t’zijt paska pasë ndie,
Edhe ‘i ditë vjen tue turfllue,
E po m’thotë me sherbesllek:
A imênd, babë, don me m’martue?
-Hik, mò, i thashë! Maskarallek!
Nuk t’vjen marre, vajzë tue kênë,
Punë martese me përmêndë?!
Un nuk dij se ku e ké kryet
E, sa mirë të bâjnë ty syet,
Babë e nanë tue i pasë sod gjallë,
Me m’xânë mue n’gojë ketë fjalë?! –
Mirë, po kuçka ç’merr e ç’m’thotë:
Ti, mor’babë, jé njeri idjotë,
Injorant e fanatik,
Me tesbih e me jibrik:
Gukson t’madhe mbi sahán,
Rri tue u falë sabàh e akshám,
Lut bajram, mbân ramazán,
Edhe bân natën harám,
Se nanës sorra mêndt m’ia pivi
99

E, mâ s’din shk’â imperativi
Që po i thonë kamlikaçik....
Jo me gjásë, kategorik
Se un, po, burrin e gjêjë vetë,
“Si mbas ligjit në fuqi”,
Se un kam zanë, manà, nji ashik,
Djalë të bukur-karajfil:
Se as lazëm nuk kam pvetë
Nanë, a babë, Hysejn, Tafil,
As me pritë m’bajram m’bajram,
Se un pa e marrë çajre nuk kam,
“Si mbas ligjit në fuqi”:
Se s’ka Allah as Perëndi:
Nuk ka Krisht as Muhamet,
Se gjithshkafja asht nji shauret
Që përfton nieri n’rrashtë t’vet;
Se jashtë nesh nuk ka kurrgjâ:
Na jém “Zot”, na jém “dynjâ”!
Edhe del, si cùb haram,
Derën tue përplasun brrâm:
Kaq, naleti, isht’ çue at ditë peshë!
(Ndër kaq i kcen mica n’tryezë.)
-Pis! Pis! Pis!....Pis! Hè kaurreshë! –
Taksirat, por shka me bâ!
Kush laneti pat dijtë gjâ,
Kur e nisa për Avropë,
Se mêndt do t’i darte n’shkjopë
E, se mue do t’m’kthete n’shpi
Me ‘i qèrr huj e ‘i kal hakrri
Tue m’a qitë gjithë ketë travajë!
Se, t’mos isht’ po, shêrri i sajë,
Un,vallahi, npër Shqipni
Kjeshë tue e vue krejt n’terezi,
Pse po m’thonë qi atje ma vonë
Nji pension Shqipnija e jonë
Edhe grues ka për t’m’ia dhanë:
Si shum kujë atje në Vlonë,
Durrës, Berat, Korçë e Tiranë.
E ma tepër kam uzdajë
Se kjo e bukra moj Shqipni
Edhe ajlleqet do t’m’i lajë,
Që m’kan mbetë pa nxjerrë n’Turki.
Un, qi motit nën Turki
Kam kenë rréshkë e bâ sylash,
Edhe mrudhë si spec turshi,
E, me të thanë shum, nji zollotë
S’kam pasë n’qese, npër Shqipni
Po i kam prap sod m’katër rrotë:
100

Rrî e bâj pállë me grue e fmij,
Diku rroga, diku “thoni”,
Kodër qesja m’rri në gji,
Këndej thûmi, andej patkoni,
Nëpër t’bukrën ketë Shqipni,
Kaq t’jam vû sod n’terezi,
Me m’a pasë nji Páshë lakmi.
Veçse prap mue, si Shqiptar
Që jam sod, edhe zyrtar,
Kollaj fort mund t’m’qesë ndêshtrâsha,
Prap do drêdha – pak si t’trâsha –
Me ia hjekë Shqipnisë n’lëkurë:
Sa t’ketë gjâsë për nji mehmur,
Merret vesht. Po zâmë: Nji vilë,
Edhe t’vogël, ndoj qifllek;
Nja pesë mij sterlina pilë
Kûnd n’ndo’i Bankë; ndo’i ortakllek
Me shoqnin “Ragazzi” n’ura,
N’rruga, n’vija e ndër fatura
Ministrinash, nuk jan shum.
S’shkoj un, jo, hallakatrum,
Se as me fikë nuk due un shtetin.
Meazallah! Un due veç vedin,
Pak a shum, me ndreqë. Sa páre
Bâjnë për shtet, disa cingâre
Sa t’marr n’ “Stamles”? Në Financë
Prap ndoj púllë? Nji udhtim der n’Francë?
N’Semmering, mbasi pak n’zgrip
Jam me shndet? Prap pse n “Agip”
Mangut t’dalë ndoj but benzinë?
N’petka ushtarësh pse ndoj sterlinë,
Si pa dashtë, t’m’rrshasë në xhep,
S’asht, kujtoj, gjith aj gazep,
Si po e zâmë – e ktu po e lâmë,
Do kallâmkusure tjera
Që mehmurit hera-hera,
Si pa ‘hiri, i jesin n’thue,
Jo harám, harám nuk due
Nji dy paresh.... Ah pà! Pà! Pà!
Tobé stagi furullàh!
Se harami asht nji gjynah!
Jo qi as hajrin s’ia shef shpija.
Ndiç, po thâm prá, se Shqipnija
S’po ishte, besà, jo, aq e keqe,
As nuk po ishte krejt teneqe,
Si nji palë shkojnë tue trillue.
Veç me ‘i punë thâm, kán gabue:
Që ia kân njitë emnin “Shqipni”.
101

Do t’kisht ardhë mâ n’terezi
M’ia pasë njitun “Hajmalí”.
Se kjo kênka ‘i bukuri:
Mue m’ka dalë, manà, Misir!
Do t’m’kisht’ dalë, por, tham, mâ e mirë,
Po t’kish’ ndollë un muhaxhir,
Me do krye tanë kodra-kodra:
Nji krye-grreç a krye-matáre,
Lkurën trâshë taman për lodra:
Si kál shtrigash npër xhaváre,
Ftyrfudull e terbjetsuz,
A për dylme – tobe stàg! –
Alà franka me tanuz,
Mjekrrën ndûkë, çallmën n’sokak,
Prift, as hoxhë, as pop për sy:
Zyft në shpirt, flori ndër dhamë;
Në kalem, në dije n’krye
Taman shtâsë me katër kamë,
Edhe vetë garuzhdë e djallit,
Çilipir tue i rá kavallit,
Pse ká gjásë, që do t’kish’ hí
Edh’ un, po, dikur në vistër
T’njerzve t’mdhej të ksaj Shqipni,
E me u bâ, ndoshta, Minister:
Edhe m’shpinë t’automobilit
Me ‘i rá surles e bylbylit
Npër Tiranë, Korçë, Durrës e Shkodër;
Barkun fâ – marshalla! – kodër
Në “sutljásh” e “kabuni”,
Gjela deti pjekë n’tepsi
N’shpinë të t’bukrës moj Shqipni.
M’pasët m’qafë baba – kjoftë i zi! –
Që gaboj e léu n’Shqipni
E, jo kund n’Greqi, n’Turki,
N’ Rumani, n’ Jugosllavi!
Mjaft me lshue nji sy n’Arsim
Për me pá, po, se ç’gëzim
Asht me kênë muhaxherim
Jugosllav sod në Shqipni!
Po, pra, dèh! Ktu në Shqipni,
Hè ksa’i raftë.... nuk dij se shka!
Se kjo kenka – marshallà! –
Përnjimênd nji bukuri,
Me t’vojtë mêndja, për Allah!
Se po asht harrna ‘i gurabi:
Gurabi e vogël-gogël;
Prap, gjenè, ketë gurabi:
Kaq t’a vukân n’terezi
102

Muhaxhirët saloniklí,
Gogë, rumun, serb, stambollí,
Kush barí, kush djathaxhí,
Kush bakall, kush bozaxhí,
Paçaxhí – mejhanexhí:
Njani piq kshtêja n’çarshí,
Tjetri n’krye vú kamilaf,
Dikush hoxhë, dikush myftí:
Kush n’jorgan e kush n’plaf
Kush zhelan – kush sallahan,
Por yrýsh lshue t’gjith m’pilaf,
Ta kanë qitë, po, Shqipnin’ n’grusht,
E tóçë brryl n’mastikë e n’musht,
T’kanë bâ zyret monopol
Ç’prej Koplikut m’Konispol,
Franka ar tue grrye me spòl,
Do Ministra – e Kryeministra,
Tjerët prefekta – e nënprefekta,
Ktá n’Botore ata n’Foshnjore,
Disa antárë – disa gjyqtárë:
Kush me dá tokët e Shqipnisë
Ndër t’Dobruxhas t’Rumelisë,
Megjithse aj vetë ktu ndën né
Mos t’i ketë kûnd shtatë pllâmë dhé
T’vetat, me hí n’vorr për s’dekuni –
E shko e eja npër Avropë,
-N’ “wagon-lit” pështetë si lopë –
Ktu Bajloza, atje Sefira:
Krushq ndër Krajla e mysafira,
Me ja u pasë, manà, lakmi
Deri lordat n’at Angli!
Megjithkta, prap’mirë se mirë,
Jam sod Páshë, në mòs Vezír.
Nuk asht keq, jo, për Allah!
Prandej, prá, edhe un si fmija
Do t’vrras t’madhe: Rroftë Shqipnija!
(Tue pshtye dy a tri herë m’anësh)
Tobe stagi furullah!

103

SHENIME:


Prof. Dr. Aurel Plasari

Dy fjalë për “GOMARIN” dhe “VISKUN”

Fatkeqësia më e madhe e një populli janë demagogët që pjell ai. Demagogët kanë vetinë të jenë jo veç rrënues kombesh, po edhe shkatërrues qytetërimesh; edhe qytetërimi grek edhe ai romak e morën teposhtën prej kësaj frote, që e bënte Macaulay-n të shfrynte: “Në të gjithë shekujt, shembujt më të ulët të natyrës njerëzore mes demagogëve janë gjendur”. Ata ndër shqiptarë që mund të duan të sigurohen për vetitë e kësaj frote, lé t’i lexojnë sot “Gomarin” dhe “Viskun”, sikur të kenë lexuar dje “Përrallat nga Zululandi” apo “Shqipëria si m’u duk” të një tjetër shkrimtari të mallkuar, Faik Konicës.
“Gomari i Babatasit” dhe “Visku i Babatasit” bëjnë pjesë në satirën politike të Fishtës në të cilën demagogu shqiptar është pikëzuar në tërë tipologjinë e vet: Si vagabond, si rrugaç që në Shqipëri nuk ka se ç’humb përveçse të fitojë, si shqiptar i shpifur apo gjysmë – shqiptar, si turk që e quan veten shqiptar, po dhe si shqiptar që e quan veten turk, si rriqën i pushtetit politik, si hajn e brac me thua të rritur në financë, si dylme e faqezi, si batakçi e rrushfetçi, si oksidental me veshët ende të padëlirur nga hallva e Orientit, po edhe si oriental në cilindër e redingot, si sallahan e zabërhan, si zagar elektoral i shpërthyer zinxhirash, si parlamentar kafenesh e mejhanesh, si filozof me trû të kaçurreluar ndër hambarët e gjymrykët e porteve, si politikan i bixhozit e i mastikës, si mercenar etnik shqiptaromadh, si klikar irredentist që pështyn mbi atdhe për hir të dinit, si nëpunës i pacipë, si veteran i meashit, si sherrxhi té djalli, si pinjoll krenar gjaksish e katilësh, si hasëm kulture e qytetërimi, si neoshqiptar efendi, si qelepirxhi e xhagajdur, si shkrimtar armik me gramatikën, si matrahul e dallaveraxhi, si leader karavidhe që bën thirrje për Perëndim dhe tërheq për Lindje, si sociolog i formuar nëpër kafe-shantane të Evropës a i rysur ndër paçaxhihane të Tiranës, si xhambaz i ngrehur gjel mbi pasuri të shtetit, si autodidakt i arsimuar në tavull e zare, si konstitucionalist në gjak me ligjet, si nacionalist me lugë në brez e sy në pilaf e kështu vazhdimisht, pafundësisht, amshueshmërisht.
Nga ana e saj, e denoncuar, e gjitha kjo tipologji nuk mund t’i krijojë një shkrimtari, cilido qoftë ai, veçse armiq. Kësi armiqsh Gjergj Fishta ia krijoi vetes qysh në të gjallë; mbas vdekjes, sikurse ndodh rëndom, ata do të vinin duke iu shtuar. Sot, mbas gati pesë dhjetëvjetëshash mënjanimi të veprës së tij, doemos nuk ka për të qenë vetëm entuziazmi që do ta shoqërojë botimin apo ribotimin e veprës, të satirave politike posaçërisht. Mirëpo, nga sa ia kam dalë t’ia njoh psikologjinë si krijues, do ta thosha me bindje se Fishta është nga ata shkrimtarë të cilët e lëshojnë vetë brezin përtokë e, gjithsesi, trishtohen shumë kur nuk u shtohen armiqtë....
Thuhet se në zanafillë të “Gomarit” qëndron mundja në një lojë dominosh prej Z.Dhimitër Beratti, ministër i qeverisë shqiptare. Gjergj Fishta atë kohë ishte anëtar i Parlamentit dhe Z. Beratti, për t’ia bërë edhe më të rëndë mundjen, i shkruan një poezi humoristike, ia fut në një zarf me mbishkrim ministerial, i vë vulën zyrtare dhe ia dërgon në Parlament me anë të korrierit të dikasterit. Duke menduar se ka të bëjë me ndonjë njoftim të rëndësishëm e urgjent, Fishta e hap aty për aty dhe mbetet i çmeritur. Me t’u bërë një pushim, lë Parlamentin, shkon té ministri dhe e kërcënon duke qeshur: “Hè Toskë! Hé Toskë! Ti ké marrë pendën për të shpotitë nji Gegë; tashti prite se kush asht Gega! Kam për ta kallzue vetë!”.
104

Pjesa e parë e “Gomarit”, ajo që u botua, nënshkruhej përnjëmend me pseudonimin Gegë Toska. Doemos, ndodhi të tilla mund të shërbejnë si anekdota për të ndihmuar në shtjellimin e ndonjë shkasi të krijimit të veprës. Shkaqet e mirëfillta të zënies së veprave të artit kërkohen e gjenden shumë më thellë. Në rastin e një satire politike si “Gomari” ato mund të zbresin té rropullitë e kombit ku, si në çdo organizëm të gjallë, së toku me qarkullimin e gjakut, gëlon edhe qelb, shumë qelb. Janë shkaqe që kanë të bëjnë me zhgënjimin e Fishtës prej jetës politike shqiptare në përgjithësi dhe prej parlamentarizmit shqiptar veçanërisht, jo thjesht si shkrimtar, por si një ndër pjesëmarrësit më të zellshëm në këtë jetë politike dhe si anëtar e nënkryetar i Parlamentit shqiptar të sapo krijuar. Me 1922, ndërkohë që ndodhej në Paris, ai e njofton sivëllain e vet At Pal Dodajn: “Jam tue shkrue nji poemë satirike fort me randësi, në tetërrokësha të rimueme, dy kangët e para të së cillës, shpnesoj, kanë me kenë gadi para se të lâ Parisin. Do të flitet në ketë poemë per jetën politike shqiptare, si até të kaluemen, të tashmen edhe të ardhmen.”
Por, nëse hulumtojmë më përthellë, mund t’i gjejmë rrënjët e zhgënjimit fishtjan edhe më herët, qysh në vitet kur romantikët nacionalistë luftonin për krijimin e një shteti të shqiptarëve. Po Dodajt ai i shfrehej më 1907: “....I lumi ti, qi nuk i ké kalue të tridhetat e mund të késh ende ndjesi patetike! Sa për mue , me të thanë të vërtetën, sot kishe me dashtë me i mbytë mendimet e ktilla, mos tjetër....se kishte me kenë njisoj si me andërrue të pamujtunën. Sepse, e pamujtun asht për né me e pasun nji Atdhé simbas Idealit t’onë.
Kush do ta trajtote këte Atdhé? Të marrët, apo kulimët e terbjetsuzat, njerëzit pa pikë karakteri të qyteteve tona, të poshtnuem edhe mâ prej dredhinave të mbrapaskenës së mirëbâsave të tyne t’interesuem e të bâmë edhe mâ të ligj prej mbrojtjës së dobët t’ustallarëve të tyne?.... Të jesh prandej i sigurt se nuk do ta trajtojnë jo Atdheun tonë burrat mikroskopikë të Shqipnisë, të cillët, tue sha shoqi-shoqin e tue i bâ grindjet e vogla vetjake çashtje kombtare, sikurse kjé ajo e alfabetit, janë mikrobët e vërtetë të kombit qi po ia brejnë mushknitë, në mënyrë qi nuk ka me kalue shumë e Shqipnia ka me mbetë nji coftinë e qelbun për me shue ûnë(urinë)bijtë çakaj t’Ausonisë ase zhgabat grabitqare të Danubit a por, çka asht edhe mâ zi, ujqit e arijtë e Ballkanit!”.
Duke qenë se shfryrje të tilla, në të cilat radhitën varg e vistër shëmti, marri e ndotësi të shqiptarëve, i hasim gjithnjë më të shpeshta në letërkëmbimin e tij privat. Né sot e kemi të drejtën të përfytyrojmë se sa duhet të ketë hequr e vuajtur një shkrimtar si Fishta tèk ka qenë i shtrënguar të kridhej thellë e më thellë përçudnimit të një Shqipërie rënë në dorë të demagogëve, të një shteti që, më të mëdha se shpenzimet për arsimin kombëtar, i ka në buxhet shpenzimet për “hafije”. Për më tepër, të mos mund të zgjidhte për kryeveprën e vet satirike hero me të dênjë se një.... gomar! Ai çka tash na befason është fakti se pikërisht gjatë atyre viteve ky i Zhgënjyer i Madh, me kokëngjeshjen e një gjeniu ose të një të çmenduri, gdhend për dyzet vjet rresht epopenë e “Lahutës”, atë monument mastodontik “burrënie”e “trimnie”, “bese”e “qindrese”, “vllaznimi”e “bashkimi”. Ky shpërfytyrim prej demiurgu, i ngritur mbi një dekalazh tragjik shpirtëror, duket se ishte gjoba më e madhe që Poeti ia paguante Atdheut.
Me ç’dhimbje të thekshme duhet t’i ketë dashur Shqipërinë dhe shqiptarët një shkrimtar i tillë?
Këtë të fshehtë e paskan ditur do burra mendjehollë, të cilët na kishin paralajmëruar për fuqinë e pazakontë të satirës së tij politike: Benedikt Dema kur për këto satira shkruante se “mue më duken copa të nji arti qi s’e ka shoqin në letërsinë botnore”. Lasgush Poradeci kur shpallte se “Fishta është njëri ndër shkrimtarët satirikë më të mëdhenj”. Pashko Gjeçi kur e cilësonte si “kirurg mefistofelik i jetës shqiptare”, apo Pal Dukagjini

105

(At Danjel Gjeçaj), i cili duke folur për satirën fishtjane, pohonte se “në ketë gjini pak kushi, besoj, mund t’i rrijë krahas ndër shkrimtarë të huej”.
Tingëllojnë si ekzagjerime? Këtë nuk mund ta themi aprioristikisht. Për t’ia peshuar vërtetësinë këtyre vlerësimeve, e shumë të tjerave si këto, t’i lexojmë njëherë “Gomarin” dhe “Viskun”, mandej lé t’ia nënshtrojmë ato gjykimit tonë; ky gjykim, sado i rrebtë qoftë, nuk mund të jetë me i vrazhdë nga ai i popujve të qytetëruar për veprat e satirikëve të tyre të mëdhenj prej të cilëve po me konop të lagur qenë rrahur. Sepse, nëse britanikët i meritonin “Udhëtimet e Guliverit”, rusët “Shpirtërat e vdekur"apo gjermanët “Përrallën e dimnit”, shqiptarët duhet t’i kenë pasur hàk jo më pak hèm “Gomarin”, hèm “Zogun e Gomarit”.


Shpjegime shprehjesh dhe fjalësh:

1. Parnas-mitologji: Mal që ngrihej mbi Delf, ku ndodhej vendi i shenjtë kushtue Apolit; për ketë arsye mendohej edhe si seli e Muzave (Zanave).
2. Pegas-mit.: Kalë me flatra i mitologjisë greke; nga Olimpi pat zbritë në Helikonë; aty me një shkelm çili një gur magjik që frymëzonte poetët të cilët pinin në atë burim.
3. Kvirinal-hist.: Një nga shtatë kodrat mbi të cilat asht ndertue Roma. Sot aty asht Selia e Presidentit të Republikës Italiane.
4. Bismark-hist.: Burrë i shtetit gjerman (1815-1898), asht futë në histori me nofkën e njohtun “Kancelari i hekurt”. Asht farkëtuesi i madh i unitetit gjermanik; ishte ndër autorët e “Aleancës Tripalëshe”(Gjermani-Austri-Itali), e cila ka luejt rol të rendësishem në daljen e Ballkanit nga Perandoria Turke.
5. Dityramb-poet : Hartim i lashtë poetik; té grekët e vjetër vinte prej kultit të Dionizit prandej, lidhej me dehjen dhe euforinë.
6. Kaliope-mit.: Muza (Zana) e elegjisë; paraqitej me një rrotull në dorën e majtë.
7. Aelius – personazh bihud, si duket deformon emnin e shkrimtarit dhe filozofit latin Lacius Apuleus (rreth 150 –180), autor i veprës së bujshme “Metamofoza ose Gomari i Artë”, ku shkruhet për aventurat e një djalit të rij të shndërruem në gomar nëpërmjet të magjisë dhe i kthyem përsëri në njeri.
8. Pallas Athina-mit.: Një nga Hyjnitë ma të rendësishme të Panteonit grek; asht vizatue në dy mënyra, si Athinë dhe si Pallas Athinë. Hyjnesha e luftës, këshilltare e afërt e heronjve ma të mëdhaj; ma vonë edhe mbrojtëse e arteve, shkencave etj.
9. Lassen Sie nuri- gjerman.- lene mâ!, mos e ço mâ gjatë!
10. Neni gordian- hist.: Kur ndodhej në Gordium, Aleksandri i Maqedonisë mori vesht punën e një nyeje të ngatrrueme në një mënyrë të pazgjidhëshme nga asnjë njeri, tue marrë vesht legjendën simbas së cilës ai që e zgjidhë atë nyje do të pushtonte botën, Aleksandri nxori shpatën dhe e këputi nyjen dysh.
11. Var, efendëm, var!-turq.: Fol, zotni, se flitke bukur!
12. Pravo, zdravo-sllav.: Mirë e bukur.
13. Laholevelá!-turq.:Ruejna, Zot!
14. Tobe estagi furullah!-turq.: Na ruej, Zot, nga ky mëkat!
15. Allahile!-turq.: Pashë Zotin!
16. Sozyn la bamá-turq.: Me nder’e me thanë....

106

Shenim: Shpjegojmë disa fjalë të vjetra, si dhe turqizma e italianizma të përdoruna nga autori si ngjyra stilistike kesësuese, ironizuese etj.

Adalet-ndf.: Shumë, tejmase, e teprueme.
Ajllek-em.: Rrogë, pension.
Akraba-ef. per.: Rreth familjar, farefis.
Angllisht-ndf.: Tjetër për tjetër, mbrapsht.
Avrom-em.: Gjindje, njerëz.
Bat-em.: Rrasë ose trinë që vehët për grackë me kapë zogj, për kurthë.
Beledije-ef.: Bashkia në organizimin osman.
Bendenyz-em.: Sherbëtori i juaj – formë ironike.
Besh-dort-shpr.: Pesë-katër (në lojën e tavlles).
Me u beshletis-fol.: Rregullohem disi (nga ana ekonomike).
Bihude-mb.: Pa vlerë, i zbrazët, njeri kot.
Binish-em.: Mantel grash.
Botë-ef.: Baltë.
Crule-shq.: Cule, zhele.
Çarje-ef.: Mjeti ose mënyra me zgjidhë punë, me sherue.
Çangall-em.: Çakall.
Çyçek-em.: Hollak, i gjatë, njeri i lehtë.
Çynqi-ndf.: Të gjithë.
Dahá-ndf.: Ma tepër, aq ma shumë, asht shumë e me shtue prap.
Derbeder-em.: Vagabond, faqezi.
Dergjé-ef.: Tuberkuloz.
Devër (saber)-ef.: Durim.
Dishditës-ndf.: Një ditë, një herë, dikur.
Dogonis-fk.: Ngacmoj, lëndoj dike.
Dumbara-ef.: Hilé, rrêng.
Dy-shesh-shpr.: Dy-gjashtë (në lojna zaresh).
Dylme-em.: Dredharak, hileqar, njeri që të lahet e të lyhet – servil.
Eshek-em.: Gomar.
Eshendibilah-shpr.: Dishmoj me Perëndinë, me Zotin.
Exhele-ef.: Ngut, këtu: urgjent, gjâ e shpejt.
Me u fâ-fk.: Me u ngopë, me u ajë tue hangër.
Ferk-em.: Dallohet mirë, shquhet për diçka.
Filuzë-ef.: Falimentim, bankrrotë, pa kurgja mbas shpirtit.
Fistan-em.: Fustan, fustanelë (veshja e burrave të jugut).
Gaç-em.: Kërriç, zog gomarit.
Garramet-em.: Punë e ngatrrueme, me pengesa.
Gerhanë-em.: Krahën që lnuret leshi ose lini, krehet para tjerrjes.
Gopedër-ef.: Top i llojit të vjetër.
Gjèt-em.: Këtu: afër, në cak, në fis.
Gjygym-em.: Gjym, enë për ujë prej bakri.
Gjytrym-em.: Galamsh, ulok, i mbetun, i paaftë.
Hallakotrum-ndf.: Kot së koti, kudo rasha e mos u vrasha.
Hallbu-lidh.: Por, ama.
Handrak-em.: Pisllek, vend i ndytë.
Haps’hane-em.: Burg.
107

Hergjele (hergele)-em.: Tufë kafshësh e lanun lirë në kullosë. Pélë e zgjidhun.
Hasi-em.: Kryengritës, i pabindun.
Hep-jek,-shpr.: Një e një (dy njisha në zare).
Me hukatë-fk.: Me të shitue zana, me të lëshue frymen në fëtyrë.
Hukubet-em.: Diçka e shemtueme, e keqe në pamje.
Hyqymet-em.: Qeveri.
Insan-em.: Njeri.
Imza-ef.: Nënshkrim, firmë.
Iptadije-ef.: Shkollë plotore (turke).
Iqi-bir.-shpr.: Po njësoj, po atë mënyrë, Po ashtu. (në tavëll).
Ishkile-ef.: Dëshirë e madhe, merak i fortë.
Ixhiram-em.: E metë, cen, e mangët.
Më jèt-fol.: Më mbeti, mbes pa e krye.
Jullar-em.: Ullar, kapistër.
Kabull-em.: Pelqim, pranoj, e begenis ket gja.
Kacabet (kaçybet),-em.: Skifter.
Kafaz-em.: Roje personale në sherbim të konsullit.
Kakruk-em.: Kokërr (një frut), me ndêjë në një qoshe pa tu ndi zani.
Kalangerrç-em.: Ecë si i mpimë, kur të kap ngerrçi. I sëmurë epileptik.
Kallamkusur-em.: Ajo që ka mbetë, teprica.
Kanavetë-ef.: Sënduk, arkë e vogël me dry, arkë ku ruhej diçka e veçantë.
Kardash-em.: Qehaja, pasvani, njeri i besimit.
Me kargatis-fk.: Shtrij, tendos, shtrimje mbas mpimjes.
Kartel-em.: Fletore, rradhuer.
Kashë-ef.: Arkë ku ruhen paret.
Kezë-em.: Kunorë.
Kermez-em.: Ngjyrë allè e mbylltë.
Kin’ (kindemek)-pj.: Kinse, me bâ sikur, demek.
Kokòt-em.: Njeri që ngrehet si gjel, fryhet si pâci, torollak.
Korcull-em.: Korsuj, korcullarë, konsull i konsullatës.
Korrname-sh.: Pohe, krenari me shumë kërkesa.
Kotrum-ndf.: Kot më kot, kudo rasha e mos u vrasha.
Me kreckue-fk.: Krasis, me krasitë barin.
Kulihum-ndf.: Kryengulthi, me u rrëzue (me rá) nga pakujdesia.
Kulim-em.: Mistrec, përqeshës.
Lazëm-ef.: Bân lazëm, hyn në punë, duhet për ....
Lbozë-ef.: Blozë, çagjë oxhakut.
Llakordi-ef.: Llafe, thashetheme, shumë fjalë.
Maklladë-ef.: Dokërr, profkë.
Mallá-pj.: Mos vallë, ndoshta.
Mallimét-em.: Veshje e të vdekunit, rroba vdekjet.
Maná-ndf.: Besà, kështu prá.
Meash-em.: Pagesë, rrogë, pagëtyrë.
Mehmur-em.: Nëpunës.
Mehmuriet-em.: Nëpunësi, punë në zyre.
Mendiz-em.: Specialist, ekspert, i aftë.
Mereqep-em.: Mellan, bojë shkrimi.
Metelik-em.: Monedhë turke, e dhetë e pares, një qindarkë me vlerë pak.
108

Mexhelé-ef.: Kodi civil (i vjetër i Turqisë).
Mhyr,(myhyr)-em.: Vulë, unazë që përdorej edhe për dyllosje.
Mylk, (mylqe)-em.: Pronë e madhe, tokë, kullosa, vneshta, pyll etj.
Nafakë-ef.: Fat, baft, shans.
Piç-em.: Njeri pa vlerë, batall, burrë me mendje fëmije.
Plish-em.: Bûcë, copë dhéu.
Portare-em.: Trinë e thurun me thupra, që sot asht dera e oborrit.
Qesatllëk-em.: Mungesë pune, kriza ekonomike.
Rrangë-ef.: Punë e përditëshme, barrë, ngarkesë.
Rreshper-em.: Tregtar, qarkullues paresh me sasi të madhe.
Ruzhdije-ef.: Shkollë fillore turke.
Rriqën-ef.: Parazit që thithë gjak në veshtë e qenit, njitët si rrodhe.
Sallahan-em.: Rrugaç, vagabond, kasap në kuptimin fyes.
Samadak-em.: Djalë i ri dhe i aftë në punë.
Sandalije-ef.: Poltron, karrigë e rahatëshme.
Se-jek,-shpr.: Tre dhe një (në lojë zaresh).
Sebet-em.: I afërm, kushrini, farefis.
Sefir-em.: Ambasador.
Singi (syngji)-ef.: Bajonetë arme.
Son-em.: Fundi i lojës, përfundimi, letra e fundit në lojë.
Spathok-em.: Lapér, leckaman, i lanun, pa vlerë në shoqni.
Spik-em.: Gajtan leshi zbukurues. I heq spik jetës-ban jetë të mirë e me kërkesa.
Stom-em.: Pjesë toke e çueme rreth arave, tokë mbi nivel të brigjeve të lumit.
Stramastik-em.: Pjellë e përftueme nga prind llojesh të ndryshme, p.sh. qen me ujk.
Sylah-em.: Brez armësh.
Syret-em.: Fëtyrë, ka syret e t’et...ngjason me babën e vet.
Syretá-em.: Për pamje, për dukje, për fëtyrë.
Syrgjyn-em.: Interrnim. I dëbuem.
Shah-ndf.: Kur kali çon dy kambët e para dhe rri madhshtor mbi dy të mbrapmet.
Shakllaban-em.: Llapazan që kërkon me përqeshë të tjerët.
Shan-em.: Dinjitet, nderë.
Sheste-ef.: Busull, nuk di me mbajtë shesten – nuk di me mbajtë drejtimin.
Shesh-besh-shpr.: Gjashtë e pesë (në lojë zaresh).
Shkorret-em.: Vend me shkurre, ai i shkorretit-euf. Ai i djallit..., vendi i dreqit.
Shmertis-fk.: Zbloj fëtyren nga perçja ose napa.
Shnjalli-em.: Djalli, asht si shnjall – asht si dreq.
Shqek, shqekë-em.: Xhep, xhepa.
Tanuz-em.: Fes i zi alla turka, tanuz – model nga Tunizia.
Tarbjetsuz-em.: Nuk shtrohet, nuk bahet tarbjet, nuk bindet.
Tarabë-em.: Drrasat që hapin e mbyllin pamjen e dyqanit.
Tebá (tebaje)-ef.: Nënshtetas.
Tekahyt-em.: Gjysëm njeriu, i sëmurë nga mendtë.
Telbiz-em.: Dinak, i rrafinuem, dhelpnak.
Me ternue-fk.: Shndrroj, metamorfoj.
Terrçuk-em.: Lëkurë e bame thès.
Teste-ef.: Dhetëshe, zgjedh teste –“ma të mirat”.
Tevabi-ef.: Përcjellë, me çue.
Topanxhë-ef.: Pisqollë, kobure me strall.
Vár-em.: Fjalë, fjalim, ligjërim.
Vergi (vergji)-ef.: Taksë shtëpije, dyqani, toke, etj.
Xhep e lep-shp.: Paguej e të shërbejë; xhepi plot, gati për shërbim.
Zaranë-ef.: Lloj shelqje, tip mrinash.
Ylldyz-em.: Ylli.
Ymer-em.: Jetë; për ymer – për jetë, për amshim.
Zollude (zollotë)- ef.: Monedhë turke tridhetë paresh.

Shenime për botimin:

Për pregatitjen e këtij botimi të plotë u përdorën, për pjesën e parë Gegë Toska: Gomari i Babatasit, shtypë në Shtypshkronjën Françeskane, 1923, tue u këshillue edhe me botimin e III (1942); për pjesën e dytë dorëshkrimet e autorit: Visku i Babatasit, të gjetuna në tri duer, tue u mbështetë kryesisht në dorën e fundit.
Nga ana gjuhësore, në të cilën vehen ré inkonsekuenca si mes botimeve të ndryshme të pjesës së parë, ashtu edhe mes varianteve në dorëshkrim të pjesës së dytë, janë ba disa ndërhymje të lehta.

Fundi i librit të botuem në Tiranë, viti 1994. ___________________________________________________________________


Shenim: Kopjova këte kryevepër të At Gjergj Fishtës, mbasi kur më rá në dorë mu kujtue se kur e kam lexue sëpari prej Prof. Gaspër Ugashit, më ka pasë thanë:
“Po t’a nap me e lexue ketë libër, mbasi kjo vepër do të cilësohet njëditë nga kritika letrare, kryevepra e Fishtës në satirë, vepër e cila e rreshton ndër kolosët ma të mëdhaj të letërsisë botnore.”(Në vitin 1958)
Gjatë kopjimit kam vue shenjat e domosdoshme të dialektit gegënisht, mbasi shpesh vargut i ndryshon kuptimi prej mungesës së tyne; kryesisht hundakja (â) dhe theksi.
Mbasi të përfundoni së lexuemi, mos e futni në sirtarin e librave, por kalonje në duert e tjerëve dhe, mundësisht në duert e ma të rinjve që të kuptojnë se pse iu tretën Eshtnat dhe iu prish vorri nga komunistët aziatikë e lindor këtij Tribuni?

Melborne, Korrik 2005 Fritz Radovani – de Angeliis
FUNDI
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi sundimit të gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”: Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko - Jerzi Popielushko

Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin! Fritz Kolë Radovani
Posto një përgjigje 3 postime · Faqe 1 prej 1
Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 0 vizitorë
Powered by phpBB3
Copyright ©2008 phpBB Group.
Të gjitha oraret janë UTC + 2 orë . Ora 22 Tetor 2014, 06:45
Designed by Monitonix
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari